Tag: vajit

  • Rënia e prodhimit rrit deri 11% çmimin e vajit të ullirit, ja me sa shitet në treg

    Rënia e prodhimit rrit deri 11% çmimin e vajit të ullirit, ja me sa shitet në treg

    Për shumë zona të vendit sivjet sasia e prodhuar e ullinjve është deri 50% më pak sesa vjet.
    Fermerë dhe përpunues pohojnë se rënia e prodhimit është ndikuar nga kushtet klimaterike, veçanërisht thatësira e muajve të verës dhe mungesa e mekanizmit për punët në ullishte.
    Rënia e prodhimit të ullinjve ka ndikuar në rritjen e çmimit të vajit të ullirit për grumbullim, duke vështirësuar situatën e konkurrueshmërisë në eksport.
    Agron Çakalli drejtues i Federatës Bujqësore në Elbasan tha se prej fermerëve të zonave të Elbasanit dhe Gramshit vaji po grumbullohet me çmim 700 lekë për litër.
    Vitin e kaluar, çmimi mesatar i grumbullimit të vajit të ullirit varionte nga 620 deri në 630 lekë për litër, pra nën kufirin prej 650 lekësh. Ndërsa këtë vit, çmimi ka arritur në 700 lekë për litër ose edhe më lart, kryesisht për shkak të rënies së prodhimit. Çmimi i vajit për grumbullim është rritur deri 11%.
    Përpunuesit ngrenë shqetësimin se çmimi i vajit të ullirit si lëndë e parë vijon të mbetet më i larta sesa vendet e tjera prodhuese të ullinjve. Sipas tyre në Greqi dhe Spanjë vaji i ullirit për grumbullim, po shitet prej fermerit me çmim nën 5 euro për litër.
    “Dikur kemi pasur tregti të qëndrueshme me Greqinë, por prej dy vitesh nuk eksportohet më vaj ulliri atje, pasi çmimi në tregun grek rezulton më i ulët se sa në vendin tonë. Edhe blerësit italianë nuk po vijnë më, sepse çmimi i vajit në Itali është më i lirë”, pohon Çakalli.
    Aldo Jolla përpunues dhe grumbullues në zonën e Dumresë gjithashtu tha se edhe sivjet çmimi i kërkuar nga fermerët është i pakunkurrueshëm për eksport.
    Sipas tij prej fermerëve vaji po kërkohet me çmim 600 deri 650 lekë për litër, teksa prej grosistëve italianë vaji po kërkohet me çmim deri 450 lekë për litër. Në këtë zonë çmimi i kërkuar është gati në nivelet e vitit të kaluar.
    “Çmimi i vajit të ullirit vijon të mbetet i lartë krahasuar me çmimin e vajit të ullirit të prodhuar në Europë. Çmimet variojnë 4.3 euro për litër në Spanjë dhe 4.5 euro për litër në Greqi.
    Fermeri shqiptar nuk konkurron dot me këto çmime, pasi kostoja e prodhimit për të mbetet e lartë. Ndërsa ne si grumbullues nuk mund të blejmë vaj me këtë çmim, pasi nuk konkurrojmë dot në eksport. Nga mungesa e eksportit rrezikohet të rritet stoku i vajit të fermerëve në shtëpi”.
    Përpunuesit rendisin një sërë arsyesh se pse prodhimi vendas nuk arrin të konkurrojë fqinjët.
    Duke përfshirë kostot e larta të prodhimit që janë jo vetëm për shkak të pagave të larta për punonjësit, por edhe nga mekanizimi i ulët që nuk nxit rritjen e rendimentit, mungesa e subvencioneve për çdo litër vaj të prodhuar nga fermeri, siç në Greqi ku shteti subvencionin fermerin 1 euro për litër dhe nga niveli i lartë informalitetit të shitjeve në vend./Monitor

  • Fermerët paralajmërojnë më pak vaj ulliri në treg, rendiment i ulët, por cilësi e lartë

    Fermerët paralajmërojnë më pak vaj ulliri në treg, rendiment i ulët, por cilësi e lartë

    Kultivues, grumbullues dhe përpunues të ullirit në të gjithë vendin paralajmërojnë ulje të sasisë së ullinjve dhe vajit të ullirit këtë sezon. Report TV ka qenë në të gjitha zonat ku të ardhurat nga ky biznes janë burimi i vetëm i ekonomive familjare.

    Fier

    Kodrat e Kurjanit në Roskovec janë 90% të mbjella me ullinj, kulturë kjo që siguron të ardhurat kryesore për fermerët. Ky vit ka sjellë prodhim të ulët për shkak të dëmtimeve gjatë lulëzimit nga i ftohti dhe mungesa e reshjeve.

    Astrit Abedinaj, kultivues i ullinjve tha se “kam 700 rrënjë ullinj. Vitin e kaluar prodhova 230 kuintalë, këtë sezon nuk do arrij as gjysmën. Edhe pse përdor plehra organike, moti i keq bëri të vetën. Kërkojmë ndihmë nga ekspertët për shërbime dhe maksimizimin e prodhimit për vitin tjetër.”

    “Rënia e prodhimit do të dëmtojë rëndë ekonominë e familjes, pasi nuk kam burime të tjera të ardhurash”, shprehet Namik Sefedini, fermer.

    Cakrani, zona më e madhe administrative e Fierit dhe ka rreth 600,000 rrënjë ullinj. Në vitin 2024, prodhimi shkoi ne 50 mijë kuintalë, por për vitin 2025 pritet disa here me pak.

    Kujtim Xhelili, pronar fabrike dhe grumbullues shprehet se “kam përpunuar rreth 1,500 kuintal ullinj deri tani. Një rrënjë ka dhënë mesatarisht 20 kg ullinj, krahasuar me 70 kg vitin e kaluar. Vaji po shitet minimalisht me 800 lek per litër.

    “Prodhimi është më i dobët për shkak të faktorëve klimatike. Vjelja është në 20% për të siguruar të ardhurat jetike”, tha fermeri.

    Nga Kurjani i Roskovecit deri në Cakran të Fierit, ulliri këtë vit është me gjysmë rendimenti, duke vënë në vështirësi fermerët dhe familjet që varen vetëm nga kjo kulturë.

    Lushnje

    Zona kodrinore e Lushnjes duke nisur nga Thanasaj e deri ne kodrat e ujëmledhësit të Thanës ka të kultivuar rreth 500 mijë rrënjë ullinj.

    Fermerët e kësaj zonë prej disa ditësh kanë filluar vjeljen dhe përpunimin për vajin e ri. Prodhimi i ullirit, krahasuar me vitin e kaluar ka një rënie në masën 40 deri në 50% sipas zonave por cilësia e vajit është më e lartë.

    Rënia e prodhimit  i penalizon kultivuesit e ullirit  pasi kostoja është e larte.

