Tag: universitetit

  • Ndahet nga jeta akademiku Mina Naqo

    Ndahet nga jeta akademiku Mina Naqo

    Një nga figurat më të shquara të matematikës shqiptare dhe personalitet në fushën e arsimit të lartë, profesori i nderuar Mina Naqo është ndarë nga jeta në moshën 86 vjeçare. Lajmin e trishtë e jep Rektor i Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha.
    Ai thotë se kolegët do ta kujtojnë përherë profesor Naqon si njeri të thjeshtë e të përkushtuar në punë. “Tek ai ndërthureshin më së miri korrektësia para punës dhe profesionit me ngrohtësinë njerëzore me kolegët dhe studentët”, shkruan Rektori.
    Në emër të Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Artan Hoxha i shpreh ngushëllimet familjes së profesor Naqos, por edhe kolegëve të shumë të tij në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe fakultete të tjera të Universitetit të Tiranës.
    Prof. Dr. Mina Naqo lindi në 12 janar 1939, në qytetin e Vlorës, ku kreu arsimin 8 vjeçar dhe të mesëm. Më pas ai ndoqi studimet e larta në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës, ku shkëlqeu si student në fushën e matematikës.
    Pas diplomimit, ai iu përkushtua Departamentit e Matematikës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ku për dekada shërbeu si pedagog. Përveçse një studiues dhe pedagog i shkëlqyer, ai ishte një frymëzues i studentëve që aspironin mësuesinë dhe shkencën e matematikës.
    Prof. Naqo ishte autor dhe bashkautor i teksteve të shumta universitare dhe shkollore, të cilat për vite u shndërruan në bazë të formimit të mijëra nxënësve dhe studentëve shqiptarë.
    Me punën e tij kërkimore dhe botimet shkencore, ai la gjurmë të çmuara në zhvillimin e matematikës dhe në ngritjen e standardeve akademike në vend.

  • Administrata Trump nuk i ndahet Harvardit: Tregohuni të përgjegjshëm financiarisht nëse doni fonde federale

    Administrata Trump nuk i ndahet Harvardit: Tregohuni të përgjegjshëm financiarisht nëse doni fonde federale

    Administrata e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, po përshkallëzon fushatën e saj kundër Universitetit të Harvardit, duke vendosur kufizime të reja në fondet federale për ndihmën studentore, duke përmendur shqetësime në lidhje me “gjendjen financiare” të universitetit më të vjetër dhe më të pasur në vend.

    Departamenti i Arsimit i SHBA-së njoftoi se e kishte vendosur Harvardin nën “mbikëqyrje të shtuar të kapitalit” për shkak të “shqetësimeve në rritje në lidhje me gjendjen e tij financiare”.
    Sipas departamentit, ky regjim kërkon që universiteti të përdorë tani e tutje fondet e veta për të promovuar ndihmën federale të dhënë studentëve përpara se të jetë në gjendje të rikuperojë këto shuma nga shteti.
    “Studentët do të vazhdojnë të kenë qasje në fondet federale, por Harvardi do të duhet të mbulojë pagesat fillestare për të siguruar që universiteti shpenzon fondet publike në mënyrë të përgjegjshme”, tha Departamenti i Arsimit i SHBA-së në një deklaratë.
    Për më tepër, ministria kërkon që Harvardi të “sigurojë një letër krediti të pakthyeshme prej 36 milionë dollarësh ose një garanci tjetër financiare të konsideruar të pranueshme”.
    Ky sulm i ri ndaj universitetit vjen menjëherë pas fitores së parë ligjore të Harvardit kundër administratës Trump, e cila e akuzon atë se shërben për të kultivuar ideologjinë “woke” dhe se nuk ka mbrojtur në mënyrë adekuate studentët e saj hebrenj gjatë protestave pro-palestineze.
    Më 3 shtator, një gjyqtare e Bostonit urdhëroi qeverinë të anulojë një ngrirje fondesh prej rreth 2.6 miliardë dollarësh. Në vendimin e saj, gjyqtarja akuzoi qeverinë për “përdorimin e antisemitizmit si një perde tymi” për të nisur një sulm “të motivuar ideologjikisht”.
    Harvard, i cili nuk ka reaguar ndaj vendimit të Ministrisë së Arsimit, njoftoi dje se ka filluar të rikuperojë disa nga fondet që ishin ngrirë.
    “Jemi të kënaqur të njoftojmë se Departamenti i Shëndetësisë ka dhënë 46 milionë dollarë në fonde kërkimore. Ky është një hap i parë dhe shpresojmë të shohim të gjitha fondet tona të rikuperuara nga të gjitha agjencitë qeveritare”, tha universiteti në një deklaratë.

