Tag: vuçiq

  • Vuçiç paralajmëron blerje të mundshme armësh nga Kina, kritikon fqinjët

    Vuçiç paralajmëron blerje të mundshme armësh nga Kina, kritikon fqinjët

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha të mërkurën se pjesëmarrjen e tij në paradën ushtarake në Pekin e shfrytëzoi për të parë se “çfarë do të ishte me interes për t’u blerë për nevojat e ushtrisë serbe, në mënyrë që ajo të jetë një faktor parandalues ndaj çdo agresori të mundshëm nga fqinjësia”.
    “Nuk është rastësi që Prishtina, Zagrebi dhe Tirana formuan një aleancë ushtarake. Dhe, ata nuk e bënë atë për shkak të Austrisë, Hungarisë apo Sllovenisë, por për shkak të Serbisë. Ata e bënë kundër Serbisë”, tha Vuçiq për gazetarët në Pekin.
    Ai theksoi se Serbia “nuk do ta prekë askënd”, por se po e forcon ushtrinë e saj për ta “ruajtur integritetin territorial”.
    Kosova, Shqipëria dhe Kroacia, nënshkruan më 18 mars një deklaratë në Tiranë, përmes së cilës vendet angazhohen që të forcojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
    Video nga arkivi: Pse po e shqetëson Serbinë bashkëpunimi ushtarak mes Kosovës dhe fqinjëve?

    Qeveria kroate bëri të ditur për Radion Evropa e Lirë se deklarata e tri shteteve nuk synon krijimin e ndonjë aleance ushtarake. Duke folur për paradën ushtarake të ushtrisë kineze dhe blerjen e mundshme të armatimeve nga ajo, Vuçiq tha se Serbia nuk është e interesuar për raketat balistike dhe hipersonike kineze, por se Kina ka avionë shumëfunksionalë të nivelit të lartë dhe helikopterë modernë.
    Lideri serb u tha gazetarëve në Pekin se pati takime me përfaqësues të 11 kompanive, me të cilët bisedoi edhe për prezantimin dhe përdorimin e makinave fluturuese në Serbi.
    “Kompanitë janë nga fusha të ndryshme. Përdorimi i inteligjencës artificiale do të ketë shumë rëndësi për ne në të ardhmen”, tha Vuçiq.
    Duke komentuar bisedimet me përfaqësuesit e kompanisë kineze Zijin, ai tha se Serbia është e interesuar për blerje të mëtejshme të arit nga kjo kompani, e cila është pronare shumicë e Kompleksit Minierë-Trajtim Metalurgjik Bor.
    “Patëm takime me kompani të rëndësishme energjetike. Biseduam me kompaninë Xpeng për makinat fluturuese. Besoj se vitin e ardhshëm, deri më 1 dhjetor, do të mund t’u tregojmë njerëzve se si funksionojnë në Serbi dhe se do të jenë në përdorim gjatë ekspozitës Ekspo2027 në Beograd”, tregoi ai.
    Ai shtoi se gjatë vizitës në Kinë është takuar me 12 liderë botërorë, përfshirë presidentin e Azerbajxhanit Ilham Alijev, presidentin e Indonezisë Prabovo Subjanto dhe kryeministrin e Sllovakisë, Robert Fico.
    Vuçiq dhe kryeministri i Sllovakisë ishin të vetmit liderë evropianë që morën pjesë në Pekin në paradën ushtarake me të cilën Kina shënoi 80-vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Të ftuar të liderit kinez Xi Jinping ishin presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, dhe krerë të tjerë shtetesh e qeverish, përfshirë ata nga Bjellorusia, Irani dhe vende të tjera. REL/

  • Vuçiç: Pllenkoviq po synon që ta dëmtojë imazhin e Serbisë

    Vuçiç: Pllenkoviq po synon që ta dëmtojë imazhin e Serbisë

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se deklarata e kryeministrit kroat, Andrej Pllenkoviq, se Serbia është në prag të një lufte civile, është “keqdashëse” dhe e “qëllimshme”, që sipas tij, synon ta dëmtojë imazhin e Beogradit në botë.

    Pas takimit me presidentin rus, Vladimir Putin, në Pekin, Vuçiq u tha gazetarëve se e “çudit fakti që disa qytetarë të Serbisë nuk e shohin këtë”.

    “Nuk do të ketë asnjë luftë civile në Serbi. Serbia do të vazhdojë të rritet me shpejtësi të madhe”, tha Vuçiq më 2 shtator, kur u pyet nga gazetarët që të komentojë deklaratën e Pllenkoviqit.

    Vuçiq tha po ashtu se Serbia “do të vazhdojë të jetë gjithnjë më e suksesshme pavarësisht përpjekjeve të mëdha të Kroacisë, si ato zyrtare ashtu edhe jozyrtare, jo vetëm që të mos përparojë, por edhe të kthehet në të kaluarën e largët, kur disa presidentë serbë i serviloseshin dhe u kërkonin falje atyre që përzunë serbët”.

    “Ne do të vazhdojmë të shtrijmë dorën për Kroacinë pavarësisht të gjitha komentimeve të tyre keqdashëse dhe kurrë nuk do t’u dëshirojmë asgjë të ngjashme”, theksoi udhëheqësi serb.

    Pllenkoviq një ditë më parë, në Forumit Strategjik të Bledit, kur foli për zgjerimin e Bashkimit Evropian, deklaroi se Serbia “është në prag të një lufte civile, me më shumë se dy vjet trazira dhe protesta të mëdha, më të fortat dhe më seriozet, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina është nën kërcënim të vazhdueshëm nga separatizmi”.

    Në një deklarim më vonë për gazetarët, Pllenkoviq tha se qëllimi i deklaratës së tij ishte të ilustronte për publikun “që nuk ndjek të gjitha detajet e situatës në Serbi se si duket gjithçka, veçanërisht në muajt e fundit”.

    “Mos mendoni se unë mbështes një skenar të tillë, po thjesht po e përshkruaj”, tha Pllenkoviq.

    Lidhur me këtë deklaratë të Pllenkoviqit ka reaguar edhe kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, e cila ka thënë se “qëllimi strategjik i Kroacisë është të shpërthejë një luftë civile në Serbi”.

    “Pllenkoviq thotë se Serbia është në prag të një lufte civile. Po çfarë tjetër mund të ndodhë? Ata e kanë dëshiruar kaq shumë dhe kanë investuar kaq shumë në këtë. E dinë se qëllimi i tyre strategjik – që Aleksandar Vuçiq të mos jetë në krye të Serbisë – vetëm kështu mund ta arrijnë”, shkroi ajo në X.

    Ndërkaq në Kroaci për këtë çështje ka reaguar edhe zëvendëskryeministri i vendit, njëherësh ministri i Mbrojtjes, Ivan Anushiq. Ai tha më 2 shtator se Kroacia nuk ka asnjë lidhje me problemet politike në Serbi.

    Duke komentuar deklaratën e kryetares së Kuvendit të Serbisë, Anushiq u tha gazetarëve se Serbia dukshëm ka probleme të mëdha të brendshme politike, por e drejton gishtin nga Zagrebi për çdo problem të saj.

    “Ne nuk kemi absolutisht asnjë lidhje me këtë”, tha ai për gazetarët në Zagreb.

    Sipas agjencisë Hina, ai tha se Kroacia gjithmonë ka shtrirë dorën drejt Serbisë në integrimin e saj në Bashkimin Evropian dhe organizatat perëndimore, ndërsa Serbia vendos se çfarë politike do të ndjekë.