    Afrim Matjani fermer: Kam 800 rënjë ullinj. Kushtet atmosferike të motit bëjnë punën e vet, thatësira, të gjithë ato. Po vaji është cilësor për mendimin tim me një fjalë se nuk ka ngarkesë.Pra është me cilësi.  Për momentin po ikën me shtatëqind lek për litër. Deri diku nuk jemi të kënaqur duhet të ishte pak më e lartë krahasim me shpenzimet që ka për kultivimin e ullinjve.

    Aktualisht nje liter vaj ulliri direkt ne fabrike shitet me 700 lekë.

    Shyqyri Koçi fermer: Ne kemi një javë që kemi filluar sezonin e vajit te ullirit. Prodhimi është shumë i pakët me vitin e kaluar dhe shumë familje mund të rrezikojnë të rrinë pa te ardhura. Vjet shkuam te 12 ton vaj sivjet parashikojmë te 4 ton vaj nuk ka më shumë shumë prodhim i dobët. Ka qenë shumë vere e nxehtë, ne e kemi pa vaditje. Për momentin po e shesim vajin me 700 lek per liter.

    Për shkak të rënies së prodhimit, çmimi i vajit te ullirit mund të rritet në muajt në vazhdim.

    Sokol Matjani: Prodhimi është më i dobët pritet 40% e prodhimit ndersa vjet ka pasur goxha prodhim tashi këta janë punët e natyrës.  Aktualisht ka pak ngritje të çmimit ngaqë është prodhimi i dobët ka vajtur me 700 lek litri e domethënë mirë është kjo punë për fshatarësinë është mirë sa më i mirë të jetë çmim më mirë është po për momentin këtu shtatë shitet gjithandej këtu te ne.

    Shefit Kuqi: Natyra bën ndikimin e vet domethënë ka mbajtur thatësirë shumë edhe shumë e dobët me plehrat, me kostat që kemi bërë ne tani jemi shumë të dobët për sivjet ka rediment shumë të ulët ulliri. Një litër vaji sivjet po shitet me 700 lek/litër.

    Nje fenomen i shfaqur prej vitesh në sektorin e bujqësisë është mungesa e fuqisë punëtore per vjeljen e ullinjve.

    Berat

    Edhe pse zona e Bilçës dhe fshatrat përreth njihen për prodhimin masiv të ullirit në qarkun e Beratit, prej më shumë se dy vitesh prodhimi ka pësuar rënie të ndjeshme.

    Çdo familje në zonë numëron deri në 500 rrënjë ullinj, por kushtet klimatike bëjnë që nga viti në vit shpresa për sigurimin e të ardhurave të venitet.

    Ky sezon konsiderohet ndër më të dobëtit. Mungesa e të ardhurave po ul edhe shërbimet e domosdoshme ndaj parcelave të kultivuara me ullinj, ku tashmë nuk bëhet më fjalë për investime që lehtësojnë punën e fermerëve, të cilët kryesisht janë të moshuar pas emigrimit të të rinjve.

    ‘Kemi 300 rrënjë dhe nuk morëm asnjë kokërr ullinj, se nuk  prodhuan, pleh i hodhëm. Plehrat janë me çmim të lartë’, tha një fermer.

    ‘Gjendja është e dobët këtë vit, çoi lule dhe nuk i mbajti, unë si kam vjel fare këtë vit. Shumë pak do marr”- tha një fermer.

    Bilça numëron 270 mijë rrënjë ullinj, që deri tani kanë qenë e ardhura kryesore për banorët e zonës.

    Lezhë

    Ndryshe nga Berati apo Fieri, prodhimi i ullinjve është i bollshëm në Zadrimë të Lezhës. Në fshatrat Troshan dhe Fishtë, të njohura për kultivimin e kësaj kulture, fermerët kanë nisur vjeljen, por edhe këtu problem mbetet mungesa e fuqisë punëtore.

    “Të rinjtë janë larguar ne emigrim dhe po hasin vështirësi të shumta për të siguruar krahun e punës”, thane fermerët.

    Ndërkohë kërkesa mbetet e qëndrueshme dhe e lartë. Çmimi i ullirit varion nga 150 lekë deri në 200 lekë për kg, ndërsa çmimi i vajit shkon nga 800 deri në 1200 lekë për litër.

    Përballë këtij prodhimi të bollshëm te ullirit dhe vajit, tregu vendas është i rrezikuar dhe duhet gjetur mekanizmat e nevojshëm për të eksportuar edhe jashtë vendit, thotë specialisti i bujqësisë, Preng Marku.

    Sipërfaqet me ullinj në fshatrat e Lezhës po vijnë gjithnjë në rritje gjatë viteve të fundit, ku numërohen qindra hektarë tokë të mbjella me këtë kulturë.

    Elbasan

    Vaji i ullirit ka shkuar me 800-900 lek për litër në Elbasan. Shkak i rritjes se çmimi është prodhimi i pakët i ullinjve këtë sezon.  Fermerët e Shushicës në Elbasan pranojnë se ky vit ka pasur më pak prodhim krahasuar edhe me një vit më parë.

    Kushtet klimaterike në kohën e lulëzimit, por dhe ciklin biologjik i kulturës së ullirit kanë ndikuar në rënien e rendimentit. Megjithatë vaji është cilësor. Shqetësim për fermerët është edhe mungesa e fuqisë punëtore. Sipas tyre puna sezonale në bujqësi refuzohet, ndërsa tregu i shitjes nuk paraqet qëndrueshmëri.

    Në fabrikat e prodhimit të vajit të ullirit ka nisur tashmë puna, ndërsa vetë administratorët e tyre e cilësojnë cilësinë e vajit të lartë. Çmimi i shumicës është 100 lek më shumë se vitin e kaluar.

    Elbasani në rang qarku prodhon mesatarisht 117mijë ton ullinj në vit.

    Vlorë

    Vlora, një ndër zonat më të njohura për prodhimin e vajit të ullirit po has vështirësi për gjetjen e tregut edhe pse çmimi është 800 lek për litër. Sa i përket prodhimit, ai s’ka qenë i bollshëm këtë vit.

    Edhe në Vlorë ka nisur vjelja e ullirit dhe prodhimi i vajit. Fermerët e Novoselës kultivojnë disa varietete, ndërsa pranojnë se ky vit ka pasur më pak prodhim krahasuar edhe me një vit më parë. Megjithatë për ta ajo që vlen është cilësia e vajit.

    ‘Sivjet nuk ka pasur shumë, po atë që ka, e ka cilësor, cilësia e vajit është shumë e mirë këtë vit’, tha një fermerë.

    Adhurim Lazaj, specialist i Qendrës së Transferimit të Kulturave Bujqësore, thekson se janë disa shkaqet që kanë ndikuar në prodhimin e pakët të disa varieteteve .

    “Kanë ndikuar nga kushtet e motit, por edhe sëmundjet që kanë prekur ullirin këtë vit”, tha ai.

    Në fabrikat e prodhimit të vajit të ullirit ka nisur tashmë puna, ndërsa vetë administratorët e tyre e cilësojnë cilësinë e vajit të lartë. Aktualisht po shitet me 800 lek për litër.

