Tag: urave

  • Izolohen 10 fshatra, shembje urash dhe rrugësh në disa fshatra në Mirditë

    Izolohen 10 fshatra, shembje urash dhe rrugësh në disa fshatra në Mirditë

    Kronikë E Mërkurë, 19 Nëntor 2025 17:19
    Moti i keq ka shkaktuar fryrjen e përrenjve malorë në Mirditë, duke krijuar probleme të shumta infrastrukturore në disa zona të bashkisë. Shembja e urave, rrëshqitjet e dherave dhe segmentet e dëmtuara rrugore kanë izoluar disa fshatra, ndërsa ekipet e emergjencave civile janë angazhuar në terren që prej mëngjesit për të vlerësuar situatën.
    Në fshatin Jezull, banorët janë bllokuar pas rrëzimit të urës që lidh zonën me pjesën tjetër të territorit. Ata thonë se nuk kanë qenë kurrë më parë përballë një situate të tillë dhe kërkojnë që institucionet të ndërhyjnë sa më shpejt. Kryebashkiaku i Mirditës, Albert Melyshi, dhe prefekti i Lezhës, Taulant Malshi, inspektuan nga afër zonat më të dëmtuara, duke marrë informacion nga stafet teknike dhe banorët e prekur.

    Në zonë ishte edhe deputeti Gjin Gjoni, i cili, në prag të diskutimeve për buxhetin në Parlament, kërkoi rritjen e fondeve për emergjencat civile dhe sektorin e bujqësisë, duke theksuar se bashkitë malore, si Mirdita, janë lënë jashtë mbështetjes së duhur.

    Sipas të dhënave paraprake, rreth 10 fshatra janë aktualisht të izoluara për shkak të dëmtimeve të infrastrukturës rrugore dhe shembjes së urave. Situata mbetet kritike edhe për ujësjellësin e qytetit, pasi përroi i Tarazhit vazhdon të gërryejë zonën ku kalojnë tubacionet kryesore. Gjatë një mbledhjeje të posaçme me emergjencat civile në Mirditë, u diskutuan problematikat kryesore dhe u vendos që për zonat e izoluara të mbahet gatishmëri e plotë për çdo ndërhyrje të nevojshme, duke garantuar mbi të gjitha sigurinë dhe jetën e banorëve.

  • “Dëmtime të urave dhe rënie dherash”/ Qarku i Kukësit përfshihet nga moti i keq, reshjet e shiut shkaktojnë probleme

    “Dëmtime të urave dhe rënie dherash”/ Qarku i Kukësit përfshihet nga moti i keq, reshjet e shiut shkaktojnë probleme

    Reshjet e shiut kanë shkaktuar probleme në disa fshatra të qarkut të Kukësit, ku raportohen për dëmtime të urave dhe rënie dherash e inerte në disa rrugë nacionale. Sipas informacionit nga Emergjencat Civile, në Ujmisht ka rënie gurësh dhe inertesh në rrugë në Lusèn, Malqene dhe Tejdrinë, po ashtu dhe në Zapod.
    Si rezultat i erës është dëmtuar dhe mbulesa e një çatije në shkollën e fshatit Bele. Në Kolsh, si rezultat i vërshimit të ujrave janë dëmtuar rrugët e fshatit Myç-Mamëz dhe Mamëz të aksit rrugor Kukës-Surroj, ndërsa në Tropojë, në disa zona janë evidentuar problematika në disa ura.
    Konrketisht, si pasojë e prurjeve të mëdha të ujit janë dëmtuar këmbët mbajtëse të tyre. Gjithashtu, për shkak të amortizimit, disa ura kanë pësuar dëmtime në shtrojën e tyre.

