Tag: venezuelase

  • Trump shpall mbylljen totale të hapësirës ajrore të Venezuelës, Karakas reagon ashpër: Kërcënim kolonialist, shkelje flagrante e sovranitetit

    Trump shpall mbylljen totale të hapësirës ajrore të Venezuelës, Karakas reagon ashpër: Kërcënim kolonialist, shkelje flagrante e sovranitetit

    Qeveria e Venezuelës ka reaguar ashpër ndaj presionit të shtuar nga SHBA, pas deklaratës së fundit të Donald Trump, i cili njoftoi se hapësira ajrore “mbi dhe rreth Venezuelës” do të mbyllet plotësisht.

    Në një deklaratë zyrtare, autoritetet venezuelase e cilësuan komentin e Trump-it një “kërcënim kolonialist” dhe një shkelje të rëndë të sovranitetit të vendit, duke theksuar se nuk do të pranojnë “urdhra apo kërcënime nga jashtë”.
    Trump, në një postim në Truth Social, shkroi: “Për të gjitha linjat ajrore, pilotët, trafikantët e drogës dhe trafikantët e qenieve njerëzore: konsideroni HAPËSIRËN AJRORE MBI DHE RRETH VENEZUELËS TË MBYLLUR PLOTËSISHT.”
    Pas kësaj deklarate, Venezuela njoftoi pezullimin e njëanshëm të të gjitha fluturimeve të deportimit, një çështje që ka qenë thelbësore në programin e dëbimeve masive të administratës Trump.
    Ndërkohë, Departamenti i Mbrojtjes i SHBA nuk ka dhënë ende një reagim. Sipas raportimeve, goditjet amerikane kundër mjeteve të dyshuara të trafikut të drogës në Karaibe vazhdojnë prej muajsh, ndërsa prania ushtarake e SHBA në rajon është rritur dukshëm. Trump ka autorizuar gjithashtu operacione të fshehta të CIA-s në territorin venezuelas.
    Këtë javë, Trump paralajmëroi trupat amerikane se SHBA “shumë shpejt” mund të nisë operacione tokësore për të luftuar trafikantët e drogës me origjinë venezuelase.
    Tensionet u përshkallëzuan më tej pasi Administrata Federale e Aviacionit të SHBA (FAA) paralajmëroi kompanitë ajrore për një “situatë potencialisht të rrezikshme” mbi Venezuelë, për shkak të përkeqësimit të sigurisë dhe aktivitetit të shtuar ushtarak. Si kundërpërgjigje, Venezuela u hoqi të drejtat e operimit gjashtë linjave ajrore ndërkombëtare që kishin pezulluar fluturimet.
    Administrata Trump e ka akuzuar presidentin Nicolás Maduro për përfshirje në trafikun ndërkombëtar të drogës – akuzë të cilën Maduro e ka mohuar vazhdimisht. Ai ka deklaruar se Trump po kërkon ta rrëzojë nga pushteti dhe se populli dhe ushtria venezuelase “do të rezistojnë çdo përpjekje të tillë”.
    Forcat amerikane në rajon kanë kryer të paktën 21 sulme kundër mjeteve të dyshuara të trafikut të drogës në Karaibe dhe Paqësor që nga shtatori, duke lënë të paktën 83 të vrarë.

    Top Channel

  • ‘Mbi 120 trupa ruse në Venezuelë’ – Kreu i inteligjencës ukrainase thotë se gjenerali rus Makarevich po udhëheq misionin

    ‘Mbi 120 trupa ruse në Venezuelë’ – Kreu i inteligjencës ukrainase thotë se gjenerali rus Makarevich po udhëheq misionin

    Një gjeneral i lartë rus, i cili më parë ishte larguar nga Vladimir Putin pas dështimeve në fushën e betejës në Ukrainë, tani po mbikëqyr një mision ushtarak me rotacion në Venezuelë, sipas Inteligjencës Ushtarake të Ukrainës.

