Tag: ulqin

  • Bashota rikthen Servantesin në Ulqin

    Bashota rikthen Servantesin në Ulqin

    Poeti, studiuesi dhe prozatori Sali Bashota vjen para lexuesit me romanin Rikthimi i Servantesit në Ulqin, i botuar nga shtëpia botuese Rea, Prishtinë, 2025. Bashota, qysh në nën­titull, këtë vepër e kategorizon si roman poetik, një lloj sintetizimi në mes të epikës dhe lirikës, por që, strukturalisht, dominantja e kësaj vepre është epika, ndërsa atributi poetik është më shumë refleksion i lirizmit të ndjeshëm, i artikuluar përmes një narrative që lidh kohëra, hapësira dhe personazhe mitike shqiptare, Dylqinja,  dhe të letërsisë së përbotshme, Servantesi, autor i kryeveprës Don Kishoti i Mançës.Në fakt, titulli i romanit vjen si jehonë (intertekstuale) e letërsisë së Rilindjes evropiane, në frymën e antiromanit, por kjo është vetëm një gjetje novatore, prej nga nis rrëfimi brilant i Bashotës.

    Rikthimi i Servantesit në Ulqin është strukturuar në tridhjetë e tri rrëfime në trajtë ëndrrash, pothuaj me status tregimesh të lidhura në një temë bosht, që sistematikisht nyjëtojnë të tashmen e personazhit me të kaluarën e tij, gjithnjë prej perspektivës retro, intro, herë-herë edhe prospektive.Përbrenda kësaj strukture unike, si një prolog qëndron shpallja e ditës së rikthimit të Servantesit përmes rrëfimeve të Ar Ulkut, një narrator simbiotik dhe personazh simbolik.

    Në romanin e Bashotës, Servantesi, pas viteve të robërisë, rikthehet në Ulqin për të kërkuar dorëshkrimin e humbur, që kishte shkruar si rob lufte në kalanë e Ulqinit. Duke pasur referencë imagjinare rrëfimin e Ar Ulkut, Servantesi i Bashotës nuk u kthye për t’u hakmarrë, as për lavdinë e humbur, por për dashurinë ndaj letrave, që e vë përballë dashurisë së Dulqinjes, madje edhe miteve e gojëdhënave shqiptare.

    Përtej kësaj, Servantesi i Bashotës është edhe një rrëfim i strukturuar mbi narrativat e mëdha historike dhe rrëfenjat e vogla simboliste, mbi të gjitha mbi (hipo)tezat që lëkunden në mes fakteve dhe fiksioneve të mbushura me situata, dialogë, monologë, alegori, ironi e antiteza. Ndaj, kur situatat kanë karakter lirik, metonimia ia lë vendin metaforës, e epiku-lirikut.

    Përbrenda këtij romani, si urë lidhëse funksionojnë nëntë intermexo me karakter prirës e informues, njëkohësisht evokues e parashikues.

    Rikthimi i Servantesit në Ulqin është roman sintetizues: sintezë e formave letrare, sintezë e kodeve kulturore, sintezë e fakteve historike dhe e kërkimeve simbolike. Kur këto të fundit shpërfaqen përbrenda linjës a linjave fabulare, atëherë loja me simbolet letrare e mitike shpërbehet nëpër simbologjinë e numrave mitikë e mistikë, religjiozë e letrarë; ndaj janë të menduara mirë tridhjetë e tri rrëfime dhe nëntë intermexo.

    Përveç rrëfimit e përshkrimit si përbërës të literaritetit, herë pas here rrëfimi zhvishet nga mjegullat simbolike, dhe që atëherë faktet ngrenë krye, qoftë përmes kohës objektive, hapësirës reale, toponimisë autentike dhe, sidomos, nominimeve etnike.

    Servantesi i Bashotës është roman eruditiv, i shkruar nga një autor kërkues e gërmues i kujtesës kulturore, tamam si një arkeolog pasionant, që pa nda jo vetëm që zbulon, por edhe gdhend kujtesën historike e letrare, duke e kthyer autorin e madh, Servantesin, për herë të parë në letrat shqipe, njëkohësisht si persona litteraria e persona historica.

