Tag: vaksinimit

  • Vaksina antigrip, apeli i të moshuarve për t’u vaksinuar, platformës “e-Albania” mund të zgjedhësh vendin dhe kohën

    Vaksina antigrip, apeli i të moshuarve për t’u vaksinuar, platformës “e-Albania” mund të zgjedhësh vendin dhe kohën

    Me nisjen e fushatës së vaksinimit antigrip prej 22 shtatorit, në të gjitha qendrat shëndetësore në vend janë shpërndarë 280 mijë doza vaksinash, të cilat janë tashmë në dispozicion të qytetarëve.
    Për herë të parë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ofron për të gjithë qytetarët mundësinë e zgjedhjes së vendit dhe kohës së vaksinimit, përmes platformës “e-Albania”.

    Duke theksuar rëndësinë e vaksinimit antigrip, kryeministri Edi Rama ndau sot apelin e disa të moshuarve për t’u vaksinuar.

    “Të moshuarit ju ftojnë të vaksinoheni, për veten, për familjen, për jetën. Rezervoni datën dhe orën për veten dhe fëmijët nëpërmjet e-Albania”, u shpreh Rama.
    Vaksina antigrip mbetet mbrojtja më e mirë dhe më efikase kundër virozave respiratore të shkaktuara nga viruset e gripit që qarkullojnë në stinën e vjeshtës.
    Aktualisht ka filluar vaksinimi i personelit shëndetësor, ndërsa janë njoftuar qytetarët, gratë shtatzëna, fëmijët dhe të gjithë personat që paraqesin rrezik në këtë periudhë. Gjithashtu, Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor ka angazhuar edhe grupin e punës që do të kryejë vaksinimin në banesë.
    Sipas udhëzimeve të MSHMS, vaksina antigrip mund të bëhet nga personat mbi 65 vjeç, të sëmurët kronikë, ata me probleme të sistemit kardiovaskular, të sistemit pulmonar dhe të sistemit renal. E këshillueshme është që vaksina të bëhet edhe nga gratë shtatzëna dhe fëmijët e moshës mbi gjashtë muajsh.

  • Shpërndahen 280 mijë vaksina antigrip, ISHP: Janë polivalente dhe luftojnë viruset e gripit A dhe B

    Shpërndahen 280 mijë vaksina antigrip, ISHP: Janë polivalente dhe luftojnë viruset e gripit A dhe B

    Gripi sezonal ende nuk ka trokitur, por ISHP është bërë gati të nisë fushatën kombëtare të vaksinimit. 280 mijë doza të vaksinës kundër gripit sezonal janë shpërndarë në qendrat shëndetësore të vendit.
    Vaksina e këtij sezoni është 4-valente dhe përmban dy llojet e virusit të gripit A dhe B.
    “Është një vaksinë e cila vjen, që është katërvalente ku i përmban të dyja llojet e gripit që po qarkullojnë aktualisht në Australi dhe priten që të vijnë edhe në Shqipëri, që është virusi A dhe B. Të dyja janë pjesë e vaksinës dhe normalisht na mbrojnë nga të dy viruset që ne presim të vijnë në Shqipëri”, thotë Rovena Daja, përgjegjëse e programit të vaksinimit në ISHP.
    Grupet e para që do të vaksinohen këtë javë do të jenë personeli shëndetësor, i cili mbron veten dhe pacientët, për të vijuar më pas me grupet e tjera që punojnë në komunitet.
    “Pas vaksinimit të tyre, i cili mbaron brenda javës së fundit, besoj të shtatorit, fillon vaksinimi i të gjithë personave që janë me probleme shëndetësore, me probleme kardiovaskulare. Ndërkohë të gjithë personat të cilët janë rekomanduar për t’u vaksinuar, mësuesve që janë në kontakt me nxënësit e tyre. Të gjithë grupet e riskut janë të rekomanduar që të vaksinohen në këto momente, por duhet të dini që nuk kthejmë mbrapsht askënd që dëshiron të vaksinohet. Edhe gjatë vitit të kaluar, nga eksperienca kam parë që ka shumë njerëz të shëndetshëm, pa probleme shëndetësore dhe që nuk janë mbi 65 vjeç, por për faktin që sëmuren shpesh me viroza apo me grip, e aplikojnë vaksinën”, thekson ajo.
    Autoritetet e shëndetit publik thonë se edhe këtë sezon dimëror, së bashku me gripin, do të kemi edhe bashkëqarkullim të Covid.
    “Kovid nuk ka mbaruar absolutisht, raste kemi. Nuk janë raste shumë të rënda apo që shtrohen në spital, por dimri pritet të na sjellë më shumë raste pozitive”, nënvizon Daja.
    Vaksina e gripit ofrohet falas pranë mjekut të familjes dhe mbron personat në risk të lartë shëndetësor nga komplikacionet e rënda.

