Nga 1 tetori, pensionistët shqiptarë do të përfitojnë një rritje mesatare prej 3.1% të pensioneve të tyre, sipas ekspertit të ekonomisë Mario Brakaj. Indeksimi i ri i pensioneve pasqyron inflacionin e çmimeve të ushqimeve dhe pijes dhe prek mbi 730,000 të moshuar në të gjithë vendin. Pensionistët urbanë do të marrin rreth 617 lekë më shumë, ndërsa ata ruralë rreth 374 lekë në muaj, shuma që do të shkojë kryesisht për ushqim dhe ilaçe. Brakaj thekson gjatë një interviste për “A2 CNN” se ndryshimi është më i dukshëm në zonat urbane, por për të gjithë të moshuarit përfaqëson një ndihmë të rëndësishme në buxhetin familjar. Kujtojmë se ky indeksim që pritet të aplikohet në vjeshtë është pjesë e politikave për të përmirësuar standardin e jetesës së pensionistëve, ndërkohë që më poshtë po pasqyrojmë intervistën e Z. Brakaj.
-Pyetja që ngrihet natyrshëm është sa më shumë para do të marrin të moshuarit shqiptarë në pensionet e tyre. Gushti po i lë vendin vjeshtës dhe në tryezat e Ministrisë së Ekonomisë dhe Institutit të Sigurimeve Shoqërore po bëhen kalkulimet e fundit. Çdo shifër që shtohet nuk është thjesht statistikë, por përkthehet në buxhet familjar, në shpenzime për ilaçe apo ushqime. Vendimi i radhës për indeksimin e pensioneve pritet të japë përgjigje për mbi 700.000 qytetarë që presin me vëmendje se çfarë do të ndryshojë nga muaji tetor dhe pyetja më e rëndësishme është se sa do të rriten këto pensione. Përgjigjen për këtë pyetje dhe shumë të tjera na e kthen Mario Brakaj në studio. Mario, të përshëndes. Faleminderit që je në studio. E nisim pikërisht me këtë pyetje të parë. Sa do të rriten këto pensione?
Ja, i bëjmë bashkë llogaritë duke nisur nga inflacioni tek ushqimet dhe tek pijet. Sepse siç e dimë, indeksimi i pensioneve, që tashmë ndodh prej 1 tetorit (i katërti vit do të jetë 2025, përpara kemi pasur prej 1 prillit), bëhet mbi bazën e ecurisë së inflacionit, pra mbi bazën e ecurisë së rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe të pijeve. Dhe ne deri tani, bazuar te të dhënat nga Instituti i Statistikave, kemi një inflacion mesatar 3.1%. Pra kemi nisur me inflacion 2.5%, 2.6% në janar, 2.8% në shkurt, 3% në mars. Ka pasur një trajektore rritëse, sepse kur kemi prodhim vendas, sigurisht që inflacioni bie disi, dhe në periudhat kur nuk kemi prodhim vendas, shkojmë në import dhe rrjedhimisht çmimi i atij produktit është më i lartë. Kështu që me inflacion 3.1%, kjo do të thotë që të moshuarit, ata që jetojnë në fshat, ata që jetojnë në qytet, pensionet e tyre nga 1 tetori do të rriten me mesatarisht 3.1%.
-Le të ndalemi tek ajo përqindje, por për të bërë një diferencë midis asaj se çfarë do të thotë 3.1% që të rriten pensionet në fshat dhe 3.1% në qytet. Në fakt, grafika tjetër do na tregojë edhe se si është kjo në shifra monetare, por kur të flasim për këtë, shohim që bëhet fjalë për një shifër që ha diskutim në momentin që flasim se çfarë mund të bëjnë edhe të moshuarit me të, duke pasur parasysh shpenzimet për ushqim, ilaçe e të tjera shpenzime që mund të kenë?