  • Projekti 55 mln USD i urave, BB: Në tetor përfundojnë punimet për Viroin

    Projekti 55 mln USD i urave, BB: Në tetor përfundojnë punimet për Viroin

    Banka Botërore ka vlerësuar si të kënaqshme ecurinë e projektit për rritjen e sigurisë së urave, duke parashikuar që shumica e aktiviteteve të përfundojnë brenda këtij viti.Punimet për Urën e Viroit pritet të përfundojnë në fund të tetorit.“Projekti ‘Ndërtimi i Urave Rezistente në Shqipëri’ është në vitin e dytë të zbatimit, pasi u shpall efektiv më 1 dhjetor 2023.Zbatimi po ecën në mënyrë të kënaqshme, me pritshmëri që shumica e aktiviteteve kryesore të përfundojnë në mënyrë substanciale deri në fund të dhjetorit 2025. Punimet civile në Urën Viroi pritet të mbyllen në fund të tetorit,” thuhet në raportin e Bankës Botërore.Projekti, i miratuar më 16 mars 2023, ka për qëllim të forcojë rezistencën e urave kritike ndaj ndryshimeve klimatike dhe rreziqeve natyrore, si dhe të përmirësojë menaxhimin e rrugëve dhe të aseteve të urave në vend.Ai përfshin tre komponentë kryesorë: infrastrukturë urash (44 milion USD), ndërtim të kapaciteteve institucionale (7 milion USD) dhe menaxhim të projektit (4 milion USD), duke e çuar vlerën totale në 55 milion USD.Me herët është nënvizuar se projekti rrit sigurinë e qytetarëve dhe lehtësinë e qasjes në rrugët kombëtare, duke përfituar drejtpërdrejt rreth 300,000 banorë.Ai synon të nxisë zhvillimin ekonomik dhe turizmin, duke krijuar vende të reja pune dhe duke përmirësuar tregtinë lokale. Gjithashtu, përmirësimi i urave të dëmtuara parandalon izolimin e fshatrave dhe rrit kapacitetet teknike të bizneseve dhe punonjësve lokalë. Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

  • “Flija poshtë urave në kohën e PD, ja si e takova Ramën” – Rrëfehet zyrtari i PS

    “Flija poshtë urave në kohën e PD, ja si e takova Ramën” – Rrëfehet zyrtari i PS

    Alfred Muharremi, anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, ka ndarë një histori personale në emisionin “Off the Record” të Andrea Dangllit në A2 CNN. 
    Muharremi rrëfeu se në kohën kur qeveriste Partia Demokratike, për shkak të mungesës së mbështetjes sociale, ishte i detyruar të flinte poshtë urave. “Jeta ime ishte skëterr në qeverisjen e PD-së, ku më duhej të flija edhe nën ura, pasi nuk kishte programe mbrojtjeje sociale për jetimët. Politikanët nuk jepnin asgjë për shoqërinë shqiptare”, tha ai. 
    Zyrtari socialist tregoi se momenti i kthesës ndodhi kur takoi Edi Ramën në fillimet e qeverisjes së tij, i mbështetur edhe nga deputeti Pëllumbi. “I kërkova kryeministrit tre gjëra, jo për vete, por për komunitetin tim. Sot ato janë bërë realitet”, deklaroi Muharremi. 
    Sipas tij, një prej kërkesave ishte rritja e mbështetjes financiare për të rinjtë jetimë, duke theksuar se sot mbi 700 prej tyre janë pjesë e administratës publike. Ai nënvizoi se përmes nismave sociale dhe programeve të strehimit, qeveria ka ndërtuar shtëpi për të pastrehët, duke ndryshuar jetën e shumë familjeve. 

  • Hapet ura e re për automjete mbi lumin Ibër

    Hapet ura e re për automjete mbi lumin Ibër

    Mëngjesin e së martës është hapur njëra prej dy urave që Qeveria në detyrë e Kosovës nisi t’i ndërtojë muaj më parë mbi lumin Ibër, i cili e ndan Mitrovicën në jugun e banuar me shqiptarë dhe në veriun e banuar me serbë.

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, shkroi në Facebook se “më pak se dy muaj u deshën për të ngritur urën e 36-të në Kosovë mbi lumin Ibër”.
    “Ura për kalimin e automjeteve nga sot prej orës 9:00 është hapur për qarkullim”, shkroi ai.

