Tag: verstappen

  • Verstappen: Brazili garë e veçantë për mua që më karikon, këtu kam arritur disa fitore fantastike

    Verstappen: Brazili garë e veçantë për mua që më karikon, këtu kam arritur disa fitore fantastike

    Pak pilotë në Formula 1 mund të thonë se kanë një marrëdhënie të veçantë me një pistë sa Max Verstappen me Interlagos. Pista braziliane ka ofruar shumë momente unike në karrierën e 4 herë kampionit të botës, nga kalimi i tij epik nga jashtë ndaj Nico Rosberg në vitin 2016 deri te fitorja e tij e paharrueshme vitin e kaluar, me rikthimin e tij nga vendi i 17-të në të parin që në thelb i siguroi atij titullin për pilotë.
    “Brazili është një vend i veçantë për mua, jo vetëm për shkak të garave të pabesueshme dhe momenteve fantastike që kemi pasur atje, por edhe sepse vjehrrit e mi janë brazilianë“, theksoi Verstappen, i cili është i lidhur romantikisht me Kelly Piquet, vajzën e Nelson Piquet, 3 herë kampion bote.
    “Mund të bjerë shumë shi atje, kështu që garat mund të jenë mjaft të çmendura. Mendoj veçanërisht për vitin e kaluar, ku fituam pasi u kualifikuam në vendin e 17-të. Ishte një fitore emocionale dhe një moment i rëndësishëm për kampionatin. Do të vesh një helmetë të veçantë kushtuar Brazilit për këtë garë. Është një vend me shumë histori dhe traditë të shkëlqyer, por gjithashtu mban shumë kujtime të mrekullueshme për mua”, tha Verstappen.
    Më tej, holandezi tha: “Zgjodha ngjyrat tradicionale për helmetën, të cilat vërtet bien në sy. Mendoj se dizajni është vërtet i bukur dhe mezi pres ta vesh në pistë. Tifozët janë super të apasionuar dhe gjithmonë më ka pëlqyer të garoj në një pistë kaq historike. Të shohësh atë atmosferë dhe të jesh pjesë e saj është e pabesueshme.”

  • Russell provokon Verstappen: Nëse do të vinte te Mercedes nuk do të fitonte asgjë

    Russell provokon Verstappen: Nëse do të vinte te Mercedes nuk do të fitonte asgjë

    George Russell dhe Max Verstappen nuk e kanë pëlqyer kurrë njëri-tjetrin dhe vitet e fundit në Formula 1 janë njohur për disa incidente shumë të ashpra. Të dy, jo vetëm që debatojnë në pistë, parakalime dhe strategji, por edhe para medias.
    Russell ka theksuar vazhdimisht se nuk ka ndërmend të tërhiqet përballë asaj që ai e quan “ngacmimi i Verstappen”. Ndërsa holandezi e ka sulmuar pilotin e Mercedes me fjalë të forta, duke besuar se ai është një person krejtësisht i ndryshëm nga pamja që ai paraqet para kamerave.
    Pati një moment në vitin 2025 kur Verstappen dhe Russell mund të kishin qenë shokë skuadre te Mercedes. Drejtori i ekipit Toto Wolff nuk e ka fshehur kurrë interesin e tij për Super Max, dhe u përpoq pa sukses ta sillte atë në ekip duke shfrytëzuar krizën teknike të Red Bull në fillim të vitit.
    Russell, të cilit qartësisht nuk i pëlqeu kjo lidhje, e kritikoi ashpër Verstappen, duke pretenduar se kampioni i botës nuk do të kishte asgjë për të fituar nga një transferim te Mercedes: “Nëse ai më mundte, do të ishte normale. Por nëse ai humbiste, do të shihej si një humbje e madhe. Dhe e njëjta gjë vlen edhe për mua tani me Kimi Anton          ”.
    Më tej, britaniku tha: “Është qartë një situatë ku Max ka gjithçka për të humbur dhe e njëjta gjë vlen edhe për Lewis Hamilton me mua. Max është një pilot i pabesueshëm, nuk ka dyshim për këtë. Por kjo është arsyeja pse unë do të doja shumë të garoja me të.”
    “Unë dhe Max thjesht përshëndetemi, nuk flasim shumë. Nuk duhet të jesh shok i ngushtë për të qenë shokë skuadre. Do të humbiste shumë nëse do të vinte këtu te Mercedes me mua”, tha George Russell.

