Kremlini ka deklaruar se trupat ruse dëgjojnë vazhdimisht gjuhë të huaja të folura nga ata që luftojnë për Ukrainën në vijën e frontit dhe ka paralajmëruar se do t’i “shkatërrojë” ata.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i bëri këto komente në përgjigje të një pyetjeje lidhur me një raport të agjencisë së inteligjencës së jashtme ruse SVR, e cila thotë se Franca po përgatitet të dërgojë një kontingjent ushtarak prej 2 mijë ushtarësh dhe oficerësh në Ukrainë.
Siç shkruan SKY News, Peskov gjithashtu pretendoi se Rusia nuk mund të vlerësojë ecurinë e negociatave për paqe me Ukrainën, pasi Kievi i ka pezulluar ato dhe nuk është i gatshëm të përgjigjet ndaj pyetjeve të Moskës.
Vullnetarë të huaj kanë luftuar në të dyja anët e konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës.
Sipas vlerësimeve të Ukrainës dhe Koresë së Jugut, më shumë se 10 mijë trupa koreano-veriore janë dërguar për të luftuar në anën ruse në këmbim të ndihmës ekonomike dhe teknologjisë ushtarake.
Agjencia e inteligjencës së Koresë së Jugut vlerësoi në shtator se rreth 2 mijë ushtarë koreano-veriorë janë vrarë.
Po ashtu, Sky News raporton se politikanët rusë kanë miratuar një projektligj që detyron thirrjen ushtarake gjatë gjithë vitit, jo vetëm në vjeshtë dhe pranverë, ndërsa forcat e armatosura synojnë të plotësojnë radhët e tyre.
Projektligji duhet tani të shqyrtohet nga dhoma e lartë dhe të nënshkruhet si ligj nga presidenti Vladimir Putin. Ky projektligj do t’i lejojë oficerët të thërrasin rekrutët për ekzaminime mjekësore dhe procedura të tjera në çdo kohë të vitit.
Autorët e ligjit thonë se masa synon të lehtësojë presionin mbi zyrat e thirrjes ushtarake dhe të rregullojë aktivitetet e tyre, që përfshijnë kryerjen e kontrolleve fizike dhe caktimin e rekrutëve në degë të ndryshme të ushtrisë. Ligji parashikon se rekrutët do të hyjnë në shërbim ushtarak vetëm gjatë disa muajve të pranverës dhe verës, ashtu si më parë.
Tag: ushtarake
-

“I dëgjojmë duke folur në front”, Kremlini kërcënon luftëtarët e huaj në Ukrainë
-

Azilkërkuesit do të largohen nga hotelet në Britani, qeveria gati të zhvendosë 900 emigrantë në qendrat ushtarake
Azilkërkuesit do të strehohen në qendrat ushtarake në Mbretërinë e Bashkuar, pasi qeveria synon të mos i përdori më hotelet e kushtueshme për akomodimin e emigrantëve.
Kryeministri Sir Keir Starmer i ka udhëzuar zyrtarët e Ministrisë së Brendshme dhe të Mbrojtjes që të përshpejtojnë punën për të gjetur vendet e duhura ushtarake, për strehimin e 900 azilkërkuesve.
Emigrantët do të vendosen në kampet e stërvitjeve ushtarake deri në fund të muajit të ardhshëm, kjo sipas planeve që po hartohen nga ministrat.
Qendrat ushtarake nuk janë akomodime luksoze, por do të përmbushin standardet e shëndetit dhe sigurisë për kushtet e duhura të strehimit.
“Kjo do të na mundësojë të lehtësojmë presionin mbi kompleksin e hoteleve të azilit dhe të mundësojmë që ato të mbyllen me një ritëm më të shpejtë”, tha Ministri i Mbrojtjes, Luke Pollard.
Pollard nuk dha detaje se sa azilkërkues do të zhvendosen ose kur do të ndodhte kjo, por do të ketë angazhim të mjaftueshëm me autoritetet lokale dhe masa të përshtatshme sigurie për te strehuar emigrantët.
Ministrat po shqyrtojnë gjithashtu vendet industriale, akomodimet e përkohshme dhe ato të papërdorura për të strehuar azilkërkuesit.
Rreth 32 mijë azilkërkues po qëndrojnë aktualisht në hotele dhe sipas një raporti u zbulua se miliarda para të taksapaguesve janë përdoruar për azilkërkuesit.Top Channel
-

