Rreth 130 persona kanë humbur jetën në Rio de Janeiro gjatë ditës më të përgjakshme të dhunës në qytet, ndërsa mbi 2,500 policë dhe forca speciale sulmuan një zonë të favelave pranë aeroportit ndërkombëtar, ku konsiderohet se ndodhet selia e një prej grupeve më të fuqishme kriminale në Brazil.
Gjatë përleshjeve, kriminelët vendosën barrikada, dogjën autobusë dhe ngritën postblloqe të improvizuara, duke paralizuar trafikun dhe duke përhapur frikë në disa zona të qytetit. Sipas raportimeve, mijëra anëtarë të grupit kriminal janë përfshirë në përplasje.
Kryebashkiaku i Rio de Janeiros, Eduardo Paes, reagoi ashpër duke theksuar se qyteti “nuk mund dhe nuk do të mbahet peng nga kriminelët që duan të mbjellin frikë në rrugë”.
Për shkak të situatës së rënduar, autoritetet vendore kanë ngritur nivelin e alarmit në shkallën 2, ndërsa 45 shkolla, klinika dhe qendra shëndetësore në zonat e prekura janë mbyllur përkohësisht.
Operacioni, në të cilin janë angazhuar mbi 2,500 efektivë, vijon ende, dhe autoritetet paralajmërojnë se bilanci i viktimave mund të rritet. Zona e goditur është një nga më të populluarat e qytetit, me rreth 280 mijë banorë, ndërsa frika për shpërthim të dhunës gjatë natës mbetet e lartë.
Tag: viktimave
-

Rritet bilanci i viktimave në Rio de Janeiro, 130 persona humbin jetë pas përplasjeve të dhunshme mes..
-

Rritet bilanci i viktimave nga sulmet në Gaza, mes tyre dhjetëra fëmijë/ Vijojnë kërkimet nën rrënoja
Sulmet izraelite në Gaza i kanë marrë jetën të paktën 104 palestinezëve, përfshirë 46 fëmijë dhe 20 gra.
Sulmet, që kanë goditur zona të banuara, shkolla dhe shtëpi, lanë mbi 250 të plagosur.
Ekipet e shpëtimit po vijojnë kërkimet nën rrënoja për të gjetur të mbijetuar, ndërsa numri i viktimave rritet me kalimin e orëve.
Sipas raporteve të forcave izraelite, sulmet ishin një përgjigje ndaj shkeljeve të armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA.
Izraeli ka goditur dhjetëra objektiva, të cilat i konsideron si vend-strehime terroristësh.
Nga ana tjetër, Hamasi ka mohuar akuzat për një sulm ndaj trupave izraelite dhe ka dënuar ashpër bombardimet, duke i quajtur ato shkelje të hapura të armëpushimit.Top Channel
-

Valencia kërkon drejtësi një vit pas ‘DANA’-s: 50,000 njerëz kërkojnë dorëheqjen e udhëheqësit rajonal
valencia
SPANJË- Mijëra valencianë kanë dalë përsëri në rrugë nën sloganin “Mazón jep dorëheqjen” për të denoncuar faktin se, një vit pas tragjedisë, nuk është pranuar asnjë përgjegjësi politike. Demonstrata filloi në Plaza de San Agustín dhe marshoi nëpër qendër të qytetit për dy orë, duke kulmuar në Plaza de la Virgen, pranë Palau de la Generalitat, ku alarmi u dha përsëri në kujtim të viktimave. Burime zyrtare konfirmojnë një pjesëmarrje prej rreth 50,000 personash.
Të afërmit e të ndjerëve udhëhoqën protestën, duke mbajtur fotografi të të dashurve të tyre dhe duke veshur bluza me mesazhin “20:11 As i harruar as i humbur”, duke iu referuar orës së vonë në të cilën u dërgua alarmi në celularë kur tashmë kishte njerëz që po mbyten. “Pse nuk i evakuuan njerëzit? Është e pakuptueshme”, tha Rosa Cerros, një nga pjesëmarrëset.
