Shkencëtarët kanë krijuar një analizë të thjeshtë gjaku për të zbuluar kancerin e vezores në fazë të hershme, çka mund “të përmirësojë dukshëm” gjendjen e grave me këtë sëmundje.
Sipas Fondit Botëror të Kërkimeve të Kancerit, mbi 300 mijë gra, pjesa më e madhe mbi 50 vjeç, diagnostikohen çdo vit. Kanceri i vezores diagnostikohet vonë, çka e vështirëson trajtimin.
Analiza është eksperimentuar nga shekncëtarët amerikanë dhe britanikë, ku ata kërkojnë për dy lloje të ndryshme treguesish gjaku te ata që shfaqin simptoma si dhimbja e legenit dhe barku i fryrë. Më pas përdoret Inteligjenca Artificiale për të dalluar lidhjet që mund të jenë të vështira për njerëzit, raporton The Guardian.
Për momentin, sëmundja diagnostikohet me skanerë e biopsi deri në ndërhyrjen kirurgjikale që mund të kërkojë heqjen e indeve të prekura apo vezores.
Analiza zbulon çfarë derdh kanceri i vezores në qarkullimin e gjakut, edhe në fazat e hershme. Qelizat kancerogjene çlirojnë fragmente në gjak me molekula të vogla që quhen lipide dhe me proteina. Kombinimi i tyre është treguesi më i qartë i kancerit në vezore.
Më pas hyn në lojë algoritmi, i cili është trajnuar te mijëra pacientë për të dalluar shenjat e lehta te lipidet dhe proteinat që sinjalizojnë kancerin në vezore.
Analiza mund ta zbulojë sëmundjen “në faza të hershme dhe me më shumë saktësi sesa mjetet e tanishme”.