    Durim Ogici dhe Naxhi Llanaj theksojnë se puna ka nisur, ndërsa kjo është edhe periudha më e mirë për prodhim, në bazë edhe të varieteteve të kultivuara.

    Sipas INSTAT, një vit më parë në mbarë vendin u prodhuan mbi 157 mijë ton ullinj.

    Megjithatë të gjithë thonë se konsumatorët do të kenë vaj ulliri më cilësor se vitet e shkuara, shpresa e fundit e kultivuesve dhe përpunuesve që të dalin të fituar nga sezoni sfidues i vjeljes së ullinjve./shqiptarja.com

  • Gjanica ‘kthehet në identitet’, mbetjet nga fabrikat e vajit dhe kompanitë  e naftës ndotin lumin që kalon në mes të Fierit

    Gjanica ‘kthehet në identitet’, mbetjet nga fabrikat e vajit dhe kompanitë e naftës ndotin lumin që kalon në mes të Fierit

    Ndotja e lumit Gjanica mëngjesin e sotëm është në nivele alarmante, e shoqëruar me një aromë të rëndë dhe mbytëse.

    Qytetarët fierakë, në kulmin e indinjatës së tyre, janë shprehur njëzëri se kjo situatë shumëvjeçare duhet të marrë fund, duke dënuar neglizhencën ndër vite të institucioneve përgjegjëse për zgjidhjen e këtij problemi. “Kjo ndotje shkatërron mushkëritë, është kancer,” thonë ata, ndërsa theksojnë se ndotja e rëndë zbeh edhe investimin prej miliona eurosh të kryer në kuadër të projektit të Rilindjes Urbane për rikualifikimin e qendrës së qytetit.
    Ashtu si çdo vit në këtë periudhë, shkaktarët kryesorë të ndotjes konsiderohen fabrikat e vajit dhe kompanitë e naftës, të cilat dyshohet se, nën petkun e fabrikave të përpunimit të ullirit, shfrytëzojnë rastin për të shkarkuar në lumë derdhje të pakontrolluara hidrokarburesh. As denoncimet e panumërta dhe as gjobat e papërfillshme me të cilat kompanitë e naftës që operojnë në zonë janë përballur, nuk e kanë përmirësuar situatën, përkundrazi, çdo vit ajo përsëritet në nivele edhe më shqetësuese.

