Tag: vitit

  • 1/3 e punonjësve janë të vetëpunësuar – INSTAT: Sektorët e vetëpunësimit janë në bujqësi, shitje me pakicë  dhe  shërbime familjare

    1/3 e punonjësve janë të vetëpunësuar – INSTAT: Sektorët e vetëpunësimit janë në bujqësi, shitje me pakicë dhe shërbime familjare

    Numri i të vetëpunësuarve në vend është rritur ndjeshëm në tremujorin e dytë të vitit 2025, duke arritur nivelin më të lartë që prej tremujorit të tretë të vitit 2022. Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, vetëpunësimi për periudhën prill–qershor 2025 arriti në 31.3% të totalit të punësuarve.

    Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, treguesi është rritur me 0.7 pikë përqindje. Vetëpunësimi vijon të jetë “punëdhënësi” më i madh në ekonominë shqiptare, si dhe një nga më të lartët në Europë.

    Të dhënat tregojnë se gati një e treta e punonjësve shqiptarë punojnë për llogari të tyre.

    Shumica e të vetëpunësuarve shqiptarë janë të angazhuar në bujqësi, tregti të vogël dhe shërbime familjare.

    Një pjesë e madhe e tyre operojnë në sektorin informal, pa mbrojtje ligjore dhe pa të drejtë pensioni të garantuar.

    Pavarësisht peshës së madhe në ekonomi, rreth gjysma e tyre nuk kontribuojnë rregullisht në sigurimet shoqërore.

    Ndërsa në Bashkimin Evropian vetëpunësimi lidhet me profesione të lira dhe sektorë me vlerë të lartë, në Shqipëri ai mbetet kryesisht një zgjedhje e detyruar. Mbyllja e disa bizneseve në industrinë e prodhimit ka çuar në rritjen e mëtejshme të numrit të vetëpunësuarve në vend.

  • “Paga e pensione prioritet këtë mandat”, Rama: Italia është zëri ynë më i fortë në Bruksel për anëtarësimin në BE

    “Paga e pensione prioritet këtë mandat”, Rama: Italia është zëri ynë më i fortë në Bruksel për anëtarësimin në BE

    Rritja e pagave dhe pensioneve është prioriteti i qeverisë gjatë mandatit të katërt. Në serinë e re të podcastit “FLASIM”, Kryeministri Edi Rama përsëriti se nga janari i vitit të ardhshëm nuk do të ketë më pagë nën 500 euro.
    “Po ashtu, lajmi për pensionet është pasuar nga lajmi për rritjen e pagave, një rritje e konsiderueshme edhe ajo dhe e shtrirë në të gjithë sektorët, por mbi të gjitha, e diktuar nga rritja e premtuar e pagës minimale nga janari i vitit që po troket, kur paga minimale në sektorin publik dhe në atë privat, pra kur ligji që do të kalojmë në parlament i buxhetit 2026 të sanksionojë se në Republikën e Shqipërisë nuk do të ketë asnjë pagë nën 500 euro.”
    Të enjten u zhvillua dhe mbledhja e parë mes qeverisë italiane dhe asaj shqiptare, ku një ndër marrëveshjet e firmosura mes dy vendeve ishte ajo për emigracionin. Në një intervistë për gazetën italiane “Corriere della Sera”, Rama u ndal tek çështja e cila shkaktoi jo pak polemika, ajo e kampit të emigrantëve në Gjader.

    “Akuzat janë bërë pjesë integrale e jetës sonë, të cilat mbyten çdo ditë nga balta e pafundme e mediave sociale, ndërsa shpejtësia marramendëse me të cilën lëviz bota e informacionit e bën gjithnjë e më të vështirë të kuptohet e vërteta, pasi këmbët e gënjeshtrave janë bërë edhe më të shpejta në qarkullim nëpër botë. Shqipëria nuk ka investuar asnjë euro në këtë projekt, kështu që të paktën në këtë rast nuk mund të akuzohemi si zakonisht.”
    Pyetur nga Corriere lidhur me anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe rolin e Italisë në këtë proces, shefi i ekzekutivit u shpreh i qartë se Roma zyrtare është lobuese e fortë për Tiranën.
    “Italia është avokatja tradicionale e Shqipërisë në BE. Është zëri ynë më i fortë në Bruksel. Vendi im nuk do të jetë kurrë në gjendje të shlyejë borxhin e madh moral të Italisë për gjithçka që ka bërë për ne. Shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë atë borxh.”
    Të hënën pritet dhe hapja e grupkapitullit të fundit për Shqipërinë, ai i “Bujqësisë, Kohezionit dhe Burimeve”, ndërsa qeveria është shprehur optimiste se brenda vitit 2027 të gjithë grupkapitujt do të mbyllen, duke i hapur rrugë më pas anëtarësimit.
    /vizionplus.tv

