Tag: vuçiq

  • Presidenti Vuçiç: Po organizohet puç kundër meje

    Presidenti Vuçiç: Po organizohet puç kundër meje

    Radio “Europa e Lirë” shkruan se Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të hënën se shteti që udhëheq ai është përballur me “tentim të organizuar mirë për puç” në të cilin janë përfshirë “të gjitha institucionet shtetërore”.
    “Nisur nga shkollat fillore e të mesme, te universitetet dhe tentimet në sistemin shëndetësor, e deri te termocentralet nga të cilat varet jeta në Serbi. Mos të përmendim policinë. Kur të dalin këto të dhëna të tmerrshme do të shihni se kush po ‘pomponte’ dhe kush po bënte marrëveshje me kë”, ka thënë Vuçiq më 2 qershor, sipas agjencisë së lajmeve BETA.

    Ai ka thënë se për organizim të këtyre aktiviteteve “janë dashur fonde nga jashtë, këshilla politike dhe mësime për t’u mësuar”. Megjithatë, ai nuk ka treguar se prej ku kanë ardhur ato që ai i ka përshkruar si “fonde prej jashtë”.
    Vuçiq i ka bërë këto deklarata gjatë një takimi me përfaqësues të studentëve që kundërshtojnë bllokadat nëpër fakultete, të mbajtur në ndërtesën e Presidencës në Beograd.
    Duke i komentuar aktivitetet e studentëve gjatë bllokadës, ai ka thënë se ata kanë bërë “gabime çuditërisht të mëdha” dhe që kanë mësuar që “të mos i japin kundërshtarit politik më shumë kohë, sidomos kur është më i shkathët”.

  • Serbia thotë se do t’i hetojë akuzat nga Rusia se e furnizoi Ukrainën me armë

    Serbia thotë se do t’i hetojë akuzat nga Rusia se e furnizoi Ukrainën me armë

     

    Serbia dhe Rusia do ta kryejnë një hetim të përbashkët për atë se si municionet e prodhuara nga Serbia arritën në Ukrainë, tha presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

    Moska e akuzoi Beogradin të enjten për furnizimin e Kievit me armë.

    Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR) e akuzoi Beogradin për ‘thikë pas shpine’, duke thënë se prodhuesit serbë të armatimit po shisnin municione dhe armë në Ukrainë.

    ‘Ato [shitjet e armëve] kanë një qëllim të qartë – të vrasin dhe plagosin personelin ushtarak rus dhe popullsinë civile’, thuhet në një komunikatë të SVR-së të publikuar në faqen e saj zyrtare të enjten.

    SVR-ja pretendoi se Serbia dërgon armë në Ukrainë përmes ndërmjetësve të NATO-s, duke përfshirë Republikën Çeke, Poloninë dhe Bullgarinë, si dhe disa vende afrikane.

    Serbia vazhdon ta ruajë një baraspeshë midis lidhjeve historike me Rusinë dhe Bashkimin Evropian.

    Beogradi e ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës, por deri më tani nuk ka pranuar t’i bashkohet Perëndimit në sanksionimin e Moskës.

    Vuçiq tha për televizionin shtetëror, RTS, se kishte biseduar për eksportet e armëve serbe në Ukrainë me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, gjatë vizitës së tij në Moskë më 9 maj dhe i mohoi disa prej akuzave të SVR-së.

    ‘Ne kemi krijuar një grup pune, së bashku me partnerët rusë, për t’i zbuluar faktet. Disa nga gjërat që janë thënë nuk janë të vërteta’, tha Vuçiq për RTS-në të enjten mbrëma.

    Sipas një dokumenti të klasifikuar të Pentagonit, Serbia në vitin 2023 ishte pajtuar ta furnizonte me armë Kievin, pavarësisht se deklarohej si neutrale ushtarakisht.

    Moska e ka kritikuar disa herë Beogradin për këtë çështje.

    Industria e mbrojtjes e Serbisë prodhon armë dhe municione me dizajne që rrjedhin kryesisht nga teknologjia ushtarake sovjetike e viteve ‘80, të ngjashme me ato që përdoren si nga Ukraina, ashtu edhe nga Rusia.

    ‘Fabrikat tona duhet patjetër të jetojnë dhe të punojnë. Rreth 24.000 njerëz punojnë drejtpërdrejt në industrinë e mbrojtjes’, tha Vuçiq.