    Top Channel

  • Arkitektura dhe Urbanistika më të kërkuarat, plotësohen 71% e kuotave në Universitetin Politeknik

    Arkitektura dhe Urbanistika më të kërkuarat, plotësohen 71% e kuotave në Universitetin Politeknik

    Ashtu si në dy vitet e fundit, edhe këtë vit degët inxhinierike janë ndër më të kërkuarat.

    Ato kryesojnë listën e renditjes së programeve të studimit nga maturantët. Rektori i Universitetit Politeknik, Akli Fundo, sqaron se në total janë ezauruar 71% e kuotave, ndërsa Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës i ka plotësuar të gjitha vendet bosh.

    Këtë vit numri i regjistrimeve është më i madh. Kemi 100 për qind të ezauruara, të plotësuara, kuotat e Fakultetit të Arkitekturës në të tria degët që ai ofron,” thotë rektori Fundo.

    Ndër vite, kërkesat janë në rritje, kryesisht për programet që ofron Fakulteti i Arkitekturës, ai i Teknologjisë së Informacionit, i Inxhinierisë Elektrike dhe i Ndërtimit, por edhe për dy programet e reja që do të ofrohen për herë të parë këtë vit në bashkëpunim me Universitetin e Teknologjisë të Kompienjës [org. Compiègne] në Francë.

    Ne sivjet hapim kampusin e Universitetit të Teknologjisë të Kompienjës në Universitetin Politeknik të Tiranës, domethënë hapim dy dubël-diploma: Inxhinieri Kompjuterike dhe Inxhinieri të Sistemeve Elektronike. Kërkesat, si në të gjitha degët e Universitetit Politeknik të Tiranës, kanë qenë shumë të larta. Te Inxhinieria Kompjuterike kanë qenë mbi 1.400 kërkesa për 24 vende,” shpjegon z. Fundo.

    Pjesa tjetër e kuotave pritet të plotësohet gjatë raundit të dytë.

    Kemi kuota të lira në disa fakultete: në Fakultetin e Inxhinierisë Matematike dhe Inxhinierisë Fizike, ku ofrojmë një nga degët më trendi që janë sot, Inxhinierinë Matematike dhe ‘Data Science’; në Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave; dhe në fakultetet e tjera, por në sasi më të vogël të kuotave,” tregon drejtuesi i Universitetit Politeknik.

    Rektori ka sqaruar se, edhe pse kërkesat janë më të mëdha, kuotat kanë mbetur në të njëjtat shifra me qëllim që t’u ofrohet të gjithë studentëve cilësia e duhur në mësimdhënie.

  • Xhepa: Sfidat e vitit të ri akademik, programet që po preferohen më shumë

    Xhepa: Sfidat e vitit të ri akademik, programet që po preferohen më shumë

    Flet Selami Xhepa, President i Universitetit Europian të Tiranës Zhvillimet demografike me rënien e numrit të të rinjve, dobësimi i Euros dhe niveli i lartë i burokracisë janë sfidat e arsimit të lartë privat, thotë Selami Xhepa, President i Universitetit Europian të Tiranës.Fleksibiliteti i programeve të studimit dhe infrastruktura më e mirë po i çojnë gjithnjë e më shumë studentë drejt u…

  • DOKUMENTI – Jep dorëheqjen nga detyra administratori i Universitetit “Luigj Gurakuqi” Admir Uruçi….

    DOKUMENTI – Jep dorëheqjen nga detyra administratori i Universitetit “Luigj Gurakuqi” Admir Uruçi….

