Tag: vetëm

  • Video/ Edi dhe Dolce shkëmbejnë puthjen e parë në BBVK

    Video/ Edi dhe Dolce shkëmbejnë puthjen e parë në BBVK

    Edi dhe Dolce, dy prej banorëve që kanë krijuar më shumë zhurmë dhe kuriozitet tek publiku në “Big Brother VIP Kosova 4”, kanë shpërthyer më në fund në një puthje, duke vulosur afrimitetin e tyre që nisi që në ditët e para të qëndrimit në shtëpi.
    Momenti i shumëpritur erdhi pas një jave të mbushur me lëvizje flirtuese, afrime të vazhdueshme, prekje delikate dhe batuta plot nënkuptime. Dinamika e tyre elektrizuese ka qenë e dukshme jo vetëm për banorët e tjerë, por edhe për publikun që i ndjek me vëmendje në rrjete sociale.
    Puthja e parë ka ndezur menjëherë debatet: a është kjo një ndjenjë e sinqertë që po lind mes tyre, apo vetëm një strategji loje për të fituar vëmendje? Duke parë ritmin e shpejtë me të cilin po afrohen, fansat tashmë po pyesin veten nëse ky raport do t’i rezistojë presionit brenda shtëpisë ku çdo emocion është i shtuar apo nëse romanca mund të kthehet në një pengesë serioze për rrugëtimin e tyre drejt çmimit të madh.
    A do të jetë kjo puthje fillimi i një historie të vërtetë dashurie, apo thjesht një kapitull i shkurtër në lojën më të famshme të Kosovës? Publiku mbetet me sytë nga Edi dhe Dolce.

  • Unaza e Madhe, konkurrenca e vogël: Për çfarë akuzohet Belinda Balluku

    Unaza e Madhe, konkurrenca e vogël: Për çfarë akuzohet Belinda Balluku

    Në gjysmën e tenderëve të projektit më madhor infrastrukturor të kryeqytetit – me vlerë 450 milionë euro, pati vetëm një garues të kualifikuar, ndërsa shumica e ofertave fituese janë përafërta me fondin limit.
    Më 10 shtator 2021, vetëm pesë ditë para mbylljes së afatit për dorëzimin e ofertave në shtatë tenderë për segmentet e Unazës së Madhe të Tiranës – një paketë prokurimesh me vlerë rreth 18 miliardë lekësh, apo 148 milionë euro me kursin e kohës, ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku thirri me urgjencë në zyrë Evis Berberin, atëherë kreun e Autoritetit Rrugor Shqiptar.
    Takimi u zhvillua në orën 11 të paradites, sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme që më vonë vendosi pezullimin nga detyra të numrit 2 të qeverisë. Çfarë u diskutua në atë takim mbetet e paqartë. Por dy orë më vonë, shkëmbimet në telefon mes Ballukut dhe Berberit, zbulojnë mënyrën se se si përzgjidheshin përfituesit e parave publike.
    “Prite pak Ilir Shtufin e Nova dhe bëja të qartë që shkon me EUT. Dhe mos ta shoh në vend tjetër,” i shkruante ministrja. Berberi e takoi Shtufin po atë pasdite dhe raportoi përsëri: “E takova ok.”
    Sipas prokurorisë, “EUT” i referohej kompanisë “Euroteorema”, ndërsa “Nova” ishte “Nova Construction 2012”, biznesi i Shtufit. Katër ditë më pas, këto dy kompani dhe një e tretë, “PE-VLA-KU” sh.p.k., nënshkruan një marrëveshje ortakërie. Të nesërmen, më 15 shtator, u shpallën fitues të tenderit për ndërtimin e “Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”, me fond limit 2.5 miliardë lekë.