    Serbia dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por Rusia, një aleate sllave dhe ortodokse, mbetet furnizuesi më i madh i gazit për vendin, dhe rafineria e vetme e naftës në Serbi është në pronësi pothuajse të plotë të Gazpromit dhe Gazprom Neftit rus.

    Megjithëse Beogradi nuk ka pranuar t’i bashkohet Perëndimit për të vendosur sanksione kundër Rusisë për pushtimin e Ukrainës, ai i ka dënuar politikat e Moskës në Kombet e Bashkuara dhe ka shprehur mbështetje për integritetin territorial të Ukrainës, përfshirë territoret e mbajtura nga Rusia.

    Vuçiq gjithashtu është takuar të paktën tri herë me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

    /REL

  • Vuçiç akuzon Perëndimin se ‘po hesht për ngjarjet në Kosovë’

    Vuçiç akuzon Perëndimin se ‘po hesht për ngjarjet në Kosovë’

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka akuzuar Perëndimin se po “hesht” sa i përket ngjarjeve në Kosovë, duke iu referuar mbylljes së institucioneve dhe objekteve në veriun e Kosovës, që funksionojnë sipas sistemit serb.

    Në një intervistë për televizionin publik të Serbisë, Vuçiq tha se zhvillimet e fundit dhe incidentet e fundit në Kosovë tregojnë se këto janë “veprime të organizuara” nga Prishtina, me ndihmën e “heshtjes kumbuese” të komunitetit ndërkombëtar, të udhëhequr nga shtetet perëndimore.

    “Ata po heshtin sepse shpresojnë që në heshtje, populli serb do të dëbohet nga tokat e tyre shekullore në Kosovë. Në të njëjtën kohë, kjo po shkakton ankth te disa aktorë politikë në Perëndim dhe Lindje, që është një nervozë shtesë për [kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin] Kurtin, dhe këtë, në kuptimin politik, duhet ta shfrytëzojmë”, tha ai.

    Kosova nisi mbylljen e institucioneve serbe në fillim të vitit 2024. Fillimisht u mbyllën organet e përkohshme komunale, banka Kursimorja e Postës, Posta e Serbisë, Fondi për sigurim pensional dhe shëndetësor, qendrat për punë sociale, ndërmarrjet publike dhe institucione të ngjashme.

    Më pas ka vazhduar mbyllja edhe objekteve të tjera që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë, përfshirë edhe salla sportive, biblioteka të qytetit, muzeu i qytetit në Mitrovicën e Veriut e të tjera.

    Kosova i konsideron këto institucione të paligjshme dhe paralele.

    Faktori ndërkombëtar vazhdimisht e ka kritikuar Kosovën për veprime të paakordinuara në veriun e Kosovës, sa i përket mbylljes së institucioneve.

    Reagimi i fundit për këtë çështje erdhi pikërisht disa orë para intervistës së Vuçiqit, nga Mbretëria e Bashkuar që shprehu shqetësim me natyrën e pakoordinuar të mbylljes së institucioneve në veriun e Kosovës, që sipas Londrës, ofrojnë shërbime vitale për komunitetin serb dhe komunitetet e tjera joshumicë që jetojnë në veriun e Kosovës.

    Gjatë intervistës, Vuçiq deklaroi se Serbia po tenton t’i kundërvihet “sulmit të ashpër të shqiptarëve”, të cilët, sipas tij, me mbështetjen e disa fuqive perëndimore dhe Turqisë, po tentojnë “të gjejnë sa më shumë shtete që munden për të njohur pavarësinë e Kosovës”.

    “Është jashtëzakonisht e vështirë që të kundërshtohet kjo. Ne nuk kemi aq para sa kanë ata, apo armë dhe burime që të dërgojmë njerëz në botë për të blerë njohjen”, tha Vuçiq, pa dhënë dëshmi për këtë pretendim.

    Së voni, pavarësinë e Kosovës e kanë njohur Kenia dhe Sudani, duke bërë që shteti deri më tani të njihet nga 116 vende të botës, sipas të dhënave të Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës së Kosovës. Megjithatë, në vitet e fundit, Beogradi ka pretenduar se disa shtete kanë tërhequr njohjen e Kosovës.

