Tag: vuçiq

  • Vuçiç: Njohja e Kosovës nga Siria ishte e pritshme

    Vuçiç: Njohja e Kosovës nga Siria ishte e pritshme

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se lajmi për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Siria ishte “i pritshëm”.

    “Tani është e qartë se sa i rëndësishëm ishte qasja liberale e Bashar al-Assad ndërsa ishte në krye të Sirisë, dhe gjithashtu është e qartë kur vjen dikush që është nën ndikim të madh të njërit prej vendeve kryesore në rajon, siç është Turqia”, tha Vuçiq gjatë një konference për media në Uzbekistan më 30 tetor.

    Vuçiq shtoi se në Siri “marrin urdhër dhe veprojnë sipas urdhrit” dhe tha se Serbia do të ketë diçka “me të cilën t’i gëzojë”, por nuk sqaroi se çfarë është fjala.

    Siria njohu pavarësinë e Kosovës më 29 tetor, njoftuan zyrtarët e të dy vendeve.

    Gjatë qëndrimit në Riad presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se marrëveshja për njohjen e Kosovës nga Siria u arrit me mbështetjen e princit të kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud.

    Siria – shtet në Lindjen e Mesme – ka përmirësuar marrëdhëniet me vendet perëndimore pas rrëzimit nga pushteti të presidentit Bashar al-Assad në dhjetor 2024, gjatë një ofensive të udhëhequr nga grupi islamist Hayat Tahrir al-Sham (HTS).

    Që nga janari i këtij viti, në krye të vendit është Ahmed al-Sharaa, i cili udhëhoqi luftëtarët e opozitës në rrëzimin e Assadit, duke i dhënë fund sundimit pesëdekadësh të familjes së tij.

    Vuçiq më 30 tetor tha po ashtu se në njohjen e Kosovës nga Siria sheh “të njëjtin stil si vitin e kaluar nga Antalia”.

    Sudani, shtet në verilindje të Afrikës, njohu pavarësinë e Kosovës në prill të vitit 2025.

    Në një video së bashku me ministrin sudanez të Punëve të Jashtme, Ali Yousuf al-Sharif, në Forumin Diplomatik në Antali të Turqi, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se ai e kishte informuar për vendimin e Sudanit për të njohur Kosovën dhe për të vendosur marrëdhënie ndërmjet dy vendeve.

    Siria bëhet shteti i tretë që këtë vit njeh pavarësinë e Kosovës, pas Sudanit dhe Kenias.

    Serbia ka reaguar ashpër ndaj njohjeve të fundit të Kosovës, teksa Beogradi ende e konsideron Kosovën pjesë të tij, 17 vjet pas shpalljes së pavarësisë.

    Që nga shpallja e pavarësisë, Kosova njihet nga 120 vende të botës./ REL.

  • Vuçiç i mohon akuzat se qëndron pas incidenteve antiturke në Mal të Zi

    Vuçiç i mohon akuzat se qëndron pas incidenteve antiturke në Mal të Zi

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e ka mohuar të mërkurën se qëndronte pas incidenteve që kishin në shënjestër emigrantët turq në Mal të Zi dhe shtoi se “nuk kishte idenë se kjo po ndodhte”.
    Duke iu përgjigjur akuzave nga Podgorica se Mali i Zi po hakmerret ndaj Turqisë për shkak se Ankaraja e furnizoi Kosovën me dronë, Vuçiq tha se “një gjë e tillë nuk i kishte shkuar kurrë në mendje”.
    “Ata duhet të bëjnë një agjendë të re, sepse nuk dinë çfarë të ofrojnë përveç urrejtjes ndaj çdo gjeje serbe”, tha Vuçiq.