     
    Për prokurorët, mesazhet e asaj dite janë prova që ministrja ndikoi drejtpërdrejt në formimin e bashkimit të operatorëve dhe, rrjedhimisht, në rezultatin e garës, një rezultat që, sipas tyre, u shoqërua me tolerime të pajustifikueshme nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, pavarësisht kritereve skualifikuese në dokumentacion.
    Megjithëse hetimi i SPAK-ut fokusohet te Loti 4, një analizë e procedurave të prokurimit për të gjithë segmentet e Unazës së Madhe të Tiranës, e kryer nga BIRN, sugjeron se konkurrenca mes operatorëve ka munguar dhe ofertat që janë shpallur fituese kanë qenë shumë pranë fondit limit. Sipas ekspertëve të prokurimit publik, në këto raste shifra flasin qartë.
    “Në tërësi, në këtë sektor, për shkak të përqendrimit të madh të fondeve buxhetore, lidhjeve të shkurtra të lobistëve vendas dhe ‘miqve’ të huaj të Kryeministrit Rama, korrupsioni mbetet një problem sfidues për SPAK-un dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese,” tha Zef Preçi, drejtor i Institutit për Studime Ekonomike.
    Belinda Balluku u mor e pandehur dy javë më parë për akuzën e prishjes së barazisë në tendera. Të enjten ajo u pezullua nga detyra me vendim të Gjykatës Speciale dhe iu ndalua udhëtimi jashtë vendit.
    Në një deklaratë në Kuvend të mërkurën ajo i cilësoi akuzat penale ndaj saj si baltë, aludime, gjysëm të vërtetat dhe gënjeshtra.”
    Procedura të paracaktuara
    Mbikalimi te Kopshti Zoologjik në Tiranë fotografuar me dron më 22 Mars 2020. . Foto: LSA
    Unaza e Madhe e Tiranës është projekti më i madh rrugor brenda kryeqytetit, një rrugë rrethore që synon të krijojë një qark lëvizjeje rreth Tiranës për të shmangur trafikun që kalon nëpër qendër të qytetit. Kjo rrugë ka një gjatë prej 28.7 kilometrash dhe për ndërtimin e saj janë prokuruar 45.9 miliardë lekë (450 milion euro).
    Të dhënat e siguruara nga BIRN nëpërmjet ligjit për të drejtë informimi nga ARRSH, tregojnë se në vitin 2021, menjëherë pas zgjedhjeve të parlamentare, financimet për Unazën e Madhe pësuan një bum dhe u dhanë 7 tendera, duke regjistruar normën më të lartë vjetore të shpenzimeve buxhetore.
    Mesazhet mes Berberit dhe një prej vartëseve të tij, të identifikuar si Miranda Shkurti, po ashtu nën akuzë për këtë tender, tregojnë se të enjten më 12 gusht 2021, zyrtarë të ARRSH-së punuan me orë të zgjatura për të bërë publike tenderat dhe për të plotësuar dokumentacionin e kërkuar në aplikacionin online të Agjencisë së Prokurimeve Publike.
    Gjatë gjithë kohës Berberi, edhe ai pa gjumë, kontrollonte procesin. Në orën 23:09 ai i shkruan Shkurtit, shefe e prokurimeve publike në ARRSH: “Hidheni edhe pas 12 që nesër të rrimë rehat se do na tërbojnë”.
    Nxitimi, siç del nga mesazhet, lidhej me kërkesën që ofertat duhej të hapeshin më 15 shtator dhe publikimi duhej të kryhej në kohë. Por hetimi, i fokusuar në Lotin 4, tregon se e gjithë procedura ishte një burokraci që nuk ndikoi fare në rezultatin përfundimtar.
    Në fakt, bisedat e mëvonshme mes Ballukut dhe Berberit tregojnë se fituesit dhe mënyra se si do merrnin pjesë në garë ishin përcaktuar paraprakisht. Vetëm katër ditë para hapjes së ofertave për shtatë tenderat, Balluku orienton një bashkim kompanish për të marrë pjesë në njërën prej garave. Në mesazhe ajo kushtëzon njërën prej kompanive që pritej të ishte mes fituesve të mos merrte pjesë në garat e tjera.
    Përveç kësaj, prokuroria thotë se ministrja dhe vartësit e saj bënë gjithçka gati që procesi të mbetej nën kontroll. Nga tetë pjesëmarrës në garë, shtatë u skualifikuan sepse nuk përmbushnin kriteret; mes tyre edhe një kompani që u shpall fituese në një lot tjetër të garave për Unazën e Madhe, të hapura po atë ditë. Më shumë se kaq, disa nga ofertuesit shkuan në tender “me duar në xhepa”: pa ofertë ekonomike, pa dokumente bazike si sigurimi i ofertës apo vetëdeklarimi.
    Por, megjithëse gjithçka dukej e kopsitur dhe rivalët në garë të skualifikuar, prokuroria thotë se administratës nën varësinë e Ballukut iu desh të mbyllte sytë edhe para një sërë problemesh të operatorit fitues. Prokuroria gjeti se bashkimi i operatorëve, në kriterin e “punëve të ngjashme”, kishte paraqitur punime që nuk lidheshin fare me rrugët.
    “Rezulton se objekti i këtyre kontratave të paraqitura si ‘punë të ngjashme’ është ndërtimi i objekteve të banimit, ndërsa objekti i kontratës së prokurimit ka të bëjë me punime ndërtimi për autostrada dhe rrugë,” thuhet në kërkesën për masë sigurie për Ballukun dhe të tjerët.
    Prokuroria thotë se hetimet tregonin qartë se ministrja dhe vartësit kishin ndihmuar fituesin në mënyrë të paligjshme.
    “Shtetasja Belinda Balluku, në cilësinë e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, shtetasin Evis Berberi; anëtarët e Njësisë së Prokurimit, Jonida Avdolli, Adrian Kroi, Denis Xhoxhi; si dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, shtetasit Erald Elezi, Klarita Konomi, Miranda Shkurti, kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomikë fitues ‘Euroteorema Peqin’ sh.p.k., ‘PE-VLA-KU’ sh.p.k. dhe ‘Nova Construction 2012’ sh.p.k., duke vepruar në kundërshtim me ligjin,” thuhet në dokument.
    Mungesë konkurrence
    Shtatë tenderat e shtatorit 2021 për Unazën e Madhe
    Nga shtatë tenderat e 15 shtatorit, përfshirë “Lotin 4”, gjashtë u fituan me shuma që shkonin nga 94.5% deri në 96.1% të fondit limit. Nga 48 kompani që morën pjesë në garë, 35 operatorë – ose 73% – u skualifikuan. Në disa raste, kompani të mëdha u nxorën jashtë gare për mungesë dokumentacioni bazik, si mosparaqitja e listës së stafit; ndërsa në raste të tjera për kritere teknike të pazakonta, si mungesa e një licence specifike për zhurmat.
    Kjo çështje vjen si akuza e dytë për paracaktim tenderash ndaj zv.kryeministres, e pezulluar nga detyra nga Gjykata e Posaçme. Përveç dosjes së Unazës, Balluku akuzohet edhe për paracaktimin e garës për tenderin e ndërtimit të tunelit të Llogarasë, për të cilin u mor e pandehur më 3 nëntor të këtij viti. Ajo i ka mohuar akuzat.
    Nga ana tjetër, të dhënat e BIRN dëshmojnë se kjo nuk është një anomali e vitit 2021, por pjesë e një modeli që shfaqet përgjatë shumë vitesh. Analiza e 21 nga 23 tenderave për Unazën e Madhe të Tiranës, ku mes viteve 2011–2024 u dhanë 45.9 miliard lekë, tregon se dhjetë procedura u fituan me më shumë se 98% të fondit limit, pjesa tjetër me mbi 94%; ndërsa vetëm në dy tendera kompanitë në garë dhanë oferta që i kursyen buxhetit mbi 20% të fondit.
    Ekspertët thonë se tenderat, në një pjesë të mirë të të cilëve pati vetëm një garues të kualifikuar, paraqesin një sërë flamujsh të kuq dhe shenja të mungesës së konkurrencës.
    Në 21 tendera të Unazës, kjo është përkthyer në pagesa të tepërta prej 30–60 milionë eurosh.
    Eduart Gjokutaj, drejtues i qendrës ALTAX thotë se këto shifra përputhen me një treg të deformuar dhe vuri theksin te humbja e madhe që buxheti kishte për shkak të këtij deformimi.
    “Në 21 tendera të Unazës, kjo është përkthyer në pagesa të tepërta prej 30–60 milionë eurosh,” tha ai.
    “Hetimet institucionale kanë konfirmuar përsëritje të modeleve të skualifikimeve, të cilat mund të reduktojnë besimin në mekanizmat e prokurimeve publike”, shtoi Gjokutaj.
    Një skemë e përsëritur
    Prokurimi për Lotin 4 nuk është hera e parë që një procedurë për ndërtimin e një segmenti të Unazës së Madhe të Tiranës rezulton e manipuluar.
    Në vitin 2018, një skandal shpërtheu kur u zbulua se DH Albania – një kompani e regjistruar në Delaware, që kishte fituar një tender me vlerë 2.2 miliardë lekë për ndërtimin e segmentit rrethrrotullimi “Shqiponja” – “Pallati me Shigjeta”, ishte në fakt një kompani fantazmë. Skandali u mbyll me dënimin me 6 muaj heqje lirie për falsifikim dokumentesh të administratorit të firmës.
    Hetimet e SPAK kundër Ballukur, për momentin nuk duket të kenë dalë përtej procedurave tw Lotit 4, por të dhënat e mbledhura nga BIRN, për tenderat e segmenteve të ndryshme të Unazës së Madhe, tregojnë se ato vuajtën nga të njëjta sindromë, duke ngritur hije dyshimi për paracaktim të fituesve.
    Sipas Zef Preçit, mungesa e konkurrencës në tenderët publikë për infrastrukturë është kthyer në normë gjatë drejtimit të qeverisë nga Partia Socialiste.
    “Vitet e fundit një numër i madh procedurash janë zhvilluar me një ofertues të vetëm, duke ulur konkurrencën, sepse në shumë raste ofertat janë të paracaktuara,” tha ai.
    Në 21 procedurat e prokurimit për ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës, numri i kompanive të skualifikuara nga gara ka kuotuar mes 85% dhe 95% të pjesëmarrësve.
    Gati gjysma e tenderave u zhvilluan vetëm me një kompani të kualifikuar.
    Të dhënat për tenderat tregojnë se disa kompani u përfshinë në garë thjesht si numra. Pothuajse në të gjitha procedurat pati të paktën një kompani që nuk dorëzoi ofertë ekonomike.
    “Shumica e kompanive skualifikohen për gabime formale, si mungesa e sigurimit të ofertës ose “mosdeklarimi i stafit,” tha eksperti Eduart Gjokutaj.
    Përsëritja e këtyre skualifikimeve sugjeron një pjesëmarrje që nuk ka ndikim real në konkurrencë, duke prodhuar një efekt të ngjashëm me ‘bid rigging’ (oferta të manipuluara) nga perspektiva e analizës së konkurrencës,” shtoi ai.
    Gjokutaj shpjegon se, bazuar në vlerësimet e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, OECD, skualifikimet e tilla mund të rrisin kostot e buxhetit publik me 20–30%.
    “Ky fenomen korrespondon me modelin ekonomik të ‘market sharing’ (ndarja e tregut) në oligopole, ku pak kompani kontrollojnë mbi 70% të tenderave infrastrukturore,” tha ai, duke iu referuar një raporti të Autoritetit të Konkurrencës.
    Përveç skualifikimit masiv, në tendera u vu re edhe fenomeni i “tenderit me rrotacion”. Për herë të parë në Unazën e Madhe kjo u dokumentua në vitin 2011, kur Autoriteti i Konkurrencës, pasi hetoi rastin, konstatoi se edhe pse kishte indikacione të forta për trukim ofertash — si rotacioni i ofertave dhe afërsia gati 100% me fondin limit — “hetimi nuk gjeti prova direkte të koluzionit mes sipërmarrjeve fituese.
    Por fenomeni mund të ketë vijuar edhe në tenderat pasues, ndonëse numri i kompanive pjesëmarrëse është rritur formalisht, duke krijuar vetëm iluzionin e garës. Analiza e dokumentacionit tregon se kompani, të cilat më parë kanë ndërtuar vepra komplekse, “harrojnë” papritur të dorëzojnë një vërtetim licence apo sigurimin e saktë të ofertës në një procedurë që përfundon duke u fituar nga një “rival” i tyre. I njëjti rival bën gabime të ngjashme në një procedurë tjetër që i shkon kompanisë së parë.
    Ky model i “gabimeve të qëllimshme” është çelësi për të kuptuar se si ruhet paqja në treg: kompanitë e mëdha hyjnë në garë vetëm për të plotësuar numrin e pjesëmarrësve, por dorëzojnë dokumentacion të mangët për t’u skualifikuar vullnetarisht, duke i hapur rrugën fituesit të paracaktuar pa qenë nevoja të ulin çmimin e ofertës.
    “Bashkëpunimi korruptiv mes operatorëve, që çon në shfrytëzimin e fondit limit afër 100%; paraqitja e të dhënave të rreme; ndarja e tregut; ose përdorimi i kompanive të tjera ‘në emër të njëra-tjetrës’ [behët] vetëm për të shmangur transparencën”, tha Zef Preçi, drejtor i Institutit për Studime Ekonomike.
    Gjokutaj, nga ana e tij, thotë se hetimet e SPAK për këto tendera kanë konfirmuar një model që përsëritet vazhdimisht.
    “Kjo koherencë e modeleve përputhet me provat që SPAK ka dokumentuar në raste si Tuneli i Llogarasë dhe Unaza e Madhe,” tha ai.
    Sipas tij, kjo është provë e një fenomeni ekonomikisht të lidhur me “rent-seeking” dhe “kapjen institucionale”.
    Ai thotë se kostoja është e lartë, duke ulur potencialin e rritjes së PBB-së për 1–2%, sipas analizave rajonale të FMN-së.
    “Financiarisht, modeli mund të shkaktojë humbje të buxhetit publik prej dhjetëra milionë eurosh,” përfundoi Gjokutaj./ BIRN

