Tag: viktimave

  • 45 vjet nga masakra e neo-fashistëve me 85 të vrarë e 200 të plagosur në Itali! Tensione politike në përvjetor, reagon Meloni

    45 vjet nga masakra e neo-fashistëve me 85 të vrarë e 200 të plagosur në Itali! Tensione politike në përvjetor, reagon Meloni

    Në 45-vjetorin e masakrës së stacionit të trenit në Bolonjë, ku më 2 gusht 1980 humbën jetën 85 persona dhe u plagosën mbi 200, Italia përkujtoi një nga plagët më të thella të historisë së saj, tashmë me një vendim përfundimtar nga Gjykata e Kasacionit, që e konfirmon autorësinë e terroristëve neofashistë dhe lozhës masonike P2.

    Ceremonia përkujtimore u shoqërua me tensione politike dhe deklarata të forta. Presidenti i Republikës, Sergio Mattarella, e përshkroi masakrën si një “gjurmë të pashlyeshme çnjerëzimi në identitetin e Italisë”, të shkaktuar nga “një strategji e pamëshirshme subversive neofashiste që synonte të godiste vlerat kushtetuese dhe bashkëjetesën civile”.
    Në ceremoni, Paolo Bolognesi, ish-kreu i shoqatës së familjeve të viktimave, sulmoi qeverinë dhe veçanërisht Giorgia Meloni për mospranimin e rrënjëve fashiste të masakrës.
    “Të dënosh frutin e një bime helmuese, ndërsa vazhdon të ujitësh rrënjët e saj, është hipokrizi”, u shpreh ai para një sheshi të mbushur përpara stacionit të trenit. Pas ceremonisë, ai ia dorëzoi drejtimin e shoqatës zëvendësit të tij, Paolo Lambertini.
    “Do të bëjmë çmos për të arritur te e vërteta”, ka deklaruar kryeministrja Giorgia Meloni, duke shtuar se “qeveria do të vazhdojë të bëjë pjesën e saj në këtë proces për të zbuluar të vërtetën e plotë rreth masakrave që tronditën kombin në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, duke filluar me angazhimin e bërë, së bashku me administratat e tjera kompetente, për të transferuar dokumentet e deklasifikuara në Arkivin Qendror Shtetëror, në një klimë bashkëpunimi me shoqatat e familjeve të viktimave.”
    Përfaqësuese e qeverisë ishte Ministrja e Universiteteve, Anna Maria Bernini, e cila e dënoi masakrën si “të turpshme dhe të tmerrshme”, por mohoi çdo lidhje midis ngjarjes së vitit 1980 dhe qeverisë aktuale. Ajo deklaroi se ishte aty për respekt të thellë ndaj familjeve të viktimave, duke marrë pjesë në të gjithë ceremoninë.
    E pranishme gjithashtu ishte Elly Schlein, kryetare e Partisë Demokratike, e cila kërkoi që “edhe ata në qeveri të lexojnë vendimet e gjykatave”, duke iu referuar qartazi vendimeve që konfirmojnë përgjegjësinë e neofashistëve.
    Ndërkohë, një tjetër çështje e ndezur është mospublikimi i plotë i vendimeve gjyqësore, për të cilat kryebashkiaku i Bolonjës, Matteo Lepore, akuzoi qeverinë për pengim të transparencës.
    “Ne do të luftojmë në çdo nivel për publikimin e plotë të këtyre vendimeve. Qeveria nuk duhet të guxojë ta fshehë këtë të vërtetë”, deklaroi ai.
    Masakra e Bolonjës mbetet simbol i “strategjisë së tensionit” në vitet e errëta të terrorizmit politik në Itali, dhe përvjetori i saj, pavarësisht vendimit gjyqësor përfundimtar, vijon të jetë fushëbetejë politike për kujtesën historike dhe të vërtetën institucionale.
     