  • Nëse i përkisni njërës prej këtyre 3 shenjave të Horoskopit, pjesa tjetër e nëntorit do t’ju sjellë lajme të mëdha

    Nëse i përkisni njërës prej këtyre 3 shenjave të Horoskopit, pjesa tjetër e nëntorit do t’ju sjellë lajme të mëdha

    Nga ana astrologjike, viti 2025 nuk ishte pikërisht viti më i lehtë. Megjithatë, nëse i përkisni njërës prej tre shenjave të zodiakut më poshtë , nëntori i vitit 2025 do të jetë shumë i favorshëm për ju.
    “Ka disa tranzite shumë të bukura që janë të favorshme për ju “, shpjegoi astrologia Matilda Zhuang.
    Qoftë marrëdhënie më të mira, avancim profesional apo thjesht një kuptim më i thellë i vetes, gjatë gjithë pjesës tjetër të nëntorit secila prej këtyre shenjave do të përjetojë përparim dhe evolucion në mënyrën e vet.

    GaforrjaNëntori i vitit 2025 është një muaj i shkëlqyer për ju. Sipas Zhuang, “e filloni muajin duke u ndjerë të freskët, duke lënë pas marrëdhënie dhe zakone që nuk ju shërbejnë më ose nuk ju shterojnë energjinë”. Gjatë gjithë nëntorit, do të përjetoni një riorganizim shumë të nevojshëm të jetës suaj të përditshme që do ta bëjë gjithçka të duket më e menaxhueshme. Ndërsa ndryshimet fillimisht mund të jenë të frikshme, ato do të jenë themeli për suksesin tuaj të ardhshëm. Nga Mërkuri retrograd që ju shtyn të jeni më krijues, deri te një “rilindje” e mundshme e imazhit tuaj personal, nëntori i vitit 2025 po duket të jetë muaji më i mirë i vitit për ju. Kohët e fundit jeni ndjerë “të bllokuar” dhe të kuptuarit pse po ndodh kjo, si dhe ndërmarrja e veprimeve të menjëhershme, do t’ju ndihmojë të çliroheni nga kjo gjendje stagnante.
    AkrepiJeta nuk ka qenë e lehtë për ju kohët e fundit, por për fat të mirë, nëntori i vitit 2025 do të jetë shumë i favorshëm. Nëse ka një shenjë që do të jetë “protagonisti” i të gjithë muajit, ai/ajo jeni ju. Sipas astrologut, “marrëdhëniet që nuk ju shërbejnë më do të largohen”, ndërsa punoni për të vendosur identitetin dhe pavarësinë tuaj personale. Prej andej, universi do t’ju afrojë më shumë me njerëz që do t’ju mbështesin në zbulimin e asaj që jeni dhe asaj që përfaqësoni vërtet.
    PeshqitNëse jeni Peshq, nëntori i vitit 2025 do të jetë gjithashtu një muaj i shkëlqyer për ju. Mund të jeni ndjerë më të përqendruar dhe më të mprehtë gjatë dy muajve të fundit. Si rezultat, pritet që ta kaloni nëntorin duke ripërcaktuar qëllimet tuaja dhe trashëgiminë që doni të lini pas. Ndërsa kjo mund të tingëllojë e qetë ose “delikate”, njerëzit dhe përvojat që do të hasni këtë muaj do t’ju sjellin më afër qëllimit tuaj të vërtetë në jetë. Nëse po mendoni të bëni ndonjë lëvizje të madhe në karrierë, tani është koha e përsosur për të filluar.
    /vizionplus.tv

  • Misteri rreth vdekjes së Eseninit/ A i dha vetë fund jetës apo e eliminuam?

    Misteri rreth vdekjes së Eseninit/ A i dha vetë fund jetës apo e eliminuam?

