Tag: vdekja

  • 18 vite nga vdekja e të papërsëritshmit, Faruk Begollit

    18 vite nga vdekja e të papërsëritshmit, Faruk Begollit

    Sot janë mbushur 18 vite nga vdekja e një ndër figurave më të rëndësishme të teatrit dhe kinematografisë kosovare, Faruk Begolli.

    Si një ndër aktorët më të famshëm shqiptar nga Kosova në Jugosllavi, Begolli studioi në Akademinë e Filmit dhe Teatrit në Beograd ku diplomoi në vitin 1966.

    Ai është bashkëthemelues i degës së Aktrimi të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës. Në vitet e 90-ta ka bashkëthemeluar Teatrin “Dodona” në Prishtinë.

    Faruk Begolli ka luajtur në më shumë se 60 filma, duke filluar me ‘Pogled u Zenicu Sunca’ (1966), për të bashkëpunuar pastaj me regjisorin Purisa Dordevic në filmat e tij ‘Podne’ (Mesditë), ‘Jutro’ (Mëngjesi) dhe ‘San’ (Ëndrra).

    Rolet e tij të spikatura përfshijnë ‘Bitka na Neretvi’, ‘Cuvar plaze u zimskom periodu’ dhe Dervis i Smrt (Dervishi dhe Vdekja), si dhe rrolet në filmat e njohur Kosovar të viteve të 70ta dhe 80ta si ‘Kur pranvera vonohet’ (1980), ‘Era dhe Lisi’ (1979), ‘Të Ngujuarit’ (1972), ‘Si të vdiset’ (1972), ‘Proka’ (1984) etj./ KultPlus.com

  • ‘Vdekja mbrëmë më erdhi rrotull, nuk më mori se nuk më deshi’

    ‘Vdekja mbrëmë më erdhi rrotull, nuk më mori se nuk më deshi’

    Poezi nga Aleksandr Solzhenitsyn

    Vdekja mbrëmë më erdhi rrotull,

    Nuk më mori se nuk më deshi.

    Më trajtoi si një të vogël,

    Më nxori gjuhën, më përqeshi.

    Lëre, tha, të vuajë,

    Se ka mbi shpinë mëkate.

    Ndaj dhe unë vazhdoj të shkruaj

    Ah, çfarë hoqa kësaj nate…!/KultPlus.com

  • 59-vjeçari ndërroi jetë pas mbushjes së dhëmballës, familjarët: Vdekja ishte natyrale

    59-vjeçari ndërroi jetë pas mbushjes së dhëmballës, familjarët: Vdekja ishte natyrale

    Lidhur me vdekjen e 59-vjeçarit në Devoll, familjarët ditën e sotme në një komunikim jashtë kamerave janë shprehur se nuk kanë pretendim për rastin, ndërsa sipas tyre vdekja ka qenë natyrale.

    Ndërkaq ata kanë shtuar se vdekja ka ndodhur rastësisht nga shkaqe të tjera të natyrshme pas marrjes së shërbimit dentar, që nuk lidhen me këtë shërbim.
    Burime nga hetimet bëjnë me dije se 59-vjeçari kishte shkuar në klinikën dentare së bashku me dy djemtë, një kushëri dhe një grua të afërt. Pas mjekimit dentar, ku iu bë një mbushje, ai është ankuar disa herë, për gjendjen shëndetësore duke thënë “S’jam mirë”.
    Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se shkaku i vdekjes ka qenë një infarkt. Ndërkaq grupi hetimor ka sekuestruar kartelën mjekësore të pacientit, ku janë pasqyruar të gjitha procedurat e trajtimit që i janë kryer në klinikë.
    Deri më tani, nuk është konstatuar ndonjë element që lidhet me ndonjë problem nga ana e dentistit, por vetëm pas daljes së ekspertizës mjeko-ligjore do të përcaktohet përfundimisht shkaku i saktë i vdekjes.
    Për rastin është marrë në pyetje dentisti 36-vjeçar, i cili ka shpjeguar përpara bluve të Devollit, procedurën e ndjekur në trajtimin dentar të 59-vjeçarit që ka ndërruar jetë.

    Top Channel

  • Dyshohet se pësoi infarkt, detaje të reja nga vdekja e 59-vjeçarit në Bilisht pas mbushjes së dhëmballës

    Dyshohet se pësoi infarkt, detaje të reja nga vdekja e 59-vjeçarit në Bilisht pas mbushjes së dhëmballës

    Janë zbardhur detaje të reja nga vdekja e 59-vjeçarit mbrëmjen e djeshme në Bilisht, i cili ndërroi jetë pasi kishte shkuar për trajtim në një klinikë dentare.
    Sipas raportimeve në media viktima kishte shkuar në klinikë së bashku me dy djemtë, një kushëri dhe një të afërt tjetër të familjes. Pas kryerjes së një mbushjeje në dhëmballë, 59-vjeçari është ankuar disa herë për gjendjen shëndetësore, duke thënë: “S’jam mirë”.
    Gjendja e tij është përkeqësuar shpejt dhe, sipas të dhënave paraprake, dyshohet se ka pësuar një infarkt fatal.
    Aktualisht nuk është konstatuar ndonjë shkelje nga ana e mjekut stomatolog, por vetëm pas daljes së ekspertizës mjeko-ligjore do të përcaktohet përfundimisht shkaku i vdekjes.
    Ndërkohë dentisti 36-vjeçar është marrë në pyetje nga policia e Devollit.

  • Vdekja e Mid’hat Frashërit mbetet ende e dyshimtë?