    Top Channel

  • Ulliri shqiptar shkon tek satelitët në hapësirë

    Ulliri shqiptar shkon tek satelitët në hapësirë

    Farat shqiptare të ullirit, Kina i dërgon në satelitë në hapësirë për përmirësime gjenetike, ndërsa në Shqipëri, vaji i ashtuquajtur “i këmbëve”, i nxjerrë me ujë të përvëluar nga ullinj gati të kalbur, ende konsiderohet nga shumë njerëz si vaji më i mirë dhe pa hile.
    Në ekonominë e sotme për vende si Shqipëria, traditat janë po aq të rëndësishme sa progresi teknologjik. Vaji “i këmbëve” nuk është traditë, është një praktikë e diktuar nga varfëria ekstreme deri vonë, e sot padituria ekstreme.
    Lotaria më e shpejtë dhe më e lirë e modifikimit të farave në hapësirë sesa modifikimi gjenetik modern, në Shqipëri nuk ka nevojë të bëhet, sepse kemi baza të mira historike, shkencore dhe agroteknike, por që po humbasin me shpejtësi.
    Fluturon fara, e fluturon paraja
    80 vite më parë, ish-kryeministri kinez, Çu En Lai, mbolli në mënyrë demonstrative një fidan ulliri nga 10 mijë të tillë që Shqipëria i dhuroi Kinës.
    Fidanët u mbollën në tetë rajone të Kinës në gjerësi gjeografike të njëjta me Mesdheun dhe në zona kodrinore të thata me pak mundësi rritjeje për kultura të tjera, në rajone ekonomikisht të varfra të Kinës.
    Për dekada të tëra nuk ka informacion çfarë ndodhi me këta ullinj, por në dekadën e fundit shikohet se vaji i ullirit i quajtur “lëngu i artë” dhe pema e ullirit e quajtur pema “e kryeministrit”, janë rikthyer me forcë.
    Edhe sikur në mungesë të prodhimit e tregtimit të vajit dhe ullinjve kokërr, Kina e konsideron sukses që me dhjetëra mijë hektarë janë të mbjella me pemë e të gjelbëruara, që sjellin mbrojtjen e tokës nga erozioni dhe më shumë oksigjen, si suksesin e parë.
    Agjencitë e lajmeve kineze thonë se me dhjetëra mijë fermerë kanë dalë nga varfëria me kultivimin e ullirit që zë një sipërfaqe prej rreth 150 mijë hektarë dhe se sektori gjeneron rreth 500 milionë euro në vit.
    Vaji ekstra i virgjër i ullirit kinez ka fituar vitet e fundit shumë çmime të arta në konkurset ndërkombëtare. Kina konsumon rreth 50 mijë tonë vaj ulliri në vit dhe prodhon vetë vetëm 10 mijë tonë.
    Prodhuesi më i madh kinez i vajit të ullirit thotë se problemi kryesor që patën fillimisht ishte cilësia ose se “paratë e këqija nxjerrin nga qarkullimi paratë e mira”. Ky përndryshe quhet ligji i Gresham.
    Gresham, një financier britanik, pa se monedhat e reja me më pak përmbajtje metali të çmuar, të cilat u hodhën në qarkullim por me vlerë të njëjtë shkëmbimi si ato të vjetrat me më shumë flori ose argjend, i zëvendësuan ato.
    Njerëzit i shkrinë monedhat e vjetra si metal me vlerë ose i ruanin. Më konkretisht për ullirin, do të thotë që vaji jo cilësor nxjerr nga tregu vajin cilësor. Ligji i Gresham i shekullit të 16-të nuk njihet shumë në Shqipëri.
    Në shekullin e 16-të, Shqipëria ishte një humbëtirë brenda Perandorisë Osmane, ku ekonomia dhe zhvillimi ishin kthyer në bejte të fermentuara si ajo e trahanasë dhe jo në ligje ekonomike.
    Ndoshta situata më e afërt për Shqipërinë është ajo kur Mbreti Zog zëvendësoi floririn në qarkullim me paratë letër, e më moderne kur sado përpjekje nga institucionet, Euro vështirë se do të zëvendësohet me Lek si monedhë për blerje të mëdha dhe për kursime.
    Më e thjeshtë, e lidhur me lexuesit, është kur në epokën e mediave sociale, postimet sensacionale, populiste, të paverifikuara, të bazuara mbi emocione e paragjykime, zëvendësojnë shkrimet e vërteta të bazuara mbi fakte, kërkime, e me standarde editoriale.
    Për prodhuesit shqiptarë të vajit të ullirit cilësor, ky ligj i parasë së keqe është përditshmëria. Me një ndryshim: nëse floririn apo argjendin e monedhës së mirë e shkrin dhe e ruan, vaji nuk ruhet dot aq gjatë.
    Kur vaji, ose një prodhim jo cilësor dhe një prodhim cilësor kanë të njëjtin çmim, prodhimi jo cilësor do ta nxjerrë nga qarkullimi prodhimin cilësor. E kjo na çon në një ligj tjetër.
    “Tregu për limonë” është sjellja ekonomike dhe informacioni asimetrik midis shitësit dhe blerësit që i dha Akerlof çmimin Nobel për ekonominë.
    Saimiri, një ullishtar i ri nga Mallakastra, nuk e njeh Akerlof, por e di mjaft mirë se çfarë do të thotë që konsumatorët nuk e njohin cilësinë e vajit ekstra të virgjër. Saimiri punon, investon, mundohet dhe kërkon të prodhojë vaj ekstra të virgjër të një cilësie shumë të lartë, por kërkesa e vetme që merr është: sa është çmimi?
    Diku tjetër, i thonë të gjithë blerësit, ne e marrim edhe më lirë. Por, a është e njëjta cilësi për atë çmim? Saimiri ka përballë dy zgjedhje: ose të ulë cilësinë, ose të mos prodhojë dhe të emigrojë, përndryshe vaji cilësor nuk ka treg sepse konsumatorët nuk dinë ta dallojnë cilësinë dhe nuk kanë informacion që ta dinë se vaji që blejnë, ashtu si makinat e Akerlof, mund të jetë limon apo pjeshkë.
    Prodhuesit si Saimiri me pak mijëra litra vaj, por dhe ata me dhjetëra mijë, përballen përveç kësaj edhe me konkurrencën nga jashtë.
    Ata nuk mund ta vendosin çmimin dhe zakonisht detyrohen dalin në treg me çmime shitje dy deri në tre euro më pak se çmimi i vajit të ullirit që vjen nga Greqia, kryesisht me bidonë metalikë të sjellë në sasi të mëdha nga emigrantët, vizitorët e tregtarët.
    Në Greqi, çmimi i shitjes, si dhe raporti cilësi-çmim, lidhet më mirë me tregun vendas, por edhe atje për shkak se Greqia prodhon shumë më tepër se sa konsumon, çmimi i vajit në tregun ndërkombëtar vendos kufijtë e çmimit edhe për tregun vendas grek.
    Çmimin në tregun ndërkombëtar e vendos Spanja, e cila prodhon mesatarisht 1,4 milionë tonë vaj dhe mund të kapë deri në 50% të tregut botëror. Çmimi i vajit spanjoll, në varësi të prodhimit dhe kërkesës gjatë viteve të fundit, është luhatur nga 3 deri në 10 euro për litër dhe për vitin 2025 mendohet të jetë rreth 5 euro litri te prodhuesi. Në Shqipëri besohet se prodhimi i vajit këtë vit do të trefishohet në krahasim me pak vite më parë, në rreth 30 mijë tonë.
    Ndërsa për Shqipërinë, kjo është një arritje e madhe e krahasuar me prodhimin spanjoll, i gjithë prodhimi shqiptar është sa një gabim në rrumbullakosje i atij spanjoll. Aktorët në tregun ndërkombëtar, sasitë dhe çmimet na mundësojnë të shikojmë se cilat janë rrugët e rritjes për prodhimin shqiptar.
    Eksporti nuk është rruga e parë sepse konkurrenca është shumë e madhe dhe në mungesë të cilësisë dhe rrugës institucionale që e garanton atë, vetëm një çmim i ulët e mundëson eksportin.
    Ndërsa fermerët ullishtarë spanjollë, grekë, italianë, përfitojnë subvencione jo të pakta, ato janë minimale, pothuajse inekzistente për shumicën e ullishtarëve shqiptarë, prandaj një çmim i ulët eksporti do të thotë të shesësh me humbje kundrejt çmimeve të subvencionuara europiane.
    Rruga më e mirë mbetet të rritet tregu vendas duke rritur përdorimin e vajit të ullirit si dhe një kërkesë më e lartë nga emigrantët e diaspora shqiptare duke i bindur ata për cilësinë e prodhimit. Tregu vendas rritet duke ulur kostot e prodhimit e rrjedhimisht çmimin, që për kostot e jetesës dhe të ardhurat në Shqipëri është i lartë.
    Kjo me anë të subvencioneve, politikave dhe nxitjes së investimeve në sektor. Por, së pari duhet ta ruajmë tregun e prodhimit vendas me anë të prodhimit me standarde edhe më të larta, e cilësi të ndryshme, transparente dhe të kuptueshme nga konsumatori.
    Teoria e tregut për limonë na ndihmon të kuptojmë që konsumatori duhet informuar, edukuar dhe se institucionet shtetërore të standardeve dhe kontrollit duhet të funksionojnë shumë herë më mirë dhe shumë më energjikisht sesa aktualisht.
    Karabinierë e financierë për pak vaj më shumë
    E ndërsa fjala e parë, nëse do të pyeten fermerët, fabrikat dhe qytetarët, mund të jetë: më shumë subvencione për të rritur prodhimin, nuk janë subvencionet që do ta rrisin atë, por standardet. Dhe më tej, kontrolli mbi standardet.
    Këtë e ka arritur në një masë jo të vogël Italia, e cila konkurron për shitjet me Spanjën, Greqinë dhe vendet e tjera të Mesdheut vetëm me cilësi e standarde më të larta.
    Për shkak se Italia mund të shesë thjesht edhe me imazhin e krijuar prej saj, një pjesë e mirë e eksporteve italiane janë në fakt vaj i ambalazhuar në Itali me origjinë nga Spanja, Greqia, Tunizia, e madje pak edhe nga Shqipëria.
    Kjo nuk është rastësi, por sepse ata kanë standardizuar dhe vendosur kontrolle të rrepta mbi cilësinë. Vaji i ullirit është një nga produktet më të kontrolluara në sektorin agroushqimor në Itali.
    Inspektorati i Cilësisë dhe Luftës ndaj Mashtrimeve Agroushqimore bën me mijëra kontrolle në vit, mbi 9 mijë të tilla, dhe këtyre u shtohen edhe kontrollet nga Komanda e Karabinierëve për mbrojtjen e shëndetit dhe ato të Guardia di Finanza, me mijëra kontrolle të tjera. Masmediat italiane jo vetëm informojnë mbi cilësinë, përdorimet dhe vetitë shëndetësore, por shpesh kanë emisione investigative për mbrojtjen e konsumatorit.
    Për aq sa është e mundur, një konsumator italian është i vetëdijshëm që ka cilësi të ndryshme dhe çmime të ndryshme të vajit të ullirit.