  • Verstappen: Meksika nuk solli asgjë të re në renditje, fitova 4 pikë ndaj Piastri e humba 10 ndaj Norris

    Verstappen: Meksika nuk solli asgjë të re në renditje, fitova 4 pikë ndaj Piastri e humba 10 ndaj Norris

    Max Verstappen vazhdoi serinë e tij të ngjitjeve në podium në garën e fundit të zhvilluar në Meksikë (u rendit i treti). Rezultati i tij në pistën e “Hermanos Rodriguez” është më i “dobti” në 6 garat e fundit (tre fitore: Monza, Baku dhe Austin si dhe dy vendet e dyta: Zandvoort dhe Singapor).
    Por, duke pasur parasysh se ai nisi nga pestë garën, rikuperimi i dy vendeve është një rezultat pozitiv për pilotin e Red Bull. Pa “makinën virtuale të sigurisë” në dy xhirot e fundit, Verstappen mund të kishte sulmuar Charles Leclerc, duke pasur një shans të mirë për të siguruar edhe vendin e dytë.
    Max Verstappen tani është 36 pikë prapa Lando Norris, që fitoi atë garë dhe mori kreun e renditjes, me 1 pikë më shumë se Oscar Piastri. Holandezi nuk beson se katër pikët që fitoi ndaj australianit në renditje mund të konsiderohen një sukses.
    “A fitova katër pikë në kryesimin e kampionatit? Jo, humba 10 ndaj Norris. Për të pasur një shans për të konfirmuar titullin tim duhet të jemi perfektë dhe nuk ishim këtu”, deklaroi Verstappen.
    Më tej, ai komentoi: “Shpresoj të mos hasim një situatë tjetër të dukshme vështirësie si ajo që patëm në Meksikë në garat e ardhshme. Tani do të shohim se çfarë mund të bëjmë më tej”.

  • Lando Norris triumfon në Meksikë dhe merr kreun e renditjes, Leclerc e Verstappen në podium

    Lando Norris triumfon në Meksikë dhe merr kreun e renditjes, Leclerc e Verstappen në podium

    Lando Norris me McLaren fitoi garën e Çmimit të Madh të Meksikës në Formula 1, një fitore me vlerë të dyfishtë për pilotin britanik, që rikthehet në krye të renditjes botërore për pilotë. Norris tashmë ndodhet 1 pikë para shokut të tij të skuadrës Oscar Piastri.
    Në vendin e dytë u rendit makina Ferrari e Charles Leclerc, që la pas Max Verstappen me Red Bull. Të dy pilotët po bënin një duel të fortë për vendin e dytë, por hyrja e “makinës virtuale të sigurisë” në xhiron e fundit ndihmoi monegaskun të ruante pozicionin.
    Ai që befasoi në këtë garë është Oliver Bearman me Haas, që u rendit i katërti, pas një garë të shkëlqyer. Ai la pas australianin Oscar Piastri me McLaren, që gjithashtu u penalizua nga “makina virtuale e sigurisë”, kur po duelonin në xhirot e fundit.
    Në vendet 6-7 u renditën dy makinat Mercedes, me Kimi Antonelli që la pas George Russell, që nuk ishin në gjendje të duelonin për podiumin. Vetëm i teti Lewis Hamilton me Ferrari, që u penalizua me 10 sekonda nga komisarët e garës teksa ishte i treti.
    Për sa i përket garës, ajo u dominua nga Norris, që e mbylli me një diferencë të madhe ndaj rivalëve. Gjithsesi, starti i saj dhe rrëmuja që u krijua në xhirot e para e bënë interesante atë. Edhe strategjia e ndryshme që ndoqën pilotët i dha bukuri garës deri në fund.
    Sfida e fortë për podiumin e bëri interesante fundin e garës, por tashmë kemi një kryesues të ri, Lando Norris, me 1 pikë më shumë se Piastri. Edhe Verstappen është ende në garë, tashmë 36 pikë pas Norris. Në “top-10” u renditën sot edhe Ocon e Bortoleto.