    “Unë u dëshiroj të gjitha të mirat dhe që së shpejti të bëhet anëtare e BE-së, NATO-s dhe të stabilizojmë këtë pjesë të Evropës”, theksoi ai.

    Për dhjetë muaj, Serbia është përballur me protesta masive ku protestuesit kërkojnë përgjegjësi nga autoritetet për vdekjen e 16 persona nga shembja e një strehe të betonit në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad më 1 nëntor 2024.

    Qeveria ka mohuar përgjegjësinë për ngjarjen, ndërsa Vuçiq, ka refuzuar të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, të cilat që nga maji po i kërkojnë protestuesit që po udhëhiqen nga studentët./ REL

     

  • Pse Vuçiç dhe Dodik po vrapojnë pas Trumpit?

    Pse Vuçiç dhe Dodik po vrapojnë pas Trumpit?

    Presidenti serb Aleksandar Vuçiq prej muajsh është përpjekur me ngulm të kontaktojë Presidentin e SHBA-së Donald Trump. Pas dështimit total në muajin maj në Florida, nga ku ai u kthye papritur në Serbi në rrethana ende misterioze për shkak të “dhimbjeve në gjoks”, fushata diplomatike që mund të quhet edhe “dua të takoj Trumpin” ka vazhduar.
    Udhëheqësit e qeverisë serbe kanë folur vazhdimisht për një lloj dialogu strategjik me Amerikën dhe kthimin e marrëdhënieve midis dy vendeve në “nivelin e tyre të mëparshëm”. Kështu, në fillim të gushtit, u zhvillua një takim midis Ministrit të Jashtëm serb Marko Gjuriq dhe Sekretarit të Shtetit të SHBA-së Marco Rubio, të cilin pala amerikane praktikisht nuk e komentoi, por megjithatë Gjuriq e vlerësoi takimin si “historik”.
    Dëshirave të Presidentit serb iu bashkua edhe ish-Presidenti i Republika Srpska Milorad Dodik, i cili gjithashtu dëshiron të takohet me Trumpin dhe i cili e përshkroi shkarkimin e tij si “një përpjekje për ta penguar atë të flasë me Trumpin”.
    Kjo kulmoi në kohën kur Asambleja e RS po thërriste një “referendum për Dodikun”, anëtarja serbe e Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zheljka Cvijanoviq, nisi një propozim për t’i dhënë Trumpit Çmimin Nobel për Paqen.
    Dodik beson se “po minohet” nga të ashtuquajturit “Bidenistë” dhe se gjithçka do të ishte ndryshe nëse do ta kishte informuar Trumpin për të gjitha detajet e ngjarjeve në rajon.
    Bazuar në disa veprime të mëparshme, është e mundur të supozohet se Vuçiq dhe Dodik do të përpiqeshin të paraqiteshin në Amerikë si “evropianë konservatorë të MAGA-s” të cilët, ashtu si Trumpi, po ngacmohen nga forcat globaliste të krahut të majtë.
    Komentatori i politikës së jashtme, Boshko Jakshiq, i thotë DW-së se Aleksandar Vuçiq është kaq i etur për të takuar Trumpin “sepse e sheh atë mbi të gjitha si mbrojtësin e autokracisë”. Ndërsa Bashkimi Evropian, “pavarësisht nga qasja ndonjëherë llogaritëse e Gjermanisë dhe Francës”, ende këmbëngul në disa vlera të demokracisë liberale.
    “Pas presidentëve rusë dhe kinezë, edhe Vuçiq e sheh Trumpin si një aleat ideologjik dhe kjo është arsyeja pse Vuçiq po distancohet nga Evropa. Por këtu ka një pengesë, sepse Trump është pragmatik dhe i orientuar drejt biznesit dhe nuk është i interesuar për afërsinë ideologjike. Ndërsa në këtë fushë biznesi, Serbia praktikisht nuk ka asgjë për të ofruar”, thekson Jakshiq.
    Milorad Dodik përdor të njëjtin model si Vuçiq, vazhdon bashkëbiseduesi ynë, duke shtuar, “se ata e shohin Trumpin si një lloj shpëtimtari, por unë kam paralajmëruar më parë se do të ketë zhgënjim pas sloganeve ‘Trump, serb’. Kur shikon faktin se Serbia është ndëshkuar me një tarifë mjaft të lartë prej 35 përqind, që është pasojë e afërsisë së Serbisë me Kinën, shohim se ka shumë pak hapësirë ​​për manovrim për të ndryshuar diçka në mënyrë domethënëse”, thekson Boshko Jakshiq.
    Asgjë nuk mund të rregullohet ose ndryshohet vetëm nga takimi i Vuçiqit dhe Dodikut me Trumpin, thotë historiani dhe ish-ambasadori në Uashington Milan St. Protiq. Sipas tij, Amerika ka gjëra shumë më të rëndësishme për të bërë në botë sesa të takohet me Vuçiqin e Dodikun.
    Edhe po të ndodhte në takim i tillë, Milan St. Protiq nuk e ka të qartë se çfarë duan ata nga Trumpi dhe shton se kjo është parë edhe në takimin e Vuçiqit me Trumpin në mandatin e parë.
    “Vuçiqi as nuk guxoi të kërkonte një karrige të mirë, por u ul në një stol dhe dukej i humbur në hapësirë. Mendoj se ata vetëm sa do të na turpëronin më tej, sepse me punën e tyre deri më tani kanë treguar se nuk janë të denjë për pozicionin që mbajnë”, beson Protiq.
    Izraeli si një portë anësore
    Si pjesë e këtyre përpjekjeve, ka pasur një kthesë gjithnjë e më të madhe drejt Izraelit, në përpjekjet për të fituar një mbështetje më të fortë amerikane. Aleksandar Vuçiq pothuajse u mburr se Serbia ishte i vetmi vend evropian që furnizonte me armë Izraelin, dhe zbuloi se ka një kontratë të rëndësishme ushtarake për blerjen e armëve nga Izraeli me vlerë 1.64 miliardë dollarë.
    Në fillim të korrikut, Kryetarja e Parlamentit serb, Ana Brnabiq, gjithashtu shkoi në një vizitë tre-ditore në Izrael, duke deklaruar se ky ishte fillimi i një bashkëpunimi më intensiv politik dhe ekonomik midis dy vendeve.
    Supozimi i autoriteteve në Beograd është ndoshta ky: Trump mbështet pa kompromis Izraelin, dhe kështu ne do të fitojmë favorin amerikan në mënyrë të tërthortë. Të dy bashkëbiseduesit tërheqin vëmendjen te edhe në takimin e parë midis Vuçiq dhe Trump, i cili supozohej t’i kushtohej Kosovës, në fund rezultoi se tema kryesore ishte Izraeli.
    Boshko Jakshiq beson se kjo është një përpjekje e Vuçiqit që të arrijë te Trumpi përmes një dere të pasme, por kjo mund t’i kushtojë seriozisht Serbisë. “Mburrja e Vučić-it se Serbia është i vetmi vend që i shet armë Izraelit, në një kohë kur shumë thonë se në Gazë po ndodh një ‘gjenocid’, kërcënon ta bëjë Serbinë bashkëpunëtore në të. Ky është një çmim shumë i lartë për t’u paguar për t’u afruar me Trumpin. Unë mund ta imagjinoj se Izraeli dhe Uashingtoni nuk janë fare të intereusar për Vuçiqin”, thotë Jakshiq për DW.
    Pse Vuçiqi po injoron Evropën?
    Evropa po kritikon akoma pak, por me zë gjithnjë e më të lartë represionin në Serbi. Prandaj autoritetet serbe po i drejtohen gjithnjë e më shumë Amerikës. Anëtarët e regjimit nuk hezitojnë më t’u përgjigjen ashpër zyrtarëve evropianë, gjë që mund të jetë një shenjë se ata nuk e konsiderojnë më Evropën një aktor serioz politik. Ata shpresojnë se do të mbeten në pushtet me ndihmën e Trumpit dhe Amerikës.
    Milan St. Protiq thotë se kjo është një llogari e gabuar. “Evropa është mjedisi ynë dhe një faktor vendimtar për ne. Trump do ta përfundojë mandatin e tij, politika amerikane do të kthehet shpejt në normalitet, ndërsa Evropa do të mbetet aty ku është. Si Vuçiq ashtu edhe Dodik janë kundërshtarë të demokracisë dhe për këtë arsye po kërkojnë bashkëbisedues aty ku mendojnë se ka një bazë për një marrëveshje, pavarësisht nga institucionet demokratike”, paralajmëron ish-ambasadori serb në Amerikë.
    Një injorim kaq gjithnjë e më i dukshëm i Evropës, të cilin Vuçiç po e tregon, “është i rrezikshëm dhe strategjikisht shumë i gabuar”, thotë Jakshiq. “Jo vetëm për shkak të gjeografisë, por në rregullimin aktual të marrëdhënieve botërore, nuk ekziston vetëm një detyrim politik dhe ekonomik, por edhe moral për të qenë në anën e Evropës në vend të Amerikës, Rusisë apo Kinës. Vuçiq ka vetëm një llogaritje këtu – si të mbetet në pushtet dhe që askusht të mos e dënojë represionin në Serbi. Pra, kjo është një tendencë shumë e rrezikshme për të cilën Serbia tashmë po paguan, dhe ndoshta do të vazhdojë të paguajë një çmim të lartë”, përfundon Jakshiq. DW

