agron malaj- Xhelal Mziu
TIRANË- Seanca gjyqësore në ngarkim të deputetit demokrat Xhelal Mziu, i cili është paditur nga Agron Malaj për veprën penale të “Shpifjes e kryer botërisht” është zhvilluar këtë të mërkurë.
Mësohet se në seancën e sotme, avokati i deputetit demokrat Xhelal Mziu, ka pretenduar se deklarata e dhënë nga klienti i tij gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, ka qenë në cilësinë e drejtuesit politik të zonës dhe i është referuar informacioneve që atij i kanë ardhur nga strukturat. Marash Logu i kërkoi Prokurorisë së Posaçme t’i vendosë në dispozicion informacionin se në çfarë faze ndodhet hetimi që ka nisur për ngjarjen në Maqellarë dy ditë para zgjedhjeve.
Ndërkohë, nga ana tjetër pala mbrojetëse e Agron Malajt, sot deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe në periudhën kur ndodhi deklarata, kryebashkiak i Matit, ka pretenduar se ai nuk ka qenë fare në zonën e Maqellarës ditën kur pretendon Mziu.
Por çfarë ndodhi?
Më 10 maj, në Maqellarë, vetëm një ditë para hapjes së qendrave të votimit, simpatizantë të Partisë Demokratike ndaluan një automjet, duke pretenduar se personat që ishin në të po shpërndanin para me qëllim blerjen e votave në favor të Partisë Socialiste. Lidhur me rastin, drejtuesi politik i Partisë Demokratike, deputeti Xhelal Mziu akuzoi (asokohe) kandidatin socialist Agron Malaj, duke u shprehur se makina ishte e tija.
“Një mjet është në pronësi të Agron Malajt dhe brenda tij janë të paktën dy persona. Ndërkohë, ka një tjetër mjet që i përket një biznesmeni. Ky mjet është bllokuar nga disa demokratë, të cilët po shpërndanin para në lagjen e Magjellarëve. Sot kam denoncuar një numër të konsiderueshëm, më shumë se 80 persona, vetëm në Bashkinë e Dibrës. Rilindja po sheh që rezultati po shkon 4 me 1, dhe është e qartë se kjo po bëhet me urdhër të kryezyrtarit apo edhe të personave të tjerë që duan të blejnë çdo votë. Ata mendojnë se po shpëtojnë nga disfata. Unë nuk e di se kush është kreu i Task Forcës. Nuk kemi pasur asnjë lloj kontakti me ta. Kemi bërë edhe disa denoncime që janë paraqitur formalisht, por nuk ka pasur asnjë reagim dhe nuk kemi pasur asnjë lloj kontakti me autoritetet. Askush nuk është njoftuar deri tani, përveç policisë që është e pranishme,”-tha Mziu.
Si përgjigje, me anë të një videoje, Malaj tha se ai ndodhej në Burrel me shtabin elektoral dhe jo në Maqellarë ku pretendohet se është bllokuar makina nga mbështetësit e PD-së.
Reagimi i Agron Malajt:
“Marr shkas nga deklarata e Xhelal palaços, që thotë makina e Agron Malajt. Agron Malaj është me shtabin elektoral në qytetin e Burrelit dhe nuk ka lidhje fare me makinën e Xhelal palaços edhe Shkëlzen palaços që e nxjerr aty për të përgojuar emrin tim. Makina aty është, makina të verifikiohet. Por këta janë palaço cirku, që Xhelali po përgatit humbjen më të thellë. Dhe i ka ngel në gojë Agron Malaj. Ja, ja ku e keni edhe Xhelo ziun që shpif, që makina në Maqellarë që s’kemi lidhje, dhe ne jemi këtu në Burrel”.
Ndërkohë, bëhet me dije se eanca e radhë do të mbahet më 8 tetor./ZËRI