    Incidentet në Mal të Zi filluan më 26 tetor, pas një përleshjeje në të cilën u plagos një banor i Podgoricës, dhe për të cilën dyshohen dy shtetas të huaj.
    Përleshja nxiti protesta në rrugët e Podgoricës me mesazhin se “turqit duhet të dëbohen nga Mali i Zi”. Çfarë pasoi pastaj ishin edhe sulme ndaj shtetasve turq dhe pronës së tyre.
    Si pasojë – Qeveria malazeze, e cila në përbërje ka edhe parti të afërta me Vuciqin – reagoi duke vendosur regjim vizash për shtetasit turq.
    Kryetari i Partisë Socialdemokrate të Malit të Zi, Ivan Vujoviç, vlerësoi në rrjetet sociale se Vuçiçi po ndërmerrte veprime kundër Turqisë përmes Malit të Zi, sepse Ankaraja dërgoi dronë në Kosovë.
    Vuçiç deklaroi se Vujoviqi është “një djalë që kryen porosi për (ish-presidentin malazez) Milo Gjukanoviç”, dhe se e njëjta gjë vlen edhe për shkrimtarin Andrej Nikolaidis, i cili tha se trazirat në Podgoricë “mbajnë firmën e qartë autoriale” të presidentit serb.
    Vujoviq dhe Nikolaidis nuk ishin të vetmit që i akuzuan autoritetet në Beograd.
    Duke reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Malit të Zi për të hequr regjimin pa viza për qytetarët turq, Lidhja Evropiane në opozitë vlerësoi se ky ishte “akt ksenofobik” dhe i rrezikshëm nga ana e Qeverisë, dhe se e gjithë kjo po “ndodhte me urdhër të shefit që i shërben në Beograd”.
    “Menjëherë pas lajmit se Turqia kishte dërguar dronë në Kosovë. Kjo ishte arsye e mjaftueshme që Qeveria e Spajiqit dhe partnerët e saj ekstremistë të fillonin një valë të re histerie ndaj të gjithë popullit turk”, tha kjo parti më 28 tetor.
    Më 27 tetor, kur filluan tubimet antiturke, kryetari i Bashkësisë Islame në Mal të Zi, Rifat Fejziq, komentoi ngjarjen në kontekstin e ftohjes së marrëdhënieve midis Beogradit dhe Ankarasë.
    “Pas më pak se 20 ditësh, a po e ndëshkon Beogradi Turqinë përmes Malit të Zi?”, shkroi Fejziq në rrjetin X, duke postuar një fotografi të tekstit me titullin “Vuçiq sulmoi Turqinë: Ne e dimë se çfarë po planifikoni…”.
    Një pjesë e koalicionit qeverisës në Mal të Zi, kryesisht partitë e Frontit Demokratik, kanë lidhje të ngushta me Beogradin dhe serb Vuçiç./REL

  • Vuçiq i mohon akuzat se qëndron pas incidenteve antiturke në Mal të Zi

    Vuçiq i mohon akuzat se qëndron pas incidenteve antiturke në Mal të Zi

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka mohuar të mërkurën se qëndronte pas incidenteve që kishin në shënjestër emigrantët turq në Mal të Zi dhe shtoi se “nuk kishte idenë se kjo po ndodhte”.

    Duke iu përgjigjur akuzave nga Podgorica se Mali i Zi po hakmerret ndaj Turqisë për shkak se Ankaraja e furnizoi Kosovën me dronë, Vuçiq tha se “një gjë e tillë nuk i kishte shkuar kurrë në mendje”

    “Ata duhet të bëjnë një agjendë të re, sepse nuk dinë çfarë të ofrojnë përveç urrejtjes ndaj çdo gjeje serbe”, tha Vuçiq.

    Incidentet në Mal të Zi filluan më 26 tetor, pas një përleshjeje në të cilën u plagos një banor i Podgoricës, dhe për të cilën dyshohen dy shtetas të huaj.

    Përleshja nxiti protesta në rrugët e Podgoricës me mesazhin se “turqit duhet të dëbohen nga Mali i Zi”. Çfarë pasoi pastaj ishin edhe sulme ndaj shtetasve turq dhe pronës së tyre.

    Si pasojë – Qeveria malazeze, e cila në përbërje ka edhe parti të afërta me Vuciqin – reagoi duke vendosur regjim vizash për shtetasit turq.

    Kryetari i Partisë Socialdemokrate të Malit të Zi, Ivan Vujoviq, vlerësoi në rrjetet sociale se Vuçiqi po ndërmerrte veprime kundër Turqisë përmes Malit të Zi, sepse Ankaraja dërgoi dronë në Kosovë.

    Vuçiq deklaroi se Vujoviqi është “një djalë që kryen porosi për (ish-presidentin malazez) Milo Gjukanoviq”, dhe se e njëjta gjë vlen edhe për shkrimtarin Andrej Nikolaidis, i cili tha se trazirat në Podgoricë “mbajnë firmën e qartë autoriale” të presidentit serb.

    Vujoviq dhe Nikolaidis nuk ishin të vetmit që i akuzuan autoritetet në Beograd.

    Duke reaguar ndaj vendimit të Qeverisë së Malit të Zi për të hequr regjimin pa viza për qytetarët turq, Lidhja Evropiane në opozitë vlerësoi se ky ishte “akt ksenofobik” dhe i rrezikshëm nga ana e Qeverisë, dhe se e gjithë kjo po “ndodhte me urdhër të shefit që i shërben në Beograd”.

    “Menjëherë pas lajmit se Turqia kishte dërguar dronë në Kosovë. Kjo ishte arsye e mjaftueshme që Qeveria e Spajiqit dhe partnerët e saj ekstremistë të fillonin një valë të re histerie ndaj të gjithë popullit turk”, tha kjo parti më 28 tetor.

    Më 27 tetor, kur filluan tubimet antiturke, kryetari i Bashkësisë Islame në Mal të Zi, Rifat Fejziq, komentoi ngjarjen në kontekstin e ftohjes së marrëdhënieve midis Beogradit dhe Ankarasë.