SHBA-ja vendos aeroplanmbajtëse afër Venezuelës, Karakasi fillon ushtrimet ushtarake për tu mbrojtur nga operacionet amerikane
Venezuela zhvilloi të shtunën ushtrime ushtarake për të mbrojtur brigjet e saj nga “operacionet e fshehta” të mundshme të autorizuara nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha Ministri i Mbrojtjes, Vladimir Padrino.
“Ne po kryejmë një stërvitje mbrojtëse bregdetare që filloi 72 orë më parë për të mbrojtur veten jo vetëm nga kërcënimet ushtarake në shkallë të gjerë, por edhe nga trafiku i drogës, kërcënimet terroriste dhe operacionet e fshehta që synojnë destabilizimin e vendit”, tha Padrino.
Donald Trump konfirmoi disa ditë më parë se kishte autorizuar operacionet e CIA-s në Venezuelë. Këtë javë, ai tha se po shqyrtoheshin sulmet tokësore kundër karteleve të drogës që ai tha se vepronin në Venezuelë.
Uashingtoni do të vendosë një aeroplanmbajtëse në Karaibe, zyrtarisht si pjesë e operacioneve për të luftuar trafikun e drogës. Kjo është një rritje e mëtejshme e madhe e fuqisë së zjarrit të aseteve ushtarake amerikane në rajon, të cilën Presidenti i Venezuelës Nicolas Maduro e ka interpretuar si pjesë të një përpjekjeje për të “fabrikuar” një luftë kundër vendit të tij.
SHBA-të, të cilat premtuan në fushatën e tij të dytë zgjedhore se do t’i jepnin fund “luftërave të përjetshme” jashtë vendit, kanë kryer sulme ajrore kundër motoskafeve që paraqiten si anije trafikimi droge që nga fillimi i shtatorit, kryesisht në Karaibe.
Me sa dihet deri më sot, ata kanë nisur dhjetë, të cilat kanë vrarë të paktën 43 persona, sipas një llogaritjeje të AFP bazuar në njoftimet e Uashingtonit.Top Channel
-