    Vdekja e Mid’hat Frashërit mbetet ende e dyshimtë?

    Mid’hat Frashëri

    Lindi në Janinë më 25 mars 1880. I ati, Abdyli, ishte në Prizren, në krye të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kur lindi Mid’hat Frashëri. Abdyli, Naimi dhe Samiu u morën direkt me edukimin e tij. Në vitin 1897 themeloi bibliotekën “Lumo Skëndo”. Mori pjesë aktive në botimin e “Kalendarit Kombiar” bashkë me Kristo Luarasin. Shkrimet e para me temë rilindëse i botoi qysh në moshën 16 vjeç. Puna e parë ishte për Skënderbeun. Pas studimeve, punoi në admistratëm osmane në Stamboll dhe mandej në Selanik. Atje themeloi Klubin shqiptar dhe gazetën “Lirija” (1908).

    Nga: Uran Butka

    Mid’hati u zgjodh kryetar i Kongesit të Manastirit, (1908) që hartoi një program kombëtar prej 18 pikash dhe vendosi alfabetin krejtësisht latin të gjuhës shqipe.

    Ai qe nismëtar i thirrjes së Kongresit arsimor të Elbasanit (1909) për çeljen dhe administrimin e shkollave shqipe dhe të Normales për mësues.Botues i revistës kulturore “Dituria”, një enciklopedi e jetës dhe monument i kulturës shqiptare (1897-1929). Veprimtar i shquar i Pavarësisë. Pjesëmarrës në tubimin e Shkupit (tetor 1912) ku u vendos të shpallej Pavarësia e Shqipërisë. Delegat i Pejës dhe Gjakovës, Plavës e Gucisë. Mandej dhe i Elbasanit në Kuvendin e Vlorës (1912). Firmëtar i Pavarësisë Kombëtare. Anëtar i qeverisë së Ismail Qemalit, ministër i Punëve të Përgjithshme.

    Në vitin 1914 ministër në qeverinë e Princ Vidit. Largohet nga Shqipëria, kur nis rebelimi haxhiqamilist, që i dogji edhe shtëpinë me gjithe dokumentet në Elbasan. Emigrant në Zvicër, Sofje, Bukuresht. Në Sofje boton veprat e para: “Letra nga një udhëtim në Zvicër”. “Hi dhe shpuzë”. “Popullsia e Epirit”. “Pritmi i Shqipërisë”. Botoi edhe gazetën në gjuhën frengjisht “L’indipendance Albanaise”. Aty propagandonte dhe mbronte çështjen shqiptare. Gjatë Luftës së Parë Botërore u internua në Moldavi, në minierat e naftës dhe të vdekjes. Atje shkroi “Ditarin”, kujtimet nga Rumania.

    Ministër pa protofol në qeverinë e Turhan Pashës (1918). Delegat i qeverisë në Konferencën e Paqes në Paris (1919). Njëherësh delegat i “Vatrës” SHBA në atë konferencë, i Komitetit “Mbrojtja e Kosovës” dhe i shqiptarëve te Turqisë. Në Lozanë dhe Gjenevë, qendra të propagandës dhe botimeve të kombeve, Mid’hati botoi në vitin 1919-një sërë veprash të rëndësishme historike në gjuhën frënge.

    Dallohen: “Rilindja shqiptare”, “Shqiptarë e sllavë”, “Shqiptarët në vend të tyre dhe jashtë atdheut”, “Rivendikimet shqiptare”, “Çështja e Epirit”.

    Po ashtu edhe qindra artikuj, promemorie, letra, ese, memorandume drejtuar Konferencës së Paqes, qeverive të Fuqive të Mëdha dhe personaliteteve politike e kulturore të Europës si edhe shkrime botuar ne gazetat dhe revistat më prestigjioze të Europës.

    I dërgoi Presidentit Uilson të SHBA një mesazh për ta njohur me çështjen shqiptare dhe nje aneks-promemorie të shoqëruar me gjashtë harta etnografike. Ato ndikuan tek Presidenti Uilson për mbrojtjen e çështjes së rrezikuar shqiptare, në prag të coptimit. Kryetari delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris (1920-1922). Njashtu edhe në Lidhjen e kombeve, ku mbrojti si askush tjetër çështjen shqipare.

    Në vitin 1923 emërohet Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Greqi. U shqua për regullimin e marëdhënieve shtetërore me Greqinë, mbylljen e Sillogjeve antishqiptare dhe mbrojtjen e çëshjes çame, ndalimin e shkëmbimit të shqiptarëve si turq në Turqi (1923-1925) dhe kundërshtimin e kolonizomit të Çamërisë me kolonë grekë.

    Dha dorëheqjen si ambasador në vitin 1925, kur politika e shtetit shqiptar nuk përputhej më me parimet e tij.

    Pikërisht kur Shën Naumi dhe Vermoshi iu dhanë Jugosllavisë nga Zogu, me protestën “Asgjë të japim nga trupi i mëmëdheut tonë”. Në vitet 1925-1939 u mor me punë kulturore dhe studimore. Themeloi librarinë “Lumo Skendo” në Tiranë dhe botoi një sërë veprash të rëndësishme si “Plagët tona”, “Gruaja”, “Udhëtarët e huaj në Shqipëri”, “Liga e Prizrenit”, “Përshtypjet e udhëtimit”, “Bibliografitë”, etj.

    Më 8 prill 1939 hodhi themelet e organizatës nacionaliste “Balli Kombëtar” si një alternativë antifashiste me program “Nacionalizma shqiptare”, 1939.