    Më herët, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, publikoi një fotografi të veturave duke kaluar mbi urën e re dhe shkroi: “Të dashur qytetarë të Mitrovicës dhe gjithë Kosovës, urime ura e re”.
    Autoritetet kosovare e filluan ndërtimin e dy urave në të dy krahët e urës kryesore mbi lumin Ibër, me gjithë kundërshtimet nga serbët lokalë dhe reagimet e bashkësisë ndërkombëtare.
    Qeveria e Kosovës ka thënë vazhdimisht se ndërtimi i këtyre urave – njëra për këmbësorë dhe tjetra për automjete – ka për qëllim t’i lidhë Mitrovicën e Veriut me Mitrovicën e Jugut, qytet i ndarë etnikisht që nga paslufta.
    Ajo i ndau rreth tre milionë euro për ndërtimin e tyre dhe tha se të dyja do të përfundonin në vjeshtë.
    Ndërtimi i tyre u kundërshtua edhe nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon përkrahjen e Beogradit, e cili ngriti dhe një peticionin kundër saj, i cili i mori mbi 3.500 nënshkrime.
    Bashkimi Evropian ka thënë se ndërtimi i dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë “ka rëndësi praktike dhe politike”, dhe se çdo projekt infrastrukturor midis Mitrovicës së Veriut dhe asaj të Jugut kërkon koordinim të ngushtë dhe dialog mes të gjitha komuniteteve të përfshira.
    “Është e domosdoshme që këto projekte të pasqyrojnë vullnetin dhe nevojat e komuniteteve lokale”, është thënë në përgjigje.
    Ndërkohë, teksa punimet për ndërtimin e tyre filluan, prokurorët njoftuan se kishin autorizuar hetime, për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të mundshëm të fondeve publike në procesin e lidhjes së kontratës me kompaninë përkatëse.
    Më 10 korrik, Prokuroria konfirmoi zyrtarisht se autorizoi Policinë e Kosovës për të hetuar mënyrën e lidhjes së kontratës për këtë projekt, por nuk ka ndarë të dhëna të tjera.
    Urat e reja po ndërtohen pranë urës kryesore mbi Ibër, e cila është pjesë e Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes të arritur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
    Kjo urë është e njohur për përplasjet etnike pas luftës dhe për këtë arsye është nën mbikëqyrjen e forcave të KFOR-it.
    Ura kryesore është e hapur vetëm për këmbësorë, ndërsa Qeveria e Kosovës kishte paralajmëruar hapjen e saj për komunikacion në korrik të vitit të kaluar – gjë që pati shkaktuar tensione dhe reagime nga bashkësia ndërkombëtare.
    Kosova dhe Serbia ishin pajtuar që ura të hapej për qarkullim në vitin 2014, në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve.
    Ishte paraparë revitalizimi i urës dhe largimi i të gjitha barrikadave të vendosura nga serbët lokalë.
    Në vitin 2016 u arrit marrëveshje për një plan të ri zbatimi, për të tejkaluar mosmarrëveshjet rreth interpretimeve të marrëveshjeve të mëparshme. Sipas këtij plani, ura duhej të hapej për komunikacion në janar të vitit 2017.
    Punimet për revitalizim përfunduan në qershor të vitit 2018, ndërsa ura – në të cilën janë investuar 1.5 milionë euro – nuk është hapur kurrë për automjete, por vetëm për këmbësorë./REL

  • Video/ Një mrekulli inxhinierike, Kina ndan malet në mes për të ndërtuar urën më të lartë në Botë

    Video/ Një mrekulli inxhinierike, Kina ndan malet në mes për të ndërtuar urën më të lartë në Botë

    Në provincën Guizhou të Kinës, ku malet mbulojnë 92% të sipërfaqes, një projekt spektakolar infrastrukture po transformon përgjithmonë peizazhin.

    Autostrada e re Guizhou-Luan “futet” përmes vargmaleve, nëpërmjet një urë gjigante.
    Në vend të tunelëve, kthesave të shumta dhe ngjitjeve të ngadalta, Kina ka ndjekur një qasje krejtësisht të re, të “presë” malin përmes. Punëtorët kanë hequr majat, kanë rrafshuar terrenin dhe kanë hapur një rrugë të drejtë, spektakolare, që e shndërron një udhëtim të vështirë 70-minutësh në një udhëtim njëminutësh nëpër qiell.
    Autostrada përshkon zona të izoluara të Guizhou-t dhe përfundon në një nga projektet më të guximshme të inxhinierisë moderne kineze ne Urën e Grykës Huajiang.