Sulmet ndaj karteleve në Karaibe, Trump: Do vrasim këdo që helmon Amerikën. Reagime brenda dhe jashtë SHBA-së ndaj përshkallëzimit ushtarak
Në një aktivitet në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump dhe Sekretari i Mbrojtjes Pete Heggeseth deklaruan qëllimin e tyre për të vazhduar sulmet ushtarake kundër karteleve të drogës në Amerikën Latine, duke shkaktuar reagime negative dhe sfida ligjore.
Trump deklaroi: “Ne do t’i vrasim ata që sjellin drogë në vendin tonë. E dini, ata do të vdesin.” Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së iu drejtua më pas karteleve: “Ne do të sillemi me ju ashtu siç u sollëm me al-Kaedën. Do t’ju gjejmë. Do të hartëzojmë rrjetet tuaja. Do t’ju ndjekim dhe do t’ju vrasim.”
Megjithatë, sipas Financial Times, përshkallëzimi i veprimeve ushtarake në Detin e Karaibeve pranë Venezuelës dhe Paqësorit lindor, përfshirë vendosjen e një grupi sulmues të aeroplanmbajtësve të premten, ka tërhequr kritika të ashpra se veprimet janë të papajtueshme me ligjin amerikan dhe atë ndërkombëtar.
Deri më sot, SHBA-të kanë nisur të paktën 10 sulme vdekjeprurëse që synojnë anijet e trafikantëve të dyshuar të drogës, duke vrarë 43 persona.
Paz Zarate, një ekspert i ligjit ndërkombëtar nga Kili, tha se nuk kishte dyshim se SHBA-të ishin të përfshira në vrasje jashtëgjyqësore në det dhe se trafikantët e drogës duhet të arrestohen, jo të ekzekutohen në vend. Administrata Trump pretendon se është në një “konflikt të armatosur” me kartelet e drogës, të cilat i ka përcaktuar si organizata terroriste të huaja, pavarësisht faktit se deklaratat e luftës dhe autorizimet për veprime ushtarake jashtë vendit bien nën kompetencën e Kongresit.
Demokratët, ekspertët ligjorë, qeveritë e huaja dhe grupet e të drejtave të njeriut kanë kundërshtuar argumentet e administratës Trump. Mary Helen O’Connell, një profesoreshë e drejtësisë në Universitetin e Notre Dame, tha se përdorimi i forcës ushtarake jashtë një zone konflikti të armatosur është i paligjshëm. Laura Dickinson, një ish-zyrtare e Departamentit të Mbrojtjes, tha gjithashtu se ka shqetësime serioze në lidhje me ligjshmërinë e sulmeve sipas ligjit vendas dhe ndërkombëtar.
Sipas Financial Times, administrata Trump pretendon se ka informacion në lidhje me përfshirjen e anijeve sulmuese në trafikun e drogës, por nuk e ka bërë informacionin publik. Këto veprime shihen nga shumë si një mjet për të larguar udhëheqësin venezuelian Nicolás Maduro nga pushteti. Trump, në një përpjekje për të justifikuar ligjërisht fushatën, informoi Kongresin në shtator, duke i përshkruar veprimet si një “konflikt të armatosur” me kartelet, duke u thirrur në të drejtën e vetëmbrojtjes kundër “sulmeve të armatosura” kundër SHBA-së.
Disa ekspertë ligjorë pretendojnë se sulmet shkelin Konventat e Gjenevës të vitit 1949 dhe Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike të vitit 1992.
Ndërkohë, në Uashington, demokratët po udhëheqin kritikat ndaj sulmeve ushtarake amerikane kundër karteleve, me Jack Reed, demokratin më të lartë në Komitetin e Shërbimeve të Armatosura të Senatit, duke thënë se Trump po zhvillon “luftëra sekrete” kundër kujtdo që ai zgjedh.
Disa vende të Amerikës Latine, si Meksika dhe Kolumbia, i kanë dënuar veprimet e SHBA-së, duke i quajtur ato shkelje të së drejtës ndërkombëtare . Presidenti kolumbian Gustavo Petro i quajti sulmet “atentate”, ndërsa presidenti brazilian Lula da Silva tha se do të ishte më mirë që SHBA-të të punonin me forcat policore të vendeve të tjera për të ndërmarrë veprime të përbashkëta.Top Channel
-

Mbrojtja evropiane, Presidentja e KE Von der Leyen: Nuk mund të jemi naivë me Moskën
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në një pasazh kushtuar mbrojtjes evropiane në fjalimin e saj në Forumin ‘Berlin Global Dialogue’, tha se BE-ja nuk duhet të jetë naiv ndaj Rusisë.
Ajo thekson se Evropa po investon më tepër në aftësitë ushtarake dhe në forcimin e industrive të mbrojtjes për të parandaluar çdo sulm të mundshëm rus.
“Fuqia është matur gjithmonë me fuqinë ushtarake dhe ndikimin territorial. Kushdo që kontrollonte kufijtë dhe ushtritë, kontrollonte gjithashtu ekuilibrin e fuqisë në marrëdhëniet midis vendeve dhe kontinenteve. Dhe do të ishte gabim të thuash se ky nocion është i vjetëruar. Fuqia e fortë është më e rëndësishme se kurrë në botën e sotme.
Kemi parë se si vende si Rusia dhe aleatët e saj autokratë e përdorin konfliktin si mjet për të ndërtuar perandori dhe supremaci mbi të tjerët. Projekti ynë është i ndryshëm, por nuk mund të jemi naivë dhe të prekshëm.
Kjo është arsyeja pse Evropa po investon kaq shumë në aftësitë tona ushtarake dhe në forcimin e industrive tona të mbrojtjes. Ne do të zhbllokojmë deri në 800 miliardë euro në shpenzime për mbrojtje deri në vitin 2030. Ky fokus në parandalimin dhe paqen përmes forcës është më i rëndësishëm se kurrë”. -

