Tag: ukrainase

  • Ukraina mohon se trupat e saj janë rrethuar në Pokrovsk

    Ukraina mohon se trupat e saj janë rrethuar në Pokrovsk

    Ukraina mohoi pretendimet e Rusisë se forcat e saj janë rrethuar, teksa po luftojnë për të mbajtur Pokrovskun, një qytet strategjik në lindje të Ukrainës që po përballet me sulme intensive ruse.

    Kjo qendër e rëndësishme në rajonin ukrainas të Donjeckut gjendet në mes të linjave të mëdha furnizuese për ushtrinë ukrainase dhe Moska ka tentuar që ta marrë nën kontroll për më shumë se një vit.

    Deri në 300 ushtarë rusë po luftonin në qytet në ofensivën e re, tha më herët gjatë kësaj jave presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Ai vizitoi trupat pranë Pokrovskut të martën, duke premtuar se do të bëjë “çmos” për ta mbajtur atë nën kontrollin e Kievit.

    Më vonë, të mërkurën, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë ukrainase publikoi një video të Zelenskyt duke inspektuar trupat “në drejtimin e Pokrovskut”. Ushtria ukrainase nuk specifikoi se kur ishte xhiruar kjo video.

    Ndërkohë, autoritetet ukrainase vendosën të pezullojnë linjën hekurudhore drejt Sllovianskut dhe Kramatorskut, dy qytete të mëdha në rajon që janë ende nën kontrollin e Kievit dhe gjenden afër Pokrovskut.

    Ushtria ruse të martën tha se po “ngushtojmë rrethimin e armikut” në Pokrovsk dhe pretendoi se kishte marrë nën kontroll disa dhjetëra ndërtesa në qytet.

    Por, të mërkurën Shtabi i Përgjithshëm ukrainas tha se “nuk ka asnjë rrethim të njësiteve dhe divizioneve tona”.

    “Janë ndërmarrë masa për të bllokuar armikun, i cili po tenton të depërtojë” në qytet, u tha në deklaratën e publikuar në rrjetet sociale.

    “Rezistenca aktive ndaj përpjekjeve të grupeve të këmbësorisë të armikut për të vendosur pozicione është ende duke vazhduar”.

    Pokrovsku, që para luftës kishte rreth 60.000 banorë, tani është kryesisht një qytet i braktisur dhe i shkatërruar nga luftimet.

    Ukraina gjatë fundjavës dërgoi forca speciale për të forcuar mbrojtjen e qytetit.

    Rusia ka marrë nën kontroll pjesë të mëdha të Ukrainës lindore dhe jugore që nga fillimi i pushtimit në shkurt të vitit 2022./ REL/ 

  • Putin miraton dërgimin e rezervistëve për të mbrojtur rafineritë nga sulmet ukrainase

    Putin miraton dërgimin e rezervistëve për të mbrojtur rafineritë nga sulmet ukrainase

    Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi të hënën një ligj që autorizon vendosjen e rezervistëve për të mbrojtur rafineritë e naftës dhe infrastrukturën tjetër energjetike në Rusi. Ky vendim vjen mes sulmeve ukrainase ndaj objekteve të tilla pothuajse çdo javë.
    Këto sulme nga dronë ukrainas shpesh dëmtojnë impiantet e naftës dhe gazit dhe tubacionet që transportojnë hidrokarbure, duke çuar në një rritje të çmimeve të karburantit, raportojnë mediat e huaja.
    Teksti i nënshkruar nga Putini sot lë të hapur mundësinë e dërgimit të rezervistëve ” sipas tij për të siguruar mbrojtjen e objekteve të nevojshme “, me kërkesë të qeverisë dhe në këmbim të kompensimit financiar.

    Rusia kishte mobilizuar rreth 300,000 rezervistë në shtator 2022 për të luftuar në Ukrainë, disa muaj pas fillimit të sulmit të saj ndaj atij vendi dhe në një kohë kur trupat e saj janë në një pozicion të vështirë.
     