    Pas dhjetëra veprave letrare e artistike, si: prozë poetike, poezi, studime letrare, Rikthimi i Servantesit në Ulqin është romani i parë i Sali Bashotës dhe ka 170 faqe.

  • Rita Ora në Ulqin: Një pushim mes natyrës dhe kulturës shqiptare

    Rita Ora në Ulqin: Një pushim mes natyrës dhe kulturës shqiptare

    Rita Ora, këngëtarja me famë ndërkombëtare dhe krenaria shqiptare, ka ndarë së fundmi me ndjekësit e saj në Instagram një seri fotosh të reja që dokumentojnë momente nga ditët e saj të fundit, nga përgatitjet për evente dhe dalje publike, deri te çastet e rralla të qetësisë dhe reflektimit në natyrë.

    Disa nga këto fotografi kanë zgjuar veçanërisht interes te publiku shqiptar, pasi janë realizuar në Ada Bojana, gjatë një vizite të shkurtër të Ritës në Ulqin. Në një nga imazhet më të komentuara, ajo shihet duke mbajtur në dorë një spec të kuq të freskët, ndërsa një tjetër e tregon duke lexuar librin “The List” nga Yomi Adegoke, një moment qetësie dhe introspeksioni që reflekton një anë më të thellë të artistes.

    Burime pranë saj kanë konfirmuar se Rita ka qëndruar për disa ditë në Ulqin së bashku me prindërit, Vera dhe Besnik Sahatçiu-Ora, në një udhëtim familjar të shkurtër para rifillimit të angazhimeve të saj muzikore, pjesë e turneut veror që ka përfshirë disa nga festivalet më të mëdha në Europë.

    Fotot e publikuara ofrojnë një përzierje të imazhit të saj të përditshëm dhe atij artistik: me stil të lirshëm dhe urban në rrugë, me çantë të madhe në ashensor, duke aplikuar maska fytyre në prapaskenë, por edhe veshur në mënyrë elegante në një makinë luksoze, gjithmonë besnike ndaj stilit të saj unik dhe të dallueshëm.

    Në të gjitha postimet spikasin detajet, të cilat Rita i trajton me shumë kujdes, nga syzet e errëta, veshjet minimaliste por me shije, tek bizhuteritë e shumta dhe thonjtë e kuruar në mënyrë perfekte. E thjeshtë, por gjithmonë me klas.

    Rita Ora vazhdon të mbetet jo vetëm një ikonë mode dhe zëri i një brezi në muzikën pop, por edhe një ambasadore e heshtur e kulturës dhe identitetit shqiptar. Rikthimet e saj të shpeshta në trojet shqiptare janë një dëshmi e lidhjes së thellë shpirtërore me rrënjët e saj, dhe një mesazh i qartë se, sado larg të jetë fama, ajo nuk harron kurrë se nga vjen./KultPlus.com

  • Rita Ora bashkë me prindërit po kalon pushimet në Ulqin

    Rita Ora bashkë me prindërit po kalon pushimet në Ulqin

    Showbiz E Hënë, 1 Shtator 2025 11:35
    Ulqini është destinacioni për pushime që ka zgjedhur këngëtarja shqiptare me famë botërore Rita Ora, bashkë me familjen e saj.
    Pamje nga pushimet në rrjetet ka publikuar e ëma e Ritës, Vera Ora.

    Ata duken shumë të lumtur pranë njëri tjetrit duke shijuar momente të mira familjare.
    Familja po qëndron në vilën që zotërojnë në zonën e njohur të Adës së Bunës, në Ulqin.

  • Arapët në Shqipëri – Nga Dorian Koçi

    Arapët në Shqipëri – Nga Dorian Koçi

    Dorian Koçi

    Prania e popullsisë zezake ka qenë e pakët në Shqipëri. Edhe pse territoret shqiptare bënin pjesë në Perandorinë Osmane, në një perandori konglomerat për nga popullsia, etnitë dhe besimet fetare, prania e kësaj popullsie nuk ka lënë gjurmë të forta në këto territore. Dokumentimi i parë kësaj popullsie në territoret arbëre gjenden në këngën popullore Gjergj Elez Alia, ku ky i fundit ndeshet në disa variante me bajlozin e zi dhe në disa të tjerë me arapin e zi.

