Tag: vetëm

  • Tragjedi në Korçë: e moshuara jetonte vetëm, gjendet e vdekur në shtëpi

    Tragjedi në Korçë: e moshuara jetonte vetëm, gjendet e vdekur në shtëpi

    Një Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Korçë, ku një e moshuar është gjetur e pajetë në banesën e saj.
    Sipas dëshmive të fqinjëve, gruaja jetonte e vetme dhe prej disa ditësh nuk ishte parë, çka i shtyu ata të kontrollonin gjendjen e saj.

    “U shqetësuam sepse nuk e kishim parë prej ditësh dhe vendosëm të hynim në shtëpi. E gjetëm të pajetë. Ajo jetonte vetëm; djalin e kishte në burg, bashkëshorti i kishte ndërruar jetë dhe nuk kishte njeri tjetër këtu. Një motër e kishte në Tiranë, por ajo vinte rrallë ta shihte. Kishte probleme shëndetësore, pasi disa kohë më parë ishte rrëzuar nga kati i katërt dhe nuk dilte dot nga shtëpia. Jetonte në kushte të vështira,” u shpreh një prej fqinjeve.

    Autoritetet po hetojnë rrethanat e ngjarjes, ndërsa dyshohet se e moshuara ka ndërruar jetë për shkaqe natyrale.

  • ‘Dita e Rinisë’/ Blushi: Skenar i trishtë! Shqiptarët punojnë 2-3 punë, por nuk blejnë dot një shtëpi

    ‘Dita e Rinisë’/ Blushi: Skenar i trishtë! Shqiptarët punojnë 2-3 punë, por nuk blejnë dot një shtëpi

    Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Liirsë Tedi Blushi, në një deklaratë nga selia e PL në Ditën e Rinisë, ka renditur problematikat me të cilat përballen sot të rinjtë shqiptarë.

    Ai llogariti se për të blerë një apartament modest në Tiranë, të rinjtë duhet të kenë kursyer 130 mijë euro, në shofër kjo aspak normale duke pasur parasysh pagat e ulëta dhe kostot e larta të jetesës.

    LEXO EDHE: Në 13 vite rinia u tkurr me 45%! Emigrimi shihet si zgjidhje, shkak papunësia e lartë

    Fjala e plotë:

    Të dashur të rinj dhe të reja të Lëvizjes Rinore për Integrim.
    Është një kënaqësi e veçantë që në kuadër të 8 Dhjetorit, ne të zhvillonim pikërisht sot “Aktivin e Tiranës”, për t’ju përcjellë ju, bashkëmoshatarëve tuaj në mbarë vendin gëzuar Ditën e Rinisë, ditën e kurajës, ditën e lirisë.
    Sot në vitin 2025, ju si shumë bashkëmoshatarë tuaj, përballeni me sfida që të rinjtë e vitit 2013, kur “Rilindja” apo ky sekt anti- rini dhe anti- kombëtar erdhi në pushtet, as nuk do ti imagjinonin dot.
    Sepse në vitin 2013 edhe pse mes shumë vështirësive, një i ri e kishte të mundur të siguronte një banesë përmes punës, pavarësisht sakrificave që do tju duheshin, ndërsa në vitin 2025 edhe pse të rinjtë janë me dy ose 3 punë, edhe pse kanë një pagë mbi mesatare, edhe pse mund të kenë disa kursime minimale, blerja e një shtëpie, sidomos në Tiranë, për një të ri apo një çift të ri, kërkohet që në fakt duhen 60 deri 70 vite punë.
    Sot janë 85% deri 95% e të rinjve që nuk kanë një mundësi reale për të blerë një shtëpi në kryeqytet. 
    Dhe le të marrim një shembull konkret, një apartament i zakonshëm 1+1 ose 70m², që sot kushton me një çmim mesatar prej rreth 1800 euro m², do duhet që një çift i ri të gjejë ose të ketë kursyer të paktën 130 mijë euro për të blerë një apartament modest në Tiranë. 
    Por ndërkohë 99% e të rinjve që sot në kryeqytet marrin një pagë të ulët, pra 400 deri 550 euro në muaj, e kanë të pamundur të blejnë një shtëpi,  jo vetëm për shkak të të ardhurave shumë të ulëta, por edhe nëse ata u drejtohen bankave, nuk mund të marrin dot kredi kur kësti mujor i kredisë kërkon të paktën që të paguhen 35% deri 40% të pagës.
    Për fat të keq, blerja e një shtëpie sot është bërë e pamundur edhe për 80% apo 90% të të rinjve me pagë mesatare rreth 500 deri 600 euro dhe sipas të dhënave zyrtare vetëm 10% deri 15% e të rinjve me pagë mesatare të lartë, pra 1000 deri 1200 euro në muaj, mund të arrijnë të blejnë shtëpi, por vetëm nëse plotësojnë 3 kritere:
    Së pari, të ardhurat e tyre të jenë stabël.
    Së dyti, padiskutim duhet të marrin një kredi bankare dhe së treti, të kenë një bashkëpagues stabël, pra partnerin ose partneren.
    Pra rrjedhimisht sot të rinjtë e kanë të pamundur për të blerë një apartament modest në kryeqytet. 
    Për fat të keq, vendi sot ndodhet përballë një skenari shumë të rrezikshëm për të rinjtë, veçanërisht nëse rrotacioni politik do të vonojë.
    Dhe ky është skenari i trishtë i rritjes së kostos së jetesës shumë herë më shumë se sa pagat, një skenar ku të rinjtë rrezikojnë të bëhen gjithnjë e më shumë të varur nga ndihma familjare, duke e shtyrë pavarësinë e tyre deri në moshën 35 deri 40 vjeç.
    Ky skenar është i mundshëm veçanërisht kur sheh fondet që kjo qeveri ka akorduar për arsimin në Buxhetin e Shtetit, që në fakt është buxheti më i madh në historinë e Shqipërisë, por buxhet i cili ndihmon shumë herë më pak të rinjtë, e sidomos buxheton arsimin me një mbështetje thuajse të papërfillshme, vetëm 2.5% e PBB-së është dedikuar për arsimin, shumë poshtë mesatares së Bashkimit Europian në nivelin 5% dhe shumë poshtë vendeve të rajonit dhe mjafton ti referohemi Kosovës, që financon arsimin me të paktën 4.4% të PBB-së. 
    Ndërkohë,  arsimi bazë dhe arsimi i mesëm vijon të jetë në gjendje të mjerueshme dhe situata për fat të keq pritet të përkeqësohet. 
    Rezultatet e fundit të testeve të Pizzas tregojnë këtë rënie dramatike të arsimit shqiptar, ku Shqipëria sot nga 81 shtete, renditet në vendin e 70-të, duke vijuar të shënojë një rënie të pandalshme. 
    Braktisja masive e universiteteve, është gjithashtu një kambanë e fortë alarmi për gjendjen në të cilën ndodhet sot arsimi universitar në vend,  ku rreth 1/2 apo ngjysma e kuotave në të gjithë universitetet e vendit pothuajse janë bosh dhe gati 42% e degëve rrezikojnë të mbyllen për shkak se nuk ka studentë.
    Për fat të keq, ky buxhet, më i madhi e theksoj, në historinë e vendit, që mbështetjen për të rinjtë dhe për arsimin e ka pothuajse të papërfillshme,  nuk zgjidh as plagën e rëndë të papunësisë, që këtë vit që po mbyllim u rrit në 8.6%, duke thelluar rekordin negativ, veçanërisht për moshat 15 deri 29 vjeç, niveli i papunësisë së të cilave është rritur në masën 15%, krahasuar me një vit më parë dhe sigurisht dy herë më i lartë se mesatarja e vendit. 
    Vlen të theksohet trendi negativ i lindjeve, që vijoi edhe në vitin që po mbyllim me rreth -10.6% lindje më pak, krahasuar gjithmonë me një vit më parë dhe kjo për shkak se kjo qeveri nuk ka ndërmarrë asnjë politikë për të mbështetur familjet e reja dhe në vend që të sillte për miratim në Kuvend një ligj për mbështetjen e familjeve të reja, kjo qeveri sikundër jeni njohur, bëri pikërisht të kundërtën, duke miratuar në Kuvend një ligj që në fakt godet në ADN familjen shqiptare me miratimin e një ligji antikombëtar që nuk bën asgjë tjetër veçse promovon vesin dhe perversitetin në shoqërinë shqiptare. 