  • Forcat ukrainase thonë se po mbahen në Pokrovsk mes luftimeve të ashpra

    Forcat ukrainase thonë se po mbahen në Pokrovsk mes luftimeve të ashpra

    Autoritetet ushtarake të Ukrainës kanë këmbëngulur se forcat e tyre po mbahen fort në qytetin e vijës së parë, Pokrovsk, në lindje të vendit.
    Ndërkohë, forcat ruse dhe ato ukrainase kanë kryer sulme me raketa dhe dronë në disa zona gjatë natës midis 1 dhe 2 nëntorit.
    Derisa luftimet po vazhdojnë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se një takim midis presidentëve të Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara “nuk është i nevojshëm tani për tani”.

    Komentet e tij, të publikuara nga agjencia TASS më 2 nëntor, janë shenjë shtesë se Moska është e vendosur ta vazhdojë pushtimin e plotë, pothuajse katërvjeçar, të Ukrainës, pavarësisht përpjekjeve për paqe të udhëhequra nga SHBA-ja.
    “Çfarë nevojitet tani është një punë shumë e kujdesshme për të shtjelluar hollësi specifike të problemit” tha Peskov, pa dhënë hollësi të mëtejshme.
    Sulmet me raketa gjatë natës në Ukrainë
    Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës raportoi më 2 nëntor se Rusia kishte lëshuar raketa balistike të tipit Iskander-M dhe 79 dronë sulmues gjatë natës.
    Një sulm me dronë rusë në qytetin ukrainas të Odesës vrau dy persona dhe plagosi një tjetër, sipas kreut të administratës ushtarake rajonale, Oleh Kiper, i cili tha se “infrastruktura civile” ishte dëmtuar.
    Shërbimi ukrainas i Radios Evropa e Lirë raportoi për një sulm në një ndërtesë banimi në Zaporizhja. Askush nuk u plagos në këtë incident, por tre persona u lënduan gjatë sulmeve të tjera në qytet.
    Ndërkohë, Ukraina goditi një cisternë nafte dhe objekte të tjera në portin rus të Detit të Zi, Tuapse, në rajonin Krasnodar.
    Zyrtarët lokalë thanë se “fragmentet e [dronëve] ranë mbi një cisternë nafte, duke dëmtuar pjesën e sipërme të strukturës së anijes. Një zjarr shpërtheu në bord dhe ekuipazhi u evakuua”.
    Ky vend ka qenë shpesh herë në shënjestruar të dronëve ukrainas gjatë vitit të fundit.
    Beteja për Pokrovskun
    Në vijën e frontit, autoritetet ushtarake ukrainase raportuan luftime të vazhdueshme në shumë zona më 2 nëntor, por vëmendja kryesore mbetet tek Pokrovsk, ku forcat ukrainase përballen, sipas raporteve, me rreth 170.000 trupa ruse.
    Analistët paralajmërojnë se rënia e Pokrovskut, i cili para luftës kishte rreth 70.000 banorë, mund ta hapë rrugën për trupat ruse drejt perëndimit, në rajonin Dnipropetrovsk, duke rrezikuar zonat jugore të Ukrainës.
    “Ne po e mbajmë Pokrovskun”, shkroi në Facebook komandanti i përgjithshëm i Ukrainës, gjenerali Oleksandr Syrskiy, më 1 nëntor.
    “Një operacion i gjerë për të shkatërruar dhe dëbuar forcat armike nga Pokrovsku është në zhvillim e sipër”, shtoi ai, një ditë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e quajti betejën për qytetin pothuajse të shkatërruar “prioritet” për Ukrainën.
    Pas raportimeve nga mediat perëndimore, Kievi konfirmoi se ka dërguar forca speciale në këtë qytet strategjik, pasi ushtria ruse pretendoi se kishte rrethuar ushtarët ukrainas atje.
    Ministria e Mbrojtjes e Rusisë gjithashtu pretendoi se forcat e saj kishin vrarë të 11 anëtarët e një ekipi të forcave speciale ukrainase që kishin zbarkuar në qytet me helikopter.
    Situata në terren mbetet e paqartë dhe nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.
    Vlerësimet sugjerojnë se midis 200 dhe 400 ushtarë rusë ndodhen tashmë brenda lagjeve lindore të qytetit, duke përdorur terrenin urban, bodrumet dhe veshje civile për të mos rënë në sy të ushtrisë ukrainase./REL