    Top Channel

  • Aksidenti i Air India, djali i një prej viktimave: Më dërguan mbetje që s’ishin të nënës sime

    Aksidenti i Air India, djali i një prej viktimave: Më dërguan mbetje që s’ishin të nënës sime

    Djali i një prej viktimave në përplasjen ajrore të Air India-s ka deklaruar për BBC se në arkivolin e nënës së tij, i dërguar në Mbretërinë e Bashkuar, janë gjetur edhe mbetje të tjera njerëzore.
    Miten Patel, i cili humbi edhe të atin në aksident, tha se konstatuan praninë e mbetjeve të përziera në arkivol, duke e lënë atë me dyshimin tronditës: “Sa të tjerë ndodhen aty brenda?”
    Sipas Daily Mail, të paktën dy raste janë identifikuar ku trupat e pajetë të dërguar në Britani nuk përputheshin me identitetin e viktimave. Në një rast ishte dërguar një trup i gabuar dhe në një tjetër disa mbetje të njerëzve të ndryshëm ishin vendosur në të njëjtin arkivol.
    Ministria e Jashtme e Indisë reagoi duke deklaruar se të gjitha mbetjet mortore janë trajtuar me “profesionalizëm maksimal” dhe “respekt të plotë për dinjitetin e të ndjerëve”, ndërsa konfirmoi se po punon ngushtësisht me autoritetet britanike për të sqaruar situatën.
    Nga ana tjetër, qeveria britanike tha se identifikimi formal i trupave është përgjegjësi e autoriteteve indiane, por po vijon bashkëpunimin me shtetin e Gujaratit dhe qeverinë indiane.
    Ashok dhe Shobhana Patel, të cilët ndodheshin në avionin që u nis më 12 qershor nga Ahmedabad drejt Gatwick, ishin ndër viktimat e para që u kthyen në shtëpi.
    “E kuptoj që mund të ketë pasur lodhje dhe presion, por kjo nuk është arsye. Duhet të ketë një standard serioz përgjegjësie kur dërgon trupat në një vend tjetër. Si mund të jem i sigurt që në arkivol ndodhet vetëm nëna ime?”, tha i zhgënjyer djali i tyre, Miten.
    Një avokat që përfaqëson disa nga familjet e prekura kërkoi që kryeministri britanik Sir Keir Starmer të ngrejë këtë çështje me kryeministrin indian Narendra Modi gjatë vizitës së këtij të fundit në Mbretërinë e Bashkuar këtë javë.
    “Familjet kanë nevojë për përgjigje urgjente dhe garanci për vendndodhjen e trupave të të afërmve të tyre”, tha ai.
    Zyra e Jashtme britanike theksoi se po ofron mbështetje të vazhdueshme për të gjitha familjet, përfshirë edhe caktimin e zyrtarëve të posaçëm për çdo familje që e ka kërkuar një të tillë.

  • Anija turistike përmbyset mes stuhisë në Vietnam/ Rritet bilanci tragjik i viktimave, shkon në 34 numri i të vdekurve

    Anija turistike përmbyset mes stuhisë në Vietnam/ Rritet bilanci tragjik i viktimave, shkon në 34 numri i të vdekurve

    Të paktën 27 persona kanë humbur jetën pasi një anije turistike u përmbys në Gjirin Ha Long të Vietnamit, sipas raportimeve nga media shtetërore.

    Anija “Wonder Sea”, e cila mbante 53 persona në bord, përfshirë pesë anëtarë të ekuipazhit, u përmbys të shtunën rreth orës 14:00 me orën lokale, si pasojë e erërave të forta.
    Sipas Agjencisë Shtetërore të Lajmeve të Vietnamit, ekipet e shpëtimit kanë arritur të gjejnë 11 të mbijetuar, teksa numri i viktimave ka shkuar në 34, tetë prej të cilëve janë fëmijë.
    Identitetet dhe kombësitë e turistëve ende nuk janë konfirmuar, ndërsa operacionet e kërkimit dhe shpëtimit vazhdojnë. Shumica e pasagjerëve ishin turistë nga kryeqyteti Hanoi, përfshirë rreth 20 fëmijë.
    Ngjarja ndodhi në kohën kur stuhia tropikale Wipha kishte prekur Detin e Kinës Jugore, duke sjellë reshje të dendura shiu dhe erëra të forta në rajon. Kjo është stuhia e tretë që godet zonën për këtë vit dhe pritet të zbresë në bregun verior të Vietnamit në fillim të javës së ardhshme.

