Tag: vjersha

  • Kur Faik Konica shkruante për poezinë e Eqrem Çabejt- ja çka thoshte

    Kur Faik Konica shkruante për poezinë e Eqrem Çabejt- ja çka thoshte

    Faik Konica

    Nga Faik Konica

    VJERSHAT

    Një nga gjërat për t’ardhur çudi dhe keq në Shqipëri të sotme, është numër i math i njerëzve që shkojnë kohën duke shkruar vjersha të gjata, pa frymë dhe pa shie. Është vërtet se s’i bëjnë njeriu dëm; po munt t’a përdorjin kohën e tyre më mirë.

    Për një Gjergj Fishtë dhe për një Andon Chako, që dinë ç’është forma, ç’është ritmi, sa qindëra të terë që nxijnë kartë më kot! Mbaj mënt në kohë të luftës, në Vjenë, një Sulo Be’ Resuli më pruri një vjershë nj’a tetë-qint radhësh ku vajtonte tërmetin e Shkodrës. M’u lut t’a këndoj dhe t’a ndreq. E mbajta një javë: dhe duke shkurtuar këtu, duke shuar atje, duke prerë e duke arnuar, e përmblodha vjershën në nj’a gjashtë dhjet radhë vetëm.

    Kisha bërë fjalë me vjershëtorin t’piqeshim n’odën t’ime një ditë të shënuar. Dr. Omeri dhe Milto Gurra, të cilët kishin vazhduar gjithë ndryshimet, kur panë fytyrën e re të vjershës, qeshnë dhe thanë se auktori nuk do t’a njihte si të tijnë.

    Dëshërojin të ndodheshin në atë kohë që të shikojin si do t’a gëlltitë hapin vjershëtori. Po pijm çaj që të tre, “kur namëta”! u-hap dera dhe hyri Sulo Be’ Resuli. Pas komplimentave të zakonëshme, pyeti për vjershën, dhe unë i dhashë “veprën” e tij dhe shkurtimin që kisha bërë nga ajo.

    E këndoj me habi, u-verdh, u-skuq, kërkoj shpjegime – “shikoni këtu” i thashë: “një fjalë në shkurtimin t’im që nuk ish në vjershën t’uaj; nuk shtova gjësendi, vetëm hoqa ca radhë, u ndrrova vëndin ca të tjerave.

    Me një fjalë e shoshita vjershën, bëra atë punë të mërzitur po të nevojshme të shoshitjes që e bën çdo vjershëtor i mirë po që juve nuk ju pëlqeu t’a bëni”.

    – “S’di, munt të jetë më mirë kështu”, tha Sulo Beu; “po unë nuk i vë dot fre enthuasiasmës: kur mar zjarr, më dalin vjershat posi tym, shkëndija dhe flagë, dhe s’e kam në dorë të qëndroi, t’i zgjedh e t’i gdhënt fjalët”. – “Kuptoj” i thashë; “ju zënë ethet poetike, ju ndizet gjaku, dhe nuk munt të ftoheni para se të mbushni disa fletë kartë me vjersha”. – “Tamam ashtu” tha Sulo Beu.

    – “Mirë” i thashë unë “po ca ditë pasi i keni shkruar, pse mos i mirrni një nga një radhët. Këtë e bën çdo vjershëtor. Dini frengjishten dhe munt të marrim për shëmbëll La Fontaine-n, sa të lehta, sa natyrale duken vjershat e tij! Rrjedhin si nonjë vijë uji në mes të lëndinave. Duket sikur vjershëtori i ka shkrojtur pa pengim e pa mundim.

    Po në vafshim në bibliotekën e Parisit ku ruhen dorëshkrimet e La Fontaine-it, do t’i gjejmë të mbushura me të shuara, me shtime, me ndreqje nga dora e vjershëtorit dhe do të kuptojmë se ato vjersha që na pëlqejnë më tepër për gjuhën e ëmblë të tyre, e kanë vënë vjershëtorin në shumë punë”. 