    Sergej Esenini ishte një nga poetët më të famshëm dhe të njohur rusë të shekullit të 20-të.

    Ai ishte vetëm 30 vjeç kur u largua nga jeta lodhur e i dërmuar nga gjithçka kishte jetuar… Esenini u lind në Konstantinovo në Rjazan Governorate të Rusisë Perandorake në një familje fshatare. Ai e kaloi shumicën e fëmijërisë së tij me gjyshërit, të cilët esencialisht e edukuan atë. Ai filloi të shkruante poezi që në moshën 9-vjeçare. Në vitin 1912, Esenini u zhvendos në Moskë, ku i mbulonte vetë shpenzimet duke punuar si korrektor teknik në një kompani printimi.

    Vitin pasues ai u regjistrua në Moska Çarnjavski Universitet si një student i jashtëm dhe studioi atje për një vit e gjysmë. Poezitë e tij të hershme u inspiruan nga folklori rus. Në vitin 1915, ai u zhvendos në Petrograd, ku u njoh me poetë si Aleksandër Blok, Sergej Gorodecki, Nikolaj Klyev dhe Andrei Beli dhe u bë i njohur në rrethin letrar. Blok i dha ndihmë të veçantë në promovimin e karrierës së hershme si poet. Esenini tha se Beli i dha atij kuptimin e formës ndërsa Bloku dhe Klyeuvi ia mësuan lirikën.

    KARRIERA

    Në vitin 1916, Esenini publikoi librin e tij të parë me poema, “Radunica”. Përmes këtij koleksioni të therës poetik mbi dashurinë dhe jetën e thjeshtë, ai u bë një nga poetët më të famshëm të atyre ditëve. Martesa e tij e parë ishte në vitin 1913 me Anna Izrjadnova, një bashkëpuntore nga një shtëpi publikuese, me të cilën pati një djalë, Yuri. Nga viti 1916 në 1917, Eseninit iu ngarkua një detyrë ushtarake, por shpejt pas revolucionit të tetorit të vitit 1917, Rusia u largua nga Lufta e Parë Botërore. Duke besuar se revolucioni do të sillte jetë më të mirë, Esenini e mbështeti atë, por shpejt u zhgënjye nga kjo.

    Ai nganjëherë i kritikonte rregullat bolshevike në poemat e tij si “The Ster October Has Deceived Me” (tetori i ashpër më mashtroi). Në gusht të vitit 1917 Esenini u martua për herë të dytë me Zinajda Raih (më vonë aktore dhe gruaja e Vsevolod Mejerhold). Ata patën dy fëmijë, vajzën Tatjana dhe djalin Konstantin. Prindërit u grindën dhe jetuan ndaras për një kohë deri në divorcin e tyre në vitin 1921. Tatjana u bë një shkrimtare e njohur, dhe Konstantini do të bëhej një refer futbolli. Në shtator të vitit 1918, Esenini themeloi shtëpinë e vet publikuese të quajtur “Kompania e punës së artistëve të botës”.

    Bashkë me Anatoli Merienhof themeluan një lëvizje ruse të imagjinizmit. Në fund të vitit 1921, derisa vizitonte studion e piktorit Georgi Jakulov, Esenini takoi valltaren amerikano-pariziene Isadora Duncan. Ajo dinte vetëm pak fjalë në rusisht, dhe nuk dinte asnjë gjuhë të huaj. Ata u martuan më 2 maj 1922. Esenini e shoqëroi gruan e tij të famshme në një udhëtim në Evropë dhe në SHBA. Martesa e tij me Duncan ishte e shkurtër dhe në maj të vitit 1923, ai u kthye në Moskë.

    Në vitin 1923 Esenini u përfshi romantikisht me aktoren Augusta Miklashevskaja, të cilës ia dedikoi disa poema. Të njëjtin vit ai pati një djalë me poeten Nadezhda Volpin. Djali i tyre, Aleksandër Esenin-Volpin u rrit për tu bërë poet dhe aktivist i përhershëm në lëvizjen disidente sovjetike të viteve të 1960-ta. Ai jeton në Shtetet e Bashkuara si matematikan i famshëm dhe mësues. Në vitin 1925 Esenini e takoi dhe u martua me gruan e tij të katërt, Sofia Andrejevna Tolstaja, mbesa e Tolstoit.

