Tag: vuçiq

  • Vuçiç pret nënshkrimin e një kontrate afatshkurtër për furnizim me gaz rus

    Vuçiç pret nënshkrimin e një kontrate afatshkurtër për furnizim me gaz rus

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se Serbia nuk do të ketë probleme me furnizimin me gaz, pasi pret nënshkrimin e një kontrate afatshkurtër me Rusinë për furnizim me këtë burim energjie.

    “Presim së shpejti nënshkrimin e një kontrate afatshkurtër për furnizimin me gaz me çmime të mira. Në çdo rast, deri në verë nuk do të kemi asnjë problem me gazin dhe ky është një lajm i mirë për qytetarët”, tha Vuçiq më 4 dhjetor për televizionin serb, Pink.

    Serbia varet nga importi i gazit rus. Kontrata për furnizimin me gaz ka skaduar në maj dhe ende nuk është nënshkruar një kontratë e re.

    Vuçiq shtoi se është lajm i mirë edhe fakti që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë zgjatur licencën për kompaninë ruse, Lukoil, deri më 26 prill të vitit të ardhshëm.

    “Lukoil në Serbi ka 112 pika karburanti dhe do të mund të funksionojë me derivatet e naftës të importuara”, tha Vuçiq.

    Ndërkaq, SHBA-ja nga 9 tetori ka vendosur sanksione ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS) për shkak se shumica e aksioneve janë në duart e rusëve.

    Si pasojë e mungesës së naftës së papërpunuar, që vjen për shkak të sanksioneve amerikane, rafineria e NIS-it në Pançevë pezulloi punën më 2 dhjetor.

    Duke komentuar mundësinë që SHBA të vendosë sanksione dytësore ndaj Bankës Popullore të Serbisë dhe bankave tregtare nëse kryhen transaksione me NIS-in, Vuçiq tha se për një kohë do të ketë transaksione, gjë që përbën rrezik për Serbinë.

    “Logjika amerikane është t’i çojë deri në fund interesat e veta, pa marrë parasysh çmimin që do të paguajë Serbia, ndërsa ajo ruse është po ashtu t’i çojë të vetat deri në fund… Ne nuk jemi të detyruar të vuajmë për shkak të marrëdhënieve të tyre”, tha ai.

    Vuçiq shtoi se është krenar për shtetin e tij, sepse, siç tha ai, nuk ka pasur probleme me furnizimin me derivatet e naftës, edhe pse për 55 ditë asnjë pikë naftë nuk ka shkuar në Serbi përmes naftësjellësit dhe rafineria në Pançevë është e mbyllur.

    “Kemi mijëra probleme teknike, por duhet të jem krenar për njerëzit që punojnë shumë. Kemi mbushur të gjitha rezervat dhe dikush ka pasur nevojë ta paguajë këtë. Inflacionin e kemi ulur në 2.7 për qind në nëntor. Po hyjmë në kornizat që kemi dëshiruar. Kemi arritur t’i rrisim pensionet ndjeshëm”, tha Vuçiq.

    Ai përsëriti se Serbia deri më 15 janar nuk do të ketë aspak probleme me furnizimin me derivatet e naftës, por pas kësaj periudhe situata mbetet e pasigurt.

    “Jam i sigurt se rusët, në bisedë me partnerët, do të bien dakord për transferimin e pronësisë në NIS në përputhje me sanksionet amerikane”, tha Vuçiq.

    Sipas tij, si pasojë e sanksioneve ndaj NIS-it, Serbia do të ketë rritje ekonomike më të ngadalësuar, gjë që nënkupton rritje më të vogël të pagave dhe pensioneve, nëse sanksionet nuk hiqen.

    Qëllimi i sanksioneve të SHBA-së të drejtuara ndaj sektorit energjetik rus, të cilat kanë prekur kompaninë më të madhe të naftës në Serbi, është të pamundësojë që Rusia të vazhdojë financimin e pushtimit të Ukrainës.

    Sanksionet ndaj NIS-it më parë ishin shtyrë tetë herë./ REL/ 

  • Vuçiq: Nga e marta, rafineria e NIS-it nuk do të funksionojë më

    Vuçiq: Nga e marta, rafineria e NIS-it nuk do të funksionojë më

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi më 30 nëntor se nga e marta rafineria e Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS) në Pançevë nuk do të funksionojë më dhe se Serbia do të duhet të “gjejë mënyra të ndryshme për të menaxhuar” situatën, raporton Beta.

    Vuçiq u tha qytetarëve se duhet të jenë të qetë, sepse shteti do të ketë “mjaft zgjidhje dhe mjaft para”.

    Ai paralajmëroi se sot do të përpiqet të zhvillojë bisedime shtesë me amerikanët, por se nuk beson që ata do ta ndryshojnë vendimin. Vuçiq tha tashmë nuk pret që do të marrë licencë nga SHBA-ja dhe se rafineria duhet të mbyllet të martën.

    Gjithashtu, ai tha se nesër ka një takim të rëndësishëm në të cilin duhet të adresohen këto probleme dhe se Serbinë e pret “një betejë e vështirë”.

    Vuçiq tha për TV Informer se “nuk e kupton logjikën dhe taktikën” e SHBA-së lidhur me NIS-in, as pse kësaj kompanie nuk i zgjatet leja e punës, megjithëse shteti serb ka dhënë garanci se deri në afatin e vendosur nga SHBA-ja do të ndryshohet pronësia në atë kompani, e cila është nën sanksionet amerikane për shkak të pronësisë ruse.

    Serbia më herët kishte kërkuar nga Shtetet e Bashkuara që të miratojnë licencën e punës për NIS-in, ndërkohë që po zhvillohen negociatat për ndryshimin e pronësisë në këtë ndërmarrje që është nën sanksionet e SHBA-së.

    Ai theksoi se i kanë transmetuar SHBA-së se i respektojnë sanksionet e tyre dhe se kanë kuptuar se është e nevojshme të ndryshohet pronësia në NIS, si dhe se kjo do të ndodhë brenda 50 ditësh, dhe se shteti serb jep garanci që kjo do të ndodhë pas skadimit të atij afati.

    Vuçiq u shpreh se nga SHBA-ja u ka thënë që sanksionet i kanë paralajmëruar që para tetë-nëntë muajsh.

    Sanksionet amerikane ndaj NIS-it hynë në fuqi më 9 tetor dhe janë pjesë e një përpjekjeje të administratës amerikane për të penguar Rusinë që të përdorë të ardhurat nga energjia për luftën në Ukrainë. Këto sanksione ishin shtyrë më parë tetë herë.

    Vuçiq përsëriti se Serbia nuk është pronarja kryesore e kompanisë dhe se ajo nuk mund të vendosë në emër të rusëve se çfarë do të bëjë me të.