    Një ligj i zi, duhet theksuar,  i kundërshtuar me forcë nga komunitetet fetare dhe pjesa më e shëndoshë e shoqërisë civile, që në fakt nuk është asgjë tjetër veçse avancimi i axhendës antikombëtare të qëllimshme të kësaj qeverie për shpopullimin e Shqipërisë veçanërisht nga të rinjtë dhe për shndërrimin e atdheut tone në një fermë të surogacisë.
    Por nëse kjo qeveri sot po bën çdo gjë për largimin e të rinjve, është detyra jonë si Partia e Rinisë dhe jo thjesht dhe vetëm e Lirisë, për të bërë gjithçka që të ndalim këtë tragjedi, në mënyrë që të rinjtë tanë ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në vendin tonë.
    Ndaj I vetmi skenar pozitiv që mundëson ndryshimin e vërtetë, rrënjësor, garanton një Reformë të thellë ekonomike dhe sociale, politika zhvillimore dhe mbështetëse që i vendosin të rinjtë në qendër dhe jo në periferi të vendimmarrjes, është vetëm vënia në jetë e programit të Partisë së Lirisë, 5 prioritete për 4 milionë shqiptarë plus, që e shndërron Shqipërinë njëherë e përgjithmonë në shtëpinë e të rinjve, jo vetëm duke ju garantuar uljen e kostos së jetesës, por sigurisht një arsim cilësor, punë të sigurt dhe të mirëpaguar dhe mbështetje konkrete në çdo hap të jetës.
    Dua t’ju kujtoj se ky program, thellësisht dhe vetëm në mbështetje të rinisë, garanton një pagesë 70 deri 100% për nënat për dy vitet pas lindjes.
    Garanton 3- fishimin e bonusit të bebes, uljen e taksave për nënat me më shumë fëmijë, kredi deri në 20 mijë euro pa interes për çiftet e reja, sepse interesat në këtë rast do ti paguajë shteti. 
    Garanton një program strehimi sipas modeli hungarez dhe një fond të posaçëm për banesa për çiftet e reja, në mënyrë që asnjë çift I ri të mos ngelet pa shtëpi dhe të mos përballet me pamundësinë që edhe pse mund të bëjë 2 apo më shumë punë, ta ketë të vështirë që me kursimet e tij të arrijë të ketë një çati sipër kokës.
    Dhe gjithashtu, ky program do të garantojë dhe subvencionim të të gjithë kredive për blerje shtëpie si dhe zbritje progresive për çdo fëmijë të lindur.
    Një qeveri si kjo e Edi Ramës, që nuk ka prioritet rininë, sigurisht që nuk ka prioritet arsimin, sepse kjo dëshmohet qartësisht edhe në Buxhetin e miratuar së fundmi në Kuvend, ndaj në lidhje me arsimin, që gjithashtu është një prioritet madhor i Partisë së Lirisë, ne propozojmë që ky buxhetim të shkojë në nivelin 5% të PBB-së, saç është mesatarja e Bashkimit Europian.
    Propozojmë dyfishim të pagave për mësuesit, pedagogët dhe të gjithë arsimtarët, që të paktën të arrijmë standardet e viteve 2000, kur Kryeministër ishte Ilir Meta dhe kur edhe pse buxheti i shtetit ishte 5.3 herë më i vogël se tani, pagat e mësuesve dhe arsimtarëve rriteshin 45 deri 50% më shumë dhe që padiskutim niveli i pagave të   arsimtarëve në piramidën e pagave të miratohet me ligj, me shumicë të cilësuar në Kuvend.
    Gjithashtu, Partia e Lirisë propozon që ligjet kryesore të arsimit, të gjitha strategjitë, programet, kurikulat, por pa harruar edhe politikat arsimore, të miratohen me një shumicë të cilësuar në Parlament. 
    Ky pra është i vetmi skenar pozitiv për vendin, por bëhet i mundur vetëm nëse ju të rinjtë dhe bashkëmoshatarët tuaj, jo vetëm në Tiranë, por në mbarë vendin, merrni në dorë fatet tuaja dhe refuzoni të jeni spektatorë përballë një qeverie, e cila çdo ditë e dëshmon se është armike jo vetëm e lirive dhe të drejtave të gjithë qytetarëve, por në veçanti armike e të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë. 
    Ndaj edhe unë i bashkohem thirrjes së kolegëve, se dhe unë ndihem po aq i ri sa ju, nuk është koha për gjumë, është koha për aksion, është koha për përballje, është koha që të rinjtë në mbarë vendin të bëjnë gjithçka për ti shkurtuar ditët këtij regjimi që po e shpopullon vendin vit mbas viti në mënyrë dramatike, veçanërisht nga të rinjtë. 
    Ndaj unë jam besimplotë se me të rinj si ju e shumë e shumë të tjerë, të cilët sot përfaqësojnë denjësisht interesat dhe zërin e rinisë në këshillat bashkiakë të vendit, jam i bindur që shumë prej jush nesër do të jenë deputetë në Parlamentin e ardhshëm, sepse vetëm me të rinj dhe të reja si ju, që luftojnë për bashkëmoshatarët tuaj, ky vend mund të ndryshojë. 
    Ndaj sot, duke nderuar jo vetëm liderin e Lëvizjes Studentore, heroin e Demokracisë Azem Ajdari, si dhe të gjithë studentët që tre dekada më parë morën në duart e tyre fatin e vendit edhe unë, më lejoni të shpreh krenarinë që Presidenti i Partisë tonë, Z. Ilir Meta, ish-student i lëvizjes së Dhjetorit, që përmbysi diktaturën edhe pse sot mbahet i burgosur politik nga një regjim armiqësor ndaj lirive dhe veçanërisht ndaj rinisë, është kthyer, me sakrificat e tij, në simbol të rezistencës, por veçanërisht dhe të frymëzimit për të gjithë të rinjtë, për ti dhënë fund dramës së madhe të shpopullimit nga një regjim, i cili është sjellë me këtë vend dhe veçanërisht me të rinjtë, më egër se çdo pushtues i huaj.
    Ndaj le ti bëjmë thirrje nga ky Aktiv i Lëvizjes Rinore për Integrim, të gjithë të rinjve dhe të rejave të Shqipërisë, guxoni, guxoni për të ndalur njëherë e përgjithmonë shpopullimin dhe për të ndërtuar Shqipërinë qe ju përket vetëm ju, ju përket të rinjve.
    Faleminderit!