  • Rusia lëshon në ujë nëndetësen bërthamore ‘Khabarovsk’, Kievi: Po zmbrapsim ofensivën ruse në Pokrovsk

    Rusia lëshon në ujë nëndetësen bërthamore ‘Khabarovsk’, Kievi: Po zmbrapsim ofensivën ruse në Pokrovsk

    Moska lëshon në ujë nëndetësen e re bërthamore “Khabarovsk” bën të ditur agjencia ruse e lajmeve Tass.

    Në ceremoninë e mbajtur në kantierin e famshëm “Sevmash në Severodvinsk në veri të Rusisë ishte i pranishëm ministri rus i Mbrojtjes, Andrey Belousov, i cili e quajti këtë “një ditë të rëndësishme për forcat detare ruse”.

    Nëndetësja bërthamore Khabarovsk sot largohet nga kantieri i njohur Sevmash për të nisur kapitullin e saj të ri në mbrojtjen e atdheut”, – deklaroi Belousov.

    Nëndetësja, një ndër më të fuqishmet e flotës,  është projektuar për të transportuar dronin nënujor me kapacitet bërthamor “Poseidon”, shkruan La Repubblica.“Ky është një moment historik,” – deklaroi Belousov, duke e cilësuar anijen si një aset kyç për mbrojtjen e kufijve detarë të Rusisë dhe interesave kombëtare

    Nëndetësja  bërthamore “Khabarovsk” do të nisë testet detare, përpara se të hyjë në shërbim aktiv. Nëndetësja mendohet gjerësisht të shërbejë si platforma lëshuese për dronin nënujor me kapacitet bërthamor “Poseidon”

    ‘Poseidoni’ është projektuar për të lëvizur fshehurazi nën ujë me qëllim shkatërrimin e infrastrukturës kritike bregdetare, si stacionet ushtarake dhe portet. Me gjatësi rreth 21 metra ai është tepër i madh për nëndetëset më të mëdha të Rusisë dhe për këtë nevojitet një nëndetëse e vetme, e ndërtuar posaçërisht, për ta lëshuar atë.

    Ndërkohë  forcat ukrainase po zhvillojnë një operacion të gjerë për të ndaluar përpjekjet e ushtrisë ruse për të depërtuar në zonat e banuara të Pokrovskut,  qyteti në vijën e frontit në lindje të Ukrainës

    . Lajmin e bëri të ditur komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura ukrainase, Oleksandr Syrsky, në një postim në rrjetet sociale, i cili u shpërnda nga Kyiv Independent.

    “Nuk ka rrethim apo bllokim të qytetit,” – shtoi Syrsky, duke theksuar se ushtria ukrainase po bën gjithçka të mundur për të mbajtur të hapura linjat logjistike të qytetit, i cili ka rëndësi strategjike për konfliktin.

    Komandanti ukrainas shpjegoi se pjesa më e madhe e operacionit po kryhet nga forcat special ukrainase.

    Në qytet janë aktive njësi të konsoliduara të Forcave për Operacione Speciale, Policisë Ushtarake, Shërbimit të Sigurisë (SBU) dhe Inteligjencës Ushtarake (HUR).

    Syrsky theksoi nevojën për koordinim të ngushtë midis njësive dhe njoftoi se forca shtesë, armë dhe sisteme dronësh po dërgohen për të forcuar mbrojtjen.

