Tag: vezëve

  • Vezët e kuqe të pashkëve, nis që të enjten tradita e përgatitjes për ditën e shënuar

    Vezët e kuqe të pashkëve, nis që të enjten tradita e përgatitjes për ditën e shënuar

    Besimtarët ortodoksë kremtuan sot të Enjten e Madhe, që i kushtohet Darkës Mistike të Krishtit me dymbëdhjetë apostujt e Tij.

    Dita nisi me ritualin më të rëndësishëm, atë të lyerjes së vezëve të kuqe.
    “Puna e parë që bëhet janë vezët të enjten për pjesëmarrjet e familjes dhe një tepër. Të shtunën fillon pjesa tjetër që është për të qerasur miqtë dhe fëmijët. Pasi mbarojnë na tepron boja e kuqe, të cilën e mbajmë në shtëpi për 40 ditë dhe pastaj e derdhim në një rrënjë trëndafili në oborr”.
    Veza simbolizon jetën, që është e mbyllur brenda lëvozhgës së saj dhe në momentin që shpërthen del në dritë, ndërsa ngjyra e kuqe e vezëve flijimin e Krishtit, simbolikë e fitores, gëzimit dhe jetës. Teksa përgatisin vezët e kuqe, gratë ortodokse kujtojnë një gojëdhënë të Kishës.
    “Kur Maria Magdalena, pas ngjalljes së Krishtit, vajti te Pilati t’i njoftonte ngjarjen dhe i shpuri si dhuratë një shportë me vezë të bardha, sipas zakonit të atëhershëm, ai i tha: Sa mund të bëhen të kuqe vezët që solle, aq mund të jetë ngjallur Krishti. Dhe për çudi, vezët u bënë menjëherë të kuqe”.
    Gratë ortodokse rrëfejnë me nostalgji ruajtjen e besimit dhe ritualeve edhe gjatë diktaturës komuniste, kur ligjet absurd nuk i ndalën të luteshin e të festonin.
    “Fshehurazi hapej dhe radio greke dhe aty dëgjohej kur ishte pashka tamam. Për të lyer vezët të enjten, në atë kohë kishim disa letra punëdore të kuqe, i fusnim në ujë dhe aty i lyenim”.
    Pashka simbolizon Ringjalljen e Krishtit, kalimin nga e përkohshmja në të përjetshmen, duke u shënuar si dita më e rëndësishme në kalendarin festiv të krishterë.

    Top Channel

  • Omëletë me Majdanoz dhe Djathë – E Lehtë Plot Shije

    Omëletë me Majdanoz dhe Djathë – E Lehtë Plot Shije

    Omëleta sigurisht është një zgjidhje e duhur kur kërkon diçka të shpejtë për të përgatitur.

    Ajo mund të përgatitet me perime, gjizë, apo edhe suxhuk, dhe kthehet në një drekë të plotë.

    Receta e sotme nga AgroWeb.org është një version më i lehtë i omëletës klasike.

    Gjithashtu kjo omëletë përgatitet duke i ndarë të bardhat e vezëve nga të kuqet.

    Një gjë e tillë bën që vezët të piqen duke u fryrë.

    Majdanozi nga ana tjetër krijon një ndjesi dhe shije freskie, perfekte për ata që kërkojnë të ruajnë peshën e tyre.

    Përbërësit

    6 vezë

    1 lugë e gjysmë çaji me miell

    120g djathë i bardhë i thërrmuar

    60ml qumësht

    3 lugë gjelle vaj ulliri

    40g majdanoz i grirë

    Kripë dhe piper i zi

    Përgatitja

    AgroWeb.org si fillim ju këshillon që të ngani të bardhat nga të verdhat e vezëve në dy tasa të ndryshëm.

    Të verdhat rrihini me një pirun dhe aty shtoni pak nga pak djathin e bardhë të thërrmuar dhe miellin.

    Sigurohuni që mielli të jetë lidhur mirë me vezët e të mos ketë krijuar kokrriza.

    Më pas shtoni qumështin, kripën dhe piperin sipas dëshirës.

    Rrihini vezët përsëri me pirun derisa të gjithë përbërësit të jenë lidhur mirë me njëri – tjetrin.

    Shpëlani me ujë të bollshëm majdanozin dhe këpusni vetëm gjethet e tij.

    Filloni t’i grini jo shumë imët, në mënyrë që të shija e tij të ndihet mjaftueshëm kur ta konsumoni.

