Në Poliklinikën e Specialiteteve në Shkodër nga 1 qershori deri më 15 gusht janë kryer 13 400 vizita ambulatore. Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu në një postim në rrjetet sociale. Ministrja Koçiu informoi gjithashtu se “në Urgjencën e Spitalit Rajonal Shkodër janë kryer 11,471 vizita, mes tyre 323 shtetas të huaj”. Dr. Egir Lezha, shef shërbimi në Poliklinikën e Specialiteteve në Shkodër, në videon e publikuar nga Koçiu, tha se “poliklinika pas rikonstruksionit është në funksion të plotë, kemi rritur cilësinë e kujdesit shëndetësor me kompletimin e stafit mjekësor, me specialistë. Kemi dubluar disa specialitete që janë shumë të nevojshme.
Gjithashtu kemi krijuar një sistem referimi të brendshëm për konsulta të ndërlidhura, kemi kompletuar poliklinikën me staf të mesëm mjekësor për çdo specialitet”. “Është rritur fluksi i pacientëve, sidomos mosha pediatrike dhe moshat e treta. jemi të përgatitur për çdo fluks të pacientëve”, tha Lezha. Poliklinika e Specialiteteve në Shkodër ofron tashmë shërbime shëndetësore në kushte bashkëkohore, me ambiente të rikonstruktuara dhe pajisje diagnostikuese të gjeneratës së fundit, duke iu shërbyer mbi 200,000 banorëve të Shkodrës dhe zonave përreth. Në poliklinikë janë 22 specialitete mjekësore të mbështetura nga kabinete moderne për imazheri, radiografi, ekografi dhe mamografi, që sigurojnë diagnozë të saktë dhe kujdes cilësor për të gjithë.
Tag: vizita
-

Koçiu: 13 400 vizita ambulatore në Poliklinikën e Specialiteteve Shkodër nga 1 qershori deri më 5 gusht
-

Vizita e papritur e Meloni-t, si Vuçiç po e përdor kryeministren italiane për të rregulluar marrëdhëniet me Trumpin
Marsela SHYTIA
Cili ishte qëllimi i vizitës së shkurtër të kryeministres italiane Giorgia Meloni në Serbi? A është kjo një përpjekje për një ofensivë diplomatike nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç në momentin kur ministrat e tij arrestohen dhe bashkëpunëtori i tij Milorad Dodik hiqet nga mandati i tij si President i RS, apo është plani i politikës së jashtme të kryeministrit italian në lidhje me Serbinë në NATO? Këto janë pyetjet që ka ngritur media serbe “Nova.rs” në një artikull të kohëve të fundit, Media shkruan se rrjedha e vetë vizitës është disi e pazakontë. Meloni vizitoi Beogradin si pjesë e turneut të saj rajonal, duke theksuar rëndësinë e marrëdhënieve të mira dypalëshe dhe mbështetjen për integrimin evropian të Serbisë. Vizita e shkurtër nuk ishte pa rezultate konkrete, përveç fjalëve të zakonshme për “përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik, projektet e infrastrukturës dhe sfidat e përbashkëta në rajon”.
Prapaskenat
Analisti politik Xhorxh Vukadinoviç e quajti vizitën një “takim në aeroport” sepse Meloni qëndroi në Beograd vetëm për disa orë dhe tha se mediat italiane po shkruajnë për bisedën midis Melonit dhe Vuçiçit rreth procesit të anëtarësimit të Serbisë në BE dhe NATO. “Mendoj se gjithçka në lidhje me këtë vizitë të pazakontë dhe të papritur të Gjorgje Melonit është disi misterioze. Sidoqoftë, atipike për praktikën dhe sjelljet e zakonshme diplomatike. Prandaj është e kuptueshme që çuditshmëria e asaj vizite, e cila u reduktua në një takim në aeroport dhe disa orë në Beograd, do të shkaktojë lloje të ndryshme pyetjesh dhe dilemash, madje edhe spekulime. Këto dilema u përforcuan edhe më tej nga shkrimi i gazetës italiane “Il Giornale”, e cila, duke njoftuar vizitën e pasdites te Vuçiçi, deklaroi se ajo “do të diskutonte me Vuçiçin procesin e pranimit të Serbisë në NATO, për të cilin Meloni ka punuar prej kohësh”. Ato nxitën më tej spekulimet në lidhje me qëllimin dhe arsyet e vërteta të asaj vizite.
