Në një interviste në ‘Çim Peka Live’, lideri i opozitës shqiptare ka lëshuar akuza të forta në lidhje me shpalljen e tij “non grata”, duke e cilësuar atë si një sulm personal të orkestruar nga “diplomatë të korruptuar” nën ndikimin e miliarderit të ekstremit të majtë, George Soros.
Berisha akuzoi drejtpërdrejt ish-ambasadoren Yuri Kim dhe diplomatin Donald Lu si pjesë të një grupi që mori vendimin, të cilin ai e përshkroi si një hakmarrje personale, pasi më herët i kishte akuzuar ata për korrupsion.
Më tej Berisha risolli në vëmendje të publikut se vetë njeriu që firmosi non grata-n për të nën ndikimin e Soros, ish-sekretari Blinken, është sot vetën non grata brenda SHBA-ve, duke risjellë në vëmendje vendimin e presidentit Trump për Blinkenin.
“Personi që më shpalli non-grata është non-grata në vendin e tij dhe ky është shpërblimi më i madh për mua,” deklaroi ai.
Moderatori Peka solli në vëmendje një deklaratë të fundit të ish-ambasadorit të SHBA-së në Tiranë, Christopher Hill, i cili në një intervistë të mëparshme i ishte përgjigjur në mënyrë diplomatike pyetjes për përfshirjen e Soros, duke mos e mohuar një gjë të tillë.
Gjatë intervistës Berisha i kushtoi vëmendje të veçantë edhe krijimit të “narkoshtetit” nga Edi Rama.
Ai foli gjithashtu për situatën ekonomike të vendit, ku përmendi rënien e euros ndaj lekut, uljen e eksporteve dhe çmimet stratosferike si pasoja direkte të këtij fenomeni, duke argumentuar se rritja ekonomike e vendit është fiktive dhe e bazuar vetëm tek taksat e rritura dhe jo tek prodhimi.
Kreu i PD përmendi gjithashtu kritikat për përfshirjen në reformën zgjedhore duke theksuar dimensionin ndërkombëtar të procesit dhe domosdoshmërinë e zbatimit të rekomandimeve të OSBE/ODIHR, duke pohuar se do të ishte një “gabim shumë i madh” që opozita të mos përfshihej.
Berisha: Tani, merrni pak non-gratën time. Personi që më shpalli non-grata është non-grata në vendin e tij dhe ky është shpërblimi më i madh për mua mbi tokë, të them të vërtetën. Unë qëndrova ndaj një njeriu…
Peka: se ka një, ka një lajm për këtë se është shumë interesante. Inserti i pestë, Chris Hill për non-gratën tuaj.
Deklarata e Hill: “Shiko, kam mendime personale për këtë se a janë këto lloj sanksionesh të dobishme apo jo. Si rregull i përgjithshëm, për mua, unë jam një person që nuk zgjedh sanksionet si mjetin e parë. Zgjedh dialogun, që do të thotë të përpiqesh të zgjidhësh gjërat. Por nuk jam në pozicion të komentoj ndonjë deklaratë për sanksione. Mendoj se do të ishte një gabim për një ish-diplomat amerikan të vinte të bënte shumë komente për këtë. Nuk mendoj se ndihmon askënd.”
Peka: Shiko sa interesante! Pyetja është konkrete, a ndikoi George Soros apo ka dosje?
Berisha: Nuk e mohon.
Peka: Nuk e mohon. E para dhe e dyta thotë, unë nuk jam për sanksione.
Berisha: Një grup diplomatësh të korruptuar, siç ishte Donald Lu dhe Yuri Kim, të akuzuar nga unë për korrupsion, dhe kjo është e shkuara. Natyrisht me ndikimin direkt të George Soros-it tek ai. Kaq. Ky është një proces në vazhdim, por ky proces të garantoj që ne, domethënë, Partia Demokratike ka marrëdhënie normale me administratën e sotme të Shteteve të Bashkuara dhe vazhdon t’i ketë këto, t’i intensifikojnë. Por për ne gjëja më e rëndësishme për mua është qëndrimi i tyre i ri ndaj narkoshtetit shqiptar. Është ndihma më e jashtëzakonshme, unë merrem çdo ditë, dhe ju vetëm në ekonomi po të ndalni një moment të lexoni. Pasojat më shkatërrimtare të narkoshtetit janë në ekonomi…