    “Armiku po paguan çmimin më të lartë për përpjekjen për të përmbushur urdhrin e diktatorit të Kremlinit për të pushtuar Donbasin,” – shkruan ai, sipas mediave ukrainase.

    Që nga mesi i verës, qyteti në vijën e frontit në lindje të Ukrainës është shndërruar në një fushë beteje gjithnjë e më kritike. Forcat ruse kanë avancuar ngadalë në skajet lindore dhe jugore, duke kapur rrugë kyçe dhe duke bllokuar linjat e furnizimit në qytet.

    Analistët paralajmërojnë se nëse Pokrovsk bie, kjo do të hapte rrugën drejt perëndimit në rajonin Dnipropetrovsk dhe do të rrezikonte më tej frontin jugor të Ukrainës.

  • Ish-kryetari i Odesës arrestohet për përmbytjet vdekjeprurëse

    Ish-kryetari i Odesës arrestohet për përmbytjet vdekjeprurëse

    Një gjykatë në Kiev shqiptoi masën e arrestit shtëpiak për 60 ditë ndaj ish-kryetarit të Odesës, Hennadiy Trukhanov, i akuzuar për neglizhencë zyrtare, disa javë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ia hoqi shtetësinë ukrainase.
    Gjykata e Qarkut Peçersk në Kiev e vendosi këtë masë më 31 tetor, duke pranuar kërkesën e prokurorisë, pasi Trukhanov dyshohet për keqmenaxhim gjatë përmbytjeve në Odesë, kur vdiqën disa persona.
    Ish-deputet i Parlamentit të Ukrainës dhe kryetar i qytetit në Detin e Zi që nga viti 2014, Trukhanov ishte njoftuar disa ditë më parë se dyshohej për moskryerje siç duhet të detyrave zyrtare.

    Duke folur përmes video-lidhjes gjatë seancës gjyqësore, Trukhanov e quajti akuzën ndaj tij një “shpërqendrim të planifikuar politik” dhe pretendoi se nuk kishte bërë asgjë gabim.
    Sipas hetimit, ish-kryetari dështoi të siguronte funksionimin e duhur të sistemit të kullimit të qytetit dhe të informonte banorët për rrezikun e një emergjence më 30 shtator, ditën kur përmbytjet vdekjeprurëse goditën qytetin-port të Odesës.
    “Si pasojë e përmbytjeve në një pjesë të qytetit, të shkaktuara nga dështimi i sistemit të kanalizimeve për të përthithur ujin nga rrugët, vdiqën nëntë persona, përfshirë një fëmijë i moshës 9-vjeçare”, tha prokuroria më 29 tetor.
    Trukhanov deklaroi se vendimi i autoriteteve për ta trajtuar atë si të dyshuar, ishte “befasi” për të, megjithëse pranoi se problemi me sistemin e kullimit të ujit në Odesë ishte “katastrofik”.
    “Zgjidhja e këtij problemi kërkon miliarda investime dhe mbështetje nga Qeveria. Vetëm qyteti asnjëherë nuk mund ta menaxhojë zgjidhjen e këtij problemi”, shtoi ai.
    Menjëherë pas tragjedisë më 30 shtator, Trukhanov deklaroi se në qytet kishte pasur reshje shiu brenda shtatë orësh sa gati për dy muaj.
    “Asnjë sistem kanalizimi nuk mund të përballojë një ngarkesë të tillë”, shkroi ai në Telegram.
    Dy javë pas përmbytjeve në Odesë, Zelensky njoftoi se po ia revokonte shtetësinë ukrainase Trukhanovit, duke u bazuar në raporte të agjencisë kryesore të sigurisë të shtetit që tregonin se ai posedonte pasaportë ruse.
    Trukhanov ka premtuar se do të ngrehë padi me qëllim që të rimarrë shtetësinë ukrainase.
    Që një kohë të gjatë, Trukhanov është përballur me akuza se ka shtetësi ruse, që është e paligjshme sipas ligjeve në Ukrainë.
    Më herët, disa banorë të Odesës iniciuan një peticion për t’i hequr shtetësinë ukrainase, duke pretenduar se ai po ashtu paguante taksa në Rusi.
    Megjithatë, jo të gjithë ishin të bindur, duke argumentuar se Trukhanov ishte zgjedhur në mënyrë të drejtë dhe se, me luftën që vazhdon kundër forcave ruse, ka çështje më urgjente për t’u trajtuar./REL