Drejtësi dhe kujtesë në përvjetorin e parë
Presidentja e Shoqatës së Viktimave të Danës, Mariló Gradolí, u ankua se dymbëdhjetë muaj më vonë, “ende nuk e dimë se çfarë po bënte Carlos Mazón” atë pasdite dhe kërkoi “të vërtetën për të gjitha viktimat”. Rosa Álvarez, e Shoqatës së Viktimave të Danës 29O , theksoi se “kujtesa është gjithashtu justifikim”.
Orë para demonstratës, shoqëria valenciane i bëri homazhe 229 viktimave në një aktivitet në Teatrin Olympia , ku anëtarët e familjeve ofruan dëshmi dhe kërkuan që ato të mos harroheshin. Mobilizimi vjen katër ditë para funeralit shtetëror të planifikuar për 29 tetor në Qytetin e Arteve dhe Shkencave, në të cilin do të marrin pjesë autoritetet më të larta të vendit. Një nga shoqatat e viktimave ka kërkuar që Mazón të mos marrë pjesë në homazhe.
Që nga marshimi i parë më 9 nëntor 2024, dymbëdhjetë demonstrata janë zhvilluar në Valencia dhe qytete të tjera të prekura si Paiporta dhe Catarroja. Në Alicante, 3,500 persona marshuan gjithashtu këtë të shtunë duke kërkuar dorëheqjen e presidentit. Protestuesit theksojnë se shumë detyra mbeten të papërfunduara: ashensorët janë jashtë funksionit, më shumë se një duzinë shkollash duhet të rindërtohen dhe më shumë se 3,000 nxënës jetojnë në klasa të parafabrikuara. -

Polemika në Greqi për ndalimin e protestave pranë monumentit të Ushtarit të Panjohur
Vazhdojnë polemikat në Greqi për monumentin e Ushtarit të Panjohur në sheshin Sintagma të Athinës, dy ditë pas miratimit të një ligji nga shumica konservatore e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, i cili ndalon zhvillimin e protestave pranë këtij monumenti-ikonë, që ndodhet jashtë parlamentit dhe ka shërbyer shpesh si pikë referimi për demonstrata.
Amendamenti ka shkaktuar kritika të ashpra nga partitë opozitare, të cilat akuzojnë qeverinë për mungesë tolerance dhe për nxitje të përçarjes në shoqëri.
Sipas kryeministrit Mitsotakis, ndryshimet e reja transferojnë përgjegjësinë për mirëmbajtjen dhe ruajtjen e monumentit tek Ministria e Mbrojtjes, duke synuar “të mbrojnë dhe forcojnë normalitetin”.
Sheshi përpara monumentit është shndërruar kohët e fundit në vend takimi për familjarët e viktimave të tragjedisë hekurudhore të Tempit, që ndodhi më 28 shkurt 2023. Aty është ngritur një memorial i përkohshëm, me emrat e viktimave të shkruar me bojë të kuqe në tokë, të rrethuar me qirinj dhe lule.
Për 23 ditë, një prej prindërve të viktimave, Pano Ruci, me origjinë shqiptare, zhvilloi grevë urie, duke mbledhur çdo ditë rreth tij qindra e mijëra qytetarë që kërkojnë drejtësi për aksidentin tragjik ku humbën jetën 57 persona, shumica studentë.
Sipas amendamentit, qasja publike në monument mbetet e hapur për vizitorët, por protestat apo çdo ndryshim fizik në zonë do të jenë të ndaluara. Shkelësit mund të përballen me gjobë ose deri në një vit burgim.
Ndërkohë, me këtë ndryshim ligjor, përgjegjësia për pastrimin e sheshit dhe monumentit të Ushtarit të Panjohur i kalon Ministrisë së Mbrojtjes, e cila ia ka deleguar këtë detyrë një kompanie private.Ky vendim ka sjellë përplasje me Bashkinë e Athinës, e cila më parë kishte përgjegjësinë për mirëmbajtjen e zonës.Kryebashkiaku Haris Dukas, i mbështetur nga socialistët dhe e majta, ka deklaruar se do të kërkojë drejtësi në institucionet përkatëse për atë që e cilëson si një vendim të padrejtë dhe politikisht të motivuar.Top Channel
-

Ministrja Spiropali mbërrin në Izrael, nderim viktimave të masakrës së 7 Tetorit: Kthimi i pengjeve, hap vendimtar për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali ka mbërritur ditën e sotme në Izrael në përgjigje të ftesës që mori një javë më parë nga homologu izraelit, Gideon Sa’ar.
