Organizata e Veteranëve të luftës së Uçk, shpërndau një postim falenderimi pasi Ish Gjenerali i Natos Clark përfundoi dëshminë e tij dy ditore në gjyqin ndaj Thaçit dhe të tjerëve në Hagë.
“Fjalët e gjeneral Clark jo vetëm që konfirmuan të vërtetën tonë, por edhe nderuan sakrificën e mijëra luftëtarëve që u rreshtuan për liri”, thuhet në postimin e OVL UÇK. Postimi është shoqëruar me një foto të Clark gjatë kohës kur ai mbante ende funksionet e larta ushtarake.
Tag: wesley
-

Veteranët e UÇK falenderojnë Wesley Clark pas dëshmisë në Hagë
-

Wesley Clark: Unë e di me saktësi se çfarë parashikon Milosheviçi, por…/ Mesazhi i Gjeneralit për kosovarët dhe UÇK, Prill 1999
Nga Martin Leka*
Kur NATO kishte hyrë në javën e dytë të bombardimeve në Serbi dhe gjithë bota shikonte me ankth spastrimin etnik më të pashembullt të shqiptarëve nga trojet e tyre në Kosovë, dilemat mbi fatin e shqiptarëve shtoheshin. Rreth gjysëm milioni kosovarë ishin përzënë me dhunë nga makineria ushtarake serbe dhe ishin pritur nga vëllezërit shqiptarë të Shqipërisë. Shumica përmes kufirit me Kukësin. Mijëra të tjerë kishin kaluar përmes pikave kufitare të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi. Eksodi biblik kishte tmerruar botën.
Ndërkohë, regjimi i Milosheviçit ende nuk jepte asnjë sinjal kapitullimi, megjithë furinë e raketave që hidheshin në infrastrukturat kyçe ushtarake.
Radio-Tirana ishte vënë e gjitha në funksion të luftës. Programacioni i saj ishte fshirë. Telefonat e studiove dhe drejtuesve ishin në dispozicion për të reja nga lufta që po zhvillohej në Kosovë. Nga njëra anë ishte NATO me operacionin ushtarak, nga ana tjetër ishin luftëtarët e UÇK. Radio-Tirana dëgjohej në Kosovë përmes transmetimit në AM, në valët 468 m me transmetues 50 KW; Radio-Kukësi gjithashtu në AM 303 m.
Nisur nga këto të dhëna, nisa një shkresë në Ambasadën Amerikane, në të cilin kërkoja një intervistë me Gjeneralin Wesley Clark, Komandandin Suprem të NATO-s, ai që komandonte operacionin ushtarak kundër regjimit të Milosheviçit. Përgjigja ishte brenda ditës me anë të një telefonate, dhe pak a shumë, ishte kjo: Gjenerali Clark për shkak të detyrës dhe specifikave të luftës, nuk jep intervista as për agjensitë më të mëdha si Reuters, BBC, AP, etj. Në përfundim të telefonatës, instikti i gazetarit ose pakënaqësia ime për refuzimin, më bëri ti them zyrtarit të ambasadës një fjali: -Reuters, BBC e AP nuk besoj se i dëgjojnë në Kosovë as ata pak që kanë mbetur atje pa u përzënë, as luftëtarët e UÇK, ndërsa Radio Tiranën e vogël, po!
Ndërkohë që vazhdoja punën në rutinën e përditëshme që kishte kryefjalë vetëm luftën dhe nga telefonat e tyre satelitorë kam pritur me dhjetëra telefonata komandantë e ushtarë të UÇK nga zona e Dukagjinit, Drenicës, Deçanit, Krushës së Madhe, Gjakovë, Pejë, etj., të nesërmen në mëngjes, nga atasheu ushtarak i Ambasadës Amerikane mu kërkuan sqarime se si mund të dëgjohej Radio-Tirana në rajonet e Kosovës. Kryeinxhinieri i ndjerë Spiro Konduri më dha një hartë në të cilën ishin të dhënat teknike për dëgjueshmërinë në të gjithë Kosovën. Këtë hartë e dërgova menjëherë në ambasadë, që është jo më shumë se 100 metra vijë ajrore nga ndërtesa e Radios.
