Tag: vuçiq

  • Dialogu Strategjik Serbi-SHBA: Për çfarë do të negociohet?

    Dialogu Strategjik Serbi-SHBA: Për çfarë do të negociohet?

    Thellimi i marrëdhënieve midis Beogradit dhe Uashingtonit përmes Dialogut Strategjik.

    Kjo është paralajmëruar muajt e fundit gjatë takimeve midis zyrtarëve të Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara.

    Megjithatë, nuk është saktësuar se çfarë do të nënkuptonte ky Dialog Strategjik gjatë mandatit të dytë të presidentit amerikan, Donald Trump.

    “Raportet diplomatike midis Serbisë dhe SHBA-së, të cilat zgjasin më shumë se 140 vjet, kanë kaluar rrugën nga aleanca deri tek armiqësia”, kujtoi për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë analisti i politikës së jashtme, Boshko Jakshiq.

    Dialogu Strategjik që SHBA-ja zhvillon me dhjetëra shtete të botës me qëllim thellimin e bashkëpunimit, përfshin një sërë fushash, nga ekonomia, siguria e deri te politika e jashtme.

    “Është e sigurt që gjatë mandatit të dytë të ‘udhëheqësit të epokës’, siç e quajti Trumpin Vuçiqi, marrëdhëniet midis Beogradit dhe Uashingtonit po përparojnë dukshëm drejt një partneriteti që po i shqetëson evropianët”, thekson Jakshiq.

    “Ata mendojnë se Vuçiq ka marrë anën në konfliktin e zjarrtë midis aleatëve transatlantikë dhe po largohet nga Brukseli”, shtoi ai.

    Qëndrime të ndryshme për Kosovën dhe Bosnje e Hercegovinën nga Beogradi dhe Uashingtoni
    Si dallime kyç midis Beogradit dhe Uashingtonit, Jakshiq sheh qëndrimin ndaj çështjeve rajonale në Ballkanin Perëndimor.

    “Nëse ekziston ndonjë interes strategjik dhe politik i amerikanëve me Serbinë, atëherë ai kryesisht ka të bëjë me uljen e tensioneve në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë”, u shpreh Jakshiq.

    Përderisa SHBA-ja është një nga partneret kryesore të Kosovës dhe ishte ndër shtetet e para që njohu pavarësinë e saj më 2008, Serbia vazhdon të mos e pranojë shtetësinë e ish-provincës së saj.

    Me tensionet në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, dialogu për normalizim të raporteve që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian mbetet i bllokuar për dy vjet.

    Qeveria në Serbi po ashtu mbështet Millorad Dodikun, udhëheqës politik nga entiteti i Republikës Sërpska në Bosnje, i cili është nën sanksione amerikane, përfshirë, ndër të tjera, për aspiratat secesioniste në Bosnje e Hercegovinë.

    “Vetëm fakti që çështjet, padyshim të ndjeshme, të Bosnjës dhe Kosovës nuk janë pengesë për nisjen e Dialogut Strategjik me Uashingtonin është i mirë për pozicionin diplomatik të Beogradit”, tha Boshko Jakshiq.

    “Megjithatë, mënyra se si do të diskutohet është krejtësisht e pasigurt”, paralajmëroi ai.

    “Duke pasur parasysh që Trumpit i pëlqen të komandojë, ai thjesht do të kërkojë që gjithçka të bëhet sipas mënyrës së tij, dhe atëherë Vuçiqi mund të gjendet në një pozicion shumë të vështirë”, vlerësoi Jakshiq.

    Përpjekja për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë u pa gjatë mandatit të parë presidencial të Trumpit përmes nënshkrimit të Marrëveshjes së Uashingtonit – në prani të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Avdullah Hoti, në Shtëpinë e Bardhë.

    Marrëveshja, e cila kishte në fokus vendosjen e marrëdhënieve ekonomike midis Beogradit dhe Prishtinës, pothuajse nuk u zbatua.

    Në muajt e fundit, pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka deklaruar disa herë se si president ka parandaluar “një luftë të re të madhe” që Serbia po përgatitej të zhvillonte me Kosovën.

    “Ne e parandaluam për shkak të tregtisë. Ata donin të tregtonin me Shtetet e Bashkuara. Unë thashë se nuk tregtojmë me ata që luftojnë”, u shpreh Trump.

    Beogradi zyrtar nuk ka reaguar ndaj deklaratave të Trumpit.

    Megjithatë, presidentja e Kosovës,Vjosa Osmani, ka konfirmuar pohimet e Trumpit dhe autoritetet në Serbi i kanë cilësuar si “akuza të rreme”.

    Me kë zhvillon SHBA-ja Dialog Strategjik?

    SHBA-ja zhvillon Dialog Strategjik me disa dhjetëra shtete në botë, me qëllim përmirësimin e marrëdhënieve bilaterale, sipas Departamentit amerikan të Shtetit.

    Në këtë proces zhvillohen bisedime në nivel të lartë – në Uashington ose në vendin partner – për një gamë të gjerë temash, si mbrojtja, siguria, mjedisi, energjia dhe ekonomia.

    Sipas të dhënave nga faqja e Departamentit të Shtetit, së fundmi SHBA-ja ka zhvilluar Dialog Strategjik me Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Greqinë, Austrinë, Poloninë, Moldavinë, Katarin, Omanin, Bahrejnin, Egjiptin dhe vende të tjera.

    Nga vendet përreth Serbisë, Dialog Strategjik me Uashingtonin kanë zhvilluar Rumania dhe Sllovenia, anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe Maqedonia e Veriut – shteti i vetëm nga Ballkani Perëndimor.

    “Të hapur dhe të sinqertë” në Nju Jork

    Njoftimi i fundit për Dialogun Strategjik u bë pas takimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, më 23 shtator në Nju Jork.

    Por, për vetë takimin, i zhvilluar në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, nuk ka shumë informacione.

    Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi shkurtimisht se Vuçiq dhe Rubio kanë biseduar për “thellimin e partneritetit përmes Dialogut dypalësh Strategjik”, si dhe për pjesëmarrjen e SHBA-së në ekspozitën ndërkombëtare EXPO, që Serbia do të mirëpresë në vitin 2027.