    Ai kujtoi se Serbia kishte vetëm të drejtën e përparësisë për blerje si aksionere minoritare e NIS-it dhe se e ka hequr dorë nga kjo e drejtë për t’u lënë rusëve mundësinë që ta bëjnë “sipas dëshirës së tyre”, sepse kjo është “e drejtë” kur dikush duhet të shesë nën presion, dhe sanksionet janë vendosur nga jashtë.

    NIS është kryesisht në pronësinë e kompanive ruse, ndërsa Serbia ka 29.87 për qind të aksioneve, dhe pjesa tjetër është në duart e hisedarëve më të vegjël.

    Vuçiq tha se është pothuajse i sigurt se presidenti amerikan, Donald Trump, nuk i di detajet, por se ato i dinë shumë zyrtarë të lartë në Departamentin e Shtetit dhe se kjo dukshëm është politika që ata mbështesin.

    Udhëheqësi serb tha se kishte përpjekur dhe ishte i sigurt se amerikanët do të merrnin një vendim pozitiv pas Ditës së Falënderimeve, e cila ishte të enjten, por kjo nuk ndodhi, dhe tani nuk e pret më këtë.

    “Tani duhet të përgatitemi dhe të bëjmë punën tonë, për të siguruar vendin. Këtu do të na tërheqin të gjithë dhe do të kërkojnë që të jemi në kampin e tyre, askush nuk do të na lejojë të jemi neutralë dhe të merremi me punët tona”, tha Vuçiq.

    Ai shtoi se te rusët “nuk ka shumë nxitim – për ta më e rëndësishme është që pronësia e tyre të qëndrojë sa më gjatë të jetë e mundur” dhe shtoi se Serbia është në “një situatë shumë të vështirë”, por se do ta “zgjidhë problemin”.

    Ai përmendi gjithashtu se Serbia ka një marrëveshje për gaz me Rusinë deri më 1 janar dhe se do të përpiqet të diskutojë edhe një herë për zgjatjen e saj me rusët, “dhe nëse kjo nuk bëhet, do të shkojmë te të tjerët”.

    “Ne do të luftojmë dhe do të përpiqemi të ruajmë aty ku mund marrëdhënie miqësore, dhe aty ku mundet, marrëdhënie partneriteti”, theksoi ai.

    Prej dekadash, Serbia varet nga gazi rus nga i cili siguron më shumë se 80 për qind të nevojave të saj energjetike, por shteti nuk ka një kontratë afatgjatë me Rusinë për furnizim me gaz për këtë energjent, dhe nuk ka një kontratë afatgjatë me Rusinë për furnizimin me gaz. /REL/

  • Vuçiç dhe vëllai i tij në qendër të dyshimeve për korrupsion, akuza se po fshehin komunikimet

    Vuçiç dhe vëllai i tij në qendër të dyshimeve për korrupsion, akuza se po fshehin komunikimet

    Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe vëllai i tij Andrej po dalin sërish në komunikimet e reja SKY, ku dyshohet për korrupsion të nivelit të lartë dhe ndikim mbi drejtësinë në favor të grupeve kriminale. Pakot e SKY-t, të ardhura nga Europol në Serbi, flasin për lidhje mes narko-kartelit të Darko Shariq dhe figurave të pushtetit, ndërsa Ministria e Brendshme e Serbisë po akuzohet se po i fsheh provat dhe nuk po ia dorëzon Prokurorisë për Krim të Organizuar, shkruan radar, transmeton KosovaPress. Ndërkohë, qeveria po nxit ndryshime ligjore që mund ta neutralizojnë këtë prokurori para se të hapet një hetim që mund të prekë vetë vëllezërit Vuciq.

    Presioni i pushtetit mbi Prokurorinë për Krim të Organizuar (TOK) në Serbi ka arritur pikën kritike, ndërsa paralelisht me fushatën mediatike kundër saj, po përgatitet edhe ndërhyrja institucionale për t’ia hequr pavarësinë dhe për ta nënshtruar nën Prokurorinë e Lartë të Beogradit.

    Një nga arsyet kryesore për përshpejtimin e këtij procesi është një pako e re komunikimesh të platformës SKY, e ardhur në Ministrinë e Brendshme të Serbisë nga Europol–dokumente që, sipas burimeve të Radar, përmbajnë dyshime për korrupsion të nivelit të lartë dhe përmendin drejtpërdrejt presidentin Aleksandar Vuçiq dhe vëllain e tij, Andrej Vuçiq.

    Ajo që konsiderohet edhe më problematike është fakti që Ministria e Brendshme e Serbisë ende nuk ia ka dorëzuar këtë pako Prokurorisë për Krim të Organizuar, gjë që ka ngritur dyshime mbi tentativën për ta mbajtur informacionin jashtë sistemit të drejtësisë.

    Sipas dokumenteve të deritanishme të rrjedhura, të cilat tashmë janë pjesë e procedurave gjyqësore në vende të ndryshme të rajonit, në komunikimet SKY të grupeve kriminale serbe përmenden, Aleksandar Vuçiq me nofkën “Oskar”, vëllai i tij Andrej Vuçiq, ish-ministri i brendshëm Nebojsha Stefanoviq (“Edo”) si dhe zyrtari i BIA-s serbe Marko Parezanoviq (“Markus”).

    Burime nga hetimet tregojnë se në bisedat e grupit të Darko Shariqit përcillet ideja se “vendimet gjyqësore mund të ndikohen vetëm përmes Oskarit”, ndërsa në komunikime flitet për takim në BIA ku kanë marrë pjesë persona nga struktura të larta të drejtësisë dhe të zbulimit.

    Vëllai i të burgosurit Darko Shariq, Dushko Shariq, në një mesazh të 26 majit 2020, shkruan:

    “E vetmja rrugë reale është përmes Markusit drejt Oskarit. Vetëm ai mund ta zgjidhë këtë punë… Kushdo tjetër nuk mundet”, duke iu referuar kështu Aleksandar Vuciqit me nofkën tashmë të njohur për publikun, Oskar.

    Në një komunikim tjetër, i publikuar nga media malazeze Vijesti, krimineli i dyshuar Petar Lazoviq flet drejtpërdrejt për Vuçiqin me sharje dhe më pas, në mënyrë indikative, disa prej dëshirave të tyre—përfshirë rrëzimin e dënimeve të Shariqit- realizohen në gjykatat serbe.

    Dokumentet e reja të SKY-t, të cilat Ministria e Brendshme e Serbisë për momentin nuk po i dorëzon TOK-ut, lidhen me korrupsion të nivelit të lartë dhe përdorim të institucioneve shtetërore për mbrojtjen e rrjeteve kriminale. Sipas burimeve, komunikimet e reja e përmendin sërish emrin e Aleksandar dhe Andrej Vuçiq, duke krijuar presion të jashtëzakonshëm mbi strukturat e drejtësisë në vend.

    Një sërë vendimesh të gjykatave—rrëzimi i dënimeve të mëparshme të Shariqit, heqja nga rasti e gjyqtarit Milimir Lukiq, si dhe lirimi i kriminelit nga burgu në arrest shtëpie—po shihen nga ekspertët e drejtësisë si të sinkronizuara me interesat e rrjetit kriminal dhe një pjesë të pushtetit politik.