    Vjershat, që të quhen me të vërtetë, vjersha, duhet të përmbajnë nonjë mendim të bukur, nonjë ndienjë të thellë ose të hollë, – dhe ky mendim, kjo ndjenjë duhet të çfaqet në një formë të mbaruar.  Më zuri njëditëzaj syri një vjershë gjermane me titullin “Das Herz” -“Zëmëra”:

    Zwei Kammern hath das Herz,Drin wohenDie Freud end der Schmerz.Wacht Freude in der einen,So schlummertDer Schmerz still in der seinen.O Freude, habe Acht!Sprich leise,Das nicht der Schmerz erwacht.

    Zëmëra ka dy të ndara.Atje rinëGëzimi dhe Dhëmbja.Kur gëzimi ri zgjuar në njerën,Ahere dremitDhëmbja e qetë në tjatrën.O Gëzim, ki mëndjen!Fol ngadalë;Se mos zgjohet Dhëmbja!

    Herman Neumann

    Ja një vjershë e vërtetë; dhe ndonëse përkthimi do t’a dobtojë shumë, prap bukurija e saj nukë çduket fare.

    Nër Shqiptarët nukë gjenden vjersha me frymë t’atillë. Mue vjershat shqip që më duken më të mbaruara, flas për të rinjtë, janë vjershat satirike, si ato të Ramiz Harxhit që u-kthyen në Shqipëri, të Merko Koronit që rron n’Amerikë, e të disa të tjerëve.

    Ato vjeresha kanë një kripë, një shie të veçantë, se janë thjesht kombëtare duke patur rrënjë të vjetëra në Shqipëri.

    Nga student shqipëtarë jashtë, dua të thom nga ata që kuptojnë mirë vjershëtorët e gjuhëve të huaja, munt të presim me kohë lulzimin e nonjë vjershëzie me frymë të ndryshme. Një student n’ Universitet të Graz-it, n’ Austri, më dërgoj ca kohë më parë vjershën që vazhdon:

    MELANKOLISË

    Kur unj kryet mi tryezë,Del ngadal nga det’ i zëmrës;MadhështoreMbretëreshë, në të zezë,Sy prej sfinxi, shpirt-lëngore,O Melankoli!-E me buzët të përhirë,E të ngurëtën fytyrëÇ’thua? Ç’thua?…Ah, dhe muaNgjeth Drithdire:Sapo mezi vien gëzimi.E ndiek ti si hij e tij,Aq’e qetë,Aq’ e shkretë,O Melankoli!

    Eqerem Çabej

    Kjo vjershë ka disa njolla; po çfaq një dëshirë dhe një kërkim për rithmë të ri që është për të lëvduar.

    *Faik Konica (Marrë nga gazeta “Dielli” e Bostonit, viti 1926)

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    FAIK KONICA: PASHË NJË ËNDËRR QË S’HARROHET…

  • Naimi, rilindasi i madh i kombit

    Naimi, rilindasi i madh i kombit

    Vdiq Naimi, vdiq Naimi/ moj e mjera Shqipëri!/Mendjelarti, zemërtrimi,/vjershëtori si ai! –  kështu do ta vajtonte humbjen poetit tonë kombëtar, Çajupi. Naim Frashëri u nda nga jeta në 20 tetor të vitit 1900, në lagjen “Erenqoj” të Stambollit, ku dhe u varros. Ndërsa eshtrat e tij, janë sjellë në Shqipëri.

    Naim Frashëri u lind më 2 maj 1846 në Frashër, ku kreu mësimet fillore dhe nisi të mësonte persishten pranë teqesë bektashiane. Më 1865 familja u shpërngul në Janinë, ku bashkë me vëllanë më të vogël Samiun, mbaroi gjimnazin grek “Zosimea” (1869). Bëri pastaj pak muaj në Stamboll, si nëpunës i vogël në zyrën e shtypit (1870), po iu shfaq tuberkulozi dhe u kthye në vendlindje për klimë të mirë. Në fillim ishte nëpunës të dhjetash në Berat e më pas, i doganës në Sarandë (1372-77). Në këtë periudhë, Naim Frashëri bëri prova të vjershërimit shqip, nën ndikimin e bejtexhinjve e u dha pas vjershërimit persisht, me sukses, duke botuar më vonë edhe një përmbledhje lirikash “Tejhyjylat” (“Ëndërrimet”, 1885).

