Julio Coria, ish-truproja e Diego Armando Maradonës, është arrestuar në kuadër të hetimeve për vdekjen e legjendës argjentinase të futbollit. Coria u dërgua në paraburgim pas dyshimeve se ka dhënë dëshmi të rreme gjatë gjyqit ku po hetohet roli i mjekëve në vdekjen e Maradonës.
Truproja, ishte një person shumë i afërt me futbollistin dhe ndodhej në bnanesën e tij ditën që ai ndërroi jetë. Maradona vdiq më 25 nëntor 2020 në moshën 60 vjeçare, ndërsa po trajtohej në banesë pas një operacioni në tru për mpiksje gjaku. Prokurorët po akuzojnë ekipin e tij mjekësor për një trajtim të papërshtatshëm dhe neglizhencë.
Coria, i cili kishte tentuar të ndihmonte Maradonën me reanimim gojë më gojë, u arrestua pasi mohoi në gjyq se kishte komunikuar me mjekun personal të Maradonës, Leopoldo Luque. Hetimet zbuluan mesazhe mes Coria dhe Luque, të cilat treguan se ata kishin diskutuar për shëndetin e Maradonës para dhe pas vdekjes së tij. Pas këtyre provave, prokuroria kërkoi arrestimin e Corias. Në gjyqin e Maradonës, shtatë mjekët akuzohen për “vrasje të qëllimshme”, për shkak të dyshimeve se ata ndërmorën një trajtim mjekësor pavarësisht se e dinin se mund të çonte në vdekjen e futbollistit.
Prokurorët argumentojnë se Maradona u la të vdiste në një “periudhë të zgjatur dhe të mundimshme” për shkak të mjekëve. Procesi gjyqësor pritet të vazhdojë deri në muajin korrik, me më shumë se 120 dëshmitarë që pritet të japin deklarimet e tyre.
Tag: vdekjen
-

Gjyqi për vdekjen e Maradonës, arrestohet ish-truproja e futbollistit
-

Restaurohet filmi “Ngadhnjim mbi vdekjen”, Milkani e artistë: Filmat pjesë e historisë së kulturës dhe artit shqiptar
Nga Julia Vrapi
“Ngadhnjim mbi vdekjen” i vitit 1967 një nga filmat më ikonikë të kinematografisë shqiptare u shfaq i restauruar. Pas 58 vitesh, filmi i restauruar “Ngadhnjim mbi vdekjen” foli me gjuhën e teknologjisë së re. Me regji nga Gëzim Erebara dhe Piro Milkani bazuar në ngjarje reale, “Ngadhnjim mbi vdekjen” mbrëmjen e së martës u shfaq në kinema. Mes kujtimesh dhe emocionesh u përjetua shfaqja e premierës së filmit të restauruar, ku të pranishëm në sallë ishin edhe regjisori Piro Milkani, piktori Ksenofon Dilo, artistët e ekipit të filmit e më gjerë. Regjisori i mirënjohur Piro Milkani ndër të tjera tha se filmi “Ngadhnjim mbi vdekjen” ka shënuar edhe një ngjarje të rëndësishme të jetës së tij.
“Pas 58 vitesh asistoj me emocion të veçantë në këtë film, që për mua ka shënuar një ngjarje të rëndësishme të jetës sime, sepse ai film mua dhe gjithë kolegëve të mi na nderoi. Nuk mund të përmend gjithë emrat, por shpreh mirënjohje për Peçi Dado, Gëzim Erebara, Saim Kokona, Feim Ibrahimi, Eglantina Kume, Edi Luarasi, Naim Frashëri, etj. Falenderojmë Arkivin e Filmit dhe shpresojmë të digjitalizojë edhe filma të tjerë, sepse këto filma janë pjesë e historisë së kulturës e artit shqiptar”, tha Milkani. “Ngadhnjim mbi vdekjen” prodhim i vitit 1967, gjithashtu është një prej filmave shqiptarë, të cilëve iu ndalua qarkullimi për gati dy dekada gjatë periudhës së diktaturës komuniste, për shkak se në film interpreton aktorja Edi Luarasi, e dënuar pas Festivalit të 11-të të Këngës në Radio Televizion.