     

  • Skandali Rama-Balluku me Portin e ri Tregtar të Durrësit, ja si i dhanë kontratë pa tender kompanisë holandeze që…

    Skandali Rama-Balluku me Portin e ri Tregtar të Durrësit, ja si i dhanë kontratë pa tender kompanisë holandeze që…

    Tenderi  i projektimit, konsulencës dhe ndërtimit të Portit të Ri në Porto Romano ka hyrë në një gropë të zezë korrupsioni, dallohen qartë ndërthurja klienteliste e qeverisë dhe konkretisht dyshes Balluku-Rama me operatorët ekonomikë. Organizimi i këtij tenderi është pjesë e një mashtrimi të madh që nis me shkatërrimin e Portit të Durrësit duke ja falur një kompanie arabe rreth 82 hektarë tokë, duke lënë Shqipërinë pa portën kryesore në Adriatik. Në dispozicion të fazës së parë do të hidhen rreth 400 milionë për ndërtimin e këtij porti, ndërkohë vetëm për konsulencën dhe projektin janë hedhur rreth 22 milionë euro.
    Në numrin e parë bëmë një përshkrim të cekët si u mor projekti nga holandezë në bashkëpunim me një klient të qeverisë Rama, i cili është i lidhur me Belinda Ballukun nëpërmjet  tenderëve dhe kontakteve të ndryshme që e nxjerrin përfitues të shumë tenderëve në sektorin që “ Lubia e korrupsionit’ drejton.  Konsulenca e tenderimit është një shpikje e sajuar nga Edi Rama për të hedhur një thes me lekë të taksapaguesve shqiptarë në duar të një kompanie të huaj, e cila është dhe përfituesja e projektit të Portit me vlerë të tenderuar 9.5 milionë euro dhe kontraktuar me vlerë 1.145.354.372,96 leke pa tvsh. ( si e shtoi vlerën Balluku të kësaj kontrate nga tenderim do e sqarojmë ditët në vijim).
    Detajet
    Nëpërmjet një procedure top secret qeveria shqiptare autorizon APD që të nënshkruajë një kontratë me Royal Haskoning DHV, pa vlerë për konsulencën që kjo do i bëjë  konsulencës së tenderimit të Portit të Ri, shuma sekret, kontrata sekret, informacione zero dhe gjithçka në errësirë të plotë transparence. Përflitet për një portofol 12 milionë euro, dhe këto para janë dhuruar  nën justifikimin interesa strategjike. Qeverisje monstruoze që luan me paratë e shqiptarëve duke grabitur pa një dokument apo qoftë dhe një proces verbal. Ndryshe nga tuneli i Llogarasë  ku u vodhën 50 milionë euro me tender fiktiv, këtu nuk kemi tender fare vetëm një VKM të Edi Ramës që urdhëron  APD ti japë ca para holandezëve se i duhen për një punë strategjike.
    Për të vazhduar më tutje me procedurat mund të vëmë re se, vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 427, datë 26 qershor 2024, për autorizimin e Autoritetit Portual Durrës që të negociojë drejtpërdrejt dhe të lidhë marrëveshje konsulence me Royal Haskoning DHV, është një nga rastet më të debatuara  dhe ka zbardhur shkeljen e parimeve të konkurrencës dhe barazisë në prokurimet publike. Ky vendim, i mbështetur formalisht në nenin 100 të Kushtetutës dhe nenin 52 të ligjit nr. 16/2024, i cili ndryshon ligjin nr. 162/2020 “Për prokurimin publik”, autorizon një kontraktim të drejtpërdrejtë “me emër” për një subjekt të vetëm, duke eliminuar garën e hapur dhe duke vendosur konsulentin e zgjedhur në qendër të proceseve të konkurrimit dhe kontraktimit.
    Teksti zyrtar thotë se APD autorizohet të negociojë drejtpërdrejt dhe të lidhë marrëveshje konsulence me “Royal Haskoning DHV” për një fushë “me interes strategjik” që përfshin “proceset e konkurrimit, kontraktimit, ndërtimit dhe mbikëqyrjes” së portit të ri në Porto Romano. Vendimi vendos edhe kufizim kohor: autorizimi “qëndron në fuqi jo më shumë se 3 vjet nga hyrja në fuqi e ligjit nr. 16/2024” Ky konfigurim është i rrezikshëm sepse prek vetë mekanizmat që garantojnë trajtimin e barabartë të operatorëve ekonomikë dhe konkurrencën e ndershme.
    Skandali
    Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në nenin 11 garanton sistemin ekonomik të tregut të lirë dhe konkurrencën e ndershme, ndërsa neni 18 sanksionon barazinë para ligjit pa diskriminim ekonomik. Ligji nr. 162/2020 për prokurimin publik në nenin 3 përcakton parimin e trajtimit të barabartë dhe konkurrencës së ndershme, ndërsa nenet 6 dhe 7 kërkojnë kushte të njëjta për pjesëmarrje dhe kritere të barabarta për të gjithë operatorët.
    Ligji nr. 9121/2003 për mbrojtjen e konkurrencës ndalon abuzimin me pozitën dominuese dhe marrëveshjet që kufizojnë konkurrencën. VKM 427 bie ndesh me këto dispozita sepse përzgjedh “me emër” një subjekt të vetëm, eliminon garën e hapur dhe vendos konsulentin në rolin e “gatekeeper” të konkurrimit, duke krijuar rrezik të qartë për deformim të tregut. Ky është një konflikt klasik interesi: subjekti që harton rregullat e garës mund t’i përshtasë ato për të favorizuar aktorë të caktuar. Në standardet e Bashkimit Europian, sipas Direktivës 2014/24/BE, kontraktimi i drejtpërdrejtë lejohet vetëm në raste të kufizuara si emergjenca, ekskluziviteti teknik ose siguria kombëtare. VKM 427 nuk përmbush asnjë nga këto kritere dhe përzgjedhja “me emër” e një konsulenti për një projekt strategjik është devijim i rëndë nga praktikat e prokurimit transparent dhe konkurrues.
    Pazar në tavolinë
    Akuzat publike e kanë forcuar perceptimin e një vendimi të paligjshëm dhe të motivuar nga klientelizmi. Media ka raportuar se kontrata e dhënë pa tender ka vlerë rreth 12 milionë euro, duke e cilësuar si “pazar në tavolinë” dhe si një rast ku shteti shqiptar prokuroi një kontratë të majme mbikëqyrjeje pa garë. Ish-zv/komandanti i Forcave Detare, Artur Meçollari, e ka quajtur projektin e Porto Romanos një aferë korruptive, duke theksuar se tenderat paraprakë kanë dështuar dhe se ideja e portit u krijua për të lehtësuar interesa private në Durrës. Raportime të tjera tregojnë se konsulenti Royal Haskoning DHV ka udhëhequr fazën e parakualifikimit në tenderin gjigant prej 393 milionë eurosh, ku disa konsorciume ndërkombëtare u skualifikuan dhe vetëm dy kompani u kualifikuan për fazën finale.
    Ky rol i konsulentit në vetë procesin e konkurrimit është parë si problematik dhe si konflikt interesi, sepse konsulenti që harton dokumentet dhe kriteret e tenderit ka ndikim të drejtpërdrejtë në rezultatin e garës. Pasojat e këtij konfigurimi janë të shumëfishta. Ekonomikisht, mungesa e konkurrencës sjell çmime më të larta dhe kushte më pak të favorshme për shtetin. Ligjërisht, vendimi cenon nenin 3 të ligjit për prokurimin publik dhe nenin 18 të Kushtetutës. Institucionalisht, krijon humbje besimi te transparenca e prokurimeve publike. Politikisht, prodhon një imazh të mungesës së barazisë dhe të favorizimit të subjekteve të caktuara. Raportimet për vlera të larta e shtojnë dyshimin për abuzim, edhe pse shuma e saktë duhet verifikuar në kontratën e APD.
    Fakt i sigurt mbetet se VKM autorizon lidhjen e marrëveshjes dhe vendos bazën për një shpenzim të madh publik pa garë. Në përfundim, VKM nr. 427/2024 është një akt që formalisht mbrohet nga ligji nr. 16/2024, por materialisht cenon parimet kushtetuese të konkurrencës dhe barazisë. Përzgjedhja “me emër” e Royal Haskoning DHV është diskriminim i drejtpërdrejtë, negocimi i drejtpërdrejtë pa garë është shkelje e ligjit për prokurimin publik, dhe roli i konsulentit në vetë proceset e konkurrimit krijon një konflikt interesi që minon besueshmërinë e sistemit. Akuza për kontratë pa tender me vlerë 12 milionë euro dhe për “pazar në tavolinë” e forcojnë bindjen se ky vendim nuk është thjesht një përjashtim ligjor, por një rast i qartë ku barazia dhe konkurrenca janë të cenuara. Ky është një rast ku forma ligjore përdoret për të justifikuar një cenim material të parimeve themelore kushtetuese, duke krijuar një rrezik të parashikueshëm për diskriminim dhe deformim konkurrence në kontraktimet publike.