  • “Kemi një udhëheqës sharlatan në politikë”/ Qeverisja, reagon Nesho: Shqipëria është zhytur në korrupsion, narko-shtet

    “Kemi një udhëheqës sharlatan në politikë”/ Qeverisja, reagon Nesho: Shqipëria është zhytur në korrupsion, narko-shtet

    I ftuar në një studio televizive, ish-ambasadori Agim Nesho nuk kurseu kritikat, akuzat dhe argumentat ndaj qeverisjes së vendit.
    “Kemi një udhëheqës që me përkëdheli mund ta quajmë një sharlatan në politikë, i cili përpiqet vetëm të krijojë atë vizionin për partnerët e huaj, kurse vendin e tij e ka kthyer në një vend që nuk plotëson as kriteret e vendeve afrikane”, tha Nesho. Ai theksoi se entuziazmi i Kos për Ramën, të cilin ajo e quajti “vizionar”, injoron faktin se Shqipëria është zhytur në korrupsion dhe krim të organizuar, një realitet i dokumentuar nga raporte si ai i OSBE/ODIHR.
    Nesho argumentoi se lëvdatat e zyrtarëve si Kos vijnë si rezultat i aftësisë së Ramës për t’i joshur ata “me atë fantazinë e tij dhe diçka më tepër, me metoda ekstra”. Sipas tij, reagimi i duhur i opozitës ndaj kësaj situate është një sinjal pozitiv që tregon se ajo po e tejkalon kompleksin ndaj ndërkombëtarëve dhe po guxon të përballet me të vërtetën.
    Agim Nesho:
    Është interesi i Europës për të futur edhe vendet e Ballkanit në Bashkimin Europian, por ky është një proces i gjatë. Më tepër është një fokus për të thënë që kjo është pjesa e Europës dhe fuqitë e huaja nuk mund të ndërhyjnë për të krijuar një vrimë të zezë në ndërhyrjen në zemër të Europës. Por në këtë kuptim, kjo është një zbatuese e thjeshtë.
    Gjë që tregon, ashtu siç e tha kolegu, që jo vetëm ka një entuziazëm, po nuk ka një profesionalizëm për të parë realisht se çfarë ndodh në Shqipëri. Shqipëria është një vend, një narko-shtet. Kemi një udhëheqës që me përkëdheli mund ta quajmë një sharlatan në politikë, i cili përpiqet vetëm të krijojë atë vizionin për partnerët e huaj, kurse vendin e tij e ka kthyer në një vend i cili nuk plotëson jo kriteret europiane, por është shumë më pak edhe se vendet afrikane. Së dyti, dua të them që nga pasioni arriti në gabime. Autogoli është një gjetje perfekte që bëri kolegu, por unë dua të them që krijoi një moment tepër të vështirë.
    Krijoi një moment tepër të vështirë sepse doli, si e thatë edhe juve, kundër institucioneve të Brukselit. Kemi deklaratën e përfaqësuesit të Parlamentit Europian, i cili mori pjesë në zgjedhjet e Shqipërisë dhe tha që krimi i organizuar nuk bëri të mundur rotacionin politik në Shqipëri. Kemi të gjithë dokumentet e tjera për të cilat një komisionere që vjen nga entuziazmi dhe përkëdhelitë e Edi Ramës, i cili duhet të themi që kompromisin e vetëm, për t’ua shpjeguar dhe shqiptarëve, që bën edhe me këta zyrtarë burokratikë që në një mënyrë ose në një tjetër i josh me atë fantazinë e tij dhe diçka më tepër…
    Në këtë kuptim mendoj që ajo theu një një popull të tërë, i cili kërkon të futet në Bashkimin Europian duke respektuar vlerat dhe principet europiane. Do të ketë atë që është kryesorja në funksionimin e një shteti demokratik: votën e lirë, i cili të përcaktojë dhe legjitimojë gjithë institucionet e tij.

  • Ja si Belinda Balluku financoi njerëzit e PD për të hedhur bomba molotov në bashkinë socialiste të Tiranës…

    Ja si Belinda Balluku financoi njerëzit e PD për të hedhur bomba molotov në bashkinë socialiste të Tiranës…

    Përgjimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) kanë vënë në dritë një realitet të frikshëm për politikën shqiptare, duke shkatërruar përfundimisht narrativën e armiqësisë mes opozitës së Sali Berishës dhe Belinda Ballukut. Ngjarjet e fundit dhe hetimet e drejtësisë po tregojnë se Balluku dhe opozita kanë vepruar në mënyrë të sinkronizuar për të realizuar interesa financiare, klienteliste dhe politike që i bashkojnë, duke krijuar një sistem të dyfishtë të pushtetit. Një nga skandalet është organizimi i protestave të dhunshme përpara Bashkisë së Tiranës, të udhëhequra disa muaj më parë nga Belind Këlliçi dhe Flamur Noka, por që ka dyshime të forta se janë financuar drejtpërdrejtë nga Balluku. Këto protesta u shoqëruan me përdorimin e bombave molotov dhe dhunë të vazhdueshme ndaj institucionit që udhëhiqet nga Erion Veliaj, një nga rivalët më të fortë të Ballukut brenda Partisë Socialiste, tashmë i arrestuar nga SPAK.
    Prapaskenat
    Erion Veliaj akuzoi hapur disa javë më parë nga burgu se protestat para bashkisë janë koordinuar me qëllim, në të njëjtën kohë me hetimin që nisi ndaj tij SPAK. “A u hetua ndonjëherë dhuna 1-vjeçare, me molotovë e zjarr, përpara Bashkisë së Tiranës, e kryer nga individë të maskuar që, sipas raportimeve, transportoheshin nga rrethe të tjera? Kush e koordinoi dhunën që të përkonte me vetting-un tim të paligjshëm? Kush e financoi për 45 javë?”, pyeti Veliaj. “Kush është Nesti Angoni dhe për sa politikanë me letra anonime është bërë ky veting 20-vjeçar, si në rastin tim? A po përdoret ky hetim dhe persekutim mbi mua si një “eliminim politik”, për t’u kthyer në standard të ri për këdo që shenjëstrohet?”, theksoi Veliaj ndër të tjera. Gazeta e ka thënë dhe në artikujt e mëparshëm se nga denoncimet dhe akuzat publike dyshohet se pas Nesti Angonit fshihet Balluku. Ishin mbrojtësit mediatikë të Veliajt, që përveç opozitës së Berishës dolën hapur duke thënë se kryebashkiaku është goditur nga Belinda Balluku. “Pra, denoncuesi anonim i ka kërkuar SPAK-ut të gjurmojë, pasi sipas tij Veliaj ka qenë me një person tjetër në të njëjtin avion. Pikëpyetja që natyrshëm ngrihet, është se si e ka gjetur ky anonim inekzistent aksesin për të gërmuar në regjistrat e Aviacionit Civil dhe të gjejë një informacion kaq konfidencial se në avion me Veliajn 20 vite më parë ka qenë dhe një person tjetër, biznesmen, kur sistemi TIMS as nuk ka ekzistuar në atë kohë. Kush është burimi i “kallëzuesit anonim shumë të informuar” që ka gjetur një dokument jo publik nga lista e Aviacionit Civil,” shkruanin disa javë më parë mediat pranë Veliajt. Dihet që “duart” te Aviacioni Civil mund t’i fuste vetëm Balluku.
    Pazaret me tenderët
    Por lidhjet e Ballukut me opozitën nuk ishin vetëm për të goditur kundërshtarët e saj. Ajo ka bashkëpunuar ngushtë dhe me klientelën e Sali Berishës. Hetimet e SPAK kanë treguar se Ilir Shtufi, një nga ndërtuesit e kullës dhjetra-katëshe të njohur si “Mali i Tiranës” në zemër të kryeqytetit dhe i njohur për lidhje të forta me Shkëlzen Berishën, djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha, rezulton të jetë favorizuar nga Belinda Balluku, për të fituar tendera rrugësh. Ky fakt del nga dosja për hetimet për tenderin 20 mln euro të Unazës së Madhe. Edhe ‘Euroteorema Peqin’, të cilës ministrja i referohej si ‘EUT’ kur imponoi bashkëpunimin, ka lidhje të vjetra me familjen Berisha, kur merrte shumë tendera në kohën e qeverisjes së Berishës, dhe konsulenca juridike nga Argita Malltezi. “Prite pak Ilir Shtufin e Nova dhe bëja të qartë që shkon me EUT-në dhe mos ta shoh në vend tjetër. Punët i ke me Gimin thuaj jo me mua”. Me këtë komunikim të datës 10 shtator 2021, vetëm pak javë para se të shpallej fituesi, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku jo vetëm që sipas SPAK e paracaktonte fituesin e tenderit të lotit 4 të Unazës së Madhe por i impononte edhe ortakun biznesmenit Ilir Shtufi. Vetëm pak minuta pas urdhrit të ministres kreu i ARRSH atëherë Evis Berberi komunikon me pronarin e Shtufit dhe menjëherë ia konfirmon eprores se porosia u çua në vend, duke i çuar këtë mesazh: “E takova, ok”. Vetëm 4 ditë pasi zhvillohen këto biseda, më 14 shtator 2021, Ilir Shtufi i Nova Construction rezulton të ketë  lidhur kontratë bashkëpunimi me shoqëritë “Euroteorema Peqin” dhe “PE-VLA-KU” sh.p.k. për të marrë pjesë në procedurën e prokurimit për tenderin e lotit 4 të Unazës së Madhe, të cilën më pas e fituan, edhe pse kishin 3 oferta më konkurruese. Nga komunikimet mes Ballukut dhe Berberit, SPAK evidenton se ministrja shfaqet e shqetësuar pas publikimit në media të një liste me emrat e fituesve të tenderëve për unazën e madhe. Ajo e pyet Berberin për një punonjëse të prokurimeve me emrin Miranda, duke kërkuar të verifikojë nëse dikush ka nxjerrë informacionin. Berberi e siguron se Miranda nuk ka pasur dijeni për emrat e operatorëve pasi sipas tij vetëm ai e dinte përbërjen.  Berberi i shkruan Ballukut se “për çdo lot kanë marrë kriteret në letër pa emër”. Me këtë frazë prokuroria e posaçme dyshon se kriteret për çdo tender përcaktoheshin duke pasur parasysh fituesin, që vetëm ai t’i plotësonte. Shqetësimin se dikush i ka zbuluar Balluku e përsërit edhe në një tjetër bisedë me Berberin, 3 javë më vonë, kur ai e pyet nëse duhet ta shpallë fituesin. “Të mërkurën, ikni shijoni fundjavën! Merruni me pune serioze, ke një plehrë që flet aty”, i shkruan Balluku-Berberit. Bashkimi i operatorëve “Euroteorema Peqin” – “Pe-Vla-Ku” – “Nova Construction 2012” e fituan tenderin 20 milionë euro, por sipas SPAK ata nuk i plotësonin as kriteret e vendosura nga vetë MIE. Si me tenderin e tunelit të Llogarasë, SPAK thotë se Balluku, ka ndjekur dhe orientuar në vijimësi edhe tenderin e Unazës së Madhe në të procedurën nga faza përgatitore deri në shpalljen e fituesit, të cilin e ka privilegjuar. Sipas dosjes, kriteret caktoheshin si ‘kostum’ për ata që do merrnin tenderin. Kompanitë nuk kanë paraqitur asnjë provë se kishin realizuar më parë punë të ngjashme me një vlerë minimale prej 50% të kontratës, apo një volum punësh të barabartë me dyfishin e vlerës limit, siç ishte përcaktuar në kriteret e tenderit.
    Favoret
    Gjithashtu, komunikimet përmes mesazheve telefonike ndërmjet Evis Berberit dhe Belinda Balluku, kanë zbuluar dhe lidhjet e zëvendëskryeministres, dhe me deputetë të Partisë Demokratike, të cilëve ajo mesa duket kërkon t’u mbyllë gojën duke u afruar favore. Në këtë rast bëhet fjalë për Arbi Agalliun, i cili në tetor të vitit 2021 kishte akuzuar në sallën e parlamentit zonjën Balluku për lidhje direkte me turqit që fituan tenderin e Tunelit. “Shoh në LinkedIn të CEO-s të kompanisë foto me kryeministrin dhe Ministren, 4 muaj përpara se të shpallet fituesi i tenderit. Besoj dhe shpresoj të jeni takuar për çështje pune në funksion të shqiptareve. Pyetja është a keni takuar ndonjë drejtues tjetër të kompanive që kanë aplikuar për tender dhe të keni bërë foto? Megjithëse në të drejtën e tij nuk duket etike që një sipërmarrës i suksesshëm të mbaj foto profili, LinkedIn për më tepër, presidentin e vendit të vet. A mos vallë është kjo kthim qoke, së bashku me dronat, për spitalin “dhuratë”?- pyeti deputeti i PD. Agalliu, rezulton të ketë patur komunikim direkt me Ballukun, dhe pak ditë më pas i shkruan Berberit. Ky i fundit sipas porosisë së eprores tregohet menjëherë i gatshëm ta takojë, dhe në përfundim të bisedës, njofton Ballukun, se porosia ishte kryer. Balluku ka zgjedhur që të mos acarojë marrëdhëniet me deputetin e opozitës. Përkundrazi, 3 muaj më pas, ajo e konsideron “djalë qytetar” dhe i shkruan Berberit që ta takojë Agalliun  për një problem që kishte me tokat në Vlorë, duke i kërkuar që në komunikimin me të, ai të jetë “shumë i dashur”.

  • Skandali i Qukës-Qafë Pllocë/ 2T e Sakove dhe Rawafed përlanë 75 mln usd për vetëm 9 km rrugë, që u shemb një muaj pas inaugurimit

    Skandali i Qukës-Qafë Pllocë/ 2T e Sakove dhe Rawafed përlanë 75 mln usd për vetëm 9 km rrugë, që u shemb një muaj pas inaugurimit

    Shembja e lotit 3, segmentit më të kushutueshëm të rrugën Qukës-Qafë Pllocë, vetëm një muaj pas inaugurimit, nxjerr në pah një histori të pamëshirshme plaçkitje të parasë publike, në qendër të të cilit qëndrojnë një kompania nga Arabia Saudite dhe kallauzi i saj në Shqipëri. Kjo e fundit është kompania 2 T, që zotërohet nga vëllai i krebashkiakut të sapozgjedhur të Tepelenës, Gramos Sako.
    Rawafed Al Torok dhe 2 T përlanë së bashku rreth 75 milionë dollarë për të ndërtuar segmentin 9.5 kilometër të lotit 3. Kjo është një sagë zvarritjesh dhe rritjesh të pandalshme kostosh, e cila çoi në rezultatin e shembjes së rrugës.

    Loti 3 i rruges
    Pronari i 2T, Artan Sako, i cili është në rrjetën e SPAK për disa hetime, thuhet se është zhvendosur në Londër prej disa kohësh. Nuk dihet nëse ky largim ka lidhje me hetimet e SPAK apo është thjesht një zhvendosje rutinë për çështje personale.

