Në vitet 1950, Marie Tharp kishte një ëndërr të eksploronte oqeanet. Por si grua në atë kohë, asaj iu mohua mundësia të shkonte në ekspedita detare. Ndërsa burrat mblidhnin të dhëna me sonar mbi anijet kërkimore, Tharp qëndronte në një zyrë të qetë, duke i kthyer rreshtat e pafund të shifrave në harta.
Ajo që vizatoi ndryshoi përgjithmonë shkencën. Përmes punës së saj të përpiktë, Tharp zbuloi ekzistencën e një lugine të madhe të çarë në mes të Atlantikut, pjesë e një zinxhiri malor nënujore që shtrihej nëpër oqeane. Në fillim, gjetjet e saj u përbuzën si “biseda grash”. Por me kalimin e kohës, kur provat u shtuan, hartat e saj u kthyen në dëshmi të pakundërshtueshme për teorinë e tektonikës së pllakave, një nga revolucionet më të mëdha në shkencat e tokës, shkruan KultPlus.
Në vitin 1977, u botua Harta Botërore e Dyshemesë së Oqeanit, një portret mahnitës i botës së fshehur nën detet e planetit. Sot, puna e saj vazhdon të jetë bazë edhe për teknologjitë moderne si Google Ocean.
Trashëgimia e Marie Tharp-it mbetet një dëshmi frymëzuese: për të ndryshuar botën nuk mjafton leja, por këmbëngulja, vizioni dhe guximi për të parë atë që të tjerët refuzojnë ta besojnë./KultPlus.com