    Tani AgroWeb.org ju këshillon që të rrihni të bardhat e vezëve derisa të keni formuar merengen.

    Mos harroni t’i hidhni pak kripë të bardhave, kështu nuk do të lëshohen e të bëhen të ujshme.

    Nisni t’i bashkoni me të verdhat duke i shtuar lugë-lugë.

    Përziejini me kujdes në mënyrë që të mos humbasin volumin e tyre.

    Me pas vendosni në zjarr një tigan me vajin e ullirit që të ngrohet.

    NJë nga gabimet më të shpeshta që bëhet me vezët është që ato hidhen kur vaji nuk është ngrohur ende.

    Ndaj AgroWeb.org ju këshillon që të prisni sa vaji të jetë në temperaturën e duhur.

    Kalojeni masën në tigan dhe mbulojeni me një kapak që të skuqet në zjarr të ngadaltë.

    Kthejeni nga ana tjetër me ndihmën e një pjatë e më pas skuqeni përsëri.

    Pasi të jetë gati, mund ta shoqëroni me tarator, kos apo sallata të freskëta./AgroWeb.org

  • Pasi ta provoni do të mbetet gjithmonë ëmbëlsira e fundjavës suaj, si të përgatisni Tiramisu me Fistikë

    Pasi ta provoni do të mbetet gjithmonë ëmbëlsira e fundjavës suaj, si të përgatisni Tiramisu me Fistikë

    Tiramisu është ëmbëlsira italiane më e njohur në gjithë botën. Thuhet se kjo ëmbëlsirë e ka origjinën në Siena (Toskanë). Rreth shekullit të XVII disa pastiçierë vendosën të përgatisnin një ëmbëlsirë në nderim të Dukës së Toskanës Cosimo de Medici. Ata menduan të bënin një ëmbëlsirë me përbërës të thjeshtë, por jashtëzakonisht e shijshme.
    Sot receta do të jetë disi më ndryshe nga tradicionalia, me përbërësin shtesë, fistikë.
    Përbërësit: 6 vezë të freskëta, 200 g krem fistikësh, 500 g mascarpone, 20 copa biskota për tiramisu, 120 g sheqer, 3 filxhan kafeje ekspres, 100 g fistikë të grirë.
    Përgatitja: Fillojmë duke ndarë të bardhat e vezëve nga të verdhat. Të bardhat e vezëve i rrahim më pas me 2 lugë sheqer me ndihmën e një mikseri elektrik ose me rrahësen e vezëve. Pasi bëhen shkumë e qëndrueshme i vendosim në frigorifer. Rrahim më pas të verdhat e vezëve. Shtojmë 120 g sheqer. Masa duhet të bëhet si shkumë dhe në ngjyrë të bardhë. Shtojmë më pas mascarpone-n. I rrahim përsëri me rrahësin elektrik. Në masën e krijuar shtojmë kremin e fëstëkëve. E përziejmë mirë të gjithë masën e krijuar. Në fund shtojmë të bardhat e vezëve që rrahëm në fillim. E trazojmë mirë masën për mbushen e tiramisusë me ndihmën e një luge silikoni. Kremi për mbushje është gati. Në një tavë radhisim biskotat për tiramisu duke i lagur në fillim me kafe ekspres. Hedhim sipër shtresën e parë të kremit dhe e përhapim mirë në të gjithë sipërfaqen. Fillojmë të shtrojmë përsëri biskota të lagura ne kafe. Nëse dëshironi në mes mund të shtoni disa fistikë të grirë imët. Pasi kompletojmë dhe shtresën e dytë me biskota, hedhim sipër pjesën tjetër të kremit. Tani na ngelet të hedhim sipër fistikë të grirë. I përhapim mirë në të gjithë sipërfaqen e tiramisusë. E vendosim ëmbëlsirën në frigorifer për të paktën 2 orë. JU BËFTË MIRË!
    Kjo ëmbëlsirë u përgatit nga Arti i gatimit