Ofensiva diplomatike
Fakti që nuk u mbajt asnjë konferencë për shtyp gjithashtu e përforcon idenë, thotë Vukadinoviç dhe shton: “Unë besoj se vizita e papritur dhe misterioze e Marko Gjuriçit në Uashington, e cila u mbajt sekret deri në ditën kur u zhvillua takimi, nxiti spekulime se diçka po ndodh në atë front. Më saktësisht, se ndoshta ofensiva diplomatike e Vuçiçit ose një “lëvizje e dëshpëruar” është duke u zhvilluar për të përmirësuar marrëdhëniet me faktorët politikë perëndimorë me çdo kusht, dhe se në këmbim ai është i gatshëm të ofrojë të gjitha lëshimet dhe koncesionet e mundshme. Nga Kosova, përmes Republikës Srpska, deri në një kthesë më të fortë drejt Perëndimit”, shpjegon Vukadinoviç.
Synimi kryesor
Ka spekulime se pse vizita e Melonit zgjati vetëm disa orë dhe cili është qëllimi i vërtetë i mbërritjes së kryeministrit italian në Beograd. Ish-ambasadori Nebojsha Vujoviç i tha agjencisë Beta se Meloni është aleatja më e fortë i Vuçiçit në Evropë. “Meloni, vjen nga një mjedis politik dhe ideologji e ngjashme me Vuçiçin. Ajo gëzon një reputacion të shkëlqyer te Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe mund të ndikojë te Trump që të pranojë kërkesën e Vuçiçit për anëtarësim në NATO. Meloni foli së fundmi me Trumpin dhe ia prezantoi idenë”, tha ish-diplomati. Nëse qëllimi është Trump, ia vlen të kujtojmë se presidenti i Serbisë ka përjetuar tashmë të paktën një disfatë serioze në një përpjekje për t’iu afruar njeriut më të fuqishëm në Amerikë. Në maj të këtij viti, media e regjimit njoftoi me zë të lartë praninë e Vuçiçit në një pritje private në rezidencën e Trump në Florida, e cila, siç doli më vonë, dështoi. Gojët e liga thanë se ai donte të shmangte “turpin” për shkak të pamundësisë për të hyrë në pritjen e republikanëve, dhe gjithçka gjoja kishte të bënte me çështjen “Shtabi i Përgjithshëm”, domethënë problemet me realizimin e planit që dhëndri i Trump, Jared Kushner, të realizonte planin për të ndërtuar një hotel madhështor në vendin e një pasurie kulturore në qendër të Beogradit. -

Mbi 17 mijë vizita në qendrat shëndetësore verore, 27% e pacientëve kanë qenë të huaj
Që nga data 1 qershor 36 qendrat shëndetësore verore në të gjithë vendin që operojnë 24 orë në 7 ditët e javës kanë trajtuar mbi 17 mijë pushues. Drejtori i Urgjencës Kombëtare Mjekësore, Skënder Brataj thotë se një pjesë e konsiderueshme e këtij fluksi kanë qenë shtetas të huaj.
“Mbi 17 mijë vizita janë kryer deri më tani në qendrat shëndetësore verore , nga të cilat 73% kanë qenë shqiptarë dhe 27 % shtetas të huaj. Predominojnë pickimet, të vjellat, gastroenteritet që kanë të bëjnë me temperaturat e larta, tipike të sezonit”, thotë Brataj.