Ishte Mbrëmje vonë, po atë ditë, kur më lajmëruan nga Ambasada Amerikane: “Nesër në orën 17.05, ju mund të intervistoni Gjeneralin Clark, Komandantin Suprem të NATO”. Më sqaruan gjithashtu se duhen jo më shumë se 5 pyetje, si dhe disa të dhëna të tjera që nuk kanë interes për publikun dhe që kanë të bëjnë me profesionalizmin dhe etikën gazetareske. Mund të them vetëm kaq: Gjenerali ishte i lumtur që kishte mundësi ta dëgjonin në Kosovë qytetarët dhe luftëtarët dhe që për ta kishte rëndësi ky mesazh: NATO do ta fitojë luftën me Milosheviçin…
…Sot Gjenerali po jep mesazh botës nga Haga për drejtësinë e luftës dhe luftëtarëve për liri.
Më poshtë intervista e Wesley Clark dhënë drejtorit të Radio-Tiranës, Prill, 1999.
Pyetje: Zoti Klark, a mendoni se NATO do ta fitojë luftën me Milosheviçin vetëm me bombardime nga ajri?
Wesley Clark– Unë e di me saktësi se çfarë parashikon presidenti Milosheviç. Por unë mund tu them me siguri se NATO do ta fitojë luftën.
Pyetje: Nëse regjimi i Beogradit nuk do ti pranojë kushtet e vëna nga Aleanca, si mendoni ju: për sa kohë do të vazhdojnë bombardimet e NATO-s?
Wesley Clark – Udhëheqësit politikë kanë thënë se bombardimet e NATO-s do të vazhdojnë aq kohë sa duhet. Dhe kjo bëhet për arësye që Beogradi duhet të kuptojë se nuk mund të injorojë kushtet e vëna nga NATO.
Pyetje: Hitleri dhe diktatura të tjera janë mundur vetëm me luftë tokësore. Si do të bëhet me Milosheviçin?
Wesley Clark – Ne do të vazhdojmë me sulme ajrore dhe pikërisht këtë gjë po bëjmë edhe tani. Këto sulme të NATO-s janë të kontrolluara nga udhëheqësit politikë.
Pyetje- Si e vlerësoni ju qëndrimin zyrtar të Shqipërisë ndaj NATO-s dhe popullsisë së Kosovës të dëbuar prej andej me dhunë?
Wesley Clark – Ne e vlerësojmë lart qëndrimin e Shqipërisë dhe do të bëjmë ç’është e mundur për ta mbështetur Shqipërinë. Ne do të ndihmojmë njerëzit e dëbuar me dhunë nga Kosova. Do të ndihmojmë me ndihmën humanitare dhe do të ndihmojmë që ata të kthehen përsëri në Kosovë.
Pyetje: Zoti Klark, ç’mund të shpresojnë shqiptarët nga kjo luftë që po zhvillon NATO?
Wesley Clark – Shqiptarët do të fitojnë atë që do të fitojë e gjithë Europa. Ne do të hyjmë në shekullin e njëzetenjëtë duke i eleminuar këto regjime, duke vendosur më shumë të drejta njerëzore dhe duke i dhënë fund mbi të gjitha nacionalizmit të dhunshëm i cili është shkak i luftërave.
Pyetje: Cili është mesazhi juaj për shqiptarët që po ju dëgjojnë në këto momente përmes valëve të Radios Kombëtare?
Wesley Clark – Në këtë Europë ne duhet të jemi të bashkuar në një familje të madhe e cila të punojë së bashku për të garantuar të drejtat e parashikuara në të gjitha kartat ndërkombëtare nëpërmjet Këshillitt ë Europës dhe Marrëveshjes së Helsinkit. Dhe NATO do të bëjë çdo gjë të mundur për të siguruar paqen. Por gjithashtu varet edhe nga grupet e tjera ti fitojnë këto vlera.
Pyetje: A dëshironi të shtoni gjë tjetër për dëgjuesit tanë?