  • Kriza e vezëve në tre kontinente, edhe Gjermania nën kërcënim

    Kriza e vezëve në tre kontinente, edhe Gjermania nën kërcënim

    Problemi i mungesës së vezëve po shfaqet në tre kontinente, ndërsa ndihet fort edhe në Gjermani.
    Shumë blerës që kohët e fundit kanë qëndruar përpara një rafti me vezë dhe kanë menduar “pse është kaq bosh?” – Problemi nuk ekziston vetëm në Gjermani. Në SHBA dhe Itali, furnizimet po mbarojnë gjithashtu. Gjermanisë iu desh të importonte më shumë se një të katërtën e vezëve të saj nga jashtë deri në vitin 2023.
    Çdo vit, miliona zogj shtegtarë fluturojnë mbi Gjermani: ata shkojnë në jug në vjeshtë dhe kthehen në pranverë. Kur fluturojnë, sjellin gripin e shpendëve me vete. Viruset më pas përfundojnë te shpendët përmes feces.
    Nëse disa kafshë bien në kontakt me virusin, pasojat janë fatale. I gjithë stoku duhet të shkatërrohet si masë paraprake. Dhe në Poloni, më shumë se një milion pula duhej të vriteshin në janar.
    Pulat e reja më pas duhet të sigurojnë një zëvendësim: por duhen shtatë deri në tetë muaj derisa të rriten plotësisht. Kjo shkakton mungesë të vezëve.
    Rritja e kërkesës për vezë
    “Kërkesa për vezë në Gjermani aktualisht tejkalon shumë ofertën. Shkak për situatën e tensionuar në treg është bërë gripi i shpendëve”, tha Wolfgang Schleicher, drejtor i përgjithshëm i Shoqatës Qendrore të Industrisë Gjermane të Shpendëve (ZDG).
    Ulja e ofertës kompensohet nga rritja e kërkesës.
    “Vezët kanë një imazh gjithnjë e më pozitiv sot,” shpjegoi Schleicher, duke përmendur zbulimet e fundit shkencore. “Për disa kohë, vezët janë parë gjithnjë e më shumë si një superushqim dhe jo një faktor rreziku në debatin për kolesterolin.”
    Statistikat zyrtare për vitin 2024 nuk ekzistojnë ende. “Bazuar në informacionin që kemi në dispozicion brenda industrisë, konsumi për frymë u rrit me tetë në 244 vezë vitin e kaluar”.
    Unioni Gjerman i Vezëve (DEU), një kompani e shitjes së cilës i përkasin më shumë se 20 prodhues të vezëve ose organizatat e tyre të marketingut me më shumë se dhjetë milionë pula vezore, madje paralajmëron për kufizime.
    “Racionimi në blerje tani duket i imagjinueshëm,” thotë raporti i tregut DEU për javën e dytë të shkurtit. “Duhet gjithçka në dispozicion për të ofruar shërbimin më të mirë të mundshëm për klientët ekzistues. Vezët nuk mund të blihen as me një çmim të lartë.” /tesheshi.com/