E pranishme në këtë premierë të filmit restauruar, aktorja Eglantina Kume që interpretoi rolin e Mirës në “Ngadhënjim mbi vdekjen” tha se të gjithë protagonistët e kanë vuajtur heqjen nga qarkullimi ato vite. “Ju kthye dinjiteti filmit përveçse u restaurua, edhe që ka qenë i dënuar për shumë vite dhe u zhduk nga qarkullimi, dhe ne kemi këtë e kemi vuajtur shumë, të gjithë protagonistët e filmit”, tha aktorja. I restauruar nga Augustus Color, si një projekt i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit ky version i restauruar në 4K rikthen shkëlqimin e plotë të imazhit dhe zërit, duke rivlerësuar punën regjisoriale të Erebarës dhe Milkanit, skenarin origjinal të Peçi Dados, kamerën e mrekullueshme të Saim Kokonës, lojën e aktorëve dhe muzikën drithëruese të Feim Ibrahimit.
Ruajtja e trashëgimisë së filmave
“Ngadhnjim mbi vdekjen” me regji nga Gëzim Erebara dhe Piro Milkani është bazuar në ngjarje reale, ku dy protagonistet në film janë aktorja Edi Luarasi me rolin e Afërditës dhe aktorja Eglantina Kume me rolin e Mirës. Mes të pranishme në premierën e filmit të restauruar ishte dhe producenti Skënder Jaçe që thotë se filmat shqiptarë duhen konsideruar pasuri kombëtare. “Është tepër e rëndësishme dhe imediate të ruhen, duke u restauruar filmat shqiptarë, duke i konsideruar një pasuri dhe histori kombëtare, e cila do u shërbejë brezave, ashtu si çdo vend i botës së qytetëruar”, thotë Jaçe.Me të njëjtin mendim për restaurimin e filmave shqiptarë prodhime para viteve 1990 në vendin tonë është edhe studiues i artit Agim Janina. “Ruajtja dhe mirëmbajtja e trashëgimisë së filmave, dokumentarëve, kronikave etj është domosdoshmëri se lidhet me identitetin e kulturës sonë, tregojnë si ishim dhe si krijonim”, shprehet Janina. Studiuesi Janina sjell gjithashtu në vëmendje edhe se si u prit filmi kur u shfaq në kinema në vitin 1967. “Filmi është pëlqyer për realizimin, skenarin dhe interpretimin e aktorëve, ku u dalluan Naim Frashëri në rolin e komandantit gjerman dhe Edi Luarasi për rolin e një prej heroinave, një interpretim dinjitoz nga ana e saj”, thotë Janina.
Publiku njihet me vlerat e kinematografisë
Shfaqja e filmit të restauruar “Ngadhënjim mbi vdekjen” u përcoll mes emocioneve mbrëmjen e së martës. I pranishëm në sallën e kinemasë ishte dhe kompozitori Miron Kotani, i cili ndër të tjera sjell në vëmendje punën e bërë nga regjisorët, muzikën e kompozitorit Feim Ibrahimi apo dhe lojën e aktorëve. Kotani thotë se digjitalizimi i filmave është shumë i rëndësishëm. “Do ta cilësoja si një premierë të dytë për filmin, duke i bërë një shërbim të madh publikut dhe artdashësve përsa i takon cilësisë maksimale nga ana teknike, por dhe duke ndikuar ndjeshëm në zgjatjen e jetëgjatësisë së filmit. Filmi në sallë na fali shumë emocion jo vetëm sa i takon lojës brilante të aktorëve, ku mjeshtrat regjisorë të filmit Erebara-Milkani kanë ditur të vënë me detajet më të imta çdo gjë në vendin e vet, por ky film do të shquhet e mbahet mend gjatë për muzikën e gjetur plot talent të spikatur të mjeshtrit Feim Ibrahimi.
