Këshilltari i opozitës në Bashkinë Vlorë, Atird Hoxha është shprehur në një reagim në rrjetet sociale se Vlora sot është bërë simboli i korrupsionit dhe zhvatjes së qytetarëve.
Hoxha në postimin e tij, ka listuar dhe disa nga aferat që sipas tij kanë pasur përfitime marramendëse për klientët e pushtetit dhe kosto kolosale për qytetarët.
Ai shton më tej se Vlora po grabitet në çdo drejtim dhe se pasuritë publike po kthehen në fitime private. Hoxha thekson se Vlora ka nevojë për përfaqësim të ndershëm, dhe për njerëz që jetojnë çdo ditë me problemet e Vlorës, dhe jo sipas tij për klientë të qeverisë që shfaqen vetëm për të marrë.
Postimi i plotë:
Vlora sot është bërë simbol i korrupsionit dhe zhvatjes së qytetarëve nga qeveria Rama&Balluku.
Aferë pas afere, përfitime marramendëse për klientët e pushtetit, kosto kolosale për qytetarët dhe tjetërsim brutal i pasurive publike të Vlorës.
Tuneli i Llogarasë, 50 milionë euro nga xhepat e qytetarëve
Një aferë e pastër korrupsioni.
Kosto të fryra, procedura të manipuluara dhe ministre e pandehur. Përfitimet për pak njerëz, fatura për qytetarët.
Porti i Vlorës, 18 pallate për klientët e qeverisë
Porti ekzistues iu dhurua Manes dhe Çeles për të ndërtuar kulla e pallate me fitime miliarda euro.
Interesi publik? I zhdukur.
Qyteti humbi portin, klientët dhe qeveritarët fituan pasuritë.
Porti i Triportit, 60 milionë euro për njerëzit e Salillarit
Koncesion i dhënë përmes një personi formal, punonjës i kompanisë së Salillarit.
Projekti që duhet të ndihmonte qytetin, nuk punohet ose punohet pak, qëllimi është të kthehet në burim fitimi për një grusht klientësh.
TEC-et lundruese “Tigri 1” dhe “Tigri 3”
Afer e rëndë energjetike:
• 90 mijë euro në ditë pagesë
• Deri tani rreth 140 milionë euro kosto
• Prodhim minimal dhe i pavlefshëm
U shit si “shpëtim kombëtar”, doli mashtrim financiar.
Aeroporti i Vlorës, 750 milionë euro përfitime për koncesionarët, rrezik për buxhetin
Aeroporti duhet të hapet 1 marsin e ardhshëm, por është ende larg përfundimit. Ndërkohë, shteti garanton fitimin e kompanisë.
Për 10 vitet e para, nëse kompanitë e Pacollit dhe Ademit nuk fitojnë sa duhen, diferencën e paguajnë shqiptarët. Pa folur për kontratat publike dhe ato jo publike që rrezikojnë seriozisht funksionimin e aeroportit.
Landfilli i Sherishtës, 20 milionë euro për Zoton & Mërtirin, zero efikasitet
Teknologji jo funksionale, impakt i rëndë në mjedis dhe rezultat i dështuar.
Edhe një skemë tjetër ku humbet qytetari dhe fiton korrupsioni.
Aferat e reja në zhvillim
860 hektarë kullota në Kaninë, tjetërsim për parqe fotovoltaike në duart e klientëve të qeverisë.
Kompleksi “Flamurtari”, 60 mijë m² terren sportiv i kthyer në kulla 40-katëshe.
Pas projektit qëndrojnë publikisht interesat e administratorit të Flamurtari FC, Sinan Idrizi.
Fusha e Shkollës së Marinës, 20 mijë m² tokë publike planifikohet për komplekse banimi e hoteliere nga Bledar Sinani, ose siç njihet ndryshe (“Dari i APEX-it”).
Prej më shumë se 2 vitesh kjo zonë është shndërruar në parkim privat, nëpërmjet rryshfeteve në bashki e ministri.
Gabinat e Plazhit të Vjetër, tjetërsim i hapësirave publike për kulla private të Eduart Frangajt & Co.
Orikum, Pashaliman, 25 hektarë tokë shtetërore për “Meta Resort Albania” të italianit Dante Mazzitelli, personazh i hetuar në shtetin fqinj dhe për më tepër në një zonë të mbrojtur me ligj.
Vlora po grabitet në çdo drejtim. Pasuritë publike po kthehen në fitime private.
Unë besoj se Vlora ka nevojë për përfaqësim të ndershëm, të vendosur dhe me rrënjë në këtë qytet. Ka nevojë për zë të fortë, jo për zëra të blerë.
Ka nevojë për njerëz që jetojnë çdo ditë me problemet e Vlorës, jo për klientë të qeverisë që shfaqen vetëm për të marrë. Ky model duhet të marrë fund.