  • Rënia e prodhimit pas gripit të shpendëve, dyfishohet çmimi i vezëve

    Rënia e prodhimit pas gripit të shpendëve, dyfishohet çmimi i vezëve

    FOTO ILUSTRUESE

    TIRANË-Çmimi i shitjes së vezëve në burim nga pularitë pothuajse është dyfishuar. Prej pularive veza po tregtohet me çmim nga 20 deri 21 lekë për kokërr, ndërsa në tregun e pakicës çmimi i shitjes për vezën e hapur ka arritur në 25 lekë për kokërr.
    Përfaqësues të një ndër pularive kryesore të vendit pohuan se çmimi i shitjes së vezës në burim varion 20 deri 21 lekë për kokërr nga 10 deri 11 lekë për kokërr që shitej më parë. Çmimi i tregtimit të vezëve është rritur nga 90 deri 100%.
    Në tregun e pakicës çmimi i shitjes së vezës së hapur është 25 lekë për kokërr nga 17 deri 20 lekë që tregtohej më parë. Rritja 20 deri 47%.
    Drejtuesit e pularive theksojnë se shtrenjtimi i çmimit u ndikua nga rënia e prodhimit, pas ngordhjes së shpendëve me shfaqjen e gripit H5N1 në fillim të muajit mars në disa kapanone në zonën e Durrësit.
    Deri në javën e parë të muajit mars (deri më datë 7 Mars) sipas të Dhënave të Ministrisë së Bujqësisë dhe zhvillimit Rural numri i shpendëve të asgjësuara arriti në 67 mijë krerë pas infektimit të tyre me gripin H5N1.
    Prodhuesit gjithashtu pohojnë se po përballen me rënie të fuqisë blerëse jo për shkak të ndryshimit të çmimit, por nga frika e konsumatorit. Operatorët garantojnë se vezët e prodhuara janë të sigurta, pasi në eficencë prodhimi janë vetëm shpendët e shëndetshëm, ndërsa shpendët e prekur nga gripi u asgjësuan dhe në fazën e marrjes së gripit nuk arrijnë të prodhojnë.
    Gripi i shpendëve u shfaq në vend edhe 3 vite më parë, në mars të 2022 dhe rënia më e madhe e prodhimit të vezëve ishte në qarkun e Durrësit, ku është i përqendruar numri më i lartë i stabilimenteve të rritjes së shpendëve. Në Durrës prodhimi i vezëve për 2022 ra rreth 48% krahasuar me vitin paraardhës. Në total sipas të dhënave të INSTAT në vitin 2022 numëroheshin rreth 4,9 milionë pula në të gjithë vendin. Krahasuar me 2021 numri i tyre ra rreth 5%.
    Edhe në atë periudhë rënia e prodhimit solli shtrenjtim të çmimit të vezës deri në 25 lekë për kokërr në tregun e pakicës. Pa ndihmën e subvencioneve të shtetit prodhuesit arritën të zëvendësonin shpendët e ngordhura përgjatë 2023, ku në fillim të vitit eksportuan edhe sasi të larta të prodhimit.
    Për këtë vit sipas operatorëve vlerësohet pozitivisht nisja e rimbursimeve nga shteti për zëvendësimin e shpendëve të ngordhur. Çmimet e pulave për prodhim në treg variojnë nga 4,5 deri 5 euro për krerë.
    Në 2023, sipas të dhënave të INSTAT numri i pulave arriti në 4,8 mln krerë. Krahasuar me 2022 numri i tyre ra 2,4%. Në 2023 prodhimi i vezëve u rrit 15% krahasuar me 2022./Monitor

  • Zbulohet shteti që do të shpëtojë Amerikën nga kriza për vezë, shkon mbi 10 dollarë kutia

    Zbulohet shteti që do të shpëtojë Amerikën nga kriza për vezë, shkon mbi 10 dollarë kutia

    Amerikanët i duan vezët, veçanërisht për mëngjes. Kjo është arsyeja pse rritja e çmimeve të vezëve në SHBA muajt e fundit ka bërë bujë në rrjetet sociale. Me shpërthimin e gripit të shpendëve dhe mungesën e vezëve që pasoi atë, një kuti me vezë tashmë është rritur në më shumë se 10 dollarë në javët e fundit.
    Kjo është një rritje prej 159% krahasuar me çmimin e produktit një vit më parë dhe disa dyqane madje kanë vendosur kufizime se sa vezë mund të blejë çdo konsumator.
    Që nga fillimi i vitit 2022 dhe shpërthimi i llojit të gripit të shpendëve H5N1 , janë vrarë më shumë se 166 milionë zogj të egër dhe shtëpiak. Departamenti Amerikan i Bujqësisë (USDA) raportoi ditët e fundit se më shumë se 30 milionë pula janë vrarë që nga fillimi i këtij viti – domethënë 12.3% e zogjve të mbyllur në kafaz në SHBA dhe rreth 8% e pulave që jetojnë të lira.

    Autoritetet amerikane u janë drejtuar vendeve të ndryshme evropiane për ndihmë në adresimin e mungesave – pavarësisht nga përshkallëzimi i luftës tregtare me tarifat midis BE-së dhe administratës Trump. Përveç kësaj, në të kaluarën Uashingtoni kishte vendosur kufizime në importin e vezëve nga shumica e vendeve evropiane.
    Gjatë tre viteve të fundit edhe Evropa është përballur me një shpërthim të gripit të shpendëve, i cili ka shkaktuar mungesa në të gjithë kontinentin. Problemet më të mëdha janë hasur në Poloni, Hungari dhe Francë, ndërsa masa të rrepta janë marrë edhe në Portugali e Mbretërinë e Bashkuar. Prandaj, shumica e vendeve evropiane deklarojnë se kanë aftësi të kufizuara për eksportin e vezëve.
    Përsa i përket Gjermanisë në veçanti, vendi ka siguruar që kërkesa e saj për vezë të mbulohet në kuadër të stinës së Pashkëve, ndërsa ka edhe një stok shtesë për eksport. Ekspertët, megjithatë, po i dekurajojnë konsumatorët që të bëjnë blerje masive paraprake të vezëve mes shqetësimeve të mungesës dhe në vend të kësaj po u kërkojnë atyre që të vazhdojnë të konsumojnë vezë me normën e tyre të zakonshme për të shmangur çdo problem furnizimi.