    LAMTUMIRA

    Më 28 dhjetor 1925 Esenini u gjet i vdekur në dhomën e tij në hotel “Angleterre”. Ndërsa del nga klinika vetëm për disa ditë me rastin e Krishtlindjeve, ai pret damarët dhe me gjakun e tij shkruan poezinë e Lamtumirës. Të nesërmen në mëngjes gjendet i vetëvrarë në tubat e ngrohjes në tavanin e dhomës se tij në hotel “Angleterre”, kur sapo kish mbushur 30 vjeç. Ishte 28 dhjetor 1925, Esenini shpjegoi se nuk kishte bojë në dhomë, kështu që ai e shkroi poezinë me gjakun e tij. Poezia e tij e fundit “Lamtumirë miku im”, lamtumirë sipas Wolf Ehrlich iu dha atij një ditë para vdekjes.

    Sipas versioneve që njihen tashmë ndër hulumtuesit akademikë të jetës së Eseninit, poeti ishte në gjendje depresioni një javë pas trajtimit në spitalin mental dhe e vari veten. Pas funeralit në Union në Leningrad, trupi i poetit u transportua me tren në Moskë, ku u organizua një lamtumirë për kushërinjtë dhe shokët. Ai u varros më 31 dhjetor 1925, bë varrezën Vagankosvkoje të Moskës. Varri i tij shënohet nga një skulpturë e bardhë mermeri.

    Ekziston një teori se vdekja e Eseninit ishte një vrasje nga agjentët e NKVD-së (Komisariati i njerëzve për afera të brendshme) të cilët e bënë të dukej si vetëvrasje. Novela “Yesenin” publikuar nga Vitali Bezrukov i dedikohet këtij versioni të vdekjes. Në vitin 2005 seriali televiziv “Sergei Esenin” i bazuar në novelën e tij u shfaq në Channel One Russia. Filmi u kritikua nga ekspertët mjeko-ligjorë, të cilët e gjeten argumentin si të pabazë. Universiteti shtetëror i Rjazanit mban emrin e tij.

    NDIKIMI KULTUROR

    Vetëvrasja e Eseninit shkaktoi një numër vetëvrasjesh nga fansat e tij kryesisht femra. Edhe pse ai ishte një nga poetët më të shquar të Rusisë dhe iu bë një funeral i madh nga shteti, shumica e shkrimeve të tij u ndaluan nga Kremlini gjatë regjimit të Stalinit dhe Hrushovit. Kritikat e Nikolai Buharinit ndikuan dukshëm në ndalimin e tyre. Vetëm në vitin 1966 shumica e punës së tij u ripublikua. Sot poezitë e Eseninit mësohen në shkollat ruse; shumë prej tyre janë të shoqëruara me muzikë dhe të regjistruara si këngë të famshme.

    Vdekja e tij e hershme, shoqëruara me pamje josimpatike nga disa elita, adhurimi nga njerëzit e thjeshtë, dhe sjellja sensacionale, të gjitha kontribuuan në figurën e qëndrueshme të poetit rus. Në vitin 2005 studioja ruse Pro-Cinema Production prodhoi një mini seri televizive “Jesenin” mbi jetën e poetit.

    Filmi përshkruante versionin e vdekjes së tij sipas së cilit ai u vra nga agjentët e NKVD-së të cilët e bënë të dukej si vetëvrasje. Poezia e fundit e Sergei Eseninit ishte inspirimi kryesor për këngën “It Was Written In Blood” (Ishte e shkruar në gjak) nga Bring Me the Horizon në albumin e tyre “Sezoni i vetëvrasjes”.

    ObserverKult

    Lexo edhe:

  • Artan Fuga, “Autori më i mirë i vitit”! Në panair vlerësohen edhe Muçi, Nerguti dhe Banka

    Artan Fuga, “Autori më i mirë i vitit”! Në panair vlerësohen edhe Muçi, Nerguti dhe Banka

    I kthyer në një traditë të përvitshme, Panairi i Librit 2025 vlerësoi autorët dhe përkthyesit që kanë spikatur për kontributet e tyre në letërsinë shqipe dhe atë të përkthyer.
    Juria ndau pesë çmime kryesore, duke nderuar vepra që sollën qasje origjinale, mendim të thelluar dhe mjeshtëri të veçantë gjuhësore. 
    Çmimi “Autori më i mirë i vitit” i shkoi shkrimtarit Artan Fuga për romanin Ndëshkimi i dytë i Evës. Romani u veçua për strukturën mbresëlënëse që bashkon mitin e zanafillës me dramën familjare e urbane, si edhe me sfidat teknologjike të sotme.