    Burimet brenda Prokurorisë dhe policisë pohojnë se ekziston frikë reale se TOK-u mund të marrë masa ndaj figurave të larta, nëse pakoja e re e SKY-t përfshihet në hetime. Pikërisht për këtë arsye, pushteti ka nisur procedurat për ndryshimin e ligjit, me synim transformimin e TOK-ut në një departament të zakonshëm nën Prokurorinë e Lartë të Beogradit. Nëse kjo ndodh, sipas ekspertëve, çdo hetim që prek figurat e larta politike—përfshirë vëllezërit Vuçiq – mund të ndalet përpara se të fillojë./ Kosova Press.

  • SHBA godet përfundimisht industrinë serbe të naftës, Vuçiq: Rafineria mbyllet në fundjavë

    SHBA godet përfundimisht industrinë serbe të naftës, Vuçiq: Rafineria mbyllet në fundjavë

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha sot se shteti nuk ka marrë sinjal nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës lidhur me çështjen e Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), dhe se rafineria do të mbyllet të shtunën ose të dielën.

    “Ne të shtunën ose të dielën dalim nga ‘ecja e qetë’. Atëherë, me shumë gjasë, rafineria duhet të mbyllet. Nuk kemi marrë sinjal nga SHBA-ja se do të marrim licencën për të rinisur prodhimin e derivateve të naftës. Por çfarë të bëjmë”, tha udhëheqësi serb në një paraqitje të përbashkët me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban.

    Ai tha se, bazuar në informacionet që disponon Beogradi, OFAC ishte në pritje të miratonte dhënien e licencës, por vendimi ende po pritet nga Departamenti i Shtetit, raporton nova.rs.
    Ende nuk ka një vendim. Kjo na vë në një pozitë të vështirë. Jemi të përgatitur. Qytetarët nuk duhet të shqetësohen as për ngrohjen, as për energjinë elektrike, as për pikat e karburantit. U kemi thënë që të na japin kohë që t’i japim kohë pronarit të vërtetë të shesë pronën e tij, dhe keni garancitë tona se gjithçka do të jetë ashtu siç keni kërkuar. Nëse kjo nuk ju mjafton, atëherë kam frikë se pas gjithë kësaj fshihen gjëra të tjera”, deklaroi Vuçiq.

    Ky i fundit kujtoi se sot është dita e pesëdhjetë që asnjë litër nafte nuk ka kaluar nëpër naftësjellësin e Janaf-it, por se askush në Serbi nuk ka ndier apo parë asnjë problem.

    Ndryshe, NIS u vendos në listën e sanksioneve të SHBA-së më 10 janar për shkak të të ashtuquajturit “rrezik dytësor”, pra pronësisë me shumicë ruse.
    Sanksionet e SHBA-së synojnë, ndër të tjera, parandalimin e financimit të luftës në Ukrainë, përmes parave që vijnë nga kompanitë ruse të energjisë.

  • Vuçiç kërkon boshllëqe në politikën gjermane

    Vuçiç kërkon boshllëqe në politikën gjermane

    Gjatë viteve të sundimit të Aleksandar Vuçiqit, lloje të ndryshme kritikash të politikës gjermane ndaj Serbisë ishin të rezervuara për shtypin tabloid në Serbi. Gjatë qeverisjes së Angela Merkelit, këto ishin kryesisht kritika për rolin e Gjermanisënë shpërbërjen e Jugosllavisë, por marrëdhëniet aktuale u paraqitën kryesisht në një dritë pozitive. Kjo ishte një periudhë kur afërsia me ish-kancelaren u paraqit si një sukses i politikës së mençur të Vuçiqit.

    Megjithatë, pas disa cikleve ndryshimesh në qeverinë gjermane, tone shumë më të ashpra erdhën nga Berlini në lidhje me shkatërrimin praktik të rendit demokratik në Serbi.

    Një kthesë e madhe erdhi pas zgjedhjeve serbe të vitit 2023, kur Vuçiq akuzoi një vend të rëndësishëm për ndërhyrje brutale në zgjedhje. Me këtë rast, ai foli edhe për një letër – e cila nuk u botua kurrë. Supozohej se bëhej fjalë për Gjermaninë, dhe ky ishte një sinjal për tabloidët e regjimit për të intensifikuar fushatën anti-gjermane, e cila vazhdon edhe sot e kësaj dite.

    Përveç akuzave në gazeta për të kaluarën e supozuar naziste të disa zyrtarëve gjermanë, kulmi erdhi së fundmi gjatë një vizite të parlamentarëve gjermanë në Parlamentin serb. Përveç akuzës së përsëritur edhe një herë për sjelljen agresive të Gjermanisë ndaj Serbisë, deputetët e qeverisë ishin veçanërisht të pakënaqur me vlerësimet e mungesës së lirisë së medias në Serbi, si dhe me vërejtjen se nuk mund të flitet për barazi, kur të dhënat tregojnë se Aleksandar Vuçiq është shfaqur në stacione të ndryshme televizive 350 herë këtë vit.

    Kërkimi i armiqve të rinj

    Kemi të bëjmë me kalimin  nga miqësia ekonomike me Gjermaninë në marrëdhënie armiqësore, tha për DW Naim Leo Beshiri, drejtor i Institutit për Çështje Evropiane: “Duhet theksuar se udhëheqja serbe vazhdon të thotë se këto janë marrëdhënie të shkëlqyera, por është e qartë se Vuçiq duhet të tregojë dhëmbët në frontin e brendshëm dhe të dërgojë një mesazh se nuk do të lejojë askënd ta kritikojë. Nga ana tjetër, është gjithashtu një sinjal për Gjermaninë se presidenti serb, së bashku me ata që flasin me emocione, do të sulmojnë këdo që është në kërkim të armiqve të rinj”, thotë Beshiri.

    Ky është vetëm një tregues i mungesës së ndonjë strategjie të politikës së jashtme që është “reduktuar në manipulimin e politikës së përditshme”, shton Beshiri. “Në praktikë, kjo do të thotë që nga njëra anë blini aeroplanë, nga ana tjetër jepni disa burime, ose tashmë bëni disa lëshime të tjera, dhe politika e jashtme është reduktuar kështu në ruajtjen e pushtetit”, thekson bashkëbiseduesi ynë.