Ministrja e Jashtme do të pritet në një takim bilateral nga homologu Sa’ar, si dhe nga Kryetari i Kuvendit të Izraelit, Amir Ohana.
Ndalesën e saj të parë në Izrael, Ministrja Spiropali e pati në vendodhjen e Festivalit Nova, në përkujtim të viktimave të masakrës së 7 tetorit të vitit 2023, që u mori jetën mbi 1200 civilëve në Izrael.
Spiropali theksoi se “kthimi i të gjitha pengjeve në shtëpi do të ishte një hap vendimtar për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor”.
“Shqipëria mbështet marrëveshjen e paqes, arritur së fundmi me ndërmjetësimin e Presidentit Trump si e vetmja mënyrë për stabilitet në Lindjen e Mesme dhe bashkëjetesën në siguri e dinjitet për të dy popujt”, deklaroi Spiropali nga Izraeli.
Diskutimet mes dy ministrave të jashtëm do të fokusohen gjithashtu në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, zhvillimet rajonale, bashkëpunimin ekonomik, inovacionin dhe interesat e përbashkëta strategjike.
Spiropali do të vizitojë gjithashtu Memorialin “Yad Vashem”, qendrën e përkujtimit dhe dokumentimit të Holokaustit, ku shqiptarët nderohen ndër popujt që rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.Top Channel
-

Një tjetër varr masiv zbulohet në Siri. Shumica e viktimave ishin gra dhe fëmijë
Ekipet e mbrojtjes civile siriane nxorën të martën mbetjet e 20 personave nga një varr masiv në lindje të qytetit të Doumës, në periferi të Damaskut.
Shumica e mbetjeve duket se janë ato të fëmijëve dhe grave, raportoi rrjeti shtetëror, duke shtuar se hetuesit nuk ishin në gjendje të identifikonin viktimat.
Ekipet e mbrojtjes civile nuk gjetën rroba te viktimat, duke sugjeruar se ato u vranë lakuriq.
Që nga përmbysja e regjimit të Bashar al-Assad në dhjetor 2024, në Siri janë zbuluar varre të shumta masive, më i madhi prej të cilave ishte pranë Damaskut. Një
Reuters kishte raportuar se 60,000 deri në 80,000 trupa të viktimave të tij u zhvendosën në një vend sekret nga varret masive përreth Damaskut nën sundimin e Assadit.
-

Rrite bilanci i viktimave/ Vdes edhe një person si pasojë e zjarrit në Koçan
Numri i viktimave nga zjarri që përfshiu një klub nate në Maqedoninë e Veriut është rritur në 63, pasi një muzikant vdiq nga plagët e marra pothuajse shtatë muaj pas incidentit, tha prokuroria maqedonase më 14 tetor.
Vladimir Bllazhev-Pancho, këngëtari 46-vjeçar i bendit DNK, vdiq në Shkup të martën, pasi ishte hospitalizuar për shkak të lëndimeve serioze, kanë konfirmuar prokurorët.
Më 16 mars, gjatë një koncerti në klubin Pulse në Koçan, shpërtheu zjarr në klubin e stërmbushur me njerëz, duke lënë të vdekur dhjetëra persona. Si pasojë e zjarrit u plagosën pothuajse edhe 200 persona të tjerë.
Tetë muzikantë nga ky bend ishin në mesin e viktimave nga zjarri.
Tragjedia në Koçan ndodhi gjatë një koncerti nga grupi muzikor DNK, kur shkëndijat nga mjetet piroteknike ia vunë zjarrin tavanit të diskotekës, duke bërë që flakët të përhapeshin me shpejtësi dhe paniku dhe dalja e ngushtë nga ndërtesa të shkaktonin rrëmujë të madhe.