    Çmimi “Përkthyesi më i mirë i vitit” u fitua nga Virgjil Muçi për përkthimin romanit “Xhejmsi” të Percival Everett. Përkthimi u vlerësua për pasurinë gjuhësore, aftësinë për të sjellë dy regjistrat e veçantë të veprës dhe ruajtjen e kompleksitetit e ngjyrimeve të tekstit origjinal.
    Çmimi për përkthimin më të mirë letrar nga frëngjishtja në shqip u akordua përkthyesit Urim Nerguti për sjelljen në shqip të romanit Hyrija të Kamel Daoud.
    Pas një mungese një vjeçare për shkak të mosprurjeve të reja u rikthye Çmimi “Autori i librit më të mirë për fëmijë” i cili iu dha shkrimtares Valbona Banka për romanin “Aria, në dorën time”.
    Ndërsa Çmimi “Autori i librit më të mirë studimor” iu akordua studiuesit Ali Xhiku për veprën Faqeve të historiografisë shqiptare. /vizionplus.tv

  • Panairi i Librit/ “Autori më i mirë i vitit” shpallet akademiku Artan Fuga, ja si u ndanë çmimet e tjera

    Panairi i Librit/ “Autori më i mirë i vitit” shpallet akademiku Artan Fuga, ja si u ndanë çmimet e tjera

    Këtë të shtunë është bërë ndarja e çmimeve në Panairin e Librit, ku “Autori i Vitit” është shpallur akademiku Artan Fuga me veprën “‘Ndëshkimi i dytë i Evës”.

    Çmimi “Autori i librit më të mirë studimor”, iu dha autorit Ali Xhiku, për veprën Faqeve të historiografisë shqiptare, ndërsa çmimi “Përkthyesi më i mirë i vitit” iu dha autorit Virgjil Muçi për përkthimin e veprës “Xhejmsi të Percival Everett”, fitues i Çmimit Pulitzer 2025.
    Ndarja e plotë e çmimeve në Panairin e Librit 2025:
    Çmimi “Autori i librit më të mirë studimor”
    I jepet z. Ali Xhiku, për veprën Faqeve të historiografisë shqiptare, botuar nga “Onufri”, për kontributin e vyer për ndriçimin teorik dhe metodologjik të çështjeve kyçe të historisë së letërsisë shqipe, në një vepër ku ndërthuren njohja e thellë e sistemit letrar shqiptar, analiza e teksteve themelore të historisë së letërsisë sonë dhe angazhimi i përkushtuar jetësor në studimet letrare.
    Çmimi “Autori më i mirë i vitit”
    I jepet z. Artan Fuga, për romanin Ndëshkimi i dytë i Evës, botuar nga “Papirus”, një strukturë romaneske mbresëlënëse, ku ndërthuren miti i zanafillës,  dramat e jetës familjare e urbane dhe zhvillimet teknologjike të bashkëkohësisë. Ndërthurja e dimensionit filozofik dhe psiko-social me një letraritetit të spikatur dëshmojnë një të kuptuar të thellë të njeriut, të shoqërisë dhe të kohës, kur jetojmë.
    Çmimi “Përkthyesi më i mirë i vitit”
    I jepet z. Virgjil Muçi për përkthimin mjeshtëror të veprës Xhejmsi të Percival Everett,  fitues i Çmimit Pulitzer 2025, botuar nga “Dituria”, ku reflektohen njohuritë e thella të natyrës së shqipes, por edhe talenti i tij prej shkrimtari. Gjuhësimi me zhdërvjelltësi të admirueshme i dy regjistrave të idiomës së romanit, e bën këtë vepër madhore të bashkëkohësisë t’i flasë lexuesit shqiptar, duke ruajtur ngjyresat dhe kompleksitetin e tekstit origjinal.
    Çmimi “Autori i librit më të mirë për fëmijë”
    I jepet znj. Valbona Banka për romanin për fëmijë Aria, në dorën time, botuar nga “Dita Books”, për rrëfimin e këndshëm dhe me humor, që ndërkall në tekstin letrar edhe shenja identitare të vendit dhe të gjuhës sonë, që nxisin formimin e identitetit kombëtar te lexuesit e vegjël, dhe edukimin emocional përmes letërsisë.
    Çmimi për përkthimin më të mirë letrar nga frëngjishtja në shqip
    I jepet Z. Urim Nergutit për përkthimin e romanit “Hyrija” të Kamel Daoud, fitues i çmimit Goncourt 2024, botuar nga “Buzuku”.  Përmes nuancimeve të larmishme të fjalës e sintaksës së zhdërvjellët përkthyesi sjell besnikësërisht në shqip një histori drithëruese duke ruajtur stilin e autorit me heshtjet, belbëzimet dhe shumësinë e zërave të këtij romani tronditës.

