Premtimi kryesor i kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha në Himarë ishte përfundimi i procesit të kthimit të pronave dhe pajisja e banorëve të kësaj zone me certifikatat e pronësisë. Në një takim pjesë e të cilit ishte edhe Fredi Beleri, Berisha deklaroi se prona e himarjotëve nuk do të preket.
“Jam këtu për t’u zotuar para jush se qeveria e ardhshme, paprekshmërinë e pronës, rikthimin dhe kompensimin e saj, pajisjen tuaj me dokumente, të gjitha legalizimet dhe çdo gjë që keni, do t’i ketë përparësi absolute”, tha Berisha.
Berisha akuzoi kryebashkiakun e Himarës Vangjel Tavo dhe kryeministrin Edi Rama se ka marrë prona ne Gjipe që nuk i takojnë.
“I them Vangjel Tavos, misioni yt… bravo, ashtu është. E meriton plotësisht neverinë tuaj. E meriton sepse erdhi vetëm misionar i qëllimeve mafioze të Edi Ramës, i cili me familjen e tij do të plaçkisë tokat e Manastirit të Skutarasë, do të plaçkisë Gjipenë, në një kohë kur familja e tyre ka pasur, sipas dëshmive, katër dhi dhe tre derra. Edi Rama, nuk do e gëzosh kurrë atë tokë. Toka është e këtyre banorëve, është e manastirit dhe ti nuk do ta marrësh kurrë atë”, tha kreu i PD-sw.
Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për korrupsion dhe nga Himara u bëri apel qytetarëve që sa herë dëgjojnë batutat e liderit të mazhorancës të mendojnë për situatën e tyre ekonomike.
“Ftoj çdo nënë, çdo motër, çdo zonjë, çdo zonjushe, që në kohën kur ju qeshni, ai ka futur dorën në xhepat tuaj, ai ka futur dorën në paratë tuaja, ai ka futur dorën në të ardhmen e fëmijëve tuaj. Ai është një dorë e zezë që nuk ka asnjë kufi. Prandaj kujdes se ai u vjedh edhe kur ju buzëqeshni”, tha Berisha.
Pas Himarës Berisha takoi banorët e Borshit të cilëve u shpjegoi programin e Aleancës për Shqipërinë Madhështore.