Falë shërbimeve në këto qendra është parandaluar shumë fluksi në spitalet rajonale.
“Një gjë pozitive që është bërë këtë vit, për të cilën kemi insistuar shumë, është që në rastet e të vjellave dhe diarresë, apo humbjes së lëngjeve të ketë edhe re hidratim në këto qendra, pra marrja e një serumi që pacienti të zëvendësojë menjëherë lëngjet e humbura. Kjo ka ulur shumë numrin e personave që shkojnë drejt spitaleve të cilat janë 4-5 në bregdet dhe nuk do të mund të përballonin gjithë këtë fluks”, shprehet ai.
Të vjellat dhe problemet gastrointestinale kanë qenë ndër ankesat kryesore.
“Nëse ke një diarre, ose është një virus ose një nga toksinat që krijohet. Kështu që lëre që organizmi ti eliminojë këto toksina sepse është një mekanizëm mbrojtës. Ajo që duhet të bëjmë është që ta zëvendësojmë me lëngje ose serum”, thekson drejtori i urgjencës.
Qendrat shëndetësore verore janë të vendosura pranë pikave më të frekuentuara turistike dhe plazheve, duke garantuar ndërhyrje të menjëhershme në çdo situatë emergjente me shërbime parandaluese dhe këshillimore për të ruajtur shëndetin e pushuesve. -

Vizita e Hanrahan/ Trump përgatitet për një marrëveshje të re midis Kosovës dhe Serbisë
‘Administrata e presidentit amerikan Donald Trump aktualisht po përgatitet të marrë përsipër marrëveshjen e paqes midis Kosovës dhe Serbisë, dhe është e mundur që të ketë një zgjerim të detyrimeve të Marrëveshjes së Uashingtonit nga viti 2020” – ky është një nga interpretimet e vizitës së fundit të Brendan Hanrahan, zyrtar i lartë në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, në Sarajevë, Beograd dhe Prishtinë.
Ndërsa Hanrahan u takua me Presidentin Aleksandar Vuçiç në Serbi, në Kosovë ai pati një sërë takimesh me përfaqësues të qeverisë dhe opozitës, si dhe përfaqësues të Listës Serbe dhe Mitropolitin Teodosi. Takimi me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, u zhvillua më herët në Uashington gjatë vizitës së saj në SHBA.
Siç u tha në njoftimet nga ato takime, një nga temat qendrore ishte stabiliteti në rajon, si dhe marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës dhe statusi i komunitetit serb në Kosovë. Megjithatë, meqenëse ai foli edhe me përfaqësues të partive opozitare shqiptare, mund të konkludohet se teme diskutimi gjithashtu ishte edhe kriza aktuale parlamentare në Kosovë.
Duke pasur parasysh që Uashingtoni ende nuk ka emëruar një ambasador në Prishtinë dhe se vizita e Hanrahan është vizita e parë e një zyrtari të lartë të Departamentit të Shtetit që nga ndryshimi i administratës, lind pyetja se deri në çfarë mase SHBA-të janë aktualisht të interesuara për situatën në Kosovë dhe në çfarë mënyre mund dhe dëshirojnë të ndikojnë si në krizën aktuale politike ashtu edhe në pozicionin dhe problemet e komunitetit serb. -

Zyrtari i Departamentit Amerikan të Shtetit, viziton sot Kosovën
Kosova E Shtunë, 12 Korrik 2025 11:57
Zyrtari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit për Çështje Evropiane, Brendan Hanrahan, ndodhet sot për vizitë zyrtare në Kosovë, si pjesë e një turi diplomatik në Ballkanin Perëndimor.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Hanrahan do të pritet në takim nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe do të zhvillojë takime të tjera me përfaqësues të partive parlamentare. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka konfirmuar pjesëmarrjen e përfaqësueses së partisë, nënkryetares Hykmete Bajrami, në këtë takim, për shkak të mungesës së tij.Vizita e Hanrahan është paralajmëruar disa ditë më parë në platformën X, ku ai shprehu synimin për të forcuar lidhjet mes SHBA-së dhe vendeve të rajonit. Vizita në Kosovë vjen pas ndalesash të planifikuara në Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi.