    Ndërkaq, përmes një postimi në Instagram, Vuçiq tha se me Rubion pati një “dialog të hapur dhe të sinqertë”.

    Ai i dërgoi një ftesë presidentit amerikan, Donald Trump, për të vizituar Serbinë.

    “Pa dyshim që Beogradi është i entuziazmuar nga kjo perspektivë e Dialogut Strategjik me amerikanët”, vlerësoi Boshko Jakshiq.

    Fitorja e Trumpit në zgjedhjet në SHBA dhe rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë në janar të këtij viti, në Beograd u prit me entuziazëm.

    “Për Vuçiqin, një Trump i tillë është një aleat më se i mirëpritur”, vlerësoi Jakshiq.

    Administrata e mëparshme amerikane, e udhëhequr nga demokratët, kishte kritikuar disa herë Vuçiqin sa i përket çështjeve rajonale, por edhe atyre të brendshme, sikurse rënia e institucioneve demokratike dhe korrupsioni.

    “Kjo ka vërtetuar se autoritetet në Beograd padyshim e kanë më të lehtë me administratën Trump sesa me administratën Biden, kur politika e jashtme zhvillohet nën moton ‘demokracia kundër autokracisë’. Trumpit këto vlera nuk i interesojnë, politika e tij e jashtme është një vazhdimësi e karrierës së tij biznesore, ndaj pozicionin e merr fitimi, jo demokracia”, shtoi ai.

    Gjatë vitit të fundit, në Beograd kanë qëndruar bashkëpunëtorë të afërt dhe anëtarë të familjes së Trumpit, ku temat e takimeve kanë qenë investimet.

    Si projekt kryesor veçohet ndërtimi i një kompleksi luksoz në Beograd, në vendin ku ndodhej ndërtesa e bombarduar e Shtabit të Përgjithshëm. Kompania private që është e interesuar për këtë projekt është në pronësi të dhëndrit të Trumpit, Jared Kushner.

    Ndryshe nga Brukseli, nga ku muajt e fundit janë dëgjuar disa zëra kritikë ndaj regjimit të Vuçiqit, drejtuesit e lartë në Uashington nuk kanë komentuar për protestat masive antiqeveritare në Serbi.

    Nuk ka reagime zyrtare nga Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit, ndërsa qindra mijëra demonstrues në rrugët e Serbisë për më shumë se dhjetë muaj po kërkojnë përgjegjësi nga autoritetet për vdekjen e 16 personave në aksidentin në Novi Sad.

    Tarifat e larta amerikane dhe sanksionet ndaj NIS-it

    Në fillim të gushtit hynë në fuqi tarifat e larta, të cilat administrata e Donald Trumpit i vendosi për importin e mallrave nga disa vende.

    “Shtrohet pyetja pse Trumpi i vendosi Serbisë tarifa kaq të larta, të cilat janë ndër më të lartat në botë dhe Evropë, dhe me diferencë më të larta në Ballkanin Perëndimor”, theksoi Jakshiq.

    Tarifa prej 35%, që SHBA-ja vendosi për mallrat nga Serbia, janë të dytat për nga lartësia në mesin e shteteve evropiane, pas Zvicrës.

    Pas vendosjes së tarifave, autoritetet në Beograd kanë theksuar se ato u shkaktojnë probleme të mëdha për shkak të tërheqjes së investimeve të huaja.

    Edhe pse pas takimit me Rubion, Vuçiq deklaroi se “çështja e tarifave ishte në fokus”, rezultatet e asaj bisede deri tani nuk dihen.

    Marrëdhëniet dypalëshe mes dy shteteve janë të rënduara edhe nga sanksionet që Uashingtoni vendosi në janar ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), e cila është në pronësi kryesisht ruse.

    NIS arriti që të shtynte disa herë zbatimin e sanksioneve, por Vuçiq njoftoi më 25 shtator se ato do të hyjnë në fuqi më 1 tetor.

    “Ne kemi qenë jashtëzakonisht korrektë ndaj partnerëve rusë dhe partnerëve amerikanë, dhe do të përpiqemi të vazhdojmë të jemi korrektë, por njerëzit duhet të dinë se do të duhet të paguajmë një çmim jashtëzakonisht të lartë”, tha Vuçiq për gazetarët në Nju Jork më 25 shtator.

    Sanksionet ndaj Industrisë së Naftës janë vendosur për shkak të të ashtuquajturit “rrezik sekondar” për shkak të lidhjes me Gazprom Neft-in rus, e cila është nën sanksione perëndimore për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

    Pas vendosjes së sanksioneve, Vuçiq kishte deklaruar se do të kërkohet “dalja e plotë e Rusisë nga pronësia e NIS-it”, gjë që do të kërkojë një transformim të strukturës së pronësisë.

    Pavarësisht thirrjeve për të vendosur sanksione ndaj Kremlinit pas nisjes së pushtimit të Ukrainës në shkurt 2022, autoritetet në Serbi vazhdojnë bashkëpunimin e ngushtë me Rusinë.

    Dhe ndërsa me Uashingtonin paralajmëron Dialog Strategjik, Beogradi ka raporte të ngushta edhe me rivalen e SHBA-së, Kinën.

    Liderët e Serbisë dhe Kinës i përshkruajnë këto marrëdhënie si “miqësi të hekurt”, që pavarësisht kritikave nga Perëndimi, zhvillohet kryesisht përmes projekteve infrastrukturore.

    “Vuçiq do të vazhdojë të luajë kështu, derisa të marrë atë që dëshiron”, tha Jakshiq.

    Megjithatë, ai theksoi se lidhjet e ngushta të Vuçiqit me Lindjen në këtë moment nuk paraqesin pengesë në marrëdhëniet me Uashingtonin.

    “Kjo është krejtësisht tipike për qasjen biznesore të Trumpit ndaj diplomacisë”, tha analisti i politikës së jashtme.