    Nervozizëm në rritje i autoriteteve

    Ndryshimi i qeverisë në Gjermani, si dhe kryengritja studentore dhe qytetare, së cilës iu kushtua vëmendje e madhe edhe nga media gjermane, kanë çuar në nervozizëm të autoriteteve, thekson për DW Çedomir Qupiq, një profesor në pension në Fakultetin e Shkencave Politike:

    “Mënyra se si parlamentarët gjermanë u fyen dhe u pritën në Serbi është politikë e Aleksandar Vuçiqit. Ata nuk duhej ta kishin bërë kurrë pa bekimin e tij, dhe pastaj ai, nga ana tjetër, vjen si një lloj pajtuesi që thotë se nuk pajtohet me të dhe se është një lloj fluturimi solo. Këta njerëz erdhën këtu sepse Serbia është një vend që dëshiron të bashkohet me Bashkimin Evropian dhe është normale që ata të kenë disa kundërshtime”, vëren profesori Çupiq.

    Ai beson se qeveria serbe nuk mendon se ky lloj qëndrimi ndaj një vendi shumë të rëndësishëm është produktiv, por shton se “kemi të bëjmë me autoritete që shohin fundin e tyre dhe tani po përdorin represionin. Në këtë luftë për pushtet, Vuçiq tani po kërkon mbështetje nga parti të tjera, për shembull në Amerikë, sepse shpesh dëgjohet se Amerika është në një lloj konflikti me Evropën dhe BE-në. Por, kjo është gjithashtu një politikë sipërfaqësore e autoriteteve serbe”, vlerëson Çupiq.

    Gjermania (nuk) hesht

    Publiku serb është kryesisht i bindur se Gjermania po tregohet shumë e butë ndaj regjimit të Aleksandar Vuçiqit për shkak të litiumit. Ky këndvështrim ka qarkulluar në opozitë për një kohë të gjatë, por Naim Leo Beshiri nuk mendon se gjuha që vjen nga Gjermania është e butë: “Ekziston një pritje në opinion që retorika duhet të jetë më e ashpër, por mendoj se kjo nuk është realiste. Nuk mund të presim që askush në BE të ndryshojë qeverinë këtu. Vuçiq ka bërë gjithçka për të diskredituar publikun vendas dhe ndërkombëtar. U premtua anëtarësimi në BE dhe lufta kundër korrupsionit, dhe në vend të kësaj morëm lidhje midis qeverisë dhe krimit të organizuar. Është e vërtetë që nënshkrimi i marrëveshjes me Scholzpër lëndët e para vitin e kaluar erdhi në kohën e gabuar, por nuk mund të thuhet se Gjermania hesht për momentin për shkak të kësaj. Politikanë nga Gjermaniagjithashtu kontribuan në kritikat që u përfshinë në raportin e Komisionit Evropian”, thotë Beširi për DW.

    Vuçiq teston kufijtë

    Një incident veçanërisht i çuditshëm në parlamentin serb ndodhi në një takim të parlamentarëve gjermanë me grupin parlamentar të miqësisë me Gjermaninë. Në vend të toneve miqësore, të pranishmit thonë se gjithçka përfundoi me ndërprerjen e takimit dhe me sharje.

    Çedomir Çupiq beson se ky është “thjesht një skandal i qëllimshëm për ta bërë Vuçiqintë kontrollojë se si do të reagojë Gjermania dhe politikanët e saj. Ai kështu po kërkon disa boshllëqe në politikën gjermane, duke luajtur me kartën e përçarjeve partiake atje, por mua më duket se ai nuk e kupton se në atë kulturë politike, edhe ata që mund të mos jenë aktualisht në pushtet respektohen. Kështu, një njeri i vogël me pak mundësi imagjinon të sjellë trazira në jetën politike gjermane”, vëren profesor Çupiq.

    Disiplinimi i ambasadorëve të huaj

    Padyshim, Vuçiq u lëndua veçanërisht nga e vërteta e rreth 350 paraqitjeve të tij publike në media, e cila është regjistruar qartë në raportin e Komisionit Evropian, i cili thotë se Vuçiq, në kundërshtim me ligjin, po e mbyt peizazhin mediatik në Serbi. Po kryhet një propagandë e tmerrshme kundër të gjithë kritikëve dhe kundërshtarëve të regjimit, “me qëllim që të mbytet çdo mendim për rrezikimin e qeverisë në zgjedhje të drejta dhe të lira”.

    Disiplinimi i gjithçkaje në vend tani ka çuar në faktin se kur dikush nga Gjermania e sheh atë si problem, ke një reagim që shërben edhe si një mënyrë për të disiplinuar ambasadat e huaja, thotë Beshiri. “Vuçiq ia ka dalë mbanë në këtë, sepse ambasadorët në Beograd tani kanë frikë të shprehin kundërshtimet e tyre publikisht. Ai gjithashtu u ka dërguar një sinjal kryeqyteteve perëndimore që të mos i dërgojnë dikë që është shumë i zhurmshëm, por ata që do të thonë diçka me droje pas dyerve të mbyllura”, përfundon drejtori i Institutit për Çështjet Evropiane për DW.

  • “Jemi në situatë të vështirë”, Vuçiç: Edhe katër ditë deri në ndërprerjen e punës në rafinerinë e NIS-it

    “Jemi në situatë të vështirë”, Vuçiç: Edhe katër ditë deri në ndërprerjen e punës në rafinerinë e NIS-it

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 25 nëntor se Serbia ka edhe katër ditë deri në ndalimin e plotë të punës së rafinerisë nëse Shtetet e Bashkuara nuk e aprovojnë licencën e punës për Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS).
    “Rafineria e NIS-it po funksionon, ende nuk është fikur”, tha Vuçiq.
    Më 18 nëntor, NIS-i kërkoi nga SHBA-ja një licencë të posaçme për të vazhduar punën gjatë kohës sa zgjasin negociatat mes aksionarëve dhe palëve të interesuara për ndryshimin e strukturës së pronësisë të kompanisë.
    Vuçiq tha se pritej që Serbia ta merrte këtë licencë, “por ka edhe gjëra të tjera që ata [SHBA] duhet t’i dëgjojnë dhe t’i shohin” që të miratojnë licencën.
    Ai tha se në rast të ndërprerjes të punës së rafinerisë duhen 20 ditë për ta vënë atë sërish në funksion.
    “Kemi bërë gjithçka që na kanë thënë miqtë rusë dhe jemi dërguar në një situatë shumë të vështirë”, tha Vuçiq.
    “Na kanë mbetur edhe sot e nesër për të marrë licencën”, shtoi ai.
    Presidenti serb tha se ka pasur zëra në Qeveri se duhet të bëhet nacionalizimi i NIS-it, por propozimi i tij, i cili është miratuar, ishte që të jepen edhe 50 ditë kohë për të gjetur një blerës të ri për NIS-in.
    Ai tha se me ndërprerjen e punës së rafinerisë do të “vihej në rrezik funksionimi i sistemit shëndetësor, ndihmës së shpejtë”, si dhe furnizimi i zinxhirëve tregtarë dhe funksionimi i sistemit të transportit.
    Vuçiq tha gjithashtu se Banka Popullore e Serbisë ka marrë paralajmërime, ashtu si edhe bankat komerciale në Serbi, për sanksione dytësore për shkak të bashkëpunimit me NIS-in.
    “Po i vëmë në rrezik edhe bankat komerciale edhe Bankën Popullore. Unë personalisht kam marr garanci verbale nga amerikanët se nuk do të ketë sanksione të tilla për bankat”, tha ai.
    Vuçiq kishte deklaruar më herët gjatë nëntorit se pronarët rusë po negociojnë për shitjen e aksioneve të tyre në NIS me tre partnerë, por nuk kishte treguar se për kë bëhej fjalë.
    Sanksionet amerikane ndaj NIS-it hynë në fuqi më 9 tetor, si përpjekje e administratës amerikane për t’i pamundësuar Rusisë që të përdorë të ardhurat nga energjia për luftën në Ukrainë. Këto sanksione më parë ishin shtyrë tetë herë.
    Shteti i Serbisë në vitin 2008 ia shiti 51 për qind të aksioneve të NIS-it kompanisë shtetërore ruse Gazprom Neft për 400 milionë euro, pa tender.
    Ndërkohë, struktura pronësore e NIS-it është ndryshuar disa herë, por ajo vazhdon të jetë shumicë në duart e kompanive ruse, ndërsa Serbia ka 29.87 për qind të aksioneve.
    NIS është e vetmja kompani në Serbi që merret me kërkimin, prodhimin dhe përpunimin e naftës, si dhe prodhimin e gazit natyror.
    Serbia është i vetmi vend në Evropë, së bashku me Bjellorusinë, që nuk i është bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës fqinje./REL