Prokurorët kanë thënë se klubi pothuajse nuk përmbushte asnjë standard të sigurisë.
Më herët gjatë këtij muaji, një gjykatë në Maqedoninë e Veriut ka konfirmuar aktakuzat ndaj 34 personave – një hap i rëndësishëm drejt gjykimit të atyre që besohet se ishin përgjegjës për një nga zjarret më vdekjeprurëse në klubet e natës në Evropë.Pasi i ka konfirmuar aktakuzat, gjykatësi pritet të vendosë për datën e nisjes së gjykimit.
Tre të pandehurit në këtë çështje janë personat përgjegjës, pronarët dhe menaxherët e kompanive CLASSIC DM – Koçani me degën Cabaret PULS dhe kompanisë MMMM CAFE – Koçani, të cilat kanë drejtuar një biznes ushqimi në objektin fatkeq që nga dhjetori i vitit 2012.
Në mesin e të pandehurve është vëllai i pronarit të diskotekës, i cili, sipas prokurorisë, ishte përgjegjës për shitjen e biletave dhe kontrollin e numrit të mysafirëve dhe moshave të tyre.
Sipas vlerësimeve të prokurorisë, atë natë fatale në Pulse ishin mbi 500 persona.
Tre kryetarë bashkie të Koçanit akuzohen gjithashtu: Lupço Papazov, i cili ishte në detyrë në kohën e tragjedisë, dhe paraardhësit e tij Nikolço Iliev dhe Ratko Dimitrovski.
Ish-ministrat e ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe Valon Saraqini janë në mesin e të akuzuarve gjithashtu. Lista përfshin gjithashtu një sekretar shteti dhe pesë zyrtarë nga Ministria e Ekonomisë, përgjegjëse për lëshimin e licencave për klubet e natës.
Në bankën e të akuzuarve do të jetë edhe ministri aktual pa portofol në Qeveri, Shaban Saliu, i cili është gjithashtu kandidat për kryetar bashkie të komunës së Shuto Orizarës në Shkup në zgjedhjet lokale të 19 tetorit.
Saliu akuzohet si ish-drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, së bashku me tre ish-drejtorë të tjerë, si dhe inspektori i përgjithshëm që drejtonte shërbimin e inspektimit në Shërbimin e Sigurisë Shtetërore.
Inspektorët vendorë, siç janë tre inspektorë ndërtimi nga Bashkia e Koçanit, anëtarë të forcave të sigurisë, do të ulen në bankën e të akuzuarve gjithashtu./ REL/
-

‘Deri në fund’/ Si Pano Ruçi detyron shtetin grek të rihapë hetimin për tragjedinë në Tempi
Përpara parlamentit grek, rojet presidenciale qëndrojnë drejt me fustanella dhe jelekë të qëndisur, duke ruajtur Varrin e Ushtarit të Panjohur. Të quajtur ‘Evzone’, ata janë të njohur për forcën dhe qëndrueshmërinë e tyre, të detyruar të qëndrojnë plotësisht të palëvizshëm për orë të tëra.
Metra më larg, Pano Ruçi ka fituar një reputacion të ngjashëm me ata, pas një greve urie 23-ditore për të detyruar autoritetet të zhvarrosin trupin e djalit të tij të vdekur dhe të kryejnë teste të reja për të përcaktuar saktësisht se si vdiq ai.
Denis Ruçi ishte midis 57 personave, shumë prej të cilëve studentë, të cilët vdiqën në vitin 2023 kur treni i pasagjerëve në të cilin po udhëtonin u përplas me një tren mallrash që po vinte në Tempi, midis Athinës dhe Selanikut, në një tragjedi që nxori në pah neglizhencën dhe keqmenaxhimin e sistemit hekurudhor të Greqisë. Denisi ishte 23 vjeç.
Hetimi zyrtar për aksidentin në Tempi u mbyll në fund të gushtit. Tridhjetë e gjashtë persona përballen me akuza për krime të rënda për ndërprerje të transportit, përfshirë shefin e stacionit që e dërgoi trenin e pasagjerëve në linjën e gabuar dhe një mori menaxherësh të rrjetit hekurudhor.