    Pezullim i Dialogut të planifikuar Strategjik me Kosovën

    Nisja e Dialogut Strategjik midis Serbisë dhe SHBA-së është paralajmëruar që nga gushti i këtij viti.

    Sipas zyrtarëve amerikanë, ai do të nisë “së shpejti”, por Departamenti i Shtetit nuk ka specifikuar afatin e saktë kohor.

    Siç është përshkruar, ai pritet të sjellë “një epokë të re” në marrëdhëniet dypalëshe: të ringjallë lidhjet politike, të zgjerojë bashkëpunimin tregtar dhe ushtarak, si dhe bashkëpunimin në fushën e energjisë dhe teknologjive të komunikimit.

    Shtatorin e vitit të kaluar, Serbia e ka nënshkruar me SHBA-në marrëveshjen e parë strategjike, në fushën e energjetikës.

    Para udhëtimit për në Nju Jork, Vuçiq vlerësoi se është “një sinjal i rëndësishëm” fakti që amerikanët dëshirojnë të zhvillojnë Dialog Strategjik.

    Megjithatë, ai theksoi se Serbia ka “një rrugë disi më të ngushtë” në këtë proces se sa vendet e tjera.

    Siç nënvizoi, Serbia, si shtet ushtarakisht neutral, nuk do të hyjë në aleancën e NATO-s, ku SHBA-ja është një nga udhëheqësit.

    Gjithashtu, Vuçiq theksoi se dy vendet “nuk janë dhe nuk do të jenë” në pajtim për të gjitha çështjet, duke veçuar si dallim kryesor marrëdhëniet ndaj Kosovës.

    Ndërsa paralajmëron nisjen e Dialogut Strategjik me Serbinë, administrata e Trumpit ka vendosur të pezullojë përkohësisht Dialogun e planifikuar Strategjik me Kosovën.

    Uashingtoni njoftoi se vendimi është marrë për shkak të veprimeve të Qeverisë në detyrë të Kosovës, të cilat tha se kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë në vend.

    “Gabimi më i madh që Beogradi mund të bëjë është të gëzohet për këtë, duke menduar se Trumpi po kthehet kundër Prishtinës”, tha Jakshiq.

    “Këto hapa taktike të SHBA-së duhet të ndiqen shumë me kujdes, sepse ato nuk janë garanci që Vuçiq, pavarësisht nga lëvdatat për Trumpin nga Beogradi, është bërë i preferuari i Uashingtonit brenda natës”, shtoi ai.

    SHBA nuk kanë saktësuar se cilat hapa konkretë kanë çuar në pezullimin e Dialogut të planifikuar Strategjik me Kosovën.

    Qeveria në detyrë e Albin Kurtit ka qenë shpesh cak i kritikave nga komuniteti ndërkombëtar gjatë katër vjetëve të fundit, kryesisht për veprimet në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – ku ajo përpiqet të shtrijë kontrollin e plotë.

    Gjithashtu, vendimi i SHBA-së erdhi në një kohë kur Kosova po përballet me një krizë institucionale dhe politike, pasi vendi ende nuk ka formuar ekzekutivin e ri pas zgjedhjeve të shkurtit.

    Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator, duke ua ndaluar deputetëve të ndërmarrin veprime dhe të zhvillojnë ndonjë procedurë për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

    Kurti e ka akuzuar Gjykatën Kushtetuese për njëanshmëri, duke pretenduar se ajo është e afërt me partitë shqiptare që mandatin e kaluar ishin në opozitë.

    Kushtetuesja dhe komuniteti ndërkombëtar hodhi poshtë këto pretendime të Kurtit dhe nga bashkësia ndërkombëtare këto deklarata u vlerësuan si presion nga Kurti dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, mbi gjykatën më të lartë të vendit./REL/

  • Vuçiç në OKB: Kosova është pjesë e pandashme e Serbisë

    Vuçiç në OKB: Kosova është pjesë e pandashme e Serbisë

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara tha se Kosova është “pjesë e pandashme e Serbisë” dhe “shtylla kryesore e identitetit, kulturës dhe trashëgimisë shpirtërore” të Serbisë.
    “Për ne, serbët, ajo nuk është thjesht një copë toke, por djep i shpirtit tonë dhe e ekzistencës sonë në këtë tokë”, tha Vuçiq.
    Sipas tij, serbët në Kosovë po jetojnë në “kushte dramatike”.
    “Atyre po u mohohen të drejtat themelore njerëzore: e drejta për jetë, për lëvizje, për arsim dhe për përkujdesje shëndetësore. Atyre u mohohet qasja në vendin e punës dhe në pronë”, pretendoi udhëheqësi serb.
    Që nga viti fillimi i vitit, Kosova ka nisur mbylljen e institucioneve të Serbisë në Kosovë, të cilat i konsideron paralele dhe të jashtëligjshme.
    Këto veprime të autoriteteve kosovare kanë hasur në kundërshtim të komunitetit serb dhe janë përballur me kritika nga bashkësia ndërkombëtare, e cila i ka cilësuar si veprime të pakoordinuara.
    Gjatë fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Vuçiq i bëri thirrje që komuniteti ndërkombëtar të “marrë hapa konkretë dhe të vendosur” për të ndalur, siç tha ai, dhunën në Kosovë.
    Gjithashtu, udhëheqësi serb deklaroi se “Serbia beson në dialogun” që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
    Kosova ka shpallur pavarësinë më 2008, të cilën Serbia refuzon që ta njohë. Mbi 100 shtete e kanë njohur pavarësinë e Kosovës përfshirë 22 nga 27 shtete të Bashkimit Evropian, ku Kosova dhe Serbia synojnë të anëtarësohen.
    Dy shtetet zhvillojnë dialog për normalizimin e raporteve që nga viti 2011. Procesi, që lehtësohet nga BE-ja, ka prodhuar disa marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar në terren.
    Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur viteve të fundit dhe që nga shtatori i vitit 2023, palët nuk kanë zhvilluar asnjë rund të dialogut në nivel politik, por vetëm runde në nivele të kryenegociatorëve. Rundi i fundit i dialogut në nivel politik u mbajt disa ditë para sulmit të armatosur të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
    Një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter. Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.
    Në përvjetorin e dytë të sulmit, për të cilin Prishtina e fajëson Beogradin, autoritetet në Kosovë kërkuan ekstradimin e Radoiçiqit dhe të përfshirëve të tjerë në Banjskë.
    Vitin e kaluar, Kosova ngriti aktakuzë kundër 45 të dyshuarve për sulmin në Banjskë, ndërsa vetëm tre nga këta të akuzuar janë duke u gjykuar në Prishtinë, pasi të tjerët janë të paarritshëm për autoritetet kosovare. Që të tre i mohojnë akuzat. REL/