    Në vitin 1942 publikoi progamin e Ballit Kombëtar “Dekalogu”, një program nacionalist për një Shqipëri etnike dhe demokratike dhe socialdemokrat nga pikpamja sociale. Gjatë Luftës së Parë Botërore udhëhoqi luften e nacionalisteve kunder pushtuesve nazifashistë dhe paqen ndermjet shqiptarëve.

    Ishte organizatori kryesor i Kuvendit të Mukjes (3-4 gusht 1943) dhe i Marrëveshjes së Mukjes per një luftë të përbashkët kundër okupatorëve, në krah të Aleatëve të mëdhej Antifashistë. Pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes nga komunistët dhe emisarët jugosllavë, ai u përpoq të ndalte Luften civile (1943-1945). U përball me terrorizmin komunist.

    Emigroi nga Shqipëria pas pushtimit komunist te saj (nëntor 1944) për ta vazhduar luftën kundër regjimit komunist me mjete demokratike me ndihmen e vendeve Perëndimore.

    Në emigracion organizoi qëndresën, por edhe edukimin e shkollimin emigrantëve politikë shqiptarë (në kampet Gramo, Santa Fara, Regio Emilia, etj) me konferencat, kurset, shkollën “Besnik Çano”, mësimin e gjuhëve të huaja dhe botimin e revistës ”Flamuri”.

    Në vitin 1949 Mid’hat Frashëri në bashkëpunim me Aleatët anglo-amerikanë themeloi ne Francë më 26 gusht 1949 Komitetin “Shqipëria e Lirë”, qeveria shqiptare në emigracion. Qëllimi i Komitetit “Shqipëria e Lirë” ishte lirimi i Shqipërisë nga diktatura komuniste dhe vendosja atje e një sistemi demokratik sipas modeleve më të përparuara perëndimore. Mid’hat Frashëri u zgjodh kryetar i komitetit dhe nga BBC, në Londër dhe shpalli programin e Komitetit, me 6.09.1949.

    Komiteti “Shqipëria e Lire” u vendos me seli në Nju York, ku nisi veprimtarinë. Për fat të keq, vdiq paprirur më 3 tetor 1949. Vdekja e tij mbetet e dyshimtë, ndonëse u njoftua një atak kardiak.

    Mendohet se vdekja e M. Frasherit u shkaktua nga një ndërhyrje e Sigurimit Rus, nëpërmjet agjentit Kim Filbi, sipas vendit te qeverisë shqiptare për ta zhdukur Mid’hat Frashëtin (dok. arkivi i Ministrisë së Brendshme). Vdekja e Mid’hat Frashërit ishte një humbje e madhe per Shqipërinë dhe kombin shqiptar, por edhe më gjerë. Ai ishte figura më e madhe e Kombit tonë, njëherësh edhe nje nga personalitetet më të shquar të Europës në atë kohë.

    ObserverKult

    ———————–

    Lexo edhe:

    UNIVERSITETI I DURRËSIT I VITIT 1380, I PARI UNIVERSITET NË BALLKAN

  • Pse?!

    Pse?!

    Pse?! – Sterjo Spasse

    Ç’është jeta për ty? – e pyeta.-Flluska sapuni, – m’u përgjigj.-Po vdekja?-Shpërblimi i jetës!-Ç’është bota?-Një pikë helm në hapësirë!-Ç’është më e kuptuar në Botë?-Vdekja.-Cila është kafsha më e egër?-Njeriu!-Po më e butë?-Ajo që s’ka lindur!-Cili njeri ju duket më i poshtër?-Ai që ndryshon veten me një emër të huaj dhe ai që punon aq mizorisht sa që nuk kujton as vdekjen!-Ç’është budallallëku?-Të duash një gjë që s’e ke dhe të kujtosh se je ai që s’je!-Po puna më e mençme?-Te gëzosh të tanishmen!-Ç’është më e afërme?-Vdekja!-Po më e largët?-Zemra ime me tënden dhe fillimi e fundi i hiçit.-Çfarë është e pavdekur?-Hapësira!-Çfarë është më e bukur?-Fantazia!-Po më e shëmtuar?-Sëmundja!-Më e hidhur?-Jeta!-Më e ëmbël?-Hiçi!-Ç’gjë është më e madhe?-Libri i Botës!-Po më e rëndë?-Fjala!-Më e pamundur? – Këtu u mendua pak, sikur donte të çlodhej. më shikoi një copë herë në fytyrë si me habi e pastaj duke m’i shtrënguar të dy duart, më tha me butësi:-Edhe në të pyetur duhet mjeshtëri! Çfarë pyetët tani?-Çfarë gjë ju duket tani dhe do t’ju dukej mbas disa mijë vjetëve – sikur të jetonit – si e pamundur?-Të ndryshosh veten dhe formën, dmth jam unë të bëhem ti, dhe jam njeri dhe të bëhem pëllumb!-Kur shpërblehet njeriu?-Kur e kujton veten të lumtur!-Çfarë gjë ju duket më e mërzitur?-Çdo send është më i mërzitur se njeri tjetër!-Çfarë gjë ju duket më e vështirë?-Të jesh njeri!-Po më e lehtë?-Të krijosh krijesë njerëzore!-Cili është ngushëllimi i të pasurit?-Pesha e qeses!-Po i të vobektit?-E ardhmja!-Nuk ju kuptoj, – i thashë për së dyti.-Vdekja! -mu përgjigj serioz-Po ç’përmban jeta e njeriut?-Vetëm dyshime!/ KultPlus.com

  • Vdekja e Eqrem Çabej – Humbja e një kolosi të gjuhësisë shqiptare

    Vdekja e Eqrem Çabej – Humbja e një kolosi të gjuhësisë shqiptare

    Më 13 gusht 1980, shkencat albanologjike humbën një prej figurave më të shquara të tyre, Eqrem Çabejn. I lindur në Gjirokastër në vitin 1908, Çabej u arsimua në shkollat më të mira të kohës në Vjenë dhe Grac, duke e përqendruar punën e tij jetësore në gjuhësinë historike dhe krahasuese. Në dekada pune të palodhur, ai e ngriti studimin e shqipes në nivel të barabartë me gjuhët e mëdha të Europës, duke i dhënë një bazë shkencore të pathyeshme.