  • Partizani fiton derbin me Tiranën dhe ngjall shpresat për “Final Four”, bardheblutë zhyten në fund të tabelës

    Partizani fiton derbin me Tiranën dhe ngjall shpresat për “Final Four”, bardheblutë zhyten në fund të tabelës

    Adriatik BALLA
    Java e 15-të e Kategorisë Superiore startoi ditën e djeshme me dy takimet e para, por dueli më i rëndësishëm ishte ai mes Tiranës dhe Partizanit, një derbi kryeqytetas i luajtur në stadiumin “Air Albania”, e fituar nga Partizani me shifrat 2-0, një fitore që i jep shpresë ekipit të kuq të mendojë për një pozicionim në “Final Four” në fund të sezonit, kurse Tirana me këtë humbje, e rënë moralisht në ekstrem, zhytet edhe më thellë në renditje, në vend të fundit, duke qenë kandidate serioze për të rënë nga kategoria. Dueli tjetër i luajtur dje ishte ai mes Bylisit dhe Teutës, mbyllur në barazim 1-1, duke i lënë të dy ekipet të pakënaqur për shkak se kishin objektiv fitoren he morën vetëm nga një pikë.
    “Demat” hakmerren ndaj Tiranës
    Ndeshja midis dy skuadrave rivale e që kanë shkruar histori në kampionatin shqiptar të futbollit, nisi me entuziazëm, edhe pse numri i të pranishmëve në stadium ishte mjaft i paktë për emrin e ekipeve dhe pretendimet e tyre në garë. Partizani e gjeti shumë shpejt golin e avantazhit. Pas zhvillimit të një goditje këndi, topi shkon te Hjumën i cili i vetëm para Tafas dërgon sferën në rrjetë. Tirana u përpoq të reagonte me Taren dhe ndonjë tjetër, por nuk ia doli të konkretizonte. Tirana ka kohë që është në krizë loje të gjithanshme dhe këtë e shprehin edhe statistikat, ku ka pësuar 29 gola në 15 takime, ka pësuar aq sa të tre ekipet e kreut të marrë së bashku. Nga ana tjetër, Tirana ka edhe sulmin më të dobët në kampionat, me vetëm 11 gola të shënuar, duke pasur një diferencë golash negativ -19, diçka e pazakontë për një skuadër të elitës. Duke u kthyer te ndeshja kujtojmë se Partizani diti ta menaxhonte mirë pjesën e parë dhe avantazhin e krijuar, duke e mbyllur këtë fraksion loje 1-0.
    Pjesa e dytë, gol vendimtar për të kuqtë
    Në pjesën e dytë Tirana u duk se do të bënte kthesë, por ajo vuajti pasimin final dhe nuk pati forcë të mjaftueshme të rrezikonte portën kundërshtare. Deri në minutën e 60-të loja ishte e barabartë, por në atë moment, Partizani futi Skukën në fushë dhe synoi ta “vriste” ndeshjen, duke shënuar golin e dytë. Kjo lëvizje dha efekt, pasi në të 64’ Partizani shënoi por arbitri anuloi për pozicion jashtë loje. Gjithsesi, në minutën e 66-të Partizani gjeti golin e dytë. Meta humb topin në mesfushë dhe të kuqtë nisen shpejt në sulm, duke gjetur Skukën i cili në zonë në rrëzim e sipër gjuan duke shënuar golin e dytë. Për Skukën ishte një çlirim, pasi kishte kohë që kritikohej për mungesën e golit, ndërkohë që ky gol e vrau ëndrrën e Tiranës për të dalë me pikë nga derbi. Tirana tenton të paktën të shënojë një gol nderi, duke dominuar në sulm në 15 minutat e fundit, por lojtarët e saj nuk kanë saktësi në veprime. Përfundimisht Partizani e fiton derbin 2-0 dhe ngjitet në vend të 6-të me 20 pikë, duke qenë vetëm 3 pikë larg zonës së “Final Four”. Pra Partizani ka shanse reale në vazhdim të rritet dhe të pretendojë Europën. Kurse Tirana në vend të fundit me vetëm 7 pikë, po zhytet në një krizë serioze dhe të frikshme dhe me këtë ecuri duket e pashmangshme rënia një kategori më poshtë.
     