    Top Channel

  • Buxheti 2026! Rama: Do ngremë Institucion Kombëtar të Tumoreve! Pensioni mesatar do të shkojë 400 euro

    Buxheti 2026! Rama: Do ngremë Institucion Kombëtar të Tumoreve! Pensioni mesatar do të shkojë 400 euro

    Edi Rama

    TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në prezantimin dhe degjesën publike për Projekbuxhetin 2026 për Tiranën. Rama deklaroi se gjatë këtij mandati do të angazhojnë 1.7 miliardë euro për pensionistët, ku përveç bonusit do të ketë edhe rritje mujore të pensioneve. Kreu i qeverisë u shpreh se në zonat urbane vlera mesatare e pensionit do të shkojë 400 euro, ndërsa në zonat rurale, 180 euro. 
    Edi Rama: Ne kemi vendosur, angazhuar në dispozicion të pensionistëve 1.7 miliardë euro plus që do të disbursohen gjatë mandatit tonë të katërt, duke filluar nga janari i vitit që vjen, dhe çdo vit do të financohet dyfishi i vitit të mëparshëm. Çfarë do të marrin pensionistët në 2026, do të dyfishohet në 2027, do trefishohet në 2028, do katërfishohet në 2029 dhe do të pesëfishohet në 2030-ën. Do të arrijmë objektivin që pensionin mesatar të plotë në zonat urbane ta kemi 400 euro, dhe pensionin minimal në zonën rurale ta kemi 180 euro.
    Ndër të tjera, Rama tha se për herë të parë është caktuar fond për të përballuar nevojat për barnat te Onkologjiku, ku njoftoi se ka nisur puna për ngritjen e Instituti Kombëtar për Tumoret. Rama foli edhe për marrëveshjet e nënshkruara me Italinë pas mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive. Kryeministri tha se me këtë marrëveshje i hapet rrugë edhe partneritetit mes QSUT dhe spitalit ‘San Raffaelo’ të Milanos. 
    Edi Rama:Do ngremë Institucion Kombëtar të Tumoreve, siç e kanë shumë vende të Europës. Kemi nisur punën edhe për këtë. Ishim në Itali, kemi firmosur një sërë marrëveshjes shumë të rëndësishme, dhe një nga pikat që kemi në marrëveshjen kuadër që firmosa me Melonin, është bashkëpunim strategjik edhe në funksion të shëndetit dhe kjo pikë e i hap rrugë edhe partneritetit strategjik që kemi lançuar përpara dhe që u përfol si shfaqje fushate, për të sjellë në QSUT si partner që do marrë pjesë në procesin e administrimit dhe shkëmbimit të dijes dhe në procesin e vizitave të punës së mjekeve, spitalin ‘San Raffaelo’ të Milanos që është një nga ekselencat e shëndetësisë evropiane. 
    Projektbuxheti i vitit 2026 është programuar në vlerën 8.8 miliardë lekë, rreth 1 miliard euro më shumë se në 2025. Nga kjo shifër 100 milionë euro do të shkojnë për rritjen e pensioneve sipas skemës së re, ndërsa 135 milionë euro do të shkojnë për rimbursimin e medikamenteve./ZËRI

  • Edi Rama: “Projekt-buxheti i PS ka kryefjalë pensionistët”

    Edi Rama: “Projekt-buxheti i PS ka kryefjalë pensionistët”

    Kronikë E Shtunë, 15 Nëntor 2025 10:44
    Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me banorët e Njësisë numër 3 në Tiranë, ku foli për projekt-buxhetin e Partisë Socialiste, duke theksuar se fokus kryesor do të jenë pensionistët dhe pagat e punonjësve.
    “Edhe pse është një ditë pushimi, jemi mbledhur për të ndarë disa momente dhe për të diskutuar linjat kryesore të buxhetit të bashkisë dhe të shtetit për vitin që troket. Më vjen shumë mirë që kemi një projekt-buxhet të PS-së që ka si kryefjalë pensionistët,” tha Rama.