  • Parada ushtarake e Vuçiçit shndërrohet në një shfaqje dhune dhe shtypjeje qytetare

    Parada ushtarake e Vuçiçit shndërrohet në një shfaqje dhune dhe shtypjeje qytetare

    Sot në Beogradin e Ri, qeveria e Aleksandar Vuçiq zhvilloi paradën ushtarake “Fuqia e Unitetit”, ku sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë priteshin 10,000 pjesëmarrës, 2,500 armë dhe pajisje ushtarake, 600 automjete, 70 avionë dhe 20 anije.

    Megjithëse zyrtarët e lartë shtetërorë ftuan qytetarët të merrnin pjesë dhe të përshëndesnin ushtrinë e tyre, policia ushtroi forcë të tepruar, duke penguar hyrjen e tyre dhe duke shtypur pjesëmarrësit, përfshirë gra, fëmijë dhe gazetarë. Studentët që protestuan paqësisht u përballën me kordonë policorë të komanduar nga një xhandar i maskuar, dhe disa qytetarë u detyruan të futeshin me forcë në rrugë nën presionin e policisë.

    Disa qytetarë, përfshirë edhe bashkëshortë të ushtarëve, u ndaluan të hyjnë për të parë paradën, ndërsa autobuset që transportonin qytetarë nga qytete të tjera u vendosën në mënyrë që të kufizojnë lëvizjen e tyre. Policia, e pajisur me mjete të plota për parandalimin e trazirave, nuk lejoi që qytetarët të afrohen në zonën ku po zhvillohej parada, duke krijuar një atmosferë frike dhe represioni të hapur.

    Në këtë skenë të tensionuar, paradën e përshëndetën Komandanti Suprem dhe Presidenti Aleksandar Vuçiq, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Kryeministri Đuro Macut, Kryetarja e Parlamentit Ana Brnabiq dhe Ministri i Mbrojtjes Bratislav Gashiq, ndërkohë që qytetarët mbetën të izoluara dhe të frikësuara.

    Studentët që protestuan me pankartën “Makinistët kundër Makinerisë” u përballën me një shpërndarje të dhunshme nga policia, duke treguar qartë se qeveria e Vuçiq përdor ushtrinë dhe forcën policore për të shtypur çdo formë qytetarie dhe kundërshtimi.

  • Serbia në protesta, Vuçiq thotë se të shtunën mbahet parada e ushtrisë, a u inspirua në Kinë?

    Serbia në protesta, Vuçiq thotë se të shtunën mbahet parada e ushtrisë, a u inspirua në Kinë?

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar për një takim me ministrin e Mbrojtjes, shefin e ushtrisë dhe zëvendësministrin e Mbrojtjes.

    Ai ka thënë se të shtunën qytetarët e Serbisë do të kenë mundësinë të shohin “një ushtri të fortë”.

    “Po zhvillohen përgatitjet e fundit për paradën ushtarake”, ka shkruar ai.

    Serbia u përballë me muaj të tërë me protesta antiqeveritare, ndërsa në fillim të muajit Vuçiq mori pjesë në paradën ushtarake në Pekin.

  • Beogradi i mbështet akuzat e Rusisë për ndërhyrjen e Brukselit në protesta në Serbi

    Beogradi i mbështet akuzat e Rusisë për ndërhyrjen e Brukselit në protesta në Serbi

    Nga Nevena Bogdanoviq- Radio Evropa e Lire

    Akuza nga Kremlini kundër Bashkimit Evropian (BE), por pa asnjë provë.

    Ky është thelbi i mesazhit të shërbimeve sekrete ruse, të cilat i akuzojnë BE-në dhe vendet e saj anëtare se qëndrojnë prapa protestave antiqeveritare në Serbi.

    Teksa më 1 nëntor shënohet përvjetori i vdekjes së 16 njerëzve në aksidentin që nxiti protestat masive, Kremlini i përshkruan si ‘trushpëlarë’ mijëra qytetarë që kërkojnë llogaridhënie nga pushteti.

    Në një njoftim të Shërbimit të Jashtëm Informativ të Rusisë (SVR) më 15 shtator, thuhet ‘veprimtaria subversive’ e Brukselit është hedhur në veprim.

    Studentët që kanë bllokuar fakultetet dhe që udhëheqin protestat, përshkruhen si ‘të rinj të radikalizuar’ që po kalojnë nga protestat paqësore drejt metodave ‘revolucionare’ të përleshjes dhe dhunës.

    ‘Sfondi i liberalizmit evropian synon ta sjellë në pushtet në vendin më të madh të Ballkanit një udhëheqje të bindur dhe besnike ndaj Brukselit’, thuhet në deklaratën e SVR-së.

    Ivana Strander, bashkëpunëtore e Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracisë në Uashington, vlerëson se Kremlini vazhdon ta mbështesë regjimin e presidentit Aleksandar Vuçiq, i cili vazhdimisht refuzon të vendosë sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës që nga viti 2022.

    ‘Presidenti rus Vladimir Putin po e shfrytëzon Ballkanin për të anashkaluar sanksionet dhe për të financuar makinerinë e luftës. Po ashtu, Putinit i përshtatet kaosi në Ballkan dhe Vuçiq e ndihmon në këtë drejtim’, tha ajo.

    Mohimi nga Brukseli

    Brukseli i ka hedhur poshtë akuzat e Kremlinit.