  • Vuçiç përsërit thirrjen ndaj protestuesve për dialog: U kam ofruar atyre debat të hapur

    Vuçiç përsërit thirrjen ndaj protestuesve për dialog: U kam ofruar atyre debat të hapur

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç e ka përsëritur të hënën thirrjen e tij për dialog me protestuesit, pas nëntë muajve të protestave dhe bllokadave në gjithë vendin.

    Në një intervistë dhënë Euroneës Serbia, Vuçiq ka thënë se Qeveria në Beograd vazhdon të jetë e përkushtuar për dialog, pavarësisht, siç ka thënë ai, refuzimit të protestuesve për t’i pranuar ofertat e tij për debat publik.
    “Kjo nuk është thirrja ime e parë. U kam ofruar atyre debat të hapur televiziv. Kam qenë i gatshëm të diskutoj publikisht, sepse besoj që biseda dhe dialogu nuk kanë alternativë”, ka thënë mes tjerash Vuçiq.
    Ai ka shtuar se oferta e tij është valide “derisa ta pranojnë, sepse një ditë do t’iu duhet të flasin me dikënd”.
    Disa prej studentëve në bllokadë, që i udhëheqin protestat, e kanë refuzuar paraprakisht ftesën e Vuçiqit, duke thënë se do të bisedojnë me presidentin e Serbisë, kur ai t’i shpallë zgjedhjet dhe t’iu plotësohen të gjitha kërkesat.
    Studentët, dhe qytetarët që i mbështesin ata, kërkojnë përgjegjësi politike dhe penale për 16 personat e vdekur si pasojë e rrëzimit të një strehe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit në nëntor të vitit të kaluar.
    Protestuesit kërkojnë edhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, kërkesë e refuzuar nga Qeveria.
    Vuçiq i ka thënë Euroneës-it se ka ofruar shpalljen e zgjedhjeve “të paktën tri herë në gjashtë muajt e fundit”, përfshirë referendumin për mandatin e tij presidencial, “por që të gjitha ofertat janë kundërshtuar”.
    “Kemi shumë punë, shumë punë për të bërë. Nuk mund të ketë zgjedhje gjithë kohën. Ata tani thonë se gjëja e vetme që duam janë zgjedhjet”.
    Ai ka shtuar se do të jetë president edhe për një vit, një vit e gjysmë, dhe që një president i ri do të zgjidhet më pas.
    Aksidenti në Novi Sad i ka ngritur dilemat për një sistem shtetëror të korruptuar. Protestuesit pretendojnë se shembja e strehës është rezultat direkt i ndërtimit të dobët.
    “Korrupsioni është kthyer në temën kryesore dhe është e lehtë të shprehësh pakënaqësinë, edhe kur nuk është temë”, është shprehur Vuçiq.
    Vuçiq ka thënë se e ka prioritet rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.
    “Për aq kohë sa të jem udhëheqës shtetëror, Serbia do të ndjekë rrugën evropiane, e përkushtuar dhe e vendosur për t’i kryer reformat e nevojshme”, ka thënë ai.
    I pyetur për marrëdhëniet me presidentin rus, Vladimir Putin, Vuçiq ka thënë se ata kanë raport korrekt dhe që presidenti rus është “gati për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë me një marrëveshje të paqes”.
    Vuçiq ka thënë se do të ishte i kënaqur nëse do të ishte nikoqir i një takimi mes Putinit dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenky në Beograd, për ta diskutuar paqen, nëse palët e pëlqejnë këtë ide.
    Serbia synon anëtarësimin në BE dhe e ka statusin e vendit kandidat, mirëpo mban edhe raporte të mira me Moskën, për çka është kritikuar disa herë nga Perëndimi./REL

  • Putin, Maduro, Kina dhe…/ REL: Vendet e sanksionuara në Perëndim, “mike” në Serbi

    Putin, Maduro, Kina dhe…/ REL: Vendet e sanksionuara në Perëndim, “mike” në Serbi