    Kryeministri theksoi se për herë të parë janë krijuar kushtet financiare për të mbështetur pensionistët, falë rritjes së ekonomisë dhe reformave që e kanë nxitur këtë rritje. Ai bëri me dije se gjatë mandatit të katërt janë angazhuar 1.7 miliardë euro plus për pensionistët, të cilat do të disbursohen gradualisht nga janari i vitit të ardhshëm.

    “Çdo vit do të financohet dyfishi i vitit të mëparshëm. Pensionistët do të marrin në 2026, dyfish në 2027, trefish në 2028, katërfish në 2029 dhe pesëfish në 2030. Është një sforco e madhe financiare, por e realizueshme pa cenuar rritjen ekonomike dhe investimet në arsim, shëndetësi dhe shërbime sociale,” shtoi Rama.

    Ai njoftoi gjithashtu se nga janari i vitit 2026, paga minimale për të gjithë punonjësit shqiptarë do të shkojë në 500 euro, jo vetëm për sektorin publik, por për të gjithë ata që punojnë.
    “Deri në fund të mandatit të katërt, paga minimale do të arrijë 700 euro. Për shkak të kësaj rritjeje do të rriten edhe pagat e tjera, për mësuesit, mjekët, infermierët, punonjësit e policisë, ushtarakët dhe të gjithë të tjerët,” tha kryeministri.

  • Kualifikimi në “play-off” i jep drejtim kontratës së Silvinjos me FSHF-në, deri në mars i garantuar në pankinë

    Kualifikimi në “play-off” i jep drejtim kontratës së Silvinjos me FSHF-në, deri në mars i garantuar në pankinë

    Adriatik BALLA
    Kombëtarja korri një fitore me vlera ndaj Andorrës, e me trepikëshin e atij takimi siguroi vendin e dytë dhe tani do të luajë në “play-off”. Padyshim që kjo është meritë e ekipit dhe stafit të trajnerëve, por duhet thënë se në rrugëtimin drejt Botërorit të ardhshëm në SHBA, Meksikë e Kanada tani ka më shumë vështirësi. Mbeten dhe dy takime, por janë më të vështirat. Ndërkohë, fitorja e fundit dhe realizimi i objektivit “play-off” ka sjellë një situatë të re për trajnerin Silvinjo, ku përflitet që tani rinovimi. Silvinjo do të vazhdojë si trajner i Kombëtares shqiptare, të paktën deri në fundin e muajit mars. Trajneri brazilian e kishte klauzolë të veçantë, që kontrata do të rinovohej në një rast si ky ku Shqipëria i mbyll kualifikueset e Botërorit 2026 në “play off”.
    Në korrikun e vitit 2024, FSHF njoftoi se Silvinjo dhe Doriva me Zabaletën kanë rinovuar deri në dhjetorin e vitit 2025. “Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se kontrata e re me trajnerin Silvinjo dhe dy asistentët e tij, Zabaleta dhe Dorival do të zgjasë deri në dhjetorin e vitit 2025 dhe menjëherë do të nisë puna për ndeshjet e UEFA Nations League dhe kualifikueset e Kupës së Botës”, shkruhej në njoftimin e FSHF-së. Shqipëria asokohe kishte zhvilluar paraqitje në Europianin e Gjermanisë. Tashmë fokusi do të jetë te faza “play off”. Kuqezinjtë për herë të parë në histori, i mbyllën kualifikueset e Botërorit 2026 si vend i dytë. Ky është suksesi i dytë në drejtimin e Silvinjos, pas kualifikimit në Europianin 2026 si vend i parë.
    Sondazhi i UEFA-s, Shqipëria fiton me Anglinë
    Shqipëria dhe Anglia do të masin forcat për herë të dytë në Grupin K, pikërisht të dielën e 16 nëntorit. Ky takim do të luhet në stadiumin “Air Albania”. UEFA ka hapur si zakonisht sondazhin për këtë takim. 51% e votuesve besojnë te surpriza e madhe, që Shqipëria do të fitojë ndaj Anglisë. “Tre luanët” kanë 38% të votuesve në favor, ndërsa 11% e tyre zgjodhën barazimin. Llogaritë për Grupin K janë mbyllur, si në asnjë grup tjetër. Kështu Anglia si vend i parë nuk ka pësuar asnjë gol deri tani, ndërsa Shqipëria e Silvinjos mban vendin e dytë duke lënë pas Serbinë.
    Gjyqtar italian për Shqipëri-Angli, ka qenë më parë këtu
    Gjyqtari Marko Guida do vendosë drejtësi në ndeshjen Shqipëri-Angli. Ky takim do të luhet ditën e diel, prej orës 18:00 në stadiumin “Air Albania”. Asistent i parë për ndërkombëtarin e FIFA-s do të jetë Xhorxho Pertei, ndërsa Alesio Berti qëndron si asistent i dytë. E gjithë trupa e gjyqtarëve është nga Italia. Kështu Simone Soza është i katërt, ndërsa në VAR do të jetë Marko Di Belo që asistohet nga Valerio Marini. Ky takim do të mbyllë edhe fushatën e kualifikueseve në grupin K. Shqipëria do vazhdojë më tej me fokusin te “play off”. Guida është i njohur si gjyqtar në Shqipëri. Në majin e vitit 2016 iu besua finalja e Kupës së Shqipërisë mes Kukësit dhe Laçit. Ekipi i Kukësit ia doli të fitojë përmes penalltive, edhe pse nga minuta e 74 luajti me një lojtar më pak për shkak të daljes me karton të kuq të Ansi Nikës.