    “Pas më pak se 20 ditësh, a po e ndëshkon Beogradi Turqinë përmes Malit të Zi?”, shkroi Fejziq në rrjetin X, duke postuar një fotografi të tekstit me titullin “Vuçiq sulmoi Turqinë: Ne e dimë se çfarë po planifikoni…”.

    Një pjesë e koalicionit qeverisës në Mal të Zi, kryesisht partitë e Frontit Demokratik, kanë lidhje të ngushta me Beogradin dhe serb Vuçiq.

  • Stojkoviq akuzon regjimin e Vuçiq se qëndron prapa zjarrvënies para Parlamentit të Serbisë

    Stojkoviq akuzon regjimin e Vuçiq se qëndron prapa zjarrvënies para Parlamentit të Serbisë

    Avokati Çedomir Stojkoviq ka akuzuar presidentin Aleksandar Vuçiq për organizim të djegies së tendave të mërkurën para Parlamentit të Serbisë, me qëllim të largimit të vëmendjes së publikut në ditën kur Bashkimi Evropian miratoi rezolutën e ashpër ndaj regjimit në Beograd.

    Në një postim në X, avokati i njohur serb tha se partia e Vuçiq organizoi djegien e tendave dhe se ngjarja “është versioni i presidentit serb për djegien e Rajhstagut në vitin 1933″.

    Një zjarr ka shpërthyer dje para Parlamentit të Serbisë në të ashtuquajturin Çaçiland, ku tash e sa muaj janë vendosur tendat me mbështetësit e Vuçiq si kundërpërgjigje ndaj bllokadës studentore, e cila ka nisur në gjithë Serbinë pas shembjes së tendës hekurudhore vitin e kaluar në Novi Sad ku mbetën të vdekur 16 persona.

    Vuçiq tha se bëhet fjalë për sulm terrorist dhe sulm të motivuar politik, ndërsa studentët në bllokadë mohuan akuzat duke thënë se nuk kanë të bëjnë asgjë në lidhje me incidentin, ku u arrestua një person.

    Avokati Stojkoviq shkruan se autori i aktit, presoni i arrestuar, është punonjës në pension i Agjencisë së Informacionit të Sigurisë BIA, shërbimit sekret që Vuçiq e privatizoi.

    “Kjo do të thotë pa asnjë dyshim – se ky njeri është jashtëzakonisht i ekspozuar ndaj ndikimit (pëshpëritjeve) të kolegëve të tij, të cilët janë ekzekutorët e Vuçiq, sepse është shumë e lehtë për t’u menaxhuar (me urdhra) ose për t’u manipuluar (me motivim të fshehtë dashakeq – pëshpëritje)”, shkruan Stojkoviq.

    Ai tha se regjimi i Vuçiq përmes zjarrvënies deshi të largojë vëmendjen e publikut nga miratimi i rezolutës së Bashkimit Evropian, e cila dënon Beogradin zyrtar për veprime ndaj studentëve protestues dhe presionin mbi media.

    “BIA (ish-DB) ka shumë përvojë në kryerjen e këtyre operacioneve me flamur të rremë. Gjatë kohës së Jovica Stanishiq, kreut të shërbimit sekret në atë kohë: vrasja e serbëve nga njësitë paramilitare të Arkanit u organizua me qëllim që të akuzoheshin kroatët dhe boshnjakët për të; vrasja e serbëve në kafenenë Panda u organizua me qëllim që të akuzoheshin shqiptarët.

    E gjitha me qëllim që të motivoheshin qytetarët për luftë. Gjatë gjithë asaj kohe, Vuçiq ishte pjesë e aparatit të Sllobodan Millosheviqi Këto skenarë janë të njohur mirë për të. Dhe shërbimi sekret serb (DB/BIA) ende ka zhvilluar plane operative për të njëjtën gjë. Dhe tani me këtë Vuçiq po përpiqet t’i motivojë besnikët e tij të luftojnë dhe të përplasen kundër studentëve dhe opozitës. Mesazhi që ai po përpiqet të imponojë është: – “Duhet të luftojmë, duhet të përplasemi, duhet të përdorim forcën – sepse opozita dëshiron të na vrasë dhe të na djegë të gjithëve”. Dhe pikërisht këtë tha sot. Kjo është ajo që shkruajnë mediat e tij.

    Dhe kur e shohim këtë dhe i dimë të gjitha sa më sipër, atëherë ka vetëm një përfundim:

    Zjarrvënia dhe të shtënat me armë zjarri të sotme përpara ndërtesës së parlamentit janë ide e Aleksandar Vuçiçit, një dashnor i përjetshëm i Joseph Goebbels të Hitlerit, të cilin ai e lavdëronte në rrethet e tij gjatë viteve ’90. Dhe sot, ashtu si Hitleri, ai i vuri flakën “Reichstag”-ut të tij. Një “Reichstag” të mjerë dhe të mjerë, të bërë nga tenda të ngritura ilegalisht aty ku është e ndaluar. Sepse i mjerë dhe i mjerë është e vetmja gjë që ai di.”