Ndërkohë, më herët këtë javë, Hanrahan është takuar edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj zyrtare në Shtetet e Bashkuara. Vizita e tij konsiderohet pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të SHBA-së për dialogun politik dhe stabilitetin në rajon. -

Macron vizitë shtetërore në Britani: Mbretëria, migracioni dhe siguria pas Brexit
Presidenti francez Emmanuel Macron do të mbërrijë të martën në Londër për një vizitë shtetërore tre-ditore, e cila do të ndërthurë ceremoni mbretërore me diskutime të forta politike mbi imigracionin dhe sigurinë evropiane. Kjo është vizita e parë shtetërore nga një udhëheqës i Bashkimit Evropian në Mbretërinë e Bashkuar që nga Brexit dhe shihet si një hap i rëndësishëm në përpjekjet e kryeministrit të ri Keir Starmer për të rivendosur marrëdhëniet me bllokun evropian.
Vizita vjen me ftesë të Mbretit Charles III dhe përfshin një roje nderi ushtarake dhe një banket shtetëror në pallatin mbretëror, ku Macron do të pritet nga Mbreti dhe Mbretëresha Camilla. Përtej protokollit, bisedimet do të fokusohen te çështje kyçe si migracioni përmes Kanalit Anglez, mbrojtja dhe investimet e përbashkëta.
Të enjten, zyrtarët e lartë nga të dyja vendet pritet të diskutojnë për kalimet e paligjshme me varka të vogla nga Franca drejt Britanisë – një sfidë që vazhdon të krijojë tensione. Vetëm në vitin 2024, afro 37,000 persona u zbuluan duke kaluar Kanalin, ndërsa në gjysmën e parë të këtij viti janë evidentuar mbi 20,000 kalime, një rritje prej 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Qeveria britanike kërkon masa më të forta nga pala franceze, përfshirë lejimin e ndërhyrjeve në ujëra më të thella nga oficerët kufitarë britanikë – kërkesa që aktualisht përplaset me kufizimet ligjore franceze. Franca po shqyrton ndryshime në ligjet e saj për të zgjeruar autoritetin e policisë detare.
Përveç migracionit, Macron dhe Starmer do të diskutojnë edhe mbi krijimin e një force sigurie ndërkombëtare për Ukrainën në rast të një armëpushimi. Të dy liderët mbështesin idenë e një “koalicioni të vullnetshëm” të përbërë nga trupa evropiane dhe garanci sigurie nga SHBA-të. Sidoqoftë, Presidenti amerikan Donald Trump ka treguar hezitim për këtë nismë.
Vizita e Macron pritet të kulmojë të enjten me një videokonferencë ndërkombëtare për koordinimin e forcës paqeruajtëse, ku ai dhe Starmer do të diskutojnë më tej me liderët aleatë. Zyra e kryeministrit britanik njoftoi se Starmer ka zhvilluar një bisedë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, duke theksuar “progresin e rëndësishëm” në planifikimet ushtarake.
Vizita vjen në një moment kyç për marrëdhëniet franko-britanike, të cilat janë përballur me sfida të mëdha pas Brexit, por që tani duket se janë në rrugë rikuperimi përmes diplomacisë së nivelit të lartë.
-

Ivanka Trump ndan fotot me Kushner dhe fëmijët nga Sazani dhe Zvërneci
Jared Kushner dhe bashkëshortja e tij, vajza e presidentit amerikan, Ivanka Trump së bashku me fëmijët e tyre vizituan jugun e Shqipërisë fundjavën që kaloi.
Edhe pse zgjodhën që vizita e tyre të qëndronte larg syrit të mediave, fotografi të Ivankës dhe Kushner qarkulluan në rrjet gjatë vizitës së tyre disa ditë përpara pjesëmarrjes në dasmën të Jeff Bezos dhe Lauren Sanchez.