    Top Channel

  • Masakër në Gaza! Të paktën 90 të vrarë nga sulmet izraelite, mes tyre edhe civilë që prisnin ndihma humanitare

    Masakër në Gaza! Të paktën 90 të vrarë nga sulmet izraelite, mes tyre edhe civilë që prisnin ndihma humanitare

    Gaza po përjeton një tjetër ditë të përgjakshme. Të paktën 90 persona janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite që nga agimi i së premtes, kanë konfirmuar burime mjekësore për rrjetin Al Jazeera.
    Në mesin e viktimave janë 36 civilë që po prisnin ndihma humanitare në një nga pikat e shpërndarjes.
    Bombardimet kanë përfshirë disa zona të Rripit të Gazës, përfshirë Khan Younis dhe Rafah, duke shkaktuar shkatërrim të madh dhe panik mes popullatës së rraskapitur nga muajt e gjatë të luftës.
    Sipas mjekëve në spitalet lokale, numri i viktimave pritet të rritet, pasi shumë nga të plagosurit ndodhen në gjendje kritike dhe mungesa e pajisjeve mjekësore e bën trajtimin e tyre pothuajse të pamundur.
    Situata humanitare në Gaza është përkeqësuar ndjeshëm pas rifillimit të operacioneve ushtarake të Izraelit në muajin maj. Sulmet kanë prekur jo vetëm objektiva të dyshuara ushtarake të Hamasit, por gjithnjë e më shpesh edhe infrastrukturë civile, shkolla, spitale dhe qendra ndihmash.
    Organizatat ndërkombëtare të ndihmës dhe OKB kanë ngritur alarmin për shkelje të mundshme të ligjit ndërkombëtar humanitar, duke theksuar se civilët nuk po kursehen nga sulmet, madje shpesh janë në vijën e parë të goditjeve.
    Izraeli ka deklaruar se veprimet ushtarake kanë si objektiv eliminimin e militantëve të Hamasit dhe çmontimin e rrjeteve të tyre nën tokë, por komuniteti ndërkombëtar vijon të kërkojë armëpushim të menjëhershëm dhe hapje të korridoreve të sigurisë për ndihmat humanitare.
    Ndërkohë, populli i Gazës mbetet i mbyllur në një hapësirë gjithnjë e më të ngushtë dhe të rrezikshme, pa mundësi evakuimi, me mungesë të thellë ushqimi, uji dhe ndihme mjekësore – ndërkohë që numri i viktimave rritet nga dita në ditë.

  • Aksidenti tragjik në Angli/ Një mjek mes të vdekurve nga rrëzimi i avionit, sapo kishin dorëzuar një pacient! Viktima e katërt ende nuk është gjendur

    Aksidenti tragjik në Angli/ Një mjek mes të vdekurve nga rrëzimi i avionit, sapo kishin dorëzuar një pacient! Viktima e katërt ende nuk është gjendur

    Një mjek ishe mes katër personave që humbën jetën në aksidentin ajror që ndodhi të dielën pasdite në Aeroportin Southend në Angli.

    Mes viktimave ishin edhe infermierja 31-vjeçare Maria Fernanda Rojas Ortiz, si dhe dy pilotë holandezë.
    Policia e Essex-it njoftoi të martën se deri tani kanë gjetur tre trupa dhe po punojnë për të rimarrë trupin e katërt brenda 24 orëve të ardhshme. Autoritetet konfirmuan se avioni ishte një fluturim mjekësor, i cili kishte sjellë një pacient në aeroport për trajtim të mëtejshëm në Mbretërinë e Bashkuar.
    Avioni kishte përfunduar dorëzimin e pacientit dhe po kthehej drejt Holandës kur u rrëzua rreth orës 15:48. Identitetet e viktimave nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga policia.