    Vepra e tij më e njohur, cikli “Studime etimologjike në fushë të shqipes”, është një pasuri e pamatshme për çdo studiues, sepse jo vetëm gjurmon rrënjët e fjalëve, por edhe shpalos historinë, kulturën dhe shpirtin e popullit shqiptar, përcjellë KultPlus.

    Vdekja e tij më 13 gusht 1980 u përjetua si një humbje kombëtare. Megjithatë, trashëgimia e tij nuk u shua. Sot, veprat e Çabejt janë një dritë e pashuar në rrugën e kërkimeve gjuhësore dhe një testament i përjetshëm se si dashuria për gjuhën mund të bëhet një mision jetësor. Ai mbetet një simbol i përkushtimit, dijes dhe përulësisë para madhështisë së gjuhës amtare./KultPlus.com

  • Interesante se çka mendonte Charles Bukowski për vdekjen…

    Interesante se çka mendonte Charles Bukowski për vdekjen…

    Henry Charles Bukowski (16 gusht 1920 – 9 mars 1994)

    Charles Bukowski është një nga shkrimtarët më “autobiografikë” në historinë e letërsisë. Si romanet apo tregimet, ashtu dhe poezitë e tij nuk janë gjë tjetër, veçse një transformim në formë letrare të jetës së autorit, përshkruar “me një vërtetësi prej një njeriu që s’ka asgjë për të humbur”.

    E ndonëse forma autobiografike haset shpesh në prozë, në poezi, sidomos në varg të lirë, ajo është tepër e vështirë dhe kërkon virtuozitet të jashtëzakonshëm.

    Ndër librat e tij që edhe sot e kësaj dite është bestseller është “Këtë nuk e ka bërë as Shekspiri”, një fragment nga i cili do ta sjellim në vazhdim:

    … Vdekja nuk do të thotë shumë për mua. Është shakaja e fundit e një sërë shakash të shëmtuara. Vdekja nuk paraqet asnjë problem për të vdekurit.

    Vdekja është një film tjetër, vetëm kaq. Vdekja u hap telashe vetëm atyre që mbeten gjallë, të cilët kanë pasur një lidhje me të vdekurin, dhe këto telashe rriten në përpjestim të drejtë me pasurinë që ka lënë ky i fundit.

    Për një mjeran getosh, problemi i vetëm është çlirimi nga vuajtjet. Disa bëjnë lart në botën e të pasurve, por që të gjithë venë të shkundur në botën tjetër.

    Natyrisht, me një artist ndodh ndryshe: lë pas vetëm atë erëmim që dikush e quan pavdekësi, dhe, natyrisht, sa më i mirë të jetë ai, aq më i madh është kutërbimi që lë pas në ngjyrë, në tingull, në faqet e shtypura, në gur dhe në trajta të tjera.

    Por kjo pavdekësi është vetëm faji i të gjallëve – ata i përulen këtij kutërbimi, duke e adhuruar. Ky nuk është faji i artistit. Artisti e di se nuk i përket pavdekësisë më shumë sesa i përket jetës ky pohim i mjafton, ndërsa të tjerët le ta kërkojnë ku të duan fatin e tyre…”

    *Shkëputur nga “Këtë nuk e ka bërë as Shekspiri” i Charles Bukowski, shqipëruar nga Artian Guskiqi e botuar nga ‘Skanderbeg books’

    Charles Bukowski lindi në Andrenach në Gjermani më 16 gusht të vitit 1920. Dy vjet pas lindjes së tij, e gjithë familja emigron në Amerikë.

    Ata vendosen në Los Anxhelos, ku Bukowski qëndroi gjithë jetën. Emri i tij i plotë është Henry Charles Bukowski Jr., por atë thjesht e thërrisnin Henk. Ka vdekur më 9 mars të vitit 1994 nga leukemia në San Pedro.

    Bukowski është një nga shkrimtarët më të njohur të shekullit të XX, një prej atyre për të cilët mund të thuhet me plot gojën se të shkruarit dhe arti përkojnë ose janë plotësisht në përputhje me jetën.

    Për Bukowskin, të shkruarit nënkuptonte hedhja në letër e jetës pa pretendime stilistike, madje jo rrallë i ngacmonte ashpër kolegët që përdornin stilin ose historinë për të joshur lexuesin, duke treguar për gjëra që nuk i kishin përjetuar ose dinin fare pak, apo duke shkruar në një mënyrë të largët nga mënyra sesi realiteti mund të ndodhte ose të përjetohej nga një individ mesatar.