  • Von der Leyen në Beograd: Presim hapa konkretë nga Serbia në rrugën drejt BE-së

    Von der Leyen në Beograd: Presim hapa konkretë nga Serbia në rrugën drejt BE-së

    Bashkimi Evropian pret nga Serbia përparim në fushën e sundimit të ligjit, të mediave elektronike dhe legjislacionit zgjedhor, tha presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen më 15 tetor në Beograd, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
    Zyrtarja e lartë evropiane përshëndeti përparimin në lidhje me përditësimin e listës së votuesve, si dhe në lidhje me zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Autoritetit Republikan për Mediat Elektronike.
    “Tani është momenti i duhur për Serbinë që të ndërmarrë hapa konkretë drejt anëtarësimit. Pika e parë është që duhet të shohim përparim në fushat e sundimit të ligjit, mediave elektronike dhe ligjeve për zgjedhjet. E di që këto reforma nuk janë të lehta, të gjithë segmentet e shoqërisë dhe spektri politik duhet të jenë të përfshirë në to”, tha von der Leyen në një konferencë për media në Pallatin Serbia në Beograd.
    Në fjalimin e saj, presidentja e Komisionit Evropian tha se qëndrimi i Bashkimit Evropian nënkupton liri, jo represion, duke përfshirë të drejtën për tubime paqësore.
    “Ne angazhohemi për partneritet, jo për nënshtrim, dhe për diplomaci në vend të agresionit”, theksoi von der Leyen.
    Ajo i bëri një ftesë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që “rreth një muaj nga tani” të shkojë në Bruksel për të shqyrtuar situatën në lidhje me reformat.
    Duke iu përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë se ku sheh zgjidhje për situatën aktuale në Serbi, ku prej muajsh zhvillohen protesta antiqeveritare për shkak të tragjedisë në Novi Sad në fund të vitit të kaluar, von der Leyen tha se ky është një moment kyç për Serbinë dhe se ka ardhur koha që gjithë populli të bashkohet dhe të forcohen themelet e një demokracie efektive.
    “BE është e gatshme t’ju mbështesë dhe të bëjë çdo përpjekje për këtë çështje. Reformat duhet të zbatohen dhe ato duhet të realizohen duke tërhequr shoqërinë pas vetes”, tha shefja e KE-së.
    Ursula von der Leyen theksoi se BE pret një nivel më të lartë të përshtatjes së Serbisë me politikën e jashtme të BE-së, përfshirë edhe vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë.
    “Duhet t’ju falënderoj sepse keni përshtatur 61 për qind të politikës suaj të brendshme me tonën, por duhet të arrijmë më shumë. Ne duam të mbështetemi te Serbia si një partnere e besueshëm”, tha zyrtarja e lartë evropiane.
    Serbia është një nga pak vendet në Evropë që nuk i është bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Federatës Ruse, pas fillimit të pushtimit rus të Ukrainës më 2022. Megjithatë, Serbia ka dënuar agresionin rus duke mbështetur rezoluta të Kombeve të Bashkuara.
    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi në konferencën e përbashkët se për Serbinë anëtarësimi në BE është “një vendim strategjik dhe prioritet i politikës së jashtme”, por shtoi se që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës nuk është hapur asnjë kllaster në negociatat për anëtarësim në BE.
    “Më duket se, së paku kohët e fundit, kemi bërë disa gjëra. Ende kemi shumë për të bërë, por edhe brenda vendit duhet të diskutojmë për drejtimet e politikës sonë”, tha Vuçiq.
    Ai kujtoi se Industria e Naftës e Serbisë (NIS) është nën sanksione amerikane dhe shtoi se kjo nënkupton se është edhe nën ato evropiane.
    “Shpresoj që në të gjitha çështjet që lidhen me sigurinë energjetike të Serbisë, të kemi ndihmën e BE-së”, deklaroi presidenti serb.
    Ai shtoi se i ka dorëzuar presidentes së Komisionit Evropian një letër me kërkesën që Serbia të përjashtohet nga tarifat dhe kuotat e reja për importin e çelikut.
    “Shpresoj që BE të lehtësojë pak statusin e vendeve kandidate dhe të na ndihmojë pak”, tha presidenti i Serbisë.
    Vuçiq theksoi se Serbia ka siguruar rezerva të mjaftueshme të naftës dhe gazit, por paralajmëroi se “na pret një dimër politik i vështirë”.
    “Ne do të vazhdojmë të zhvillojmë infrastrukturën energjetike me BE-në. Besoj se po ndërtojmë një nënkonektor me Maqedoninë e Veriut, dhe në të ardhmen edhe me Rumaninë”, tha Vuçiq.
    Zyrtarja evropiane arriti në Serbi të martën, si pjesë e turneut në Ballkanin Perëndimor.
    Të mërkurën, para Pallatit Serbia, për të u organizua një pritje solemne, që u pasua me një takim me Vuçiqin.
    Ursula fon der Layen paraprakisht ka qëndruar në Shqipëri, Mal të Zi dhe Bosnje e Hercegovinë. Gjatë ditës ajo do të qëndrojë në Kosovë, ku do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti. Turneun rajonal ajo do ta përmbyllë në Maqedoni të Veriut, ku do të takohet me krerët shtetërorë më vonë gjatë së mërkurës.
    Herën e fundit që presidentja e Komisionit Evropian vizitoi Serbinë në tetor 2024. Në atë vizitë, ndër të tjera, ajo deklaroi se Serbia është “një nga vendet që ka bërë më së shumti përparim në procesin e anëtarësimit” dhe deklaroi se ekziston “një bazë e qëndrueshme për t’u bërë anëtare e BE-së”.
    Ndërkohë, në Serbi shpërthyen protesta masive kundër qeverisë për shkak të vdekjes së 16 personave nga shembja e një strehe prej betoni në stacionin hekurudhor në Novi Sad.
    Qindra protestues janë arrestuar, disa kanë thënë se kanë qenë cak i brutalitetit policor si dhe ka pasur pretendime se është përdorur top zanor gjatë protestës së 15 marsit.
    Serbia është kandidate për anëtarësim në BE që nga viti 2012. Nga gjithsej 35 kapituj negociues, ka hapur 22 dhe ka mbyllur vetëm dy. Kapitujt e fundit i ka hapur në dhjetor 2021.
    Sipas raporteve vjetore nga Brukseli deri më tani, pengesat kryesore për Serbinë në rrugën drejt anëtarësimit janë gjendja jo e mirë e sundimit të ligjit dhe mospërshtatja me politikën e përbashkët të jashtme të BE-së.
    Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën gjithashtu është një nga kushtet paraprake për anëtarësim në BE. Bashkimi Evropian njoftoi më 16 shtator se është i shqetësuar për gjendjen e sundimit të ligjit në vendet kandidate për anëtarësim, si dhe tha se nevojitet një qëndrim më i fortë ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.
    Serbia nuk iu bashkua sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë, edhe pse si shtet kandidat për anëtarësim është e detyruar të harmonizojë gradualisht politikën e jashtme dhe atë të bllokut evropian. REL/