    Top Channel

  • 30 vite nga gjenocidi, Kurti ‘godet’ Serbinë nga zemra e Srebrenicës: Nuk harrojmë dhe nuk falim

    30 vite nga gjenocidi, Kurti ‘godet’ Serbinë nga zemra e Srebrenicës: Nuk harrojmë dhe nuk falim

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministret Donika Gërvalla dhe Emilija Rexhepi, morën pjesë në ceremoninë përkujtimore të 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, që u zhvillua në Qendrën Memoriale në Potoçari.
    Delegacioni nga Kosova nderoi kujtimin e 8,372 viktimave duke vendosur lule pranë varrezave, në shenjë respekti për burrat dhe djemtë boshnjakë të vrarë nga forcat serbe në vitin 1995, në aktin më të rëndë gjenocidal në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.
    Kurti dhe bashkëpunëtorët e tij vizituan gjithashtu ekspozitën “Me hapat e atyre që (nuk) kaluan”, e kuruar nga Aziz Osmanoviç, që përmes objekteve personale sjell rrëfime prekëse të viktimave dhe të mbijetuarve.
    Në fjalën e tij, Kurti e cilësoi masakrën e Srebrenicës si dëshmi të tmerrit të regjimit të Millosheviçit dhe paralajmërim për qëllimet gjenocidale të Serbisë edhe në Kosovë, duke theksuar angazhimin e vazhdueshëm të Kosovës për të ruajtur kujtesën historike dhe për të qëndruar në krah të së vërtetës dhe viktimave.

  • Albin Kurti në Bosnjë: Srebrenica ishte paralajmërim për Kosovën dhe botën

    Albin Kurti në Bosnjë: Srebrenica ishte paralajmërim për Kosovën dhe botën

    Në 30-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministret Donika Gërvalla dhe Emilija Rexhepi, morën pjesë në ceremoninë përkujtimore të zhvilluar në Qendrën Memoriale në Potoçari, Bosnje-Hercegovinë.
    Delegacioni kosovar vendosi lule pranë varrezave të viktimave, duke nderuar kujtimin e 8,372 burrave dhe djemve boshnjakë të vrarë nga forcat serbe në korrikun e vitit 1995 – një nga aktet më të rënda të gjenocidit në Europë pas Luftës së Dytë Botërore.

    Gjatë vizitës, Kurti dhe bashkëpunëtorët e tij panë nga afër ekspozitën “Me hapat e atyre që (nuk) kaluan”, një instalacion i kuruar nga Aziz Osmanoviç, që përmes objekteve personale sjell dëshmi prekëse të viktimave dhe të mbijetuarve të masakrës.
    Në fjalimin e mbajtur, Kurti e cilësoi krimin e Srebrenicës si një dëshmi të qartë të gjenocidit të regjimit të Sllobodan Millosheviçit dhe një paralajmërim për synimet e tij edhe ndaj Kosovës. Ai nënvizoi angazhimin e Kosovës për të mos lejuar që krimet të harrohen dhe për të qëndruar gjithmonë në anën e së vërtetës dhe të viktimave.
    “Kujtesa është akt drejtësie, dhe drejtësia është parakusht për paqe të qëndrueshme,” tha Kurti.

  • Operacioni ‘Global Chain/ Goditje ndaj rrjeteve të trafikimit të njerëzve: 158 arrestime dhe mbi 1,000 viktima të identifikuara

    Operacioni ‘Global Chain/ Goditje ndaj rrjeteve të trafikimit të njerëzve: 158 arrestime dhe mbi 1,000 viktima të identifikuara

    Një operacion ndërkombëtar i ka dhënë një goditje të madhe rrjeteve të trafikimit të qenieve njerëzore, duke çuar në më shumë se 150 arrestime dhe identifikimin e mbi 1,000 viktimave.

    Operacioni gjashtëditor, i koduar “Global Chain”, u zhvillua në fillim të qershorit dhe përfshiu gati 15,000 oficerë policie në 43 vende në Evropë, Azi, Afrikë dhe Amerikën e Jugut, sipas Interpolit. Ai shënjestroi rrjetet e krimit të organizuar që trafikojnë njerëz, kryesisht të mitur, për shfrytëzim seksual, aktivitet kriminal të detyruar dhe lypje.