    Bukowski tregoi se ishte gjithmonë i vetëdijshëm për kufijtë dhe virtytet e tij si shkrimtar, si dhe për mënyrën e guximshme dhe të egër (por, shpesh ironike) në të cilën, ai trajton tema të caktuara, duke i diskutuar hapur këto aspekte me bashkëbiseduesit e vet dhe duke treguar qysh në fillim, një pamje të jashtëzakonshme reflektimi ndërgjegjësimi dhe pjekurie artistike, pavarësisht nga ajo që shumëkush nxitet të mendojë, duke u fokusuar vetëm në qëndrimet, mënyrën e paraqitjes dhe stilin e shthurur të jetesës së tij.

    Ashtu si të shkruarit e tij imagjinar, edhe letrat e Bukowskit janë autentike dhe të guximshme; në to stili i shkujdesur dhe vulgar, si në tregimet e tij, nuk është kurrë qëllim në vetvete, por gjithmonë funksional për përmbajtjen që duhet përcjellë.

    Sa i përket poezive, ato vlerësohen jo si objekte artefakte individuale, por si kapituj në vijimësinë e rrëfimit të aventurave të tij të vërteta, si një libër komik ose një serial filmi. Ato janë fort narrative. Vargu i lirë i Bukowskit përmban një seri fjalish deklarative të ndara në një kolonë të gjatë, të ngushtë, rreshtat e shkurtër që të japin përshtypjen e shpejtësisë dhe rezistencës edhe kur gjuha është sentimentale ose klishe.

    E përgatiti: V. K.- ObserverKult

    Lexo edhe:

    CHARLES BUKOWSKI: E DUA DIKË QË VAZHDIMISHT MË DËRGON NË DJALL… E SËRISH KTHEHET TEK UNË…

  • Nëntë vite nga vdekja e Ardit Gjoklajt/ Këlliçi: Dosja u arkivua pas drekës së Veliajt me prokurorin e çështjes

    Nëntë vite nga vdekja e Ardit Gjoklajt/ Këlliçi: Dosja u arkivua pas drekës së Veliajt me prokurorin e çështjes

    Tashmë u bënë plot 9 vite që i mituri Ardit Gjoklaj humbi jetën duke punuar në landfillin e Sharrës.”Vdekja e tij tragjike shërbeu si alibi për kreun e 5D dhe si pikënisje për aferën korruptive të shekullit, inceneratorin e Tiranës, thekson  drejtuesi Politk i PD për Tiranën Belind Këlliçi.

    Ai nënvizon se personalisht nuk do të heshtë kurrë së denoncuari këtë krim makabër, i cili u censurua për vite me rradhë nga mediat e paguara nga paratë e inceneratorit që nuk ekziston dhe dosja e të cilit u arkivua fill pas drekës së famshme të kreut të Bashkisë Tiranë me prokurorin e kësaj çështje!

    Drejtësia për Arditin është detyrim ndaj çdo të riu shqiptar që sot punon për t’u arsimuar dhe jetuar në vendin e tij’ shkruan në një postim në facebook.

    Çfarë ndodhi?

    17-vjeçari Ardit Gjoklaj, u vra në landfillin e përpunimit të mbetjeve në Sharrë ku punonte në datë 07.08.2016. Prokuroria nisi hetimin, dhe pas kompanisë 3R të Edurim Teqjas logjika e ligjit shkoi deri tek ai që kishte firmosur lejen e shfrytëzimit për këtë kompani. ERJON VELIAJ!…

    Në 2017, kur prokurori i çështjes thuhej se kishte avancuar me hetimet për vrasjen Ardit Gjoklajt, mediat raportuan një takim konfidencial mes Erion Veliajt dhe prokurorit Petrit Fusha. Në 27 dhjetor, 3 ditë pas publikimit të fotove të takimit mes kryebashkiakut të Tiranës dhe prokurorit Petrit Fusha, ErionVeliaj firmosi tender për llogari të kompanisë FUSHA me qëllim rikonstruksionin e Sheshit Skënderbej me vlerë 8.5 milionë dollarë, ndërsa më herët kishte firmosur një tjetër tender për të njëjtën kompani me vlerë 1.5 milionë dollarë.

    Nëntë vite më pas Erion Veliaj ende nuk është vendosur përpara përgjegjësisë. 

  • Një eksplorim i errët dhe i ndjeshëm i natyrës njerëzore

    Një eksplorim i errët dhe i ndjeshëm i natyrës njerëzore

    Lazër Stani një tregimtar fin e i dëshmuar në letrat shqipe, në përmbledhjen “Kohë për nuse” ndërton një univers letrar sa të zymtë aq edhe magjepës, ku përmes ndjeshmërisë introspektive dhe gjuhës simbolike eksploron plagët e njeriut modern i cili endet mes kujtesës, frikës, artit të humbur dhe një vetmie që trazon shpirtrat e dhemb.

    Nga Albana Beqiri

    Autori lëviz në kufijtë mes realizmit të vrazhdë dhe magjikes, duke ndërthurur mes tyre etnografinë, filozofinë ekzistenciale, rrjedhën e vetëdijes dhe dialogun e ngjeshur. Personazhet e tij, doktorë të rinj, artistë të dështuar, të dënuar politikë, gra të vetmuara etj, operojnë brenda burgjeve të padukshme: zakoneve patriarkale, sistemit shtypës, drojës nga ndryshimi dhe traumës së pashprehur. Në këtë libër Stani rrëfen me finesë drama të thjeshta, por tronditëse, duke na kujtuar se shpesh “më e rëndë se vdekja është humbja e ëndrrës”, ndërsa përshtatja me absurditetin bëhet forma më e mistershme e mbijetesës.