  • Dërgesa me dronë nga Turqia në Kosovë, reagon Vuçiç: Eshtë e paligjshme

    Dërgesa me dronë nga Turqia në Kosovë, reagon Vuçiç: Eshtë e paligjshme

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se Serbia kërkon nga Turqia që të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe interesat e popullit serb, duke vlerësuar se dërgesa e dronëve nga Turqia në Kosovë është “e paligjshme”.
    Një ditë më parë, autoritetet në Kosovë njoftuan se kanë pranuar kontejnerë me “mijëra dronë” luftarakë kamikazë Skydagger.
    Pas këtij njoftimi të bërë nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, Beogradi kritikoi Ankaranë.
    “Detyra ime është të krijojë marrëdhënie të mira me Turqinë, ashtu si është detyra ime që, kur shoh se populli im është i rrezikuar nga një dërgesë e paligjshme armësh, të qëndroj pranë popullit tim dhe të luftoj për interesat e tij”, tha Vuçiq për gazetarët më 9 tetor.
    Duke theksuar se Serbia dëshiron marrëdhënie “sa më të afërta” me Turqinë, Vuçiq tha se “lutem për respektimin e normave elementare të së drejtës ndërkombëtare publike dhe të interesave elementare të Serbisë dhe popullit serb”.
    “Mund të imagjinoni si do të dukej sikur ne të armatosnim dikë në disa territore që janë problematike për Turqinë, siç është juglindja e Turqisë apo disa territore të tjera për të cilat turqit i pretendojnë”, deklaroi ai.
    Sipas Vuçiqit, sjellja e Turqisë ka rëndësi të madhe për stabilitetin e rajonit.
    Ai njoftoi se do të bisedojë me homologun turk, Recep Tayyip Erdogan, për dërgesën e armëve në Kosovë.
    Vuçiq theksoi se për këtë temë kishte diskutuar po ashtu me Erdoganin vitin e kaluar, kur “i kërkova Turqisë të ndalonte armatosjen e Prishtinës”.
    “Unë përmenda Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara [OKB] dhe akte të tjera, dhe kërkova që kjo të mos ndodhë përsëri”, tha ai.
    “A është kjo një forcë që mund ta mposhtë, frikësojë, kërcënojë Serbinë – jo, por qëllimi për të vazhduar me këtë është shqetësues”, u shpreh Vuçiq sa i përket blerjeve të pajisjeve ushtarake nga Kosova.
    Ai vlerësoi se Kosova po ndan shumë para për të zbatuar planin për tranzicionin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës.
    Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, thotë se kjo është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
    Vuçiq përmendi disa shtete nga të cilat Kosova ka blerë armë dhe pajisje ushtarake.
    Siç tha ai, prokurimi i sistemeve komplekse luftarake po intensifikohet dhe Turqia po udhëheq në furnizimin e Kosovës me këto sisteme.
    “Ne kërkojmë nga Kombet e Bashkuara të reagojnë, të respektojnë rezolutat e miratuara nga OKB-ja. Nuk duam përshkallëzim, do ta ruajmë paqen dhe stabilitetin”, tha udhëheqësi serb.
    Vuçiq bën thirrje që serbët të votojnë për Listën Serbe
    Duke folur për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor në Kosovë, Vuçiq i bëri thirrje komunitetit serb që të votojë për Listën Serbe.
    Lista Serbe është partia kryesore e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
    “Nuk e fshehim që po u bëjmë thirrje qytetarët të votojnë për Listën Serbe, sepse është një listë e përgjegjshme që përfaqëson interesat e popullit serb, e cila nuk i nënshtrohet Kurtit dhe nuk merr urdhra nga ambasada”, deklaroi ai.
    Vuçiq përmendi ngjarje, që i përshkroi si sulme me motive etnike ndaj komunitetit serb që kur Albin Kurti, që aktualisht është kryeministër në detyrë i Kosovës, erdhi në pushtet.