    Studiuesit e folklorit kanë evidentuar me kohë që në rastin e bajlozit të zi, bëhet fjalë për bajlin e Venedikut, emërtimi i ambasadorëve të kësaj republike në shtete të tjera. Në rastin kur përmendet si arapi i zi, ka të ngjarë që përfaqësues të pushtetit venedikas të ishin nga popullsia afrikane e Marokut dhe Algjerisë që shërbenin si mercenarë në trupat venedikase. Një personazh i tillë për shembull është Otello i Shekspirit, çka dëshmon që numri i tyre i përfaqësimit në trupat vendedikase kishte një frekuencë të lartë.

    Në pushtimin otoman të Shqipërisë, sëbashku me trupat osmane kishte dhe popullsi zezake që shërbente pranë tyre. Me islamizimin e Shqipërisë në shekullin e XVII, pjesëmarrja e pashallarëve shqiptarë në fushatat osmane, bëri të mundur që kjo popullsi të kishte një prani më të madhe në territoret shqiptare. Zakonisht njerëzit nga popullsia zezake shërbenin pranë pashallarëve të fuqishëm shqiptarë dhe ishin objekt kurioziteti mes shqiptarëve. Ata ishin robër lufte apo dhe ushtarë që kishin marrë pjesë në fushatat e mëdha osmane për të nënshtruar territore afrikane, si ishte rasti i pushtimit të Sudanit nga fuqitë e Mehmet Ali Pashës. Në këtë fushatë morën pjesë shumë forca mercenare shqiptare, prijësit e të cilave, kur u kthyen në Shqipëri sollën me vete edhe robër zezakë apo dhe ushtarë të rekrutuar që u shërbenin besnikërisht. 

    Gjurmë të drejtëpërsëdrejta të këtyre personave nuk gjejmë në popullsinë e sotme në Shqipëri, por përmes shkrimeve dhe tablove mund të evidentohet lehtë prania e tyre në Shqipëri. Bajroni në takimin e famshëm me Ali Pasha Tepelenën në Tetor 1809, kur përshkruan hyrjen e personazhit letrar Childe Harold në kështjellën e Tepelenës përmend mes popullsive të tjera që baresin në oborr dhe etiopianë:

    “Rëndom mbi prag të portës që kërcet,

    Nget kalin shpejt ndonjë tartar fesgjatë.

    Turq, grekë, shqiptarë, arapë aty përzien

    Në lloj-lloj ngjyra gjer sa zëri i mbytur”.

    Më poshtë kur përshkruhen popullsitë përmenden sërish etiopianët:

    “Delinë me qylaf e jatagan,

    Grekun dinak, të zinë bir me cen

     T’Etiopisë”. 

    Nuk mund të nxjerrësh një evidencë të qartë nga këto vargje se sa duhet të ketë qenë numri i tyre në Tepelenë, por të paktën për një personazh historik, gojëdhëna e ka sjellë deri në ditët tona se mund t’i përkiste kësaj popullsie. Vetë Jusuf Arapi, një nga besnikët e Ali Pasha Tepelenës, mendohej se ishte një mulat dhe gjysëm vëlla i Pashait, që i ati i tij Veliu, e kishte djalë me një skllave haremi etiopiane. Mbiemri i tij është një provë linguistike që dëshmon origjinën e tij. Po kështu në tablonë e njohur të Dypre-së, ku Ali pasha Tepelena është duke gjuajtur në liqenin e Butrintit, Jusuf Arapi qendron në krye të varkës. Ai është i paraqitur si esmer, i veshur me rroba popullore shqiptare dhe qëndron në krye të kiçit të barkës.

    Omer Vrioni, një prijës tjetër shqiptar që mori pjesë në fushatën e Egjiptit, sëbashku me prijës të tjerë shqiptarë, sipas Pouqeuville, kur u kthye në Janinë, në 1808, solli me vete gamile, gruan nga fisi i mamlukëve dhe disa shërbëtorë zezakë. Po kështu është fakt i njohur që Marko Boçari, heroi shqiptar i pavarësisë greke, u vra gjatë sulmit të tij në Karpenisë nga arapi i pashës, roja besnike e Mustafa Pashë Bushatlliut.  Marko Boçari, sëbashku me 300 suliotë, të veshur me rroba shqiptare, duke shfrytëzuar rastin që flisnin shqip u futën brenda kampit osman që udhëhiqej nga Mustafa Pashë Bushatlliu dhe u përpoqën që të arrinin deri te çadra e tij për ta vrarë. Në tablonë e njohur të piktorit gjerman Peter Von Hess “Vdekja e Boçarit në Karpenisë”, shikojmë arapin e pashës, rojen besnike të Mustafa Pashë Bushatlliut që jep goditjen fatale.