  • Formula 1/ Hakohet sistemi i FIA-s, ‘vidhen’ të dhënat dhe patenta e Max Verstappen

    Formula 1/ Hakohet sistemi i FIA-s, ‘vidhen’ të dhënat dhe patenta e Max Verstappen

    FIA pranon se i është hakuar sistemi i saj kompjuterik, tani çështja është zgjidhur, numrat e pasaportave, superpatentat dhe të dhënat personale të kontaktit janë vjedhur. 
    Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA) ka konfirmuar raportet se pësoi një sulm hakerash verën e kaluar, duke rezultuar në vjedhjen e të dhënave personale të disa pilotëve, përfshirë edhe Max Verstappen. Në një deklaratë të lëshuar në Çmimin e Madh të Meksikës, FIA tha se incidenti ndodhi “gjatë verës” dhe se masa të reja sigurie ishin zbatuar për të mbrojtur të dhënat. Shkelja preku faqen e internetit të Kategorizimit të Pilotëve të FIA-s, ku hakerat ishin në gjendje të hynin në brendi të informacionit, duke përfshirë numrat e pasaportave dhe detajet e kontaktit të shumë pilotëve. 
    “U morën masa të menjëhershme për të mbrojtur të dhënat e pilotëve dhe FIA raportoi çështjen tek autoritetet përkatëse të mbrojtjes së të dhënave”, thuhej në deklaratë, “dhe informoi pilotët e prekur. Asnjë platformë tjetër dixhitale e FIA-s nuk u prek nga ky incident.” Incidenti u bë publik nga eksperti i sigurisë Ian Carroll, i cili, së bashku me dy kolegë, arriti të futej në CV-në e Verstappen, superlicencën e tij, pasaportën dhe të dhëna të tjera. 
     

  • Verstappen mesazh rivalëve: S’do të lë gur pa lëvizur për të dueluar deri në fund për titull

    Verstappen mesazh rivalëve: S’do të lë gur pa lëvizur për të dueluar deri në fund për titull

    21 Tetor 2025

    9:37

    Telesport

    Me tri fitore në katër garat e fundit, piloti holandez i Red Bull, Max Verstappen po i afrohet gjithnjë e më shumë kreut dhe duelit për titullin kampion për pilotë në Formula 1. Duket se 4 herë kampioni i botës nuk do të heqë dorë kollaj nga “numri 1” në makinën e tij.
    Fundjava e kaluar në Amerikë ishte e përkryer për të, me një triumf të dyfishtë, në garën sprint dhe në garën e së dielës. Diferenca prej 104 pikësh që kishte pak muaj më parë është reduktuar në 40 pikë dhe me këtë ritëm ai mund të thotë fjalën e tij deri në fund.
    “Ishte një fundjavë vërtet e jashtëzakonshme për ne. E dinim që nuk do të ishte e lehtë, por ritmi ynë ishte shumë i ngjashëm me atë të Norris. Bëmë diferencën duke u shkëputur nga rivalët në pjesën e pare të garës, kur ai mbeti pas Leclerc”, u shpreh Max Verstappen, që përgatitet për garën e radhës në Meksikë.
    “Jam shumë krenar për atë që kemi arritur këtu si ekip. Gara për titull? Sigurisht që kam një shans, por duhet të kemi fundjava si kjo që kaluam deri në fund të sezonit. Nuk do të lë gur pa lëvizur dhe do të përpiqem deri në fund“, u shpreh piloti holandez.