Pasi vizituan gjirin e Vlorës me një jaht, ata hëngrën darkë në një restorant në Vlorë.
Ditën e sotme vetë Ivanka Trump ka postuar një fotoalbum me disa prej momenteve të muajit qershor ku nuk mungojnë as fotografitë nga vizita në Shqipëri.
Në foton ku Ivanka Trump ndodhet së bashku me djalin e saj, në sfond duket ishulli i Sazanit, në të cilin është planifikuar investimi turistik nga bashkëshorti i saj Jared Kushner.
Ata janë ndalur pikërisht tek një ekspeditë në ishullin e Sazanit, vend ku pritet edhe të investohet prej tyre, pas vendimit të autoriteteve shqiptare.
Po ashtu, në të njëjtin postim ajo ka shfaqur një foto të zonës së Zvërnecit nga lart, ku po ashtu ka pasur diskutime për një projekt zhvillimor turistik.
Ata kanë konsumuar darkën, kanë bërë foto në perëndimin e diellit në sfond dhe janë larguar sërish me mjet lundrues drejt Venecias ku mbahej dasma madhështore e Jeff Bezos.
“Mirupafshim qershor”, ka shkruar Trump krahas fotove.
Vizita e çiftit vjen në kohën kur mediat ndërkombëtare kanë rikthyer vëmendjen mbi projektin e paralajmëruar nga Kushner për ndërtimin e një resorti ultra-luksoz në ishullin e Sazanit.
Projekti, me një vlerë të parashikuar investimi prej 1.4 miliardë eurosh, synon ndërtimin e një marine turistike, rezidencash elitare, zone gastronomike dhe akomodimi në një sipërfaqe prej 45 hektarësh.
Sazani, ish-bazë ushtarake me 562 hektarë, është nxjerrë tashmë nga përdorimi ushtarak në dhjetor të vitit të kaluar, duke hapur rrugë për zhvillimin turistik të zonës.gijotina.com/
-

Vizita shtetërore e Trump në Mbretërinë e Bashkuar do të zhvillohet këtë vit, njofton Buckingham Palace
Mbreti Charles do të presë Presidentin e SHBA-së Donald Trump për vizitën e tij të dytë shtetërore të paprecedentë në Britani më vonë këtë vit, konfirmoi të mërkurën Pallati Buckingham.
Trump pranoi një ftesë nga Charles për një vizitë të dytë shtetërore në shkurt, duke e bërë presidentin e SHBA-së udhëheqësin e parë politik të zgjedhur në kohët moderne që pritet për dy vizita shtetërore nga një monark britanik.
“Vendi juaj është një vend fantastik dhe do të jetë nder për ne të jemi atje”, tha Trump pasi kryeministri Keir Starmer i dorëzoi një letër të shkruar me dorë nga Charles në Zyrën Ovale”.
Në atë kohë nuk ishte caktuar asnjë datë për ngjarjen, e cila Britania shpreson se do të ndihmojë në forcimin e lidhjeve të ngushta midis dy aleatëve në një kohë trazirash globale, dhe një kohë që gjithmonë karakterizohet nga shfaqje të bollshme pompoziteti dhe madhështie.
“Madhëria e Tij e njeh Presidentin Trump për shumë vite dhe mezi pret ta presë atë dhe Zonjën e Parë më vonë këtë vit”, tha një ndihmës i Pallatit.
Javën e kaluar, “Manu Regia”, një ftesë zyrtare e nënshkruar nga monarku që sinjalizon fillimin e planifikimit formal, iu dorëzua personalisht Shtëpisë së Bardhë nga përfaqësuesit britanikë, me konfirmimin e datës së saktë të udhëtimit që do të vijonte më pas.
Fillimisht, pritej që Trump të vinte fillimisht në Britani për një udhëtim të shkurtër, ku do të takohej privatisht me mbretin, përpara vizitës zyrtare shtetërore.