  • Vuçiç: Edhe katër ditë deri në ndërprerjen e punës në rafinerinë e NIS-it

    Vuçiç: Edhe katër ditë deri në ndërprerjen e punës në rafinerinë e NIS-it

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 25 nëntor se Serbia ka edhe katër ditë deri në ndalimin e plotë të punës së rafinerisë nëse Shtetet e Bashkuara nuk e aprovojnë licencën e punës për Industrinë e Naftës së Serbisë (NIS).

    “Rafineria e NIS-it po funksionon, ende nuk është fikur”, tha Vuçiq.

    Më 18 nëntor, NIS-i kërkoi nga SHBA-ja një licencë të posaçme për të vazhduar punën gjatë kohës sa zgjasin negociatat mes aksionarëve dhe palëve të interesuara për ndryshimin e strukturës së pronësisë të kompanisë.

    Vuçiq tha se pritej që Serbia ta merrte këtë licencë, “por ka edhe gjëra të tjera që ata [SHBA] duhet t’i dëgjojnë dhe t’i shohin” që të miratojnë licencën.

    Ai tha se në rast të ndërprerjes të punës së rafinerisë duhen 20 ditë për ta vënë atë sërish në funksion.

    “Kemi bërë gjithçka që na kanë thënë miqtë rusë dhe jemi dërguar në një situatë shumë të vështirë”, tha Vuçiq.

    “Na kanë mbetur edhe sot e nesër për të marrë licencën”, shtoi ai.

    Presidenti serb tha se ka pasur zëra në Qeveri se duhet të bëhet nacionalizimi i NIS-it, por propozimi i tij, i cili është miratuar, ishte që të jepen edhe 50 ditë kohë për të gjetur një blerës të ri për NIS-in.

    Ai tha se me ndërprerjen e punës së rafinerisë do të “vihej në rrezik funksionimi i sistemit shëndetësor, ndihmës së shpejtë”, si dhe furnizimi i zinxhirëve tregtarë dhe funksionimi i sistemit të transportit.

    Vuçiq tha gjithashtu se Banka Popullore e Serbisë ka marrë paralajmërime, ashtu si edhe bankat komerciale në Serbi, për sanksione dytësore për shkak të bashkëpunimit me NIS-in.

    “Po i vëmë në rrezik edhe bankat komerciale edhe Bankën Popullore. Unë personalisht kam marr garanci verbale nga amerikanët se nuk do të ketë sanksione të tilla për bankat”, tha ai.

    Vuçiq kishte deklaruar më herët gjatë nëntorit se pronarët rusë po negociojnë për shitjen e aksioneve të tyre në NIS me tre partnerë, por nuk kishte treguar se për kë bëhej fjalë.

    Sanksionet amerikane ndaj NIS-it hynë në fuqi më 9 tetor, si përpjekje e administratës amerikane për t’i pamundësuar Rusisë që të përdorë të ardhurat nga energjia për luftën në Ukrainë. Këto sanksione më parë ishin shtyrë tetë herë.

    Shteti i Serbisë në vitin 2008 ia shiti 51 për qind të aksioneve të NIS-it kompanisë shtetërore ruse Gazprom Neft për 400 milionë euro, pa tender.

    Ndërkohë, struktura pronësore e NIS-it është ndryshuar disa herë, por ajo vazhdon të jetë shumicë në duart e kompanive ruse, ndërsa Serbia ka 29.87 për qind të aksioneve.

    NIS është e vetmja kompani në Serbi që merret me kërkimin, prodhimin dhe përpunimin e naftës, si dhe prodhimin e gazit natyror.

    Serbia është i vetmi vend në Evropë, së bashku me Bjellorusinë, që nuk i është bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës fqinje./ REL/ 

  • Rusia i kërkon Vuçiçit t’i shpjegojë deklaratat për shitjen e municionit

    Rusia i kërkon Vuçiçit t’i shpjegojë deklaratat për shitjen e municionit

    Rusia i ka kërkuar të premten Beogradit sqarime në lidhje me deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për mundësinë e shitjes së municionit Bashkimit Evropian, pas shqetësimeve në Moskë se ai mund të përfundojnë në Ukrainë.
    Në një intervistë rishtazi për revistën gjermane Cicero, Vuçiq u citua të ketë thënë se Serbia ishte e gatshme t’u shiste municion partnerëve evropianë, edhe nëse armët do të përfundonin në Ukrainë.
    Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha në konferencën e rregullt për media se Serbia e ka siguruar disa herë Rusinë se municioni i saj nuk do të përfundojë në duart e Ukrainës.

