Pas një beteje të gjatë ligjore, Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm ka konfirmuar se deklaratat e Bashës për dosjen famëkeqe “339” ishin të ligjshme, të bazuara në fakte dhe me interes publik. Rama, që kërkonte të heshtte opozitën përmes gjykatës, është përballur me një dështim të bujshëm juridik dhe moral. Vendimi e vë qartë në qendër të vëmendjes bashkëpunimin e strukturave të Partisë Socialiste me krimin për blerje votash, një krim elektoral që nuk mund të mbulohet më. Pra tani që drejtësia foli, heshtja politike s’është më zgjedhje, pasi është bashkëfajësi.
Detajet
Konkretisht ish-kryetari i Partisë Demorkatike, Lulzim Basha ka fituar dje përballjen gjyqësore me Kryeministrin Edi Rama, i cili e kishte paditur për cenim të nderit dhe personalitetit pas deklaratave publike të vitit 2018 mbi përfshirjen e zyrtarëve të lartë të Partisë Socialiste në aferat e dosjes “339”. Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë rrëzoi padinë e Ramës, duke vlerësuar se deklaratat e Bashës përbënin një opinion politik të ligjshëm, të mbështetur në fakte të njohura publikisht, dhe të bërë në funksion të detyrës së tij si lider i opozitës. Në qendër të deklaratave të kontestuara ishin akuzat për përfshirjen e Vangjush Dakos dhe strukturave të PS-së në bashkëpunim me grupe kriminale për blerje votash, akuza të ngritura nga Basha dhe të mbështetura më pas nga përgjime zyrtare të Prokurorisë, si dhe nga raportime të mediave ndërkombëtare si “BILD” dhe “Zëri i Amerikës”. Në thelb, gjykata pranoi se Basha kishte të drejtë të denonconte publikisht ndërhyrjen e politikës në drejtësi dhe bashkëpunimin me krimin e organizuar, si pjesë e një debati politik me interes të lartë publik.
Çfarë ka ndodhur?
Ndërkohë kujtojmë se ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh në shkurt të vitit 2019 se po përgatitet arrestimi i ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, ndërsa shtoi se askush nuk mund ta shpëtojë Ramën. “Ajo që dua të ndaj me ju një paralajmërim i qartë dhe i prerë për Edi Ramën. Asnjë përpjekje fasadë nuk e shpëton nga përgjegjësia ligjore që ka. Është kapur duke vjedhur zgjedhje me bandat. Orët e fundit janë intensifikuar me lajme se po përgatitet arrestimi i Vangjush Dakos. Dosja 339 faktoi se ai dhe zyrtarë të tjerë janë kapur duke vjedhur vota. Mos arrestimi me urdhër të Edi Ramës. Për të mos e arrestuar Rama flijoi Fatmir Xhafën. Arrestimi i Dakos duhet të ndodhë një orë e më parë por nuk e shpëton dot”, deklaroi ai. Sipas Bashës, Edi Rama mund të flijojë edhe persona të tjerë të afërt me të, por pavarësisht kësaj Kryeministri nuk shpëton dot. Më tej ai u shpreh se protestat për rrëzimin e kësaj qeverie do të jenë të vazhdueshme.
Prej kohësh Partia Demokratike akuzonte ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako, se është i lidhur me bandën e Avdylajve. Akuzat e PD, lidhen me disa përgjime që kanë dalë në media, ku Dako komunikon me njërin nga anëtarët e bandës së Avdylajve, Altin Avdylaj. Sipas PD, Dako bashkëpunoi me Avdylajt për të blerë votat në Durrës, por këto akuza janë hedhur poshtë nga kryebashkiaku, i cili ka thënë se komunikimet me Avdylajt kanë qenë në kuadër të fushatave elektorale dhe pa asnjë prapavijë kriminale. Nga ana tjetër, asokohe, edhe kryeministri Edi Rama reagoi lidhur me përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane “Bild” një ditë pas vizitës së liderit demokrat Lulzim Basha në Berlin. Kreu i qeverisë deklaroi se dosja 339 është mbajtur në sirtar për shantazh, duke shtuar se Vangjush Dako tashmë është njeri i lirë dhe mund të hetohet deri në fund. Rama e konsideron absurd urdhrin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të ndaluar mediat në publikimin e përgjimeve.
“Për sa i përket çështjes, unë them që çështja ka disa aspekte. Kam neveri nga përgjimet, jo nga përdorimi i përgjimeve sepse janë shumë të rrezikshme në aspektin e devijimit nga e vërteta sepse mund të nxirren nga e vërteta. Ka një aspekt edhe moral. Jemi në kushtet kur kryetari i bashkisë së Durrësit nuk është më kandidat. Është një person i lirë që duhet të përgjigjet deri në fund. Përgjimet nuk janë prova, janë indice. Shikoj që ka një shëmti dhe më vjen për të vjellë kur dëgjoj biseda të caktuara. Ajo që është me rëndësi është se sa këto janë muhabete të materializuara me fakte dhe muhabete të njerëzve që bëjnë sikur zgjidhin çështjet në planet. Aspekti ligjor është një katastrofë nga pikëpamja e menaxhimit të këtij procesi. Është përgjegjësi e prokurorëve të ruajnë përgjimet”, deklaronte Rama.