Gjyqi i tyre pritet të fillojë vitin e ardhshëm, por të afërmit e atyre që vdiqën ende po vënë në pikëpyetje versionin e shtetit për tragjedinë, mes polemikave mbi atë që transportonte treni i mallrave dhe nëse kjo mund të ketë kontribuar në vdekje.
Përveç pyetjeve në lidhje me sinjalizimin, komunikimin me radio dhe fajin e shefit të stacionit në Larisa, ku ndodhi aksidenti, audioja sugjeroi gjithashtu se disa nga 57 viktimat i mbijetuan përplasjes fillestare, por humbën jetën në zjarrin që pasoi-duke ngritur pyetje rreth asaj që shkaktoi një zjarr të tillë.
Vlerësimet kontradiktore nuk kanë arritur të zgjidhin një mosmarrëveshje nëse zjarri i madh mund të jetë shkaktuar apo jo nga vajrat e silikonit ose ndonjë substancë tjetër e ndezshme.
Pas aksidentit, u kryen teste toksikologjike mbi gjashtë persona-shoferët e trenave dhe kolegët e tyre-kryesisht për të përcaktuar nëse ndonjëri prej tyre kishte qenë nën ndikimin e drogës ose alkoolit, por jo mbi ndonjë prej viktimave.
Të afërmit e pikëlluar thonë se kjo ishte një neglizhencë e rëndësishme dhe më 15 shtator, 47-vjeçari Ruçi udhëtoi nga shtëpia e tij në Selanik dhe ngriti çadrën jashtë parlamentit në Athinë.
Greva e tij e urisë mori vëmendje kombëtare dhe mbështetje të zëshme, duke shtuar presion mbi shtetin derisa, më 7 tetor, prokurorët pranuan kërkesat e tij.
‘Ne fituam një betejë, ishte një fitore e madhe, për mua dhe për të afërmit e viktimave’, tha Ruçi për BIRN pak para se të çmontonte çadrën që kishte ngritur. ‘Por nuk kemi mbaruar ende, sepse kemi një rrugë të gjatë për të bërë.’
Një altar i improvizuar ndodhet përpara parlamentit grek në Sheshin Sintagma, në qendër të Athinës, me lule të vendosura në kujtim të 57 jetëve të humbura në aksidentin e Tempit, emrat e të cilëve janë shkruar me bojë të kuqe.
Vizitorët i shtrëngonin dorën Ruçit; disa e përqafonin, duke i shprehur mirënjohje për ‘aktin e tij të guximshëm’.
Përtej asaj që zbuloi aksidenti i vitit 2023 mbi keqmenaxhimin dhe neglizhencën në sistemin hekurudhor grek, reagimi i menjëhershëm i shtetit dhe hetimi zyrtar u kritikuan gjerësisht si të dështuar, në rastin më të keq si një fshehje e së vërtetës.
Në vitin 2023, prindërit e viktimave ngritën padi kundër mjekëve ligjorë për moskryerjen e testeve toksikologjike mbi 57 viktimat, të cilat zakonisht kryhen për të zbuluar praninë e drogës, alkoolit, metaleve të rënda apo kimikateve të tjera në trup.
‘Ka tregues seriozë që, në atë moment, njerëzit nuk mbusheshin dot me frymë’, tha në shtator Maria Karystianou, e cila humbi vajzën e saj në aksident. ‘Ata po merrnin frymë dhe po digjeshin nga brenda. Kemi djegie kimike edhe te persona nga ekipet e shpëtimit dhe mjekë ligjorë kanë raportuar djegie të shkaktuara nga vaji i silikonit. Kemi tregues se ka pasur prani kimikatesh.’
Me syzet e leximit të varura në qarë dhe byzylykë lëkure në kyçin e dorës së majtë, Ruçi tha për BIRN: ‘Dua të di se nga çfarë vdiq im bir, nga çfarë vdiqën fëmijët tanë.’