Po, dhe statistikisht, për kuriozitet, dhënat e këtij viti nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal tregojnë që pensionistët nuk shkojnë për pushime. Vetëm 5% e tyre shkojnë. Kështu që patjetër që këto para do të shkojnë për ato që ti përmende: për ushqim, për pije dhe për ilaçe. Pensioni mesatar urban për vitin 2024, në fund të vitit 2024, ishte 19.609 ALL (rreth 190€ apo 200€ gati me kursin aktual të këmbimit). Ndërkohë që pensioni mesatar rural, aty ku kemi dhe pjesën më të madhe të të moshuarve (pra ata që kanë punuar në ish-kooperativat bujqësore, që kanë punuar në fshat), ishte 11.878 ALL. E thënë me të dhjetëra: 190.609 lekë të vjetra dhe 111.878 lekë të vjetra. Ndërkohë që bazuar tek ajo përllogaritja e inflacionit që bëmë pak më herët, 3.1%, do të thotë që një pensionist në qytet, në zonat urbane, do të marrë 3.1% më tepër, apo në vlerë parash 617 ALL (ose 6170 lekë të vjetra). Ndërkohë që pensionistët në zonat rurale do të marrin 374 ALL (ose 3740 lekë të vjetra). Kështu që vlera pas rritjes e pensionit në zonat urbane shkon në 20.226 ALL, dhe në vlerë në zonat rurale 12.252 ALL (ose 122.520 lekë të vjetra).
-Ndalemi pak se është një shifër interesante. Në fakt, në qoftë se bëjmë një llogari, kjo është një rritje mujore për pensionistët. Në qoftë se bëjmë një llogari me çmimet e tregut, çfarë produktesh mund të blejmë me 617 ALL, se nuk po flasim më në detaje për 374 ALL që është me të vërtetë një shifër e papërfillshme me çmimet e sotme?
4 litra qumësht mund të marrësh me atë vlerë. Sigurisht, duke iu referuar një çmim mesatar të qumështit, sepse edhe aty kategoritë ndryshojnë. Por ajo që duhet thënë është që nëse ne flasim për një vlerë 19.609 ALL për një mesatare, vërtetë në atë mesatare ka nga ata që marrin edhe 130.000 lekë të vjetra, ka nga ata që marrin edhe 280.000 lekë të vjetra. Pra, po flasim gjithmonë me të vjetra. Kështu që ne po flasim vetëm për vlerën mesatare, sepse një pensionist mund të thotë që “unë nuk marr kaq pension”, dhe sigurisht ai ka të drejtë sepse nuk merr aq. Por flasim kjo është rritja mesatare, sepse 617 ALL (që vlen sa 6170 lekë të vjetra) vlen për atë mesatare. Mund të ketë nga ata që rritjen do ta kenë vetëm 400 ALL (pra 4000 lekë të vjetra) rritjen e pensionit të tyre. Ndërkohë që ata që janë në zonat rurale mund ta kenë edhe vetëm 200 ALL (pra 2000 lekë të vjetra) rritjen në 1 tetor.
-Por nëqoftëse flasim që pensioni mesatar rural është 11.878 ALL, cili mund të jetë minimali për të cilin mund të flasim në këto zona, që mund të shkojë rritja edhe vetëm 200 ALL?
Atëherë, për 15 vite pune që parashikon legjislacioni shqiptar, ne duhet të kemi minimumi 15 vite pune për të marrë pension minimal, dhe vlera e të cilit është 9.872 ALL (ose 98.720 lekë të vjetra). Pra, ka nga ata që marrin pak se 100€ në pension, që nëse do t’i ktheheshim atyre premtimeve përpara zgjedhjeve të 11 majit, sigurisht që është një shifër shumë e largët. Madje edhe nga qeveria u premtua që nga viti 2026 pensioni minimal do të jetë 200€, ndërkohë që sot e kemi më pak se 100 euro. Do të shohim se çfarë do të ndodhë në vitin 2026. Dhe nëse shohim grafikisht edhe për llogaritjet, për t’i dhënë përgjigje pyetjes se sa le të themi kjo rritje vlen, do të kuptoni në fakt, ndërkohë që këtu kemi numrin e pensionistëve. …e atyre që do të përfitojnë. 721.398 kanë qenë në vitin 2024. Mbeten për t’u parë se sa do të jetë shifra e vitit 2025, por duke u bazuar te të dhënat nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, kemi shkuar në rreth 10.000 pensionistë më shumë, pra rreth 731.398. Por trajektorja ka qenë nga viti 2020 e deri më tani ka qenë në rritje.