    “Prandaj komentet e Vuçiqit kërkojnë një shpjegim zyrtar nga Beogradi”, tha Zakharova të premten në Moskë.
    “Blerësit le të bëjnë me mallin çfarë të duan”, kishte thënë Vuçiq në intervistën për Cicero më 30 tetor.
    Të premten, sekretarja shtetërore e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë, Nevena Jovanoviq, tha se Serbia nuk furnizon me armatim dhe pajisje ushtarake palët që janë në luftë askund në botë.
    Duke iu përgjigjur Moskës, ajo theksoi se Beogradi respekton rreptësishtë rregullat dhe normat ndërkombëtare dhe ato të Kombeve të Bashkuara.
    Ajo shtoi se Ministria e Punëve të Jashtme është e habitur nga komentet e Zakharovës lidhur me këtë çështje.
    “Dëshirojmë të theksojmë se Serbia është shtet sovran dhe i pavarur, i cili vendimet i merr vetëm në përputhje me interesat e veta kombëtare. Nga përfaqësuesit e vendeve mike presim respektimin e këtij fakti”, deklaroi Jovanoviq.
    Ajo kujtoi gjithashtu se Serbia është i vetmi vend në Evropë jashtë Komunitetit të Shteteve të Pavarura – një organizatë që përfshin disa shtete ish-sovjetike – që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë.
    “Vlen të kujtohet se vendi ynë nuk ka hapur asnjë kapitull të ri në procesin e anëtarësimit në BE që nga dhjetori 2021, edhe pse ka mundur ta bëjë këtë. Është mjaft domethënëse, dhe sigurisht jo rastësi, që kjo datë përkon me fillimin e luftës në Ukrainë”, përfundoi Jovanoviq, duke shtuar se Serbia do të vazhdojë ta udhëheqë politikën e saj sipas interesave të veta.
    Gazeta Ukrainska Pravda, pas intervistës së Vuçiqit për Cicero, raportoi se depot e municionit në Serbi janë të mbushura, veçanërisht me granata mortajash.
    “Serbia është e gatshme t’u ofrojë miqve në Evropë gjithçka që ka dhe kjo është një kontribut i jashtëzakonshëm për sigurinë evropiane”, tha Vuçiq sipas Ciceros.
    Ai shtoi se Serbia është plotësisht e përgatitur të bashkëpunojë me BE-në në çështjet ushtarake dhe se pret përgjigjet nga vendet evropiane për propozimin e saj.
    Pas këtyre deklarimeve reagoi edhe Dmitri Peskov, zëdhënësi i presidentit të Rusisë Vladimir Putin, i cili tha se Rusia e kupton “presionin e jashtëzakonshëm” që po ushtrohet ndaj Serbisë dhe çështjen e eksportit të armëve serbe e përshkroi si “çështje aspak të thjeshtë”.
    Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme i Rusisë (SVR) kishte deklaruar në qershor se kompanitë serbe kanë rritur furnizimet indirekte të armëve për Ukrainën përmes vendeve të BE-së, si Çekia dhe Bullgaria.
    Në të njëjtën kohë, Beogradi njoftoi se kishte pezulluar eksportin e municionit, armatimit dhe pajisjeve ushtarake të prodhuara në Serbi, pas kritikave nga Moska dhe gjatë konfliktit izraelito-iranian.
    Vuçiq deklaroi më 23 qershor se municioni, deri në njoftimin e radhës, do t’u shpërndahej vetëm njësive ushtarake brenda vendit dhe konfirmoi gjithashtu se Serbia i kishte shitur municion Izraelit pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023.
    Ministria e Mbrojtjes së Serbisë dhe Ministria e Tregtisë së Brendshme dhe të Jashtme nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë, të dërguara më 6 nëntor, nëse që nga 23 qershori e deri më sot janë eksportuar armë ose pajisje ushtarake nga Serbia.
    Beogradi ka mohuar vazhdimisht se Serbia eksporton drejtpërdrejt armatim në Ukrainë ose Rusi, dhe ka deklaruar se nuk mund të ndikojë nëse armët serbe, pasi shiten në vende të treta, përfundojnë në frontin ukrainas.
    Nuk dihet saktësisht se sa eksporton Serbia, pasi raportet e Ministrisë së Tregtisë nuk janë publikuar prej vitesh. Raporti i fundit i tillë, sipas kërkimit të portaleve zyrtare, është publikuar për vitin 2022.
    Në atë dokument thuhet se gjatë periudhës 2005–2022, vlera totale e licencave të realizuara për eksport të mallrave me përdorim të dyfishtë ka qenë 77.97 milionë dollarë./rel

