Tag: vetëm

  • Lulja e Krishtlindjeve: 5 këshilla për të jetuar gjithë vitin në shtëpinë tuaj

    Lulja e Krishtlindjeve: 5 këshilla për të jetuar gjithë vitin në shtëpinë tuaj

    Ylli i Krishtlindjeve është një nga lulet simbol të kësaj feste. E bukur, e kuqe e ndezur, ajo kërkon shumë pak gjëra për të qenë plot jetë dhe e shëndetshme jo vetëm ditët e festave, por edhe më pas. Nëse do të kujdeseni siç duhet, kjo lule do të bëjë ciklin e plotë dhe do të lulëzojë edhe vitin e ardhshëm. Ja 6 rregulla që duhet të keni parasysh për kujdesin ndaj saj:
    Drita
    Ashtu si shumë bimë të tjera, ylli i Krishtlindjeve e do dritën. Për këtë arsye, vendoseni në një hapësirë të ndriçuar të shtëpisë dhe kur të vijë vera mbajeni në ballkon. Gjithashtu, drita e drejtpërdrejtë këshillohet vetëm disa orë në ditë, sidomos kur temperaturat janë të freskëta dhe jo shumë vapë.

    Krasitja
    Krasitja është hapi i radhës për të ruajtur këtë lule dhe bëhet në periudhat shkurt-mars. Pas kësaj, në pak javë, do të dalin sythat e parë. Mes qershorit dhe korrikut, ylli i Krishtlindjeve do të shpërthejë me gjethet plot ngjyra të gjalla.
    Rimbjellja
    Kjo lule lulëzon nga dhjetori në mars dhe kërkon temperatura të ngrohta për t’u ndier e sigurt dhe të mos vdesë. Në prill mund t’i ndihmoni rrënjët të rriten të shëndetshme duke bërë lulen të rivegjetojë. Një mënyrë efikase është ndërrimi i vazos. Në këtë mënyrë rrënjët do të rriten dhe oksigjenohen më mirë dhe lulja do të zhvillohet pa rreziqe.
    Sezonaliteti
    Që lulja juaj e Krishtlindjeve të mos thahet, duhet të studioni sezonalitetin e saj. Në dimër, kjo lule duhet të ujitet një herë në javë dhe kërkon ujë vetëm kur toka të jetë e thatë. Në këtë mënyrë do të evitoni daljen e kërpudhave, një nga sëmundjet më të përhapura tek lulet. Në pranverë mbilleni në një vazo tjetër dhe krasitini degët 10 cm nga toka, veçanërisht kur gjethet fillojnë të bien. Në verë kujdesui ta vendosni atë jashtë shtëpisë në temperatura jo më të larta se 18 gradë. Në vjeshtë, duke filluar nga mesi shtatorit, vendoseni vazon brenda gjatë natës.
    Siguria
    Kjo lule e bukur ka dhe një shkallë të fortë helmimi jo aq për njerëzit, por për kafshët. Qentë dhe macet janë në një rrezik të lartë intoksikimi. Nëse gëlltiten gjethet e kësaj bime, mund të çojnë në ngordhjen e maceve. Për këtë arsye është mirë t’i mbani në vende të larta, larg kafshëve shtëpiake.

  • Komedi mafioze, Rama e refuzoi Kushtetuesen për Xhaçkën, tani u kujtua për të?

    Komedi mafioze, Rama e refuzoi Kushtetuesen për Xhaçkën, tani u kujtua për të?

    Nga Petrit Vasili

    Rama, ashtu si Baldassarre Cossa pirati që u bë Papë shekuj më parë dhe u shpall vonë nga kisha antipapë, po ashtu dhe ky Rama vetëm kryeministër nuk u bë dhe nuk do bëhet dot kurrë.

    Sepse kryeministër të bëjnë veprimet, respekti absolut ndaj shtetit ligjor, barazisë përpara ligjit, ndaj institucioneve, administrimi korrekt dhe jo grabitja e taksave të shqiptarëve dhe Rama asnjë prej këtyre kushteve absolute nuk i përmbush dot as dje, as sot dhe as mot.

    Sot Rama po flet se ka merak për respektin ndaj institucioneve dhe ndaj i qenka drejtuar Gjykatës Kushtetuese gjoja për interpretim.

    Rama pra i është drejtuar po asaj Gjykate, vendimin e të cilës as që e zbatoi, as e begenisi, por e shkeli me dhunë në rastin e mandatit të Xhaçkës.

    Po pse e ka këtë kurajo për t’ju drejtuar asaj Gjykate?

    Sepse e di që është një Gjykatë e kapur dhe pa asnjë dinjitet as ligjor e shtetëror e jo më moral.

    Pazarxhinjtë e Gjykatës Kushtetuese, para 2 vitesh kur 35 deputetë ju drejtuan me kërkesën: nëse cënohen kompetencat e Kuvendit apo jo në rastin Berisha, u shprehën me 8 vota kundër dhe vetëm një pro të gjykatëses Sonila Bejtja, se vetëm individi mund ti drejtohet GJK dhe jo 1/5 e deputetëve, ndonëse ka Nen të Kushtetutës, që detyron GJK të shqyrtojë çdo çështje sa herë ka një kërkesë me 1/5 e deputetëve.