    ‘Akuzat se BE-ja apo vendet anëtare nxisin protestat thjesht nuk qëndrojnë’, tha Komisioni Evropian për televizionin N1.

    ‘Kjo është edhe një përpjekje tjetër e Rusisë për të përhapur dezinformata dhe retorikë armiqësore politike kundër BE-së, vendeve të saj anëtare dhe shteteve kandidate. Na vjen keq që kjo narrativë po amplifikohet fuqishëm në shumë media serbe’, thuhet në përgjigjen me shkrim.

    Që nga fillimi i protestave masive kundër Qeverisë në Serbi, Brukseli ka mbajtur një qëndrim të rezervuar.

    BE-ja së fundmi ka kërkuar ndalimin e valës së fundit të dhunës, e cila u pasqyrua në përplasjet mes policisë dhe protestuesve, si dhe në përplasjet mes mbështetësve të pushtetit dhe opozitës në disa qytete të Serbisë.

    Hulumtuesi nga Qendra për Politika të Sigurisë në Beograd, Vuk Vuksanoviq, vlerëson se është e vështirë të akuzohet BE-ja, kur shumë protestues shprehin ‘zemërim dhe frustrim ndaj heshtjes që vjen nga Brukseli-përjashtuar deklaratat e komisares Marte Kos dhe debatin në Parlamentin Evropian’.

    ‘Rusia do ta shfrytëzojë çdo rast për ta ‘sulmuar’ BE-në, e cila për ta, në këtë moment, është pjesa më e urryer e Perëndimit, madje më shumë se Shtetet e Bashkuara nën udhëheqjen e Trumpit’, tha ai.

    Ndërkohë, Ivana Stradner thekson se, ndërsa Kremlini akuzon Brukselin për përpjekje për të rrëzuar pushtetin në Serbi, ekzistojnë dëshmi për ndërhyrje të Rusisë dhe për bashkëpunimin e saj me regjime autoritare anembanë globit.

    ‘Rusia ka ndihmuar regjime autoritare si Bjellorusia, Venezuela, apo satelitët e saj në Gjeorgji’, tha ajo.

    Rusia si ‘partnere’ e Vuçiqit

    Në reagimin e parë zyrtar të Beogradit, Aleksandar Vuçiq i quajti shërbimet sekrete ruse ‘partnerë’.

    ‘Vuçiq në publik mbështetet te Rusia dhe e akuzon Perëndimin për ‘revolucion me ngjyra’, ndërsa pas dyerve të mbyllura do të përpiqet të sigurojë që qeveritë perëndimore të mos ia kthejnë shpinën në mes të krizës politike në Serbi’, vlerëson Vuk Vuksanoviq.

    Presidenti i Serbisë, që nga fillimi i protestave, ka përsëritur narrativen ruse për një të ashtuquajtur ‘revolucion me ngjyra’.

    Me këtë term, zyrtarët rusë i kanë përshkruar kryengritjet në ish-republikat sovjetike kundër regjimeve autoritare, duke akuzuar Perëndimin për ndërhyrje.

    Paralelisht, Beogradi po forcon marrëdhëniet me Moskën, e cila përballet me izolimin nga Perëndimi.

    Vuçiq ka paralajmëruar se shërbimet e sigurisë të Serbisë do të kenë ‘kontakte shtesë’ me shërbimet sekrete ruse pas deklaratës së tyre.

    ‘Kjo është një provë serioze për Evropën. Nëse Evropa nuk është në gjendje ta disiplinojë një lider si Vuçiqi, si do ta disiplinojë Putinin?’, pyet Ivana Stradner.

    Si një ‘përpjekje përfundimtare për revolucion me ngjyra’, pa ofruar prova, shërbimi rus ka përmendur datën 1 nëntor-përvjetorin e aksidentit që ndezi protestat.

    Vuçiq deklaron se autoritetet serbe ‘janë shumë më të përgatitura’ dhe se ‘gjërat janë ndryshe’ krahasuar me fillimin e demonstratave.

    Për dallim nga mosreagimi fillestar i policisë në rrugë, muajt e fundit është vënë re përdorimi i forcës.

    Protestuesit e akuzojnë policinë për dhunë dhe shtypje, ndërsa shteti këmbëngul se po vepron ‘në përputhje me ligjin’.

    ‘Shtypja nga Vuçiqi në Serbi duket sikur është marrë nga ‘manuali’ i shërbimit rus, veçanërisht pasi Vuçiq synon të kontrollojë tërësisht hapësirën informative dhe të përdorë forcën kundër qytetarëve’, tha Stradner.

    Deri në publikimin e këtij artikulli, Qeveria e Serbisë dhe Ministria e Jashtme nuk i janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me pretendimet e shërbimit rus.

    Studentët me mesazh për Vuçiqin në rusisht

    Nga llogaria zyrtare e studentëve në bllokadë, për momentin nuk ka reagim ndaj akuzave të shërbimeve sekrete ruse.

    Por, për Radion Evropa e Lirë kanë folur studentët e Fakultetit të Elektroteknikës në Beograd, të cilët ndodhen në bllokadë.

    Siç thonë ata, tashmë janë mësuar me përpjekjet për diskreditimin e lëvizjes studentore.

    ‘Sepse regjimi ka muaj të tërë që përpiqet në çdo mënyrë ta diskreditojë lëvizjen tonë’, shtojnë ata.

    Duke hedhur poshtë akuzat ruse, studentët i përshkruajnë ato si një ‘skenar’ të pushtetit.

    ‘Një skenar që ata e luajnë bashkë me të vetmit partnerë ndërkombëtarë të gatshëm të pranojnë lojëra të tilla-e këta janë pikërisht partnerët nga vende po aq diktatoriale’, thuhet në përgjigjen me shkrim.

    ‘Faktin që ‘informacionet’ e supozuara të shërbimit sekret janë shpërndarë publikisht, e shohim si dëshmi për këtë’, theksojnë studentët.