    Beogradi zyrtar prej vitesh mban lidhje me regjimet në Rusi, Kinë, Bjellorusi, Venezuelë dhe Iran, duke e nxitur Bashkimin Evropian (BE) ta kritikojë atë, por vetëm përmes deklaratave.
    Të enjten, 21 gusht, arritën dy njoftime që e konfirmojnë këtë drejtim të politikës së jashtme të Serbisë.
    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi fillimisht se së shpejti do të organizohet një takim i zyrtarëve të Serbisë dhe Rusisë “në nivelin më të lartë”, por nuk dha më shumë detaje.
    Nëse takimi do të ndodhë, do të jetë i dyti i këtij lloji këtë vit, pas vizitës së Vuçiqit në Moskë në maj, e cila shkaktoi paralajmërime nga Brukseli.
    Po atë ditë, kreu i shtetit serb bëri të ditur se kishte zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Venezuelës, Nikolas Maduro, për të cilin BE-ja konsideron se nuk ka legjitimitetin e një presidenti të zgjedhur në mënyrë demokratike për shkak të parregullsive zgjedhore.
    Vuçiq, megjithatë, e quajti atë “mik të madh” të Serbisë.
    BE-ja nuk i është përgjigjur kërkesës së Radios Evropa e Lirë lidhur me njoftimin për takimin e zyrtarëve serbë dhe rusë, si dhe për bisedën telefonike të Vuçiqit me Maduron.
    Fuqizimi i fuqive rajonalePozicioni që Serbia e Vuçiqit ka në hapësirën ndërkombëtare mund të kuptohet nëse analizohet nga perspektiva e parimeve kyç të politikës së jashtme të Rusisë dhe Kinës, të cilat përmblidhen me frazën: një botë multipolare.
    Kështu vlerëson Eric Gordy, profesor i sociologjisë politike në Departamentin për Studime Sllave dhe të Evropës Lindore të Universitetit të Londrës.
    “Kjo do të thotë se janë më të orientuar në forcimin e fuqive rajonale, sesa atyre globale. Synimi është të hollohet fuqia e shteteve më të forta ekonomike si SHBA-ja dhe shtetet evropiane. Këtë e kanë promovuar edhe Vuçiqi dhe partitë e djathta në Serbi, kur flasin për veten si përkrahës të sovranitetit”, vlerëson Gordi.
    Në “përqafimin” e RusisëPavarësisht thirrjeve nga Brukseli që të mos udhëtonte në Moskë, presidenti i Serbisë mori pjesë më 9 maj në shënimin e Ditës së Fitores ndaj fashizmit në Luftën e Dytë Botërore.
    Kjo ishte vizita e parë e Vuçiqit në Rusi që kur ajo filloi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Sipas OKB-së, që nga ajo kohë numri i viktimave ka kaluar shifrën prej 12.000.
    Përveç Vuçiqit, nga zyrtarët evropianë në paradën e Moskës ishin vetëm kryeministri prorus i Sllovakisë, Robert Fico, dhe presidenti i Bjellorusisë, Aleksandar Lukashenko.
    Vuçiqi u takua edhe me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, dhe e falënderoi për “mbështetjen e madhe” ndaj politikës së Beogradit zyrtar për Kosovën.
    Rusia është ndër vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës të shpallur më 2008.
    BE-ja, pas vizitës së Vuçiqit në Moskë, deklaroi se “shpreh keqardhje të thellë” për udhëtimin e udhëheqjes serbe në Rusi dhe se Serbia duhet ta “bindë” Brukselin për “orientimin e saj strategjik drejt BE-së”.
    Që nga maji, nga Moska kanë ardhur mesazhe të paqarta për Beogradin – nga kritikat për pretendimet se armët e prodhuara në Serbi përfundojnë në Ukrainë, e deri te mesazhe mbështetjeje për shtypjen e “revolucioneve me ngjyra”, siç i quajnë autoritetet serbe dhe ruse protestat antiqeveritare që po zgjasin prej nëntë muajsh.
    Edhe pse Serbia në OKB ka dënuar disa herë pushtimin rus dhe ka mbështetur integritetin territorial të Ukrainës, përfshirë edhe territoret e pushtuara, ajo mbetet një nga të paktat shtete evropiane që nuk i është bashkuar sanksioneve perëndimore kundër zyrtarëve të Kremlinit.
    “Miqësi prej çeliku”“Miqësi prej çeliku” është shprehja që shpesh përdorin zyrtarët serbë për të përshkruar marrëdhëniet me Republikën Popullore të Kinës.
    Presidenti Vuçiq e quan homologun e tij kinez, Xi Jinping, “mik të madh dhe vëlla”.
    Në fund të korrikut, Vuçiq njoftoi se më 3 shtator do të takohet me presidentin kinez në Pekin.
    Takimi i mëparshëm mes tyre u zhvillua në maj në Moskë, gjatë paradës së Ditës së Fitores.
    Xi Jinping vizitoi për herë të fundit Beogradin në maj 2024, ku u prit nga mijëra qytetarë me flamuj të Serbisë dhe Kinës.
    Marrëdhëniet mes dy shteteve shihen në shumë projekte infrastrukturore të kompanive kineze në Serbi, përfshirë edhe rindërtimin e hekurudhës Beograd-Budapest, e cili pati pasojë tragjike vdekjen e 16 personave pas shembjes së një pjese të çatisë së Stacionit Hekurudhor në Novi Sad.
    Për shkak të intensifikimit të bashkëpunimit politik dhe ekonomik me Kinën, Beogradi zyrtar është kritikuar dhe paralajmëruar disa herë nga SHBA-ja dhe BE-ja, ku Serbia synon anëtarësimin.
    Përkrah autokratëve në Venezuelë dhe Bjellorusi“Pse të mos shkoj në Venezuelë? Serbia nuk është vend që merr urdhra nga jashtë”, ishte përgjigjja e kryetares së Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, më 15 janar, kur u pyet nga REL-i për praninë e saj në inaugurimin e Nikolas Maduros në Karakas disa ditë më herët.
    Komisioni Evropian deklaroi se Serbia duhet të përmbahet nga veprimet që bien ndesh me politikën e jashtme të BE-së.
    SHBA-ja ka vendosur sanksione ndaj Venezuelës që nga viti 2006, të cilat u zgjeruan në janar 2024.
    Maduro akuzohet nga Uashingtoni për korrupsion, trafik droge dhe shkelje të demokracisë e të drejtave të njeriut.
    Ai shpalli fitore në zgjedhjet presidenciale të korrikut 2024, të cilat opozita i konsideroi të manipuluara, duke organizuar protesta masive në të gjithë vendin.
    Mes pak zyrtarëve botërorë që e uruan Maduron për mandatin e tretë ishte edhe presidenti Vuçiq.
    Njëjtë, kur presidenti autoritar i Bjellorusisë, Aleksandar Lukashenko, shpalli mandatin e tij të shtatë në fillim të vitit 2025 – zgjedhje të cilat Perëndimi i konsideroi të manipuluara – një nga urimet e para iu dërgua nga Beogradi.
    Ish-zëvendëskryeministri Aleksandar Vulin, i njohur për lidhjet e ngushta me Kremlinin dhe Minskun, e uroi Lukashenkon si “mik të Serbisë”.
    Bjellorusia është nën sanksione të BE-së për rolin e saj në pushtimin rus të Ukrainës. Serbia iu bashkua atyre sanksioneve vetëm pjesërisht.
    Roli i armëveErik Gordi thekson se do të ishte e pasaktë të thuhet se Serbia kultivon domosdoshmërisht afërsi me regjime autokratike.
    “Sërish, niveli i interesit lidhet më shumë me arsyet ekonomike. Fitime të mëdha vijnë nga shitja e armëve dhe armatimit anembanë botës, kryesisht tek vendet që dikur ishin klientë të Jugosllavisë”, thotë Gordi.
    Pas nisjes së konfliktit Izrael-Iran, më 23 qershor Vuçiq deklaroi se Serbia ka pezulluar eksportin e armëve.
    Që nga viti 2022, të dhënat zyrtare mbi eksportin e armëve nga Serbia nuk janë publikuar, megjithëse ligji e parashikon.
    Në fund të qershorit, Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme i Rusisë akuzoi Serbinë se municionet e saj po përfundonin përmes vendeve të NATO-s në Ukrainë. Beogradi e mohoi disa herë, duke thënë se nuk ka kontroll mbi destinacionin final pas shitjes së armëve në vende të treta.
    Kjo çështje i vuri në qendër të vëmendjes edhe marrëdhëniet e Serbisë me Iranin.
    Edhe pse Beogradi zyrtar ka pretenduar neutralitet në konfliktin Izrael-Iran, të dhënat tregtare tregojnë një prirje më të madhe drejt Tel Avivit.
    Sërish, Serbia disa herë nuk u përshtat me vendimet e BE-së për sanksione ndaj Iranit, si për aktivitetet bërthamore ashtu edhe për shkelje të të drejtave të njeriut.
    Pse mungon BE-ja?Erik Gordi e lidh këtë me projektin e nxjerrjes së litiumit “Jadar” nga kompania australiane “Rio Tinto”, që ka shkaktuar protesta të mëdha në Serbi.
    Sipas tij, ky projekt nuk mund të realizohet në Evropë për shkak të standardeve mjedisore dhe rezistencës publike, prandaj BE-ja shpesh “mbyll njërin sy” ndaj shkeljeve të standardeve demokratike nga Vuçiqi.
    Komisioni Evropian, më 4 qershor 2025, e përfshiu projektin “Jadar” mes 13 projekteve strategjike me lëndë të para kritike, pavarësisht pasigurisë për vazhdimin e tij.
    Analiza e Fondit ISAC tregon se përputhshmëria e Serbisë me deklaratat e politikës së jashtme të BE-së ishte 59% në vitin 2024 – më shumë se një vit më parë, por sërish më e ulëta mes vendeve kandidate në Ballkanin Perëndimor.
    Megjithatë, kontaktet me disa regjime të kritikuara nuk i kanë kushtuar Serbisë, të paktën deri më tani, me trysni serioze nga BE-ja./ REL

  • Vendet e sanksionuara në Perëndim, ‘mike’ në Serbi!