    Gjatë intervistës, Vuçiq po ashtu foli edhe për një projekt infrastrukturor në Kosovë. Ai tha se dje ka biseduar me kompaninë ndërtuese amerikane, Bechtel, që ndërton rrugë në Serbi, për mundësinë e vazhdimit të rrugës Kralevë-Novi Pazar. Ai tha se ka insistuar që 13.1 kilometrat e mbetur deri në Jarinjë – pika kufitare mes Kosovës dhe Serbisë – të ndërtohen po ashtu.

    “Pastaj thashë: nëse mund të ndërtoni rrugën deri në Mitrovicë të Veriut, ne jemi të gatshëm ta paguajmë dhe do të ishte sukses për ne dhe një rrugë e rëndësishme drejt paqes, diçka e madhe për popullin serb që janë në ato katër komuna [në veri të Kosovës]. Por, dua të them se do të ishte një rrugë e rëndësishme e paqes me shqiptarët, të cilët po ashtu do të mund ta përdornin atë pasi ata kanë ndërtuar rrugët e tyre drejt Mitrovicës së Jugut, dhe nëse të gjitha këto rrugë do të lidheshin do të ishte një lajm i mirë”, u shpreh Vuçiq.

    Serbia edhe më herët e kishte përmendur idenë e ndërtimit të rrugës që do të lidhte Jarinjën me Mitrovicën e Jugut. Por, më 2021, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, kishte thënë se Serbia nuk mund ta ndërtojë një rrugë të tillë, për shkak se është në territorin e Kosovës dhe është përgjegjësi e Kosovës. Kjo ide, atëbotë, nga Kosova ishte cilësuar si e papranueshme dhe e pavend. REL

  • Parlamentarët britanikë kërkojnë ndryshim të politikës së jashtme ndaj Serbisë

    Parlamentarët britanikë kërkojnë ndryshim të politikës së jashtme ndaj Serbisë

    Më shumë se 20 anëtarë të parlamentit britanik kanë kërkuar një ndryshim të rëndësishëm në qasjen e politikës së jashtme ndaj Serbisë pas pjesëmarrjes së presidentit serb Aleksandar Vuçiq në paradën ushtarake në Moskë më 9 maj.
    “Sot i kam shkruar një letër ministrit të Jashtëm, duke kërkuar një ndryshim të madh në qasjen tonë të politikës së jashtme ndaj Serbisë, pas pjesëmarrjes së presidentit Vuçiq në paradën ushtarake në Moskë më 9 maj. Letra është nënshkruar edhe nga 25 parlamentarë të tjerë”, ka shkruar në rrjetin X deputetja britanike Emma Lewell.
    Në letër, ndër të tjera, thuhet se Serbia nën Aleksandar Vuçiqin ka forcuar lidhjet me presidentin rus Vladimir Putin, “veçanërisht si i vetmi shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian që nuk ka vendosur asnjë sanksion ndaj Rusisë, pavarësisht krimeve të tmerrshme të kryera kundër Ukrainës që nga viti 2014”.

    “Për më tepër, presidenti Vuçiq po përpiqet të destabilizojë Kosovën, Bosnjën dhe Hercegovinën dhe rajonin më të gjerë të Ballkanit, duke bashkëpunuar ngushtë me Rusinë e Putinit, e cila synon të largojë vëmendjen nga pushtimi i saj i plotë i Ukrainës”, thuhet në letrën drejtuar ministrit të Jashtëm britanik.
    Në letër theksohet gjithashtu se gjatë sundimit të Vuçiqit, Serbia ka përjetuar një regres të madh demokratik, me sulme të vazhdueshme ndaj mediave, opozitës politike dhe shoqërisë civile, si dhe korrupsion të përhapur, që ka kontribuar në protestat masive kundër qeverisë së tij në muajt e fundit.
    Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi më 9 maj, gjatë takimit me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, se Moska “vlerëson kursin e pavarur dhe sovran të Serbisë në çështjet ndërkombëtare”.
    Takimi bilateral ndërmjet Putinit dhe Vuçiqit në Moskë ishte takimi i tyre i parë zyrtar pas më shumë se tre vjetësh nga pushtimi rus i Ukrainës.
    Bashkimi Evropian kishte shprehur keqardhje të thellë për udhëtimin e udhëheqjes serbe në Moskë dhe pjesëmarrjen në shënimin e Ditës së Fitores në Luftën e Dytë Botërore – një ngjarje që Rusia, sipas Brukselit, e shfrytëzon për qëllime propagandistike.
    “Nga Serbia pritet të dëshmojë përkushtim të besueshëm ndaj vlerave evropiane dhe të na bindë për orientimin e saj strategjik drejt Bashkimit Evropian”, u tha në një përgjigje me shkrim të një zëdhënësi të Komisionit Evropian për Radion Evropa e Lirë.
    Nga Moska, Vuçiq u tha gazetarëve se Serbia do të vazhdojë rrugën e saj evropiane dhe shtoi se “nëse dikush duhet ta paguajë çmimin e kësaj vizite, ai do të jem unë, jo shteti”.
    Pavarësisht paralajmërimeve të Brukselit, autoritetet në Beograd kanë vazhduar të ruajnë marrëdhënie të ngushta me Moskën./REL