  • Analiza e REL/ Rruga politike e Serbisë pas një viti protestash antiqeveritare

    Analiza e REL/ Rruga politike e Serbisë pas një viti protestash antiqeveritare

    Zgjedhje të parakohshme, kjo është kërkesa e mijëra protestuesve antiqeveritarë që demonstrojnë në rrugët e Serbisë. Pushteti lë hapësirë për zgjedhje para afatit, por refuzon t’i shpallë ato.
    Kjo është pamja politike e Serbisë, një vit pas fillimit të protestave më masive në historinë e saj të re. Historiani Dragan Popoviq e përshkruan atmosferën si “referendum”.
    Në njërën anë është pushteti, i mishëruar në liderin populist Aleksandar Vuçiq, ndërsa përballë tij janë forcat antiqeveritare, të udhëhequra nga lëvizja protestuese studentore.
    Tensionet janë shtuar, dhe pushteti, siç thekson Popoviq, i është përgjigjur protestave me represion ndaj protesutesve.
    “Pamja e Serbisë sot është pamja e një shoqërie të shkatërruar, e institucioneve të shkatërruara dhe e një sistemi politik të rrënuar”, vlerëson ai për Radion Evropa e Lirë (REL).
    Serinë si “shoqëri të polarizuar” e përshkruan edhe Parlamenti Evropian.
    Në një rezolutë të PE-së, udhëheqja shtetërore e Serbisë konsiderohet përgjegjëse për përshkallëzimin e represionit, normalizimin e dhunës dhe dobësimin e institucioneve demokratike.
    Qytetarët, të udhëhequr nga studentët, nuk heqin dorë nga protestat.
    “Veprimi politik nuk është më çështje e elitës politike, por e të gjithë njerëzve. Kam përshtypjen se protestat janë bërë popullore, se njerëzit duan të identifikohen me lëvizjen”, thekson për Radion Evropa e Lirë, studentja Isidora Majkiq nga Fakulteti i Matematikës në Beograd.
    “Goditje e rëndë për regjimin”
    Pas një viti protestash, skena politike mbetet e paqartë.
    Përveç datës së zgjedhjeve, nuk dihet as kush do të marrë pjesë në to, e as rezultati nuk është i parashikueshëm – ndryshe nga disa cikle të mëparshme zgjedhore.
    Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, Partia Progresive Serbe (SNS) dhe aleatët e tij kanë udhëhequr me shtetin për 13 vjet.
    Ndërsa Vuçiq dhe SNS-ja kanë forcuar pushtetin, Serbia, sipas vlerësimeve të organizatave ndërkombëtare, ka rënë në renditjet që matin situatën e të drejtave të njeriut, të lirive dhe nivelin e korrupsionit.
    Pikërisht akuzat për korrupsion sistematik janë në qendër të protestave, të cilat shpërthyen pas rrëzimit të një strehe prej betoni në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona dhe një u plagos rëndë.
    “Kjo ka qenë një goditje për regjimin nga e cila vështirë se mund të rikuperohet – vetëm mbetet të shihet sa do të zgjasë rënia”, thotë Popoviq.
    Vuçiqin ai e përshkruan si “një lider autoritar që mbyt proceset demokratike”.
    Organizata ndërkombëtare Freedom House jep vlerësime disi më të buta, por e rendit Serbinë në mesin e vendeve pjesërisht të lira.
    Sipas indeksit të kësaj organizate, Serbia në vitin 2025 ka shënuar rënie më të madhe nga të gjitha vendet evropiane, sa i përket lirive.
    Nga Presidenca, Qeveria e Serbisë dhe SNS-ja nuk janë përgjigjur në pyetjet e REL-it lidhur me zgjedhjet e parakohshme dhe akuzat për represion e rrënim të demokracisë.
    “Kërkesat e protestave përmbushen me pikatore”
    Këto nuk janë protestat e para që kanë tronditur regjimin e Vuçiqit.
    Por, janë më të mëdhatë dhe më jetëgjatat deri më tani.
    “Nuk do të thosha që rrëzimi i çatisë ishte pika që e mbushi kupën, por ne u përfshimë në momentin kur ndjemë se ishim të aftë të vepronim drejtpërdrejt”, thotë studentja Anja Despotoviq, që studion në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike në Beograd.
    Valët e bllokadave studentore nisën në Fakultetin e Arteve Dramatike, ku studentët dhe profesorët u sulmuan teksa po nderonin viktimat e tragjedisë së Novi Sadit.
    Protesta u përhap si një ortek në pothuajse të gjitha universitetet publike në Serbi.
    Nga fakultetet e bllokuara, studentët dolën në rrugë, ku u bashkuan me qytetarë të pakënaqur. Ata paraqitën kërkesa për publikimin e dokumenteve që do të ndriçonin shkaqet e aksidentit dhe mundësinë që ngjarja të kishte të bënte me korrupsion.
    Rikonstruksioni i stacionit hekurudhor ishte pjesë e një projekti kyç shtetëror – hekurudha e shpejtë nga Beogradi deri në kufirin me Hungarinë, ku kompanitë kineze kishin rolin kryesor.
    Studentët refuzuan t’i drejtoheshin presidentit serb Vuçiq, duke i thënë se “nuk është kompetent”.
    “Ne u përpoqëm të mos biem në narrativat e politikanëve të tjerë, sepse ne nuk jemi politikanë”, thekson Anja Despotoviq.
    Vuçiç, megjithatë, u përgjigj.
    Në fillim të vitit ai pretendoi se kërkesat ishin plotësuar, duke i ftuar studentët të ktheheshin në mësim.
    Studentët i përgjigjën se kërkesat e tyre nuk ishin përmbushur.
    “I kanë përmbushur me pikatore, aq sa u ka leverdisur dhe sa nuk i rrezikonte. Ishte një shfaqje për publikun”, thotë Anja Despotoviq..
    “Ne si lëvizje në një moment u pjekëm politikisht për të thënë nuk do t’i përmbushin kërkesat. Sepse nuk mund t’i përmbushin dhe të qëndrojnë në pushtet njëkohësisht,” shton Isidora Majkiq.
    Që nga maji, përveç kërkesës për përgjegjësi penale për aksidentin që nxiti protestat, demonstruesit kërkojnë edhe përgjegjësi politike: dorëheqje dhe shpallje zgjedhjesh.
    “Vuçiq, largohu” është bërë një nga parullat më të zakonshme në rrugë.
    Ndërkohë, Vuçiq i quan demonstruesit “bllokues”, duke theksuar se “rruga nuk do ta qeverisë Serbinë”.
    Në rrugë janë shfaqur mbledhje spontane qytetarësh, pa simbole partiake, që bëjnë thirrje për protesta në komunitetet lokale.
    Vetëm nga shkurti deri në fund të shtatorit 2025, në Serbi janë mbajtur më shumë se 10.700 tubime në mbi 630 vendbanime. REL/

  • A po hakmerret Vuçiq ndaj Erdoganit përmes Malit të Zi?

    A po hakmerret Vuçiq ndaj Erdoganit përmes Malit të Zi?

    Vala e fundit e dhunës në Mal të Zi, e drejtuar kundër popullsisë turke, ngre pyetje të thella rreth shkaqeve dhe sfondit të vërtetë të ngjarjeve që tronditën këtë vend.

    Edhe pse incidentet ndodhën zyrtarisht pas një goditjeje të vetme me thikë, një sërë rrethanash tregojnë se pas shpërthimit të urrejtjes nuk qëndron vetëm një reagim spontan i qytetarëve, por një fushatë shumë më e gjerë, e organizuar dhe e motivuar politikisht, e cila mund të interpretohet edhe si një mesazh drejtuar Ankarasë, i dërguar nga Beogradi dhe potencialisht nga Rusia, shkruan klix.ba.

    Siç kujton mediumi në fjalë, e gjitha filloi më 25 tetor, kur një burrë u godit me thikë në lagjen Zabjelo të Podgoricës.

    Shpejt u njoftua se të dyshuarit ishin shtetas të Turqisë dhe Azerbajxhanit.

    Edhe pse motivi i sulmit nuk u përcaktua kurrë qartë, lajmi ishte i mjaftueshëm “për të ndezur fuçinë e barutit”.

    Rrugët shpejt u mbushën me grupe të rinjsh që bërtisnin “Vriteni turkun”, duke i vënë flakën restoranteve në pronësi të turqve dhe duke vandalizuar makina me targa turke.

    Ajo që është veçanërisht shqetësuese është se dhuna dukej e orkestruar, jo spontane, pretendon klix.ba.

    Sipas tij, videot që qarkullonin në mediat sociale tregonin grupe të organizuara me slogane të përgatitura, ndërsa në të njëjtën kohë, në disa media filluan të përhapeshin histori rreth “kërcënimit turk” dhe “bandave të huaja”.

    Policia malazeze, thekson mediumi në fjalë, në vend që t’i mbronte me vendosmëri të sulmuarit, ndaloi deri në 45 qytetarë turq, ndërsa kryeministri Milojko Spajiq njoftoi fillimisht mundësinë e heqjes së regjimit pa viza me Turqinë, një masë që shumë e shohin si një lëshim simbolik ndaj qarqeve më ekstreme të shoqërisë, dhe më pas ky njoftim u bë realitet, domethënë, Mali i Zi hoqi regjimin pa viza me Turqinë.

    Presidenti Jakov Milatoviq bëri thirrje për qetësi dhe paralajmëroi se “nuk duhet të ketë faj kolektiv”, por dëmi ishte bërë tashmë.

    Mesazhi se turqit mund të demonizohen dhe shteti nuk do të reagojë në mënyrë efektive, u dërgua qartë.

    Shumë besojnë se incidenti nuk është një rast i izoluar

    Mediumi nga Bosnja vë në pah se shumë besojnë se incidenti i Podgoricës nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një fushate më të gjerë në të cilën intoleranca etnike përdoret për qëllime politike.

    Në një shoqëri ku jetojnë rreth 13,000 turq, disa media pro-ruse dhe pro-serbe në Mal të Zi kanë përhapur sistematikisht narrativa rreth “kolonizimit turk” dhe “ndikimit të ri osman” në muajt e fundit, thekson ky medium.