    Vendet e sanksionuara në Perëndim, ‘mike’ në Serbi!

    Beogradi zyrtar prej vitesh mban lidhje me regjimet në Rusi, Kinë, Bjellorusi, Venezuelë dhe Iran, duke e nxitur Bashkimin Evropian (BE) ta kritikojë atë, por vetëm përmes deklaratave.
    Të enjten, 21 gusht, arritën dy njoftime që e konfirmojnë këtë drejtim të politikës së jashtme të Serbisë. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi fillimisht se së shpejti do të organizohet një takim i zyrtarëve të Serbisë dhe Rusisë “në nivelin më të lartë”, por nuk dha më shumë detaje.
    Nëse takimi do të ndodhë, do të jetë i dyti i këtij lloji këtë vit, pas vizitës së Vuçiqit në Moskë në maj, e cila shkaktoi paralajmërime nga Brukseli.

    Po atë ditë, kreu i shtetit serb bëri të ditur se kishte zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Venezuelës, Nikolas Maduro, për të cilin BE-ja konsideron se nuk ka legjitimitetin e një presidenti të zgjedhur në mënyrë demokratike për shkak të parregullsive zgjedhore.
    Vuçiq, megjithatë, e quajti atë “mik të madh” të Serbisë. BE-ja nuk i është përgjigjur kërkesës së Radios Evropa e Lirë lidhur me njoftimin për takimin e zyrtarëve serbë dhe rusë, si dhe për bisedën telefonike të Vuçiqit me Maduron.
    Fuqizimi i fuqive rajonale
    Pozicioni që Serbia e Vuçiqit ka në hapësirën ndërkombëtare mund të kuptohet nëse analizohet nga perspektiva e parimeve kyç të politikës së jashtme të Rusisë dhe Kinës, të cilat përmblidhen me frazën: një botë multipolare.
    Kështu vlerëson Eric Gordy, profesor i sociologjisë politike në Departamentin për Studime Sllave dhe të Evropës Lindore të Universitetit të Londrës.
    “Kjo do të thotë se janë më të orientuar në forcimin e fuqive rajonale, sesa atyre globale. Synimi është të hollohet fuqia e shteteve më të forta ekonomike si SHBA-ja dhe shtetet evropiane. Këtë e kanë promovuar edhe Vuçiqi dhe partitë e djathta në Serbi, kur flasin për veten si përkrahës të sovranitetit”, vlerëson Gordi.
    Në “përqafimin” e Rusisë
    Pavarësisht thirrjeve nga Brukseli që të mos udhëtonte në Moskë, presidenti i Serbisë mori pjesë më 9 maj në shënimin e Ditës së Fitores ndaj fashizmit në Luftën e Dytë Botërore.
    Kjo ishte vizita e parë e Vuçiqit në Rusi që kur ajo filloi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Sipas OKB-së, që nga ajo kohë numri i viktimave ka kaluar shifrën prej 12.000.
    Përveç Vuçiqit, nga zyrtarët evropianë në paradën e Moskës ishin vetëm kryeministri prorus i Sllovakisë, Robert Fico, dhe presidenti i Bjellorusisë, Aleksandar Lukashenko.
    Vuçiqi u takua edhe me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, dhe e falënderoi për “mbështetjen e madhe” ndaj politikës së Beogradit zyrtar për Kosovën. Rusia është ndër vendet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës të shpallur më 2008.
    BE-ja, pas vizitës së Vuçiqit në Moskë, deklaroi se “shpreh keqardhje të thellë” për udhëtimin e udhëheqjes serbe në Rusi dhe se Serbia duhet ta “bindë” Brukselin për “orientimin e saj strategjik drejt BE-së”.
    Që nga maji, nga Moska kanë ardhur mesazhe të paqarta për Beogradin – nga kritikat për pretendimet se armët e prodhuara në Serbi përfundojnë në Ukrainë, e deri te mesazhe mbështetjeje për shtypjen e “revolucioneve me ngjyra”, siç i quajnë autoritetet serbe dhe ruse protestat antiqeveritare që po zgjasin prej nëntë muajsh.
    Edhe pse Serbia në OKB ka dënuar disa herë pushtimin rus dhe ka mbështetur integritetin territorial të Ukrainës, përfshirë edhe territoret e pushtuara, ajo mbetet një nga të paktat shtete evropiane që nuk i është bashkuar sanksioneve perëndimore kundër zyrtarëve të Kremlinit.
    “Miqësi prej çeliku”
    “Miqësi prej çeliku” është shprehja që shpesh përdorin zyrtarët serbë për të përshkruar marrëdhëniet me Republikën Popullore të Kinës.
    Presidenti Vuçiq e quan homologun e tij kinez, Xi Jinping, “mik të madh dhe vëlla”. Në fund të korrikut, Vuçiq njoftoi se më 3 shtator do të takohet me presidentin kinez në Pekin.
    Takimi i mëparshëm mes tyre u zhvillua në maj në Moskë, gjatë paradës së Ditës së Fitores. Xi Jinping vizitoi për herë të fundit Beogradin në maj 2024, ku u prit nga mijëra qytetarë me flamuj të Serbisë dhe Kinës.
    Marrëdhëniet mes dy shteteve shihen në shumë projekte infrastrukturore të kompanive kineze në Serbi, përfshirë edhe rindërtimin e hekurudhës Beograd-Budapest, e cili pati pasojë tragjike vdekjen e 16 personave pas shembjes së një pjese të çatisë së Stacionit Hekurudhor në Novi Sad.
    Për shkak të intensifikimit të bashkëpunimit politik dhe ekonomik me Kinën, Beogradi zyrtar është kritikuar dhe paralajmëruar disa herë nga SHBA-ja dhe BE-ja, ku Serbia synon anëtarësimin.
    Përkrah autokratëve në Venezuelë dhe Bjellorusi
    “Pse të mos shkoj në Venezuelë? Serbia nuk është vend që merr urdhra nga jashtë”, ishte përgjigjja e kryetares së Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, më 15 janar, kur u pyet nga REL-i për praninë e saj në inaugurimin e Nikolas Maduros në Karakas disa ditë më herët.
    Komisioni Evropian deklaroi se Serbia duhet të përmbahet nga veprimet që bien ndesh me politikën e jashtme të BE-së. SHBA-ja ka vendosur sanksione ndaj Venezuelës që nga viti 2006, të cilat u zgjeruan në janar 2024.
    Maduro akuzohet nga Uashingtoni për korrupsion, trafik droge dhe shkelje të demokracisë e të drejtave të njeriut. Ai shpalli fitore në zgjedhjet presidenciale të korrikut 2024, të cilat opozita i konsideroi të manipuluara, duke organizuar protesta masive në të gjithë vendin.
    Mes pak zyrtarëve botërorë që e uruan Maduron për mandatin e tretë ishte edhe presidenti Vuçiq.
    Njëjtë, kur presidenti autoritar i Bjellorusisë, Aleksandar Lukashenko, shpalli mandatin e tij të shtatë në fillim të vitit 2025 – zgjedhje të cilat Perëndimi i konsideroi të manipuluara – një nga urimet e para iu dërgua nga Beogradi.
    Ish-zëvendëskryeministri Aleksandar Vulin, i njohur për lidhjet e ngushta me Kremlinin dhe Minskun, e uroi Lukashenkon si “mik të Serbisë”. Bjellorusia është nën sanksione të BE-së për rolin e saj në pushtimin rus të Ukrainës. Serbia iu bashkua atyre sanksioneve vetëm pjesërisht.
    Roli i armëve
    Erik Gordi thekson se do të ishte e pasaktë të thuhet se Serbia kultivon domosdoshmërisht afërsi me regjime autokratike.
    “Sërish, niveli i interesit lidhet më shumë me arsyet ekonomike. Fitime të mëdha vijnë nga shitja e armëve dhe armatimit anembanë botës, kryesisht tek vendet që dikur ishin klientë të Jugosllavisë”, thotë Gordi.
    Pas nisjes së konfliktit Izrael-Iran, më 23 qershor Vuçiq deklaroi se Serbia ka pezulluar eksportin e armëve. Që nga viti 2022, të dhënat zyrtare mbi eksportin e armëve nga Serbia nuk janë publikuar, megjithëse ligji e parashikon.
    Në fund të qershorit, Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme i Rusisë akuzoi Serbinë se municionet e saj po përfundonin përmes vendeve të NATO-s në Ukrainë. Beogradi e mohoi disa herë, duke thënë se nuk ka kontroll mbi destinacionin final pas shitjes së armëve në vende të treta.
    Kjo çështje i vuri në qendër të vëmendjes edhe marrëdhëniet e Serbisë me Iranin. Edhe pse Beogradi zyrtar ka pretenduar neutralitet në konfliktin Izrael-Iran, të dhënat tregtare tregojnë një prirje më të madhe drejt Tel Avivit.
    Sërish, Serbia disa herë nuk u përshtat me vendimet e BE-së për sanksione ndaj Iranit, si për aktivitetet bërthamore ashtu edhe për shkelje të të drejtave të njeriut.
    Pse mungon BE-ja?
    Erik Gordi e lidh këtë me projektin e nxjerrjes së litiumit “Jadar” nga kompania australiane “Rio Tinto”, që ka shkaktuar protesta të mëdha në Serbi.
    Sipas tij, ky projekt nuk mund të realizohet në Evropë për shkak të standardeve mjedisore dhe rezistencës publike, prandaj BE-ja shpesh “mbyll njërin sy” ndaj shkeljeve të standardeve demokratike nga Vuçiqi.
    Komisioni Evropian, më 4 qershor 2025, e përfshiu projektin “Jadar” mes 13 projekteve strategjike me lëndë të para kritike, pavarësisht pasigurisë për vazhdimin e tij.
    Analiza e Fondit ISAC tregon se përputhshmëria e Serbisë me deklaratat e politikës së jashtme të BE-së ishte 59% në vitin 2024 – më shumë se një vit më parë, por sërish më e ulëta mes vendeve kandidate në Ballkanin Perëndimor.
    Megjithatë, kontaktet me disa regjime të kritikuara nuk i kanë kushtuar Serbisë, të paktën deri më tani, me trysni serioze nga BE-ja. /REL/

