Një re gjigante tymi i zi, disa kilometra e lartë, shoqëroi zgjimin e vullkanit Etna, duke ngritur shqetësime për trafikun ajror në aeroportin e Catania-s, ku është rritur niveli i alarmit. Megjithatë, për momentin, trafiku ajror vazhdon të jetë i rregullt.
Sipas Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV) në Catania, shkaku i këtij aktiviteti është një fluks piroklastik, ndoshta i shkaktuar nga rrëshqitja e materialit në anën veriore të kraterit të Jug-Lindjes. Materiali i nxehtë ka kaluar buzën e luginës “Valle del Leone”, në një lartësi rreth 2900 metra. Njëkohësisht, aktiviteti shpërthyes ka prodhuar edhe shpërthime lave nga i njëjti krater.
Tremori vullkanik (Dridhjet e vazhdueshme) ka arritur në nivele shumë të larta, por për momentin gjithçka mbetet e përqendruar në majat e vullkanit, veçanërisht në zonën e kraterit të Jug-Lindjes, mes 2800 dhe 2900 metrash lartësi, larg zonave të banuara.
Arsyeja shqetësuese e momentit është prania e madhe e turistëve, të cilët, të joshur nga moti i mirë, që në orët e para të mëngjesit u ngjitën masivisht në Etna.
“Kam folur me INGV, dhe gjithçka është nën kontroll”, deklaroi rreth orës 14:00 kryetari i bashkisë së Catania-s, Enrico Tarantino.
“Nuk ka ndonjë emergjencë. Është një fenomen i përsëritur dhe i parashikuar nga monitorimi i vazhdueshëm i vullkanit. Madje, hyrja në zonat më të larta ishte ndaluar paraprakisht. Ky është mali ynë, që tashmë e njohim mirë në çdo shfaqje të tij.”
Sipas Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë, aktiviteti sizmik po ushqen një rrjedhë të vogël lave nga skaji jugor i kraterit të Jug-Lindjes dhe një rrjedhje më e zgjatur drejt “Valle del Bove”. Reja vullkanike e krijuar nga aktiviteti aktual do të shpërndahet në drejtim të perëndimit dhe jugperëndimit.
Eshtë ngritur niveli i alarmit për aeroportin e Catania-s. INGV ka përditësuar njoftimin për aviacionin (VONA – Volcano Observatory Notice for Aviation), duke e çuar në nivelin më të lartë: të kuq. Megjithatë, ndikimi në trafikun ajror nuk lidhet aq me lartësinë e resë, sa me drejtimin e erërave. Për momentin, moti është i kthjellët dhe pa erë, kështu që reja nuk është drejtuar nga Catania dhe aktiviteti shpërthyes nuk ka ndikuar mbi fluturimet.
Fenomeni është dokumentuar në video dhe foto që janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, duke e bërë shpërthimin e Etna-s viral. Në mesditë, aktiviteti duket se ka filluar të bjerë gradualisht, me një ulje të nivelit të dridhjeve nga “i lartë” në “mesatar deri i lartë” në kanalet magmatike.