    Narativa të tilla, sipas burimeve pranë komunitetit malazez të sigurisë, dhe të përmendura nga portali malazez CdM, vijnë nga të njëjtat qendra që kanë mbajtur lidhje me Beogradin dhe strukturat e tij të inteligjencës për vite me radhë.

    Dhe ndërsa autoritetet në Beograd kanë heshtur zyrtarisht, fakti është se incidentet në Mal të Zi ndodhën menjëherë pasi marrëdhëniet midis presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe udhëheqësit turk Rexhep Tajip Erdogan u ftohën papritur.

    Vuçiq dhe Erdogan kanë ndërtuar një marrëdhënie të bazuar në projekte ekonomike dhe infrastrukturore me vlerë miliarda euro për vite me radhë.

    Kompanitë turke janë përfshirë në rindërtimin e rrugëve, investime në energji dhe turizëm, dhe Beogradi e ka quajtur Ankaranë një “faktor kyç stabiliteti”.

    Megjithatë, ndryshimet filluan këtë vjeshtë, kur Turqia nënshkroi një marrëveshje të re për bashkëpunim ushtarak me Kosovën, duke përfshirë shitjen dhe dhurimin e dronëve luftarakë.

    Vuçiq më pas akuzoi Ankaranë për “destabilizim të rajonit” dhe “shkelje të ligjit ndërkombëtar”.

    Kjo ishte një kthesë e hapur, nga retorika e miqësisë në armiqësi të hapur.

    Që atëherë, në një numër mediash që mbështesnin regjimin e Vuçiqit, filluan të shfaqen teoritë rreth një “depërtimi turk” dhe “rrezikut të islamizimit të Ballkanit”.

    Këto mesazhe shpejt gjetën jehonën e tyre në Mal të Zi, ku strukturat pro-serbe në qeveri dhe shoqëri tradicionalisht reagojnë ndaj impulseve politike nga Beogradi.

    Mesazhi i Vuçiqit drejtuar Ankarasë nëpërmjet Podgoricës

    Duke i ditur këto fakte, e gjithë kjo mund të lexohet si një formë e sofistikuar e mesazhit gjeopolitik, hakmarrje ndaj Ankarasë për armatosjen e Kosovës, vlerëson klix.ba, përcjell Telegrafi.

    Sipas kësaj logjike, thekson ai, Vuçiq po e përdor Malin e Zi si një terren të ndërmjetëm për një demonstrim fuqie, duke i dërguar një sinjal Erdoganit se Serbia ka instrumente destabilizimi në fqinjësinë e saj të afërt.

    Sipas tij, Mali i Zi është, për më tepër, një terren ideal stërvitjeje për operacione të tilla duke shtuar se shoqëria është thellësisht e ndarë, qeveria e Milojko Spajiçit është politikisht e brishtë dhe varet nga partitë që janë hapur pro-serbe, dhe strukturat e sigurisë janë ende nën ndikimin e fortë të kuadrove pranë Beogradit.

    Prandaj është e kuptueshme që teza se incidentet në Podgoricë janë një “operacion BIA” i planifikuar me kujdes, i projektuar për të mbjellë frikë politike, për të disiplinuar kryeministrin Spajiq dhe për ta paralajmëruar atë për atë që mund të ndodhë nëse ai përpiqet të largojë partnerët e Vuçiqit nga qeveria, dëgjohet gjithnjë e më shumë në publik.

    Është pikërisht kjo dobësi e qeverisë malazeze që e bën atë të përshtatshme për manipulim nga jashtë. Rastësisht, koalicioni qeverisës në Mal të Zi përbëhet nga parti me interesa shumë të ndryshme, përfshirë ato që ndikohen drejtpërdrejt nga Beogradi, shkruan më tej klix.ba, përcjell Telegrafi.

    Ndërsa kryeministri Spajiq këmbëngul në rrugën evropiane, partnerët e tij të koalicionit nga partitë pro-serbe shpesh sabotojnë lëvizjet pro-perëndimore të qeverisë, duke ruajtur lidhjet me strukturat serbe dhe ruse, gjë që vlen veçanërisht për Andrija Mandiq, Kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi.

    Në një konstelacion të tillë, çdo krizë, si ajo në Zabjelo, mund të përdoret si mjet për shantazh dhe presion.

    Vuçiq “midis Tel Avivit dhe Ankarasë”

    Se Beogradi po largohet gjithnjë e më shumë nga Ankaraja dhe po i afrohet Izraelit dhe aleatëve të tij autoritarë është bërë e qartë edhe më herët, vë në pah klix.ba.

    Ndërsa akuzonte Turqinë për “destabilizim të Ballkanit”, Serbia ishte në të njëjtën kohë midis vendeve të rralla evropiane që vazhduan t’i shesin armë Izraelit gjatë luftës në Gaza.

    Vuçiq ka theksuar vazhdimisht se është krenar që tregton me Izraelin, një vend që ai e quan vëllazëror, edhe pse bashkësia ndërkombëtare e ka etiketuar pikërisht atë vend përgjegjës për vrasjen masive të civilëve.

    Në këtë kontekst, sulmi ndaj Turqisë, qoftë verbal apo përmes fushatave të orkestruara të intolerancës, bëhet pjesë e një strategjie më të gjerë për të ripozicionuar Serbinë në rendin e ri global, në anën e aleatëve autoritarë.

    Është shqetësuese që slogane që kujtojnë momentet më të errëta në historinë evropiane u dëgjuan gjatë dhunës në Podgoricë.

    Britmat “Vrite turkun” dhe sulmet ndaj pronës së njerëzve thjesht për shkak të origjinës së tyre evokojnë imazhe që tashmë i kanë kushtuar shtrenjtë Ballkanit.

    Reagimi i qeverisë është i ngadaltë dhe jo mjaftueshëm vendimtar. Në vend të dënimit të qartë dhe mbrojtjes së viktimave, shteti ka zgjedhur masa populiste dhe retorikën e “qetësimit të tensioneve”, që në praktikë do të thotë miratim i heshtur i urrejtjes.

    Ajo që i tremb më shumë qytetarët e Malit të Zi tani është pyetja, nëse autorët ia mbathën pa pasoja pothuajse fare, a do të kenë edhe më shumë hapësirë nesër?

    Nëse incidentet në Podgoricë shihen në një kontekst më të gjerë, duket se mesazhi i tyre shkon përtej kufijve të vetë Malit të Zi. Ai drejtohet drejt Ankarasë, por edhe drejt qendrave të tjera. Kjo tregon se Beogradi ende ka mekanizma për të destabilizuar vendet në rajon sa herë që e konsideron të përshtatshme politikisht.

    Në të njëjtën kohë, është edhe një paralajmërim për qeverinë malazeze se nëse kundërshton interesat e Beogradit, mund të presë fushata mediatike, bllokada institucionale, por edhe kaos në rrugë.