  • Viktima në sulmin rus ndaj Kievit, Moska njofton se ka rrethuar 5,000 trupa ukrainase në Kupyansk

    Viktima në sulmin rus ndaj Kievit, Moska njofton se ka rrethuar 5,000 trupa ukrainase në Kupyansk

    Tre persona u vranë dhe 29 të tjerë u plagosën, përfshirë gjashtë fëmijë, pas një sulmi rus në lagjen Desna të Kievit. Sipas kryetarit të bashkisë, Vitali Klitsko, mbeturinat nga disa dronë goditën një ndërtesë banimi, duke shkaktuar zjarr që u përhap në disa kate. Për pasojë shtatë persona u  plagosën, përfshirë dy fëmijë, u shtruan në spital.
    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dënoi sulmet, duke theksuar se Rusia vazhdon të synojë ndërtesat e banimit, fëmijët dhe infrastrukturën civile. Ai tha se vetëm gjatë kësaj jave Rusia ka përdorur mbi 1,200 dronë sulmi dhe 1,360 bomba ajrore kundër Ukrainës.
    Në frontin lindor, ushtria ruse pretendon se ka rrethuar mbi 10,000 trupa ukrainase në rajonet e Kharkivit dhe Donetskut. Sipas Kremlinit, 5,000 ushtarë ukrainas janë të bllokuar në zonën e Kupyanskut dhe mbi 5,500 në atë të Pokrovskut. Presidenti Vladimir Putin, gjatë një vizite në një qendër komanduese ushtarake, urdhëroi forcat ruse të sigurojnë dorëzimin e trupave ukrainase dhe të minimizojnë humbjet e jetëve njerëzore, raportojnë mediat ruse.
    Ndërkohë, Moska njoftoi testimin me sukses të raketës së re balistike ndërkontinentale me fuqi bërthamore 9M730 Burevestnik, e cila përshkoi 14,000 kilometra në 15 orë.
    Shefi i Shtabit të Përgjithshëm rus, Valery Gerasimov, e përshkroi raketën si “të pakrahasueshme në botë”, ndërsa Putin theksoi se testet tregojnë fuqinë teknologjike të Rusisë.
    Ndërsa Zelensky u bëri thirrje aleatëve perëndimorë për më shumë sanksione dhe presion të koordinuar ndaj Moskës.

  • Shpërthim në një stacion treni në Ukrainë, katër të vdekur, mes tyre dhe autori

    Shpërthim në një stacion treni në Ukrainë, katër të vdekur, mes tyre dhe autori

    Një person ka shpërthyer një pajisje plasëse në një stacion treni në veri të Ukrainës, duke vrarë veten dhe tre të tjerë, thanë zyrtarët.

    Tre gra – një roje kufitare dhe dy civile – u vranë gjatë shpërthimit që ndodhi gjatë kontrollit të dokumenteve në një platformë pranë një treni, thanë rojet kufitare ukrainase përmes një deklarate.
    “Shpërthimi u krye nga një burrë gjatë kontrollit të dokumenteve në një zonë kufitare në stacionin hekurudhor Ovruç”, në rajonin e Zhitomirit, thanë rojet kufitare ukrainase.
    Personi që kreu shpërthimin, 23 vjeç, vdiq nga plagët e marra teksa po trajtohej në një autoambulancë, thanë autoritetet.
    Mediat ukrainase raportuan se ai shpërtheu një granatë, por nga Ministria e Brendshme e Ukrainës nuk kanë konfirmuar se çfarë lloj pajisje plasëse u përdor.
    Shërbimi i rojeve kufitare ukrainase tha se personi që dyshohet se e kreu shpërthimin “së voni ishte arrestuar për shkak se kishte tentuar të shkelte kufirin shtetëror në pjesën perëndimore” të Ukrainës. /rel