    Dy vite më pas të njëjtët të tetë pazarxhinjtë, që kishin votuar kundër për Berishën në GJK, votuan pro dhe morën në shqyrtim kërkesën e Ramës që ta shqyrtojnë nëse ka konflikt kompetencash apo jo.

    Veç kaq mjafton për të deklaruar se anëtarët e GJK janë një tufë derdimenësh nën dirigjimin e Ramës.

    Nese do të kishin pasur minimumin e dinjitetit dhe respektit për Kushtetutën dhe veten e tyre, Gjykata Kushtetuese ishte e detyruar që brenda dy minutave kërkesën e Ramës duhej ta kishte refuzuar e zbrapsur, bazuar në vendimin dhe standartin kushtetues, që vendosën po vetë në rastin e kërkesës së 35 deputeteve për Berishën.

    Mjerisht Shqipëria sot është pa Gjykatë Kushtetuese, por thjesht me një tufë pazarxhinj mizerabël, që duhet tja kenë zili edhe Gjykatave të zakonshme të shkallës së parë, që kanë shumë me dinjitet se këta demek kushtetuesit e Shqipërisë.

  • Ishte shpallur në kërkim për atentatin e shtatorit në Shkodër, arrestohet 17-vjeçari Danjel Ndreu

    Ishte shpallur në kërkim për atentatin e shtatorit në Shkodër, arrestohet 17-vjeçari Danjel Ndreu

    Foto nga atentati në Shkodër

    SHKODËR- Ka rënë në prangat e policisë 17-vjeçari i shpallur në kërkim për atentatin e ndodhur në fillim të shtatorit në Shkodër. I arrestuari është i riu Danjel Ndreu, i cili dyshohet se ka bashkëpunuar në atentatin mafioz të 8 shtatorit, nga i cili mbetën të vrarë Liridon Kraja dhe Armando Pali. Ndërsa të plagosur mbetën Erogen Brajoviç dhe kamarierja e lokalit Meri Kaceri. Arrestimi i tij u bë i mundur gjatë një kontrolli rutinë të policisë. Në makinë iu gjetën disa doza lënde narkotike, kokainë. Ndreu ishte shpallur në kërkim edhe për vjedhjen e një motorri në muajin gusht.
    Si ndodhi ngjarja?
    Ishte mëngjesi i 8 shtatorit në Shkodër, kur një breshëri plumbash u dëgjua pranë lokalit në lagjen Kolë Idromeno, pranë Bashkisë Shkodër. Armando Pali, punonjës i IKMT-së, dhe Erogen Brajoviç, i cili është vëllai i të arrestuarit Denis Brajoviç (Bajri), po pinin kafe kur u qëlluan nga 29-vjeçari Ragip Gila, i cili kishte pak muaj që kishte dalë nga burgu dhe ishte arrestuar në vitin 2023 për armë e municion.

    Shënjestër ishte Erogen Brajoviç, alias Vaso, por breshëria e plumbave goditi pesë persona, mes tyre kamarieren 25-vjeçare Meri Kaceri dhe një grua që ndodhej rastësisht në vendngjarje. Në këtë atentat mbetën të vrarë Armando Pali, punonjës i IKMT-së dhe ish-anëtar i Këshillit Bashkiak në Shkodër, dhe Liridon Kraja (Lushi), truproja e Erogen Brajoviç. Ragip Gila deklaroi para bluve se objektivi i tij ishte vetëm Erogen Bajri, pasi sipas tij  ka pasur probleme personale me të. 

    “Objektivi im ishte vetëm Erogen Vaso pas një problemi personal me të. Erogen Vaso ka ndenjur duke më ka kërcënuar dhe kisha probleme me të. Më ka bërë si i fortë dhe më ka çuar fjalë. E kam patur personale vetëm me Ergogen Vason dhe doja të qëlloja vetëm atë. Pra kam patur probleme personale me të.”- është shprehur Gila. /Zëri

  • Barcelona gjen qendërmbrojtësin që kërkonte, por ka vetëm një dyshim

    Barcelona gjen qendërmbrojtësin që kërkonte, por ka vetëm një dyshim

    7 Dhjetor 2025

    13:17

    Telesport

    Barcelona ka shprehur interes serioz për qendërmbrojtësin e Dortmundit, Nico Schlotterbeck, i cili ka kontratë deri në vitin 2027 dhe deri tani ka hezituar ta rinovojë.
    Për lojtarin po interesohen disa klube të mëdha, përfshirë Bayern Munich, por aktualisht Barcelona shihet si më e avantazhuara, pasi kërkon një mbrojtës teknik, me këmbë të majtë dhe që përshtatet me stilin e tyre të lojës.
    Megjithatë, brenda klubit katalanas ekzistojnë dyshime nëse Schlotterbeck mund t’i përshtatet sistemit të presingut të lartë dhe linjave të avancuara. Bild raporton se drejtuesit e Barcelonës duan të analizojnë me kujdes nëse ai është i duhuri, pasi te Dortmundi luan në një mbrojtje më të thellë.
    Kjo e bën klubin të hezitojë përpara se të ndërmarrë një hap të madh.