Prokurori i Gjykatës së Apelit në Larisa e kishte mbyllur padinë e prindërve kundër mjekëve, duke thënë se kishte ‘mungesë provash’ për të ngritur akuzë për neglizhencë në detyrë. Tani, megjithatë, zyra e prokurorit e ka rihapur çështjen dhe e ka lidhur me një hetim të ri paraprak mbi mungesat ose parregullsitë e mundshme në hetimin fillestar të aksidentit.
Sipas raporteve të mediave greke, kjo hap rrugën për kryerjen e testeve toksikologjike të kërkuara nga Ruçi dhe prindërit e tjerë, pa qenë nevoja që autoritetet të ndërmarrin hapin e sikletshëm të rihapjes së hetimit fillestar.
Kërkesa e babait të pikëlluar ishte kthyer në një pengesë të madhe për qeverinë e qendrës së djathtë Demokracia e Re të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, me tubime mbështetjeje të mbajtura në mbarë Greqinë dhe madje edhe me një vizitë nga kreu i Kishës Ortodokse Greke, Kryepeshkopi i Athinës dhe gjithë Greqisë, Hieronymus II, më 6 tetor.
‘Erdha të shoh një njeri që po vuan’, tha Hieronymus II. ‘Kudo që ka dhimbje, ne jemi afër.’
Më 2 tetor, ministri i Mbrojtjes, Nikos Dendias, u duk se mbështeti kërkesat e Ruçit, kur tha: ‘Nuk mund ta imagjinoj… si mund të ndalohet e drejta e një babai për të hetuar gjithçka që ai e konsideron të nevojshme, në çfarëdolloj mënyre që ai e gjykon të përshtatshme, lidhur me vdekjen e fëmijës së tij.’
Por jo të gjithë në qeveri treguan mirëkuptim për gjendjen e Ruçit.
Dy ditë pas deklaratës së Dendiasit, ministri i Shëndetësisë, Adonis Georgiadis, vuri në dyshim pse kërkesa për testet toksikologjike mbi viktimat nuk ishte dorëzuar sapo ishte hapur çështja. Në X (dikur Twitter), ai e quajti avokaten e Ruçit dhe udhëheqësen e partisë opozitare ‘Lëvizja e Lirisë’, Zoe Konstantopoulou, ‘një grabitqare të pushtetit dhe të vuajtjes njerëzore’.
Kur, në ditën e 19-të të grevës së urisë, Ruçi u shtrua në spital, Georgiadis akuzoi mjeken e tij, Olga Kosmopoulou, se ‘merrej me politikë, jo me mjekësi, pasi ajo është mjekja e të gjithë grevistëve të urisë të së Majtës’.
I pyetur për këto sulme, Ruçi u përgjigj: ‘Ata gjithmonë përpiqen të njollosin përpjekjet e çdo qytetari. Ofrojnë gënjeshtra për çdo të vërtetë që themi.’
Ruçi nuk i kishte treguar familjes së tij se çfarë kishte ndërmend të bënte.
‘E dija shumë mirë që nuk do të më linin të ikja’, tha ai. ‘Isha në një gjendje të tillë që nuk doja të flisja me askënd. Thjesht mora valixhen, u nisa nga Selaniku dhe erdha në Athinë me fotografinë e tim biri. Dhe të hënën, më 15 shtator, u ula këtu, vetëm. Dhe brenda një dite, ishte populli ai që më mbështeti.’
‘Kam kaluar shumë gjatë atyre 23 ditëve’, tha ai.
‘Ishte shumë e dhimbshme. Kishte shumë dhimbje, shumë lodhje, rraskapitje-dhe njëkohësisht kishte tallje. Sepse për 23 ditë ata talleshin me ne, bënin sikur kujdeseshin… por unë isha i vendosur ta çoja deri në fund. Ata s’e kishin llogaritur këtë gjë.’
Ai mbante në kokë një kapele të zezë dhe kishte veshur një bluzë të zezë me mbishkrimin ‘Deri në Fund’, të shkruar me të bardha në anën e zemrës; në dorën e djathtë mbante një rruzare.
‘Do ta çoja deri në fund’, tha ai.