    Për eksportet, lidhur me konkurrencën, Italia e ka diferencuar prodhimin duke u përpjekur ta vendosë atë në shkallët e cilësisë më të lartë. Rol jo të vogël luajnë këtu dhe Rajonet e ndryshme si Puglia, Toscana, Sicilia, etj., të cilët promovojnë prodhuesit e tyre lokalë dhe varietetet e rajonit.
    Për të rritur edhe më tej autenticitetin rajonal dhe për të minimizuar importin e ullinjve për shtrydhje nga jashtë Italisë, nga viti tjetër, bizneset do të munden të përpunojnë vetëm ullinj të cilët nga vendi i mbledhjes deri në shtrydhje shkojnë brenda 6 orësh. Origjina e mbrojtur, e garantuar dhe tipiciteti gjeografik (DOP, IGP) janë standarde të tjera të cilat rrisin vlerën duke lidhur atë me historinë, traditën dhe territorin.
    Standardi kryesor është ligji, i cili kërkon që të konsiderohet ekstra i virgjër, vaji, përveç analizave fiziko-kimike me tregues si aciditeti nën 0,8%, peroksidet zero ose nën 20 meq O2/kg, etj., ai duhet të vlerësohet nga një panel test njerëzor për analizën sensoriale; ekspertë të cilët kanë një procedurë të caktuar, fjalor të caktuar për vlerësimet, si dhe vendin e mjetet e duhura të degustimit që vaji të marrë përfundimisht klasifikimin si ekstra i virgjër për etiketën.
    Në Shqipëri, panel test, analiza sensoriale, nuk bëhet pothuajse për asnjë parti vaji që del në treg me etiketën ekstra i virgjër, e as për vajin që importohet, apo është ekzistues në treg.
    Në Itali, Inspektorati i Cilësisë dhe Luftës ndaj Mashtrimeve te prodhimet agroushqimore e ka nën vëmendjen kryesore sektorin e vajit të ullirit dhe sipas të dhënave të tyre, gati 25% ose një e katërta e kampioneve të marra për vajin ekstra të virgjër paraqesin parregullsi.
    Kjo nuk do të thotë se vaji nuk bën, por zakonisht është një cilësi më e ulët se ajo e deklaruar në etiketë, me parametra kimikë ndryshe nga ligji, ose parametra organoleptikë, shije e aroma, jo konform klasifikimit.
    Kryesisht për produkte vaji ekstra të virgjër me çmim të ulët dhe të mesëm, probabiliteti që një shishe vaj me etiketën ekstra të jetë realisht ekstra është 75-80%, diferenca 20-25% nga totali, kryesisht është vaj i virgjër ose me defekte.
    Spanja ka bërë hapa gjigantë drejt përmirësimit të cilësisë dhe situata është e ngjashme me Italinë, ku probabiliteti vlerësohet në 75-80% që vaji ekstra në etiketë të jetë autentik.
    Në Greqi bëhen më pak kontrolle se në Itali, por ka rritje të kërkesës për gjurmueshmërinë dhe standardet. Probabiliteti që vaji të jetë ekstra sipas etiketës është përgjithësisht i lartë, veçanërisht për kategoritë me çmim të mesëm e të lartë, si dhe për vajin me origjinë të mbrojtur; ai vlerësohet në 70-80%.
    Duhet ditur se për shkak të kontrolleve më të shumta në tregun e brendshëm dhe njohurive më të mira nga konsumatorët, shitësit nga këto vende e kanë më të lehtë të eksportojnë e shesin vaj ekstra në limitet e normës, ose dhe nën normë, e me probleme sensoriale dhe defekte në vendet që nuk e kanë traditë vajin e ullirit dhe sidomos atje ku kontrollet e standardeve nga institucionet janë më të pakta, ose pothuaj inekzistente.
    Vaj medet
    Dyqanet në rrugët rurale të Shqipërisë, përpara e gjatë sezonit të ullirit, mbushen me bidonë e shishe plastike të përdorura për shitje.
    Nuk mungojnë as bidonë plastikë të rinj, të cilët nuk janë të certifikuar për përdorim ushqimor, por industrial. Sado cilësor vaji që del nga linja, sado punë e investim të jetë bërë nga fermerët dhe fabrikat, në momentin që vaji hidhet në një shishe plastike të përdorur, ai vaj nuk ka vlerë morale, e ajo monetare është pazar sa shpejt i duhen paratë prodhuesit.
    Në Greqi, si pasojë e traditës, pothuajse i gjithë vaji, edhe ai i prodhuesve të vegjël e familjarë, shitet me bidonë teneqeje.
    Spanja  përdor për të ulur kostot, ambalazhimin plastik, por plastikën e duhur dhe për përdorim të shpejtë. Shteti shqiptar, nëse vërtet do të kërkojë zhvillimin e sektorit, hapi i parë duhet të jetë të nxisë prodhimin vendas të ambalazheve të duhura, ose nëse kjo është e pamundur, të heqë tarifat e TVSH-në për importin e tyre nga Greqia të teneqeve, e të plastikës së duhur nga vende të tjera. Po ashtu, për ambalazhimin e vajit që do të ruhet më gjatë në dyqane, të shisheve të duhura të qelqit, pa tarifa e pa TVSH.
    Ambalazhimi kushton edhe kur importohet, sepse ka peshë qelqi, e volum plastika, por çmimit të tyre në dyqan i shtohet dhe 20% ashtu si dhe vetë vajit.
    E këtu kemi përsëri një problem madhor, që konsumatorët shqiptarë, nëse blejnë në dyqan, do ta blejnë 20% më shtrenjtë vajin bashkë me ambalazhin, se sa një konsumator në Itali, Greqi apo Spanjë, ku nuk paguhet ose paguhet TVSH e reduktuar për ushqimet. Kjo do të thotë një kërkesë më e ulët dhe më pak para që mbeten në fund për fermerët dhe fabrikat e përpunimit.
    Saimiri, ullishtari i ri nga Mallakastra, llogarit vetëm kosto bazë të prodhimit këtë vit 500 lekë/për litër dhe nëse blen ambalazh qelqi për një litër kushton 100 lekë, një bidon plastik për 10 litra, 70 lekë, dhe një bidon teneqeje 600 lekë, për 10 litra. Ambalazhimi në qelq dhe metal është i paarritshëm për Saimirin; këtë duhet ta bëjë vetë blerësi, që kur blen me bidon të përdorur plastik, ta transferojë vetë vajin.
    Nëse Saimiri do të shesë si në Greqi me teneqe 5/10-litërshe, me një marzh fitimi minimal, çmimi për litër duhet të jetë minimalisht 8 euro, ndërkohë që kërkesa është për 4-5 euro për litër. Kërkesa për çmime shumë të ulëta, kjo për arsye të fuqisë blerëse, por edhe në bazë të njohurive e kërkesës që kanë blerësit, i ka dekurajuar deri tani edhe shumicën e fabrikave a linjave të përpunimit që të mos shesin, por të bëjnë vetëm shtrydhjen.
    Një kërkesë pak më e rritur drejt cilësisë dhe pak më shumë fonde publike drejt linjave kanë bërë të mundur së fundmi që disa linja të futen në treg me produkte vaji ekstra duke investuar në hapësira e tankera ruajtës me ftohje, e madje dhe me azot për të ruajtur cilësinë sa më gjatë.
    Fragmentimi i ullishtave, dhe se shpesh ato janë e vetmja formë për të fituar sadopak para fizike (cash) i shtyn fermerët të mos e shesin ullirin kokërr për përpunim, por ta shtrydhin atë deri në pikën e fundit.
    Edhe sikur të mos e shesin vajin në treg, vetëkonsumi që zëvendëson yndyrat e tjera që janë mjaft të kushtueshme si gjalpi e vaji i lulediellit e bën këtë aktivitet të mbahet në këmbë.
    Ambalazhimi ishte problemi i parë i ngritur; me këtë u presupozua që problemet e tjera të prodhuesve janë të zgjidhura, por si mund të ndihmohen ata sepse ambalazhi nuk është i vetmi problem, por është ai që spikat i pari.
    Problemet e tjera nuk janë aspak të zgjidhura dhe ato janë: shkundëset mekanike, sidomos ato elektrike me bateri, janë një ndihmë e paçmuar kur fuqia punëtore dikur e lirë tani mungon pothuajse e gjitha, e janë të domosdoshme të subvencionohen ose të kenë çmime të favorizuara.
    Rrjetat mbledhëse për tokën dhe arkat për transport, janë investimi tjetër që duhet.
    Fermerët, ashtu si bidonët plastikë të përdorur, përdorin edhe thasë plehu kimik, e thasë të tjerë plastikë të përdorur më parë, për transport, gjë që ul cilësinë e vajit më vonë, nevojiten arkat. Ujitja me pika, dhe ujitja në përgjithësi e lidhur me ndryshimet klimatike janë domosdoshmëri për qëndrueshmëri të prodhimit.
    Format e bashkëpunimit duhen stimuluar, ku fermerët që kanë varietete të njëjta ose që vijnë nga e njëjta zonë gjeografike të kenë të njëjtat standarde prodhimi e shitjeje. Linjat ose fabrikat mund të stimulohen edhe më shumë për prodhim vaji ekstra të virgjër që ruhet dhe cilësor.
    Vaji i ullirit ekstra, nëse ruhet në kushtet e duhura, e ruan cilësinë edhe për dy vjet, duke rritur kështu fuqinë negociuese të prodhuesit. Informim më i mirë për konsumatorët; një përdorues i mirë mban në shtëpi disa lloje vaji ulliri për gatim, bukë, sallata, ose edhe për skuqje, etj.
    Konsumatorët dhe prodhuesit duhen informuar e mësuar se jo çdo vaj ulliri ka edhe veti shëndetësore, apo se shija jep një premium në çmim; pikërisht këto janë diferencat në çmim midis llojeve të vajit të ullirit, dhe se vetëm vaji ekstra, me më shumë polifenole, i paoksiduar, i ruajtur ashtu si duhet, i ka këto veti dhe arrin çmime të larta.
    Prandaj vende si Italia, Spanja, Greqia, investojnë për standarde e kontrolle. Pa standarde dhe kontrolle nga institucionet përgjegjëse, si dhe mbështetjen e panel test-eve vështirë se do të kemi vaj ekstra të virgjër të certifikuar në treg.
    Vaji i keq e nxjerr nga tregu vajin e mirë, këtë e dinë edhe në Kinë. I dërgojnë ata farat e ullirit deri në hapësirë që të gjejnë përmirësime. Shqipëria e ka këtë lëng të artë që përpara se të ishte pema e kryeministrit në Kinë, ishte te ne, e Gjergjit.
    Në brigjet e Adriatikut e Jonit nuk merrje dot nuse, e as nuk të lejonin të martoheshe nëse nuk mbillje disa rrënjë ullinj.
    Ulliri është në ADN-në tonë mesdhetare, është peizazh, është natyrë, është kulturë, është e ardhur, është punë që të heqësh të zinjtë e ullirit, por kur i kemi thënë ne jo punës, është shëndet dhe shije. Çfarë po hani? Vaj luledielli a ulliri të nxjerrë me solventë?/monitor.al