Kur po e ndiqja me vëmendje këtë muzikë kuptova se kjo ka qenë për dekada me radhë sigla mbyllëse e sinjalit të RTSH deri në vitin 1993, kur për çdo natë RTSH fillonte transmetimet në orën 18.00 dhe i mbyllte në 22.30 pikërisht me tingujt simfonik të mjeshtrit Feim Ibrahimi. Gjithashtu mësova për këngën – temën kryesore të filmit, që përveç shqiptarëve për vite të tëra u këndua e u pëlqye dhe nga publiku kinez, duke u bërë një nga këngët patriotike më të dashura”, thotë Kotani. Me restaurimin e filmit “Ngadhënjim mbi vdekjen”, Kotani thotë se jo vetëm publiku jonë, por edhe ai i huaj ka mundësi të njihet me vlerat e kinematografisë shqiptare.
“Ngadhnjim mbi vdekjen”
Lufta e Dytë Botërore. Shqipëria është nën pushtimin nazist. Gjermanët arrijnë të kapin dy vajza të reja dhe i torturojnë ato për të zbuluar lidhjet me lëvizjen komuniste. Në fund ata i ekzekutojnë duke i varur në litar në mes të qytetit për të trembur dhe terrorizuar popullin. Filmi është i bazuar në ngjarjen reale të dy heroinave Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima. Prodhim i ish Kinostudios “Shqipëria e re” në 1967, skenari i filmit është nga Peçi Dado, Gëzim Erebara, Piro Milkani. Në filmin e regjisorëve Gëzim Erebara dhe Piro Milkani në role janë: Eglantina Kume (Mira Korani), Edi Luarasi (Afërdita), Naim Frashëri (Hans von Shtolc), Rikard Ljarja (Perlat Pëllumbi), Sheri Mita (Villi Heller), Timo Flloko (Fatosi), Demir Hyskja (Zihni Shaqiri), Andon Qesari (Skënderi), Antoneta Fishta (nëna e Mirës), Drita Haxhiraj (Violeta), Pandi Raidhi (xha Telo). Operator Saim Kokona, kompozitor Feim Ibrahimi, piktor Ksenofon Dilo, operator zëri Xhevat Behri. Drejtor filmi Todi Bozo. -

Nisja e gjyqit për ekipin mjekësor të akuzuar për vdekjen e Maradonës
Në një periferi të Buenos Aires-it u mbajt seanca e parë në procesin penal, i cili po vendos fajësinë e ekipit mjekësor që kujdesej për futbollistin legjendar argjentinas Diego Maradona, i cili vdiq pesë vjet më parë.
Prokurori Patricio Ferrari tregoi një foto të Maradonës në fillim të gjykimit në momentin e vdekjes së tij, duke theksuar se gjendja e tij e rëndë ishte evidente dhe se asnjë nga të pandehurit nuk mund të pretendonte se nuk ishin në dijeni të gjendjes në të cilën ndodhej një nga futbollistët më të mirë të të gjitha kohërave në atë kohë.
Në atë moment vajtimet dhe klithmat e familjarëve të Maradonës u përhapën në të gjithë sallën e gjyqit. Paraprakisht, në momentin e mbërritjes së personelit mjekësor në seancë, qytetarë të shumtë i kanë pritur të pandehurit me britma se janë vrasës.
Prokurori Ferrari tha se është ngritur një aktakuzë solide e bazuar në prova dhe se të gjithë të pandehurit janë përgjegjës për vdekjen e Maradonës gjatë trajtimit të tij në shtëpi, nga 11 deri më 25 nëntor 2020.
Më shumë se 1000 deklarata të dëshmitarëve
Midis shtatë të pandehurve janë neurokirurgu i atëhershëm i Maradonës, Leopoldo Luque, psikiatri Agustina Cosachov, psikologu Carlos Angel Diaz, doktoresha Nancy Edith Forlini, mjeku klinik Pablo Di Spagna dhe infermierët që po gjykohen për vrasje. Nëse shpallen fajtorë, ata mund të përballen me një dënim me burg nga tetë deri në 25 vjet. E pandehura e tetë, infermierja Dahiana Madrid, do të gjykohet veçmas.
Maradona vdiq në nëntor 2020 në shtëpinë e tij nga dështimi i zemrës. Ai vdiq në moshën 60-vjeçare, teksa po shërohej nga operacioni për heqjen e një mpiksje gjaku.