    Artan Sako, pronar i 2T
    Por e sigurtë është që qytetarët shqiptarë, pasi paguan 75 milionë dollarë për 9 kilometër rrugë, tani po pësojnë mbi kurriz koston e korrupsionit galopant nga banda e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe kompanitë e afërta me qeverinë.
    Saga
    Në vitin 2014, Parlamenti miratoi marrëveshje e huasë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Saudit për Zhvillim për Financimin e Projektit të Ndërtimit të rrugës Tiranë – Elbasan – Qukës – Qafë e Plloçës”.
    Rruga Qukës-Qafë Pllocë u tenderua e ndarë në tre loti. Loti 3, i cili përfshinte një gjatësi totale prej 9.5 kilometrash, fillimisht ishte parashikuar të kushtonte 25 milionë dollarë. Por paratë për këtë lot firuan shpejt dhe tre vjet më vonë, Autoriteti Rrugor Shqiptar kërkoi dyfishimin e fondit.
    “Me shkresën nr.120, datë 22.01.2017, Drejtori i Njësisë së Menaxhimit të Projektit i ka kthyer përgjigje Kordinatorit të Projekteve të Huaja me tabelën financiare duke e vënë në dijeni se shuma e akorduar nga Fondi Saudit për Zhvillim arrin vlerën 25 milion USD dhe vlera e kërkuar për përfundimin e projektit është 49,3 milionë dollarë, e konfirmuar edhe nga shkresa me nr.ref A2014-02/2017-75 e Konsulentit,” zbuloi një raport i KLSH-së.
    Sipas ARRSH dhe Njësisë së Menaxhimit të Projektit, kjo diferencë vinte si pasojë se projekti nuk ka pasur financim të plotë. Këtu nis një histori kaosi shifrash, që ndryshonin çdo javë.
    Fillimisht, ministria e Financave dhe Ekonomisë me shkresën nr. 23447/3 prot., datë 17.06.2020, i kërkoi Fondit Saudit për Zhvillim një kredi në shumën 49 milionë USD për plotësimin e financimit të Lotit 2 në rrugën, Qukës Qafë Pllocë. Por vetëm një javë më vonë ndërroi mendje dhe kërkoi vetëm gjysmën.
    Me shkresën nr. 23447/3 prot., datë 25.06.2020, MFE i kërkoi Fondit Saudit për Zhvillim një kredi, por këtë herë në shumën 25 milionë USD për përfundimin e Lotit III.
    Por 6 muaj më vonë, kostoja ndryshoi sërish dhe u rikthye tek varianti fillestar. Me shkresën nr. 17876/5 prot., datë 18.12.2020, MFE i kërkon Fondit Saudit për Zhvillim edhe 24 milionë të tjera për financimin e plotë të Projektit (Loti III).
    Me miratimin në parlament të kësaj shtese të financimit prej 49 milion USD praktikisht kosto për Lotin 3 u rrit krahasimisht me 48 për qind me kontratën bazë me 48%, një vlerë tepër e lartë krahasimisht me marrëveshjen fillestare nga 50 milion dollarë në 74 milion USD vetëm për Lotin 3.
    Shtesa prej 25 milionë dollarësh krahasuar me koston fillestare u kërkua pikërisht me motivacionin e stabilizimit të skarpatave të rrugës. Ironikisht ato skarpata, të cilat u shembën vetëm një muaj pas përurimit të rrugës.
    KLSH paralajmëroi shembjen
    Ajo që ndodhi sot me shembjen masive të rrugës nuk është një rrufe në qiell të hapur. Rënia e rrugës në lotin 3, ishte paralajmëruar pak muaj më parë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Në një raport auditimi, KLSH konstatonte se projektzbatimi për lotin 3 ka rezultuar me mangësi të theksuara.
    “Trupi i rrugës sipas projektit origjinal është dhënë kudo i njëjtë, duke mos llogaritur zgjerimet e nevojshme të rrugës, kryqëzimet, vend parkimet, sistemet e kullimit dhe drenazhet, si dhe përforcimin e trupit të rrugës. Paketa e shtresave rrugore është projektuar uniformë, pavarësisht formacioneve gjeologjike-gjeoteknike, kur rruga është në gërmim apo mbushje,” thuhej në raportin e KLSH.
    Sipas raportit, vizatimet e rrugës nuk përputheshin me udhëzimet e raportit gjeoteknik, përsa i takon kategorisë së gërmimeve të shpateve dhe ndërkohë nuk ishte parashikuar ndërtimi i mureve gabione si masë mbrojtëse për parandalimin e rrëshqitjeve.
    “Nga verifikimi në terren rezultoi se pjesa më e madhe e materialit shkëmbor i cili del nga gërmimet e skarpatave është i papërdorshëm pasi copëzohet dhe shkriftohet në prezencë të agjentëve atmosferik. Ky fenomen do të krijojë probleme serioze edhe në lartësinë e skarpatave, pasi do të krijohen fenomene të rrëshqitjes së tyre, sidomos për faktin se për këto skarpata nuk është parashikuar asnjë fenomen mbrojtjeje për rrëshqitje të tyre,” paralajmërohej në raportin e KLSH-së.

  • “Unaza e Madhe, konkurrenca e vogël”- BIRN: Projekti më madhor me 450 mln euro, çfarë tregojnë bisedat e Ballukut

    “Unaza e Madhe, konkurrenca e vogël”- BIRN: Projekti më madhor me 450 mln euro, çfarë tregojnë bisedat e Ballukut