Wesley Clark – Ju falënderoj për këtë mundësi që më dhatë t’i flas popullit shqiptar. Faleminderit!
*Ish-Drejtor i Radio-Tiranës, 1997-2002 -

Clark në Hagë: Pas vrasjes së familjes Jashari, më thanë se shqiptarët do përgjigjeshin
Ish-komandanti i Përgjithshëm i NATO-s, Wesley Clark, ka filluar dëshminë e tij në Hagë si dëshmitari i fundit i thirrur nga mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi. Ai u ndal te momenti kur u raportua për vrasjen e familjes Jashari, ngjarje që, sipas tij, paralajmëroi përshkallëzim të konfliktit.
Clark tregoi se ndodhej në Maqedoninë e Veriut, në ditët e para të marsit, për të inspektuar një Task-Forcë amerikane në kufi, kur mori një telefonatë urgjente nga ambasadori amerikan në Shkup, Chris Hill. “Menjëherë më merr në telefon ambasadori Chris Hill dhe më thotë se duhej të flisja me presidentin e Maqedonisë së Veriut”, tha Clark.
Ai shtoi se presidenti maqedonas i asaj kohe, Kiro Gligorov, e paralajmëroi për pasojat e rënda që do të sillte lajmi i masakrës. “Kisha dëgjuar raporte se ishte vrarë familja Jasharajve, por presidenti Gligorov më tha se tani do të fillojë një konflikt për shkak të kësaj, kjo vrasje do të nxisë një konflikt”, deklaroi Clark.
Clark theksoi se, sipas Gligorovit, reagimi i shqiptarëve do të ishte i pashmangshëm.
“Më tha se shqiptarët do të kundërpërgjigjen, shqiptarët nuk ta pranojnë këtë që ndodhi, shqiptarët do t’i rezistojnë kësaj vrasjeje”.
Wesley Clark tregon si lindi plani për ndërhyrje, pas masakrave serbe
Ish-komandanti suprem i NATO-s, Wesley Clark, ka nisur dëshminë e tij sot më 17 nëntor, në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ku përshkroi përshkallëzimin e situatës në Kosovë gjatë viteve ’98–’99. Ai tha se sulmet serbe ndaj popullsisë civile po shtoheshin me shpejtësi, duke ngritur alarmin në nivelet më të larta të diplomacisë amerikane.
Clark tregoi se, në atë kohë, NATO nuk kishte ende mandat për veprim. “Unë mendova se e dija se çfarë duhej bërë në këto kushte, por sipas procedurave të NATO-s, nuk kishim asnjë autoritet, nuk kishte plane konkrete,” deklaroi ai. Clark shtoi se çështjen e kishte diskutuar vetëm me sekretarin amerikan të shtetit. “Më udhëzuan Shtetet e Bashkuara të mos flisja me askënd tjetër”, theksoi Clark.
Ai kujtoi gjithashtu se në pranverën e vitit 1998 i ishte kërkuar të hartonte një strategji paraprake për situatën që po përkeqësohej.
“Aty lindi nevoja që të përgatitet një plan,” u shpreh Clark, duke nënvizuar se askush nuk e kishte sqaruar nëse ministritë e jashtme apo ato të mbrojtjes ishin përfshirë në këtë proces. -

Rasti Thaçi: Gjenerali Wesley Clark dëshmon sot në Hagë
Kosova E Hënë, 17 Nëntor 2025 14:04
Gjenerali Wesley Clark, ish-komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s për Evropën, do të paraqitet sot në Dhomat e Specializuara në Hagë si dëshmitari i fundit i mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, raporton KosovaPress.
Dëshmia, e cila fillon nga ora 12:00, ishte parashikuar fillimisht për 18 nëntor, por është zhvendosur një ditë më herët. Ajo pritet të zgjasë deri të mërkurën, pas së cilës gjykata do të mbajë një konferencë për ecurinë e rastit. Seanca e planifikuar për 21 nëntor është anuluar.Procesi i paraqitjes së provave nga mbrojtja ka nisur më 15 shtator, me dëshminë e ish-ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, dhe më pas kanë dëshmuar figura të tjera kyçe si Paul Williams, John Stewart Duncan dhe James Peter Covey.