    Pra siç shikohet ka një shpërndarje nga jugu në veri të popullisë zezake në territoret shqiptare, të njohur ndryshe dhe me emërtimin harap ose arap. Duket se të pasurit e një arapi si roje besnike ka qenë një traditë e konsoliduar ndër pashallarët shqiptarë. Kësaj tradite nuk i shpëtoi as Mbreti Oto I i Greqisë, që një nga rojet e tij më besnike kishte Markon nga Abisinia. Tabloja e piktorit gjerman Leopold Karl Müller, “The Greek Moor” – Mauri Grek (1855), është një dëshmi e pranisë së popullisë zezake dhe në oborrin mbretëror grek. Ka të ngjarë që personi i portretizuar është Marko nga Abisinia, një nga truprojat personale të Mbretit të Greqisë, bavarezit Otto I (1815-1867).

    Gjithsesi, përqëndrimi më i madh i kësaj popullsie çuditërisht  gjendej në Ulqin,  në pjesën më veriore të aeralit etnik shqiptar që pas pushtimit të tij nga otomanët në 1571, kishte hyrë në disa zhvillime të vrullshme demografike. Për aq sa dëshmon historiani anglez Noel Malcom në librin e vet “Agjentët Perandorakë”, Ulqini ishte një qytet etnikisht shqiptar, me popullsi që i përkiste besimit katolik. Dy nga familjet më të mëdha fisnike të kohës, Brutti dhe Bruni do të luanin një rol të madh në historinë e rajonit dhe të Evropës.

    Rënia e Ulqinit në duart e osmanëve ndryshoi strukturën urbane, sociale por edhe ushtrimin e ndryshëm të zejtarive. Ulqini gradualisht fillon dhe merr pamjen e një qyteti oriental, me ndërtime të objekteve të kultit islam, krojeve si vend relaksimi dhe meditimi por edhe me ndalimin e prodhimit të verës dhe vazhdimin e prodhimit të vajit të ullirit. Ai vazhdon të mbetet një derë komunikimi midis Lindjes dhe Perëndimit, përderisa mendohet se Sabaedin Zeevi, i ashtëquajturi Messia hebre, brakstis Beratin dhe shkon dhe vendoset në Ulqin. 

    Një nga zejet më të përhapura në Ulqin, bëhet si në asnjë qytet tjetër shqiptar të bregdetit, ndërtimi i anijeve dhe lundrimi. Venedikasit në luftrat dhe paqen e nënshkruar me osmanët bënin çmos që deti Adriatik të mbetej një liqen venedikas, pa lejuar ndërtimin e porteve osmane në brigjet e Adriatikut Lindor. Kjo luftë e hapur midis tyre kishte dëmtuar dhe lundrimin në brigjet shqiptare, të cilat nga një element mbizotërues dikur me popullsinë ilire, ishin kthyer tani në një popullsi që nuk e mbarështronte ndërtimin e anijeve dhe në përgjithësi kulturën e detit. Ulqini, bënte një përjashtim në këtë drejtim dhe llojet e ndryshme të anijeve që prodhonte si dhe flota që mbante e kishin shndërruar në një qytet të rëndësishëm për Perandorinë Osmane, pasi flota e tij përdorej në ballafaqimet dhe betejat detare të saj me Perëndimin. Përdorimi dhe mbajtja e kësaj flote lidhet ngushtë dhe me praninë e popullsisë zezake në Ulqin. 