    Në të njëjtën kohë, eksportimi i vezëve nga Evropa në SHBA është një ndërmarrje e vështirë, edhe për shkak të problemeve logjistike që janë të pashmangshme në eksportet transatlantike të mallrave të brishta. Dhe në të njëjtën kohë, transporti ajror kushton shumë, ndërsa eksporti me rrugë detare, nga ana tjetër, kërkon shumë kohë.
    Kush ka potencial për furnizime shtesë me vezë?
    Muajin e kaluar, Reuters raportoi se Turqia do të rriste eksportet e vezëve në SHBA, pas një marrëveshjeje me Uashingtonin për të eksportuar 15,000 ton vezë shtesë.
    Sipas Ibrahim Afyon, president i Shoqatës Qendrore të Prodhuesve të Vezëve të Turqisë, deri në korrik vendi do të furnizojë SHBA-të me rreth 240 milionë vezë, një sasi kjo gjashtë herë më e lartë se eksportet e të gjithë vitit të kaluar. Në këmbim, Turqia do të marrë rreth 26 milionë dollarë.

    Siç raportoi Bloomberg, SHBA po planifikon të lëshojë licenca të reja për eksportet e vezëve nga Holanda, që është vendi me eksportet më të mëdha të vezëve në botë.
    Kur do të përfundojnë kriza e vezëve?
    Pas një rënie të dukshme të kërkesës dhe përmirësimit të ofertës, çmimet e vezëve në SHBA ranë disi në shkurt.
    Megjithatë, do të duhet pak kohë që lehtësimi i presionit të çmimeve të arrijë tek konsumatorët fundorë dhe në të njëjtën kohë, rreziku i një shpërthimi të ri të gripit të shpendëve dhe një rritje e re e kërkesës ende është në dukje.

    Zëvendësimi i pulave që u vranë kërkon rreth katër deri në pesë muaj. Dhe edhe kur pulat e reja të arrijnë një moshë ku mund të prodhojnë vezë, sasia e tyre fillimisht do të jetë e kufizuar.
    Fermat e shpendëve kërkojnë gjithashtu një kohë të gjatë për të rritur pula të reja sepse ka rregulla strikte të higjienës dhe biosigurisë, që do të thotë se duhet edhe më shumë kohë për të kompensuar mungesat.
    Kësaj i shtohet edhe hezitimi i shumë prodhuesve për të rritur më shumë zogj, si rezultat i shqetësimit të përgjithshëm për shpërthimin e ri të gripit të shpendëve. Kështu, ka shumë gjasa që çmimet e vezëve të mbeten të larta për mjaft kohë dhe se mungesat do të vazhdojnë deri në fund të vitit.

  • Gripi i shpendëve në Shqipëri rriti me 5 lekë çmimin e vezëve, u “asgjësuan” 430 mijë pula

    Gripi i shpendëve në Shqipëri rriti me 5 lekë çmimin e vezëve, u “asgjësuan” 430 mijë pula

    Influenca aviare, H5N1 po ndikon negativisht në tregun e vezëve, tashmë ky produkt tek fermerët kushton prej ditës së sotme kushton 5 lekë më tepër. Tek stabilimentet e pularive gripi i shpendëve ka qenë më agresiv se sa tek fermat e fshatarëve.
    Gripi i shpendëve në Shqipëria ka sjell dhe rritje të çmimit të vezëve, asgjësimi i 430 mijë krerëve të pulave ka bërë që një kokërr vezë për konsumatorin të kushton 66.6% më tepër, e për kthyer në para do të thotë 10 lekë më shumë.
    Po për ekspertët e bujqësisë ky ndryshim çmimi është abuziv nga tregtarët.
    “Është një rritje e pajustifikuar sepse ne kemi 7 mln krerë dhe 5 mln prej tyre janë për prodhim vezësh, mendoj se kjo ka të bëjë më vendosjen e monopoleve në këtë treg në Shqipëri. Ka shumë pak kompani që merren me importin dhe eksportin e tyre, dhe kjo e bën të lehtë vendosjen e çmimit nga këto kompani.”, tha Ndoc Fasllia, ekspert bujqësie.
    Asgjësimi i 430 mijë krerëve pulave, deri më tani nuk ka sjell mungesë të këtij produkti në markete.
    “Nëse situata përkeqësohet atëherë ka vend për ndërhyjnë nga Ministria e Bujqësisë për të zbutur koston e prodhimi apo për të marrë masa për zëvendësimin e këtyre shpendëve, por sot nuk jemi në këtë fazë pasi dëmi është shumë i vogël”, shton më tej eksperti i bujqësisë.
    Kjo nuk është një situatë e re as për biznesin e pularive dhe as për konsumatorin në vitin 2022 si pasojë e gripit të shpendëve u asgjësuan gjysmë milioni pula, në atë kohë një kokërr vezë në market kapi vlerën e 30 lekëve, ndërsa veza e fshatit 50 lekë.