  • Puka po shpopullohet frikshëm/ Zëvendëskryebashkiaku: Në 12 vite janë regjistruar 9.500 largime

    Puka po shpopullohet frikshëm/ Zëvendëskryebashkiaku: Në 12 vite janë regjistruar 9.500 largime

    Puka mbetet ndër qytetet e cila është prekur masivisht nga emigrimi. Vetëm nga shifrat zyrtare janë 9.500 banorë të larguar që kanë emigruar ose janë vendosur në qytete të tjera në 12 vitet e fundit.
    Zëvendëskryetari i bashkisë Pukë, Ferit Ringaj thotë se fshatrat po braktisen totalisht ndërsa largime të mëdha ka edhe brenda qytetit të Pukës, kjo për shkak të mungesës së investimeve në infrastrukturë në këto 15 vitet e fundit.
    “Për ne është një situatë shqetësuese sepse kemi fshatra të braktisur totalisht nga popullsia ose ata banorë që kanë mbetur aty janë mosha e mesme e lartë ose mosha e tretë. E kemi ngritur edhe ne si shqetësim edhe në institucione qëndrore dhe kudo tjetër por realiteti është i hidhur dhe kjo ka shkaqet e veta. Censusi i vitit 2023 e ka dhënë fare qartë pasqyrimin e realitetit në zonat tona. Ne kemi një popullsi me rreth 15.600 banorë në gjendje civile por me census si bashki Pukë kemi dalë 6.100.
    Dihet diferenca dhe se kjo popullsi ka lëvizur si brenda territorit të Shqipërisë por edhe në emigrim. Shkaqet kryesore janë mungesa e infrastrukturës në zonat rurale, aty ka qenë problematike kryesore sepse ka fshatra që për një urë kanë lëvizur. Bashkia ka bërë një sërë projektesh dhe unë e kam ngritur zërin edhe në Prefekturë, edhe në institucione të tjera që mungesa e investimeve infrastrukturore për ura dhe rrugë ka bërë që këto zona të shpopullohen. Duke u shpopulluar bie edhe numri i nxënësve në institucionet arsimore dhe pastaj vijon me personelin shëndetësor dhe mungesa e shërbimeve shëndetësore, pra është një zinxhir i gjerë që sjell lëvizjet dhe emigrimin e popullsisë. Bashkia me politikat e saj zhvillimore fokusin e saj e ka tek shërbimet.
    Ne nuk na është zvogëluar gama e shërbimeve sepse të njëjtat kemi. Një rrugë të mirëmbajtur duhet ta mirëmbajmë si për 2 familje ashtu edhe kur ishin 100 familje. Në gjithë politikat tona janë projekte që kemi hartuar por jemi bashki e vogël dhe mundësitë për t’i përballuar me të ardhurat tona nuk i kemi sepse buxheti aq mundësi ka dhe aq kapacitet kemi ne dhe nuk është i mjaftueshëm për të realizuar pritshmëritë që kanë qytetarët. Megjithatë ne kemi bërë shumë projekte dhe strategjia jonë është që të bëjmë shumë projekte, t’i orientojmë drejt institucioneve qëndrore, të aplikojmë për të gjitha thirrjet që kanë hapur ministritë dhe institucionet qëndrore por lë shumë për të dëshiruar mbështetja që kemi patur nga institucionet qëndrore për investime në infrastrukturë dhe në çështje të tjera që lidhen me interesin për Pukën.
    Ajo që ngelet ku ne po japim orientime është zhvillimi i turizmit malor në mënyrë që jo vetëm ata që kanë ikur të rikthehen dhe të rregullojnë shtëpitë e tyre por mbi të gjitha të kenë mundësi që edhe njerëzit të vijnë për të shijuar sepse Puka vërtetë ka atraksione shumë të mira turistike, çdo kush që vjen ka çfarë të marrë nga Puka, qoftë tek turizmi kulturor, historik por edhe klima e jashtëzakonshme dhe peizazhet e bukura që ka Puka të cilat kërkojnë investime dhe përkrahje që përveç buxhetit të bashkisë që është i pamjaftueshëm duhet mbështetja e institucioneve qëndrore për mbështetje me fonde të ndryshme”, u shpreh Ringaj.
    Myftiu i Pukës, Imam Gëzim Kopani në një studim të tij .për 20 vitet e fundit që ka shërbyer në detyrë, rezulton se mbi 61% e besimtarëve myslimanë janë larguar pas vitit 2005 dhe deri më tani.
    Myftiu jep edhe një të dhënë alarmante teksa thotë se në 1930, pra 95 vite më parë, Puka kishte 3.300 banorë më shumë se sot dhe kjo vetëm nga shpopullimi masiv.
    “Është një studim që unë si Myfti e kam bërë gjatë 20 viteve në të cilat unë shërbej në këtë detyrë. Studimi përfshin vetëm vende në rrethin e Pukës duke përfshirë edhe Fushë Arrësin ku ne kemi besimtarë. Nga të dhënat na ka dalë një rezultat befasues ku janë larguar rreth 61% e myslimanëve krahasuar me periudhën 1991-2005. Pas vitit 2005 rezulton një përqindje shumë e lartë e largimit të besimtarëve, kjo sipas disa shkaqeve, ekonomike, papunësie, varfëria, për një jetë më të mirë e të tjera. Statistikat na kanë treguar se largimin më të madh e kanë fshatrat. Kemi fshatrat Peshkëv, Meqe, Flet, Blerim që pothujse janë drejt boshatisjes totale. Një nga këto ka vetëm dy frymë nga 60 që kanë qenë më përpara. Na rezulton gjithashtu se janë larguar shumë edhe familje me fëmijë. Në Pukë janë 40% e familjeve të larguara, në fshatra kjo shifër është shumë më e lartë. Kemi vënë re një lëvizje të madhe të rinisë dhe rreth 70% janë djem dhe mbi 50% janë vajza të larguara. Është një panoramë e frikshme dhe e dhimbshme mbi atë që po ndodh në rrethin e Pukës në përgjithësi. Nga censusi i vitit 2023, Puka rezulton me rreth 11.100 banorë ndërsa censusi i 2011-ës ka patur më shumë. Ajo që do e cilësoja si të frikshme është se numri i banorëve i vitit 2023 nëse do të krahasohet me atë të 1930, rezulton se në 1930 rrethi i Pukës ka patur 14.400 banorë. Kemi 3.300 banorë më pak se në vitin 1930. Duhet ta shikojmë, të alarmohemi dhe ta studiojmë se cilat janë shkaqet reale, cilët janë faktorët që kanë ndikuar sepse nëse nuk e bëjmë këtë dhe vazhdon kjo situatë atëherë do të jetë një hemoragji e jashtëzakonshme dhe shumë e dhimbshme. Do ndikojë në jetën tonë, komunitete fetare dhe te jeta e gjithsecilit”, shprehet Imam Gëzim Kopani.
    Shumë shtëpi në fshatrat e Pukës por edhe në qytet janë shembur për shkak të largimit të banorëve të cilët kanë ndërtuar një jetë të re dikund tjetër. Ky eksod masiv në Pukë, Fushë Arrëz dhe qytete të tjera veriore vijon çdo ditë pa ndalim duke krijuar një shqetësim të madh që nuk po gjen zgjidhje.