  • Neymar mban premtimin, Santos jo vetëm që shpëton nga rënia nga kategoria por kap play-offin për Copa Sudamericana

    Neymar mban premtimin, Santos jo vetëm që shpëton nga rënia nga kategoria por kap play-offin për Copa Sudamericana

    Santos ia ka arritur qëllimit kryesor të qëndrojë në elitë në Brazil, vetëm pas fitores në javën e fundit 3-0 ndaj Cruzeiro. Neymar me shokë duhej me patjetër të fitonin sot ose minimumi të dilnin barazim për të shpëtuar nga rënia në Serie B.
    Përsa i përket takimit të sotëm, Santos fitoi 3-0, falë dy golave të Thaciano për dy minuta në pjesën e parë, 26′ dhe 28′, si dhe golit të Joao Schmidt në pjesën e dytë, që vulosi fitoren 3-0.
    Një meritë të madhe në këtë sukses ka padyshim Neymar, i cili ka dhënë një kontribut për t’u vlerësuar në fushë, por edhe jashtë saj. Pak javë më parë, kur situata ishte tejet e acaruar me tifozët e pakënaqur, Neymar iu premtoi atyre se do të arrinin me çdo kusht të mbijetonin këtë sezon.
    Pas kësaj fitoreje, Santos renditet në vendin e 12-të me 47 pikë, duke siguruar biletën për në elitë, por edhe pjesëmarrjen në play-off për një vend për në Copa Sudamericana.
    Përsa i përket verdikteve të tjera, Flamengo shpallet kampion për këtë sezon, duke e mbyllur sezonin me 79 pikë, tre pikë më shumë se rivali kryesor, Palmeiras i vendit të dytë. Cruzeiro, Mirasol dhe Fluminenese mbyllin pesëshen e parë, duke siguruar biletën për në grupet e Kupës Libertadores.

  • Partizani e nis me furi derbin e kryeqytetit, të kuqtë gjejnë direkt golin (video)

    Partizani e nis me furi derbin e kryeqytetit, të kuqtë gjejnë direkt golin (video)

    Derbi i madh i kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit është zhbllokuar pas vetëm 7 minutash lojë. Pas një krosimi në zonë të Ismailit dhe devijimit të topit me kokë, Human i gjendur i pamarkuar në zonë, dërgon topin në rrjetë. SHIKOGOLIN
    Pavarësisht se të dy ekipet nuk janë në një moment të mirë, sidomos bardheblutë të cilët renditen në fund të tabelës, kur vjen puna te derbi, nuk ka nevojë për motim, luhet vetëm për fitore.
    Tirana ka vetëm një fitore këtë sezon dhe e ka pikërisht në derbin e parë ndaj Partizanit, ku fitoi 0-3. Ndërkohë, Partizani kërkont ë fitojë derbin e parë për këtë sezon dhe synimi kryesor është të afrohet dhe të kapë “Final Four”.
    Të dyja ekipet e kanë nisur me këtë formacion titullar:
    TIRANA: Tafas, Vera, Basilio Ndong, Dembele, Rafa Silva, Haxiu, Valerianos, Tare, Vogli, Tabekou, MetaPARTIZANI: Qirko, Atanaskoski, Janjeva, Bytyçi, Ismaili, Isgandarli, Human, Kote, Toma, Marku, Doumbia

  • Rama: Më mirë Saliu se Salianji dhe dy Doktorët, i ashpëri dhe delikati

    Rama: Më mirë Saliu se Salianji dhe dy Doktorët, i ashpëri dhe delikati

    Nga Lorenc Vangjeli

    Dikur, me cinizëm dhe humor të zi, Edi Rama besonte sinqerisht: “Më mirë Saliu se Salianji!”. Në prag të zgjedhjeve të 2021-shit, kur po bëhej gati të zëvendësonte në PS pothuaj të gjithë brezin e njerëzve të trashëguar nga Fatos Nano, për t’i zëvendësuar me fytyra të reja që të përbashkët kishin vetëm idhujtarizimin e atij vetë, më shumë se tek ngastra e tij, kryeministri i kishte sytë tek PD-ja. Aty ku me një simetri ngjethëse, Lulzim Basha po përshtaste partinë e dhuruar me portretin e tij OMGJ. Basha po përgatitej të çlirohej përfundimisht nga trashëgimia njerëzore që i kishte lënë Sali Berisha, e madje edhe për të prerë zgjatimin e hijes së tij të rëndë morale në opozitë. Vetë Berisha, kur ja përmendën live TV Klan, në Opinion, opinionin e Ramës, shmangu përgjigjen e drejtpërdrejtë. As nuk e pohoi dhe as nuk e mohoi cinizmin e Ramës, por thjesht shijoi humorin e zi si një të vërtetë nga ato që shpjegohen thjesht me shprehjen” Eh, sa ka zanati!”.

    Që atëherë nën urat e Lanës ka rrjedhur shumë ujë. Vetë Berisha hyri mes polemikash në listat e deputetëve të 2021-shit, refuzoi të ishte bashkaksioner në humbjen e tretë rradhazi të partisë së tij, u shpall non grata nga boshti anglosakson i dy anëve të Atlantikut, u ngri nga partia, e rimorri atë në harkun e disa muajve dhe humbi personalisht zgjedhjet e katërta rresht. Salianji nga ana tjetër, u bë nga deputetët më të rëndësishëm të opozitës në mandatin e shkuar dhe, i dënuar me burg për shpifje, mbeti jashtë liste në zgjedhjet e këtij viti. Nga përkrahës i Lulzim Bashës, ai u bë kundërshtar i tij, nga mbajtës i shkopit të bejsbollit kundër Saliut, u shndërrua në yllin e rikthimit të bujshëm të deputetëve në arkitekturën politike të Berishës. Ai dallohej në krahasim me shumicën dërmuese të grupit në PD. I ri, ambicioz, i artikuluar, pa turp, por kurajoz, pjesë e kronikave politike dhe atyre rozë, i llogaritur në veprime dhe me bilanc elektoral, ai e pa veten papritur jashtë strukturës së pushtetit në opozitë dhe I përjashtuar nga llogaritë e Berishës. Që njëlloj si Rama, preferon më mirë besnikërinë naive dhe memece, sesa partnerët e dyshimtë në politikë.