    Administratori i Universitetit “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës, Admir Uruçi, ka dhënë dorëheqjen nga ky pozicion. ShkodraWeb ka siguruar shkresën e dorëheqjes, drejtuar nga Uruçi Bordit të Administrimit të UNISHK dhe për dijeni, rektorit Tonin Gjuraj.
    Në tekstin e dorëheqjes, Uruçi sqaron se jep dorëheqjen “për të shmangur çdo situatë që mund të interpretohet si pengesë apo si ngadalësim i proceseve administrative, financiare dhe akademike të Universitetit, si dhe për të garantuar që funksionimi i institucionit të vijojë i qetë, pa pengesa dhe në perputhje me drejtimin që ai dëshiron të japë”.
    Administratori Uruçi falenderon tre rektorët me të cilët ka punuar për bashkëpunimin dhe Bordin e Administrimit, në veçanti kryetarin Adrian Leka. Admir Uruçi ishte në detyrën e administratorit të UNISHK që nga data 1 nëntor 2022.
    Ndërkohë, lidhur me këtë akt të administratorit Uruçi, ka reaguar përmes rrjeteve sociale edhe Universiteti “Liigj Gurqkuqi” i Shkodrës. Në një publikim në Facebook, lexohet: “Pasi u njohëm me dorëheqjen e Administratorit të UNISHK, z. Admir Uruçi, vlerësojmë aktin e tij qytetar dhe në shërbim të institucionit. Për periudhën që kemi qenë bashkëudhëtarë në shërbim të Universitetit, i shprehim falënderimet tona për angazhimin e treguar.Duke i uruar z. Uruçi suksese në impenjimet e tij të mëtejshme, rikonfirmojmë synimin tonë për ngritjen e vazhdueshme të UNISHK, me prioritet stabilizimin e ligjshmërisë në institucionin tonë dhe transparencën me mediat dhe qytetarët.”.
    TEKSTI I DORËHEQJES NGA ADMINISTRATOR I UNISHK
    Të nderuar!
    Me anë të kësaj shkrese zyrtare, ju parashtroj vendimin tim për të dhënë dorëheqjen nga detyra që mbaj aktualisht pranë Universitetit si Administrator i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Kjo kërkesë është bazuar nga kërkesa e Rektorit Z.Tonin Gjuraj drejtuar mua personalisht nga ana Tij kjo e kërkuar edhe në mbledhjen e përbashket me Bordin e Administrimit.
    Gjatë periudhës së ushtrimit të këtij funksioni, kam synuar të kontribuoj me përkushtim, profesionalizëm dhe korrektësi në përmbushjen e detyrave të ngarkuara, duke pasur gjithmonë parasysh interesin më të lartë të institucionit. Megjithatë, duke marrë parasysh kërkesën e Rektorit të drejtpërdrejtë, në të cilën më bëhet me dije se prania ime në këtë pozicion konsiderohet si pengesë për vijimin e punës sipas vizionit të tij drejtues, kam vendosur që të tërhiqem në mënyrë vullnetare nga kjo detyrë.
    Ky hap merret për të shmangur çdo situatë që mund të interpretohet si pengesë apo si ngadalësim i proceseve administrative, financiare dhe akademike të Universitetit, si dhe për të garantuar që funksionimi i institucionit të vijojë i qetë, pa pengesa dhe në perputhje me drejtimin që ai dëshiron të japë.
    Dua të falenderoj për mundesinë e bashkëpunimit gjatë kësaj periudhe, Bordin e Administrimit, e në veçanti Kryetarin e Bordit Z. Adrian Leka për të gjithë mbështetjen e dhënë, për të kryer sa më mirë detyrat e mia funksionale, Rektorët me të cilët kam punuar që nga ushtrimi i këtij pozicioni nga data 21 Nëntor 2022 Prof.Dr. Znj Suzana Golemi, Prof Dr. Znj.Rajmonda Kçira, Prof Dr. Z. Tonin Gjuraj si dhe përfaqësuesit në dy senatet akademike.
    Ju uroj rrugëtim të mbarë në punën tuaj.
    Me respekt
    Administratori
    Admir URUÇI

    Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin! Bashkohu me kanalin e SHKODRAWEB në Whatsapp, mjafton të klikoni Kontaktoni për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd.
    Ju mirëpresim!

  • “Hiqni miqësinë me hebrenjtë në Facebook!” Propozimi i profesorit të drejtësisë ndez polemikat në Itali

    “Hiqni miqësinë me hebrenjtë në Facebook!” Propozimi i profesorit të drejtësisë ndez polemikat në Itali

