Komentet përçmuese të Jen Psakit për Usha Vance e zbuluan lojën: liberalët mendojnë se gratë konservatore duhet të jenë të shtypura
Nga Kara Kennedy – The Telegraph
Në prag të zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së në vitin 2024, një grup fushate pro-demokrat publikoi një reklamë të rrëfyer nga Julia Roberts. “Në vendin e vetëm ku gratë ende kanë të drejtën të zgjedhin, ti mund të bësh gjënë e duhur,” thuhej në të, që, sigurisht, nënkuptonte të votohej për Kamala Harrisin, një kandidate me pak gjallëri dhe ide të këqija, thjesht sepse ishte grua. Nënteksti ishte se votueset e shtypura mund t’u jepnin zë mendimeve të tyre domosdoshmërisht të majta vetëm në fshehtësinë e dhomës së votimit.
Në atë kohë, disa pyetën veten nëse reklama ishte shaka. Por këta njerëz ekzistojnë, ata që besojnë se kushdo që voton ose mendon ndryshe nga ata duhet të jetë budalla, racist, mizogjen, i keq apo i abuzuar. Ndonjëherë, këta njerëz mbajnë pozicionet më me ndikim në vend.
Këtë javë, ish-sekretarja për shtyp e Biden-it, Jen Psaki, u shfaq në një podcast për të diskutuar për zv/presidentin e SHBA-së, JD Vance, dhe në këtë mënyrë, zbuloi se sa thellë shkon ky përçmim.
“Gjithmonë pyes veten çfarë ndodh në mendjen e gruas së tij,” tha Psaki me atë tonin e vet të vetëkënaqur, tipik për mikpritëset e The View. “A je mirë? Të lutem, më kapsiti sytë katër herë… Ne do të të shpëtojmë.”
Ajo që Psaki dukej se nuk e dinte, ose më keq, nuk i interesonte, është se Usha Vance nuk është një bashkëshorte e bindur nga Apalashet që fshihet pas sobës me dru. Ajo është një juriste e diplomuar në Yale, që ka punuar si asistente ligjore për kryegjyqtarin John Roberts në Gjykatën e Lartë të SHBA-së dhe për Brett Kavanaugh. Ajo ka tre fëmijë, një CV mbresëlënëse dhe një jetë që sugjeron se mund të gjunjëzonte intelektualisht shumicën e njerëzve në Uashington përpara mëngjesit me familjen e saj të bukur. Ajo mund ta vinte në majë të gishtit Jen Psakin, sekretare shtypi të lëkundur, të hutuar dhe patetike.
Të supozosh se Usha Vance-it i është “shpëlarë truri”, është e bullizuar apo e kapur nga politika e bashkëshortit, është më shumë se fyese. Kjo na tregon se Psaki, dhe shumë të tjerë që ofruan “kapsit sytë nëse ke nevojë për ndihmë”, thjesht nuk mund ta imagjinojnë një grua të zgjuar e të suksesshme që zgjedh lirisht konservatorizmin. Imagjinata liberale ka kufijtë e saj, dhe njëri prej tyre është ideja se gratë mund të shkojnë edhe jashtë ortodoksisë progresiste.
Kjo është ajo që e bën komentin e Psakit shumë më të keq se një shaka pa kripë. Është një rrëfim, jo për Usha Vance-in, por për botëkuptimin patronizues të një klase të caktuar feministe që nuk mund të imagjinojë mospajtimin pa mosfunksionimin. Nëse je grua konservatore, ata supozojnë se të kanë shpëlarë trurin. Nëse je e martuar me një burrë konservator, duhet të jesh e tmerruar.
Ka edhe një aspekt më pak serioz në këtë histori me Psakin: dëshpërimi për vëmendje i ish-zyrtarëve të Biden-it që tani përpiqen të mbeten të rëndësishëm, pasi u ekspozuan si bashkëfajtorë në atë që duhet konsideruar si një nga fshehjet më të mëdha në historinë amerikane, rënien mendore të Biden-it. Psaki, me vendin e saj në MSNBC dhe daljet nëpër podcaste, duket se është futur në një garë me Karine Jean-Pierre, një tjetër ish-sekretare shtypi e Biden-it, e cila tani është gjithashtu në turne vetëpromovues. Pyetja që lind është: cila prej tyre mund të viktimizohet më shumë nga mediokriteti i vet?
Libri i ri i Jean-Pierre, Independent: A Look Inside a Broken White House, Outside the Party Lines, duket si një studim i vetëkeqardhjes i maskuar si përparim. Në të, ajo ankohet se ishte kritikuar si “tepër e ngurtë” dhe se i mungonte thellësia në politika, gjë që, siç shpjegon, duhet të ketë ndodhur sepse “askush që ka qenë në atë podium nuk ka pasur kurrë pamje si unë”. Ajo ngul këmbë se, si grua me ngjyrë, “gjërat janë thjesht ndryshe”. Sipas saj, Partia Demokratike në fund të fundit dështoi ndaj grave me ngjyrë, të cilat ajo i trajton jo si individë me vullnet, por si një bllok votues monolit për t’u lëvduar, për t’u bërë të ndihen në faj dhe “të ndihen të vërejtura”.
Kjo është fija që lidh Psakin dhe Jean-Pierre-n: instinkti për t’i trajtuar gratë si të brishta, duke këmbëngulur se bota është e ndërtuar kundër tyre dhe se mbrojtja e vetme është besnikëria ndaj së Majtës. Një grua si Usha Vance e shemb këtë iluzion vetëm me ekzistencën e saj. Ajo nuk është viktimë, as simbol, as histori për të qarë. Ajo është bashkëshorte, nënë dhe juriste, ndoshta në atë rend, dhe duket shumë mirë pa misionin “shpëtimtar” të Psakit.
Sa për Jean-Pierre-n: ajo duket se beson sinqerisht se do të mbahet mend si një nga sekretaret për shtyp më të keqtrajtuara në histori për shkak të ngjyrës së lëkurës, e jo sepse ishte jashtëzakonisht e keqe në punën e saj. Gjë që ishte e vështirë, duke pasur parasysh që shefi i saj e kishte njërën këmbë në varr. Detyra e saj ishte t’u thoshte të vërtetën amerikanëve, por në vend të kësaj, i trajtoi si fëmijë.
Këto gra, Psaki, Jean-Pierre, madje edhe Julia Roberts, flasin pafund për fuqizimin e grave, por politika e tyre mbështetet në supozimin se gratë janë të brishta, budallaqe dhe lehtësisht të manipulueshme. Nuk është konservatorizmi ai që i trajton gratë si fëmijë. Është progresivizmi që e bën këtë, dhe pastaj e shet infantilizimin si çlirim, dhe të etiketon si të keqe ose të frikësuar nëse nuk luan sipas skenarit të tyre. / The Telegraph – Syri.net