    Pesë vjet më pas rrugët e Berishës u kryqëzuan sërish me ato të ish-deputetit atipik Ervin Salianji. Berisha hyri në një kurs përplasjeje me të duke u përpjekur fillimisht ta refuzojë si problem dhe ta relativizojë si shqetësim. Ky është sfondi përtej të cilit, Salianji, Alimehmeti dhe një grusht demokratësh të tjerë, nisën lëvizjen foltorja 2 ose kafja e hidhur e protestës. Formalisht, e përbashkëta e tyre ishte pakënaqësia për statusin e çunit të njerkës, në shtëpinë e baba Saliut. Zyrtarisht, qëllimi i shpallur ishte rishkrimi i rregullave të karrierës brenda PD-së. Aty ku një bërthamë emrash të atrofizuar nga koha dhe fati, janë shndërruar në gardh dashurie e izolimi për Berishën vetë. Por nëse në PS, pesha e pushtetit shuan, hesht dhe bën sus çdo kokëngritje, në PD, mendimi ndryshe, është herezi. Nëse në republikën e tij të ZeqiLandit, Rama mund t’ja lejojë vetes shakatë gazmore me Zeqine, në SalDheun e Saliut, nuk ka vend përtej pendesës së Gazit, gazit të Gonit dhe virgjërisë së rikthyer të Jorit.

    E tkurrur nga humbjet e njëpasnjëshme dhe rrjedhjet njerëzore, peng i traditës, tradhëtive dhe idhujtarisë, PD gjendet papritur në pozita mbrojtëse në luftën e brendshme për pushtet duke i dhënë një frymëmarrje çlirimi vetë Ramës të përfshirë nga belatë që i kanë shkaktuar përplasjet me drejtësinë. Ish-deputeti atipik Salianji dhe doktori delikat Alimehmeti pushtuan rrufeshëm skenën mediatike dhe politike. Jo për çudi, por për nevojë, jo aq për meritë sesa për logjikë, me vetëm dy apo tre emra që kanë njohje publike dhe natyrisht në kohë të papërshtatshme, bar kafe “S & A”, krijoi dhe morri vëmendje. Pa një platformë të qartë, pa program, me ecje majë gishtash si balerina drejt zemrës së ish-kardiologut, së paku për momentin, ata pranojnë Berishën, por premtojnë të jenë më të dobishëm për të, në krahasim me bërthamën tradicionale të PD-së. Ata u shndëruan me shpejtësi mbresëlënëse në zëdhënës të frustrimit të heshtur të opozitës. Nën dyshimin se PD mund të kapitalizojë betejën e pozitës me SPAK, me shpresë se drejtësia mund të frymëzohet edhe nga faktorë jolokalë për të bërë spastrimin e brezit të parë, të dytë e të tretë të politikanëve të pluralizmit, ata po tentojnë të kujtojnë disa të vërteta të thjeshta: Në politikë dhuratat mjaftojnë për të bërë karrierë. Shërbejnë për marrë biletë për klubin e nëpunësve parlamentarë, por nga qyli, nuk del hesapi për të qepur kostume vetjake politike. Prandaj kundër tyre shpërtheu reaksioni në PD. Pastaj sulmi ndaj tyre. Prandaj Salianjit në fillim i kujtuan Babalen dhe pastaj nuk harruan t’i nënkuptojnë se për dënimin e tij, pa llogaritur Fatmir Xhafën, më shumë u gëzuan miqtë demokratë sesa armiqtë socialistë. Prandaj shumë shpejt, nëse doktori delikat Alimehmeti vazhdon sheh fall ne filxhan kafesh, seksioni i ILDKPI-së i doktorit të ashpër Berisha, do t’i përmendë shtratin ku fle. Shtratin në dy vilat aristokrate në periferi të Tiranës dhe aksionet në axhendën e Ramës për përçarjen e opozitës. Ky është cmimi për t’u paguar. Fundja edhe vetë Rama hyri me arrogancë dhe këpucë me baltë në shtratin e PD-së. Suksesi në politikë ecën vetëm me çizmet e sakrificës. Fati ndihmon vetëm në zgjedhjen: “Më mirë Saliu se Salianji!”.

    Edhe Ramës vetë dikur, si Ervinit e Ilirit me papuçe balerinash sot, i kujtonin se kishte vënë shishen e qumështit në rradhë mbas shpinës së Fatos Nanos. Madje atëherë ish-kryeministri i ndjerë ishte në kulmin e pushtetit të tij, kurse Berisha sot është vetëm pronar i rradhës në një parti që duket se nuk i vjen kurrë rradha për të ardhur në pushtet. Të një partie që ka si mendim filozofik bindjen e sinqertë se p…rdha e madhe merr në qafë pizhamet vanitoze prej mëndafshi të kryengritësve.