    Tregimi “Të magjepsurit”, me të cilin nis seria e tetë tregimeve të librit “Kohë për nuse”, na fut në një botë pothuaj të pakuptueshme për njeriun modern, në një lloj labirinti psikologjik, ku realiteti dhe besimet magjike përzihen pa ndonjë dallim. Përmes një doktori të ri që përballet i vetëm me një fshat të tërë plot frikë nga magjia, Stani ndërton një alegori të mprehtë mbi shoqërinë e mbyllur dhe fuqinë korruptuese të frikës. Ai tregon se magjia nuk ka nevojë për rregulla, ajo është refleks i pashprehur i dhembjes. Kur doktori përpiqet ta “shërojë” Alinën, ai në fakt i jepet rrymës së këtij refleksi, duke u bërë pjesë e problemit. Një tregim ta quajmë “etnografik” që shndërron folklorin në parabolë universale për frikën ndaj ndryshimit. Autori përdor rrjedhën e vetëdijes për të krijuar një atmosferë paranojake, ku lexuesi ndjen të njëjtën gjendje ankthi dhe pasigurie si protagonisti.  “Ti gjithmonë ikën, ikën, kurse unë dua… të më shpëtosh”, i thotëw Alina doktorit, duke na përfshirë në një linjë që përmbledh tërë “tragjedinë e tregimit”: dashuria dhe shkenca janë të pafuqishme përpara magjisë së vetmisë.

    Në tregimin e radhës “Përqafim në mort” edhe pse vdekja është piketuar që në titull, ajo nuk është domosdoshmërisht tema bazë e tij. Duke përdorur elementin vdekje, autori ka ndërtuar një rrëfim, i cili ngjason me fotografinë e errët të dashurisë së pamundur. Realisht vdekja shërben si pasqyrë për konfliktet e pashprehura të jetës, duke e shndërruar tregimin në studim artistik të psikologjisë së humbjes. Përmes një ngjarjeje të thjeshtë, siç është vdekja e papritur e Mark Balës, autori zbret në thellësitë e memorjes së shtypur, dashurisë së ndaluar dhe urdhërave të pashkruara të të vdekurve. Tregimi nuk ndjek një rrjedhë kronologjike, por shkërmoqet njësoj si kujtesa e protagonistit, ndaj nuk është e çuditshme që e tashmja (vdekja e Mark Balës) të përzihet me fragmente të së kaluarës (marrëdhënia me Danielën). Interesant është edhe përdorimi i kohës së tashme për ngjarjet e kaluara (“Tani më del parasysh…”), çka në të vërtetë krijon një realitet të shkrirë, ku të gjitha humbjet janë të pranishme. “Dhe gjithnjë ndjeja atë përqafim të fundit… duke më përshkuar të tërin”, fundi është një vajtim për gjithçka që mund të ishte, por që u bllokua nga pesha e një varri. 

    “Nuk ishte një aventurë, ishte jeta ime” (Yehuda Amichai), ky citat hyrës përmbledh thelbin e tregimit: jeta nuk është roman, është një varg humbjesh të pashmangshme.

    Artisti vdes dy herë: kur humbet ëndrrën dhe kur e pranon humbjen. Këtë “mësim” e jep artistikisht “Pianisti”, tregimi i radhës, i cili vjen i mbështjellë në një prozë të rrjedhshme dhe të pasur me shtresime të holla psikologjike. Protogonisti, një pianist i dështuar e interpreton jetën sipas një partiture egzistenciale e cila shpalos konfliktin e thellë mes dashurisë për artin dhe realitetit të ashpër të jetës. Përmes një strukture që alternon ëndrrën me realitetin, autori skenon dramën e verbërisë shpirtërore, ku “të verbërit” e tablosë së ëndrrës janë pasqyra e vetë protagonistit. Kuptohet që verbëria është simbolike, pianisti “nuk e sheh” rrugën e tij artistike, ashtu si personazhet në pikturë. Kur rrëfimtari braktis pianon dhe i futet tregtisë, ai në fakt pranon një jetë pa art, ku Pepja, shoku i tij i biznesit, përfaqëson realizmin brutal: “Lere atë zanat qyqarësh. Jemi burra, s’na shkon sazja.” Megjithatë, edhe në jetën e re, pianoja mbetet simbol i pashlyeshëm. Vendosja e saj në një qoshe të magazinës, tregon se arti megjithatë nuk vdes kurrë plotësisht. Dhe mbase nuk do kishte vdekur nëse bashkëshortja e pianistit, Lina nuk do bënte të ndodhte një ironi tragjike. Drejtori i operës e fton për një koncert, por Lina vetëdijshëm ia fsheh telegramet…

    A ka shpëtim për pianistin? 

    Tregimi mbaron me kthimin në ëndërr, ku protagonisti përsëri sheh tablonë e të verbërve. Përfundimi është i pashmangshëm. Pianisti do të vazhdojë të luajë në heshtje, të ëndërrojë piktura që nuk mund t’i vizatojë (“I sheh këto ëndrra ngaqë nuk di të pikturosh” fjalët e motrës) dhe të jetojë në një purgator artistik, ku as ka shpëtuar e as ka humbur përfundimisht.

