Nga Julia Vrapi
Filma, ekspozita, shfaqje dhe aktivitete të tjera në kalendarin artistik këtë muaj, ku pjesë janë edhe festivalet e ndryshme të muzikës apo dhe ato letrare. Këtë muaj aktivitetet artistik dhe kulturore po vijojnë jo vetëm nga artistët e institucioneve të ndryshme të artit dhe kulturës, por edhe nga skena e pavarur. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja shprehet se aktivitetet po zhvillohen në çdo cep të vendit. “Gushti ka nisur me një kalendar artistik plot me aktivitete për të gjitha moshat, në çdo cep të Shqipërisë!”, shprehet ministri Gonxhja, që ka ndarë në rrjete sociale dhe kalendarin e aktiviteteve artistike dhe kulturore. Këtë muaj artistët e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore po vijojnë me koncerte të ndryshme , ku më 5 gusht ishin në Elbasan, më 11 gusht do të jenë në Vlorë, në 12 gusht në Fier, si dhe koncerte të tjera në vijim. Teatri i Kukullave vazhdon me shfaqje në Shkodër, Lezhë, etj, ndërsa artistët e Cirkut Kombëtar do të jetë me shfaqje edhe në Zvicër. Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit vijon këtë muaj me festivalin letrar “Varg-Vargje dashurie” me aktivitete në Finiq dhe Korçë, për të vijuar dhe në fund të muajit me aktivitet tjetër në Tiranë. Në vijim të aktiviteteve sot shfaqet në kinemanë e Arkivit Qëndror Shtetëror të Filmit “Shqipëria turistike”. Në datën 12 gusht do të jetë një aktivitet në Bibliotekën Kombëtare, ku në vijim do të ketë dhe ekspozita. Këtë muaj edhe “Open Cinema”-Kinemaja Shëtitëse po shfaq filma në qytete të ndryshme të vendit, ku pas Kavajës shfaqja e filmave vijon në datën 12 gusht në Devoll, etj, ndërsa në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër vijon ekspozita “Pazari i humbur i Shkodrës: Ringjallja e një kujtese”.
Aktivitete të skenës së pavarur
Aktivitetet e skenës së pavarur gjithashtu po vijojnë në qytete të ndryshme në vend përgjatë këtij muaji. “Porto Palermo Festival” në kalanë e Porto Palermos në Himarë sjell koncerte me artistë të njohur shqiptarë dhe të huaj, por aktiviteti synon edhe promovimin e trashëgimisë sonë kulturore. Koncerti i Olen Cesarit violinist i njohur me famë ndërkombëtarë hapi më parë edicionin e pestë të “Porto Palermo Festival” këtë vit. Ndërsa gushti sjell dhe festivalin “Nona” festa e gjysheve shqiptare në Përmet. Në vijim të aktiviteteve përmendim dhe Festivalin “Flauti Magjik”, që do të jetë në Korçë apo dhe Lin Festival në Pogradec. Në Memaliaj, Tepelenë këtë muaj është pjesë e aktiviteteve dhe Festivali “Jehona e Vjosës”, ndërsa pritet në vijim që në 22-27 gusht të zhvillohet “Himara International Music Festival” në Himarë. Në Shkodër gjithashtu vijon këtë muaj Shkodra Jazz Fesitval, por pjesë e aktiviteteve këtë muaj është dhe festivali i komedisë “Koko Fest” në teatrin “Andon Zako Çajupi” në qytetin e Korçës.