Në lot për ushtarët e vrarë në Rusi, por Kim Jong Un nuk i ndahet Putinit (VIDEO)
Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, deklaroi se “vëllazëria ushtarake” mes vendit të tij dhe Rusisë do të vazhdojë të përparojë “pa ndalim”. Lajmi u raportua të premten nga televizioni shtetëror korean KRT.
Kim mbajti këtë fjalim gjatë ceremonisë së vendosjes së gurit të parë për ngritjen e një memoriali kushtuar ushtarëve koreano-veriorë që luftuan krah për krah me trupat ruse në rajonin e Kurskut, në Rusi, gjatë luftës që Moska po zhvillon kundër Ukrainës. Ceremonia u zhvillua të enjten, sipas agjencisë shtetërore koreane KCNA.
Ky aktivitet është shembulli më i fundit i nderimeve publike për ushtarët e Koresë së Veriut që po marrin pjesë në luftimet në territorin rus kundër forcave ukrainase.
Në muajt e fundit, Kim Jong Un dhe presidenti rus Vladimir Putin kanë nënshkruar një marrëveshje mbrojtjeje të ndërsjellë, që ka thelluar lidhjet ushtarake midis dy vendeve. Sipas burimeve perëndimore, Koreja e Veriut i ka dërguar Rusisë mijëra ushtarë, si dhe sasi të konsiderueshme municionesh dhe raketash, për të mbështetur pushtimin e plotë të Ukrainës nga Moska.
Sipas vlerësimeve të Ukrainës dhe Koresë së Jugut, më shumë se 10 mijë ushtarë koreano-veriorë janë dislokuar në zonat e luftës, në këmbim të ndihmës ekonomike dhe të teknologjisë ushtarake nga Rusia. Agjencia e inteligjencës së Seulit ka vlerësuar se deri në shtator, rreth 2 mijë prej tyre janë vrarë gjatë luftimeve.
Presidenti amerikan, Donald Trump, pritet të vizitojë Korenë e Jugut, rivalen historike të Penianit, javën e ardhshme, në një moment kur tensionet në rajon dhe aleanca e re ruso-koreane po tërheqin vëmendjen e botës. -

Kontroll të rreptë të mallrave ushtarake, nënshkruhet marrëveshja mes Doganes dhe AKSHE
Në prani të ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu, dhe ministrit të Financave, Petrit Malaj, u nënshkrua sot marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Autoritetit të Kontrollit Shtetëror të Eksporteve (AKSHE).
Marrëveshjen e firmosën drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Gnet Gazheli, dhe drejtori i AKSHE, Andrea Shllaku. Kjo marrëveshje ka si qëllim forcimin e bashkëpunimit mes dy institucioneve për zbatimin e kuadrit ligjor dhe zhvillimin e veprimtarive të përbashkëta në kontrollin e mallrave me përdorim të dyfishtë dhe atyre ushtarake.
Palët u angazhuan për krijimin e një platforme efektive për komunikim dhe shkëmbim informacioni, si dhe për ofrimin e asistencës teknike gjatë identifikimit dhe klasifikimit të mallrave që hyjnë apo dalin nga territori i Shqipërisë.
Për më tepër, institucionet do të realizojnë analiza të përbashkëta të riskut me qëllim minimizimin e rreziqeve lidhur me transferimet ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe teknologjive me përdorim të dyfishtë, duke përfshirë edhe parandalimin e trafikut të paligjshëm të tyre.
Zbatimi i kësaj marrëveshjeje pritet të sjellë rezultate të prekshme, si rritja e transparencës dhe përgjegjshmërisë institucionale, përmirësimi i kohës së reagimit dhe verifikimit, si dhe forcimi i mbrojtjes kundër përdorimeve të paligjshme të mallrave strategjike.
Kjo iniciativë kontribuon në garantimin e sigurisë kombëtare, mbrojtjen e interesave strategjike të shtetit dhe përmbushjen e angazhimeve ndërkombëtare të Shqipërisë. -