    Tregimi që i jep emrin librit “Kohë për nuse” është një elegji artistike për shpirtrat e burgosur. Autori rrëfen në mënyrë introspektive për të pathënat që na ngacmojnë brenda dhe për ndjesinë e çuditshme të vetmisë që ndjejmë veçmas kur jemi të rrethuar nga njerëzit. Kryepersonazhi, një mjek i ri që “studionte deri vonë librat më të rëndë për sëmundjet e zemrës” ndërsa babai i fliste për “familjen që duhet të vazhdojë”, e gjen veten mes dy botësh: njëra ku të gjithë pretendojnë se gjithçka është në rregull dhe tjetra ku ai ka ngecur i pashpresë në një qytet të vogël provincial. Veçori e stilit autorial është përdorimi i fjalëve të thjeshta për të treguar gjëra të thella. Kur nëna vdes, babai fillon të punojë si i marrë, “duke kërkuar gjithmonë diçka për të bërë”, ndërsa djali mendon se “në këtë lojë të jetës, askush nuk fiton vërtet”. Prandaj edhe vdekja nuk është fundi, por vetëm fillimi i një vetmie të re. Dhe në mes të gjithë kësaj, qëndron si hije Zina, vajza me të cilën do ta martojë familja, e cila edhe pse “e di që ai nuk do të kthehet kurrë”, prapë përpiqet të zërë vend në jetën e tij. Çasti kur Zina hyn në shtratin e tij “si një kafshë e lënduar” është nga pjesët më domethënëse të rrëfimit, sepse tregon se, afërsia fizike nuk është dashuri, por thjesht një mënyrë për t’u përballur me jetën që duket se s’ka më kuptim. Kur autori përshkruan “atë lagështi të nxehtë midis tyre”, lexuesi kupton se kjo nuk është lidhje e vërtetë, por thjesht përgjigja instiktive ndaj një jete të mbyllur. 

    Në fund, kur babai thotë se do të martohet përsëri, ndoshta me Zinën, gjithçka bëhet akoma më e trishtë. Martesa, që dikur i dukej si “dhuratë më e mirë për një burrë”, tani duket si një shaka e keqe.

    Te “Një histori dhe një emër gruaje” autori na ofron një tregim që të rrëmben në kërcimin impresionues mes kujtesës dhe harresës, artit dhe jetës si dhe mes atij që ishim dhe atij që u bëmë. Rrëfimi sillet rreth një portreti të fshehur në bodrumet e Galerisë Kombëtare, që ashtu si një sekret i vjetër pret të zbulohet. 

    Marta K., profesoresha e anatomisë që “nuk i ndante sytë” nga studenti i saj, bëhet mediumi përmes të cilit protagonisti përballet me imazhin e vet të humbur. Ajo që fillon si një intrigë e thjeshtë mes profesoreshës dhe studentit, shndërrohet në një eksplorim të thellë të identitetit dhe kalimit të kohës. Në një përzierje mjeshtërore të kujtimeve të fragmentuara dhe reflektimeve filozofike, autori e përdor pikturën si një metaforë të fuqishme: “Piktura dhe unë ecnim në kahe të kundërt”, një deklaratë që fsheh brenda saj gjithë tragjedinë e kalimit të kohës dhe humbjes së vetvetes. 

    Ajo që e bën këtë tregim të prekshëm është mënyra sesi autori e trajton temën e dashurisë së pamundur. Marta K. nuk është thjesht një dashnore, më shumë se aq ajo është krijuesja e një versioni tjetër të protagonistit, ai version që “di gjithçka për mua, ndërsa unë nuk dija asgjë për të”. Marrëdhënia e ndërlikuar mes artistit dhe modelit të sjell në mendje mitin e Pigmalionit, por me një kthim tragjik: këtu statuja e bën artistin të harrojë vetveten. Fundi i tregimit është impresionues: protagonisti përgatitet për takimin me versionin e vet të vjetër, duke veshur “kostumin më të mirë” si për një takim të parë. Ky gjest simbolik na kujton se në fund të fundit, të gjithë përballemi me versionet tona të dikurshme, me ato që mund të kishim qenë apo me ato që na kanë bërë të besojmë se jemi. 

    “Me sy të fiksuar pas një ylli” është një tregim i shkurtër por intensiv, përmes të cilit Lazër Stani na fut në zemrën e errët të një nate ekzekutimi, ku dy burra përballen me fatin e tyre përfundimtar.  

    Lexuesi përballet me një skenë të mbyllur, ku “errësira herë rrallohej e zbehej e herë mblidhej lëmsh”, e ku autori ngre një monument letrar për kurajon dhe integritetin njerëzor. Stani e ndërton tensionin me një ekonomi të rrallë fjalësh. Përshkrimet e tij janë si goditje peneli: “një shkëmb si kurriz krokodili parahistorik”, “hëna e ngrënë si vetull putane”, “dritat e mekura të një kantieri si kandil fitil shkrumbuar”. Çdo detaj është një shenjë simbolike që shton peshën psikologjike të ngjarjes. 

    Autori e përdor me mjeshtëri teknikën e rrjedhës së vetëdijes për të na futur në mendimet e personazhit kryesor. Përmes kujtimeve të tij, ne dëgjojmë “zhaurimën e shiut mbi tjegulla” dhe shohim “shpatin e malit me murriza dhe dëllinja që feks vetëm për një grimë nën flakërimën tmerruese të vetëtimës”. Momenteti kulmant vjen kur i dënuari reflekton: “Ka dhimbje që janë më të rënda se vdekja”. Këtu autori na ofron një të vërtetë universale për natyrën njerëzore, atë se ndonjëherë integriteti moral mund të jetë më i rëndësishëm edhe se vetë mbijetesa. Në fund, kur i dënuari thotë “Nuk mundem”, refuzim ky që “nuk qe i sigurt nëse qe zëri i tij, apo ishte zëri i të vdekurit që ngrihej nga thellësia e tokës”, lexuesi ndjen se ky nuk është thjesht akt rezistence politike, por zgjedhje ekzistenciale që transmetohet përmes brezave. Autori na kujton se në fund të fundit, siç thotë personazhi i tij, “në jetë mund të tradhtosh të gjallët, po kurrë të vdekurit”.