Gjatë gjyqit, më shumë se 1000 deklarata të dëshmitarëve do t’i paraqiten trupit gjykues prej tre gjyqtarësh, nga anëtarët e familjes dhe mjekët deri te gazetarët dhe miqtë e ngushtë. /tesheshi.com/ -

I kërkuar për vdekjen e turistes në Sarandë, Saimir Kushova dënohet me 15 vite burg për drogë në Norvegji
Saimir Kushova, Rebbeca Gannon dhe babai i saj
NORVEGJI-Saimir Kushova, një instruktor zhytjeje që kërkohej në lidhje me vdekjen e një turisteje britanike në Shqipëri është dënuar me 15 vjet burg në Norvegji, pas një procesi për trafikun e drogës. Kushova ishte pjesë e një bande të përbërë nga gjashtë shqiptarë, të cilët ishin të përfshirë në trafikimin e kokainës, që përbënte kapjen më të madhe të një ngarkese kokaine ndonjëherë në Norvegjinë perëndimore. Babai i saj, George Gannon, ka kërkuar drejtësi nga autoritetet shqiptare për muaj të tërë.
Policia dhe doganierët e kapën bandën në prill 2023, më pak se një vit pas vdekjes së Rebeccës. Gannon, i cili është ende në Shqipëri, shtoi: Pas largimit të tij nga vendi, policia tha se kishin nxjerrë një lajmërim për të përmes Interpolit, por nuk morëm asnjë përgjigje për shumë kohë. Ne e mësuam se ai ishte arrestuar dhe dënuar me 15 vjet në Norvegji për trafikim droge disa muaj më parë.
“Kam kaluar pothuajse tre vjet në Shqipëri duke ndjekur autoritetet për drejtësi. Ka qenë e vështirë. Kam kaluar kohë larg familjes, por gjithçka që doja ishte që ky njeri të përballej me mua në gjykatë dhe tani ai është në burg në Norvegji. Ky njeri është përgjegjës për vdekjen e vajzës time dhe ai duhet të jetë në gjykatë. Doja që autoritetet shqiptare të merrnin seriozisht atë që ndodhi me vajzën time. E dinim që ai ishte larguar pas vdekjes së Rebeccës, dhe duket se ai përfundoi në Norvegji dhe u përfshi në një operacion trafikimi droge. Nuk dinim që ai ishte akuzuar, dënuar dhe dërguar në burg për trafik drogërash. Ndjehem sikur ai po i shpëton drejtësisë për rolin e tij në vdekjen e Rebeccës, por unë nuk do të dorëzohem kurrë duke luftuar për të”, ka rrëfyer ai.
Ekspedita nënujore turistike, organizohej nga “Spiranca Diving Center”, në pronësi të Saimir Kushovës tek anija e Luftës së Dytë Botërore e mbytur në gjirin e Sarandës. Pushuesja Rebecca Gannon, 29 vjeç ishte me të dashurin e saj kur u gjend në vështirësi gjatë udhëtimit nën ujë me një grup prej shtatë zhytës të tjerë. Grupi me të cilin ishte i kanë bërë thirrje që të shtypë butonin e emergjencës, i cili hap jelekun e shpëtimit dhe lëshon bombulën e oksigjenit. Por 29-vjeçarja nuk ka arritur që ta shtypë dot.
Kushova kishte punësuar në mënyrë të paligjshme instruktoren e zhytjes në grupin e tij të punës, si dhe nuk ka siguruar kushtet e nevojshme teknike për zhytje. -

I ati i të resë britanike të mbytur në Sarandë kërkon drejtësi për vdekjen e vajzës së tij: Instruktori është përgjegjës (EMRI)
Babai i 29-vjeçares britanike Rebeka Gannon, e cila humbi jetën në plazhet e Sarandës më 19 shtator të 2022, ka dalë në një intervistë eksluzive për “MailOnline”.
Në intervistë, George Gannon, është shprehur se përgjegjës për vdekjen e vajzës së tij është instruktori i qendrës “Spiranca Diving Centre”, 48-vjeçari Saimir Kushova, i cili rezulton i dënuar me burg në Norvegji me 15 vite burg, për trafikimin e lëndëve narkotike.
Sipas tij, autori i kësaj ngjarje është arratisur pak kohë më pas nga mbytja e 29-vjeçares, ndërsa kërkon ndihmë nga autoritetet shqiptare për këtë çështje.