    Nën ndikimin e ngjarjeve historike, sidomos të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, njëri nga udhëheqësit e së cilës ishte Abdyli, vëllai i tij më i madh dhe të veprimtarisë kulturore patriotike të Shoqërisë së Stambollit, në krye të së cilës ishte Samiu, Naim Frashëri braktisi vjershërimin persisht dhe iu kushtua letërsisë shqipe. Poema e tij e parë e re, ishte “Shqipëria” (1880, botuar më 1897), që entuziazmoi patriotët shqiptarë. Në Stamboll, Naim Frashëri ka qenë ndër botuesit kryesorë të revistës “Drita”, më pas “Dituria”(1884-85), ku u botuan shumë vjersha të tij, proza dhe vargje për shkollat e para shqipe që do të hapeshin, disa shqipërime të shkrimtarit. Ai shërbente si anëtar i Komisionit të Botimeve pranë Ministrisë së Arsimit, më pas si kryetar.

    Më 1886, Naim Frashëri botoi poemën e tij të famshme “Bagëti e bujqësia”, atë greqisht “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve” (O alithis pothos ton Alvanon) dhe katër libra për shkollat: “Vjersha për mësonjtoret e para”, “E këndimit të çunavet këndonjëtoreja”, (në dy vëllime, me poezi, lexime të ndryshme, njohuri të para shkencore humanitare), si dhe një “Histori të përgjithshme”.

    Më 1888 vijoi me “Dituritë” (ribotuar më 1895 me titullin “Gjithësia”, – shkenca të natyrës). Më 1890 doli përmbledhja e lirikave Lulet e verës, pastaj “Mësimet” (proza patriotike dhe të moralit) dhe “Fjala flutarake” (vjersha) më 1894, së fundi më 1898, poema e madhe epike “Historia e Skënderbeut’ dhe poema fetare “Qerbelaja” etj.

    Naim Frashëri. u shqua për lirikën e tij patriotike me temë aktuale (vjershat “Gjuha shqipe”, “Korçës” 1887 etj.), u këndoi me pasion të rrallë mallit dhe bukurive të atdheut (“Bagëti e bujqësia”) dhe bëri thirrje të fuqishme për çlirimin e tij (krijime të ndryshme, “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve”), si dhe për begatimin e vendit dhe një të ardhme demokratike të tij. Ai i këndoi natyrës, dashurisë (poema “Bukuria”, një ndër kryesoret e tij, 1890), miqësisë, jetës intime (me brengën për të afërmit që bori). Poema “Historia e Skënderbeut”qe një kurorëzim i veprës së tij, “testamenti i tij politik e poetik”, me grishje të hapëta për çlirim nga Turqia. Poema është shkruar sipas traditës së madhe barletiane. Në poemat epike ai u ndikua nga historitë e vjershëruara të Lindjes dhe nga bejtexhinjtë frashëriotë, po duke iu kundërvënë këtyre me shqipen e kulluar apo me shkarkirnin e dogmës fetare (në “Qerbelaja” dhe në veprat e tjera, që i hartoi për afrimin e elementit besimtar në lëvizjen kombëtare).

    Naim Frashëri u shqua edhe për poezinë meditative, nisi në shqipet poezinë filozofike (vjersha “Perëndia”1890). Shkroi dhe proza për të vegjlit dhe bëri disa përshtatje mjeshtërore fabulash të La Fontenit. Botëkuptimi i tij, në thelb ishte panteist e idealist. Me admirimin e madh që kishte për racionalizmin e Dekartit dhe si pasues i shquar i iluministëve francezë Volter, Ruso etj., me besimin e plotë në shkencat dhe në rolin e tyre revolucionar në shoqëri, me demokratizmin e tij dhe antimonarkizmin, besimin në aftësitë e pashtershme të popullit të vet për të qëndruar, për t’u çliruar, për të vajtur përpara me hov, Naim Frashëri u bë një veprimtar revolucionar në tërë fushat, si shkrimtar, njeri i mendimit, njeri politik.