mondi mehalla dhe kico i elbasanit-sheval muharremi
TIRANË- Një marrëveshje e prishur pre 700 mijë eurosh dyshohet të jetë bërë shkak i një konflikti që çoi deri në vrasjen me armë të biznesmenit Mondi Mëhalla në Elbasan. Mëhlla u vra në një atentat mbrëmjen e 30 nëntorit, ku organizator dhe financues rezulton të jetë El Ouejdi. Ky i fundit, një emër jo i panjohur për autoritetet. Ai njihet në qytet me nofkën Kiço ose Oliver dhe nip i personazhit të njohur “Timit të Elbasanit”.
El Ouejdi është në qendër të hetimeve nga ana e autoriteteve, pasi konsiderohet si personi kyç në hetim me qëndrim të dyshuar në Maqedoninë e Veriut dhe lidhje të shumta në rajon përfshirë edhe me Sheval Muharremin i njohur si “Bosi i Gërçecit” që jeton në Dubai. Bëhet fjalë për Sheval Muharremin, i cili njihet në rrjet si Shevali 007, ndërsa emri i tij lidhet me trafiqe droge dhe histori kriminale, vrasje, etj. Ai rezulton i përfshirë në vrasjen e Shyqyri Beut, i njohur si “Riku Beu” nga Kavaja, i cili u gjet i pajetë i groposur në vitin 2020 në Maqedoninë e Veriut, vend ku dyshohet se kishte nisur të kryente trafikun e drogës. Po ashtu, edhe si pjesëtar i një grup të strukturuar kriminal që merrej me trafik të drogës nga vendet e Amerikës Latine. Aktualisht, ai është i shpallur në kërkim nga Maqedonia e Veriut.
Por, cila është historia e konfliktit mes biznesmenit dhe “Kiços” që përfundoi me plumba…? Mësohet se rreth 10 ditë para vrasjes Mëhalla kishte ushtruar dhunë fizike ndaj El Ouejdit në karburantin “Xhaxhi Oil”. Në qendër të konfliktit? Një marrëveshje tregtare e papërfunduar me vlerë 700 mijë euro, ku rezulton se El Ouejdi nuk ka pranuar detyrimin financiar dhe kishte ofruar si kompensim katër apartamente në Tiranë por me probleme pronësie gjë që rriti tensionin mes tyre. Nërkohë, 10 ditë pas përplasjes fizike Mondi Mëhalla u qëllua me tre plumba dhe u vra profesionalisht ndërsa autorët dogjën makinën tip Audi pas krimit.
Në lidhje me ekzekutimin, Policia ka vënë në pranga edhe Xhino Agon, ish-ortakun e Mëhallës, i cili akuzohet se iu ka dhënë hua mjetin dy prej autorëve të përfshirë në ngjarje, të shpallur në kërkim Amarildo Kola dhe Marselo Arani, si dhe rojen e karburantit, shtetasin Kujtim Pisha, i cili akuzohet për moskallëzim krimi.
Nevzat Spaho, është një tjetër i arrestuar për vrasjen e biznesmenit Mondi Mëhalla. Spaho është vënë në prangat e policisë në Përrenjas, pas një ndjekje disa orëshe nga Policia. 29-vjeçari dyshohet se është ekzekutori i biznesmenit. Ai rezulton i dënuar më parë nga gjykata e Elbasanit për akuzën e “Shtrëngimit me anë të kanosjes për marrje pasurie” dhe “Mbajtje pa lejë të armë”. Në vitin 2022, ka rezultuar se shtetasi Nevzat Spaho, ka shtrënguar duke e dhunuar fizikisht, si dhe ka kanosur me armë zjarri, një shtetas, për dhënien e një shume parash prej 3 mijë eurosh.
Mondi Mëhalla u ekzekutua mbrëmen e të dielës (30 Nëntor) në mjetin e tij Range Rover, i cili gjendej i parkuar pranë karburantit “Xhaxhi Oil” në pronësi të tij. Hetimet janë përqendruar në konfliktet e mundshme që 43 vjeçari Mëhalla ka pasur kohët e fundit, pasi disa prej te shoqëruarve dhe të afërm të viktimës kanë dhënë deklarimet e tyre para grupit hetimor. Mëhalla ka qenë i skeduar më herët për shpërndarjen e lëndëve narkotike dhe armëmbajtje pa leje, ndërkohë që në vitin 2020, Prokuroria e Elbasanit ka nisur një hetim pasuror ndaj tij për pastrim parash.
Mëhalla, ishte pronari i club lounge “Hollyvood Lounge Bar”, i cili njëherësh zotëronte dhe një pikë karburanti të quajtur “Xhaxhi Oil” si dhe një kompani taksish me emrin “El Taxi”. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen “Emin Matraxhiu” në Elbasan, 50 metra larg vendit ku ndodhi masakra e 4 shkurtit 2016, ku mbetën të vrarë 3 persona dhe 8 të tjerë u plagosën rëndë. /ZËRI