    “Idioti udhëton për Amerikë” titullohet tregimi i radhës, në të cilin autori na sjell një fragment shpërthyes të ekzistencës së një njeriu të bllokuar midis dëshirës për liri dhe ankthit të tradhtisë. Tregimi, i mbështjellë në një atmosferë klaustrofobike dhe të ngopur me paragjykime politike, është një studim i mprehtë i psikologjisë së personazhit kryesor, Tonit, ndërsa ai përgatitet të arratiset nga një sistem shtypës. Ai simbolizon tradhtarin që nuk tradhton: paradoksalisht është plot me ndjenjën e “tradhtisë”, edhe pse nuk ka bërë kurrfarë tradhtie. Struktura e fragmentuar e tekstit, me kërcime midis monologut të brendshëm dhe dialogjeve të shkurtra, krijon një rrjedhë të shqetësuar mendimesh, duke pasqyruar ankthin e personazhit. Simbolika e idiotit shkon përtej titullit. Flitet edhe për “Idioti”-n e Dostojevskit, i cili nuk është një detaj i rastësishëm, por shërben si pasqyrë e Tonit, një i pafajshëm në botën e demaskuar, i cili, si princi Myshkin, ëndërron për një jetë më të mirë, por përfundon i shkatërruar nga realiteti.

    Pjesa më sinjikative e tregimit është pritja e autobusit, ku Toni kalon orë të tëra duke luftuar me dyshimet e veta. Autori e përshkruan psikologjinë e pritjes me precizitet të mprehtë:  “Koha e pritjes është kohë e vdekjes… Koha është e pamjaftueshme për të pritur.”  Tregimi nuk ka një përfundim të qartë. Toni arrin të kalojë kufirin, pa e ditur nëse ka bërë zgjedhjen e duhur. Në letrën e fundit, dërguar një shoku të vjetër, ai lë përshtypjen sikur arratisja ka qenë e kotë.  “Spanja më refuzoi vizën dhe u detyrova të shkoj në Amerikë… Kam një grua që e dua, dy fëmijë, fundjavave shkoj për gjah.”  Ky lloj normaliteti i detyruar sugjeron se Toni nuk e gjeti dot lirinë e vërtetë. Ai thjesht u përshtat.  Si në tregimet e tjera, gjuha e Stanit është e kursyer, por çdo fjali është e ngarkuar me shqetësim ekzistencial. “Idioti udhëton për Amerikë” është një meditim estetik mbi çmimin e lirisë dhe vetminë si dënim.

    “Daiza Zaharia” tregimi i fundit i librit, vjen si një rrëfim që kombinon realizmin politik me ekzistencializmin fetar, duke e lënë lexuesin në reflektime të thella për çmimin e mbijetesës.

    Autori krijon një atmosferë të rëndë dhe të errët, ku shiu, burgu dhe izolimi i fshatit pasqyrojnë gjendjen shpirtërore të personazheve që veprojnë në sfondin e një regjimi totalitar. Daiza, kryepersonazhi që i ka dhënë emrin tregimit lufton midis besimit në Zot dhe dyshimeve për të shoqin, duke e bërë këtë një tregim të thellë psikologjik. Lirimi i papritur i Pjetrit nga kryeministri (pa shpjegim logjik) është një satirë e errët e arbitraritetit të regjimeve totalitare: drejtësia varet nga kapriçot e pushtetit e jo nga faktet. Kjo bën që Pjetri të përballet me një dënim social pasi fshati e sheh si tradhtar, duke e izoluar familjen e tij. Kjo pasqyron stigmën e përndjekjeve politike. Nga ana tjetër, shtatzënia e Daizës përfaqëson një shpresë sado të vogël për të ardhmen, por edhe një barrë emocionale në një botë ku fëmijët trashëgojnë “mëkatet” e prindërve. Përkundrejt ëndrrës së Pjetrit për një djalë “sy kaltër”, vdekja e tij në pyll (e dyshimtë) e lë Daizën vetëm me një të ardhme të pasigurt.  Fundi i Pjetrit është i papritur (në dyshim midis vetëvrasjes dhe vrasjes politike) dhe shton një shtresë misteri dhe dhimbjeje, duke e lënë lexuesin me pyetje të hapura. Autori e lë qëllimisht të paqartë se a u vetëvra Pjetri apo e “eliminuan” autoritetet.  Detaji i syrit të hapur të Pjetrit në arkivol (pa shprehje frike) sugjeron një vdekje prej të tjerëve. Në këtë tregim, Stani përdor një gjuhë të pasur dhe figurative, me përshkrime të gjalla të natyrës dhe emocioneve të personazheve. Është gjuha ajo që balancon bukurinë lirike me ashpërsinë e realitetit.

    Për fund, në këtë libër, Stani ngre një mur në kufirin midis njeriut dhe botës: personazhet luftojnë për të shpëtuar vetveten, ndërsa shoqëria i mbyll në një rreth vicioz ku çdo përpjekje për liri shndërrohet në iluzion.

    “Kohë për nuse” është botuar nga Botimet Fishta.

    ObserverKult

    Lexo edhe:

    ALBANA BEQIRI: KUJTESA QË NUK VDES: ANATOMIA ARTISTIKE E NJË TIRANIE