  • Në Gjermani arrihet pajtueshmëri për shërbimin e ri ushtarak

    Në Gjermani arrihet pajtueshmëri për shërbimin e ri ushtarak

    Koalicioni qeveritar në Gjermani është pajtuar për një plan të ri ushtarak me qëllim të rritjes së numrit të trupave, pas disa muajve të mosmarrëveshjeve mes forcave politike.
    Plani i ri për shërbimin ushtarak parasheh që të gjithë djemtë 18-vjeçarë të plotësojnë një formular rreth gatishmërisë së tyre për të shërbyer dhe nga viti 2027 do t’i nënshtrohen një kontrolli mjekësor.
    Ky vendim është marrë teksa Berlini përpiqet të krijojë ushtrinë më të fuqishme konvecionale në Evropë.

    Shefi i kompanisë më të madhe gjermane në fushën e Mbrojtjes ka bërë të ditur për mediat se beson që synimi mund të arrihet brenda pesë vjetësh.
    Ligjvënësit pritet ta votojnë këtë plan deri në fund të vitit 2025.
    Më herët gjatë vitit, shefi i Mbrojtjes në Gjermani, gjenerali Carsten Breuer ka paralajmëruar që aleanca e NATO-s duhet të përgatitet për ndonjë sulm të mundshëm rus brenda katër vjetësh.
    Kur e kanë formuar koalicionin qeveritar më herët gjatë vitit, konservatorët e kancelarit Friedrich Merz dhe Social-Demokratët e qendrës së majtë janë pajtuar për ta rikthyer shërbimin ushtarak, i cili fillimisht do të jetë në baza vullnetare.
    Ushtria gjermane i ka aktualisht rreth 182.000 ushtarë.
    Shërbimi i ri ushtarak mëton të rrisë këtë numër për 20.000 vitin e ardhshëm, dhe që shifra të rritet mes 255.000 dhe 260.000 në 10 vjetët e ardhshëm, me 200.000 rezervistë shtesë.
    Disa parti politike të krahut të majtë vazhdojnë të kundërshtojnë shërbimin e detyrueshëm ushtarak.
    Edhe shumë të rinj gjermanë janë në këtë linjë. Një anketë e realizuar së fundmi për revistën Stern ka sugjeruar se pak mbi gjysma e respodentëve e pëlqejnë shërbimin e detyrueshëm, mirëpo shkalla e kundërshtimit është 63 për qind te grup-mosha 18-29 vjeç./REL