“Kam kaluar pothuajse tre vjet në Shqipëri duke ndjekur autoritetet për drejtësi. Ka qenë një proces i vështirë dhe jam ndjerë i vetmuar. Kam kaluar kohë larg familjes, por gjithçka që doja ishte që ky njeri të përballej me mua në gjykatë dhe tani ai është burgosur në Norvegji. Ky burrë është përgjegjës për vdekjen e vajzës sime dhe ai duhet të dalë në gjyq, thjesht doja që autoritetet shqiptare ta merrnin seriozisht atë që më ndodhi mua, vajzës time.
Ne e morëm vesh vetëm disa javë më parë, e dinim se ai ishte arratisur pak kohë pasi Rebeka vdiq, por duket se ai përfundoi në Norvegji dhe u përfshi në disa operacione të kontrabandës së drogës Kemi zbuluar se ai u arrestua në Norvegji rreth gjashtë muaj pasi ishte larguar nga Shqipëria, por nuk e kishim idenë se ai ishte akuzuar, dënuar dhe burgosur për kontrabandë droge.
Ndihet sikur ai po i shpëton drejtësisë për rolin e tij në vdekjen e Rebeka-s, por unë kurrë nuk do të heq dorë nga lufta për të”, tha ai.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur tre vite më parë më 19 shtator të 2022, ku Rebeka Gannon së bashku më të dashurin e saj ishin duke kaluar pushimet në jugun e Shqipërisë, Sarandë. Ajo vendosi të bëjë zhytje në vendin e quajtur “Vapori i mbytur”, ndërsa kishte kërkuar ndihmë pasi ishte duke u mbytur.
Gjithashtu, grupi i emergjencës i kanë bërë thirrje që të shtypë butonin e emergjencës, i cili hap jelekun e shpëtimit dhe lëshon bombulën e oksigjenit, por 29-vjeçarja nuk ka arritur që ta shtyp dot dhe për pasojë humbi jetën. -

5 pyetje mbi vdekjen “e dyshimtë” të aktorit legjendar dhe bashkëshortes së tij
Hetimi për vdekjen e yllit të Hollivudit Gene Hackman dhe gruas së tij Betsy Arakaëa në shtëpinë e tyre në shtetin amerikan të New Mexico vazhdon. Pyetjet për vdekjen e çiftit nuk kanë gjetur ende një përgjigje të qartë. Detajet që dolën pas ekzaminimit të stimuluesit kardiak të Hackman ngritën pyetje të tjera. Ja 5 pyetjet që bien në sy për vdekjen e “dyshimtë” të Gene Hackman dhe gruas së tij Betsy Arakawa, raporton a2 CNN.
Arakawa u gjet e palëvizshme në dyshemenë e banjës. Pranë saj ishte një shishe e hapur me ilaçe dhe pilula të derdhura në dysheme, ndërsa Hackman u gjet në hyrje të shtëpisë, pranë kuzhinës, me syze dielli dhe një bastun pranë tij.
Shumë pyetje për vdekjen e çiftit nuk kanë marrë ende përgjigje.1- Si e humbën jetën Gene Hackman dhe Betsy Arakawa?
Sipas autoriteteve, nuk kishte asnjë shenjë të hyrjes me forcë në shtëpi dhe asnjë shenjë të ndonjë lloj përplasjeje të dhunshme, por vetëm dy trupa njerëzish dhe një kafshë shtëpiake që dukej se kishte vdekur papritur. Vajza e Hackman, Elizabeth fillimisht dyshoi për helmim nga monoksidi i karbonit, por departamenti i zjarrfikësve në vendngjarje nuk gjeti shenja të një rrjedhjeje.
2- Kur humbën jetën?Regjistrimi i fundit nga stimuluesi kardiak i Hackman u bë më 17 shkurt, thanë autoritetet, përcjell A2 CNN. Kjo tregon se koha e vdekjes mund të jetë 17 shkurti. Megjithatë, shenjat e dekompozimit dhe mumifikimit në trupin e Arakawa sugjerojnë se ajo vdiq të paktën dy javë përpara se trupat e tyre të zbuloheshin. Një anëtar i stafit që punon për nënën e Arakaëa tha për Daily Mail se Arakawa nuk e kishte telefonuar nënën e saj për muaj të tërë, duke shtuar se hera e fundit që ato folën në telefon, ishte në tetor.