    Në gjysmën e tenderëve të projektit më madhor infrastrukturor të kryeqytetit – me vlerë 450 milionë euro, pati vetëm një garues të kualifikuar, ndërsa shumica e ofertave fituese janë përafërta me fondin limit.
    Më 10 shtator 2021, vetëm pesë ditë para mbylljes së afatit për dorëzimin e ofertave në shtatë tenderë për segmentet e Unazës së Madhe të Tiranës – një paketë prokurimesh me vlerë rreth 18 miliardë lekësh, apo 148 milionë euro me kursin e kohës, ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku thirri me urgjencë në zyrë Evis Berberin, atëherë kreun e Autoritetit Rrugor Shqiptar.
    Takimi u zhvillua në orën 11 të paradites, sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme që më vonë vendosi pezullimin nga detyra të numrit 2 të qeverisë. Çfarë u diskutua në atë takim mbetet e paqartë. Por dy orë më vonë, shkëmbimet në telefon mes Ballukut dhe Berberit, zbulojnë mënyrën se se si përzgjidheshin përfituesit e parave publike.
    “Prite pak Ilir Shtufin e Nova dhe bëja të qartë që shkon me EUT. Dhe mos ta shoh në vend tjetër,” i shkruante ministrja. Berberi e takoi Shtufin po atë pasdite dhe raportoi përsëri: “E takova ok.”
    Sipas prokurorisë, “EUT” i referohej kompanisë “Euroteorema”, ndërsa “Nova” ishte “Nova Construction 2012”, biznesi i Shtufit. Katër ditë më pas, këto dy kompani dhe një e tretë, “PE-VLA-KU” sh.p.k., nënshkruan një marrëveshje ortakërie. Të nesërmen, më 15 shtator, u shpallën fitues të tenderit për ndërtimin e “Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”, me fond limit 2.5 miliardë lekë.
    Për prokurorët, mesazhet e asaj dite janë prova që ministrja ndikoi drejtpërdrejt në formimin e bashkimit të operatorëve dhe, rrjedhimisht, në rezultatin e garës, një rezultat që, sipas tyre, u shoqërua me tolerime të pajustifikueshme nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, pavarësisht kritereve skualifikuese në dokumentacion.
    Megjithëse hetimi i SPAK-ut fokusohet te Loti 4, një analizë e procedurave të prokurimit për të gjithë segmentet e Unazës së Madhe të Tiranës, e kryer nga BIRN, sugjeron se konkurrenca mes operatorëve ka munguar dhe ofertat që janë shpallur fituese kanë qenë shumë pranë fondit limit. Sipas ekspertëve të prokurimit publik, në këto raste shifra flasin qartë.
    “Në tërësi, në këtë sektor, për shkak të përqendrimit të madh të fondeve buxhetore, lidhjeve të shkurtra të lobistëve vendas dhe ‘miqve’ të huaj të Kryeministrit Rama, korrupsioni mbetet një problem sfidues për SPAK-un dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese,” tha Zef Preçi, drejtor i Institutit për Studime Ekonomike.
    Belinda Balluku u mor e pandehur dy javë më parë për akuzën e prishjes së barazisë në tendera. Të enjten ajo u pezullua nga detyra me vendim të Gjykatës Speciale dhe iu ndalua udhëtimi jashtë vendit.
    Në një deklaratë në Kuvend të mërkurën ajo i cilësoi akuzat penale ndaj saj si baltë, aludime, gjysëm të vërtetat dhe gënjeshtra.”
    Procedura të paracaktuara
    Unaza e Madhe e Tiranës është projekti më i madh rrugor brenda kryeqytetit, një rrugë rrethore që synon të krijojë një qark lëvizjeje rreth Tiranës për të shmangur trafikun që kalon nëpër qendër të qytetit. Kjo rrugë ka një gjatë prej 28.7 kilometrash dhe për ndërtimin e saj janë prokuruar 45.9 miliardë lekë (450 milion euro).
    Të dhënat e siguruara nga BIRN nëpërmjet ligjit për të drejtë informimi nga ARRSH, tregojnë se në vitin 2021, menjëherë pas zgjedhjeve të parlamentare, financimet për Unazën e Madhe pësuan një bum dhe u dhanë 7 tendera, duke regjistruar normën më të lartë vjetore të shpenzimeve buxhetore.
    Mesazhet mes Berberit dhe një prej vartëseve të tij, të identifikuar si Miranda Shkurti, po ashtu nën akuzë për këtë tender, tregojnë se të enjten më 12 gusht 2021, zyrtarë të ARRSH-së punuan me orë të zgjatura për të bërë publike tenderat dhe për të plotësuar dokumentacionin e kërkuar në aplikacionin online të Agjencisë së Prokurimeve Publike.
    Gjatë gjithë kohës Berberi, edhe ai pa gjumë, kontrollonte procesin. Në orën 23:09 ai i shkruan Shkurtit, shefe e prokurimeve publike në ARRSH: “Hidheni edhe pas 12 që nesër të rrimë rehat se do na tërbojnë”.
    Nxitimi, siç del nga mesazhet, lidhej me kërkesën që ofertat duhej të hapeshin më 15 shtator dhe publikimi duhej të kryhej në kohë. Por hetimi, i fokusuar në Lotin 4, tregon se e gjithë procedura ishte një burokraci që nuk ndikoi fare në rezultatin përfundimtar.
    Në fakt, bisedat e mëvonshme mes Ballukut dhe Berberit tregojnë se fituesit dhe mënyra se si do merrnin pjesë në garë ishin përcaktuar paraprakisht. Vetëm katër ditë para hapjes së ofertave për shtatë tenderat, Balluku orienton një bashkim kompanish për të marrë pjesë në njërën prej garave. Në mesazhe ajo kushtëzon njërën prej kompanive që pritej të ishte mes fituesve të mos merrte pjesë në garat e tjera.
    Përveç kësaj, prokuroria thotë se ministrja dhe vartësit e saj bënë gjithçka gati që procesi të mbetej nën kontroll. Nga tetë pjesëmarrës në garë, shtatë u skualifikuan sepse nuk përmbushnin kriteret; mes tyre edhe një kompani që u shpall fituese në një lot tjetër të garave për Unazën e Madhe, të hapura po atë ditë. Më shumë se kaq, disa nga ofertuesit shkuan në tender “me duar në xhepa”: pa ofertë ekonomike, pa dokumente bazike si sigurimi i ofertës apo vetëdeklarimi.
    Por, megjithëse gjithçka dukej e kopsitur dhe rivalët në garë të skualifikuar, prokuroria thotë se administratës nën varësinë e Ballukut iu desh të mbyllte sytë edhe para një sërë problemesh të operatorit fitues. Prokuroria gjeti se bashkimi i operatorëve, në kriterin e “punëve të ngjashme”, kishte paraqitur punime që nuk lidheshin fare me rrugët.
    “Rezulton se objekti i këtyre kontratave të paraqitura si ‘punë të ngjashme’ është ndërtimi i objekteve të banimit, ndërsa objekti i kontratës së prokurimit ka të bëjë me punime ndërtimi për autostrada dhe rrugë,” thuhet në kërkesën për masë sigurie për Ballukun dhe të tjerët.
    Prokuroria thotë se hetimet tregonin qartë se ministrja dhe vartësit kishin ndihmuar fituesin në mënyrë të paligjshme.
    “Shtetasja Belinda Balluku, në cilësinë e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, shtetasin Evis Berberi; anëtarët e Njësisë së Prokurimit, Jonida Avdolli, Adrian Kroi, Denis Xhoxhi; si dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, shtetasit Erald Elezi, Klarita Konomi, Miranda Shkurti, kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomikë fitues ‘Euroteorema Peqin’ sh.p.k., ‘PE-VLA-KU’ sh.p.k. dhe ‘Nova Construction 2012’ sh.p.k., duke vepruar në kundërshtim me ligjin,” thuhet në dokument.
    Mungesë konkurrence
    Nga shtatë tenderat e 15 shtatorit, përfshirë “Lotin 4”, gjashtë u fituan me shuma që shkonin nga 94.5% deri në 96.1% të fondit limit. Nga 48 kompani që morën pjesë në garë, 35 operatorë – ose 73% – u skualifikuan. Në disa raste, kompani të mëdha u nxorën jashtë gare për mungesë dokumentacioni bazik, si mosparaqitja e listës së stafit; ndërsa në raste të tjera për kritere teknike të pazakonta, si mungesa e një licence specifike për zhurmat.
    Kjo çështje vjen si akuza e dytë për paracaktim tenderash ndaj zv.kryeministres, e pezulluar nga detyra nga Gjykata e Posaçme. Përveç dosjes së Unazës, Balluku akuzohet edhe për paracaktimin e garës për tenderin e ndërtimit të tunelit të Llogarasë, për të cilin u mor e pandehur më 3 nëntor të këtij viti. Ajo i ka mohuar akuzat.
    Nga ana tjetër, të dhënat e BIRN dëshmojnë se kjo nuk është një anomali e vitit 2021, por pjesë e një modeli që shfaqet përgjatë shumë vitesh. Analiza e 21 nga 23 tenderave për Unazën e Madhe të Tiranës, ku mes viteve 2011–2024 u dhanë 45.9 miliard lekë, tregon se dhjetë procedura u fituan me më shumë se 98% të fondit limit, pjesa tjetër me mbi 94%; ndërsa vetëm në dy tendera kompanitë në garë dhanë oferta që i kursyen buxhetit mbi 20% të fondit.
    Ekspertët thonë se tenderat, në një pjesë të mirë të të cilëve pati vetëm një garues të kualifikuar, paraqesin një sërë flamujsh të kuq dhe shenja të mungesës së konkurrencës.
    Në 21 tendera të Unazës, kjo është përkthyer në pagesa të tepërta prej 30–60 milionë eurosh.
    Eduart Gjokutaj, drejtues i qendrës ALTAX thotë se këto shifra përputhen me një treg të deformuar dhe vuri theksin te humbja e madhe që buxheti kishte për shkak të këtij deformimi.
    “Në 21 tendera të Unazës, kjo është përkthyer në pagesa të tepërta prej 30–60 milionë eurosh,” tha ai.
    “Hetimet institucionale kanë konfirmuar përsëritje të modeleve të skualifikimeve, të cilat mund të reduktojnë besimin në mekanizmat e prokurimeve publike”, shtoi Gjokutaj.
    Një skemë e përsëritur
    Prokurimi për Lotin 4 nuk është hera e parë që një procedurë për ndërtimin e një segmenti të Unazës së Madhe të Tiranës rezulton e manipuluar.
    Në vitin 2018, një skandal shpërtheu kur u zbulua se DH Albania – një kompani e regjistruar në Delaware, që kishte fituar një tender me vlerë 2.2 miliardë lekë për ndërtimin e segmentit rrethrrotullimi “Shqiponja” – “Pallati me Shigjeta”, ishte në fakt një kompani fantazmë. Skandali u mbyll me dënimin me 6 muaj heqje lirie për falsifikim dokumentesh të administratorit të firmës.
    Hetimet e SPAK kundër Ballukur, për momentin nuk duket të kenë dalë përtej procedurave tw Lotit 4, por të dhënat e mbledhura nga BIRN, për tenderat e segmenteve të ndryshme të Unazës së Madhe, tregojnë se ato vuajtën nga të njëjta sindromë, duke ngritur hije dyshimi për paracaktim të fituesve.
    Sipas Zef Preçit, mungesa e konkurrencës në tenderët publikë për infrastrukturë është kthyer në normë gjatë drejtimit të qeverisë nga Partia Socialiste.
    “Vitet e fundit një numër i madh procedurash janë zhvilluar me një ofertues të vetëm, duke ulur konkurrencën, sepse në shumë raste ofertat janë të paracaktuara,” tha ai.
    Në 21 procedurat e prokurimit për ndërtimin e Unazës së Madhe të Tiranës, numri i kompanive të skualifikuara nga gara ka kuotuar mes 85% dhe 95% të pjesëmarrësve.
    Gati gjysma e tenderave u zhvilluan vetëm me një kompani të kualifikuar.
    Të dhënat për tenderat tregojnë se disa kompani u përfshinë në garë thjesht si numra. Pothuajse në të gjitha procedurat pati të paktën një kompani që nuk dorëzoi ofertë ekonomike.
    “Shumica e kompanive skualifikohen për gabime formale, si mungesa e sigurimit të ofertës ose “mosdeklarimi i stafit,” tha eksperti Eduart Gjokutaj.
    Përsëritja e këtyre skualifikimeve sugjeron një pjesëmarrje që nuk ka ndikim real në konkurrencë, duke prodhuar një efekt të ngjashëm me ‘bid rigging’ (oferta të manipuluara) nga perspektiva e analizës së konkurrencës,” shtoi ai.
    Gjokutaj shpjegon se, bazuar në vlerësimet e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, OECD, skualifikimet e tilla mund të rrisin kostot e buxhetit publik me 20–30%.
    “Ky fenomen korrespondon me modelin ekonomik të ‘market sharing’ (ndarja e tregut) në oligopole, ku pak kompani kontrollojnë mbi 70% të tenderave infrastrukturore,” tha ai, duke iu referuar një raporti të Autoritetit të Konkurrencës.
    Përveç skualifikimit masiv, në tendera u vu re edhe fenomeni i “tenderit me rrotacion”. Për herë të parë në Unazën e Madhe kjo u dokumentua në vitin 2011, kur Autoriteti i Konkurrencës, pasi hetoi rastin, konstatoi se edhe pse kishte indikacione të forta për trukim ofertash — si rotacioni i ofertave dhe afërsia gati 100% me fondin limit — “hetimi nuk gjeti prova direkte të koluzionit mes sipërmarrjeve fituese (Gener 2 Sh.p.k.; bashkimi Albavia & Favina & Alpin Srl; dhe bashkimi Gjoka Konstruksion & Gjikuria)”.
    Por fenomeni mund të ketë vijuar edhe në tenderat pasues, ndonëse numri i kompanive pjesëmarrëse është rritur formalisht, duke krijuar vetëm iluzionin e garës. Analiza e dokumentacionit tregon se kompani, të cilat më parë kanë ndërtuar vepra komplekse, “harrojnë” papritur të dorëzojnë një vërtetim licence apo sigurimin e saktë të ofertës në një procedurë që përfundon duke u fituar nga një “rival” i tyre. I njëjti rival bën gabime të ngjashme në një procedurë tjetër që i shkon kompanisë së parë.
    Ky model i “gabimeve të qëllimshme” është çelësi për të kuptuar se si ruhet paqja në treg: kompanitë e mëdha hyjnë në garë vetëm për të plotësuar numrin e pjesëmarrësve, por dorëzojnë dokumentacion të mangët për t’u skualifikuar vullnetarisht, duke i hapur rrugën fituesit të paracaktuar pa qenë nevoja të ulin çmimin e ofertës.
    “Bashkëpunimi korruptiv mes operatorëve, që çon në shfrytëzimin e fondit limit afër 100%; paraqitja e të dhënave të rreme; ndarja e tregut; ose përdorimi i kompanive të tjera ‘në emër të njëra-tjetrës’ [behët] vetëm për të shmangur transparencën”, tha Zef Preçi, drejtor i Institutit për Studime Ekonomike.
    Gjokutaj, nga ana e tij, thotë se hetimet e SPAK për këto tendera kanë konfirmuar një model që përsëritet vazhdimisht.
    “Kjo koherencë e modeleve përputhet me provat që SPAK ka dokumentuar në raste si Tuneli i Llogarasë dhe Unaza e Madhe,” tha ai.
    Sipas tij, kjo është provë e një fenomeni ekonomikisht të lidhur me “rent-seeking” dhe “kapjen institucionale”.
    Ai thotë se kostoja është e lartë, duke ulur potencialin e rritjes së PBB-së për 1–2%, sipas analizave rajonale të FMN-së.
    “Financiarisht, modeli mund të shkaktojë humbje të buxhetit publik prej dhjetëra milionë eurosh,” përfundoi Gjokutaj.

