Përfaqësuesja e Serbisë do të udhëtojë të premten drejt Tiranës, ku të shtunën më 7 qershor do të luajë ndeshjen kualifikuese për Kupën e Botës 2026 në SHBA, Kanada dhe Meksikë, në fushën e Shqipërisë.
Para këtij udhëtimi të rëndësishëm, për faqen zyrtare të Federatës Serbe të Futbollit foli portieri Đorđe Petrović: “Konkurenca ka qenë vërtet e fortë. Në disa sondazhe isha përzgjedhur në formacionin më të mirë, në disa të tjera Donnarumma, por kishte edhe portierë të shkëlqyer të Marseille, Lille, Lyon… Është bukur të jesh pjesë e një grupi të tillë”.
Tifozët e Strasburgut e zgjodhën Petrović si lojtarin më të mirë të skuadrës për sezonin e fundit: “Jam i lumtur për këtë. Kishim një ekip të shkëlqyer, shumë lojtarë të mirë individualisht, edhe si kolektiv ishim kompaktë. Tifozët kishin shumë zgjedhje, por preferuan mua dhe kjo sigurisht që më nderon. Sidomos duke qenë se në fillim nuk ishte çdo gjë ideale, patëm ca përplasje të vogla, por më vonë, falë pritjeve të mia, më dhanë votën e tyre. Mund të them se vërtet e kam shijuar qëndrimin në Strasburg. Ishte një lëvizje e goditur, përparova shumë, sidomos në lojën me këmbë, që më mungonte pak, si dhe në disa aspekte të tjera. Liga franceze është e fortë, ndonëse disa e nënvlerësojnë. Është shumë kërkuese fizikisht dhe mendërisht”.
Chelsea, me të cilin ka kontratë, ishte i pari që e uroi në rrjetet sociale për suksesin e tij: “Sigurisht që më kënaq kjo gjë, tregon se i kanë ndjekur paraqitjet e mia dhe janë aty për mua”.
Edhe pse Shqipëria nuk ka lojtarë që luajnë në Francë, Petrović e njeh mirë nivelin e tyre: “Na pret një ndeshje e vështirë, shqiptarët kanë kombëtare të mirë, i kam ndjekur në Europian. Shpresoj që gjithçka të shkojë siç e kemi planifikuar. Është shumë e rëndësishme ta fillojmë mirë”.
I pyetur për portierët shqiptarë, nënvizoi: “Të dy portierët e tyre kanë cilësi të padiskutueshme dhe përvojë në Serie A. Janë portierë të mirë. Po ashtu kanë Asllanin dhe lojtarë të tjerë me cilësi, ndaj na pret vërtet një sfidë e vështirë. I dimë të gjitha, edhe forcën tonë. Kemi bërë paraqitje të mira, e dimë çfarë duam dhe sa mundemi. Duhet të luajmë me mençuri, me durim dhe të shfrytëzojmë rastet. Presioni është i madh, e njohim historinë e disa ndeshjeve, por të gjitha ato duhet t’i lëmë pas dhe të fokusohemi vetëm në fushë. Të japim maksimumin dhe t’i gëzojmë tifozët tanë”.
Për ndeshjen ndaj Anglisë: “Luajtëm ndaj saj në Europian, është favoritja e grupit, por do përgatitemi edhe për të. Madje në pjesën e dytë në Gjermani ne ishim më të mirë, më sulmues, kishim më shumë zotërim. Tani për tani mendojmë vetëm për Shqipërinë, më pas Andorrën, në vazhdim edhe për Anglinë”.
Për atmosferën mes portierëve të Serbisë: “Gjithmonë jemi aty për njëri-tjetrin. Rivaliteti është i shëndetshëm dhe mbështetja maksimale. Konkurenca është e fortë, Vanja është një nga më të mirët në Serie A, Rajković fitoi dopietë trofesh me Al Ittihad. Të gjithë duam të luajmë, por kushdo që të jetë në portë, nuk ka arsye për shqetësim”.