    🏔️ They sliced a mountain range in half to lay down a highway. Only one country would dare to pull this off
    In China, engineers didn’t bother with tunnels — they shaved off entire mountain peaks to carve a path for a new expressway. The result? A surreal road cutting straight… pic.twitter.com/xryv8jwNsE
    — NEXTA (@nexta_tv) August 2, 2025

    Aktualisht në ndërtim, Ura e Grykës Huajiang pritet të hapet në fund të vitit 2025. Kur të përfundojë, ajo do të jetë ura më e lartë në botë, duke qëndruar 625 metra mbi kanion – aq lart sa edhe Kulla Eiffel do të fshihej nën të.
    Kjo urë e varur do të jetë 2,889 metra e gjatë dhe 1,420 metra e gjerë, me kulla aq të larta sa do të shkaktojnë marramendje edhe tek më të guximshmit. Deri tani janë përdorur mbi 49,000 ton çelik, ndërsa ndërtimi mbështetet në vinça të kontrolluar nga GPS dhe sensorë ere, që garantojnë siguri dhe saktësi maksimale.
    Lidhja me fshatrat dhe të ardhmen turistike
    Përveç ndikimit të madh inxhinierik, ura do të luajë një rol jetik në lidhjen e fshatrave të izoluara me qendrat urbane, duke reduktuar ndjeshëm kohën e udhëtimit dhe duke përmirësuar qasjen në shërbime e mundësi ekonomike.
    Në të njëjtën kohë, zona pritet të kthehet në një atraksion turistik të madh. Projekti përfshin:shtigje prej xhami,aktivitete ekstreme, dhe oferta të tjera që premtojnë emocione të paharrueshme.
    Në internet, projekti ka shkaktuar reagime të forta – nga entuziazmi tek frika. “Vendndodhje e re makthi”, komentoi një përdorues në Reddit, ndërsa të tjerë shprehën kuriozitetin: “Si do të ndihet të ngasësh makinën mbi një hendek kaq të thellë?”
    Guizhou: “Muzeu i urave të larta” të KinësMe përqendrimin më të madh të urave qe kane thyer rekorde në botë, provinca Guizhou tashmë ka fituar nofkën “muzeu i urave të larta”. Struktura të jashtëzakonshme shtrihen mbi kanione të thella dhe maja të thyer, duke dëshmuar kapacitetin e inxhinierisë moderne për të përballuar çdo sfidë natyrore.
    Siç shkruan Supercar Blondie:
    “Nëse natyra ndërton mure, inxhinierët do të gjejnë një mënyrë për t’i kapërcyer ato.”

    Top Channel

  • Mbi 3.600 nënshkrime kundër urave të reja në Mitrovicë

    Mbi 3.600 nënshkrime kundër urave të reja në Mitrovicë

    Peticioni kundër ndërtimit të dy urave mbi lumin Ibër – për të cilat gur themeli u vendos në fillim të korrikut në prani të kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti – është nënshkruar nga 3.628 qytetarë, njoftoi të mërkurën Lista Serbe.

    Sipas Qeverisë së Kosovës, ndërtimi i këtyre urave ka për qëllim t’i lidhë Mitrovicën e Veriut – me shumicë serbe – me Mitrovicën e Jugut, ku jeton shumica shqiptare.
    Për ndërtimin e dy urave – një për këmbësorë dhe tjetri për komunikacion – Qeveria e Kosovës ka ndarë rreth tre milionë euro, ndërsa përfundimi i punimeve pritet në vjeshtë.