  • Tirana do të kërkojë fitoren e dytë të sezonit, Partizani të kapë “Final Four”. Formacionet zyrtare të derbit

    Tirana do të kërkojë fitoren e dytë të sezonit, Partizani të kapë “Final Four”. Formacionet zyrtare të derbit

    Padyshim që kryesfida e javës së 15-të në Abissnet Superiore është derbi i madh i kryeqytetit, Tirana-Partizani. Pavarësisht se të dy ekipet nuk janë në një moment të mirë, sidomos bardheblutë të cilët renditen në fund të tabelës, kur vjen puna te derbi, nuk ka nevojë për motim, luhet vetëm për fitore.
    Tirana ka vetëm një fitore këtë sezon dhe e ka pikërisht në derbin e parë ndaj Partizanit, ku fitoi 0-3. Ndërkohë, Partizani kërkont ë fitojë derbin e parë për këtë sezon dhe synimi kryesor është të afrohet dhe të kapë “Final Four”.
    Ardian Nuhiu dhe Oltion Kërnaja kanë zgjedhur të hedhin në fushë këto formacione:
    TIRANA: Tafas, Vera, Basilio Ndong, Dembele, Rafa Silva, Haxiu, Valerianos, Tare, Vogli, Tabekou, MetaPARTIZANI: Qirko, Atanaskoski, Janjeva, Bytyçi, Ismaili, Isgandarli, Human, Kote, Toma, Marku, Doumbia

  • “Kryeministër nuk ka qenë kurrë”, Vasili ‘shpërthen’: Rama përdhos ligjin, shtetin dhe drejtësinë shqiptare

    “Kryeministër nuk ka qenë kurrë”, Vasili ‘shpërthen’: Rama përdhos ligjin, shtetin dhe drejtësinë shqiptare

    Rama, ashtu si Baldassarre Cossa pirati që u bë Papë shekuj më parë dhe u shpall vonë nga kisha antipapë, po ashtu dhe ky Rama vetëm kryeministër nuk u bë dhe nuk do bëhet dot kurrë.
    Sepse kryeministër të bëjnë veprimet, respekti absolut ndaj shtetit ligjor, barazisë përpara ligjit, ndaj institucioneve, administrimi korrekt dhe jo grabitja e taksave të shqiptarëve dhe Rama asnjë prej këtyre kushteve absolute nuk i përmbush dot as dje, as sot dhe as mot.
    Sot Rama po flet se ka merak për respektin ndaj institucioneve dhe ndaj i qenka drejtuar Gjykatës Kushtetuese gjoja për interpretim.
    Rama pra i është drejtuar po asaj Gjykate, vendimin e të cilës as që e zbatoi, as e begenisi, por e shkeli me dhunë në rastin e mandatit të Xhaçkës.
    Po pse e ka këtë kurajo për t’ju drejtuar asaj Gjykate?
    Sepse e di që është një Gjykatë e kapur dhe pa asnjë dinjitet as ligjor e shtetëror e jo më moral.
    Pazarxhinjtë e Gjykatës Kushtetuese, para 2 vitesh kur 35 deputetë ju drejtuan me kërkesën: nëse cënohen kompetencat e Kuvendit apo jo në rastin Berisha, u shprehën me 8 vota kundër dhe vetëm një pro të gjykatëses Sonila Bejtja, se vetëm individi mund ti drejtohet GJK dhe jo 1/5 e deputetëve, ndonëse ka Nen të Kushtetutës, që detyron GJK të shqyrtojë çdo çështje sa herë ka një kërkesë me 1/5 e deputetëve.
    Dy vite më pas të njëjtët të tetë pazarxhinjtë, që kishin votuar kundër për Berishën në GJK, votuan pro dhe morën në shqyrtim kërkesën e Ramës që ta shqyrtojnë nëse ka konflikt kompetencash apo jo.
    Veç kaq mjafton për të deklaruar se anëtarët e GJK janë një tufë derdimenësh nën dirigjimin e Ramës.
    Nese do të kishin pasur minimumin e dinjitetit dhe respektit për Kushtetutën dhe veten e tyre, Gjykata Kushtetuese ishte e detyruar që brenda dy minutave kërkesën e Ramës duhej ta kishte refuzuar e zbrapsur, bazuar në vendimin dhe standartin kushtetues, që vendosën po vetë në rastin e kërkesës së 35 deputeteve për Berishën.
    Mjerisht Shqipëria sot është pa Gjykatë Kushtetuese, por thjesht me një tufë pazarxhinj mizerabël, që duhet tja kenë zili edhe Gjykatave të zakonshme të shkallës së parë, që kanë shumë me dinjitet se këta demek kushtetuesit e Shqipërisë.

  • BOKS/ Fitore me nokaut, Prenga shkëlqen në SHBA (VIDEO)

    BOKS/ Fitore me nokaut, Prenga shkëlqen në SHBA (VIDEO)

    Mbrëmja e djeshme në Bally’s Atlantic City, SHBA, u kthye në një arenë emocionesh për dhjetëra shqiptarë që mbushën sallën për të mbështetur boksierin e talentuar Kristian Prenga.
    Boksieri Shqipar regjistroi një fitore të frikshme me nokaut, duke e mbyllur duelin e radhës vetëm 1 minutë e 30 sekonda!

    Me këtë triumf, Prenga mbërrin në KO 19, duke forcuar statusin e tij si një nga puncher-at më të pamëshirshëm në peshat e rënda.
     

     
    Dominimi i tij që në sekondat e para tregoi qartë diferencën mes dy boksierëve, ndërsa Carmack u gjunjëzua pa mundur të rikuperonte nga fuqia e goditjeve të shqiptarit.

    Prenga tregoi superioritet absolut, duke dominuar me teknikë të pastër, lëvizje të shpejta dhe goditje të fuqishme, ai arriti ta mbyllë ndeshjen vetëm pas 1 minutë e 30 sekondash, duke siguruar një fitore të pastër dhe mbresëlënëse.
     
     
    Triumfi i tij ndezi dhe elektrizoj arenen e boksit Bally’s Atlantic City ku shqiptarët e Amerikës e duartrokiten me krenari të madhe për bashkatdhetarin e tyre.
    Fitorja e Prengës jo vetëm e rrit rekordin e tij personal, por edhe e forcon pozicionin e tij si një prej emrave më premtues të boksit shqiptar në arenën ndërkombëtare.