  • Vuçiç bisedon me Maduron për përmirësimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Venezuelës

    Vuçiç bisedon me Maduron për përmirësimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Venezuelës

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi të enjten e ka zhvilluar një bisedë “të mirë dhe përmbajtësore” përmes telefonit me presidentin e Venezuelës, Nikolas Maduro, lidhur me përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

    Në një postim në llogarinë e tij në Instagram, Vuçiq e quajti Maduron “mik të madh” të Serbisë dhe e falënderoi për qëndrimin e tij karshi Kosovës.

    “Serbia e vlerëson shumë mbështetjen parimore dhe të qëndrueshme të Venezuelës sa i përket ruajtjes së integritetit tonë territorial dhe mosnjohjes së shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës”, theksoi Vuçiq.

    Zyrtarët serbë mbajnë lidhje të ngushta me Maduron, të cilin Bashkimi Evropian e sheh si president me mungesë legjitimiteti të një presidenti të zgjedhur në mënyrë demokratike, për shkak të parregullsive zgjedhore.

    Në inaugurimin e Madurit për president, në janar, mori pjesë kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, gjë që u pasua me kritika nga Brukseli.

    Regjimi venezuelas është nën sanksione nga Bashkimi Evropian, në të cilin synon të anëtarësohet Serbia, si dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja, të cilat u ashpërsuan më 10 janar.

    Vuçiq bisedoi me Maduron pasi më herët gjatë ditës, pas takimit me ambasadorin e Rusisë në Beograd, Aleksandar Bocan-Harçenko, kishte paralajmëruar një takim në nivel të lartë mes udhëheqësve të Serbisë dhe Rusisë, i cili pritet të zhvillohet “në një periudhë shumë të afërt”.

    Zyrtarët e Serbisë refuzojnë të vendosin sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të saj në Ukrainë, pavarësisht thirrjeve dhe kritikave që vijnë si nga Brukseli, ashtu edhe nga Uashingtoni./rel

  • Presidenti serb: Akoma nuk po e shqyrtojmë vendosjen e gjëndjes së jashtëzakonshme

    Presidenti serb: Akoma nuk po e shqyrtojmë vendosjen e gjëndjes së jashtëzakonshme

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të dielën se ekipi i tij nuk është duke e shqyrtuar mundësinë e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, si përgjigje shtetërore ndaj protestave ditore kundër pushtetit. Në ditët e fundit, protestat janë bërë të dhunshme.
    “Nuk po e konsiderojmë këtë masë, sepse procedura është e komplikuar. Është mundësia e fundit, mirëpo nuk e kemi konsideruar dhe nuk do të dëshiroja që ta konsiderojmë”, ka thënë ai.

