Tag: viterbos

  • Itali/ Parandalohet atentati në festën e Shën Rozës, arrestohen 2 turq, të pranishëm Zv. Kryeministri dhe ambasadori izraelit

    Itali/ Parandalohet atentati në festën e Shën Rozës, arrestohen 2 turq, të pranishëm Zv. Kryeministri dhe ambasadori izraelit

    Një ngjarje që mund të ishte kthyer në tragjedi është shmangur në qytetin e Viterbos në Itali, gjatë festës tradicionale të Shën Rozës. Dy shtetas turq janë arrestuar nga policia italiane pasi dyshohet se po përgatitnin një atentat të armatosur gjatë eventit, ku ishin të pranishëm rreth 40 mijë njerëz.

    Dy të dyshuarit, të lidhur me rrjetin kriminal të bosit turk Boris Boyun, u kapën në një bed & breakfast pranë vendit të ngjarjes, në rrugën “Via di Santa Rosa”, ku u gjetën të pajisur me një mitraloz dhe dy armë zjarri me municion. Dyshohet se qëllimi i tyre ishte të shkaktonin panik dhe të ndërmerrnin një operacion për lirimin e Boyun nga burgu.

    Policia ndërhyri pas një sinjalizimi nga pronari i banesës, i cili u shqetësua nga mungesa e bagazheve dhe sjellja e çuditshme e të dyshuarve. Sipas autoriteteve italiane, një nga pasaportat e konfiskuara nuk përputhet me identitetin e njërit prej të ndaluarve, duke lënë të hapur mundësinë e pranisë së një personi tjetër në arrati.

    I pranishëm në Viterbo ishte dhe ministri i Jashtëm dhe zëvendëskryeministri i Italisë, Antonio Tajani, i cili u transferua në një kazermë për arsye sigurie, ndërsa ambasadori izraelit, i ftuar për të marrë pjesë në festë u këshillua të largohej.

    Hetimet italiane zbulojnë një prani të konsiderushme të elementëve të mafies turke në zonën e Viterbos, e lidhur me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe fondamentalizmin islamik. Organizata kriminale e Boris Boyun ka shfrytëzuar struktura të mikpritjes së emigrantëve si bazë për depozitimin e armëve dhe për planifikimin e aktiviteteve kriminale. Arrestime të tjera janë kryer edhe muajt e fundit, përfshirë kapjen e Ismail Atiz, i akuzuar për pastrim parash, shantazh dhe posedim armësh.

    Hetimet e policisë italiane kanë nxjerrë në dritë lidhje të mundshme midis kësaj organizate dhe degës së ISIS-it të njohur si “Isis-Khorasan”, duke theksuar praninë e elementëve radikalë të ardhur nga Lindja e Mesme pas rënies së kalifatit dhe vrasjes së udhëheqësit të tij, Abu Bakr al-Baghdadi.

    Festa e Shën Rozës është një ngjarje shpirtërore me shekuj histori në Viterbo. Këtë vit kishte si temë “Paqen”. Megjithë tensionin dhe shqetësimin e shkaktuar, manifestimi u zhvillua me sukses, edhe pse autoritetet u detyruan të merrnin masa të paprecedenta për të mbrojtur jetën e qytetarëve dhe personaliteteve të pranishme.

    Kulla apo makina e Shën Rozës është një strukturë e lartë rreth 30 metra, me peshë që arrin deri në 5 tonë, e ndërtuar nga dru, metal dhe materiale të lehta moderne, e ndriçuar me qindra drita dhe e zbukuruar në mënyrë artistike. Ajo përfaqëson një monument kushtuar Shën Rozës, mbrojtëses së qytetit të Viterbos.

    Kjo kullë transportohet mbi supe nga rreth 100 burra të fortë të quajtur “Facchini di Santa Rosa” (barrëmbajtësit e Shën Rozës), të cilët e mbartin nëpër rrugët e qytetit në mbrëmjen e 3 shtatorit, datë që përkon me përvjetorin e vdekjes së shenjtores në vitin 1258.

