Thellohet skandali zgjedhor në Fier që implikon zv/kryeministren Belinda Balluku. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, njëherazi Drejtuesi Politik i qarkut Fier Gazment Bardhi, ka publikuar dje të tjera pamje nga kamerat e QV në qarkun Fier, ku tregohet sesi komisionerë, vëzhgues dhe patronazhistë të Partisë Socialiste votojnë në emër të qytetarëve apo kontrollojnë në dhomën e fshehtë sesi votojnë qytetarët. Bardhi në një reagim në rrjetet sociale shprehet se deri më tani askush nuk e ka vënë ujin në zjarr për vjedhjen më të madhe në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri dhe gjasat duken që nuk do ta vënë as në të ardhmen, duke provuar fatkeqësisht edhe një herë se Edi Rama, Belinda Balluku dhe banditët e tyre elektoralë vepruan me syshkeljen e task forcës për krimet zgjedhore. “EPISODI 9 / VOTIM I KONTROLLUAR = FARSË ELEKTORALE.
Janë të pafundme rastet konkrete me zë dhe figurë që dëshmojnë zëvendësimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në qarkun Fier me farsën elektorale të 11 majit të dirigjuar nga Belinda Balluku dhe banda e saj elektorale. Pamjet e mëposhtme i përkasin qendrave të votimit 2846, bashkia Divjakë dhe 2867, bashkia Lushnjë, në të cilat shfaqen komisionerë dhe vëzhgues patronazhistë që orientojnë qytetarët si të votojnë, ushtrojnë presion apo edhe votojnë ndaj tyre, me qëllim që “produkti” i farsës elektorale të jetë 100% i kontrolluar. Deri më tani kemi publikuar me qindra raste të shkeljes së fshehtësisë së votimit, votimit më shumë se një herë dhe presionit ndaj votuesve, të provuara nga pamjet filmike të vëna në dispozicion zyrtarisht nga KQZ, të cilat mund të administrohen lehtësisht nga Prokuroria. Por, deri më tani askush nuk e ka vënë ujin në zjarr për vjedhjen më të madhe në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri dhe gjasat duken që nuk do ta vënë as në të ardhmen, duke provuar fatkeqësisht edhe një herë se Edi Rama, Belinda Balluku dhe banditët e tyre elektoralë vepruan me syshkeljen e task forcës për krimet zgjedhore”, shkroi dje Bardhi.
Belinda Balluku nuk pyet për standardet ndërkombëtare e ligj
Më herët kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka publikuar gjetjet dhe përfundimet paraprake te Misionit OSBE-ODIHR, i cili thotë se përdorimi i rrjetit të patronazhistëve bie ndesh me standartet ndërkombëtare. Duke ju referuar Qarkut Fier, Bardhi thekson se të dhënat paraqesin faktet se si Belinda Balluku përdori administratën shtetërore si një rrjet kriminal patronazhimi. “Në deklaratën e gjetjeve dhe përfundimeve paraprake të Misionit të OSBE-ODIHR evidentohet se përdorimi i rrjetit të patronazhimit bie ndesh me standardet ndërkombëtare. Por, në qarkun e Fierit, Belinda Balluku nuk pyet as për standardet ndërkombëtare e as për ligjin. Të dhënat më poshtë paraqesin faktet se si Belinda Balluku përdori administratën shtetërore si një rrjet kriminal patronazhimi. Vetëm për një Rajon në qytetin e Fierit përdori si terroristë elektoral plot 430 punonjës të administratës publike, që kishin përgjegjësinë të gjurmonin jetën e qytetarëve, të ofronin favore shtetërore në këmbim të votës apo të intimidonin qytetarët me keqpërdorimin e forcës së shtetit. Detyra e tyre ishte të mblidhnin vota për partinë në pushtet duke keqpërdorur funksionin publik. Përdorimi i administratës shtetërore në zgjedhje është krim elektoral, por që mbetet i pandëshkuar sepse Task Forca PP-SPAK-KQZ ishte alibia e pushtetit dhe jo mekanizmi për të garantuar zbatimin e ligjit”, shkroi Bardhi në rrjetet sociale.