    Ndërkohë, një fakultet i ka dërguar presidentit Vuçiq një mesazh në gjuhën ruse:

    ‘Kërkesat tona janë të qarta: shpall zgjedhje, mos përdor shërbimet e huaja për të ngritur popullaritetin tënd – kjo do t’i kushtojë shtrenjtë Serbisë’, thuhet në reagimin e studentëve të Fakultetit Juridik në Nish, të cilët gjithashtu ndodhen në bllokadë.

    Këto dy fakultete ishin mes dhjetëra institucioneve të bllokuara nga studentët në fund të vitit 2024-me kërkesën kryesore për ndëshkimin e përgjegjësve për vdekjen e 16 personave gjatë shembjes së çatisë së Stacionit Hekurudhor në Novi Sad.

    Kërkesa më e fundit e drejtuar autoriteteve është shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

    Duke mohuar përgjegjësinë për tragjedinë, Vuçiq dhe përfaqësues të tjerë të pushtetit refuzojnë të shpallin zgjedhje.

    Reagime të ashpra nga opozita në Serbi

    Akuzat e autoriteteve ruse kanë nxitur reagime të forta nga një pjesë e opozitës proevropiane në Serbi.

    Partia Demokratike i cilësoi ato si ‘fyerje për qytetarët dhe gënjeshtër’.

    ‘Këtu nuk ka asnjë plan të jashtëm, asnjë ‘majdan’ dhe asnjë komplot. Ekziston vetëm vullneti i qytetarëve të Serbisë për t’i dhënë fund korrupsionit, vjedhjes dhe diktaturës’, theksoi DS-ja.

    Kryetari i Partisë së Lirisë dhe të Drejtësisë, Dragan Gjilas, vlerësoi se shërbimi rus, ‘me shpikjen e ‘majdanit serb’, edhe një herë e ka mbështetur me forcë regjimin e Vuçiqit’.

    Ai kujtoi se autoritetet ruse kishin lëshuar një deklaratë të ngjashme edhe gjatë protestave antiqeveritare në fund të vitit 2023, të cilat shpërthyen pas akuzave se pushteti, i udhëhequr nga Partia Përparimtare Serbe, kishte manipuluar zgjedhjet.

    Akuza ndaj mediave

    Shërbimi i jashtëm rus ka përpiluar gjithashtu një listë të mediave të pavarura në Serbi, duke i akuzuar ato për ‘indoktrinimin e të rinjve serbë’.

    Pa ofruar burime, pretendon se ato financohen nga Brukseli.

    Pavol Salaj, nga organizata ndërkombëtare Reporterët pa Kufij, vlerëson se shërbimi rus po akuzon padrejtësisht mediat e pavarura në Serbi.

    ‘Meqë shërbimi sekret rus po merret me represion transnacional në një vend kandidat për anëtarësim në BE, institucionet dhe shtetet anëtare nuk duhet të qëndrojnë të heshtura’, tha Salaj për Radion Evropa e Lirë.

    Në mesin e mediave të përmendura janë agjencia FoNet, javori Vreme dhe disa media lokale, si RAM, Južne vesti, Slobodna reč, Boom93, Podrinske, FreeMedia e Novi Pazarit, SOinfo, FAR, Storyteller, si dhe organizata joqeveritare Link.

    ‘Mbulimi i gazetarëve si ‘vegla të ndikimit të huaj’, pa asnjë provë, nuk është vetëm i pabazë, por paraqet edhe kërcënim për sigurinë e tyre dhe për lirinë e ushtrimit të profesionit’, tha për Radion Evropa e Lirë Maja Sever, kryetare e Federatës Evropiane të Gazetarëve.

    ‘Çdo sulm ndaj tyre është njëkohësisht edhe sulm ndaj të drejtës së qytetarëve për t’u informuar saktë dhe paanshëm’, shtoi ajo.

    Përveç reagimeve nga Brukseli, edhe përfaqësues të shoqatave të gazetarëve kanë kërkuar përgjigje nga autoritetet serbe, ndërkohë që tabloidet pranë pushtetit në Serbi, pas deklaratës ruse, kanë filluar të targetojnë mediat e pavarura lokale.

     

  • Opozitari serb/ Ponosh: Vuçiç është një kufomë politike

    Opozitari serb/ Ponosh: Vuçiç është një kufomë politike

    Kryetari i partisë Qendra e Serbisë (SRCE), Zdravko Ponosh, tha se presidenti i vendit, Aleksandar Vuçiq, ‘përsëri po përpiqet të ngrihet si dredhka, të ngrejë imazhin e tij të lëkundur, duke u kapur pas ushtrisë si një mur’.

    ‘Ai vendosi t’i inkurajonte mbështetësit e tij të dobësuar duke treguar forcë ushtarake në Beograd dhe t’i trembte të gjithë ata që protestojnë kundër tij’, tha Ponosh në një intervistë për gazetën e sotme Nova, duke folur për paradën ushtarake që do të mbahet së shpejti në Beograd.

    Ponosh vlerësoi se ‘ka pak shanse që era e shkarkimit të tankeve të maskojë erën e regjimit që po vdes’ dhe theksoi se Vuçiq është ‘një kufomë politike që pret të varroset në zgjedhjet e ardhshme’.

    ‘Problemi është se aroma e rënies së këtij regjimi po përhapet tani, dhe kjo mbart rrezikun e infeksionit dhe ndërlikimeve. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që funerali të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur, domethënë që të zhvillohen luftimet’, tha Ponosh. /Kosovapress

     

  • Vuçiç për paradën ushtarake: Mesazh stabiliteti dhe paralajmërim për agresorët e mundshëm

    Vuçiç për paradën ushtarake: Mesazh stabiliteti dhe paralajmërim për agresorët e mundshëm

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se parada ushtarake në Beograd nuk ka të bëjë fare me ngjarje të ditës, siç pretendojnë disa përfaqësues të opozitës.

    “Është një dëshirë e jona për të shënuar një festë kombëtare dhe për të treguar se sa shumë ka përparuar ushtria. Njerëzit të shohin se në çfarë kemi investuar para dhe sa më e fortë është Serbia se dje. Të shohin se mund të ndihen të sigurt”, tha Vuçiq më 12 shtator.