  • Midis Trumpit dhe Putinit – dështimet e Vuçiç

    Midis Trumpit dhe Putinit – dështimet e Vuçiç

    Ndërprerja e papritur e vizitës në SHBA dhe udhëtimi i pasigurt në Moskë zbulojnë krizën në politikën e jashtme të Serbisë.
    Diplomacia e Vuçiçit duket gjithnjë e më shumë si luftë për mbetje në pushtet.
    Lajmi se presidenti serb Aleksandar Vuçiq u sëmur gjatë qëndrimit të tij nëShtetet e Bashkuara dhe ndërprerja urgjente e vizitës në Amerikë ka shkaktuar një tërmet të vogël politik në Beograd.
    Versioni zyrtar është: Vuçiç ndjeu dhimbje të forta në gjoks të shoqëruara me tension të lartë të gjakut, prandaj vizita u ndërpre papritur. Ai u kthye në Beograd, ku u pranua në Akademinë Ushtarake Mjekësore. Gjendja e tij është e qëndrueshme, por iu rekomandua të pushonte, kështu që të gjitha detyrimet në ditët në vijim u shtynë.
    Megjithatë, akoma pa ateruar avioni i presidentit dhe delegacionit të tij në Beograd, në opinionin serb janë ngritur pyetje dhe dilema të shumta. Cili ishte qëllimi i udhëtimit, a ishte kjo një vizitë zyrtare apo private dhe a është sëmurë vërtet Vuçiqi apo është vetëm një mbulojë për fshehjen e dështimit të plotë në Amerikë?
    Vizitë shtetërore apo personale?
    Ministri i Financave Sinisha Mali, i cili shoqëroi Vuçiqin në udhëtimin e tij në Florida, tha se vizita ishte përgatitur prej kohësh dhe se qëllimi i saj ishte zgjidhja e problemeve ekonomike.
    Por ngjarja në të cilën udhëheqja serbe u përpoq të “zgjidhte problemet shtetërore” ishte vetëm një takim i Komitetit Kombëtar Republikan dhe një darkë donatorësh e organizuar nga presidenti i SHBA-së Donald Trump. Vuçiq dyshohet se donte të takohej me Trumpin në mënyrë jozyrtare me këtë rast.
    Ambasadori serb me përvojë të gjatë në SHBA, Ivan Vujaçiq, i tha DW se në këtë rast nuk u ndoqën shumë procedura normale diplomatike.
    “Nuk është e zakonshme që presidentët e shteteve të marrin pjesë në mbledhjet e partive. Është e zakonshme që të huajt të jenë të pranishëm në konventat e partive, por për këtë dërgohet zyrtarisht një ftesë përmes Departamentit të Shtetit”, tha Vujaçiq për DW.
    Disa burime pohojnë se Vuçiqit i është ndaluar madje hyrja në kompleksin Mar-a-Lago, pavarësisht se kishte paguar tarifën e hyrjes. Ish-diplomati Nebojsha Vujoviq raportoi në media se vendimi që Vuçiqit t’i ndalohet hyrja u mor nga shefi i stafit të Trumpit.
    “Më duket se kjo vizitë është bërë nëpërmjet kanaleve joformale, disa grupeve lobuese, miqve, të njohurve dhe duke anashkaluar kanalet zyrtare. Sepse nëse është e vërtetë që ai shprehu dëshirën për të shkuar në takimet e donatorëve, dikush do t’i kishte vënë në dukje se kjo nuk është e mundur sipas ligjit të vendit që po viziton, në këtë rast Shteteve të Bashkuara”, shpjegon Ivan Vujaçiq.
    Vuk Vuksanoviq nga Qendra eBeogradit për Politikat e Sigurisë mendon ngjashëm. Megjithatë, ai nuk e përjashton mundësinë që administrata amerikane të ketë ndërprerë miqësinë e saj me regjimin e Vuçiqit, gjë që, sipas tij, mund të konfirmohet në muajt në vijim.