  • “Kush të ka kërcënuar ty?!”/ Olta Gixhari i kërkon shpjegim Milaim Zekës

    “Kush të ka kërcënuar ty?!”/ Olta Gixhari i kërkon shpjegim Milaim Zekës

    Milaim Zeka ishte i ftuar në një intervistë për “UëTëFë Show” në Andale Media, ku moderatorët Fatos Sulo dhe Artemis Senja e përfshinë në sfidën e rubrikës “Caliente”. Detyra? T’i telefononte Oltës Gixhari vetëm për ta përshëndetur.
    Telefonata mori një kthesë të papritur sapo Olta u përgjigj. Pas një përshëndetjeje të shkurtër, ajo u fut menjëherë në temë dhe i kërkoi llogari për deklaratat e tij:
    “Pse del me ato deklarata se nuk të kam thënë kurrë? Unë s’flas kurrë nëpër televizione, po ti si s’pushon? Kush të ka kërcënuar ty? Unë të kam kërcënuar?”
    Milaimi, që para telefonatës dukej i qetë dhe i sigurt, nisi të qeshte i zënë ngushtë, pasi Olta po e “vërshëllente” direkt. Ai ndryshoi tonin dhe nuk dukej më aq i bindur për pretendimin se ishte kërcënuar prej saj:
    “S’më ke kërcënuar, por… dëgjo, je në emision live. Të mora vetëm të të uroj shumë sukses ty dhe Leonorës.”
    Olta e mbylli bisedën shkurt:
    “Faleminderit, me mend në kokë.”
    Në fund, mbetet e qartë se Milaimi mund t’i ketë ekzagjeruar deklaratat e mëparshme, ku kishte pohuar se Olta e kishte “kërcënuar” duke i kërkuar të mos përmendte më Morinën, madje duke aluduar se ajo ishte arsyeja e largimit të tij nga roli i opinionistit në “Big Brother VIP Kosova”.

