Disa persona u qëlluan me armë, përfshirë edhe një student, pas të shtënave, që shpërthyen në një ndërtesë banimi në Universitetin Shtetëror të Oklahomës.
Të shtënat ndodhën rreth orës 3:40 të mëngjesit të së dielës në ndërtesën e banimit “Carreker East”. Një nga viktimat u identifikua si student i kampusit, ndërsa “News9” raportoi se gjithsej ishin tre të plagosur.
Të gjithë të plagosurit po trajtohen në spitale në Oklahoma City dhe Tulsa. Kështu tha shefi i Policisë së OSU-së, Michael Beckner. Ende nuk janë identifikuar autorët.
Rrethanat që çuan në të shtënat me armë nuk janë të qarta për momentin. Raportet fillestare tregojnë se incidenti ndodhi kur disa nga pjesëmarrësit e festës u kthyen në ndërtesë banimi, pas një feste të madhe private në një vend jashtë kampusit.
Autoritetet kërkojnë nga ata që nuk jetojnë në këtë ndërtesë që të shmangin zonën, ndërkohë që po zhvillohet hetimi.
“Nuk ka kërcënim të vazhdueshëm për kampusin”, thanë autoritetet.
Shkolla ndodhet në Stillwater, rreth 65 milje larg Oklahoma City-t.
Në vitin 2025 janë raportuar të paktën 118 incidente me të shtëna në shkolla. Këto të shtëna kanë lënë 36 të vdekur dhe 108 të plagosur.
Sipas Arkivit të Dhunës me Armë, në vitin 2025 janë regjistruar 346 të shtëna masive në mbarë SHBA-të.