    “Për momentin, duket shumë e mundshme që ky të ketë qenë një improvizim i dështuar. Nëse rezulton se Vuçiq shkoi atje për të siguruar një mundësi për foto me Trumpin pa ndonjë takim të planifikuar, kjo do të thotë se ai është aq i dëmtuar nga situata në Serbi në këtë moment, saqë po kërkon vetëm liderë ndërkombëtarë dhe ngjarje ku mund të promovojë veten si një burrështeti botëror me shpresën se kjo do t’ia përmirësojë pak imazhin e tij në vend”, vlerësoi Vuksanoviq në një intervistë me DW.
    Ikja nga vizita në Moskë?
    Profesori Vujaçiq beson se qëllimi i Vuçiqit ishte që së pari të takohej me Trumpin dhe më pas të udhëtonte në Paradën e Fitores në Moskë më 9 maj, me qëllim që t’i dërgonte një sinjal Bashkimit Evropian se nuk i interesonin paralajmërimet e tyre dhe se ai ka miq të tjerë të fuqishëm në botë, të cilëve mund t’u drejtohej – si Trumpi, Putini dhe Xi Jinping.
    Por pas dështimit të vizitës në Amerikë, në Serbi po spekulohet edhe me mundësinë e anulimit të vizitës së tij në Moskë. Reagimet nga BE-ja pas njoftimit se Vuçiqi do të shkojë në Moskë ishin jashtëzakonisht të ashpra. Përfaqësuesit e sindikatatave paralajmëruan se prania e Vuçiqit në paradën ushtarake mund ta rrezikojë seriozisht rrugën evropiane të Serbisë.
    “Të shkosh në Moskë dhe të festosh me Putinin ose ushtrinë e tij që po vret njerëz në Ukrainë është tërësisht në kundërshtim me vlerat evropiane dhe është plotësisht në kundërshtim me vendimin e Këshillit të BE-së, i cili vendosi në vitin 2022 që shtetet anëtare nuk duhet të ndërmarrin asnjë hap që mund t’i japë legjitimitet Putinit dhe Rusisë”, tha Komisionerja Evropiane për Zgjerim Marta Kos, gjatë një vizite të kohëve të fundit në Serbi.
    Ajo kujtoi edhe një herë se Serbia, si kandidate për anëtarësim, duhet ta harmonizojë plotësisht politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë me BE-në deri në kohën e pranimit.
    Megjithatë, Vuçiç pohoi se nuk po e ndryshonte qëndrimin e tij, përkundër presioneve nga Brukseli.
    “Tetë muaj më parë e kam thënë se do të shkojë në Moskë. Ndoshta do të jem i vetmi që shkoj në Moskë. Nuk dua që qeveria e Gjuro Macut të paguajë çmimin. Dua që ai të ketë mundësinë të punojë siç duhet me BE-në dhe që askush të mos dëmtohet. Nuk ka gjasa që atje të shkojnë edhe përfaqësuesit e ushtrisë, sepse do të jenë nën goditje dhe sanksione të ndryshme”, tha Vuçiq.
    Diplomacia në shërbim të imazhit personal
    Nëse Vuçiq do të shkojë vërtet në Moskë varet nga shumë faktorë, e një prej tyre është edhe pjesëmarrja apo jo e kryeministrit sllovak Robert Fico në këtë paradë, beson Vuksanoviq.
    Fico ka anuluar vazhdimisht paraqitjet e paralajmëruara publike ditët e fundit, gjë që ka shkaktuar spekulime rreth përkeqësimit të shëndetit të ti. Ai ka vënë në pikëpyetje udhëtimin e tij të paralajmëruar më parë në Moskë.
    “Fillimisht Vuçiqi mendonte se Uashingtoni dhe Moska janë më të rëndësishme për të sesa Brukseli. Por tani ai po përpiqet të parandalojë humbjen e mbështetjes nga të gjitha anët, sepse është i dëmtuar shumë politikisht”, beson Vuksanoviq.
    Ai pohon se në tani në diplomacinë serbe nuk ka asgjë të motivuar nga logjika e politikës së jashtme. Përkundrazi, politika e jashtme është në shërbim të përmirësimit të imazhit  politik të Vuçiçit si udhëheqës. Duket se në marrëdhëniet e tensionuara ndërkombëtare, hapësira e tij për manovrim po ngushtohet./DW

  • I shtruar në Spitalin Ushtarak, si është gjendja e Vuçiç?