Por kishte rezultuar e pamundur të gjente një datë të përshtatshme në ditarët e tyre gjatë verës, kështu që planifikimi për vizitën shtetërore ka filluar, tha një burim nga Pallati.
Vizitat shtetërore britanike zakonisht përfshijnë një udhëtim me karrocë nëpër Londrën qendrore dhe një banket shtetëror të shkëlqyer, por ende nuk është e qartë se ku do të pritet Trump.
Mbretëresha e ndjerë Elizabeth e priti Trumpin në Pallatin Buckingham për një vizitë shtetërore tre-ditore në qershor 2019 gjatë mandatit të tij të parë në detyrë, gjatë së cilës ai pati një drekë private me sovranin, si dhe piu çaj me Charlesin, i cili në atë kohë ishte trashëgimtar i fronit.
Kjo vizitë e vendosi Trumpin në një grup të zgjedhur presidentësh amerikanë, pasi vetëm Barack Obama dhe George W. Bush patën vizita zyrtare shtetërore në Britani gjatë 70 viteve rekord të Elizabeth në fron.
Trump u ftua gjithashtu për çaj në Kështjellën Windsor, shtëpia e monarkut në perëndim të Londrës, gjatë një udhëtimi në Britani në vitin 2018.
Të dyja vizitat e tij në Britani shkaktuan gjithashtu protesta të mëdha, me udhëtimin e tij të vitit 2018 që i kushtoi policisë më shumë se 14 milionë paund, ndërsa 10,000 oficerë u vendosën nga e gjithë Britania.
-

Weah dhe vizita surreale te Trump: “Gjithçka shumë e çuditshme”. McKennie më 2020: “Injorant dhe racist”
Midis surrealizmit dhe një incidenti diplomatik. Vizita e Juventusit në Shtëpinë e Bardhë, mes një sulmi transfobik nga ana e Donald Trump dhe përgjigjeve të presidentit amerikan për Lindjen e Mesme, ka krijuar një ndjesi të konsiderueshme sikleti për disa nga lojtarët bardhezinj.
Ndër ta, në radhë të parë, ishin pikërisht amerikanët Timothy Weah dhe Weston McKennie. Në rrjetet sociale janë bërë “virale” fytyrat e habitura të të dyve. Weah, pas fitores 5-0 ndaj Al Ain në Botërorin për Klube, komentoi për “The Athletic” mbi atë që ndodhi:
“Ishte gjithçka surprizë. Për të qenë i sinqertë na thanë që duhej të shkonim dhe nuk kishim shumë zgjedhje. Më zuri në befasi, ishte e gjitha pak e çuditshme. Kur filloi të fliste për politikë, për Iranin dhe të gjitha këto gjëra, unë mendoja: shoku, unë dua vetëm të luaj futboll”.
Për kronikë, babai i tij, George Weah, kur ishte president i Liberisë, e kishte uruar Trump për rizgjedhjen, por më pas pa që Liberia u përfshi në listën e 36 vendeve, qytetarët e të cilave nuk mund ta vizitonin SHBA.
McKennie, nga ana tjetër, e kishte kritikuar publikisht Trumpin që më parë. Në vitin 2020, kujton “NY Times”, mesfushori i Juventusit kishte ndërhyrë gjatë protestave të lëvizjes “Black Lives Matter” dhe kishte deklaruar për “Bild”: “Nuk mendoj që Trump është njeriu i duhur për të qenë president dhe ende nuk e mendoj. Besoj që ai nuk e kupton përgjegjësinë që sjell ky rol. Trump është një injorant, nuk është njeri i fjalës. Për mua mund ta quani lirisht racist”.