  • Cilat përfitime të vajit të ricinit mbështeten nga shkenca?

    Cilat përfitime të vajit të ricinit mbështeten nga shkenca?

    Vaji i ricinit merr shumë vëmendje në rrjetet sociale. Shumë video pretendojnë se ai lehtëson kapsllëkun, nxit rritjen e flokëve ose djeg yndyrën e barkut. Por cilat pretendime janë në të vërtetë të vërteta?

    Vaji i ricinit është “një nga barnat më të vjetra,” thotë Stefan Offermanns, profesor i farmakologjisë në Universitetin Gëte. Ai është gjetur në varre egjiptiane që datojnë rreth vitit 4000 para Krishtit dhe është përdorur në Egjiptin e lashtë për kapsllëk, probleme me sytë e lëkurën, si dhe për të nxitur dhimbjet e lindjes.

    Shkencëtarët sot dinë më shumë për mënyrën si funksionon vaji dhe cilat përdorime janë të sigurta.

    Për çfarë përdoret vaji i ricinit?

    Vaji i ricinit nxirret nga farat e bimës së ricinit, që është me origjinë nga Mesdheu, Afrika e Veriut dhe India. Historikisht, është përdorur si laksativ dhe për të stimuluar lindjen. Korrat vetë janë helmuese nëse konsumohen të papërpunuara.

    Offermanns studioi acidin ricinoleik, përbërësin aktiv të vajit të ricinit, dhe zbuloi se ai stimulon receptorin EP3 në zorrë dhe në qafën e mitrës, duke shkaktuar tkurrje muskulare. Kjo shpjegon si efektin laksativ, ashtu edhe aftësinë e tij për të nxitur lindjen.

    FDA-ja amerikane e ka miratuar vajin e ricinit si laksativ, por jo si një mënyrë për të nxitur dhimbjet e lindjes. Megjithëse efektiv, ai shpesh shkakton të përziera dhe të vjella. Përdorimi afatgjatë mund të dëmtojë shtresën e zorrëve, ndaj mjekët zakonisht rekomandojnë alternativa më të sigurta.

    Vaji i ricinit për të ulur yndyrën e barkut

    Në internet, shumë pretendojnë se fërkimi i barkut me vaj ricini mund të ulë yndyrën e barkut, të përmirësojë tretjen ose të “detoksifikojë” trupin. Por Lindsey Wohlford-in, dietologe e mirëqenies në Qendrën e Kancerit MD Anderson, thotë se nuk ka bazë shkencore për këtë. Vaji i ricinit nuk përthithet nga lëkura, ndaj aplikimi i tij nuk ndikon tek organet e brendshme ose te dhjami.

    Gjithashtu nuk mund të trajtojë tumoret, pavarësisht pretendimeve online. Pirja e vajit të ricinit për humbje peshe është e rrezikshme dhe e pabazuar. Wohlford rekomandon ndryshime të qëndrueshme në dietë dhe stil jetese.

    Vaji i ricinit për përmirësimin e lëkurës

    Vaji i ricinit mund të hidratojë lëkurën dhe ka veti antimikrobiale. Dermatologia Nina Botto thekson se është më i butë se disa vajra, por nuk është zgjedhja e saj e parë për pacientët. Për lëkurën e prirur ndaj akneve, mund të bllokojë poret dhe të përkeqësojë shpërthimet.