    I shtruar në Spitalin Ushtarak, si është gjendja e Vuçiç?

    Gjendja shëndetësore e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, është stabile dhe e kënaqshme, pas kontrolleve të kryera në spitalin ushtarak në Beograd. Kështu deklaroi Dragan Dinçiq, kardiolog në këtë spital.
    Vuçiq, siç është konfirmuar nga Dinçiq, ishte sëmurë gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara dhe menjëherë kishte marrë ndihmë mjekësore. Pas kontrollit shëndetësor, ai kishte vendosur që të kthehej në Serbi.
    “Në ditët në vijim, nuk është reale të pritet që presidenti të jetë në gjendje t’i kthehet aktiviteteve të tij të rregullta”, shtoi Dinçiq.
    Dinçiq, i cili po ashtu është kreu i Administratës Shëndetësore Ushtarake në Ministrinë serbe të Mbrojtjes, tha se Vuçiq do të largohet nga spitali ushtarak gjatë ditës, pasi t’iu nënshtrohet kontrolleve dhe analizave.
    Ai shtoi se nuk mund të flasë në detaje për gjendjen shëndetësore, por Vuçiq gjatë vizitës në SHBA kishte përjetuar dhimbje në gjoks, të shoqëruara me presion të lartë të gjakut.
    Vuçiq, tha ai, ka marrë terapi shtesë dhe në SHBA ishte kontrolluar një ekip i mjekëve që e diagnostikuan me presion të lartë të gjakut.
    “Mjekët në Amerikë kryen të gjitha kontrollet dhe presidenti, në kundërshtim me rekomandimin e tyre, vendosi të kthehej në Serbi”, tha Dinçiq.
    Ai tha se Vuçiq nuk kishte pasur probleme gjatë udhëtimit të tij për në Serbi dhe kur arriti në spitalin ushtarak në Beograd, ndihej mirë.
    Vuçiq gjatë qëndrimit në SHBA u takua me ish-kryetarin e Nju Jorkut, Rudy Giuliani.
    Ai ishte paraparë që të takohej me disa zyrtarë të lartë të Partisë Republikane, para se të ndërpriste vizitën në SHBA, për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, sipas mediave serbe.
    I dërguari i presidentit amerikan për Misione të Posaçme, Richard Grenell, i ka uruar shërim të shpejtë Vuçiqit, pasi udhëheqësi serb ndërpreu vizitën papritur.
    Në një postim në X, Grenell po ashtu ka shprehur keqardhje që nuk ka mundur të takohet me udhëheqësin serb.
    Vizita e Vuçiqit në SHBA u zhvillua disa ditë para se ai të marrë pjesë në Ditën e Fitores në Moskë më 9 maj. Kjo vizitë e tij në Rusi është kritikuar nga Bashkimi Evropian.
    Serbia, që ka raporte të mira me Rusinë, deri më tani nuk ka vendosur sanksione ndaj Moskës për shkak të pushtimit të Ukrainës.
    Bashkimi Evropian disa herë i ka bërë thirrje Serbisë, shtet që synon të antarësohet në bllok, që të harmonizojë politikën e jashtme me atë të Brukselit.