    Megjithatë, Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon përkrahjen e Beogradit, nisi të hënën nënshkrimin e peticionit, dhe të mërkurën njoftoi se nënshkrimet janë mbledhur “për 11 orë” dhe se peticioni është “përfunduar me sukses”.
    “Kjo shifër e nënshkrimeve për një kohë kaq të shkurtër paraqet një sinjal të fuqishëm dhe të qartë – populli është kundër imponimit dhe politikës së forcës”, thuhet në deklaratën e Listës Serbe.
    Nuk dihet saktësisht numri i banorëve të Mitrovicës së Veriut – aty ku janë mbledhur nënshkrimet – pasi pjesëtarët e komunitetit serb në veri të Kosovës kryesisht e kanë bojkotuar regjistrimin e popullsisë në vitin 2024.
    Agjencia e Statistikave të Kosovës ka vlerësuar se në katër komunat me shumicë serbe në veri – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – jetojnë rreth 20.000 serbë.
    Lista Serbe ka njoftuar se në ditët në vijim do ta dorëzojë peticionin te përfaqësuesit e vendeve të Quint-it, misionit të KFOR-it, EULEX-it, Bashkimit Evropian, OSBE-së dhe UNMIK-ut, duke kërkuar prej tyre një reagim “të menjëhershëm dhe të qartë”, ndërprerjen e ndërtimit të urave pa konsultim me popullin serb dhe respektimin e parimeve bazë demokratike dhe të së drejtës ndërkombëtare.
    “Populli serb nuk është kundër zhvillimit dhe infrastrukturës, por është kundër vendimeve që merren pa të dhe kundër një politike që ka për synim zhdukjen e tij nga këto hapësira”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.
    Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Bashkimi Evropian ka deklaruar se ndërtimi i dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë “ka rëndësi praktike dhe politike”, dhe se çdo projekt infrastrukturor midis Mitrovicës së Veriut dhe asaj të Jugut kërkon koordinim të ngushtë dhe dialog mes të gjitha komuniteteve të përfshira.
    “Është e domosdoshme që këto projekte të pasqyrojnë vullnetin dhe nevojat e komuniteteve lokale”, është thënë në përgjigje.
    Ndryshe, urat e reja po ndërtohen pranë urës kryesore mbi Ibër, e cila është pjesë e Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes të arritur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Kjo urë është e njohur për përplasjet etnike pas luftës dhe për këtë arsye është nën mbikëqyrjen e forcave të KFOR-it.
    Aktualisht është e hapur vetëm për këmbësorë, ndërsa Qeveria e Kosovës kishte paralajmëruar hapjen e saj për komunikacion në korrik të vitit të kaluar – gjë që pati shkaktuar tensione dhe reagime nga bashkësia ndërkombëtare.
    Kosova dhe Serbia kishin rënë dakord që ura të hapej për qarkullim në vitin 2014, në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve. Ishte paraparë revitalizimi i urës dhe largimi i të gjitha barrikadave të vendosura nga serbët lokalë.
    Në vitin 2016 u dakordua një plan i ri zbatimi, për të tejkaluar mosmarrëveshjet rreth interpretimeve të marrëveshjeve të mëparshme. Sipas këtij plani, ura duhej të hapej për komunikacion në janar të vitit 2017.
    Punimet për revitalizim përfunduan në qershor të vitit 2018, ndërsa ura – në të cilën janë investuar 1.5 milionë euro – nuk është hapur kurrë për automjete, por vetëm për këmbësorë./REL

  • Plani i Kurtit për ndërtimin e urave në Mitrovicë, BE kërkon koordinim dhe dialog

    Plani i Kurtit për ndërtimin e urave në Mitrovicë, BE kërkon koordinim dhe dialog