Dhomat e Specializuara njoftuan se 14 nëntori shënon përfundimin e fazës së mbrojtjes, ndërsa parashtresat përfundimtare dhe deklarimet mbi ndikimin e krimeve të pretenduara te viktimat do të dorëzohen deri më 22 dhjetor 2025.
-

Wesley Clark dëshmon në Hagë, ish-komandanti i NATO-s pyetet për rolin e ish-krerëve të UÇK
Ish-komandanti suprem i forcave aleate të NATO-s për Evropën, gjenerali Wesley Clark, është paraqitur sot para dhomave të specializuara në Hagë.
Ai po pyetet per ish-komandantët e UÇK ndërsa është personi i fundit i cili dëshmon në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi.
Dëshmia e Clark pritet të zgjasë deri të mërkurën, pas së cilës Gjykata do të mbajë një konferencë për ecurinë e procesit.Paraqitja e provave nga mbrojtja ka filluar në 15 shtator, me dëshminë e ish-ndihmësit të sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin. Më pas ka dëshmuar Paul Williams, ish-këshilltar ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje.
Pas dëshmisë së Clark, procesi do të kalojë në fazën përfundimtare të përmbylljeve nga palët përpara shpalljes së vendimit nga trupi gjykues. -

Wesley Clark dëshmitar në gjyqin ndaj Thaçit në Hagë, ish-gjenerali i NATO që udhëhoqi bombardimet kundër serbëve!
Ish-gjenerali i NATO-s, Wesley Clark është konfirmuar si dëshmitari i fundit në mbrojtjen e Hashim Thaçit në Gjykatën Speciale të Hagës. Kërkesa për dhënien e dëshmisë së tij është paraqitur zyrtarisht. Ekipi mbrojtës i ish-presidentit të Kosovës, sipas dokumenteve të paraqitura në gjykatë, ka siguruar edhe një leje të posaçme nga qeveria e SHBA-së që të japë dëshminë e tij në seancë.
Ish-gjenerali i NATO-s konsiderohet dëshmitari më i rëndësishëm dhe dëshmia e tij do të jetë kyçe pasi ai drejtoi fushatën 78 ditore të bombardimeve të aleancës kundër Serbisë. Kjo do të jetë dëshmia e dytë e ish-gjeneralit amerikan në një proces gjyqësor në Hagë që lidhet me konfliktet e armatosura në Ballkan. Në vitin 202 ai dëshmoi në gjyqin ndaj Sllobodan Millosheviç që akuzohej për krime lufte.
“Në përputhje me Urdhrin e Dhomës së Gjykimit të datës 2 shtator 2025, mbrojtja e z. Hashim Thaçi njofton se ka marrë autorizimin nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që lejon dhënien e deklaratës dhe dëshmisë së dëshmitarit të saj të fundit, 1DW-007, gjeneral Wesley Clark.”, thuhet në shkresën e avokatëve të Thaçit.
Ish-ushtaraku amerikan është dëshmitari i pestë me radhë i mbrojtjes në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së. I pari që dëshmoi ishte ish-ndihmëssekretari Amerikan i Shtetit gjatë kohës së luftës në Kosovë, James Rubin. Pas tij dëshmoi Paul Williams, këshilltar i delegacionit të Kosovës në Rambuje.
I treti ishte John Duncan, ish-këshilltar i Clark-ut dhe i katërti ishte Jock Covey, zëvendëskryeadministrator i Kosovës nga viti 1999 deri më 2001.Mbrojtja për ish-presidentin Thaçi pritet që të përfundojë në muajin nëntor.
Fushata e drejtuar nga Clark detyroi ish-presidentin e Serbisë, Sllobodan Millosheviç, të tërhiqte forcat serbe nga Kosova në qershor 1999, duke i hapur rrugë vendosjes së trupave të KFOR-it, mision i NATO-s, si dhe kthimit të refugjatëve.
Që nga 5 nëntori i vitit 2020, në paraburgimin e Hagës ndodhen katër ish-krerë të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.