    Sipas hipotezave të para hetimore, objektivi mund të kishte qenë turma e pjesëmarrësve ose drejtpërdrejt “kulla” e Shën Rozës që gjatë festimeve shëtit nëpër rrugët e qytetit si simboli fetar i Viterbos. Lajmi ka shtyrë autoritetet lokale të ndërmarrin menjëherë masa operative urgjente, duke thirrur Komitetin për Sigurinë Publike. Janë mobilizuar repartet speciale si njësitë NOCS, njësite antishpërthyese me qen, snajperë të vendosur në çatitë e ndërtesave, si dhe kontrolle të shtuara përgjatë gjithë itinerarit të procesionit. Në mënyrë krejtësisht të jashtëzakonshme, transportimi i Kullës ose Makinës së Shën Rozës është zhvilluar me ndriçimin publik përgjatë një pjese të madhe të rrugës e një vendim pa precedent në histori e që zakonisht zhvillohet në errësirë për të theksuar efektin skenik të kullës së ndriçuar./ Alba Kepi/ 

  • Zjarr i madh në Universitetin e Tuscias në Itali, laboratorët të mbushur me substanca kimike 

    Zjarr i madh në Universitetin e Tuscias në Itali, laboratorët të mbushur me substanca kimike 

    Të mërkurën në mëngjes një zjarr i fuqishëm ka përfshirë Fakultetin e Agronomisë në Universitetin e Tuscia-s në Viterbo. Sipas hetimeve të para, flakët kanë nisur nga sistemi fotovoltaik që ndodhet në çatinë e ndërtesës C, ku po kryheshin punime për vendosjen e një shtrese hidroizoluese. Zjarri u përhap më pas edhe në laboratorin poshtë, një hapësirë prej 150 me 50 metra, ku për fat të mirë nuk ndodheshin persona në atë moment. Një punëtor që po punonte në çati u raportua i zhdukur, por më vonë u gjet i sigurt.
    Katër skuadra zjarrfikësish po punojnë intensivisht për fikjen e zjarrit. Për shkak të tymit të dendur, është evakuuar edhe një hotel pranë ndërtesës për sigurinë e banorëve dhe të stafit, raportohet Corrire Della Sera. 
    Laboratori poshtë është ai i kimi-se dhe gjenetikës, ku ruheshin substanca shumë të ndezshme, si 500 litra etanol dhe bombola me protoksid azoti, gjë që ka rritur rrezikun dhe vështirësuar ndërhyrjen. Policia lokale ka bllokuar rrugët e aksesit në zonë, ndërsa kryetarja e bashkisë së Viterbos, Chiara Frontini, u ka kërkuar banorëve që të mbajnë të gjitha dritaret e shtëpive të mbyllura brenda një rrezeje prej një kilometri. Ajo njoftoi gjithashtu se do të nxirret një urdhër për mbylljen e dritareve dhe masat për dyqanet e zonës, për shkak të tymit të dëmshëm.
    Nuk raportohet për të lënduar rëndë, megjithatë disa persona janë dërguar me ambulancë për helmim të lehtë nga tymi. Zjarri shpërtheu rreth orës 10 në lagjen Riello, pranë Gjykatës së Viterbos.
    Prokuroria e Viterbos është duke pritur raportet e para nga zjarrfikësit dhe forcat e rendit, dhe pas përfundimit të verifikimeve do të hapë zyrtarisht një hetim për ngjarjen. Shkaqet e zjarrit ende po studiohen, por gjithçka tregon se ka nisur nga çatia ku po kryheshin punimet.
    Kjo ngjarje është një goditje e madhe për komunitetin shkencor dhe arsimor në fushën e agronomisë. Roberto Petretti, kryetar i Shoqatës së Agronomëve dhe Pylltarëve të provincës së Viterbos, theksoi se Fakulteti i Agronomisë i Universitetit të Tuscia-s është një nga më të mirët në Itali dhe një pikë kyçe për zhvillimin shkencor dhe edukimin profesional në këtë sektor. Ai shprehu solidaritet me komunitetin akademik dhe shpresën që të mos ketë të lënduar dhe që rindërtimi të nisë sa më shpejt.
    Në mbështetje të Universitetit u shprehën edhe autoritetet rajonale dhe qeveritare. Giancarlo Righini, këshilltar për buxhetin, bujqësinë dhe sigurinë ushqimore në rajonin Lazio, u shpreh i tronditur dhe premtoi bashkëpunim për rikthimin sa më të shpejtë të funksionimit të fakultetit. Ndërkaq, këshilltarja për arsimin Luisa Regimenti garantoi mbështetjen për rifillimin e aktiviteteve akademike.
    Ministri i Mjedisit dhe Sigurisë Energjitike, Gilberto Pichetto, në një postim në Facebook u shpreh i trishtuar për ngjarjen dhe siguroi komunitetin akademik, studentët dhe qytetarët se qeveria do të qëndrojë pranë tyre gjatë procesit të rimëkëmbjes, duke theksuar rëndësinë e arsimit për të ardhmen mjedisore të vendit.