Shpërthim i fuqishëm në fabrikën ushtarake në Rusi, raportohet për 12 viktima
Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur të mëkurën e datës 22 tetor, në një fabrikë ushtarake në Rusi, ku si pasojë kanë humbur jetën 12 njerëz.
Fillimisht u raportua se katër persona u vranë dhe pesë të tjerë u plagosën në shpërthimin në fabrikë, që mediat lokale thanë se prodhon produkte plastike.
Por Reuters shkruan se numri i viktimave është rritur në dymbëdhjetë, ndërsa të plagosur janë pesë persona.
Aleksei Teksler, guvernatori i rajonit të Chelyabinskut, ku ka ndodhur incidenti, ka njoftuar se të gjitha shërbimet e emergjencës ishin në vendngjarje dhe nuk kishte kërcënim për banorët ose infrastrukturën civile.
Hetuesit rusë thanë të enjten se kishin hapur një çështje penale lidhur me incidentin. Mediet lokale, duke cituar dëshmitarë, raportuan se shpërthimi kishte ndodhur në fabrikën ‘Plastmass‘ në qytetin Kopeisk në rajonin e Chelyabinskut. Guvernatori Teksler tha se nuk kishte asnjë tregues që incidenti kishte lidhje me ndonjë aktivitet të dronëve. -

Mbretëria e Bashkuar dërgon trupat ushtarake në Izrael, përforcohet monitorimi i armëpushimit në Gaza
Mbretëria e Bashkuar ka vendosur një komandant të lartë ushtarak dhe një numër të vogël trupash në Izrael, me qëllim të mbështetjes së përpjekjeve ndërkombëtare për të monitoruar armëpushimin në Gaza, pas një kërkese të drejtpërdrejtë nga Shtetet e Bashkuara.
Lajmi u konfirmua nga Sekretari i Mbrojtjes i Britanisë, John Healey, gjatë një aktiviteti në Londër me drejtues të lartë të biznesit, ku ai tha se forcat britanike mund të luajnë një “rol kyç” në ruajtjen e një paqeje të qëndrueshme.
“Ne kemi përvojë dhe aftësi të specializuara që i kemi ofruar për të kontribuar në këtë mision,” tha Healey. “Mund të ndihmojmë në monitorimin e armëpushimit, megjithëse kjo përpjekje ka të ngjarë të udhëhiqet nga palë të tjera.”
Oficeri britanik i vendosur në terren do të shërbejë si zëvendëskomandant i një qendre koordinimi civilo-ushtarake, e cila udhëhiqet nga një komandant amerikan. Kjo qendër pritet të përfshijë gjithashtu personel nga Egjipti, Katari, Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, në një përpjekje të përbashkët për të mbështetur marrëveshjen e brishtë të armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit.
Marrëveshja aktuale e armëpushimit është ndërmjetësuar nga presidenti amerikan Donald Trump dhe shihet nga diplomatët perëndimorë si një mundësi për të vendosur një paqe të qëndrueshme në rajon pas muajsh të tëra konfliktesh.
Vendimi për të dërguar trupa britanike vjen vetëm një javë pasi sekretarja e re e Jashtme, Yvette Cooper, kishte deklaruar se Britania nuk kishte plane për të përfshirë forca tokësore në këtë operacion.Top Channel
-

Ushtria britanike do të ketë fuqinë për të rrëzuar dronët mbi bazat ushtarake
Rregullat e reja do t’i lejojnë ushtrisë britanike të rrëzojë dronët pranë bazave ushtarake në Britaninë e Madhe, njoftoi ministri i Mbrojtjes John Healey.
Dronët janë parë mbi baza ushtarake, duke përfshirë disa që përdoren nga forcat amerikane në Britaninë e Madhe, ndërsa vende të tjera në Europë gjithashtu kanë përjetuar ndërprerje, me spekulime se disa nga këto incidente mund të kenë lidhje me Rusinë.
Fuqitë e reja për mbrojtjen e bazave ushtarake do të përfshihen në Ligjin e Forcave të Armatosura, ku Healey premton të “bëjë atë që duhet për të mbajtur të sigurt popullin britanik”.Britania e Madhe dërgoi ekspertë të specializuar kundër dronëve në Danimarkë në shtator pas aktiviteteve të dyshimta, ndërsa vitin e kaluar disa dronë të paidentifikuar u panë disa herë mbi tre baza ajrore të përdorura nga forcat amerikane në Britani, “ RAF Lakenheath” e “RAF Mildenhall “në Suffolk, dhe “RAF Feltwell “në Norfolk.