    Parada e Ushtrisë së Serbisë, e quajtur “Forca e Unitetit”, do të mbahet më 20 shtator. Ajo vjen në kohën kur Serbia përballet me protesta masive antiqeveritare, të nxitura nga vdekja e 16 personave në një aksident në Novi Sad, dhjetë muaj më parë.

    Një pjesë e publikut në Serbi, e udhëhequr nga partitë opozitare, është indinjuar nga organizimi i paradës ushtarake.

    Ajo vlerëson se Vuçiq dëshiron “të demonstrojë forcën” në kohën e një polarizimi të madh në shoqëri.

    Sipas deklaratave të përfaqësuesve të Qeverisë, arsyeja për paradën është një festë kombëtare – Dita e Unitetit, Lirisë dhe Flamurit Kombëtar Serb, të cilën Serbia e feston së bashku me entitetin serb të Bosnje dhe Hercegovinës, Republika Sërpska.

    Parada ushtarake vjen edhe në kohën e tensioneve të larta në Bosnje dhe Hercegovinë, për shkak të refuzimit të Republikës Sërpska për të pranuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në këtë vend, për t’ia marrë mandatin e presidentit të entitetit, Millorad Dodikut.

    Vuçiq tha se parada ishte planifikuar që para më shumë se gjashtë muajsh dhe se ka për qëllim të tregojë stabilitetin, sigurinë dhe mbrojtjen e Serbisë, si dhe të dërgojë mesazh kundër çdo agresori të mundshëm.

    Ai vlerësoi se një mesazh i tillë është shumë i rëndësishëm “në një botë pasigurie, trazirash dhe çmendurie të përgjithshme”.

    “Kjo histeri anti-serbe [kundër paradës ushtarake] nuk është asgjë e re. Sidomos sulmet nga njerëzit e Frontit të Gjelbër [në opozitë], të cilët thonë se kjo është e njëjta ushtri që në konfliktet e viteve ‘90 vrau vëllezërit e saj. Së pari, këta janë të rinj, dhe së dyti, edhe ushtarët tanë u vranë nga disa prej atyre që ata po u përulen”, tha Vuçiq.

    Ai tha se “nuk i ndjek shumë ato komente”, por shtoi se nuk mund të besojë që dikush është “aq analfabet politik” sa të tregojë urrejtje ndaj ushtrisë së tij, e cila është një nga institucionet më të respektuara në shoqëri.

    Serbia shpalli neutralitetin ushtarak qysh në vitin 2006, ndërkohë që është e rrethuar nga anëtarë të NATO-s, me të cilët bashkëpunon në kuadër të programit Partneritet për Paqe. Ndërsa është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ajo ka bashkëpunim të ngushtë edhe me Rusinë dhe Kinën, nga të cilat blen edhe armë ushtarake./REL

  • Presidenti Vuçiç: Do blejmë armë nga Kina kundër koalicionit të shqiptarëve ndaj Serbisë!

    Presidenti Vuçiç: Do blejmë armë nga Kina kundër koalicionit të shqiptarëve ndaj Serbisë!

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të mërkurën se pjesëmarrjen e tij në paradën ushtarake në Pekin e shfrytëzoi për të parë se “çfarë do të ishte me interes për t’u blerë për nevojat e ushtrisë serbe, në mënyrë që ajo të jetë një faktor parandalues ndaj çdo agresori të mundshëm nga fqinjësia”.
    “Nuk është rastësi që Prishtina, Zagrebi dhe Tirana formuan një aleancë ushtarake. Dhe, ata nuk e bënë atë për shkak të Austrisë, Hungarisë apo Sllovenisë, por për shkak të Serbisë. Ata e bënë kundër Serbisë”, tha Vuçiq për gazetarët në Pekin.

    Ai theksoi se Serbia “nuk do ta prekë askënd”, por se po e forcon ushtrinë e saj për ta “ruajtur integritetin territorial”.
    Kosova, Shqipëria dhe Kroacia, nënshkruan më 18 mars një deklaratë në Tiranë, përmes së cilës vendet angazhohen që të forcojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
    Qeveria kroate bëri të ditur për Radion Evropa e Lirë se deklarata e tri shteteve nuk synon krijimin e ndonjë aleance ushtarake.
    Duke folur për paradën ushtarake të ushtrisë kineze dhe blerjen e mundshme të armatimeve nga ajo, Vuçiq tha se Serbia nuk është e interesuar për raketat balistike dhe hipersonike kineze, por se Kina ka avionë shumëfunksionalë të nivelit të lartë dhe helikopterë modernë, shkruan radio “Europa e Lirë”.

  • “Heshtja e BE-së është e pafalshme”/ ‘Synohet rrëzimi i Vuçiq’, reagon gazetari: Regjimi i tij, po përshkallëzon dhunën

    “Heshtja e BE-së është e pafalshme”/ ‘Synohet rrëzimi i Vuçiq’, reagon gazetari: Regjimi i tij, po përshkallëzon dhunën

