Tag: vizitë

  • Trump i shmanget polemikave të Uashingtonit, “arratiset” në Skoci për golf dhe biznes

    Trump i shmanget polemikave të Uashingtonit, “arratiset” në Skoci për golf dhe biznes

    Presidenti Donald Trump ka nisur një udhëtim pesëditor në Skoci, larg polemikave të shumta që po përballen në Uashington, duke kaluar pjesën më të madhe të kohës në resortet e tij luksoze të golfit.

    Shtëpia e Bardhë e quan këtë vizitë “një vizitë pune”, pasi Trump do të zhvillojë bisedime tregtare me kryetaren e Bashkimit Evropian Ursula von der Leyen dhe do të takohet me kryeministrin britanik Keir Starmer.
    Në këtë vizitë, Trump do të marrë pjesë edhe në ceremoninë e përurimit të një fushe të re golfi në Aberdeenshire, e emëruar në nder të nënës së tij, Mary Anne MacLeod, emigrante nga Skocia.
    Megjithatë, vizita është shoqëruar me protesta dhe kritikë të forta nga banorët dhe politikanët vendas, të cilët e kanë cilësuar Trumpin si një figurë të debatueshme dhe problematike, veçanërisht për ndikimin e tij në pronat lokale dhe politikën ndërkombëtare.
    Siguria gjatë qëndrimit të tij në Skoci është ndër më të fortat që është organizuar ndonjëherë, me pjesëmarrjen e policisë lokale dhe atyre kombëtare.
    Ky udhëtim është një mënyrë për Trump që të largohet nga pyetjet e vazhdueshme për skandalin Jeffrey Epstein dhe krizën politike në SHBA, duke u fokusuar në fushat ku ndihet më rehat: golfin, biznesin familjar dhe marrëdhëniet tregtare.
    Kritikët në Skoci, përfshirë disa grupe demonstruesish dhe parti politike, e konsiderojnë vizitën e tij një “turp” dhe e shprehin shqetësimin për ndikimin e tij në vend.
    Trump ka shprehur optimizëm për një marrëveshje tregtare të rëndësishme me Bashkimin Evropian dhe Mbretërinë e Bashkuar, ndërkohë që intensifikon bisedimet dypalëshe gjatë qëndrimit.

    Top Channel

  • Kinë/ Gjashtë studentë humbin jetën përgjatë një vizite në një minierë bakri

    Kinë/ Gjashtë studentë humbin jetën përgjatë një vizite në një minierë bakri

    Gjashtë studentë janë mbytur përgjatë një vizite të tyre në një minierë bakri dhe molibdeni në veri të Kinës, e cila është pronë e kompanisë Zhongjin Gold, e regjistruar në bursën e Shangait.

    Aksidenti ndodhi kur u shemb një rrjetë mbrojtëse, dhe studentët e Universitetit Northeastern të Shenyang ranë në një rezervuar që përdoret për ndarjen e bakrit.

    Një profesor shoqërues u lëndua gjithashtu në minierë, që ndodhet në rajonin autonom të Mongolisë së Brendshme, sipas njoftimit të Zhongjin Gold, një filial i grupit shtetëror China National Gold Group.

    Një tjetër profesor nga Universiteti Northeastern i Shenyang tha për televizionin HNTV se prej vitesh organizohen ekskursione të tilla mësimore, pa ndodhur ndonjë ngjarje të ngjashme më parë.

    Kompania siguron se përgjegjësit vepruan sipas protokolleve për situata emergjente dhe njoftuan autoritetet përkatëse.

  • Spiropali në Turqi, kryeparlametarja nderon Mustafa Qemal Atatürkun

    Spiropali në Turqi, kryeparlametarja nderon Mustafa Qemal Atatürkun

    Kryetarja e Parlamentit, Elisa Spiropali, ndodhet në Turqi ku ka zhvilluar një vizitë zyrtare. Kjo vizitë erdhi pas festës së homologut të saj turk, Numan Kurtulmus.
    Pas zhvillimit të një konference të përbashkët për shtyp, dy kryeparlamentarët  u ndalën në Anıtkabir, ku vendosën kurora në nderim të Mustafa Qemal Atatürkut.
    Pamjet nga zhvillimi i ceremonisë për vendosjen e kurorave, Spiropali i ndau me ndjekësit të rrjetet sociale.
    ‘Ceremonia e vendosjes së kurorës në Anıtkabir, në nderim të Mustafa Qemal Atatürkut, Atit Themelues të Turqisë moderne dhe Presidentit të parë të Republikës’, shkruan Spiropali në rrjetet sociale.