    Duke folur për Listën Serbe, Vuçiq tha se kjo parti “ka duruar terror që asnjë parti tjetër nuk e ka duruar në kontinentin evropian në historinë moderne, si nga autoritetet shqiptare, ashtu edhe nga të tjerët që i kanë përndjekur vetëm ata”.
    Lista Serbe kishte iniciuar largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës në veri në nëntor të vitit 2022 dhe kishte bërë thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve lokale të mbajtura në prill 2023. Për shkak të bojkotit, drejtimin e katër komunave në veri e morën kryetarët shqiptarë.
    Për shkak të zgjedhjes së kryetarëve shqiptarë, serbët lokalë kishin organizuar protesta më 2023.
    Megjithatë, kryetarët shqiptarë kanë mbetur në detyrë deri në fund të mandateve të tyre, sepse Lista Serbe edhe në prill 2024 bëri thirrje për bojkot të votimit për shkarkimin e tyre.
    Tensionet në veri janë rritur viteve të fundit, pasi në shtator të vitit 2023, një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë një polic.
    Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, mori përgjegjësinë për këtë sulm në Banjskë të Zveçanit.
    Kosova kërkon ekstradimin e tij dhe të personave të tjerë të përfshirë në sulmin në veri, që e konsideron terrorist.
    Radoiçiq gjendet po ashtu në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara për lidhjet e dyshuara me krimin e organizuar ndërkombëtar.
    Ndryshe, në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor, Lista Serbe ka kandidatë për kryetarë komunash në të gjitha dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok, Graçanicë, Shtërpcë, Novobërdë, Kllokot, Partesh dhe Ranillug. Kjo parti garon me kandidat për kryetar edhe në komunën e Obiliqit.

  • ‘Po e destabilizon Ballkanin duke e furnizuar me armë Kosovën’, Politico shkruan për akuzat e Vuçiq ndaj Turqisë

    ‘Po e destabilizon Ballkanin duke e furnizuar me armë Kosovën’, Politico shkruan për akuzat e Vuçiq ndaj Turqisë

    Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka akuzuar Turqinë për shkelje të ligjeve ndërkombëtare dhe për destabilizim të Ballkanit Perëndimor pas furnizimit me armë të Kosovës.

    “Jam i tmerruar nga sjellja e Turqisë dhe nga shkelja brutale e Kartës së OKB-së dhe e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, si dhe nga vazhdimi i armatosjes së Kosovës” ka shkruar Vuçiq të mërkurën në rrjete sociale.

    Ai tha se është “tani plotësisht e qartë se Turqia nuk dëshiron stabilitet në Ballkanin Perëndimor dhe po ëndërron rikthimin e Perandorisë Osmane”.

    “Serbia është një vend i vogël, por ne e kemi kuptuar qartë mesazhin,” shtoi Vuçiq, transmeton Express.

    Politico shkruan se Beogradi dhe Ankaraja kanë marrëdhënie të ndërlikuara, të karakterizuara nga bashkëpunimi ekonomik, por edhe tensionet historike e politike. Turqia mbetet një nga aleatët më të fortë të Kosovës dhe ishte ndër vendet e para që njohu pavarësinë e saj në vitin 2008.

    Ankaraja ende nuk ka reaguar zyrtarisht ndaj deklaratave të Vuçiqit, por zyrtarët turq më herët kanë mbrojtur bashkëpunimin ushtarak me Kosovën si pjesë e përpjekjeve për forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes rajonale.

    Në janar të vitit 2024, ministri turk i Mbrojtjes, Yaşar Güler, dhe homologu i tij kosovar, Ejup Maqedonci, nënshkruan në Ankara një marrëveshje kornizë ushtarake për zgjerimin e bashkëpunimit në shitjen e armëve, ushtrimet e përbashkëta dhe programet e trajnimit.