  • Chivu: Humbja në derbi është dështim i të gjithëve, 4 disfata në 12 ndeshje janë shumë

    Chivu: Humbja në derbi është dështim i të gjithëve, 4 disfata në 12 ndeshje janë shumë

    Pavarësisht humbjes në derbi ndaj Milan, që i parakaloi në renditje, trajneri i Inter, Cristian Chivu, është i kënaqur me performancën e ekipit të tij. “Nuk është vetëm ajo që krijuam, është edhe fokusi ynë“, tha Chivu.
    “Ata shënuan në shansin tonë të vetëm nga një top i gjatë, ky është futbolli. Djemtë u përpoqën në çdo mënyrë, kjo është fryma që dua të shoh. Katër humbje në dymbëdhjetë ditët e para të ndeshjeve është paksa shumë, por renditja është e ngushtë“, tha Chivu.
    “Unë e di se çfarë krijojmë dhe rreziqet që marrim. Lojtarët e mi janë më të mirët, ata gjithmonë përpiqen të bëjnë më të mirën e tyre. Unë kurrë nuk do ta drejtoja gishtin nga askush, përndryshe do të dukej si dështim“, shtoi trajneri i Inter.
    Më tej, Chivu tha: “Nuk ka një fajtor të vetëm për këtë humbje; ne të gjithë jemi të përfshirë. Mund ta kishim menaxhuar situatën më mirë, thjesht kemi detyrën të rikuperohemi sepse kemi një tjetër ndeshje të rëndësishme të mërkurën.”
    Lidhur me zëvendësimin e Lautaros, trajneri sqaroi: “Ai është mirë. A nuk mund t’i ndërroj lojtarët? Është vendimi im teknik, edhe lojtarët në stol meritojnë të kontribuojnë.”
    “Për shkak të karakteristikave të lojtarëve tanë, ne jemi të detyruar të sulmojmë me shumë lojtarë dhe jemi më të ekspozuar ndaj kundërsulmeve. Sot pësuam një dhe ishte fatal. Deri më tani, kemi pësuar relativisht pak gola për rreziqet që marrim. Duhet të përmirësojmë perceptimin tonë të rrezikut dhe të kryejmë më shumë faulle“, tha Chivu.

  • Ukrainasi i parë që fiton një turne elitar të sumos në Japoni, refugjati shpallet kampion

    Ukrainasi i parë që fiton një turne elitar të sumos në Japoni, refugjati shpallet kampion

    Danylo Yavhusishyn, i njohur në ring si Aonishiki, është bërë ukrainasi i parë që fiton një turne elitar të sumos në Japoni, duke siguruar Kupën e Perandorit pas një performance të jashtëzakonshme në turneun 15-ditor në Fukuoka. 21-vjeçari është gjithashtu evropiani i parë në gati tetë vjet që arrin titullin prestigjioz.

    Aonishiki e mbylli turneun me rezultat 12 fitore dhe 3 humbje, duke triumfuar pastaj në ndeshjet play-off kundër kampionit të madh mongol Hoshoryu. Me këtë sukses, ai pritet të ngrihet në rangun Ozeki – pozicioni i dytë më i lartë në sumo, duke shënuar njërën nga ngritjet më të shpejta në historinë e sportit.
    I pyetur nëse ndihet i përmbushur nga arritjet e tij trevjeçare, Aonishiki tha: “Jo, mendoj se ky është vetëm fillimi.”
    Aonishiki mbërriti në Japoni në vitin 2022, si 18-vjeçar, pasi familja e tij u largua nga Ukraina për t’i shpëtuar pushtimit rus. Pa njohuri të gjuhës japoneze, ai u transferua falë ndihmës së një kapiteni të një klubi universitar të sumos, të cilin e kishte takuar më parë në gara për të rinj.
    Emri i tij përmban karakterin japonez për “blu”, një referencë simbolike ndaj flamurit të Ukrainës.
    Edhe pse ka vetëm tre vite në sumon profesionale, Aonishiki ka fituar popullaritet të madh në Japoni dhe jashtë saj. Ai dallon për teknikat e rralla që përdor dhe për përmirësimin e vazhdueshëm, duke tërhequr vëmendjen e profesionistëve dhe tifozëve.
    Ai është vetëm ukrainasi i dytë në divizionin më të lartë të sumos. Sportin e nisi në moshën shtatëvjeçare, pasi më parë merrej me xhudo dhe mundje të lirë.

    Top Channel

  • Në kuzhinat në Gaza ende mungojnë produktet bazë, pavarësisht armëpushimit

    Në kuzhinat në Gaza ende mungojnë produktet bazë, pavarësisht armëpushimit

    Në Gaza, kuzhinat komunitare janë një shpëtim për mijëra familje të shpërngulura, edhe pse armëpushimi ka filluar gjashtë javë më parë. Organizata amerikane Anera shërben çdo ditë një vakt të ngrohtë për mbi 20 mijë njerëz në kampet e braktisura të qytetit.

    Nga tenxheret e mëdha ziejnë oriz, makarona dhe thjerrëza, të përforcuara me pak perime të disponueshme. Por mungesa e mishit, pulave të freskëta dhe perimeve të tjera ende kufizon ushqimin e familjeve. Që nga armëpushimi, Anera ka shërbyer vetëm një herë mish nga kanaçet, pasi produktet e freskëta lejohen vetëm për tregtarët privatë dhe janë shumë të shtrenjta.

    Banorët e kampit varen nga këto kuzhina për bukë, ujë dhe ushqim.

    “Bukë ka vetëm një herë në javë ose një herë çdo katër ditë. Nuk ka ndryshuar shumë që nga armëpushimi, ishim të lumtur vetëm që u ndal gjakderdhja”, tha Aida Salha.

    Çmimet e ushqimeve bazë janë ende të larta dhe shumë familje mund të blejnë vetëm një vakt në ditë. Me ardhjen e dimrit, jeta bëhet edhe më e vështirë, ndërsa familjet shqetësohen si të ushqejnë dhe ngrohin fëmijët e tyre.

    Megjithatë, punonjësit humanitarë bëjnë çmos për të ndihmuar.