  • Rama vizitë të papritur në Vlorë, mbërrin me helikopter

    Rama vizitë të papritur në Vlorë, mbërrin me helikopter

    Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një vizitë të papritur këtë të mërkurë në qytetin e Vlorës, vetëm pak orë pasi është kthyer nga një vizitë private në Gjermani.

    Rama mbërriti rreth mesditës me një helikopter ushtarak tip “Cougar”, i cili u ul në ish-fushën e aviacionit pranë qytetit bregdetar.

    Ende nuk ka një njoftim zyrtar për arsyen e vizitës së Ramës në Vlorë, e cila vjen vetëm një javë pasi ai zhvilloi një takim në Bashkinë e qytetit. Në atë takim, Kryeministri kërkoi shkarkimin e të gjithë drejtorëve dhe administratorëve vendorë, duke theksuar nevojën për rifreskimin e stafit dhe përmirësimin e shërbimeve publike për qytetarët.
    Kjo është hera e dytë brenda një jave që Rama ndodhet në Vlorë, çka ka ngritur pikëpyetje mbi zhvillime të mundshme administrative apo politike në nivel lokal.
    /vizionplus.tv
     

  • Rama shkon në Vlorë me helikopter ushtarak, eskorta e shoqëron drejt vilës qeveritare

    Rama shkon në Vlorë me helikopter ushtarak, eskorta e shoqëron drejt vilës qeveritare

    Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sërish një vizitë në qytetin e Vlorës këtë të mërkurë, duke zgjedhur kësaj here një mjet të pazakontë transporti – një helikopter ushtarak tip “Cougar”.
    Zbritja është kryer në ish-fushën e aviacionit, prej nga ku më pas Rama është shoqëruar me eskortë drejt vilës qeveritare. Kjo vizitë vjen pas asaj të datës 3 korrik, kur kryeministri pati një qëndrim kritik ndaj administratës vendore, duke shkaktuar lëvizje dhe reagime në Bashkinë e Vlorës.
    Ende nuk është e qartë nëse vizita e sotme ka një karakter pune, apo nëse Rama ka zgjedhur të kalojë disa ditë pushimi në vilën qeveritare. Zyrtarisht, nuk ka pasur njoftime për ndonjë takim apo aktivitet të planifikuar me autoritetet lokale.
    Burime të ndryshme nuk përjashtojnë mundësinë që kjo vizitë të jetë e lidhur me ndonjë inspektim të befasishëm apo zhvillime të fundit në drejtimin e Bashkisë nga kryebashkiaku Ermal Dredha.

  • Kur dhe kush e pret Trump në Londër në shtator!

    Kur dhe kush e pret Trump në Londër në shtator!

    Pallati Mbretëror Buckingham në Londër ka konfirmuar se presidenti Trump dhe Zonja e Parë Melania do të priten nga Mbreti Charles dhe Mbretëresha në Kështjellën mbretërore në periferi të Londrës, Windsor Castle.

