Një lajm i rëndësishëm për aviacionin dhe tregun e punës në Shqipëri vjen nga drejtuesja e zhvillimit të aviacionit dhe marketingut, Manjola Kaso.
E ftuar në emisionin “Aldo Morning Show” në Tv Klan ajo tha se WizzAir, në bashkëpunim me Grupin Kastrati, ka lancuar Akademinë e Pilotëve në vendin tonë. Ky program dy-vjeçar i financuar tërësisht nga kompanitë partnere synon të formojë brezin e parë të pilotëve komercialë shqiptarë, duke ofruar një mundësi unike për të rinjtë që duan të ndjekin karrierën në aviacion. Hapja zyrtare e akademisë do të bëhet më 6 dhjetor.
Manjola Kaso: Një risi, është Akademia e Pilotëve që WizzAir bashkë me grupin ‘Kastrati’ ka iniciuar në Shqipëri. Mendoj që është një lajm shumë i mirë për Shqipërinë.
Aldo: Do bëhet shkollë për pilotët në Shqipëri?
Manjola Kaso: Po! WizzAir ka një akademi në Hungari dhe rekruton prej gati një viti tashmë, pilot të rinj që duan të ndjekin tashmë karrierën si pilotë. Është një program 2-vjeçar i cili është tërësisht i financuar nga WizzAir dhe grupi Kastrati. Ka disa faza seleksionimi dhe ne jemi shumë të lumtur sepse për herë të parë do të krijojmë një brez pilotësh komercialë shqiptarë. Kriteret janë shumë të thjeshta: të jesh mbi 18 vjeç, të kesh mbaruar shollën e mesme, të dish anglisht, natyrisht dhe të kesh njohuri të mira për matematikë dhe fizikë. Ka disa faza rekrutimi, bën akademinë për 2 vjet dhe më pas je i punësuar. Pas fazës së trajnimit fillon si shoqërues i pilotit, trajnimi, që zgjat për 2-3 muaj, pastaj kalon si pilot i dytë dhe më pas dy vjetësh kalon si pilot i parë. Në datën 6 dhjetor kemi ditën e hapjes, në “Mak Hotel”.