    Siç raportoi Europol, shumë nga viktimat e shfrytëzimit seksual janë gra që rekrutohen nga jashtë dhe çohen në sallone masazhi të paligjshme, ku shantazhohen për prostitucion.

    Operacioni rezultoi në 158 arrestime dhe identifikimin e 205 të dyshuarve të tjerë, ndërsa u identifikuan 1,194 viktima të mundshme të trafikimit. Operacioni u drejtua nga autoritetet austriake dhe rumune dhe u përqendrua kryesisht në Evropë.

    Në Maltë, policia liroi tre gra kolumbiane – dy motra dhe tezen e tyre – të cilave u ishte premtuar punë pastrimi nga një shtetas italian. Me të mbërritur, punëdhënësi i tyre konfiskoi pasaportat me pretekstin e lëshimit të lejeve të punës, të cilat më pas i përdori për t’i detyruar ato të prostituoheshin.

    Në Itali, u kryen bastisje në sallone masazhi të dyshuara për lidhje me rrjetet e trafikimit të qenieve njerëzore, duke rezultuar në identifikimin e 75 viktimave të mundshme.

    Në total, viktimat vinin nga 64 vende, ku shumica e rasteve përfshinin qytetarë nga Rumania, Ukraina, Kolumbia dhe Kina. Policia rumune arrestoi 9 persona për trafikimin e 8 viktimave fëmijë, të moshës 7 deri në 15 vjeç, me qëllim lypjen e detyruar.

    Gjatë operacionit, u sekuestruan gjithashtu 277,669 euro në para të gatshme, 30 armë, 65 dokumente të falsifikuara dhe një ton kanabis.