  • Sezoni gripal në vend/ ISHP, në gatishmëri: Kemi gati 280 mijë doza të vaksinës

    Sezoni gripal në vend/ ISHP, në gatishmëri: Kemi gati 280 mijë doza të vaksinës

    Instituti i Shëndetit Publik njofton se në prag të sezonit gripal në vend, autoritetet kanë marrë masat për mbulimin vaksinal të popullsisë. Sipas ISHP, në vend kanë mbërritur 280 mijë doza të vaksinës GC FLU 4.
    Instituti i Shëndetit Publik thekson rëndësinë e vaksinimit të personelit shëndetësor dhe të grupeve të popullsisë që janë më të rrezikuarit, si të moshuarit, gratë shtatzëna, pacientët me sëmundje kronike etj.
    Njoftimi i Institutit të Shëndetit Publik:
    Fillon sezoni i gripit 2025–2026
    280 000 doza të vaksinës GC FLU 4 valente kanë mbërritur në Institutin e Shëndetit Publik.
    Në kuadër të përgatitjeve, ISHP dhe OSHKSH zhvilluan dy takime online me rreth 100 profesionistë shëndetësorë: mjekë, epidemiologë, pediatër, vaksinatore, përfaqësues të NJVKSH-ve dhe drejtues spitalesh.
    Diskutimet u fokusuan në:
    Rëndësinë e vaksinimit për grupet më të rrezikuara (të moshuarit, gratë shtatzëna, pacientët me sëmundje kronike),
    Domosdoshmërinë e vaksinimit të personelit shëndetësor,
    Forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve shëndetësore për mbulim sa më të gjerë vaksinal.
    Vaksinimi ndaj gripit sezonal është një ndërhyrje thelbësore për të reduktuar sëmundshmërinë, shpëtuar jetë dhe mbrojtur shëndetin e komunitetit.

  • Viti i ri shkollor, prindërit duhet të paraqesin pranë shkollave certifikatat e vaksinimit të fëmijëve

    Viti i ri shkollor, prindërit duhet të paraqesin pranë shkollave certifikatat e vaksinimit të fëmijëve

    Kur kanë mbetur pak ditë nga fillimi i vitit të ri shkollor për sistemin parauniversitar, prindërit duhet të paraqesin pranë drejtorive të shkollave, qofshin ato publike apo jopublike, certifikatat e vaksinimit të fëmijëve.
    Autoritetet shëndetësore rikujtojnë drejtuesit e shkollave, çerdheve dhe kopshteve se nuk mund të pranojnë në institucionet e arsimit asnjë fëmijë i cili nuk ka kryer vaksinat sipas kalendarit të detyrueshëm.

    Ligji për sëmundjet infektive parashikon gjoba për drejtuesit e këtyre institucioneve që pranojnë fëmijë të pavaksinuar në shkolla apo çerdhe e kopshte, qofshin edhe në vit të parë gjimnaz.
    Rënia e mbulesës vaksinale, sidomos në vaksina të kalendarit të detyrueshëm, ka bërë që ekspertë të Institutit të Shëndetit Publik t’i kërkojnë Inspektoratit Shëndetësor Shtetëror që të tregohet strikt në kontrollin dhe ndëshkimin e drejtuesve që shkelin ligjin.
    Tashmë edhe për prindërit është lehtësuar tërheqja e certifikatës së vaksinimit, pasi nuk është më e detyrueshme të paraqiten në qendrën shëndetësore për të tërhequr këtë dokument. Kartela e vaksinave mund të merret në format elektronik, si nga prindi, ashtu edhe nga vetë institucioni arsimor, nëpërmjet portalit e-Albania.
    Një fëmijë i pavaksinuar ndaj fruthit jo vetëm rrezikon veten e tij, por bëhet burim për përhapjen e kësaj sëmundjeje ngjitëse dhe me pasoja fatale edhe për fëmijët e tjerë të klasës.

