Kryeministri Rama dhe ministrat e tij ndodhen sot në Itali, një vizitë që mediat pranë qeverisë e quajnë “historike”.
Në lidhje me ketë vizitë, gazetari Flavio Qarri ka theksuar se ‘në qendër të bisedimeve janë marrëveshjet për refugjatët dhe energjinë’.
Në postimin e tij në Facebook, Qarri shkruan se ‘arkivat tregojnë se marrëdhënie të tilla mes Shqipërisë dhe Italisë nuk janë të reja. Që në shkurt të vitit 2010, gjatë qeverisë Berlusconi, u nënshkrua partneriteti strategjik me 2.5 miliardë euro investime’.
‘Sot duket se Rama kërkon oksigjen politik, ndërsa Meloni zgjidh një pjesë të problemit afrikan me territorin që i ka dhuruar Shqipëria. Mbështetja europiane i shërben Ramës për të forcuar pushtetin, jo për integrimin në BE. Ironikisht, në 2010 Rama dhe Veliaj mbështesnin marrëveshjen e atëhershme, por shprehnin shqetësime për mjedisin, ndërsa “Mjaft!” madje premtonte protesta’, shkruan Qarri.
Postimi i plotë:
Eksitimi me vizita historike
Sot, Rama me ministrat e tij është në Itali. Mediat pranë Kryeministrit citojnë atë duke e quajtur një vizitë historike. Tema do të jenë marrëveshjet për refugjatët dhe energjinë. Nëse përdor këto fjalë kyçe, arkiva mediatike na e zhvesh pak qeverinë nga ekskluziviteti i këtyre “arritjeve madhore”. Ishte në fakt një marrëdhënie shumë e ngrohtë ajo mes Italisë së Berlusconit dhe Shqipërisë, që kanë firmosur marrëveshjen e partneritetit strategjik më 12 shkurt 2010. 2.5 miliardë euro (të asaj kohe) investime direkte. Dyshoj se Meloni ka të njëjtën hapësirë në buxhet. Ndoshta po shkojmë sot që të shkëmbejnë oksigjen Rama me Melonin. Ajo adreson problemin afrikan me copën e Shqipërisë që i ka dhuruar Rama. Ky i fundit merr dhe pak mbështetje europiane për pushtetin e tij. Se mos mendon njeri që bëhet fjalë për integrimin tonë në BE. Nëse doni, po ju jap dhe një perlë tjetër: asokohe Rama dhe Veliaj në 2010 ishin në mbështetje të kësaj marrëveshjeje, por ishin të shqetësuar për mjedisin, madje “Mjaft!” kishte premtuar protestë para Kryeministrisë.