    Presidenti serb ka thënë se në “tre apo katër ditët e ardhshme shteti do të marrë vendime të habitshme” si përgjigje ndaj protestave kundër Qeverisë.
    “Do të duket sikur ne jemi tërhequr, sikur jemi frikësuar”, ka thënë Vuçiq, duke shtuar se përgjigja e shtetit “nuk do të jetë e zakonshme”.
    Megjithatë, ai nuk ka dhënë hollësi se në çfarë drejtimi do të shkojë shteti.
    Protestat kundër Qeverisë janë organizuar në qytete të ndryshme serbe në ditët e fundit dhe në to është raportuar për përleshje në mes të protestuesve dhe policisë.
    Protestat e fundit janë nxitur nga disa incidente në qyteza të Vojvodinës, më 12 gusht, kur mbështetësit qeveritarë i kanë sulmuar protestuesit me fishekzjarrë.
    Situata është përshkallëzuar edhe nga veprimet e zyrtarëve policorë atë ditë, të cilët protestuesit i kanë akuzuar se nuk kanë bërë asgjë për t’i parandaluar sulmet.
    Policia në anën tjetër, i ka hedhur poshtë këto akuza, dhe ka thënë se ajo i ka parandaluar disa trazira të mëdha.
    “Në përgatitje të përgjigjes”
    Në adresimin e tij të dielën, Vuçiq ka thënë se është duke u përgatitur “një reagim shtetëror zyrtar dhe ligjor” dhe që “gjithçka do të përdoret për ta rikthyer paqen dhe rendin”.
    “Kë do ta vrasin sonte, çfarë do të djegin sonte, kjo nuk do të zgjasë përgjithmonë”, ka thënë ai, duke shtuar se 137 zyrtarë policorë janë plagosur gjatë protestave të ditëve të fundit.
    Ai ka thënë se ka vendosur për përgjigjen shtetërore, pas “ngjarjeve të tmerrshme në Valljevë dhe më pak të tmerrshme në Beograd”, më 16 gusht.
    Natën e mbrëmshme është shënuar nata e pestë e protestave dhe situata më e vështirë është regjistruar në Valljevë dhe Beograd.
    Protestuesit në Valljevë e kanë shkatërruar zyrën e Partisë Përparimtare të Serbisë – partia e Vuçiqit, më pas zyrën e administratës së qytetit dhe atë të prokurorit.
    Vuçiqi e ka kritikuar edhe prokurorinë, duke i cituar disa nene të ligjit.
    “Po ju pyes, zotërinj prokurorë, pse jeni duke pretenduar se nuk dini si ta lexoni ligjin”, ka thënë ai, duke i quajtur zhvillimet në protestë si terrorizëm.
    Vuçiq ka thënë se “të gjitha maskat kanë rënë”, sepse, sipas tij, gjithçka ka nisur me kërkesë për drejtësi për aksidentin në Novi Sad, për ta përdorur tragjedinë për qëllime politike.
    Protestat po zhvillohen në Serbi për më shumë se nëntë muaj, pas aksidentit në Novi Sad, në nëntor të vitit të kaluar, si pasojë e të cilit janë vrarë 16 persona, si pasojë e rrëzimit të një strehe betoni në stacionin e rinovuar hekurudhor.
    Protestat janë organizuar në rrjete sociale, dhe udhëhiqen nga grupet që e identifikojnë veten si organizata të studentëve.
    Pikënisje për protesta e kanë pasur kërkesën për përgjegjësi politike dhe penale për tragjedinë në Novi Sad.
    Më vonë, ata kanë bërë thirrje për veprim kundër korrupsionit, si dhe kanë kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare – kërkesë që është refuzuar nga Qeveria.

  • Mediat gjermane: Vuçiç po e çon vendin në luftë civile

    Mediat gjermane: Vuçiç po e çon vendin në luftë civile

    Shumë media gjermane kanë raportuar për trazirat në Serbi në ditët e fundit. Pamje nga Novi Sadi dhe Beogradi u transmetuan në programin televiziv të lajmeve kryesore të shërbimit publik ARD. Raportime më të shkurtra mbi ngjarjet u botuan nga shumë portale dhe gazeta. Ja fragmente nga artikuj karakteristikë rreth këtyre ngjarjeve:
    Andrej Ivanji shkruan për Tagesspiegel me qendër në Berlin: “Nëntë muaj protesta të udhëhequra nga studentët kundër regjimit në Serbi kanë qenë kryesisht paqësore. Pastaj të martën, përplasjet midis mbështetësve dhe kundërshtarëve të Presidentit Aleksandar Vuçiq u përshkallëzuan në qytete të vogla në Vojvodinë, Vrbas dhe Baçka Palanka. Të mërkurën, studentët bënë thirrje për protesta nën sloganin Serbi, zgjohu! Qytetarët në kryeqytetin Beograd, si dhe në Novi Sad, Nish, Krushevac, Smederevo, Uzhice, Çaçak, Pançevo dhe Lazarevac, iu përgjigjën thirrjes. Trazira të rënda shpërthyen në disa qytete dhe rreth 70 persona u plagosën ditën e dytë, siç njoftoi Ministria e Brendshme.”
    “Regjimi është në një kurs konfrontimi me studentët. Njësitë speciale të policisë luajnë vetëm një rol dytësor. Ato nuk kanë mjaftueshëm njerëz dhe kur ka demonstrata të njëkohshme në disa qytete, ato zakonisht janë plotësisht të mbingarkuara. Aktivistët dhe simpatizantët e Partisë Përparimtare Serbe në pushtet u liruan mbi qytetarët që demonstronin kundër autokracisë së korruptuar dhe për sundimin e ligjit.”
    Pasi përshkruhet pamja mjaft e ngjashme e këtyre simpatizantëve të Vuçiqit “me qafa të trasha, shpatulla të gjera, që tregojnë muskuj të fortë dhe shpesh me tatuazhe, bluza dhe kapele të zeza, dhe shumë prej tyre janë të maskuar”, thuhet se mediat kritike i kanë identifikuar shumë prej tyre si kriminelë me të dhëna të gjera policore.
    Artikulli gjithashtu kujton shkurtimisht shembjen në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor të vitit të kaluar. Opozita beson se kjo tragjedi u shkaktua nga “korrupsioni endemik” ndërsa qindra mijëra studentë hynë papritmas në skenën politike, duke këmbëngulur gjatë nëntë muajve të fundit në “rezistencë të palodhur kundër regjimit të Vuçiçit”. “Rezistenca studentore tani është forca më e fortë politike në Serbi.”
    Ivanji dha gjithashtu një përmbledhje të shkurtër të ngjarjeve të ditëve të fundit, përleshjeve dhe dhunës përpara zyrave të partisë SNS, dhe në rrugët e Novi Sadit.
    “Të mërkurën, Vuçiç u shfaq në selinë e partisë në Beograd gjatë protestave masive. Atje, ai i inkurajoi anëtarët e SNS-së të përballeshin me demonstruesit. Gazetari i famshëm Milan Qulibrk komentoi për këtë duke thënë se Serbia nuk ka më president. Domethënë, në mes të krizës, Vuçiq mbështeti njërën anë dhe doli përpara si udhëheqës i partisë dhe jo si kreu i shtetit – Vuçiq vetëm formalisht e drejton partinë.
    “Të dy njoftuan se çfarë të presin tani: Anëtarët e SNS-së nuk do të tërhiqen më dhe do të mbrojnë shtëpitë dhe pronën e tyre nga sulmet terroriste, sipas parimit: të gjithë për një – një për të gjithë.”
    “Në vend që thjesht të shpallë zgjedhje të parakohshme, Vuçiq po e zhyt vendin në luftë civile, njoftoi lëvizja studentore në llogarinë e saj në Instagram”, shkruan Tagesspiegel.
    Gazeta Rheinische Post publikoi një raport të shkurtër mbi atë që po ndodh “Nga Novi Sadi deri në Nish” nën titullin “Protestat antiqeveritare po përshkallëzohen në Serbi”.
    Gazetari Thomas Roser raporton se Presidenti Aleksandar Vuçiq ka njoftuar se do t’i pastrojë rrugët nga huliganët dhe se nuk do të ketë mëshirë për… ata.
    “Në vendin e përçarë politikisht që aspiron anëtarësimin në BE, muaj të tërë protestash për korrupsion janë përshkallëzuar. Vuçiq fajëson kritikët e tij për përplasjet e përgjakshme. Megjithatë, aktivistët studentorë, opozita dhe media e pavarur flasin për trazirat që janë orkestruar nga banditët e partisë në pushtet.”
    Niklas Zimmermann shkruan për Frankfurter Allgemeine Zeitung gjithashtu se çfarë ka ndodhur në Serbi gjatë tre ditëve të fundit dhe si e shohin studentët dhe qeveria situatën.
    “Shkaku specifik i valës së fundit të protestave nuk duhet kërkuar te George Soros, i cili shpesh përmendet si iniciatori i tyre i supozuar, por në provincën veriore serbe. Në qytetin Vrbas, thuhet se u lënduan më shumë se 50 persona. (…) Këto përplasje morën edhe një komponent ndërkombëtar, pasi njëra prej tyre ndodhi në Baçki Petrovac, ku popullsia shumicë është sllovake. Atje, një grup mbështetësish të SNS-së shkatërruan një ekspozitë fotografike që mbështeste protestat e studentëve gjatë një eventi vjetor sllovak.”
    “Avokati i Popullit sllovak, Robert Dobrovodski, iu drejtua Avokatit të Popullit serb dhe i kërkoi atij të hetonte veprimet e policisë, të cilët akuzohen se nuk e kanë parandaluar këtë sulm. Edhe udhëheqësi i opozitës, Michal Simecka, udhëtoi për në Bakçki Petrovac për të shprehur solidaritetin e tij atje. Kryeministri sllovak, Robert Fico, i cili është politikisht i afërt me Vuçiqin, kishte thënë më parë se këto konflikte ishin një çështje e brendshme për Serbinë. Opozita e akuzoi atë se nuk kujdesej për bashkatdhetarët e tij jashtë vendit”, shkruan Frankfurter Allgemeine Zeitung.