  • Vuçiç: S’kemi çfarë të diskutojmë më me SHBA-në për sanksionet ndaj NIS-it

    Vuçiç: S’kemi çfarë të diskutojmë më me SHBA-në për sanksionet ndaj NIS-it

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se Beogradi do të diskutojë me Rusinë, e cila ka shumicën e pronësisë në Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS), lidhur me zgjidhjen e problemit të sanksioneve amerikane ndaj kësaj kompanie.
    “Nuk kemi më çfarë të diskutojmë me amerikanët. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë arritur qëllimin e tyre dhe Evropa do të mbështesë sanksionet amerikane”, tha Vuçiq më 7 tetor në Beograd.
    Sanksionet amerikane ndaj NIS-it hyjnë në fuqi më 8 tetor.
    “Jam i sigurt se pas një kohe të shkurtër JANAF-i do të ndalojë furnizimin me naftë. Shpresoj që NIS-i të mos shkarkojë një numër të madh punonjësish”, shtoi Vuçiq.
    Si problem tjetër, Vuçiq përmendi sistemin financiar-bankar, i cili, sipas tij, nuk do të negociojë me NIS-in gjatë kohës që kompania do të jetë nën embargo të SHBA-së.
    Rrjeti i Naftës Adriatike (JANAF) është një tubacion nga Omishal në ishullin Krk të Kroacisë, përmes të cilit transportohet, ndër të tjera, nafta deri te rafineria në Pançevë për nevojat e NIS-it. Shumicën e aksioneve në këtë naftësjellës e ka shteti i Kroacisë.
    Industrisë së Naftës së Serbisë. Pronësi i tij kryesor është shteti kroat.
    Serbia ka rezerva të mjaftueshme nafte dhe derivatesh të naftës, njoftoi të martën Ministria e Minierave dhe Energjisë.
    “Do të bëjmë gjithçka që sistemi energjetik të mos rrezikohet sa i përket furnizimit të konsumatorëve dhe industrisë”, tha kjo ministri.
    Katër ditë më parë, NIS-i dorëzoi në administratën amerikane në Uashington një kërkesë të re për shtyrjen e zbatimit të sanksioneve.
    Që nga paralajmërimi për sanksione ndaj NIS-it në fund të vitit të kaluar e deri më tash, sanksionet ndaj kompanisë janë shtyrë gjatë herë, nga një muaj secilën herë, dhe më pas në fund të shtatorit u shtyn për dhjetë ditë të tjera.
    Shtetet e Bashkuara e futën NIS-in në listën e sanksioneve në janar, me qëllim, siç njoftoi, Uashingtoni parandalimin e financimit të luftës në Ukrainë përmes parave që vijnë nga kompanitë ruse të energjisë.
    Që nga futja në listë të sanksioneve, struktura e pronësisë së NIS-it ka ndryshuar disa herë, por pjesa e saj më e madhe është ende në pronësi të kompanive ruse.
    Kompania shtetërore ruse, Gazprom, është larguar prej NIS-it në shtator dhe një tjetër kompani e kontrolluar nga Gazpromi – Inteligjenca prej Shën Petersburgut – është bërë njëra prej pronareve kryesore, me 11.3 për qind të aksioneve.
    Pjesën më të madhe të aksioneve në NIS e ka Gazprom Neft, nëndegë e Gazpromit, diku rreth 44.9 për qind, ndërsa shteti i Serbisë i zotëron 29.9 për qind të aksioneve.
    Pjesën tjetër të aksioneve në kompani e kanë hisedarë më të vegjël.

  • Vuçiq: “Të gjithë po përgatiten për luftë”, akuza dhe tensione për situatën në Ballkan

    Vuçiq: “Të gjithë po përgatiten për luftë”, akuza dhe tensione për situatën në Ballkan

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi të premten se “të gjithë po përgatiten për luftë” dhe se Kosova po përdor “kohën para luftës” për të fituar mbështetje nga shumica e shteteve evropiane dhe vendet anëtare të NATO-s në favor të Prishtinës.
    Këto komente ai i bëri gjatë një prononcimi pas një pyetjeje për thirrjen e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, drejtuar Evropës për të ndaluar “taktikat agresive dhe destabilizuese” të Serbisë ndaj fqinjëve të saj. Në kontekstin e Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Kopenhagë, Vuçiq paralajmëroi se “bota po bëhet gjithnjë e më e vështirë” dhe shprehu shqetësimin se po afrohet një konflikt i madh.“E dimë se do të ketë luftë, dhe do të ketë, po e them me përgjegjësi, sepse shoh se si po përgatiten të gjithë. Askush nuk po përgatitet për bisedime, po shikojnë se kush do të jetë në anën e kujt. Ata po bëjnë llogore dhe po presin fillimin,” deklaroi Vuçiq.