  • Emergjencë në fasoneri/ Vendasit ikin, të huajt marrin punën

    Emergjencë në fasoneri/ Vendasit ikin, të huajt marrin punën

    Punonjësit e industrisë fason janë në një pjesë të madhe femra, pa arsim dhe me njohuri të dobëta për teknologjinë dhe inovacionin. Në dekadën e fundit, sektori nuk është më tërheqës për të rinjtë, për shkak të pagave të ulëta dhe punës me orë të zgjatura në kushte të vështira.
    Kompanitë pohojnë se tashmë, forca e punës nuk është shumë problem, pasi një valë punonjësish nga Miamari, me paga jo më shumë se 500 euro në muaj, po ecin shumë mirë.
    Prej vitesh, fabrikat po furnizohen me punonjës të huaj duke përzgjedhur mes atyre me më shumë aftësi. Edhe pse kanë kosto 100–150 euro më shumë se punonjësit shqiptarë në muaj, përsëri janë më me leverdi, pasi punojnë me orë të zgjatura dhe nuk kërkojnë leje ditore për probleme familjare.
    Nga një anë, përparimet teknologjike kanë ndryshuar mënyrën e prodhimit, duke krijuar nevojë për trajnim të vazhdueshëm dhe adaptim ndaj metodave të reja. Dixhitalizimi po transformon vendet e punës, duke zhdukur disa dhe krijuar të tjera.
    Pjesë e këtij procesi është edhe projekti Digi4Wearables, i koordinuar nga Qendra Portugeze e Këpucëve Teknologjike (CTCP), që synon të përmirësojë aftësitë dixhitale dhe njohuritë për prodhimin e gjelbër dhe dixhital në kompanitë shqiptare të këpucëve.
    Kalimi drejt produkteve me vlerë më të lartë kërkon fuqi punëtore më të kualifikuar dhe efikasitet operativ më të madh. Ekspertët theksojnë se është e domosdoshme investimi i synuar në arsim dhe trajnim profesional, si dhe bashkëpunimi më i ngushtë midis instituteve teknike.
    Në vitin 2023, industria e tekstileve dhe këpucëve numëronte 48.4 mijë punonjës, ose 7% më pak se në vitin 2019, por në 2024 dhe 2025 ka një reduktim më të fortë, tregojnë të dhënat nga indekset e punësimit.
    Vetëm 5% e prodhimit, cikël i mbyllur
    Sektori i prodhimit të veshjeve dhe këpucëve në vendin tonë përllogarit se vetëm 5% e prodhimit është me cikël të mbyllur aktualisht.
    Një nga shembujt më domethënës është “DBS Group” në Tiranë, një kompani me kapital italian, që prej vitit 2014 ka ngritur dy njësi prodhimi dhe është e përfshirë në të gjitha fazat e procesit – nga përgatitja e materialeve, prerja, qepja, kontrolli i cilësisë, paketimi dhe deri te produkti përfundimtar.
    DBS është cilësuar si një fabrikë plotësisht e integruar, që punëson mbi 600 persona dhe ka përfituar nga bashkëpunimi me gjigantin francez “Decathlon Group”, për të cilin prodhon veshje sportive dhe aksesorë.
    Kompania ka investuar në teknologji miqësore me mjedisin, duke përdorur panele diellore për prodhimin e energjisë, sisteme të ngrohjes dhe ftohjes me fibra karboni dhe riciklim natyral të ajrit. Këto elemente e bëjnë atë një model të zhvillimit të qëndrueshëm në industrinë shqiptare të fasonëve.
    Një tjetër shembull është “Denim Factory Group”, i cili ka zbatuar praktika të qëndrueshme si ulja e konsumit të ujit në proceset e larjes së xhinseve dhe përdorimi i metodave të analizës së ciklit të jetës për të reduktuar ndikimin mjedisor. Fabrika ka investuar në teknologji të avancuar dhe po synon të forcojë profilin e vet si prodhues “Made in Albania”, duke kaluar nga modeli klasik “cut-make-trim” (vetëm qepje për llogari të markave të huaja) drejt prodhimit të pavarur nën markë shqiptare.
    Në mënyrë të ngjashme, Samwear Sh.p.k., një nga kompanitë më moderne në sektorin e modës, përdor teknologjinë e printimit dixhital sublimativ, që lejon krijimin e dizajneve me precizion të lartë dhe me më pak mbetje, duke u renditur mes prodhuesve të parë vendas që po investojnë në ciklin e mbyllur të prodhimit.
    Sipas një studimi të Departamentit të Tekstilit dhe Modës në Universitetin Politeknik të Tiranës, rreth 56% e kompanive të anketuara deklarojnë se kanë objektiv të kalojnë në cikël të plotë prodhimi, ndërsa 35% të tjera e kanë në plan afatshkurtër, por i pengon mungesa e investimeve dhe e lëndëve të para vendase.
    Megjithatë, kalimi drejt një modeli të tillë është proces i ngadalshëm që kërkon kapital, teknologji dhe fuqi punëtore të kualifikuar, pasi shumë kompani ende varen nga importi i materialeve nga Italia apo Turqia.
    Në thelb, fabrikat që kanë arritur të krijojnë ciklin e mbyllur përfaqësojnë një drejtim të ri të industrisë shqiptare fason, që po përpiqet të largohet nga roli i nënkontraktonit për markat e huaja dhe të zhvillojë produkte me vlerë të shtuar dhe identitet vendas.
    Ky transformim është thelbësor për të garantuar konkurrueshmëri, punësim të qëndrueshëm dhe përfshirje të gjerë.
    Pjesa dërrmuese e kompanive (rreth 95%) vazhdon të punojë me modelin tradicional “cut-make-trim” (CMT), ku ato vetëm qepin ose përgatisin një pjesë të produktit për llogari të markave të huaja dhe materiali, dizajni e shitja menaxhohen jashtë vendit.

  • Bruce Lee konsideronte vetëm një aktor të Hollivudit si konkurrent

    Bruce Lee konsideronte vetëm një aktor të Hollivudit si konkurrent

    Shumë aktorë kanë fituar famë duke shfaqur aftësitë e tyre në artet marciale, por Bruce Lee mbetet figura më legjendare e këtij zhanri në historinë e kinemasë. Ndikimi i tij tejkaloi çdo emër tjetër dhe kombinimi i shpejtësisë, teknikës dhe karizmës e shndërroi në një ikonë që formësoi një zhanër të tërë filmash.