  • Gabimet që Nuk Duhet të Bëni Asnjëherë kur Gatuani Vezë të Rrahura

    Gabimet që Nuk Duhet të Bëni Asnjëherë kur Gatuani Vezë të Rrahura

    Vezët e sidomos ato të rrahurat me djathë e të skuqura në tigan janë ushqimi më i preferuar i mëngjeseve në tavolinat e çdo familje.

    Shija e tyre e butë dhe e lehtë për stomakun është ideale për të filluar ditën plot energji.
    Megjithëse konsiderohet si një nga gatimet më të lehta për t’u përgatitur, jo gjithnjë vezët e rrahura dalin në mënyrën e dëshiruar.
    Kjo mund të ndodhë për disa arsye që nisin që nga cilësia e vezëve, gjalpit, djathit apo edhe nga disa gabime të vogla që mund të bëni gjatë përgatitjes.
    Në këtë artikull AgroWeb.org  ju tregon çfarë nuk duhet të bëni asnjëherë gjatë përgatitjes së vezëve të rrahura.
    Për të përfituar kështu shijen e mrekullueshme të tyresa herë që dëshironi.
    Ruajtja e vezëve
    Megjithëse mund të duket e parëndësishme, vendi ku vendosni të ruani apo konservoni kokrrat e vezëve.
    Idealja është që vezët të mbahen në kartonët e bërë posaçërisht për to brenda në frigorifer.
    Përveçse ruhen nga thyerja ato qëndrojnë të izoluara nga ushqimet e tjera që mund të ndodhen në frigorifer.
    Bëni kujdes që të mos i lini ato afër ndonjë ushqimi me aromë të fortë siç është peshku.
    Kjo pasi lëvozhga e vezëve ka veti të përthithë aromat e forta të jashtëme.
    Ndaj nëse doni që vezët tuaja të kenë shijen e tyre karakteristike, mbajini në vende sa më të freskëta dhe të mbyllura në kartonë të veçantë.
    Gjithashtu kini kujdes që të mos i ruani tek dera e frigoriferit, megjithëse aty mund të ndodhet një  vend i posaçëm për to.
    Ekspertët e sigurisë ushqimore të cilëve i’u referohet AgroWeb.org, shpjegojnë se ajri që kalon tek dera sa herë që frigoriferi juaj hapet dhe mbyllet mund të prishë dhe t’ju heqë shijen vezëve tuaja.
    Kur hidhet kripa dhe piperi
    Nëse shtoni kripën apo piperin tek vezët përpara proçesit të gatimit, vezët tuaja të rrahura do të dalin të ujëshme.
    Në vend të kësaj metode, shtojeni kripën pak para se të fikni zjarrin dhe përziejeni mirë masën e krijuar.
    Të njëjtën gjë bëni edhe me piperin apo erëza të tjera, shtojini në fund për më shumë shije.
    Si t’i përzieni
    Pasi t’i keni rrahur dhe përzier me përbërësit që dëshironi, tek proçesi i skuqjes në tigan bëni kujdes me një detaj të vogël.
    Gjithnjë përdorni një lugë druri apo spatula plastike të posaçme për kuzhinë.
    Në mënyrë që të arrini të përzieni siç duhet vezën tuaj të rrahur dhe pa u ngjitur.
    Bëjeni këtë gjë vazhdimisht derisa vezët të jenë gati që ato të mos digjen dhe thahen.
    Duke marrë parasysh këshillat e AgroWeb.org, mund të filloni të përgatisni menjëherë recetat e mrekullueshme të vezëve të rrahura.
    Një prej tyre plot shije, me kos dhe djathë e gjeni duke klikuar këtu./AgroWeb.org