  • Vuçiç i sëmurë? Gazetari: Lajm i pavërtetë, iu mbyll dera nga Donald Trump

    Vuçiç i sëmurë? Gazetari: Lajm i pavërtetë, iu mbyll dera nga Donald Trump

    Gazetari Vudi Gjymshiti duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV tha se janë të pavërteta lajmet e mediave serbe se Presidenti Vuçiq është kthyer nga SHBA-të në Serbi pasi ishte sëmurë.
    Sipas tij Vuçiqit i është mbyllur dera nga Presidenti Trump, i cili nuk e ka takuar.
    “Pretendimet e mediave serbe që Presidenti Vuçiq është sëmurë, prandaj e ka ndaluar udhëtimin e tij dhe përpjekjen pë​r t’u takuar me Presidentin Trump nuk është i vërtetë. E vërteta është që Trump e ka mbyllur derën dhe ka refuzuar të takohet me Vuçiq, këto janë informacionet tona që i kemi botuar më herët si ekskluzive. Ky është tregues tjetër që Richard Grenell e ka humbur ndikimin e tij në rrethet e Uashingtonit. Një cicërimë e Grenellit për ta ngushëlluar Vuçiq-in, thotë do të na mungosh, uroj të shërohesh sa më shpejt. Nuk ka nga çfarë të shërohet Vuçiq, pos ndoshta nga mërzia që Trump i ka mbyllur derën. Sepse Trump është i paparashikueshëm”.

  • Përkeqësohet gjendja shëndetësore e Presidentit Vuçiç, ndërpret vizitën në SHBA

    Përkeqësohet gjendja shëndetësore e Presidentit Vuçiç, ndërpret vizitën në SHBA

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka ndërprerë para kohe vizitën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore. Lajmin e bënë të ditur mediat serbe, duke cituar burime zyrtare dhe transmetuesin publik RTS.
    Sipas raportimeve, Vuçiq u konsultua me mjekët në SHBA dhe më pas vendosi të kthehet menjëherë në Serbi. Para se të anulohej agjenda, ai zhvilloi një takim me ish-kryebashkiakun e Nju Jorkut, Rudy Giuliani, dhe kishte planifikuar takime të tjera me zyrtarë të Partisë Republikane dhe kongresistë amerikanë.
    I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Richard Grenell, i uroi Vuçiqit shërim të shpejtë përmes një postimi në rrjetin social X, duke shprehur njëkohësisht keqardhje që nuk u takua me të.

    Agjencia serbe Tanjug raportoi se Vuçiq ndjeu shqetësime shëndetësore teksa po përgatitej për takimet zyrtare në Uashington. Zyra e presidentit ka paralajmëruar se do të ofrojë detaje të mëtejshme për gjendjen e tij në ditët në vijim.
    Kjo vizitë ndodhte pak ditë para pjesëmarrjes së planifikuar të Vuçiqit në ceremoninë e Ditës së Fitores në Moskë më 9 maj – një vizitë që është kritikuar ashpër nga Bashkimi Evropian, për shkak të marrëdhënieve të ngushta të Serbisë me Rusinë dhe refuzimit për t’i vendosur sanksione Moskës për agresionin ndaj Ukrainës.
    BE-ja ka përsëritur thirrjet që Serbia, si shtet kandidat për anëtarësim në union, të harmonizojë politikën e saj të jashtme me atë të Brukselit.

  • Vuçiç nuk heq dorë nga Putini, BE-ja reagon lidhur me vizitën e presidenti serb në Moskë

    Vuçiç nuk heq dorë nga Putini, BE-ja reagon lidhur me vizitën e presidenti serb në Moskë

    Bashkimi Evropian dëshiron të mbështetet te Serbia si një partnere e besueshme dhe është e nevojshme që Beogradi ta sigurojë për kursin e tij strategjik, u tha në Bruksel më 24 prill, pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, konfirmoi se do të udhëtojë për në Moskë për shënimin e Ditës së Fitores.
    Në përgjigje të një pyetjeje të dërguar nga mediat, një përfaqësues i Komisionit Evropian shtoi se Bashkimi Evropian ka qenë plotësisht i qartë me partnerët e tij, përfshirë shtetet kandidate si Serbia.
    “Marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të zhvillohen mbi parimin e ‘punës si zakonisht’ me regjimin e Vladimir Putin, veçanërisht pas agresionit të paprovokuar dhe të paarsyeshëm ndaj Ukrainës”, shtoi në përgjigjen e tij të shkruar përfaqësuesi i Zyrës për Zgjerimin dhe Partneritetin Ndërkombëtar, Guillaume Mercier.
    Vuçiq deklaroi më 23 prill se nuk ka ndryshuar qëndrim “pavarësisht presioneve” dhe se do të udhëtojë në Moskë më 9 maj, për paradën që do të organizohet për përvjetorin e 80-vjetorit të fitores ndaj fashizmit në Luftën e Dytë Botërore.
    “Me presidentin Putin kam pasur gjithmonë një marrëdhënie të hapur, të sinqertë dhe miqësore, që nuk është gjithmonë e lehtë dhe e thjeshtë, sepse nuk jemi gjithmonë në një mendje, por besojmë njëri-tjetrit kur themi diçka”, tha Vuçiç.
    Ai gjithashtu shtoi se ka shumë mundësi që në Moskë të udhëtojë vetëm.
    “Ne duam që qeveria Gjuro Macut të paguajë çmimin, dua që ai të ketë mundësinë të punojë me Bashkimin Evropian ashtu siç duhet dhe askush të mos mund t’i thotë asgjë. Ka pak gjasa që ushtria e Serbisë të shkojë sepse do të përballej me sulme dhe sanksione të ndryshme”, deklaroi ai.
    Udhëtimi i parë i presidentit të Serbisë në Rusi, që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës para tre vjetësh, u bë publik nga ai në fillim të marsit, pas një bisede telefonike që Vuçiq zhvilloi me Putinin.