    Filmat me arte marciale kanë qenë gjithmonë një shtyllë e kinemasë kineze, por pavarësisht audiencës ndërkombëtare, ato nuk u shndërruan në përmbajtje globale deri në momentin kur Bruce Lee u bë një superyll botëror. Prania e tij në ekran e transformoi këtë formë arti nga një zhanër me shtrirje të kufizuar në një përvojë që tërhiqte vëmendjen e publikut kudo në botë.

    Lee ishte një lider i vërtetë në lëvizje, duke frymëzuar breza të tërë aktorësh dhe regjisorësh. Edhe pse transformimi i filmit të arteve marciale nuk ishte vepër e një personi të vetëm, Bruce Lee ishte pa dyshim figura qendrore që e ktheu atë në një fenomen global.

    Edhe pse kanë kaluar më shumë se 50 vite nga vdekja e tij e parakohshme në vitin 1973, në moshën vetëm 32-vjeçare, Bruce Lee vazhdon të mbetet referenca kryesore kur flitet për këtë zhanër. Ndikimi i tij në kulturën popullore dhe industrinë e filmit mbetet i padiskutueshëm.

    Në kohën kur ai po ndërtonte karrierën e tij, hendeku mes një ylli të arteve marciale dhe një ylli të Hollivudit ishte i madh. Megjithatë, Lee kishte synime të qarta: të pushtonte Hollivudin. Me pamjen e tij të veçantë, karizmën natyrore, praninë magnetike në ekran dhe reflekset rrufe, ai zotëronte gjithçka që i nevojitej për të dalë nga kufijtë e zakonshëm të zhanrit.

    Vitet ’70 ishin një periudhë konkurruese për kinemanë amerikane, me emra të mëdhenj si Paul Newman, Jack Nicholson, Dustin Hoffman, Robert Redford dhe Clint Eastwood. Megjithatë, vetëm një aktor Lee e konsideronte rivalin e tij kryesor: Steve McQueen.

    Raporti mes tyre ishte i veçantë. Bruce Lee nuk ishte vetëm koleg i McQueen, por edhe mësuesi i tij i arteve marciale që nga mesi i viteve ’60. Ata u njohën përmes një miku të përbashkët dhe ndërtuan një marrëdhënie respekti të ndërsjellë, ku secili admironte cilësitë e tjetrit.

    “Më pëlqen kur njerëzit janë më të mirët në atë që bëjnë, dhe Bruce Lee ishte më i miri në atë që bënte. Atij i pëlqente ajo që unë kisha – fama. Më tha se do të ishte një yll më i madh se unë; shpresoj se e ka gabim”, është shprehur McQueen për publicistin Michael Moon.

    Në momentin e vdekjes së tij, Bruce Lee e kishte realizuar plotësisht ëndrrën e vet. Ai ishte bërë një yll global, emri më i madh i filmave me arte marciale dhe një figurë aktive edhe në prodhim e regji.

    Filmi “Në Rrugën e Dragoit” i siguroi një honorar prej tre milionë dollarësh – më shumë se sa Steve McQueen fitoi për filmin “Butterfly”, i realizuar pothuajse në të njëjtën periudhë. Një fakt që dëshmon se legjenda kishte arritur pikërisht atë që synonte.

  • Hyri në Itali një muaj më parë vetëm me pasaportën në dorë, 18-vjeçari shqiptar kapet me kokainë

    Hyri në Itali një muaj më parë vetëm me pasaportën në dorë, 18-vjeçari shqiptar kapet me kokainë

    Policia e Komos në Itali arrestoi një 18-vjeçar shqiptar që akuzohet si pjesë e një rrjeti të kokainës në vendin fqinj. Aksioni u krye ditën e djeshme, në një motel “B&B” në Albavilla. Oficerët kishin informacione për aktivitetin e dyshimtë, teksa zbuluan se adoleshenti kishte hyrë në vend para një muaji për turizëm.
    Por shqiptari kishte organizuar dhe menaxhuar në mënyrë të pavarur shitjen e drogës te një klientelë shumë e përzgjedhur dhe vetëm në vende të caktuara në qytetin e Komos.
    Pasi e mbajtën nën vëzhgim, ata konstatuan se 18-vjeçari shiste te njerëz të një “kategorie” specifike dhe kishte zona të caktuara biznesi si në Cernobbio, Carate Urio dhe qendra historike e Komos.
    Pas kontrollit të menjëhershëm të makinës, policia gjeti 25 doza kokaine të fshehura në ndarjen e dorezave dhe 175 euro në para të gatshme.
    Kontrolli i mëvonshëm i dhomës në “B&B” ku po qëndronte, zbuloi 51 gramë të tjera kokainë, të fshehur me kujdes në vende të ndryshme midis mobiljeve, së bashku me një peshore elektronike, materiale për paketimin e drogës dhe 3500 euro në para të gatshme, që besohet të jenë të ardhurat e aktivitetit të paligjshëm.
    I riu nuk kishte precedentë dhe vetëm më 19 nëntor kishte hyrë nga aeroporti i Milanos vetëm me pasaportë në dorë. Shqiptari u mbyll në paraburgim, në pritje të masës së sigurisë, informon media italiane.
    Shefi i Policisë së Komos, Marco Calì, tha se oficerët po veprojnë çdo ditë me kontrolle dhe mbikëqyrje, pasi me rastin e festave të fundvitit, biznesi ilegal i drogës vjen në rritje.