    Zezakët fillimisht kishin ardhur aty si skllevër të blerë në pazare të skllevërve në Vlorë nga detarët ulqinakë për të shërbyer në anije. Pazare të tillë skllevërish, siç dëshmon Pouqeuville, kishte dhe në Butrint apo Prevezë, ku sundimtarët lokalë blinin robër të kapur nga anijet e piratëve. Duke qenë se lundrimi vazhdonte të ishte ende i bazuar dhe në rrema, ky proces kërkonte një fuqi të madhe njerëzore që qyteti i Ulqinit nuk mund ta përballonte me popullsinë e vet. Kjo ishte dhe një nga arsyet e blerjes së skllevërve dhe vendosjes së tyre në Ulqin në një lagje të veçantë. Kaq e rëndësishme ishte kthyer prania e këtyre familjeve dhe skllevërve zezakë sa dhe fuqia ekonomike e familjeve ulqinake varej pikërisht prej numrit të zezakëve qe kishte në kuadër të familjes. Nuk ka të dhëna të sakta se sa ishte realisht numri i zezakëve në Ulqin, por afërsisht themi se ishin disa dhjetëra, e kjo ka të bëjë sidomos me shekujt e XVII dhe XVIII e deri në fillimet e shek. XIX.

    Për shkak se ra kërkesa për fuqi njerëzore për anije me rrema, numri i të ardhurve rishtaz u pakësua. Në këtë kontekst duhet të ketë ndikuar edhe ndalimi i skllavërisë nga Franca në 1803 dhe Anglia në 1807, si dhe hyrja në urbanizimin kapitalist dhe modernitetin në legjislacion të Perandorisë Osmane. Po kështu vetë Perandoria Osmane nëpërmjet disa disa fermanëve filloi që nga vitit 1830, 1856 dhe përfundimisht në vitin 1871 ta ndalojë skllavërinë. 

    Popullsia zezake e mbetur në Ulqin, më vonë fitoi lirinë dhe u integrua në jetën e qytetit. Në aspektin social, komuniteti i arapëve siç quhen në Ulqin, në shumë aspekte u bë pjesë e familjeve ulqinake, duke punuar në bashkësitë familjare por edhe angazhimin në detari, bujqësi e shërbime tjera. Ata, bashkëjetuan me shqiptarët, morën nga kultura shqiptare por edhe i dhanë kulturës shqiptare aq sa kishin mundësi, ku në mënyrë të veçantë dallohet fusha e folklorit. Interesant është mbiemri dhe etnonimi që kjo popullsi ndan që nga Jugu i Shqipërisë e deri në Veri, një formë arkaike e shqipes harapi ose arapi.

    Duke ndarë fatin me shqiptarët ata moren mbiemrat e familjeve shqiptare ku ishin vendosur, por edhe u shperngulen me agallarët e beglerët ulqinakë siç ishte rasti në vitin 1880, duke u vendosur në Shkodër, kur Ulqini iu dorëzua Malit të Zi nga ana e Fuqive të Mëdha. Si dëshmi kemi pasardhësit e tyre që janë edhe sot në Shkodër, ndonëse në numër të reduktuar, sikurse edhe në Ulqin. Dëshmia më e fundit e tyre në artin shqiptar është një tablo e njohur piktorit të njohur Kolë Idromeno. Në 1916 ai na ka lënë një pikturë të titulluar “Arapi i Beledijes”. Ka të ngjarë që Arapi, që shërbente pranë bashkisë së Shkodrës të jetë një prej këtyre zezakëve të Ulqinit.

    Burimi: doriankoci.blogspot.com

  • Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë merr pjesë për herë të parë në Panairin e Librit në Ulqin

    Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë merr pjesë për herë të parë në Panairin e Librit në Ulqin

    Autorë, botues dhe lexues nga mbarë rajoni u mblodhën në Panairin e Librit në Ulqin, për të festuar gjuhën dhe kulturën shqipe.

    Me sloganin “Një klik larg dijes”, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë u prezantua për herë të parë në Panairin e Librit në Ulqin, duke promovuar botimet e saj bibliografike e shkencore studimore, tanimë edhe të digjituara online.

    Kryefjala e këtij panairi ishte informimi për të gjithë lexuesit, kërkuesit shkencorë dhe të interesuarit në koleksionet e digjituara bibliotekare, thesaret e Bibliotekës Kombëtare, dhe mënyrës së ruajtjes dhe promovomit të koleksioneve, duke mundësuar bashkëpunime në të ardhmen midis kësaj biblioteke dhe qyteteve ku flitet shqip.