    Deklaratat e një profesori italian të Drejtësisë në Universitetin e Palermos, i cili propozoi që qytetarët italianë të heqin nga lista e miqve në Facebook personat hebrenj, si një formë presioni ndaj Izraelit për luftën në Gaza, ka ngjallur polemika në vendin fqinj.
    Propozimi, i shpërndarë nga vetë profesori në rrjetet sociale, ka shkaktuar një reagim të menjëhershëm nga akademikë dhe politikanë.
    Në reagimin e tij ndaj situatës në Gaza dhe viktimave civile, profesori Luca Nivarra e cilësoi “holokaust palestinez” ofensivën izraelite dhe sugjeroi një bojkot social të personave hebrenj, madje edhe të atyre që deklarojnë publikisht kundërshtimin e tyre ndaj politikave të qeverisë izraelite.
    “Nuk dua të përzihem në çështje që nuk më prekin drejtpërdrejt, por meqenëse kemi shumë pak mjete për të kundërshtuar Holokaustin palestinez, një sinjal, sado modest, mund të jetë të hiqni nga lista e miqve “miqtë” tuaj hebrenj në Facebook, madje edhe ata “të mirë”, të cilët deklarojnë veten të neveritur nga ajo që po bëjnë qeveria izraelite dhe IDF. Ata gënjejnë, dhe me gënjeshtrat e tyre, ndihmojnë në mbulimin e tmerrit. Është një gjë e vogël, shumë e vogël, por le të fillojmë t’i bëjmë të ndihen të vetmuar, ballë për ballë me përbindëshat në të cilat janë bashkëfajtorë”, deklaroi profesori italian.
    Pas shpërthimit të polemikave, rektori i Universitetit të Palermos, Massimo Midiri është distancuar nga deklarata e profesorit Nivarra, duke theksuar se kjo është një nismë personale e tij dhe e papranueshme për institucionin akademik.
    “Një iniciativë personale që është e rrezikshme nga ana kulturore dhe larg parimeve të universitetit tonë. Unë distancohem nga deklaratat e Profesor Luca Nivarra-s. Propozimi i tij rrezikon të nxisë pikërisht dinamikën që ai pretendon se po kundërshton. Për çështje komplekse si konflikti në Lindjen e Mesme, rruga përpara duhet të jetë ajo e dialogut dhe debatit kritik, jo e izolimit dhe asaj që i afrohet censurës ideologjike”, theksoi rektori.
    Ai rikujtoi gjithashtu se universiteti ka mbajtur një qëndrim të balancuar dhe kritik ndaj konfliktit në Lindjen e Mesme, duke dënuar të dyja palët.
    “Gjatë vitit 2024, dhe të konfirmuara në vitin 2025, Senati dhe Bordi i Drejtorëve të Universitetit tonë miratuan disa mocione mbi konfliktin në Palestinë, duke dënuar si sulmin brutal dhe të pakuptimtë nga Hamasi më 7 tetor ashtu edhe veprimin ushtarak të mëvonshëm të Izraelit në Gaza. Universiteti ka dënuar dhe dënon me vendosmëri mizoritë e kryera nga qeveria izraelite në Palestinë, duke përsëritur kundërshtimin e saj më të vendosur dhe denoncimin më të ashpër të vazhdimit të një konflikti që vazhdon të shkelë të drejtat e njeriut dhe të synojë sistematikisht një popullsi të tërë”, theksoi rektori.
    Edhe ministrja e Universitetit dhe Kërkimit, Anna Maria Bernini reagoi menjëherë, në rrjetet sociale, duke mbështetur edhe deklaratat e rektorit që distancohet nga propozimi i profesorit
    “Deklaratat e profesor Nivarrës ofendojnë jo vetëm popullin hebre, por të gjithë ata që identifikohen me vlerat e respektit dhe bashkëjetesës civile. Fjalët e Rektorit Midiri përfaqësojnë një distancim të qartë dhe të domosdoshëm nga deklaratat e papranueshme, një meritë për të gjithë komunitetin akademik të Palermos. Konfliktet kapërcehen përmes dialogut, jo izolimit, dhe vetëm përmes kësaj rruge mund të farkëtohet një rrugë e vërtetë drejt paqes, një qëllim ndaj të cilit Italia dhe bashkësia ndërkombëtare mbeten të përkushtuara”, deklaroi ministrja Bernini në rrjetet sociale.