    Megjithatë, presidenti serb nuk ofroi prova për pretendimet e tij, duke shtuar se Serbia do të bëjë çmos për t’u përjashtuar nga një konflikt i tillë.Në anën tjetër, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në fillim të samitit në Danimarkë, i cilësoi Rusinë një kërcënim për Evropën, ndërsa Serbinë e përmendi si kërcënim për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, duke e akuzuar Beogradin për kopjimin e veprimeve të Moskës.Osmani i bëri thirrje Bashkimit Evropian që “të mos shpërblejë” Serbinë dhe paralajmëroi se pa ndikim perëndimor në rajon, “forcat malinje të ‘Trekëndëshit të Ligësisë’ – Rusia, Kina dhe Irani – do të ndërhyjnë jo për bamirësi, por për interesa strategjike dashakeqe”.

    Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë e përparimit të procesit të zgjerimit të BE-së me Ballkanin Perëndimor, duke nënvizuar nevojën që vendet e rajonit që plotësojnë kriteret dhe respektojnë vlerat evropiane të vazhdojnë rrugën e tyre drejt anëtarësimit.

    Gjatë një vizite në Shtetet e Bashkuara javën e kaluar, Osmani theksoi edhe një herë se Beogradi përbën një kërcënim të vazhdueshëm për Kosovën. Në një intervistë për Fox News, ajo vuri në dukje se Serbia “herë pas here shkakton probleme” dhe vlerësoi rolin e administratës së presidentit Donald Trump në parandalimin e përshkallëzimit të tensioneve në rajon.Muajt e fundit, presidenti Trump ka deklaruar disa herë se ka ndihmuar në frenimin e përshkallëzimit mes Kosovës dhe Serbisë.

  • Vuçiq pretendon se ‘të gjithë po përgatiten për luftë’

    Vuçiq pretendon se ‘të gjithë po përgatiten për luftë’

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të premten se ‘të gjithë po përgatiten për luftë’ dhe se Kosova po ‘përpiqet ta përdorë këtë kohë para luftës’ për t’i bindur shumicën e shteteve evropiane dhe vendet e NATO-s t’ia mbajnë anën Prishtinës.

    Vuçiq i bëri këto komente pasi u pyet nga një gazetar për thirrjen e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, që Evropa t’i parandalojë taktikat agresive dhe destabilizuese të Serbisë ndaj fqinjëve të saj.

    Duke folur për Samitin e Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Kopenhagë, Vuçiq tha se ‘bota do të bëhet gjithnjë e më e vështirë’ dhe se ai ‘mendon se po shkojmë drejt një konflikti të madh’.

    ‘E dimë tashmë se do të ketë luftë, dhe do të ketë, po jua them unë, sepse e shoh çfarë po ndodh dhe si po përgatiten të gjithë. Askush nuk po përgatitet për bisedimet, ata thjesht po shikojnë se kush do të jetë në anën e kujt. Ata po gërmojnë llogoret e tyre dhe po e presin fillimin’, tha Vuçiq

    Vuçiq nuk dha asnjë provë për t’i mbështetur pretendimet e tij se do të ketë luftë.

    Ai shtoi se Serbia do të ‘bëjë çmos’ për të mos marrë pjesë në atë luftë.

    Në fillim të samitit të Komunitetit Politik Evropian në Danimarkë të enjten, presidentja e Kosovës Osmani tha për gazetarët se Rusia paraqet kërcënim për Evropën, ndërkaq Serbia për rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke e akuzuar Beogradin se i kopjon veprimet e Moskës.

    Osmani i bëri thirrje Bashkimit Evropian që ‘të mos e shpërblejë’ Serbinë.

    Ajo tha se, nëse nuk ka ndikim perëndimor në Ballkan, ‘forcat malinje të ‘Trekëndëshit të Ligësisë’ – pra Rusia, Kina dhe Irani – gjithmonë vijnë aty jo për bamirësi, por kanë interesa dashakeq strategjikë’.

    ‘Prandaj është e rëndësishme që zgjerimi të shtyhet përpara dhe Ballkani Perëndimor, ato shtete të rajonit që i plotësojnë kriteret dhe punojnë me vlerat e BE-së, duhet të merren parasysh që të lëvizin përpara’, tha ajo.

    Ndërkohë, gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara javën e kaluar, Osmani tha se Beogradi paraqet kërcënim të vazhdueshëm për Prishtinën.

    E pyetur në një intervistë për Fox Neës, nëse Kosova dhe Serbia ishin buzë një konflikti në qershor, Osmani tha se fqinjit verior të Kosovës i ‘pëlqen të shkaktojë probleme herë pas here’.

    Ajo theksoi se administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka bërë punë të mirë në parandalimin e përshkallëzimit të situatës mes Kosovës dhe Serbisë.

    Muajt e fundit, presidenti Trump disa herë ka deklaruar se ka parandaluar një përshkallëzim mes Kosovës dhe Serbisë. /REL