    Bashkimi Evropian ka kërkuar që për çfarëdo projekti të infrastrukturës mes jugut dhe veriut të Mitrovicës të ketë koordinim dhe dialog me të gjitha komunitetet përkatëse. BE-ja e dha këtë deklaratë pas vendosjes së gurthemeleve për ndërtimin e dy urave mbi lumin Ibër dhe pas testimeve që BE-ja ka bërë në urën ekzistuese e cila vazhdon të mbetet e mbyllur për trafik të automjeteve.
    “Ndërtimi i dy urave të reja është një zhvillim i cili ka rëndësi edhe praktike edhe politike. Çfarëdo projekti i infrastrukturës mes veriut dhe jugut në Mitrovicë kërkon një koordinim të ngushtë dhe dialog mes të gjitha komuniteteve përkatëse”, thuhet në një përgjigje të Bashkimit Evropian. Në të njëjtën përgjigje thuhet se është thelbësore që projektet e tilla të reflektojnë vullnetin dhe nevojat e komuniteteve lokale. Bashkimi Evropian ka përsëritur atë që ka thënë edhe më herët se i ka kryer testimet për vlerësimin e urës mbi lumin Ibër por se këto testime “nuk sinjalizojnë ndonjë ndryshim të status quos”.
    “BE-ja është duke kryer momentalisht vlerësimin rutinor struktural të urës dhe të studimit planifikues urban të zonës rreth saj duke pasur parasysh kohën që ka kaluar nga revitalizimi i urës në Mitrovicë. Autoritetet e Kosovës ishin të informuara paraprakisht në mënyrë të duhur. Ky vlerësim nuk sinjalizon asnjë ndryshim të status quos, por ka për qëllim të sigurojë që cilido vendim rreth së ardhmes së urës do të jetë në bazë e informatave më të fundit, të sakta dhe të dhënave objektive teknike. BE-ja është duke u koordinuar për të afërmi me partnerët ndërkombëtarë në Kosovë lidhur me të ardhmen e urës”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

  • Urat mbi Ibër që sjellin tensione? Ekspertët: Nuk ka vend për shqetësim, siguria në veri nuk rrezikohet

    Urat mbi Ibër që sjellin tensione? Ekspertët: Nuk ka vend për shqetësim, siguria në veri nuk rrezikohet

    Lista Serbe kundërshtoi përmes një peticioni ndërtimin e dy urave të reja mbi Ibër, reagimi ky që erdhi pasi edhe presidenti i serb Aleksandër Vuçiç dënoi këtë projekt. Ndërsa lëvizjet kanë shtuar frikën për ndonjë tension në veri, ekspertët e sigurisë nuk shohin ndonjë arsye për shqetësim lidhur me ndërtimin e dy urave që do të lidhin Mitrovicën e veriut me atë të jugut.
    “Numri i incidenteve tek ura është jashtëzakonisht shumë i vogël, mbase shpesh herë është një tendencë që këtyre incidenteve edhe të natyrës tjetër t’ju vishet ky petkui incidenteve ndëretnike por numri i incidenteve në urë është jashtëzakonisht i vogël”, thotë Mentor Vrajolli nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë.
    Vuçiç ankesat ika veta i ka parashtruar tek vendet perëndimore, ku po ashtu është adresuar edhe peticioni i Listës Serbe.
    Bashkimi Europian ka kërkuar gjithëpërfshirje në projekte të tilla duke konsultuar të gjitha komunitetet. Kjo ka ngritur shqetësime se mos këto ura mund të përfundojnë si ajo kryesorja që është e hapur vetëm për këmbësorë.
    “Ka ura të tjera të cilat faktori ndërkombëtar asnjëherë nuk i ka mbyllur, mendoj se nuk ka kurrfarë arsye që të mbyllen këto ura, ndoshta ajo ura në qendër të qytetit mund të shndërrohet në pedonale, apo të ketë një trajtim të ndryshëm për të mos ngritur debat”, tha Vrajolli.
    Aktualisht Mitrovica e ndarë në dy komuna administrative lidhet me dy ura ku qarkullojnë veturat, ndërsa një ka mbetur për këmbësorë. Shtimi i dy urave të tjera mund të sjellë ndonjë “incident sporadik” por në sytë e ekspertëve nuk ka potencial për destabilizim të situatës.
    “Risku më i madh në pjesën veriore është nëse kufijtë nuk janë të kontrolluar, mendoj se në këtë pikë në kontrollin kufitar përgjegjëse ekskluzive është KFOR kështu që siguria e Kosovës në pjesën veriore varet enkas në performancën e KFOR”, shtoi eksperti.
    Dy urat e reja që pritet të përfundojnë në vjeshtë kanë kosto prej 3 milionë eurosh dhe është investim i Qeverisë së Kosovës. Njëra urë do të shërbejë për qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve, ndërsa tjetra vetëm për këmbësorë.