  • Nisin homazhet në nder të gazetarit Artur Zheji

    Nisin homazhet në nder të gazetarit Artur Zheji

    Kanë nisur këtë të hënë në orën 10:00 në ambientet e Universitetit të Arteve të Bukura homazhet në nder të gazetarit dhe publicistit të njohur, Artur Zheji.
    Gazetarja Ermelinda Hoxhaj e cila ndodhet pranë universitetit, raportoi për “Klan News” se sapo “Kanë ardhur dhe personat e parë që po i japin lamtumirën gazetarit dhe publicistit të njohur z.Zheji, i cili u nda nga jeta të shutnën e 23 gushtit”.
    Gazetari, analisti dhe ish-drejtori i përgjithshëm i ATSH-së, Artur Zheji u nda dje nga të shtunën në moshën 64-vjeçare. Ai ndërroi jetë në qytetin e Sarandës, ku ndodhej për pushime së bashku me familjen.
    Zheji njihej si një nga figurat e spikatura në gazetari dhe publicistikë.
    Me një karrierë të gjatë në media, Zheji u bë një nga zërat dhe penat më të spikatur të gazetarisë dhe debatit publik në Shqipëri. Ai ka shërbyer në funksione drejtuese në disa media, në Radio Televizionin Shqiptar dhe Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH).
    Për vite me radhë, Zheji ka dhënë kontributin e tij si analist, drejtues emisioni, por edhe si editorialist dhe komentues politik, duke lënë gjurmë në mendimin mediatik shqiptar.

  • Administrata Trump kërcënon Harvardin me heqjen e patentave

    Administrata Trump kërcënon Harvardin me heqjen e patentave

    Faza më e fundit e sulmit të administratës Trump kundrejt Universitetit të Harvardit është një rishikim gjithëpërfshirës i programeve kërkimore të universitetit që financohen me fonde federale dhe kërcënimi për të hequr regjistrin voluminoz të patentave të tij.
    Në një letër drejtuar presidentit të universitetit, Alan Gerber, sekretari i tregtisë, Howard Lutnick, akuzoi Harvardin për shkelje të kritereve ligjore dhe kontraktuale të programeve dhe patentave që kanë fonde federale.
    Lutnick shtoi se departamenti i tregtisë ka nisur një proces “para marsh” sipas Aktit Bayh-Dole që mund ta lejojë qeverinë të marrë pronësinë e patentave dhe licencave të granteve.
    “Departamenti u kushton rëndësi të jashtëzakonshme përparimeve shkencore dhe teknologjike që rrjedhin nga bashkëpunimet e qeverisë me institucione si Harvardi”, shkroi Lutnick.
    Ai tha se mban një “përgjegjësi kritike” ndaj  Harvardit që të sigurohej  se prona intelektuale që vjen nga fondet federale të përdoret  për të rritur në maksimum përfitimet ndaj popullit amerikan.
    Letra shton presionin e Shtëpisë së Bardhë ndaj Harvardit të cilin e ka  akuzuar për shkelje të të  drejtave civile pasi nuk ka ndërmarrë hapat e  diktuara nga administrata për t’iu përgjigjur akuzave që protestat  studentore kundër sulmeve izraelite në Gaza ishin antisemitike.
    Harvardi ngriti një padi në muajin prill pasi administrata nisi të hiqte ose ngrinte miliarda dollarë nga fondet federale për kërkimet.
    Në letër, Lutnick kërkoi që Harvardi të paraqesë brenda katër javësh një listë me të gjitha patentat që vijnë nga grantet  e fondeve federale, përfshirë si përdoren dhe nëse ka ndonjë licencim që kërkon “prodhim të konsiderueshëm në SHBA.”

  • Hulumtuesit e Universitetit Stanford zbulojnë një ‘formë jete’ e re obelisku të fshihur brenda njerëzve

    Hulumtuesit e Universitetit Stanford zbulojnë një ‘formë jete’ e re obelisku të fshihur brenda njerëzve

    Hulumtuesit e Universitetit Stanford kanë zbuluar ‘forma jete’ të ngjashme me virusin që ekzistojnë brenda gojës dhe zorrëve të njeriut, raporton KosovaPress.
    Më i vogël se një virus dhe nuk konsiderohet jetë standarde, materiali gjenetik ende mund të transferojë informacion që mund të lexohet nga një qelizë.

    Copa të vogla ARN-je, më të vogla se një virus, kolonizojnë bakteret brenda gojës dhe zorrëve tona dhe kanë fuqinë për të transferuar informacion që mund të lexohet nga një qelizë.I quajtur ‘jashtëzakonisht i çuditshëm’ nga ekipi i shkencëtarëve të Stanfordit që shkruajnë për zbulimin në revistën Nature, zbulimi tani ka një emër: obelisk. Dhe ne… nuk e dimë me të vërtetë qëllimin e tyre përfundimtar.