    Pretendimet se vaji i ricinit ul rrudhat ose ka efekte kundër plakjes mbeten të pambështetura në prova.

    Vaji i ricinit për trajtimin e problemeve të syve

    Disa thonë se vaji i ricinit shëron shikimin e turbullt, glaukomën ose ndihmon qerpikët të rriten. Oftalmologia Saba Al-Hashimi paralajmëron se nuk ka prova të forta për këto pretendime. Meqë vaji nuk mund të depërtojë në sy, ai nuk mund të trajtojë gjendje të brendshme të tij.

    Vaji i ricinit i pastër dhe i pasterilizuar madje mund të shkaktojë infeksione ose humbje shikimi. Edhe pse disa studime sugjerojnë se mund të ndihmojë në tharjen e syve, vetëm produktet e rregulluara, të klasit mjekësor, konsiderohen të sigurta.

    Flisni me mjekun tuaj

    Edhe pse vaji i ricinit vazhdon të promovohet si ilaç për gjithçka, ekspertët paralajmërojnë kundër përdorimit të gabuar. Edhe si laksativ, ai mbart efekte anësore dhe rreziqe. Meqenëse ka alternativa më të sigurta, mjekët rrallë e rekomandojnë sot.

    Kërkimet vazhdojnë, por për momentin, përfitimet e provuara të vajit të ricinit kufizohen kryesisht tek lehtësimi afatshkurtër i kapsllëkut dhe asgjë më shumë. / National Geographic – Syri.net

  • “Lulet e majit”, këngë e paharruar nga Redon Makashi (teksti dhe kënga)

    “Lulet e majit”, këngë e paharruar nga Redon Makashi (teksti dhe kënga)

    Këngën “Lulet e majit” e interpreton Redon Makashi

    Një ditë të bukur maji unë të takova,tek po rrije këputur në një lule.Lulet e majit për ty ëndërrova,lumturinë në shpirt veç ti ma prure

    Një ditë të bukur maji unë të takova,tek po rrije këputur në një lule.Lulet e majit për ty ëndërrova,lumturinë në shpirt veç ti ma solle.

    Por tani je vyshkur më s’ke erëlulet e tua për mua s’kanë vlerë.nuk je lule e bukur e ditës t’majit,por je lule e këngës time t’vajit.

    Nuk je lule e ditës time t’majit,por je lule e këngës time t’vajit.

    Më kujtohen ditët kur rinia,sa herë rrëmbehet ajo nga dashuria.Ishe e vogël atëherë ti vajza ime,s’mendoje tjetër veç për ëndërrime.

    Por tani je vyshkur më s’ke erë,lulet e tua për mua s’kanë vlerë.Nuk je lule e bukur e ditëve t’majit,por je lule e këngës time t’vajit.

    Nuk je lule e bukur e ditëve t’majit,por je lule e këngës time t’vajit.

    Por tani je vyshkur më s’ke erë,lulet e tua për ty s’kanë më vlerë.Do t’kujtoj përherë moj lulja ime,ndonëse je kaq larg ti zemrës sime.

    Do t’kujtoj përherë moj lulja ime,ndonëse je kaq larg ti zemres sime.

    Këngën mund ta dëgjoni duke klikuar KËTU

    ObserverKult

    ____________________

    Lexo edhe:

    Ç’BEZDI RECENSIONET!

  • A mund të ‘shkrijë’ vërtet vaji i ullirit me limonin gurët në tëmth?

    A mund të ‘shkrijë’ vërtet vaji i ullirit me limonin gurët në tëmth?

    Një përzierje popullore që premton shumë, por çfarë vërteton shkenca për efektet e vajit të ullirit dhe lëngut të limonit në shëndetin e tëmthit dhe procesin e detoksikimit?

    Në epokën e rrjeteve sociale dhe këshillave “natyrale” që përhapen me shpejtësi, është e zakonshme të hasim pretendime të tilla si: “vaji i ullirit me limon shkrijnë gurët në tëmth”. Por a është kjo e mbështetur nga shkenca, apo thjesht një mit i popullarizuar në internet?

    A mund ta pastrojë përzierja e vajit të ullirit me limon tëmthin?

    Në shumë forume shëndetësore dhe blogje natyrale, sugjerohet që një lugë vaj ulliri me pak lëng limoni, e konsumuar esëll, mund të ndihmojë në pastrimin e mëlçisë dhe tëmthit, madje edhe në tretjen e gurëve.

    Megjithatë, nuk ka prova të forta klinike që vërtetojnë se kjo përzierje mund të “shkrijë” gurët e tëmthit. Sipas Mayo Clinic, gurët në tëmth (kolelitiaza) nuk shpërbëhen thjesht përmes ushqimit apo pijeve, për to zakonisht nevojitet trajtim mjekësor, përfshirë medikamente ose ndërhyrje kirurgjikale si kolecistektomia.

    Pse njerëzit mendojnë se funksionon?

    Arsyeja për këtë bindje qëndron te efektet e njohura të vajit të ullirit mbi rrjedhjen e tëmthit. Studime kanë treguar se vajrat e shëndetshme, sidomos vaji i ullirit ekstra i virgjër, stimulojnë kontraktimin e tëmthit dhe rrjedhjen e tëmthit në zorrë, duke ndihmuar kështu në parandalimin e stanjacionit të tëmthit, një faktor i njohur për krijimin e gurëve.

    Pra, përdorimi i rregullt i vajit të ullirit mund të ndihmojë në parandalimin e gurëve, por jo në shpërbërjen e tyre.

    Vaji i ullirit dhe limoni – çfarë thotë shkenca për përfitimet shëndetësore?

    Vaji i ullirit ekstra i virgjër është i pasur me acid oleik (një yndyrë e shëndetshme mononepengesuar), si dhe me polifenole antioksiduese, që kanë efekte anti-inflamatore dhe mbrojtëse për qelizat. Ai ndihmon në shëndetin e zemrës, uljen e kolesterolit LDL dhe përmirësimin e funksioneve metabolike.

    Nga ana tjetër, lëngu i limonit është një burim i pasur i vitaminës C, që kontribuon në forcimin e sistemit imunitar, përthithjen e hekurit dhe prodhimin e karnitinës, një përbërës kyç për metabolizmin e yndyrave.

    Përveç kësaj, vitamina C ndihmon edhe në shndërrimin e kolesterolit në acide biliare, një proces që mund të ndikojë pozitivisht në parandalimin e formimit të gurëve në tëmth.

    Po detoksikimi? A ka nevojë trupi për ndihmë?

    Kundrejt pretendimeve të shumta për “detoksikimin e mëlçisë” me limon dhe vaj ulliri, ekspertët theksojnë se organizmi ynë ka sisteme të fuqishme detoksikimi, kryesisht përmes mëlçisë, veshkave, mushkërive dhe lëkurës.

    Megjithatë, konsumimi i ushqimeve të pasura me antioksidantë natyrorë, si limoni dhe vaji i ullirit, sigurisht mund të mbështesë këtë proces, duke reduktuar dëmet nga radikalet e lira dhe duke përmirësuar ekuilibrin oksidativ të trupit.