  • Të dhënat qeveritare thonë se normat e vaksinimit në SHBA për fruthin dhe sëmundje të tjera bien më tej

    Të dhënat qeveritare thonë se normat e vaksinimit në SHBA për fruthin dhe sëmundje të tjera bien më tej

    Normat e vaksinimit kundër sëmundjeve të tilla si fruthi, difteria dhe poliomieliti kanë rënë tek kopshtarët në Shtetet e Bashkuara për vitin shkollor 2024-2025 krahasuar me një vit më parë, sipas të dhënave të publikuara të enjten nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).

    Ky publikim vjen në një moment kritik, kur vendi po përballet me një shpërthim në rritje të fruthit, me numrin më të lartë të rasteve të konfirmuara për muajin korrik që nga viti 2000, kur sëmundja u shpall e eliminuar.

    Sipas CDC-së, tendenca në rënie e vaksinimit ka nisur që nga pandemia e COVID-19. Mbulesa për vaksinën kundër fruthit, shytave dhe rubeolës (MMR) ka zbritur nga 95.2% në vitin shkollor 2019-2020 në 92.7% vitin e kaluar, dhe tani është ulur në 92.5%. Në Teksas, që ndodhet në epiqendrën e shpërthimit aktual, mbulimi me MMR ka rënë në 93.2% nga 96.9% që ishte në vitin 2019.

    CDC vëren se mbrojtja kolektive kundër fruthit kërkon që më shumë se 95% e komunitetit të jenë të vaksinuar. Megjithatë, përveç rënies së vaksinimit, është rritur edhe përqindja e përjashtimeve nga vaksinat, duke arritur në 3.6% për vitin shkollor aktual nga 3.3% vitin e kaluar. Këto përjashtime, që mund të jepen për arsye mjekësore apo fetare, janë rritur në 36 shtete dhe Distriktin e Kolumbisë, ndërsa 17 shtete kanë raportuar përjashtime mbi 5%.

    Një zëdhënës i Departamentit të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS) tha se shumica e fëmijëve vazhdojnë të marrin vaksinat rutinë të fëmijërisë, ndërsa theksoi se vaksinimi mbetet mënyra më efektive për të mbrojtur fëmijët nga fruthi dhe kolli i mirë. “Vendimi për t’u vaksinuar është personal,” tha ai. “Prindërit duhet të konsultohen me mjekët për të zgjedhur alternativat më të përshtatshme për familjet e tyre.”

    Ndërkohë, Sekretari aktual i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., ka qenë kritik ndaj sigurisë së vaksinave, ndonëse qëndrimet e tij bien ndesh me provat shkencore dhe kanë ngritur shqetësime mes ekspertëve për ndikimin në opinionin publik.

  • Kërcënim global për shëndetin, epidemitë rikthehen për shkak të…

    Kërcënim global për shëndetin, epidemitë rikthehen për shkak të…

    Komuniteti global po përballet me një krizë serioze të shëndetit publik, pasi sëmundjet që konsideroheshin pothuajse të zhdukura po rishfaqen dhe po kërcënojnë jetën njerëzore, ndërsa programet e vaksinimit po shemben.

    Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), UNICEF dhe Aleanca e Vaksinave (Gavi) paralajmërojnë se dekada të tëra progresi rrezikojnë të humbasin nëse nuk ka forcim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm të programeve të vaksinimit.
    Sipas një artikulli të botuar në revistën mjekësore “JAMA”, një shembull tipik i përkeqësimit të situatës është fruthi, rastet e të cilit u rritën me 20% vetëm në një vit, nga 8.6 milionë në 10.3 milionë nga viti 2022 në vitin 2023.
    Kjo rritje përkon me një rënie të shkallës së vaksinimit, pasi mbulimi i dozës së parë të vaksinës kundër fruthit ra nga 86% në vitin 2019 në 81% në vitin 2021, shkalla më e ulët që nga viti 2008.
    Rritje shqetësuese po vërehen edhe në sëmundje të tjera:
    Në Afrikë, rastet e meningjitit po rriten në mënyrë dramatike, me mbi 5,500 raste të dyshuara dhe gati 300 vdekje të regjistruara vetëm në tremujorin e parë të vitit 2025. Ethet e verdha, të cilat ishin ulur ndjeshëm nëpërmjet fushatave të vaksinimit, po rikthehen në plan të parë, me dhjetëra raste të konfirmuara në Afrikë dhe Amerikën Latine. Edhe difteria, e cila praktikisht ishte zhdukur nga shumë vende, tani konsiderohet e mundshme të rishfaqet.
    Sipas ekspertëve, shifrat janë zemërthyese. Në vitin 2023, afërsisht 14.5 milionë fëmijë në mbarë botën nuk morën asnjë nga dozat bazë të vaksinimit. Ky numër është duke u rritur vazhdimisht, nga 12.9 milionë në vitin 2019 në 13.9 milionë në vitin 2022.
    Pse po ndodh kjo?
    Më shumë se 50% e këtyre fëmijëve jetojnë në vende të prekura nga konflikti i armatosur, paqëndrueshmëria politike ose krizat humanitare, dhe qasja në shërbimet themelore shëndetësore është e kufizuar ose inekzistente.
    Pavarësisht seriozitetit të situatës, shumë vende po bëjnë shkurtime të konsiderueshme në financimin e sektorit të shëndetësisë.
    Një raport i OBSH-së zbulon se pothuajse gjysma e vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme kanë probleme serioze me programet e vaksinimit, furnizimin me vaksina dhe funksionimin e mekanizmave të mbikëqyrjes së sëmundjeve.
    Vaksinat mbeten ndërhyrja më efektive nga ana e kostos në sektorin e shëndetësisë, duke shpëtuar afërsisht 4.2 milionë jetë çdo vit dhe ofrojnë një kthim të investimit, të vlerësuar në 54 dollarë për çdo 1 dollar të shpenzuar.
    Pavarësisht çdo sfide, ka disa elementë pozitivë: Eliminimi i meningjitit A në Afrikë konsiderohet një nga sukseset e mëdha të viteve të fundit.
    Vaksina HPV, e cila mbron nga kanceri i qafës së mitrës, ka parë mbulimin e saj në Afrikë të dyfishohet nga 21% në vitin 2020 në 40% në vitin 2023.
    Vaksinat kundër malaries tashmë po shpërndahen në 20 vende afrikane, me potencialin për të shpëtuar deri në 500,000 jetë deri në vitin 2035. Iniciativa Big Catch-Up, e nisur në vitin 2023, synon të kompensojë vaksinat e humbura gjatë pandemisë, por qëndrueshmëria e saj varet nga burimet e reja financiare.
    Thirrje për veprim të menjëhershëm
    UNICEF, OBSH dhe Gavi u bëjnë thirrje qeverive, donatorëve dhe shoqërisë civile që të rrisin mbështetjen e tyre për programet e vaksinimit. Në të njëjtën kohë, ata u bëjnë thirrje shteteve të përmbushin angazhimet e tyre ndaj Axhendës së Vaksinimit 2030 (IA2030), e cila synon të arrijë akses universal në vaksina.
    Më 25 qershor 2025, Gavi do të mbajë një samit të nivelit të lartë, duke kërkuar të mbledhë të paktën 9 miliardë dollarë për periudhën 2026 deri në 2030. Ky plan ambicioz synon të mbrojë 500 milionë fëmijë dhe të shpëtojë 8 milionë jetë nga sëmundje të parandalueshme.
    Suksesi i projektit dhe shëndeti i miliona fëmijëve në mbarë botën tani varet nga vullneti politik dhe solidariteti global.

  • “Shtohet hezitimi ndaj vaksinave”, ISHP: Dezinformomi solli shpërthimin e fruthit dhe pertusit

    “Shtohet hezitimi ndaj vaksinave”, ISHP: Dezinformomi solli shpërthimin e fruthit dhe pertusit

    Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini, e ftuar në emisionin “Mirëmëngjesi Shqipëri” ka theksuar rëndësinë jetike të vaksinimit dhe kontrolleve shëndetësore të rregullta, në një kohë kur hezitimi ndaj vaksinave po rritet ndjeshëm, sidomos pas periudhës së pandemisë COVID-19.
    Sipas Tominit, pavarësisht rekomandimeve ndërkombëtare për marrjen e një doze përforcuese kundër COVID-19 një herë në vit, është vënë re një zbehje në interesin për vaksinim në tërësi.
    “Ka pasur shtim të hezitimit sa i përket vaksinimit në tërësi, jo vetëm zbehjes së COVID 19 që sipas rekomandimeve të ndërkombëtarëve rekomandohet një dozë kujtese një herë në vit. Koncepti i një programi të tërë vaksinimi nis që në fëmijërinë e hershme dhe përvijon gjatë gjithë jetës.
    Ne rekomandojmë vaksinimin për programin kombëtar të vaksinimit në moshën fëminore deri në 18 vjeç dhe promovojmë aplikimin e vaksinës së gripit.
    Koncepti i një programi të plotë vaksinimi nis në fëmijërinë e hershme dhe vazhdon gjatë gjithë jetës. Ne rekomandojmë vaksinimin sipas programit kombëtar deri në moshën 18 vjeç dhe gjithashtu promovojmë vaksinën e gripit sezonal,” – tha Tomini.
    Drejtoresha e ISHP paralajmëroi se përhapja e dezinformatave ka ndikuar drejtpërdrejt në shëndetin publik, duke çuar në shpërthime epidemike si fruthi dhe pertusi, që u regjistruan paralelisht për një periudhë gjashtëmujore gjatë vitit 2024.
    “Industritë farmaceutike që janë në konkurrencë japin induksion, informacion të gabuar, duke induktuar mendimin dhe sugjestionimin e popullatave, bëri të kushte zbehje dhe solli shpërthim epidemik paralale, fruthi dhe pertusi që shkuan si dy shpërthime paralele gjatë 2024-ës për 6 muaj me radhë.”, tha ajo.
    Drejtoresha e ISHP bëri thirrje për bashkëpunim më të ngushtë me strukturat shëndetësore dhe për marrjen e informacionit vetëm nga burime zyrtare dhe të besueshme. Sipas Tominit, këshillimi me mjekun është hapi më i sigurt për çdo vendimmarrje mbi shëndetin.
    Ajo bëri të ditur se përveç vaksinave të detyrueshme për fëmijët, në program janë përfshirë edhe vaksina për udhëtarët, si dhe vaksinime të posaçme për të parandaluar forma të ndryshme të sëmundjeve alergjike.
    Tomini theksoi se fuqizimi i sistemit imunitar duhet të mbështetet edhe nga faktorë të jashtëm si vaksinat, duke kujtuar se nga viti 2019 ka pasur një rënie të ndjeshme të përqindjes së vaksinimit në popullatë, fenomen që lidhet me mungesën e informacionit të saktë dhe përhapjen e teorive të rreme.
    “Sot, shoqëria përballet me rryma dhe ndikime të ndryshme që krijojnë dyshime, veçanërisht ndaj vaksinave. Ka pasur pretendime të pabazuara shkencërisht për lidhjen mes vaksinës MMR dhe autizmit, por këto janë rrëzuar me kohë dhe artikujt përkatës janë tërhequr nga botimi për mungesë të provave”, deklaroi Tomini.

  • Pakistan: Fushatë kombëtare kundër poliomielitit mes kërcënimeve nga militantët

    Pakistan: Fushatë kombëtare kundër poliomielitit mes kërcënimeve nga militantët

    Pakistani ka nisur një fushatë të dytë javore të vaksinimit mbarëkombëtar, me synimin për të mbrojtur 45 milionë fëmijë nga poliomieliti, kanë bërë të ditur zyrtarët e shëndetësisë. Ndërsa autoritetet përpiqen të çrrënjosin virusin, punonjësit e shëndetësisë përballen me sulme të shpeshta nga militantë, të cilët pretendojnë në mënyrë të rreme se vaksinat janë pjesë e një komploti perëndimor për të sterilizuar fëmijët myslimanë.

    Të hënën, policia vrau një militant që hapi zjarr ndaj oficerëve që shoqëronin ekipin e vaksinimit në provincën Khyber Pakhtunkhwa, ndërsa zyrtarët konfirmuan se oficerët ishin të padëmtuar. Sipas OBSH-së, Pakistani dhe Afganistani janë vendet e vetme ku poliomieliti ende nuk është çrrënjosur.