    Ky ishte edicioni i 24-të i Panairi i Librit në Ulqin që u zhvillua përgjatë 5 ditëve (27-31 korrik) dhe mori një vëmendje të lartë si nga botuesit, ashtu edhe nga lexuesit e thjeshtë./atsh/KultPlus.com

  • Një zjarr përfshin një magazinë në Ulqin, nuk dihen ende shkaqet

    Një zjarr përfshin një magazinë në Ulqin, nuk dihen ende shkaqet

    Në Ulqin të Malit të Zi, autoritetet janë duke punuar në shuarjen e një zjarri që shpërtheu në një magazinë përgjatë rrugës që çon drejt kripores. Siç shihet në pamjet e televizionit lokal Teuta, në vendngjarje kanë dalë njësitë e zjarrfikësve dhe ndihma e shpejtë, ndërsa policia ka bllokuar rrugën që të çon te vendi ku ka shpërthyer zjarri.

    Zjarrfikësit në vendngjarje kanë konfirmuar se është përfshirë nga flakët magazina e kompanisë “Agris”. Sipas informacioneve nga faqja e tyre zyrtare, kompania “Agris” merret me importin dhe shpërndarjen e produkteve kimike për pastrim, mjeteve mbrojtëse, shamponëve, detergjentëve, produkteve prej letre dhe pajisjeve për sektorin e gastronomisë.

    Një shtëllungë e madhe tymi shihet mbi objektin që është përfshirë nga flakët. Policia ende nuk ka dalë me ndonjë njoftim dhe nuk ka ende informacione nëse ka të lënduar nga kjo ngjarje.

  • Zjarr i madh përfshin një objekt në Ulqin

    Zjarr i madh përfshin një objekt në Ulqin

    Në Ulqin të Malit të Zi, autoritetet janë duke punuar në shuarjen e një zjarri që shpërtheu në një magazinë përgjatë rrugës që çon drejt Solanës.
    Siç shihet në pamjet e televizionit lokal Teuta, në vendngjarje kanë dalë njësitë e zjarrfikësve dhe ndihma e shpejtë, ndërsa policia ka bllokuar rrugën që të çon te vendi ku ka shpërthyer zjarri.
    Zjarrfikësit në vendngjarje kanë konfirmuar se është përfshirë nga flakët magazina e kompanisë “Agris”.
    Sipas informacioneve nga faqja e tyre zyrtare, kompania “Agris” merret me importin dhe shpërndarjen e produkteve kimike për pastrim, mjeteve mbrojtëse, shamponëve, detergjentëve, produkteve prej letre dhe pajisjeve për sektorin e gastronomisë.
    Një shtëllungë e madhe tymi shihet mbi objektin që është përfshirë nga flakët.
    Policia ende nuk ka dalë me ndonjë njoftim dhe nuk ka ende informacione nëse ka të lënduar nga kjo ngjarje. /REL

  • Ministri Igli Hasani në Ulqin, hap Konsullatën e Përgjithshme të Shqipërisë

    Ministri Igli Hasani në Ulqin, hap Konsullatën e Përgjithshme të Shqipërisë

    -Nga Esat SanMarino-
    Ministri Jashtëm Igli Hasani, vazhdon takimet zyrtare si ministër. Ndonëse është i ngarkuar me punë në Tiranë për PS-në si kandidat për deputet, Igli Hasani nuk ndalon në detyrën e ngarkuar nga kryeministri si ministër.

    Sot ai ishte në Ulqin. Pas takimit ai poston statusin në facebook: “Sot në Ulqin inauguruam Konsullatën e Përgjithshme të Shqipërisë — një ditë historike për komunitetin shqiptar në Mal të Zi.
    Një tjetër dëshmi e përkushtimit të Shqipërisë ndaj shqiptarëve kudo që jetojnë dhe e marrëdhënieve të veçanta Shqipëri–Mal i Zi”.
    Igli Hasani do të ishte një deputetët me të mirë në parlamentin e ri të pas 11 majit.