    Vizita e Trump, e dyta e tij si president në dy mandatet e tij, do të ndodhë në mes të shtatorit, ose më saktë nga data 17 deri më 19. Arsyeja e pritjes në këtë kështjellë është për shkak të rinovimeve që bëhen në Pallatin Mbretëror Buckingham në Londër, ashtu siç ndodhi në fakt edhe me pritjen e bërë për presidentin francez Macron.
    Kjo është një vizitë dhe gjest i paprecedentë ndaj një udhëheqësi amerikan nga një monark i njohur, pas vizitës së tij të parë në 2019. Trump ka qenë edhe në 2018 në Kështjellën Windsor, thjesht për çaj me Mbretëreshën e ndjerë Elisabetën e Dytë.
    Detaje të tjera për këtë vizitë pritet të njoftohen eventualisht më pas, por mësohet se ka pak gjasa që presidenti Trump t’i adresohet parlamentit britanik, çka zakonisht është një nder që i bëhet krerëve të shteteve, pasi një numër deputetësh kanë ngritur shqetësime për këtë privilegj.
    Interesant është fakti se Parlamenti nuk do të jetë në seancë në ato ditë që përkojnë me vizitën e Trumpit, apo kjo vizitë është programuar që të shmanget një privilegj i tillë, për të mos krijuar keqkuptime diplomatike, me një president që ka qejf të pëlqehet dhe që i pëlqejnë privilegje të tilla.
    Po ashtu, këtë javë është mësuar se Policia në Skoci është duke planifikuar për një vizitë në verë të presidentit Trump në Skoci, ku ai ka dy klube golfi në pronësi të tij.
    Gjithsesi, shqetësim për vizitën e shtatorit të presidentit Trump mbeten përgatitjet për çështjet e sigurisë. Sa herë që ka ardhur për herë të dytë një president amerikan në Britani, siç ka qenë rasti i Xhorxh Bushit dhe Barak Obamës, kanë qenë vetëm për çaj ose drekë me monarkun britanik.

    Top Channel

  • Rama vizitë në Gjermani, pritet nga Kryeministri i Bavarisë 

    Rama vizitë në Gjermani, pritet nga Kryeministri i Bavarisë 

    Kryeministri Edi Rama ka udhëtuar drejt Gjermanisë, me ftesë të Kryeministrit të Bavarisë, Markus Soder.
    Kreu i qeverisë shqiptare është pritur në Bavari nga z.Soder, të cilin e konsideron mik të shqiptarëve.
    “Të ftuar nga Kryeministri i Bavarisë z.Markus Söder, një mik i çmuar me të cilin kemi ndërtuar marrëdhënien e një partneriteti të posaçëm mes Shqipërisë dhe Bavarisë”, ka shkruar Kryeministri Rama në një postim në rrjetin social Facebook.
    Në këtë vizitë, Kryeministri Edi Rama shoqërohet nga ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, nga ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj dhe drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj.

  • Kryeinspektorja e IKMT vizitë ‘blic’ në Vlorë, verifikon kantieret e ndërtimit dhe lejet për pallate

    Kryeinspektorja e IKMT vizitë ‘blic’ në Vlorë, verifikon kantieret e ndërtimit dhe lejet për pallate

    Kryeinspektorja e përgjithshme e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), Dallandyshe Bici, ka mbërritur sot në qytetin e Vlorës, në kuadër të një aksioni të gjerë monitorimi dhe verifikimi në terren.

    Bici ka zhvilluar inspektime në disa kantierë ndërtimi, me fokus të veçantë te lejet e dhëna për ndërtimin e pallateve shumëkatëshe, si dhe respektimi i kritereve ligjore dhe urbanistike.
    Qëllimi i vizitës është kontrolli mbi ndërtimet që kanë nisur së fundmi apo janë në proces, për të siguruar se ato përmbushin standardet ligjore dhe nuk prekin hapësirat publike apo pronat shtetërore.
    IKMT pritet të përgatisë një raport të detajuar mbi gjetjet në terren, ndërkohë që kryeinspektorja ka paralajmëruar masa ndaj subjekteve që rezultojnë në shkelje të ligjit për territorin.

    Top Channel

  • Begaj vizitë në Ohër, takohet me Ali Ahmetin: Mbështetës të palëkundur të rrugës Euroatlantike

    Begaj vizitë në Ohër, takohet me Ali Ahmetin: Mbështetës të palëkundur të rrugës Euroatlantike

    Presidenti i Shqipërisë, Barjam Begaj, ka zhvilluar një vizitë një ditore në Maqedoninë e Veriut.

    Ai është takuar me Ali Ahmetin, teksa ka publikuar edhe momente nga biseda e tyre nën shkrimin:
    “Me Ali Ahmetin është gjithmonë kënaqësi të takohesh e të ndash mendime. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë faktor vendimtar shtetformues dhe mbështetës të palëkundur të rrugës Euroatlantike të vendit, duke dëshmuar ngahera përkushtim ndaj paqes, stabilitetit, bashkëjetesës dhe vlerave demokratike“, shkruan Begaj.

    Top Channel