  • Qeveria e re e Serbisë, pa ndryshime lidhur me Kosovën

    Qeveria e re e Serbisë, pa ndryshime lidhur me Kosovën

    Formimi i Qeverisë së re të Serbisë ndodhi në një periudhë të polarizimit të thellë politik dhe protestave masive qytetare që po e tronditin vendin. Analistët vlerësojnë se në këtë kontekst nuk mund të pritet asnjë ndryshim domethënës – përfshirë edhe në qasjen ndaj Kosovës – përderisa mungon një plan i qartë dhe konkret për rifillimin e dialogut.

    Qeveria e re e Serbisë, e udhëhequr nga mjeku Gjuro Macut, nuk po sjell asnjë ndryshim thelbësor në qasjen ndaj Kosovës. Sipas analistëve, ajo konfirmon vazhdimësinë e politikës së presidentit Aleksandar Vuçiq, një qasje e bazuar në mohimin e realitetit dhe mungesën e vullnetit për dialog të mirëfilltë.

    Redaktorja e revistës „Novi Magazin“, Jellka Jovanoviq, thotë për RTK se presidenti Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk kanë zhvilluar asnjë takim që prej më shumë se dy vitesh dhe se nuk ka asnjë paralajmërim për rifillimin e dialogut në një të ardhme të afërt.

    “Kosova pothuajse nuk është përmendur fare në ekspozenë e kryeministrit. Nëse një çështje kaq e rëndësishme nuk zë vend në programin e Qeverisë, është e qartë se ajo mbetet nën kompetencën e drejtpërdrejtë të presidentit Vuçiq. Kryeministri ka një rol simbolik”, vlerëson Jovanoviq.

    Në programin qeveritar, Kosova përmendet shkurt si “interes kombëtar i lartë”, me theks se Serbia nuk do të pranojë zgjidhje që nuk janë në përputhje me Kushtetutën dhe Rezolutën 1244. “Dialog po – por pa presion. Pa drejtësi nuk ka paqe”, ka deklaruar kryeministri i ri Macut.

    Sipas analistëve, kjo qasje ishte e pritshme dhe tregon se qeveria e re nuk ka ambicie të marrë një rol më aktiv në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Publicisti dhe gazetari Zllatoje Martinov thotë se Serbia është shumë larg një politike realiste kur është fjala për Kosovën.

    “Dihet kush e ka fjalën e fundit. Vuçiq mban kontroll të plotë mbi të gjitha proceset, përfshirë edhe çështjen e Kosovës. Interesi i Serbisë do të ishte të pranojë realitetin në terren dhe të ndërtojë marrëdhënie normale me shqiptarët, por për këtë mungon vullneti politik”, thekson Martinov.

    Qeveria e re e Serbisë është formuar në kulmin e protestave masive qytetare. Analistët vlerësojnë se detyra kryesore e kryeministrit Macut është të sigurojë një periudhë qetësie për pushtetin, pa ndryshime të vërteta në drejtimin politik të vendit.

    Kabineti i ri shihet si vazhdimësi e përqendrimit të pushtetit në duart e presidentit dhe si instrument për forcimin e kontrollit mbi universitetet, mediat dhe institucionet publike.