  • VIDEO/ Zjarr i madh në Universitetin e Viterbos në Itali, evakuohen klasat, shembet një pjesë e fakultetit

    VIDEO/ Zjarr i madh në Universitetin e Viterbos në Itali, evakuohen klasat, shembet një pjesë e fakultetit

    Një zjarr i madh shpërthue ditën e sotme në Universitetin e Viterbos, 80 kilometra larg Romës.

    Sipas informacioneve të deritanishme, zjarri është përhapur nga çatia e Shkollës Bujqësore, ku po kryhen punime, në të gjithë ndërtesën.

    Incendio Università degli Studi della #Tuscia Facoltà di Agraria #Viterbo. Fiamme altissime, coltre di fumo nero. La pronta evacuazione ha scongiurato il peggio. Zona delimitata dalla Polizia di Stato. Vigili del Fuoco ed Esercito Italiano all’opera.#StefanoMariglianiPhotography pic.twitter.com/Xdtymkj5Gd
    — Stefano Marigliani (@stemarigliani) June 4, 2025

    Falë mobilizimit të menjëhershëm, klasat u arrit të evakuoheshin, por pak më parë një pjesë e katit të dytë të shkollës u shemb.
    Katër departamente zjarrfikëse janë përfshirë në përpjekjet për të shuar zjarrin.
    Fatmirësisht nuk ka raportime për të lënduar.

    BREAKING: The University of Tuscia al Riello in Viterbo, Italy is on fire…pic.twitter.com/ai8xLPZyop
    — Volcaholic 🌋 (@volcaholic1) June 4, 2025

    Autoritetet u kërkuan banorëve në zonë të mbajnë dritaret e apartamenteve të tyre të mbyllura si masë paraprake./vizionplus.tv

  • Zbulim i madh në Itali: Tuneli i lashtë që mund të lidhte Romën me një qytet 80 kilometra larg

    Zbulim i madh në Itali: Tuneli i lashtë që mund të lidhte Romën me një qytet 80 kilometra larg

    Një zbulim arkeologjik krejtësisht i papritur ka mahnitur Italinë: një tunel i fshehur për shekuj në shkëmbin vullkanik të Tuscia-s, mund të lidhë qytetin e Viterbos me Romën – mbi 80 kilometra largësi.
    Tuneli u zbulua gjatë punimeve nëntokësore në qendrën historike të Viterbos. Teksa teknikët po punonin në themelet e një ndërtese, u has në një hyrje të lashtë në shkëmb. Arkeologët nga Universiteti i Tuscias, të cilët iu bashkuan menjëherë eksplorimeve, shprehen të habitur. “Asgjë e ngjashme nuk është parë më parë në Itali,” tha një prej tyre.
    Tuneli është rreth tre metra i lartë dhe dy metra i gjerë, dhe sipas matjeve të para, shtrihet drejt juglindjes, në drejtim të Romës. Deri më tani është dokumentuar se ai arrin deri në zonën e Sutrit, e ndoshta shkon deri në Prima Porta, në hyrje të kryeqytetit.
    Origjina e tij mbetet mister. Disa historianë mendojnë se mund të ketë qenë rrugë e fshehtë mesjetare për komunikim mes Vatikani dhe Viterbos, kur kjo e fundit ishte seli papnore. Të tjerë sugjerojnë origjinë etruske, për qëllime ushtarake apo evakuimi.
    Aktualisht, hyrja në tunel ruhet në fshehtësi të plotë për të parandaluar dëmtime dhe grabitje. Po përdoren teknologjia për të hartuar strukturën dhe për të verifikuar nëse shkon realisht deri në Romë. Ky zbulim i jashtëzakonshëm mund të rishkruajë historinë e lidhjeve antike në rajon dhe të hapë një kapitull të ri në turizmin arkeologjik të Viterbos.