  • Mediat gjermane mbi përshkallëzimin e gjendjes në Serbi

    Mediat gjermane mbi përshkallëzimin e gjendjes në Serbi

    Shumë media gjermane kanë raportuar për trazirat në Serbi në ditët e fundit. Pamje nga Novi Sadi dhe Beogradi u transmetuan në programin televiziv të lajmeve kryesore të shërbimit publik ARD. Raportime më të shkurtra mbi ngjarjet u botuan nga shumë portale dhe gazeta. Ja fragmente nga artikuj karakteristikë rreth këtyre ngjarjeve:

    Andrej Ivanji shkruan për Tagesspiegel me qendër në Berlin: “Nëntë muaj protesta të udhëhequra nga studentët kundër regjimit në Serbi kanë qenë kryesisht paqësore. Pastaj të martën, përplasjet midis mbështetësve dhe kundërshtarëve të Presidentit Aleksandar Vuçiq u përshkallëzuan në qytete të vogla në Vojvodinë, Vrbas dhe Baçka Palanka. Të mërkurën, studentët bënë thirrje për protesta nën sloganin Serbi, zgjohu! Qytetarët në kryeqytetin Beograd, si dhe në Novi Sad, Nish, Krushevac, Smederevo, Uzhice, Çaçak, Pançevo dhe Lazarevac, iu përgjigjën thirrjes. Trazira të rënda shpërthyen në disa qytete dhe rreth 70 persona u plagosën ditën e dytë, siç njoftoi Ministria e Brendshme.”

    “Regjimi është në një kurs konfrontimi me studentët. Njësitë speciale të policisë luajnë vetëm një rol dytësor. Ato nuk kanë mjaftueshëm njerëz dhe kur ka demonstrata të njëkohshme në disa qytete, ato zakonisht janë plotësisht të mbingarkuara. Aktivistët dhe simpatizantët e Partisë Përparimtare Serbe në pushtet u liruan mbi qytetarët që demonstronin kundër autokracisë së korruptuar dhe për sundimin e ligjit.”

    Pasi përshkruhet pamja mjaft e ngjashme e këtyre simpatizantëve të Vuçiqit “me qafa të trasha, shpatulla të gjera, që tregojnë muskuj të fortë dhe shpesh me tatuazhe, bluza dhe kapele të zeza, dhe shumë prej tyre janë të maskuar”, thuhet se mediat kritike i kanë identifikuar shumë prej tyre si kriminelë me të dhëna të gjera policore.

    Artikulli gjithashtu kujton shkurtimisht shembjen në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor të vitit të kaluar. Opozita beson se kjo tragjedi u shkaktua nga “korrupsioni endemik” ndërsa qindra mijëra studentë hynë papritmas në skenën politike, duke këmbëngulur gjatë nëntë muajve të fundit në “rezistencë të palodhur kundër regjimit të Vuçiçit”. “Rezistenca studentore tani është forca më e fortë politike në Serbi.”

    Ivanji dha gjithashtu një përmbledhje të shkurtër të ngjarjeve të ditëve të fundit, përleshjeve dhe dhunës përpara zyrave të partisë SNS, dhe në rrugët e Novi Sadit.

     “Të mërkurën, Vuçiç u shfaq në selinë e partisë në Beograd gjatë protestave masive. Atje, ai i inkurajoi anëtarët e SNS-së të përballeshin me demonstruesit. Gazetari i famshëm Milan Qulibrk komentoi për këtë duke thënë se Serbia nuk ka më president. Domethënë, në mes të krizës, Vuçiq mbështeti njërën anë dhe doli përpara si udhëheqës i partisë dhe jo si kreu i shtetit – Vuçiq vetëm formalisht e drejton partinë.

    “Të dy njoftuan se çfarë të presin tani: Anëtarët e SNS-së nuk do të tërhiqen më dhe do të mbrojnë shtëpitë dhe pronën e tyre nga sulmet terroriste, sipas parimit: të gjithë për një – një për të gjithë.”

    “Në vend që thjesht të shpallë zgjedhje të parakohshme, Vuçiq po e zhyt vendin në luftë civile, njoftoi lëvizja studentore në llogarinë e saj në Instagram”, shkruan Tagesspiegel.Gazeta Rheinische Post publikoi një raport të shkurtër mbi atë që po ndodh “Nga Novi Sadi deri në Nish” nën titullin “Protestat antiqeveritare po përshkallëzohen në Serbi”.

    Gazetari Thomas Roser raporton se Presidenti Aleksandar Vuçiq ka njoftuar se do t’i pastrojë rrugët nga huliganët dhe se nuk do të ketë mëshirë për… ata.

    “Në vendin e përçarë politikisht që aspiron anëtarësimin në BE, muaj të tërë protestash për korrupsion janë përshkallëzuar. Vuçiq fajëson kritikët e tij për përplasjet e përgjakshme. Megjithatë, aktivistët studentorë, opozita dhe media e pavarur flasin për trazirat që janë orkestruar nga banditët e partisë në pushtet.”

    Niklas Zimmermann shkruan për Frankfurter Allgemeine Zeitung gjithashtu se çfarë ka ndodhur në Serbi gjatë tre ditëve të fundit dhe si e shohin studentët dhe qeveria situatën.

    “Shkaku specifik i valës së fundit të protestave nuk duhet kërkuar te George Soros, i cili shpesh përmendet si iniciatori i tyre i supozuar, por në provincën veriore serbe. Në qytetin Vrbas, thuhet se u lënduan më shumë se 50 persona. (…) Këto përplasje morën edhe një komponent ndërkombëtar, pasi njëra prej tyre ndodhi në Baçki Petrovac, ku popullsia shumicë është sllovake. Atje, një grup mbështetësish të SNS-së shkatërruan një ekspozitë fotografike që mbështeste protestat e studentëve gjatë një eventi vjetor sllovak.”

    “Avokati i Popullit sllovak, Robert Dobrovodski, iu drejtua Avokatit të Popullit serb dhe i kërkoi atij të hetonte veprimet e policisë, të cilët akuzohen se nuk e kanë parandaluar këtë sulm. Edhe udhëheqësi i opozitës, Michal Simecka, udhëtoi për në Bakçki Petrovac për të shprehur solidaritetin e tij atje. Kryeministri sllovak, Robert Fico, i cili është politikisht i afërt me Vuçiqin, kishte thënë më parë se këto konflikte ishin një çështje e brendshme për Serbinë. Opozita e akuzoi atë se nuk kujdesej për bashkatdhetarët e tij jashtë vendit”, shkruan Frankfurter Allgemeine Zeitung./ DW/