    I ftuar në një intervistë televizive, gazetari Venhar Isufi u shpreh se protestat që po zhvillohen prej më shumë se gjashtë muajsh në Serbi nuk janë të zakonshme, por përfaqësojnë një pakënaqësi të thellë ndaj regjimit të Aleksandër Vuçiq.
    Isufi theksoi se këto protesta janë serioze, të përshkallëzuara dhe të drejtuara drejt rrëzimit të presidentit serb, ndërkohë që denoncoi dhunën sistematike që po ushtrohet mbi qytetarët nga autoritetet serbe.
    Ai ngriti shqetësimin për lidhjet e pushtetit me grupe kriminale, si dhe për heshtjen e Bashkimit Europian ndaj akteve të rënda të dhunës dhe përpjekjeve destabilizuese të Serbisë në rajon, përfshirë edhe përpjekjen për aneksim të komunave në veri të Kosovës.
    Pjesë nga deklarata:
    Që nga nisja e protestave në Serbi, ku tashmë bëhen më shumë se 6 muaj, protesta masive ka nisur që në mars, në 70 qytete të Serbisë. Ne e kemi vërtetuar në vazhdimësi që këto nuk janë protesta të rëndomta, siç kemi mësuar t’i shohim para disa vitesh në Serbi, por janë protesta serioze, të cilat nuk do të ndalen dhe do të shkojnë deri në përshkallëzim. Tani jemi në shtator dhe protestat janë përshkallëzuar; shohim që protestuesit kanë shkuar deri në përleshje me policinë serbe. Shohim që protestuesit tentojnë të tregojnë kundërshtinë ndaj regjimit të udhëhequr nga Vuçiq, janë duke thyer edhe zyrat e tij.
    Këto protesta, unë besoj se do të kenë edhe më shumë tensione dhe do të shkojnë në nivele edhe më të larta. Protestuesit e kanë marrë seriozisht rrëzimin e presidentit Vuçiq, i cili ka dhënë urdhër te policia e tij që çdo protestues që kundërshton ligjin e tij të dhunohet dhe ju e dini që këto pamje shpërndahen edhe në grupe në Telegram, pamje të cilat as në mediat serbe nuk janë transmetuar, sepse Vuçiq i ka blerë shumicën e mediave më të ndjekura në Serbi.
    Në të njëjtën kohë, në pak media që transmetojnë vërtet atë që po ndodh, shihen skenat e dhunës që po përdoren kundër protestuesve. Dhuna, e cila është urdhëruar të përdoret kundër protestuesve dhunë brutale duket se është aprovuar nga policia serbe, në mënyra çnjerëzore, duke iu kundërpërgjigjur protestuesve dhe studentëve.
    Shohim grupe kriminale dhe grupe me veprimtari të rrezikshme në Serbi, grupe me të cilat presidenti Vuçiq ka një marrëdhënie të fortë me ne (?), dhe po na sulmojnë edhe neve në protestat tona.
    Është fatkeqësi që e shohim, dhe në fakt, BE ju e dini që BE aktualisht nuk ka marrë asnjë masë ndëshkuese ndaj Serbisë për sulmin terrorist të 24 shtatorit, ku humbi jetën një 25-vjeçar. Kemi një situatë ku Serbia ka kryer një sulm për tentimin e aneksimit të shtetit në katër komunat të cilat janë pjesë e Republikës së Kosovës.

  • ‘Synohet rrëzimi i Vuçiq’, Isufi: Regjimi i tij po përshkallëzon dhunën, heshtja e BE është e pafalshme

    ‘Synohet rrëzimi i Vuçiq’, Isufi: Regjimi i tij po përshkallëzon dhunën, heshtja e BE është e pafalshme

    I ftuar në intervistën e mesditës në Syri TV, gazetari Venhar Isufi u shpreh se protestat që po zhvillohen prej më shumë se gjashtë muajsh në Serbi nuk janë të zakonshme, por përfaqësojnë një pakënaqësi të thellë ndaj regjimit të Aleksandër Vuçiq.

    Isufi theksoi se këto protesta janë serioze, të përshkallëzuara dhe të drejtuara drejt rrëzimit të presidentit serb, ndërkohë që denoncoi dhunën sistematike që po ushtrohet mbi qytetarët nga autoritetet serbe.

    Ai ngriti shqetësimin për lidhjet e pushtetit me grupe kriminale, si dhe për heshtjen e Bashkimit Europian ndaj akteve të rënda të dhunës dhe përpjekjeve destabilizuese të Serbisë në rajon, përfshirë edhe përpjekjen për aneksim të komunave në veri të Kosovës.

    Pjesë nga deklarata:

    Që nga nisja e protestave në Serbi, ku tashmë bëhen më shumë se 6 muaj, protesta masive ka nisur që në mars, në 70 qytete të Serbisë.
    Ne e kemi vërtetuar në vazhdimësi që këto nuk janë protesta të rëndomta, siç kemi mësuar t’i shohim para disa vitesh në Serbi, por janë protesta serioze, të cilat nuk do të ndalen dhe do të shkojnë deri në përshkallëzim.
    Tani jemi në shtator dhe protestat janë përshkallëzuar; shohim që protestuesit kanë shkuar deri në përleshje me policinë serbe. Shohim që protestuesit tentojnë të tregojnë kundërshtinë ndaj regjimit të udhëhequr nga Vuçiq, janë duke thyer edhe zyrat e tij.

    Këto protesta, unë besoj se do të kenë edhe më shumë tensione dhe do të shkojnë në nivele edhe më të larta. Protestuesit e kanë marrë seriozisht rrëzimin e presidentit Vuçiq, i cili ka dhënë urdhër te policia e tij që çdo protestues që kundërshton ligjin e tij të dhunohet dhe ju e dini që këto pamje shpërndahen edhe në grupe në Telegram, pamje të cilat as në mediat serbe nuk janë transmetuar, sepse Vuçiq i ka blerë shumicën e mediave më të ndjekura në Serbi.

    Në të njëjtën kohë, në pak media që transmetojnë vërtet atë që po ndodh, shihen skenat e dhunës që po përdoren kundër protestuesve. Dhuna, e cila është urdhëruar të përdoret kundër protestuesve dhunë brutale duket se është aprovuar nga policia serbe, në mënyra çnjerëzore, duke iu kundërpërgjigjur protestuesve dhe studentëve.

    Shohim grupe kriminale dhe grupe me veprimtari të rrezikshme në Serbi, grupe me të cilat presidenti Vuçiq ka një marrëdhënie të fortë me ne (?), dhe po na sulmojnë edhe neve në protestat tona.

    Është fatkeqësi që e shohim, dhe në fakt, BE ju e dini që BE aktualisht nuk ka marrë asnjë masë ndëshkuese ndaj Serbisë për sulmin terrorist të 24 shtatorit, ku humbi jetën një 25-vjeçar.
    Kemi një situatë ku Serbia ka kryer një sulm për tentimin e aneksimit të shtetit në katër komunat të cilat janë pjesë e Republikës së Kosovës.