    “Shpresa e njerëzve është e thjeshtë: të jetojnë në një vend të sigurt dhe të mund të gatuajnë një vakt të ngrohtë për fëmijët e tyre me dashuri dhe dinjitet”, tha Sami Matar, shefi i kuzhinës.

    Ndërkohë, OKB-ja dhe organizatat humanitare kërkojnë që Izraeli të hapë të gjitha pikat e kalimit dhe të lejojë më shumë ndihma humanitare, për të përmirësuar dietën dhe jetesën e banorëve të Gazës.

  • Bashkim Zahaj: Performanca arti si instalacione të përkohshme mund të bëhen kudo, por jo mbi vepra të dikujt tjetër

    Bashkim Zahaj: Performanca arti si instalacione të përkohshme mund të bëhen kudo, por jo mbi vepra të dikujt tjetër

    Në skenën shqiptare të artit, emri i Bashkim Zahajt qëndron si një prej skenografëve më të rëndësishëm. Me një përvojë të gjerë në projekte të shumta artistike, skenografi Zahaj njihet për vizionin e tij të qartë estetik, përkushtimin ndaj artit dhe zërin kritik ndaj mënyrës se si trajtohen artistët në vend. Në intervistën për gazetën “SOT”, skenografi i njohur Bashkim Zahaj ndalet dhe mbi strategjinë e re kombëtare të kulturës 2026-2030, sfidat me të cilat përballen artistët, risitë dhe debatet në hapësirat publike, si edhe mbi domosdoshmërinë e rikthimit të prapavijës realizuese në teatër e institucione të tjera artistike, një element që ai e konsideron themelor për cilësinë e veprave. Një moment tjetër i rëndësishëm në debatin publik ka qenë edhe ndërhyrja artistike e fundit te mozaiku “Shqipëria” në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar, një ngjarje që ngjalli reagime dhe polemika të shumta. Zahaj, artikulon qëndrimet e tij mbi autorësinë, integritetin e veprës artistike dhe sipas tij kufijtë, që duhet të respektojë çdo ndërhyrje në artin publik.  Ndër të tjera skenografi shprehet se performanca arti si instalacione të përkohshme mund të bëhen kudo, por jo mbi vepra të dikujt tjetër dhe kjo sipas tij nuk justifikon as edhe pëlqimin e institucioneve, sepse edhe institucioni përkatës nuk përfaqëson unitetin estetik dhe kuptimor të artit, por vetëm atë juridik. Skenografi Bashkim Zahaj që dhe më parë ka sjellë në vëmendje problemet në jetën artistike, shprehet gjithashtu se Tirana ka plot sheshe e hapësira, ku mund të vendosen vepra arti nga të gjitha rrymat, por akoma thotë ai nuk kemi monumentet historike (buste, shtatore, relieva, memoriale, etj), të cilat janë përfaqësuese të kulturës dhe historisë së kombit, pas tyre sigurisht edhe vepra dhe instalacione moderne, ku gjithmonë përgjegjës për publikimin e tyre është grupi me arkitektë, urbanistë, piktorë, skulptorë, shkrimtarë, etj, dhe jo nëpunës të administratës shtetërore.
    – Një moment i rëndësishëm në debatin publik ka qenë edhe ndërhyrja artistike më parë te mozaiku “Shqipëria” në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar, një ngjarje që ngjalli reagime dhe polemika. Mozaiku monumental “Shqipëria” u bë hapësira, ku historia dhe arti bashkëkohor ndërthuren, ndërsa figura ikonike e gruas me xhubletë rikontekstualizohet me një gjest të fuqishëm simbolik në mbështetje të grave që përballen me kancerin. Ju ishit një ndër zërat kritik, çfarë mund të na thoni më shumë mbi ndërhyrjet në veprat e artit?
    Pa hyrë te subjekti fillimisht duhet të kemi parasysh se çfarë është një vepër arti, çfarë është e drejta e autorit etj. Vepra e artit është e pacënueshme pa dijeninë dhe pëlqimin e autorit, pasi autorësia mbrohet me ligj. E dyta, veprat e artit, të cilat janë në publik marrin një të drejtë universale në shërbim të publikut edhe si pronë intelektuale dhe janë ekstremisht të paprekshme edhe nëse autori mund të dojë, pasi ajo e kalon pronësinë e autorit dhe është vepër publike. Në këtë rast është akoma shumë më e vështirë cenimi i tyre nga dikush tjetër pavarësisht qëllimit dhe subjektit. Kështu, për asnjë qëllim nuk cënohet monumenti “Nëna Shqipëri” apo “Skënderbeu”, etj.
    Pasi cënohet jo vetëm e drejta e autorit, por edhe subjekti i veprës, e cila në një rast të tillë shkakton dëm të pallogaritshëm në konceptin mbi veprën e artit. Mendoni sikur të ndodhte kjo me “Mona Lizën” apo “Davidin” e Mikelanxhelos.
    Pa dyshim që performanca arti si instalacione të përkohshme mund të bëhen kudo, por jo mbi vepra të dikujt tjetër; kjo nuk justifikon as edhe pëlqimin e institucioneve të artit. Pse? Sepse edhe institucioni përkatës nuk përfaqëson unitetin estetik dhe kuptimor të artit, por vetëm atë juridik. Me fjalë të thjeshta, duhet të jenë një grup profesionistësh për marrjen e vendimeve të tilla (që në fakt pa pëlqimin e autorit janë të pavlerë). Asgjë nuk e justifikon “përdhosjen” (instalacionin) mbi një vepër arti publike. Duhet të ishin gjetur forma dhe mënyra të tjera; mosdija dhe mungesa e profesionalizmit në teori dhe praktikë sjellin gjithmonë kakofoni jo vetëm te publiku i thjeshtë, por edhe në art.
    – Ju edhe më parë keni reaguar për veprat e artit në hapësira publike. Për problemet që keni shprehur, çfarë mund të thoni për institucionet?
    Tirana ka plot sheshe e hapësira ku mund të vendosen vepra arti nga të gjitha rrymat, por ne akoma s’po kemi monumentet historike (buste, shtatore, relieva, memoriale, etj), të cilat janë përfaqësuese të kulturës dhe historisë së kombit; pas tyre sigurisht edhe vepra dhe instalacione moderne, ku gjithmonë përgjegjës për publikimin e tyre është “grupi i estetëve” (arkitektë, urbanistë, piktorë, skulptorë, shkrimtarë, etj) dhe jo nëpunës të thjeshtë të administratës shtetërore.
    -Ju jeni skenograf që keni realizuar projekte të ndryshme, por cilat janë pasojat e një infrastrukture të pamjaftueshme në realizimin e veprave të mëdha, si i vlerësoni kushtet teknike të teatrove dhe institucioneve kulturore sot?
    Ka ardhur koha të kthehemi aty ku ishim përpara 20 viteve në funksionimin e institucioneve të artit si teatri, opera, televizioni. Tashmë u provua se heqja nga këto institucione e prapavijës realizuese ishte veprim që jo vetëm nuk dha rezultat, por lejoi abuzim të vazhdueshëm në fondet përkatëse. Prapavija (marangoz, mekanik, butaforist, realizues, piktor, rrobaqepës, etj) dhe vendi i posaçëm i punës së tyre është vendimtare në prodhimtarinë artistike të tyre, pasi si punonjës definitiv janë “bashkautorë” të veprës. Pikërisht heqja e tyre solli rënie të cilësisë, pasi kjo ka lidhje determinuese me anën financiare dhe fondin për realizim. Tenderat jo vetëm nuk rritën cilësinë, por shpesh përfundojnë drejt abuzimeve.
    Tashmë nga ministria duhet të rihapen këto kategori pune, pasi jo vetëm prodhimi artistik do të përmirësohet, por edhe do të rritet profesionalizmi për këto vende pune që kanë nevojë për kontingjent nga arsimi i mesëm dhe i lartë (nga liceu, realizues, piktorë, skulptorë, etj). Tashmë ka nevojë për një kthim dhe reformë në identitet, në natyrën e vërtetë të funksionit të këtyre institucioneve, ashtu si edhe simotrat e tyre jashtë vendit. Prapavija e institucioneve që prodhojnë art është kyçi i suksesit.
    -Disa javë më parë u bë me dije nga ministri Blendi Gonxhja në një takim me artistë e më gjerë, që ka nisur puna për hartimin strategjisë së re kombëtare të kulturës 2026-2030. Çfarë prisni nga strategjia e re për artin dhe kulturën 2026-2030?
    Strategjitë e profilizuara zakonisht bëhen me specialistë të aftë të fushës. Nuk kam informacion nga ky institucion dhe as në rrethin tim të artistëve.
    Intervistoi: Julia Vrapi