‘Shpresoj që askush të mos arrijë në pikën ku ka arritur familja ime dhe të gjitha familjet e viktimave’, tha Ruçi për BIRN. ‘Unë arrita në këtë pikë ndërsa prisja që sistemi i drejtësisë të bënte detyrën e vet dhe ai nuk bëri asgjë.’
-

Familjet e viktimave të të burgosurve palestinezë denoncojnë vendimin e lirimit: Gjaku i të dashurve tanë po përdoret si kartë negociuese
Izraeli do të lirojë 250 palestinezë të dënuar për terrorizëm si pjesë e marrëveshjes së armëpushimit që arriti me Hamasin.
Në të njëjtën kohë, siç njoftoi këshilltari i Benjamin Netanyahut, Dmitry Gedelman, terroristëve në fjalë do t’u ndalohet përgjithmonë hyrja në Izrael dhe në territoret e Judesë dhe Samarisë.
Ndërkohë, siç u bë e ditur të premten në mëngjes, Ministria izraelite e Mbrojtjes filloi të informojë familjet e viktimave për lirimin e terroristëve të përfshirë në vrasjen e të dashurve të tyre.
Lajmi për lirimin e tyre ka shkaktuar reagime të forta nga familjet e viktimave, të cilat paraqitën një peticion në Gjykatën Supreme kundër marrëveshjes, duke i kërkuar asaj të lëshojë një urdhër me kusht për lirimin e të burgosurve “ose si alternativë të informojë familjet e viktimave paraprakisht, të publikojë informacion të plotë rreth atyre të liruar dhe të verifikojë që lista nuk përfshin të burgosur që shteti nuk ka të drejtë t’i lirojë sipas ligjit”.
I njëjti peticion pretendonte se shteti shkeli detyrimin e tij duke mos i informuar familjet paraprakisht për lirimin e të burgosurve të përfshirë në vrasjen e të dashurve të tyre.
“Gjaku i fëmijëve tanë është bërë letër e negociueshme. Është e qartë për të gjithë se lirimi i terroristëve të Nukhba-s (një grup i armatosur special i Hamasit) është i ndaluar, por a nuk ka problem me lirimin e terroristëve që vranë të dashurit tanë? A është gjaku i tyre më i lirë?”, thonë ata.
Kjo është kërkesa e parë në Gjykatën Supreme që kur qeveria miratoi marrëveshjen mbrëmë.Top Channel
-

Pano Ruçi fiton “betejën” për të birin që u shua në tragjedinë e përplasjes së trenave, pranohen kërkesat nga shteti grek
Prokurori i Apelit të Larisës ka pranuar kërkesat për zhvarrim dhe analiza laboratorike të viktimave të aksidentit tragjik në Tempi, pas padive të paraqitura nga Pano Ruci, babai i një prej viktimave, Dennis Rucit.
Pas 23 ditësh grevë urie, Pano Ruci vendosi ta ndalojë atë pasi janë pranuar të gjitha kërkesat e tij.
Ruci kërkoi që të kryhej zhvarrosja e trupit të djalit të tij, Denis, si dhe të bëheshin analiza të specializuara toksikologjike dhe biokimike. Ai gjithashtu kërkoi që procesi i këtyre testeve të jetë plotësisht transparent.
Në praninë e bashkëshortes së tij, avokatja e tij, bëri të ditur se greva e urisë ndalet pasi janë plotësuar kërkesat.
Ruci, i emocionuar, falënderoi të gjithë ata që e mbështetën gjatë 23 ditëve të grevës: “Njerëzit që ishin pranë meje këto ditë, mbështetja dhe dashuria që më dhanë, dhe lufta jonë do të vazhdojë. Faleminderit të gjithëve Është një betejë e përbashkët dhe vazhdojmë deri në fund.”
Pas njoftimit, ai bëri thirrje për një tubim tjetër në mbrëmje të mërkurën në Sheshin Syntagma për “të festuar këtë fitore .”
Më herët, prokuroria e Larisës kishte bërë të ditur se pranonte kërkesat e tij dhe po rivendoste në dosje një çështje të vjetër që lidhej me përgjegjësi të mundshme penale të mjekëve ligjorë për shkelje detyrimi dhe certifikata të rreme.Top Channel