  • Çështja e detit me Greqinë, Meta: Mungon transparenca, rrezikohen 40 km² ujëra shqiptare

    Çështja e detit me Greqinë, Meta: Mungon transparenca, rrezikohen 40 km² ujëra shqiptare

    Çështja e detit me Greqinë, Meta: Mungon transparenca, rrezikohen 40 km² ujëra shqiptare
    Ilir Meta, ka akuzuar qeverinë për mungesë transparence për mënyrën se si po trajtohet çështja e detit me Greqinë.
    Meta tha se mungesa e informacionit për mënyrën si po trajtohet kjo çështje mund të krijojë paqartësi dhe rrezik për interesat kombëtare. Ai theksoi se vendimmarrjet e lidhura me këtë proces duhet të jenë të hapura dhe në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që përcakton parimet dhe kompetencat për negociatat.
    Sipas tij, kalimi i të gjithë çështjes në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës pa qartësi mbi dakordësitë e mëparshme, përfshirë ato të vitit 2018, mund të hapë rrugë për rishikim të marrëveshjeve ekzistuese dhe krijimin e rreziqeve të reja për Shqipërinë.
    Reagimi i plotë:
    Çështja e Detit është jo vetëm shumë herë më e “thellë” se vetë Deti Jon, por edhe aq e shëmtuar fatkeqësisht, në kontrast të plotë me bukurinë përrallore të Jonit.
    Këtë çështje, për shkak të detyrave shtetërore, kam qenë i detyruar ta ndjek për gati 13 vjet, prej funksioneve të larta, nga Ministër i Jashtëm në shtator 2009 e si President i Republikës deri në korrik 2022.
    Akti i fundit zyrtar që kam bërë si President i Republikës, ishte informimi zyrtar nominal i çdo deputeti të Kuvendit lidhur me ecurinë e kësaj çështjeje gjatë pesë viteve që unë shërbeva si President i Republikës.
    Ky akt synonte, jo vetëm realizimin e një transparence, por edhe ndërgjegjësimin për rëndësinë e vëmendjes që kërkonte kjo çështje tejet e koklavitur, por kurrë prej meje.
    Dihet se falë ankimit të Partisë Socialiste, Gjykata Kushtetuese u investua duke nxjerrë një vendim të posaçëm kushtetues si udhërrëfyesi i vetëm për parimet dhe rrugët e negocimit deri në përcaktimin në detaje të rolit të çdo institucioni shtetëror.
    Në respekt të këtyre detyrimeve kushtetuese, kam bashkëpunuar me Qeverinë, duke dhënë edhe autorizimin për krijimin e grupit negociator.
    Por çuditërisht, në vitin 2018, pala greke kërkoi të operohej në bazë të vullnetit politik, çfarë nuk ishte kompetencë e grupit negociator.
    Në këto rrethana të reja, si President i Republikës pres në takim Kryeministrin Rama për të ecur drejt zgjidhjes së kësaj çështjeje, e cila tani kishte vetëm një rrugë, autorizimin e Kryeministrit për drejtimin e negociatave.
    Për mua kjo ishte plotësisht e logjikshme, duke patur në konsideratë se Kryeministri ishte edhe bartës i vullnetit të shumicës në Kuvend, roli i të cilit ishte dhe mbetet i pashmangshëm në çdo marrëveshje të tillë.
    Por dakordësia e këtij takimi jo vetëm që nuk u shoqërua kurrë me një kërkesë për autorizim nga Kryeministri dhe Qeveria, por përkundrazi, u shoqërua me një ndërprerje të njëanshme të komunikimit institucional për këtë çështje, për të vazhduar më tej me dizinformacione ndaj palës greke sikur Presidenti i Republikës bllokonte procesin, aq sa z. Avramopulos u habit pas takimit me mua për dy histori krejt të ndryshme që dëgjonte për të njëjtën çështje.
    Jo vetëm kaq, por Qeveria vazhdonte sjelljet e saj jotransparente dhe Kryeministri, si shejtan-budalla, bënte edhe deklarata publike për këtë çështje, të cilat mund të rëndonin pozitën e shtetit shqiptar në gjykatat ndërkombëtare.
    Aq shumë ishte helmuar pala greke me dizinformacione sa Ministri i Jashtëm atëkohë, z. Dendias, në maj 2022, pasi i refuzoi Ministres së Jashtme modifikimin e dakordësisë së 20 tetorit 2020 që kishte arritur me Kryeministrin Rama, deklaroi se puna për mbylljen e marrëveshjes së Detit do të fillonte sapo në zyrë të hynte Presidenti i ri i Shqipërisë (pra të ikte Meta).
    Sot që unë po shkruaj këto radhë kanë kaluar tre vjet e gjysmë që nuk jam në zyrën e Presidentit, por jam në një “zyrë” të re edhe për shkak të (mos) Marrëveshjes së Detit.