  • Verstappen triumfon në Amerikë e synon titullin, Norris i rrëmben pikë Piastri, edhe Ferrari në podium

    Verstappen triumfon në Amerikë e synon titullin, Norris i rrëmben pikë Piastri, edhe Ferrari në podium

    Max Verstappen me Red Bull fitoi sot garën e Çmimit të Madh të Amerikës në Formula 1, duke ngushtuar edhe më shumë diferencën me dy pilotët e McLaren (40 pikë pas kryesuesit). Një garë e mirë e 4 herë kampionit të botës, që dominoi në pistën e Austin nga xhiro e parë deri tek e fundit.
    Në vendin e dytë u rendit piloti britanik Lando Norris me McLaren, që 5 xhiro nga fundi arriti të parakalojë Charles Leclerc me Ferrari, që u rendit në vendin e tretë. Një rikthim në podium ky për “kokëkuqen”, që synonte më shumë, por duhet të kënaqet me vendin e tretë.
    Paraqitja e mirë e “kokëkuqes” në këtë pistë kompletohet me Lewis Hamilton. Piloti britanik u rendit në vendin e katërt, por pa arritur dot në podium. Gjithsesi, makina italiane arrin të pozicionojë dy pilotë në “top-5”, duke dueluar me Mercedes në garën për vendin e dytë për konstruktorë.
    Kryesuesi i botërorit, australiani Oscar Piastri, u klasifikua në vendin e pestë, por tashmë është vetëm 14 pikë para shokut të tij të skuadrës në renditje. Gjithsesi, McLaren u duk në vështirësi në këtë garë, duke mos synuar dot fitoren. Ndërkohë që, pas tyre kërcënon Verstappen, që synon titullin.
    Edhe Mercedes nuk ishte në një ditë të mirë, me George Russell që u rendit në vendin e gjashtë. Ndërsa Kimi Antonelli, si pasojë e një aksidenti, u klasifikua i 13-ti. Në “top-10” u renditën edhe Tsunoda (vendi 7), Hulkenberg (vendi 8), Berman (vendi 9) dhe Alonso (vendi 10).

  • Çmenduri në Austin!!! Norris dhe Piastri përplasen në kthesën e parë, Verstappen fiton garën sprint (video)

    Çmenduri në Austin!!! Norris dhe Piastri përplasen në kthesën e parë, Verstappen fiton garën sprint (video)

    Max Verstappen me Red Bull fitoi mbrëmjen e sotme garën sprint të zhvilluar në pistën e Austin, e vlefshme për Çmimin e Madh të Amerikës në Formula 1. Një fitore e rëndësishme për kampionin e botës, pasi rikuperoi 8 pikë të tjera ndaj rivalëve të tij në garën për titull.
    Dy makinat McLaren, ato të Lando Norris dhe Oscar Piastri, u përfshinë në një aksident në kthesën parë, duke dalë menjëherë jashtë bashkë gare bashkë me Fernando Alonso. Ai që u konsiderua si një aksident normal gare duket se erdhi pas një kontakti zinxhir, me Hulkenberg që përlasi Piastri e ky shokun e tij të skuadrës.
    Gjithsesi, pas hyrjes së makinës së sigurisë, ishte Verstappen ai që dominoi në pistë edhe pse në xhirot e para u përball fort me George Russell (Mercedes), duke dalë të dy në një moment edhe jashtë pistë. Britaniku e mbylli këtë garë në vendin e dytë ndërsa dy pilotët e McLaren nuk morën asnjë pikë.
    Në podium u ngjit edhe spanjolli Carlos Sainz me Williams (i treti), ndërkohë që gara u mbyll nën regjimin e makinës së sigurisë. Një aksident tjetër pak xhiro nga fundi mes Stroll dhe Ocon, bëri që makina e sigurisë të hyjë në pistë për të dytën herë, por nuk pati kohë që pista të pastrohej.
    Nga gjithë këto incidente nuk përfituan dot dy makinat Ferrari, me Lewis Hamilton që përfundoi në vendin e katërt pas një parakalimi ndaj shokut të tij të skuadrës Charles Leclerc (i pesti). Sërish “kokëkuqja” nuk dueloi dot për podiumin. Në zonën e pikëve edhe Albon, Tsunoda e Berman.