  • Në kujtim të viktimave të Wołyń Gjenocidi nazist në Poloni

    Në kujtim të viktimave të Wołyń Gjenocidi nazist në Poloni

    Nga Eljanos Kasaj*
    Varshavë(Warszawa),Poloni-  Presidenti polak në largim, Andrzej Duda, ka nënshkruar një ligj për të shpallur një ditë zyrtare përkujtimore për viktimat e “gjenocidit” të kryer nga Organizata e Nacionalistëve Ukrainas (OUN-Організація українських націоналістів) dhe Ushtria Kryengritëse Ukrainase (UPA-Українська повстанська армія,) gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore(1939-1945).
    “Ligji i 4 qershorit 2025 për vendosjen e 11 korrikut si Dita Kombëtare e Përkujtimit të polakëve, viktima të gjenocidit të kryer nga OUN dhe UPA në territoret lindore të Republiksës së Dytë Polake”, thuhet në mesazhin e publikuar në faqen zyrtare presidenciale.
    Sipas dokumentave historike të disponuara, nga viti 1943 deri në vitin 1945, është dokumentuar se kolaboracionistët ukrainas së bashku me trupat naziste të Wermaht-it vranë mbi 100,000 polakë etnikë në rajonet e Volhyn-ia(Wołyń) dhe Galicisë Lindore(Galicja Wschodnia), tani pjesë e Ukrainës Perëndimore moderne. Kulmi i masakrave, të cilat qeveria polake i ka njohur zyrtarisht si gjenocid, ndodhi në mesin e vitit 1943, kur banorët e “rreth njëqind fshatrave polak” u shfarosën më 11 korrik, sipas të statistikave të bëra publike të një projektligji të miratuar nga Parlamenti(Sejm) dhe Senati polak muajin e kaluar.
    “Martirizimi i polakëve për përkatësinë e tyre ndaj kombit polak meriton të përkujtohet me një ditë vjetore të caktuar nga shteti polak për të nderuar viktimat”, thuhet në dokument.
    Më 5 qershor, Ministria e Punëve të Jashtme e Ukrainës dënoi vendimin e Polonisë për t’i dhënë status shtetëror Ditës së Përkujtimit të Viktimave të masakrës së Volhyn-it.
    Në të njëjtën kohë u vu re se parlamenti polak(Sejm Rzeczypospolitej Polskiej) pothuajse unanimisht (435 vota nga 436) mbështeti iniciativën për të futur një datë të paharrueshme më 11 korrik si Dita e Përkujtimit të Viktimave të ngjarjeve të vitit 1943.
    Qeveria polake ka ngritur gjithashtu shqetësime të veçanta me nderimet e bëra figurës së liderit të UPA-së Stepan Banderas(Степа́н Андрі́йович Банде́р, 1909-1959) në prej qeverisë Ukrainase, pasi besohet se UPA ka vrarë midis 40,000 dhe 120,000 polakë etnikë në rajonet e Volhyn-ias dhe Galicisë Lindore.
    Ndërsa vetëm disa muaj më parë në mediat dhe shoqërinë civile polake(por dhe atë në shumë vendeve evropiane),një debat i madh u ngrit kundër vizitës së pjestarëve të komandës së Regjimentit të Azovit,të deklaruar si një njesi ushtarake promovuese e “racizmit,nacionalizmit radikal dhe ksenofobisë” prej administratës amerikane në vitin 2017,por ky vendim u anullua në mënyrë të çuditëshme gjatë periudhës së adminkstratës së presidentit Biden,duke çuar edhe në protesta të mëdha civile në Poloni.
    Masakrat dhe njohja e krimeve të bëra kundë popullsisë civile polake prej “forcave nacionaliste ukrainse” gjatë Luftës së Dytë Botërore, kanë qenë prej kohësh një burim tensioni në marrëdhëniet midis Kievit dhe Varshavës, pavarësisht se Polonia është një nga mbështetëset më të forta të Ukrainës në konfliktin e saj të armatosur me Rusinë.
    Presidenti i sapozgjedhur i Polonisë, Karol Nawrocki, gjithashtu ka deklaruar vazhdimisht se Kievi duhet të marrë përgjegjësinë për masakrat. Pavarësisht qëndrimit të tij të favorshëm ndaj mbështetjes ushtarake për Ukrainën, ai ka kundërshtuar ambiciet e Kievit për anëtarësim në NATO dhe BE derisa të zgjidhen “çështje të tilla parimore dhe qytetëruese”.
    *Fakulteti i Shkencave Politike. Universiteti i Wroclaw (Uniwersytet Wrocławski), Poloni

  • Sulmet izraelite, mbi 1 mijë viktima në Iran

    Sulmet izraelite, mbi 1 mijë viktima në Iran

    Autoritetet iraniane kanë përditësuar shifrat zyrtare të viktimave pas përplasjes së fundit ushtarake me Izraelin, duke bërë me dije se të paktën 1060 persona kanë humbur jetën.

    Sipas burimeve qeveritare, numri mund të shkojë deri në 1100, për shkak të plagëve të rënda që kanë pësuar shumë nga të lënduarit.
    Lajmi u konfirmua nga Saeed Ohadi, drejtues i Fondacionit iranian për Dëshmorët dhe Veteranët, gjatë një interviste për televizionin shtetëror, e cila u citua gjithashtu nga gazeta izraelite Haaretz.

    Në fillim të ofensivës që zgjati 12 ditë, autoritetet iraniane tentuan të minimizonin impaktin e bombardimeve izraelite, por me kalimin e kohës janë detyruar të pranojnë se dëmet kanë qenë të mëdha. Midis humbjeve më të rënda përmenden shkatërrimi i bazave ushtarake, sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe strukturave të ndjeshme të lidhura me programin bërthamor të vendit.
    Nga ana tjetër, një raport i organizatës amerikane Human Rights Activists ofron një pasqyrë edhe më të rëndë, sipas tyre, numri i viktimave ka arritur të paktën në 1190, përfshirë 436 civilë dhe 435 anëtarë të forcave të sigurisë. Po ashtu, rreth 4475 persona janë raportuar të plagosur.
    Ky përshkallëzim i dhunës mes dy kundërshtarëve rajonalë ka lënë pasoja të mëdha jo vetëm në infrastrukturën ushtarake të Iranit, por edhe në situatën humanitare brenda vendit.