    Këtë vit janë regjistruar vetëm gjashtë raste, ndryshe nga viti i kaluar kur u raportuan 74. Ministri i Shëndetësisë, Mustafa Kamal, u ka bërë thirrje prindërve të bashkëpunojnë me stafin mjekësor që shkon derë më derë për të ofruar vaksinën. Që nga vitet 1990, mbi 200 punonjës shëndetësorë dhe oficerë policie janë vrarë në sulme të ngjashme.

  • “Vaksinat kanë mish derri, nuk e lejon feja!” Myslimania akuzon mjeken: Je bashkëpunëtore në krim

    “Vaksinat kanë mish derri, nuk e lejon feja!” Myslimania akuzon mjeken: Je bashkëpunëtore në krim

    Rritja e rasteve me fruth në vendin tonë dhe mungesa e vaksinimit për shkak të teorive të autizmit ka ndezur debatin në studion e “Dita Jonë” mes mjekëve dhe mësueses myslimane Esmere Kola. Kjo e fundit ka akuzuar mjeken epidemiologe në Fier, Anila Muçi si bashkëpunëtore në krim për shkak të moszbatimit të protokollit shtetëror për vaksinat.
    “Pse nuk i hapni vaksinat, a keni ekspertë çfarë ka vaksina brenda qetësojini njerëzit. Paguhesh me taksat e mia dhe nuk mund të lozësh me jetën e njeriut. Edhe ti doktoreshë ke marrë pjesë në krim, se vuajnë familjet shqiptare, je bashkëpunëtore në krim”, tha Kola.
    Në përgjigje të saj epidemiologia iu përgjigj: “Unë marr pjesë në krim që punoj për të parandaluar sëmundjen e fëmijëve tuaj? Jam bashkëpunëtore për të mbrojtur shëndetin e fëmijëve. Këtë e pranoj”.
    Deklarata e myslimanes në studion e A2 CNN, u kundërshtua nga mjeku Ilir Alimehmeti.
    “O merrem unë me sistemin unë, ose nuk merret njeri me sistemin shëndetësor. Nuk e pranoj dot ti thuash një mjekeje bashkëpunëtore në krim. Është ofendim i rëndë”.
    Në A2 CNN, Kola tha se para se të bëhet vaksina, duhet të kryhen analiza për sistemin imunitar dhe sipas saj duhet të ketë vaksina të ndara. Ajo tha se vaksinat kanë përbërje derri, çka nuk e lejon feja myslimane dhe për këtë arsye nuk mund t í vaksinojnë fëmijët.
    “Ndryshoni këndvështrimin dhe zbatoni rregulloren që ka përcaktuar shteti. Të gjithë fetë janë pro vaksinimit, dhe librat hyjnorë e nxisin njeriun që të kërkojë shërim. Përbërja e vaksinave është bërë shqetësim kryesor edhe në Amerikë, sepse në religjionin e tyre thonë që përbërja e vaksinës ka elementë nga fetuse të abortuar, që ato e quajnë krim. Kurse në islam ne e kemi të ndaluar të përdorim produkte me përmbajtje derri dhe të gjitha mikrobet janë të përqëndruara në xhelatinë derri. Meqë nuk zbatojnë protokollin, le të na sjellë shteti në një xhelatinë që ne e pranojmë”.
    Por mjekja Muçi reagoi duke i shpjeguar se çdo vaksinë ka të lexueshme përbërjen e saj.
    “Nëse ju dyshoni çdo vaksinë ka me vete edhe patentën nga se është e përbërë dhe të gjithë elementët që ka brenda. Para se t’i vaksinoni fëmijët, i lexoni. Lexo patentën e vaksinës dhe je ok, është e bashkëlidhur aty”.
    Kola këmbënguli në zbatimin e protokollit që sipas saj para vaksinimit duhet të kryhen analiza për të parë ndaj kujt mikrob është rezistent fëmija, në të kundërt ajo tha se nuk do ta vaksinojë.
    “Nuk e ndiqni protokollin, nesër do jetë për kopsht fëmija im. Nëse fëmijës sim nuk i ofrohet analizë për të parë sistemin imunitar, unë nuk e vaksinoj. Ose të zbatohet protokolli ose nuk e vaksinoj. Mos i vrisni fëmijët  e shqiptarëve”.
    Ndërkohë mjekja Muçi bëri thirrje për mbulesë vaksinale prej 95% për mbrojtje më të mirë nga fruthi.