    Meqenëse këtu në “zyrën” e re, u informova nga mediat shqiptare, të cilat ishin informuar nga mediat dhe autoritetet greke, për vizitën e afërme të Ministres së Jashtme të vendit tonë, ku theksohej se temë kryesore do të ishte edhe çështja e Detit, vetëm në interes të suksesit të kësaj vizite, por edhe mbrojtjes konstruktive e legjitime të interesave sovrane të Shqipërisë, do të doja të ndriçoheshin sa të ishte e mundur disa pyetje dhe disa çështje jetike, për të cilat nuk flitet askund.
    Në 20 tetor 2020, Rama-Dendias ranë dakord të shkojnë në Hagë për Detin, si dhe të shkojnë për gjithë çështjen, duke bërë kështu nul negociatat dhe dakordësitë e vitit 2018.
    Kur u mor vendimi nga Kryeministri, nuk kishte dhe ende nuk ka (në dijeninë time) grup negociator.
    Pas autorizimit duhet të ngrihet grupi negociator për hartimin e marrëveshjes speciale të ratifikuar nga dy vendet dhe që i paraqitet Gjykatës Ndërkombëtare.
    Kjo marrëveshje përmban pyetjet për gjykatën, që zakonisht kërkon zgjidhjet për mosdakordësitë.
    Vendimi i Kryeministrit Rama për të shkuar në Hagë për të gjithë çështjen është jashtë kompetencave të tij kushtetuese dhe ngritja e grupit sot nënkupton legjitimimin e vendimit të tij (faktit të kryer).
    Çfarë u arrit në vitin 2018 sipas dijenisë time?
    U reflektuan vendimet e Gjykatës Kushtetuese:
    – Titulli i marrëveshjes, parimi i delimitimit, me distanca të barabarta dhe korrektuar për equitenë,
    – U hoq neni 2 i marrëveshjes,
    – U vlerësua kufiri në Gjirin e Ftelias.
    Përveç këtyre, Greqia njohu vijën e drejtë bazë të Shqipërisë me efekt 40 km² dhe si bazë ligjore në tekst u përfshi Protokolli i Firences i vitit 1925 për kufijtë tokësorë.
    U dakordësua teksti i marrëveshjes, vija me distanca të barabarta, si dhe parimi i equitesë për shkëmbinjtë në detin territorial dhe ishujt në shelfin kontinental dhe ZEE.
    Çfarë ndodh nëse shkojmë për të gjithë çështjen në Hagë?
    Dakordësitë e 2018 bëhen nul dhe e gjithë çështja konsiderohet mosdakordësi.
    Bie përfshirja e Protokollit të Firences 1925 në draft-marrëveshje.
    Bie sipërfaqja 40 km², sepse rrezikojmë të na rrëzohet vija e drejtë bazë.
    Nëse shkohet për të gjithë çështjen në Hagë, vija e drejtë bazë do të përbëjë mosdakordësi dhe do merret në shqyrtim nga GJND dhe gjasat janë ta rrëzojë (precedenti Somali-Kenia).
    E vetmja mundësi që Greqia të rrëzojë vijën e drejtë bazë të Shqipërisë është një vendim gjykate.
    Ndërkohë që Greqia e njohu në negociatat e 2018, sepse nuk kishte mundësi ta kontestonte në rrugë diplomatike.
    Kështu do të humbisnim edhe 40 km². (Përse?)
    Këtë në dijeninë time e konfirmon edhe kompania e znj. Blair “Omnis Strategy”, që u pagua 3 milion euro dhe dorëzoi raportin final me konkluzionin se “rrezikoni vijën e drejtë bazë në Hagë”.
    Ishte pikërisht ky raport dhe konkluzion i “Omnis Strategy” që e detyroi Ministren e Jashtme, znj. Olta Xhaçka në maj 2022, t’i kërkonte homologut grek z. Dendias modifikimin e dakordësisë të 20 tetorit 2020 Rama-Dendias, që u refuzua nga ky i fundit, që mezi priste largimin e Presidentit të Republikës.
    Meqenëse po bëhen katër vite që e kemi paguar 3 milion euro “Omnis Strategy”, kur do të njihemi me konkluzionet dhe vlerësimet e saj?
    A e ka Presidenti i Republikës këtë raport të plotë? Po Kryetari i Kuvendit?
    Po Kryetarët e Grupeve Parlamentare? Po Komisioni i Ligjeve? Po Komisioni i Jashtëm?
    A janë në dijeni këto institucione dhe funksionarë për shkak të detyrës së tyre nëse Greqia ka dorëzuar një draft të marrëveshjes speciale për negocim?
    Po për përmbajtjen e draft-marrëveshjes të MEPJ?
    Për çfarë do shkohet në Hagë?
    Për të gjithë çështjen apo vetëm për çfarë nuk është rënë dakord në 2018?
    A ka përputhje dhe për çfarë çështjesh midis draftit grek dhe atij shqiptar për marrëveshjen speciale?
    Ju lutem të gjithëve të mos e trajtoni çështjen e Detit si tokat e Gjipesë ose tender sekret, sepse nuk do të ketë më mundësi korrigjimi.
    Ndaj, në mënyrë transparente, konstruktive dhe profesionale, ndihmojeni edhe Ministren e Jashtme të ketë një vizitë të suksesshme në Athinë.
    Edhe një konsultë me negociatorët e 2018, nuk do të ishte humbje kohe.
    Po kështu edhe me ish-anëtarët e nderuar të Gjykatës Kushtetuese.