    Kreu i HUR, gjenerallejtënant Kyrylo Budanov i tha The War Zone se gjeneralkoloneli Oleg Leontievich Makarevich po komandon Task Forcën e Ekuatorit (ETF) të Ministrisë së Mbrojtjes Ruse, e cila përfshin më shumë se 120 persona që trajnojnë forcat venezuelase në disiplina të shumta ushtarake.

    Vërejtjet e Budanov vijnë pas një raporti që pretendon se një njësi elitare ruse me dronë, mbërriti kohët e fundit në Venezuelë për t’u mësuar trupave se si të përdorin dronë.
    Sipas Budanov, misioni i ETF është i hershëm dhe jo një reagim ndaj forcimit aktual të SHBA-së në Karaibe, ku administrata Trump ka vendosur Task Forcën Southern Spear.

    Ndërsa zyrtarisht synon luftimin e trafikimit të narkotikëve, misioni shihet gjerësisht si pjesë e fushatës së presionit të Uashingtonit ndaj udhëheqësit venezuelas Nicolás Maduro.

    Budanov sugjeroi që Makarevich dhe personeli i tij pritet të qëndrojnë në vend pavarësisht veprimeve të SHBA-së.
    “Mendoj se ata do të jenë prapa skenave dhe zyrtarisht Rusia do të përpiqet të flasë me SHBA-në sepse njësitë e tyre janë në Venezuelë. Është vetëm një lojë”, tha ai.

    Shefi i HUR tha se trupat ruse po veprojnë si “këshilltarë ushtarakë dhe gjithashtu mësues”, duke kryer trajnime për këmbësorinë, dronë dhe forcat speciale, si dhe duke ofruar mbështetje të inteligjencës për autoritetet venezuelase.

    Pavarësisht përshkallëzimit të situatës nga SHBA-ja në rajon, Budanov tha se HUR nuk ka zbuluar asnjë ndryshim në nivelet e trupave të Rusisë në Venezuelë.
    Makarevich, i cili ka qenë në vend që nga fillimi i vitit, besohet se rotacioni i tij është zgjatur përtej afatit të zakonshëm gjashtëmujor.

    I pyetur nëse inteligjenca ukrainase ka asete brenda Venezuelës, Budanov ofroi vetëm një përgjigje të shkurtër: “Ne mbledhim të gjithë informacionin rreth tyre”.

    Një dokument që Budanov ndau liston afërsisht 90 oficerë dhe trupa ruse të pozicionuar në Karakas, me pjesën tjetër të vendosur në Maracaibo, La Guaira dhe Ishullin Aves.
    Budanov shprehu pasiguri mbi pretendimet e fundit ruse se Venezuela kishte marrë sisteme të mbrojtjes ajrore Pantsir-S1 dhe Buk-M2E.

    Një dokument i dytë i ndarë nga Budanov përshkruan aktivitetet më të gjera të ETF-së, të cilat dyshohet se përfshijnë trajnimin e forcave venezuelase në forca të blinduara, aviacion, artileri, operacione me dronë dhe madje edhe përdorimin e qenve ushtarakë – si dhe mbështetjen e përpjekjeve venezuelase për të monitoruar grupet vendase dhe qeveritë e huaja.

    Makarevich, 62 vjeç, është një figurë kontroverse. Ai u shkarkua nga detyra e komandantit të Grupit të forcave Dnipro të Rusisë në tetor 2023 pas kundërsulmit të suksesshëm të Ukrainës në Kherson, dhe akuzohet nga Ukraina se ka urdhëruar shkatërrimin e digës Nova Kakhovka në qershor 2023.
    Sulmi shkaktoi përmbytje katastrofike dhe dëme të përhapura mjedisore dhe ekonomike. Rusia ka fajësuar Ukrainën, duke pretenduar se Kievi shkatërroi digën për të prishur operacionet ruse.