    Mund të ndihmojnë në humbjen e peshës?

    Ndonëse nuk ka studime specifike për përzierjen e limonit me vaj ulliri në procesin e dobësimit, të dy përbërësit kanë efekte individuale të njohura. Limoni ndihmon në metabolizmin e yndyrave, ndërsa vajrat e shëndetshme ndihmojnë në ngopje, duke ulur dëshirën për ushqim të tepërt.

    A ka ndonjë efekt të padëshiruar?

    Përdorimi i moderuar i kësaj përzierjeje është përgjithësisht i sigurt për shumicën e njerëzve. Megjithatë, konsumimi i tepërt i lëngut të limonit mund të dëmtojë smaltin e dhëmbëve për shkak të aciditetit të tij, veçanërisht nëse merret pa hollim. Ndërkohë, vaji i ullirit, ndonëse i shëndetshëm, ka vlerë të lartë kalorike (~119 kalori për lugë gjelle) dhe nuk duhet teprohet nga personat që ndjekin dieta për humbje peshe.

    Përfundim

    Kombinimi i vajit të ullirit me lëng limoni nuk është një kurë për gurët në tëmth, por është një kombinim i dobishëm në kuadër të një diete të shëndetshme mesdhetare, që mbështet funksionin e mëlçisë, tretjen dhe metabolizmin.

    Nuk duhet të zëvendësojë konsultën mjekësore nëse keni probleme me tëmthin, përfshirë gurët, inflamacionin apo dhimbjet kronike.

     

  • Brand shqiptar për vajin e ullirit, Ministria e Bujqësisë synon të bëjë bashkë 50 fermerë në një konsorcium

    Brand shqiptar për vajin e ullirit, Ministria e Bujqësisë synon të bëjë bashkë 50 fermerë në një konsorcium

    Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj u shpreh sot se Qeveria Shqiptare synon ndërtimin e një konsorciumi për vajin e ullirit, duke bashkuar 50 fermerë dhe prodhues të vajit në një brand shqiptar.

    Në një takim me autoritetet lokale të bashkive në Berat, përfaqësues të biznesit të vajit të ullirit dhe ekspertë teknikë nga Banka Botërore, Denaj tha se u diskutua për krijimin e konsorciumit të vajit të ullirit “Berati 2400 vjet”.

    Sipas Denajt, ky është një financim nga Qeveria Shqiptare, që synon bashkimin e 50 fermerëve prodhues të ullirit dhe vajit të ullirit në qarkun Berat dhe zonat përreth. “Objektivi është krijimi i një brendi shqiptar për një nga produktet më autoktone, prodhim me vlerë, cilësi dhe të bashkuar”, u shpreh Denaj.

    Ministrja Denaj tha se në këtë takim u ndanë edhe hapa konkretë për forcimin e bashkëpunimit bujqësor në të gjithë Shqipërinë, me 5 bashki pilot për konsorciume të ngjashme në qarqet Fier, Gjirokastër, Elbasan, Lezhë dhe Vlorë. “Një model bashkëpunimi mes pushtetit vendor dhe fermerëve për të forcuar ekonominë rurale, kapërcyer prodhimin individual dhe garantuar akses më të madh në financim dhe të ardhura për fermerët”, vijoi ajo.

    Denaj nënvizoi se të pranishmit u ndalën edhe te Skema Kombëtare e Investimeve 2025, aplikimet e së cilës janë të hapura deri më 30 shtator për investime në sektorin bujqësor me 9 masa mbështetëse.

  • Ministrja e Bujqësisë, Denaj: Synojmë krijimin e konsorciumit të vajit të ullirit ”Berati 2400 vjet”

    Ministrja e Bujqësisë, Denaj: Synojmë krijimin e konsorciumit të vajit të ullirit ”Berati 2400 vjet”

    Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj thotë se qeveria synon ndërtimin e një konsorciumi për vajin e ullirit, duke bashkuar 50 fermerë dhe prodhues të vajit në një brand shqiptar.Në një takim me autoritetet lokale të bashkive në Berat, përfaqësues të biznesit të vajit të ullirit dhe ekspertë teknikë nga Banka Botërore, Denaj tha se u diskutua për krijimin e konsorciumit të vajit të ullirit “Berati 2400 vjet”.
    ”Objektivi është krijimi i një brendi shqiptar për një nga produktet më autoktone, prodhim me vlerë, cilësi dhe të bashkuar”, u shpreh Denaj. Ministrja tregon se në këtë takim u ndanë edhe hapa konkretë për forcimin e bashkëpunimit bujqësor në të gjithë Shqipërinë, me 5 bashki pilot për konsorciume të ngjashme në qarqet Fier, Gjirokastër, Elbasan, Lezhë dhe Vlorë.

    ”Një model bashkëpunimi mes pushtetit vendor dhe fermerëve për të forcuar ekonominë rurale, kapërcyer prodhimin individual dhe garantuar akses më të madh në financim dhe të ardhura për fermerët”, vijoi ajo. Denaj nënvizoi se të pranishmit u ndalën edhe te Skema Kombëtare e Investimeve 2025, aplikimet e së cilës janë të hapura deri më 30 shtator për investime në sektorin bujqësor me 9 masa mbështetëse.

  • Ndre Mjeda, poeti i ‘Vajit të Bylbylit’ dhe figura poliedrike e Rilindjes Kombëtare

    Ndre Mjeda, poeti i ‘Vajit të Bylbylit’ dhe figura poliedrike e Rilindjes Kombëtare

    Më 1 gusht të vitit 1937 u nda nga jeta kleriku, teologu, poeti, gjuhëtari, deputeti dhe patrioti i Rilindjes Kombëtare, Dom Ndre Mjeda.

    Mjeda ndërroi jetë në moshën 71-vjeçare, i afirmuar si njeri me dije poliedrike dhe veprimtari në shumë fusha, megjithatë, u diplomua doktor në Teologji dhe Filozofi nga Universiteti Pontifik Gregorian, më 20 tetor 1931.

    Ndre Mjeda lindi më 20 nëntor 1866, në Shkodër. Mësimet e para i ndoqi në vendlindje dhe më pas vazhdoi studimet e mesme dhe të larta teologjike në disa vende të Evropës. Kur u kthye në atdhe, Mjeda u emërua famullitar në disa fshatra dhe u lidh me lëvizjen patriotike. Ishte viti 1901 kur bashkë me të vëllain, themeloi shoqërinë “Agimi”, e cila krijoi një alfabet dhe botoi një varg librash për shkollat mbi bazën e këtij alfabeti.

    Mes të tjerash, Dom Ndre Mjeda ishte anëtar i komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes në Kongresin e Manastirit, i zgjedhur në 1908-ën, si përfaqësues i Shkodrës dhe mbështeti variantin e shkronjave latine bashkë me At Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin, Hilë Mosin dhe Mati Logorecin. Në kujtesën popullore ai mbetet si poeti i “Vajit të Bylbylit”, botuar më 1887./atsh/ KultPlus.com