  • Ndërtimi i urave mbi lumin Ibër, BE: Çdo projekt kërkon koordinim të ngushtë dhe dialog mes komuniteteve

    Ndërtimi i urave mbi lumin Ibër, BE: Çdo projekt kërkon koordinim të ngushtë dhe dialog mes komuniteteve

    Një zëdhënës i Bashkimit Evropian i ka thënë të hënën Radios Evropa e Lirë se ndërtimi i dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë është zhvillim që bart rëndësi, edhe politike edhe praktike” dhe që “secili projekt infrastrukturor në mes të Mitrovicës së Jugut dhe asaj të Veriut kërkon koordinim të ngushtë dhe dialog në mes të të gjitha komuniteteve”.

    Sipas bllokut evropian, është thelbësore që projekte të tilla të reflektojnë vullnetin dhe nevojën e komuniteteve lokale.
    Qeveria në detyrë e Kosovës i ka ndarë rreth tre milionë euro për ndërtimin e dy urave – njëra për këmbësorë dhe tjetra për trafik – dhe punimet rreth tyre pritet të përfundojnë në vjeshtë.

    Sipas autoriteteve në Prishtinë, qëllimi i projekteve është “integrimi dhe zhvillimi” mes banorëve të Mitrovicës së Veriut me shumicë serbe dhe asaj të Jugut me shumicë shqiptare.
    Gurëthemelet e dy urave në Mitrovicë janë vendosur më 1 korrik, ndërsa i pranishëm ka qenë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
    Më herët gjatë ditës, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – ka nisur një peticion kundër ndërtimit të urave mbi Ibër.
    Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, i ka thënë Radio Televizionit të Serbisë përpara fillimit të nënshkrimit të peticionit, se qëllimi është “të tregohet një qëndrim i unifikuar i popullit serb, se ai nuk pranon vendime të njëanshme për projekte në dëm të komunitetit serb”.
    Sipas tij, peticioni do të jetë i disponueshëm për nënshkrim gjatë dy ditëve të ardhshme, ndërsa më pas do t’i përcillet bashkësisë ndërkombëtare.
    Urat do të ndërtohen pranë urës kryesore mbi lumin Ibër, e cila është pjesë e Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes, e arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
    Në këtë urë qëndrojnë vazhdimisht pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, pasi ajo njihet për konflikte etnike në periudhën e pasluftës.
    Kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore për mbylljen e saj për qarkullimin e makinave.
    Bashkimi Evropian ka porositur më 7 korrik që “të gjitha marrëveshjet mes Prishtinës dhe Beogradit, përfshirë ato lidhur me urën në Mitrovicë të zbatohen plotësisht”.
    Blloku evropian ka bërë të ditur se është duke kryer vlerësimin e strukturës së urës në Mitrovicë dhe është duke analizuar planin urbanistik të zonës përreth, dhe që autoritetet e Kosovës janë ta informuara për këto zhvillime.
    “Ky vlerësim nuk sinjalizon ndonjë ndryshim në status quo, mirëpo synon të garantojë që secili vendim për të ardhmen e urës bëhet mbi baza të të dhënave të sakta dhe objektive”.
    “BE-ja është duke u koordinuar nga afër me partnerët ndërkombëtarë në Kosovë sa i përket të ardhmes së urës”, është thënë mes tjerash në përgjigje.
    Verën e kaluar, Qeveria e Kosovës pati paralajmëruar se ajo mund të hapet për trafik – gjë që i ka rritur tensionet dhe shkaktoi reagime nga bashkësia ndërkombëtare.
    Kryeministri në detyrë, Kurti ka deklaruar se Qeveria e tij nuk do të heqë kurrë dorë nga hapja e urës kryesore.
    Pjesëtarë të komunitetit serb nga Mitrovica e Veriut i kanë thënë më herët Radios Evropa e Lirë se hapja e urës kryesore vetëm se do t’i rriste tensionet në terren, ndërsa shqiptarët nga Mitrovica e Jugut besojnë se një veprim i tillë do të kontribuonte në bashkëjetesë dhe liri të lëvizjes./rel