3- Pse trupat e tyre të pajetë u gjetën kaq vonë?
Pasi punëtorët e mirëmbajtjes gjetën trupat, ata thanë se nuk kishin dëgjuar nga Hackman dhe Arakaëa për rreth dy javë. Sipas lajmeve të pasqyruara në shtypin amerikan, një nga arsyet e mundshme pse trupat e tyre nuk u gjetën menjëherë, mund të jetë për shkak të pandemisë COVID-19. A2 CNN shkruan se miqtë Daniel dhe Barbara Lenihan thanë se e panë Arawakën për herë të fundit në një dyqan tre javë më parë. Fakti që Hackman dhe Arakawa nuk shiheshin shpesh në ngjarje publike mund të ketë gjithashtu arsye pse trupat e tyre u zbuluan vonë.
4- Mbi çfarë provash po hetojnë autoritetet?
Autoritetet thanë se droga e gjetur me Arakawa ishte një provë e rëndësishme. Dy telefona celularë, të dhëna nga një platformë shëndetësore digjitale e quajtur MyQuest dhe një agjendë e vitit 2025 u sekuestruan nga brenda shtëpisë. Përveç kësaj, pamjet e sigurisë nga zona ku jetonte çifti po ekzaminohen për të përcaktuar se kush erdhi dhe shkoi në momentin e ngjarjes.5- Cilët janë skenarët e mundshëm?
Ndërsa autoritetet nuk kanë arritur ende një përfundim përfundimtar, ata po shqyrtojnë disa skenarë të mundshëm: Shkaqet natyrore; Hackman ishte 95 vjeç dhe Arakawa ishte 64. Komplikimet e pleqërisë mund të kenë shkaktuar vdekjen e tyre.
Helmimi aksidental me ilaçe: Ilaçet që Arakawa kishte me vete mund të kenë shkaktuar vdekjen e saj nëpërmjet përdorimit të pakujdesshëm ose një reagimi të papritur.
Rrjedhje gazi; Megjithëse monoksidi i karbonit nuk u gjet, mundësia e një rrjedhjeje tjetër gazi është ende në tryezë. -

Gjyqi për vdekjen e Maradonës, djali i legjendës argjentinase lëshon deklaratën e fortë: Babanë tim e vranë dhe i vodhën paratë
Diego Armando Maradona Sinagra, djali i legjendës së futbollit Diego Armando Maradona, ka bërë deklarata të forta lidhur me gjyqin që po zhvillohet në Argjentinë për vdekjen e të atit. Në një intervistë për emisionin spanjoll “El Chiringuito”, ai akuzoi drejtpërdrejt mjekët dhe infermierët që e trajtuan Maradonën, duke i fajësuar ata për vrasje.
“Po ndjek nga afër gjyqin dhe është një periudhë shumë e vështirë për familjen tonë. Na presin kohë të rënda, por jemi të përgatitur,” tha Maradona Jr., i cili aktualisht është trajner i klubit spanjoll UD Ibarra. Ai mbështeti teorinë e avokatit Fernando Burlando, duke pohuar se babai i tij u “vra në mënyrë djallëzore” në atë që ai e quajti “shtëpia e tmerrit”.
Sipas tij, mjekët nuk ndërhynë në kohë dhe nuk bënë asgjë për ta shpëtuar Maradonën.
“Nëse do ta kishin trajtuar siç duhet, ai do të ishte ende gjallë,” theksoi ai. Gjithashtu, ai ngriti dyshime se përveç neglizhencës mjekësore, ka pasur edhe keqmenaxhim të pasurisë së të atit. “Jam i bindur se jo vetëm që nuk u kujdesën për të, por edhe i vodhën paratë,” shtoi ai.
Gjyqi për vdekjen e Maradonës ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare dhe pritet të zbulojë nëse mjekët dhe infermierët ishin përgjegjës për trajtimin e papërshtatshëm që çoi në ndarjen nga jeta të një prej ikonave më të mëdha të futbollit.