Vetë vizita e Juventusit në Shtëpinë e Bardhë, në fakt, ka ngjallur shumë dyshime jo vetëm në Itali, por edhe në SHBA. Shumë janë pyetur pse klubi bardhezi, ndryshe nga klubet e tjera pjesëmarrëse në Botërorin për Klube, është ftuar nga Trump. Çështja, thekson “The Athletic”, u ngrit edhe në konferencën për shtyp të Igor Tudor pas fitores ndaj Al Ain.
Zyrtari i FIFA-s, i pranishëm në sallën e konferencës, megjithatë, kërkoi që të bëheshin vetëm pyetje për ndeshjen, duke e përsëritur këtë edhe pasi gazetari sqaroi se, duke qenë se kishte përfshirë pothuajse gjithë ekipin, ishte pyetje e lidhur me një fakt të ndodhur menjëherë para ndeshjes, pra në mënyrë të drejtpërdrejtë e lidhur. Në takimin në Zyrën Ovale, për kronikë, ishte i pranishëm edhe Gianni Infantino, presidenti i FIFA-s. -

Marrëdhënia Tiranë-Athinë, Hasani: Vizita ime në Greqi për të rihapur kanalet e bashkëpunimit
Në një intervistë për gazetaren e A2 CNN, Fjorela Beleshi, ministri i Jashtëm Igli Hasani ka zbuluar detaje nga vizita e tij në Athinë pak javë më parë, ku pati diskutime me homologun e tij grek, George Gerapetritis.
Hasani tha se marrëdhënia me Greqinë “duhet kuruar me shumë kujdes”. “Është marrëdhënie shekullore. Është marrëdhënie midis dy popujve që kanë jetuar krah për krah njëri tjetrit në momente të vështira dhe të mira dhe na takon ne ta ngremë këtë marrëdhënie në nivele sa më pozitive dhe kjo ishte arsyeja pse vendosa që me përfundimin e zgjedhjeve këtu të fillonim që të hapim një rrugë të re të një angazhim historik, dhe që nuk varet nga emrat e përveçëm por është gjithmonë aty”, tha kryediplomati i Shqipërisë.
I pyetur nëse është diskutuar me palën greke për heqjen e ligjit të luftës apo dërgimin në gjykatat ndërkombëtare të marrëveshjes për detin, Hasani tha se e rëndësishme është që dy vendet të punojmë për një të ardhme së bashku në Bashkimin Europian, pa kushte ndaj njëra-tjetrës.
“Kam gjetur tek ministri i Jashtëm grek një bashkëpunëtor serioz, një koleg mendje hapur, një njeri në gjendje që shumë nga sfidat që kemi përballë t’i adresojmë së bashku. Dhe të krijojmë një perceptim të qartë se çfarë duam të realizojmë në të ardhmen, pa hyrë në kushte dhe parakushte ndaj njëri-tjetrit pa i krijuar korniza ngushtimi kësaj përpjekje që duam ta çojmë sa më përpara. Bëhet fjalë për dy vende që e mendojnë të ardhmen e tyre së bashku në BE. Dhe ne duhet ta shohim veten në kornizën e perspektivës evropiane. Çfarë është dakordësuar mes vendeve është dakordësuar midis vendeve. Vizita ime në Greqi ishte për të rihapur edhe një herë kanalet shumë të mira të bashkëpunimit që ishin aty por kishin nevojë edhe për simbolikën e vizitave”, u shpreh Hasani për A2 CNN.
Sa i përket ligjit për pensionet me Greqinë, një premtim i fushatës zgjedhore gjatë takimeve në Athinë i kryeministrit Edi Rama, Hasani theksoi se po punohet në këtë drejtim.
“Është një nga pikat më të rëndësishme ne agjendën e diskutimeve. Padyshim që numri i qytetarëve shqiptarë që mund të përfitojnë nga kjo marrëveshje është tepër i konsiderueshëm ndaj vëmendja jonë është shumë e madhe për të arritur diçka që do ti jepte këtyre njerëzve, kontribuuesve shumë të mirë të dy shoqërive një të drejtë që u ka munguar”, deklaroi ai.