  • Inaugurohet Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë në Ulqin, ministri Hasani: Ndjekim me përkushtim mirëqënien e shqiptarëve kudo që jetojnë

    Inaugurohet Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë në Ulqin, ministri Hasani: Ndjekim me përkushtim mirëqënien e shqiptarëve kudo që jetojnë

    Ulqin – Një ditë historike sot në Ulqin, në qytetin e pasurive natyrore, historike dhe kulturore, ku është inauguruar Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë, në praninë e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë Igli Hasani, Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Ervin Ibrahimović, përfaqësuesve të qeverisë qendrore dhe vendore, trupit diplomatik, qytetarëve ulqinakë etj.

    Inaugurimi i kësaj konsullate për Ministrin Hasani është njëkohësisht dëshmi e raportit të veçantë dhe marrëdhënieve mes dy vendeve tona, por edhe një angazhimi të përbashkët për të ndërtuar një të ardhme më të fortë dhe më të lidhur mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Në fjalën përshëndetëse të inaugurimit, ai u shpreh: “Në një kohë kur Shqipëria dhe Mali i Zi janë aleate dhe ndajnë një vizion të përbashkët për paqe, stabilitet dhe integrim evropian, ky hap përfaqëson një shtyllë të rëndësishme për thellimin e bashkëpunimit në të gjitha nivelet – politik, ekonomik, kulturor dhe njerëzor. Do të jetë një nyje strategjike për të ndihmuar në forcimin e shkëmbimeve tregtare, promovimin e investimeve, dhe rritjen e mundësive për zhvillim të qëndrueshëm, veçanërisht në sektorë si turizmi, energjia dhe infrastruktura.”

    Ministri Hasani theksoi ndër të tjera se qeveria shqiptare e ndjek gjithmonë me kujdes dhe përkushtim zhvillimin dhe mirëqënien e shqiptarëve kudo që ata jetojnë. Sipas tij, komuniteti shqiptar në Mal të Zi ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në rrugën demokratike dhe euroatlantike të vendit, dhe ka qenë gjithmonë një faktor i rëndësishëm stabiliteti dhe bashkëjetese.

    “Do të vazhdojmë ta mbështesim këtë rol dhe të inkurajojmë përfaqësimin e tyre aktiv në të gjitha nivelet e jetës institucionale”, cilësoi z. Hasani.
    Në kuadër të vizitës në Ulqin, Ministri Hasani zhvilloi një takim me Kryetarin e Komunës së Ulqinit, Genc Nimanbegu, me të cilin diskutoi për çështje të rëndësishme të bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në fushat e kulturës, arsimit dhe turizmit.

    Ai vizitoi edhe Qendrën e Librit dhe Promovimit të Kulturës Shqiptare – Libraria Ulqini, për të cilën vlen të theksohet se në fillim të këtij viti është bërë disbursimi i një shume prej 50 mijë eurosh për librarinë, ndërsa garantoi se do të vijojë mbështetja financiare për funksionimin e kësaj qendre.

    Gjatë vizitës, Ministri Hasani u takua edhe me drejtues të partive politike shqiptare në Malin e Zi, për të shkëmbyer ide dhe diskutuar çështje të rëndësishme që lidhen me situatën politike dhe zhvillimet rajonale./vizionplus.tv

  • Inaugurohet Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë në Ulqin/ Hasani: Ditë historike për komunitetin shqiptar në Mal të Zi

    Inaugurohet Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë në Ulqin/ Hasani: Ditë historike për komunitetin shqiptar në Mal të Zi

    Ditën e sotme është inaguruar në Ulqin, Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë.Në ceremoninë e inaugurimit mori pjesë ministri Igli Hasani dhe homologu malazez Ervin Ibrahimović.
    Përmes një postimi në rrjete sociale, Hasani tha se kjo është një tjetër dëshmi e përkushtimit të Shqipërisë ndaj shqiptarëve kudo që jetojnë.“Sot në Ulqin inauguruam Konsullatën e Përgjithshme të Shqipërisë — një ditë historike për komunitetin shqiptar në Mal të Zi.
    Një tjetër dëshmi e përkushtimit të Shqipërisë ndaj shqiptarëve kudo që jetojnë dhe e marrëdhënieve të veçanta Shqipëri–Mal i Zi”, shkruan Hasani.