    “Është çmenduri”, tha Mark Peifer, një biolog qelizor dhe zhvillimor në Universitetin e Karolinës së Veriut në Chapel Hill, sipas Science. “Sa më shumë që shikojmë, aq më shumë gjëra të çmendura shohim.”Të quajtura obeliskë për shkak të strukturave të tyre në formë shufre, ato janë edhe më të vogla se viruset, por ato prapëseprapë mund të transmetojnë udhëzime në qeliza. Megjithatë, ne thjesht nuk e dimë se çfarë thonë ato.Entitetet mikroskopike, sipas një shpjegimi të shkruar në revistën Conversation nga profesori i evolucionit mikrobik të Universitetit të Bath, Ed Feil, janë “copa rrethore të materialit gjenetik që përmbajnë një ose dy gjene dhe vetorganizohen në një formë si shufër”.
    Ato janë, potencialisht, “forma jete” të vogla. Punimi paraprak nga Stanford i quan ato “të ngjashme me viroidet” – një viroid është një hap më poshtë se një virus. Ndërsa një virus ka nevojë për një strehues për ta lejuar atë të replikohet, kjo nuk i ka ngadalësuar ato. Ne kemi humbur numërimin se sa viruse ka për të ofruar kjo botë sepse ato janë kaq të shumta.
    Por një viroid është edhe më i thjeshtë – një copëz e ARN-së gjenetike që nuk mund të bëjë proteina, por mund të rigrupohet dhe është e njohur se prek bimët me lule.
    “Entiteti biologjik i zbuluar rishtazi bie diku midis viruseve dhe viroideve”, shkroi Feil. Ai shtoi se, ashtu si viroidet, obeliskët kanë një gjenom ARN rrethor me një fije dhe asnjë shtresë proteine. Por, ashtu si viruset, gjenomet e tyre përmbajnë gjene që parashikohet të kodojnë proteinat.Dhe nuk është sikur studiuesit e Stanfordit gjetën vetëm një nga këto gjëra – ata gjetën gati 30 mijë lloje të dallueshme obelisku. Ato ndodheshin në çdo cep demografik të botës dhe zakonisht gjendeshin në gojë por edhe në zorrë.
    Tani detyra bëhet të përcaktohet nëse këta obeliskë janë miq apo armiq. Shkencëtarët duan të mësojnë rreth qelizave pritëse që ato duhet të replikohen, si luajnë rol bakteret dhe kërpudhat në funksionin e tyre dhe cili është në të vërtetë qëllimi i tyre i vërtetë.
    Kosova Press

  • Studentët e UP-së, shënojnë sukses të jashtëzakonshëm në garën  “Nuremberg Moot Court 2025”

    Studentët e UP-së, shënojnë sukses të jashtëzakonshëm në garën “Nuremberg Moot Court 2025”

    Studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës kanë arritur një sukses të jashtëzakonshëm, duke u renditur në vendin e 6-të në garën prestigjioze ndërkombëtare “Nuremberg Moot Court 2025”. Kjo është një arritje mbresëlënëse për ta, e cila tregon nivelin e lartë të përgatitjes dhe angazhimit të studentëve të juridikut të UP-së në fushën e së drejtës penale ndërkombëtare.Rundet finale të garës u zhvilluan në ambientet historike të Gjykatës së Nurembergut, në Sallën Nr.600, aty ku u gjykuan përgjegjësit nazistë për krimet e Luftës së Dytë Botërore, nga data 23-26 Korrik 2025, në Nuremberg, Gjermani. Nga 140 ekipe që morën pjesë në fazën e shkrimit të memorandumeve, vetëm 40 ekipe u kualifikuan për rundet finale me gojë, dhe ekipi i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës ishte një ndër to.Ky sukses i studentëve të Universitetit të Prishtinës është një dëshmi e qartë e përgatitjes akademike dhe profesionale në fushën e drejtësisë ndërkombëtare, duke simuluar praktikën e Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC) përballë një jurie të përbërë nga juristë të njohur botërorë, përfshirë profesorë, prokurorë dhe gjyqtarë.Ekipi i përfaqësuesve të Fakultetit Juridik të UP-së ishte përbërë nga studentët: Morea Pula, Liza Rexhepi, Enxhi Avdyli, Rea Hadri dhe Greta Spahiu.Ky rezultat tregon se studentët e Universitetit të Prishtinës janë jo vetëm të përgatitur për sfida akademike, por gjithashtu për të kontribuar në fushën e së drejtës ndërkombëtare me një nivel të lartë profesional./KultPlus.com