  • Verstappen: Unë më mirë se Norris e Piastri, por McLaren është ende më e shpejtë se Red Bull

    Verstappen: Unë më mirë se Norris e Piastri, por McLaren është ende më e shpejtë se Red Bull

    Mallkimi i Singaporit vazhdon edhe këtë vit për Max Verstappen, i cili nuk ka fituar kurrë në pistën Marina Bay në karrierën e tij. Këtë herë ai u detyrua të kënaqej me vendin e dytë, por duke lënë pas dy makinat McLaren të Lando Norris dhe Oscar Piastri, me të cilët duelon për titull.
    Ky përfundim i lejon Verstappen të rrëmbejë disa pikë të tjera në renditje ndaj tyre. Holandezi i Red Bull tani është 63 pikë pas liderit Piastri. Ende shumë, me vetëm gjashtë gara të mbetura, por trendi aktual mbetet i favorshëm për Verstappen.
    “Ishte e pamundur të sfidohej Russell dhe vetëm arritja për ta mbajtur McLaren e Lando Norris pas ishte një sukses. Nuk mendoj se kishim ritmin për të fituar dhe, në të njëjtën kohë, mendoj se McLaren ishte gjithashtu më i shpejtë se ne”, tha Verstappen.
    Më tej, 4 herë kampioni i botës në Formula 1 tha: “Kishim një makinë më të shpejtë pas nesh dhe arritëm rezultatin më të mirë të mundshëm në Singapor duke pasur parasysh kushtet që kishim”.
    “Mendoj se ky është një rezultat i shkëlqyer. Fatkeqësisht, ende nuk është pista jonë e preferuar, por po mësojmë më shumë dhe po bëjmë më mirë. Natyrisht, ka ende punë për të bërë në një pistë si kjo” përfundoi Verstappen.

  • Russell triumfon në Singapor, McLaren konfirmohet kampione e botës për konstruktorë

    Russell triumfon në Singapor, McLaren konfirmohet kampione e botës për konstruktorë

    Piloti britanik George Russell triumfoi sot në garën e Cmimit të Madh të Singaporit në Formula 1, zhvilluar në pistën qytetase të Marina Bay. Një garë e dominuar nga piloti i Mercedes nën magjinë e dritave, që e nisi atë nga “pole” dhe deri në fund tregoi se ishte më i miri.
    Në vendin e dytë, pas një beteje të fortë, u klasifikua holandezi Max Verstappen me Red Bull, që la pas britanikun Lando Norris me McLaren (i treti). Dy pilotët dueluan ashpqër mes tyre për 15 xhiro për vendin e dytë, por në fund Verstappen arriti të rezistojë.
    Për pasojë, ai fiton pikë të rëndësishme karshi dy pilotëve të McLaren në renditjen e përgjithshme për pilotë. Gjithsesi, te McLaren krenohen për titullin kampion për pilotë fituar sot, i dyti radhazi. Kryesuesi i botërorit, Oscar Piastri, u rendit në vendin e katërt.
    Tjetër garë zhgënjyese për makinën Ferrari, që u rendit në vendet 6-7 me dy pilotët e saj, që asnjëherë nuk dueluan për podiumin. Charles Leclerc la pas Lewis Hamilton, me probleme në xhirot e fundit. Para tyre u rendit makina tjetër Mercedes e Kimi Antonelli (i pesti), që bëri një garë të mirë.
    Për sa i përket garës, ajo pati emocione vetëm në duelin mes Verstappen e Norris në fundin e saj, pasi nuk pati shumë parakalime. Cuditërisht, në një pistë të tillë, nuk pati asnjë aksident dhe makinë sigurie në pistë. Në “top-10” u renditën edhe Alonso, Bearman e Sainz.