Nga: M.L.
Më 6 dhjetor 2022, në kuadër të festimeve për 800-vjetorin e Universitetit të Padovës, në ambientet historike të Palazzo del Bo në Padova të Italisë, u trajtua edhe kontributi i arbërve në këtë universitet të lashtë. Historiani Jahja Drançolli rikujtoi ngjarjen, duke falënderuar Dr. Valdete Llumnica-Muçollin dhe Dr. Gëzim Muçollin për dhurimin e librit të tyre të dedikuar këtij jubileu.
Pjesë e aktivitetit ishte edhe promovimi i veprës “Stranieri: Itinerare të jetës studentore midis shekujve 13 dhe 18” (Donzelli – Padova, 2022), botim i serisë “Patavina libertas”, e cila ndriçon historinë europiane të Universitetit të Padovës. Kjo seri përfshin studime të thelluara të bazuara në kërkim të gjerë arkivor, duke rivlerësuar jetën akademike paduane dhe rolin e saj në zhvillimin humanist e shkencor të kontinentit.
Qendër e veçantë e eventit ishte “Sala dei Quaranta” (“Salla e të Dyzetëve”), e njohur për dyzet portretet e realizuara nga artisti Gian Giacomo dal Forno, që përfaqësojnë profesorë dhe studiues të shquar të huaj nga shekujt XIII–XVIII. Kjo sallë dëshmon traditën e Universitetit të Padovës si hapësirë e lirisë, shkëmbimit kulturor dhe avancimit të dijes.
Portretet paraqesin figura nga vende të ndryshme, mes tyre Anglia, Arbëria, Armenia, Belgjika, Bohemia, Bosnja, Danimarka, Hungaria, Kroacia, Franca, Gjermania, Greqia, Hollanda, Irlanda, Polonia, Portugalia, Rumania, Rusia, Skocia, Sllovenia, Spanja, Suedia dhe Zvicra.
Në këtë kontekst, historiani Drançolli kujtoi edhe hulumtimet e tij të viteve 1986/87 në Arkivat e Antikiteteve të Universitetit të Padovës, ku evidentoi se numri i studentëve dhe studiuesve arbër ndër shekuj ishte i konsiderueshëm. Ndër figurat e paraqitura në “Sallën e të Dyzetëve” janë edhe dy personalitete të shquara arbërore: Marin Becichemi (Shkodër, 1468 – Padovë, 1526) dhe Nikollë Leonik Tomeu (Venedik, 1456 – Padovë, 1531), të cilët lanë gjurmë të rëndësishme në botën akademike europiane.
Postimi i plotë:
Ashtu si sot, më 6 dhjetor 2022, tre vjet më parë, në Arkivat e Lashta të Palazzo del Bo, Padova (Itali), si pjesë e festimit të 800-vjetorit të Universitetit të Padovës (1222-2022), u diskutua edhe kontributi i arbërve në Universitetin e Padovës. Falenderime veprimtareve tanë në Padova, Dr. Valdete Llumnica-Muçolli dhe Dr. Gëzim Muçolli për librin e dhuruar kushtuar 800-vjetorit të themelimit të Universitetit të Padoves!
Eventi u shoqërua me promovimin e veprës “Stranieri: Itinerare të jetës studentore midis shekujve 13 dhe 18” (Donzelli – Padova, 2022), vepër që është pjesë e serisë “Patavina libertas. Historia europiane e Universitetit të Padovës”. Seria përfshin vëllime shumë të suksesshme, fryt i një kërkimi të gjerë arkivor të kryer nga historianë të Universitetit të Padovës, të cilët kanë riinterpretuar mënyrën e jetesës paduane nga një perspektivë europiane, duke eksploruar hapësirën dhe formën e lirive dhe rolin e saj në zhvillimin e njohurive humaniste dhe shkencore. Një vend qendror për këtë promovim jubilar ishte edhe “Sala dei Quaranta” (“Salla e të Dyzetëve”), e cila strehon dyzet portrete nga artisti Gian Giacomo dal Forno, ku paraqiten profesorë të shquar të huaj të Universitetit të Padovës gjatë shekujve. Kjo dhomë dokumenton rolin e Universitetit si një forcë kryesore lëvizëse për takimin, lirinë, shkëmbimin dhe përhapjen e kulturës.
Vendet e origjinës së studiuesve të përfaqësuar në dyzet kanavacë janë: Anglia, Arbëria, Armenia, Belgjika, Bohemia, Bosnja, Danimarka, Hungaria, Kroacia, Franca, Gjermania, Greqia, Hollanda, Irlanda, Polonia, Portugalia, Rumania, Rusia, Skocia, Sllovenia, Spanja, Suedia dhe Zvicra.
Nga kërkimi im në Arkivat e Antikiteteve të Universitetit të Padovës me rastin e studimeve pasdoktorale përgjatë vitit akademik 1986/87, mësova se radhët e studentëve dhe studiuesve arbër që studiuan dhe punuan këtu janë mjaft të gjata. Megjithatë, në “Sallën e të Dyzetëve”, përkrah profesorëve dhe studiuesve të shquar europianë, u shfaqën dy profesorë dhe studiues të njohur arbër: Marin Becichemi (Marino Becichemo, Shkodër 1468–Padova 1526) dhe Nikollë Leonik Tomeu (Nicolò Tomeo Leonico, Venedik 1456–Padova 1531).