    Top Channel

  • Katër të vdekur pas një shpërthimi në një stacion treni në Ukrainë

    Katër të vdekur pas një shpërthimi në një stacion treni në Ukrainë

    Një person ka shpërthyer një pajisje plasëse në një stacion treni në veri të Ukrainës, duke vrarë veten dhe tre të tjerë, thanë zyrtarët.

    Tre gra – një roje kufitare dhe dy civile – u vranë gjatë shpërthimit që ndodhi gjatë kontrollit të dokumenteve në një platformë pranë një treni, thanë rojet kufitare ukrainase përmes një deklarate.

    “Shpërthimi u krye nga një burrë gjatë kontrollit të dokumenteve në një zonë kufitare në stacionin hekurudhor Ovruç”, në rajonin e Zhitomirit, thanë rojet kufitare ukrainase.

    Personi që kreu shpërthimin, 23 vjeç, vdiq nga plagët e marra teksa po trajtohej në një autoambulancë, thanë autoritetet.

    Mediat ukrainase raportuan se ai shpërtheu një granatë, por nga Ministria e Brendshme e Ukrainës nuk kanë konfirmuar se çfarë lloj pajisje plasëse u përdor.

    Shërbimi i rojeve kufitare ukrainase tha se personi që dyshohet se e kreu shpërthimin “së voni ishte arrestuar për shkak se kishte tentuar të shkelte kufirin shtetëror në pjesën perëndimore” të Ukrainës./REL/

  • I hoqi shtetësinë ukrainase ish-kryebashkiakut, Zelensky emëron kryetarin e ri të Odesës

    I hoqi shtetësinë ukrainase ish-kryebashkiakut, Zelensky emëron kryetarin e ri të Odesës

    Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky emëroi këtë të mërkurë Serhiy Lysak, ish-guvernator i rajonit të Dnipropetrovskit, si drejtues të ri të qytetit portual Odesa, pas shkarkimit të ish-kryebashkiakut Hennadiy Trukhanov.

    Trukhanov humbi automatikisht postin pasi Zelensky i hoqi shtetësinë ukrainase, për shkak të dyshimeve se ai zotëronte pasaportë ruse, një akuzë që ish-kryebashkiaku e mohon kategorikisht.
    Administrata e re e qytetit do të jetë ushtarake, një praktikë që është bërë e zakonshme gjatë kohës së luftës, duke i dhënë presidentit kontroll më të madh mbi pushtetin vendor. Megjithatë, disa kundërshtarë politikë e kanë kritikuar këtë si një hap jodemokratik.
    Trukhanov, i cili drejtoi Odesën që nga viti 2014, ka paralajmëruar se do ta kundërshtojë vendimin në gjykatë. Ai është shprehur kritik ndaj politikës të Ukrainës, një proces që nisi pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014 dhe u intensifikua pas pushtimit të plotë rus në vitin 2022.
    Aktualisht, zgjedhjet lokale janë pezulluar për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme që mbetet në fuqi në të gjithë vendin.

    Top Channel

  • Ukraina vijon sulmet ndaj Rusisë, tre viktima dhe një i plagosur në ofensivën e fundit

    Ukraina vijon sulmet ndaj Rusisë, tre viktima dhe një i plagosur në ofensivën e fundit

    Tre persona u vranë dhe një u plagos në sulmet ajrore ukrainase në rajonin rus të Belgorodit, njoftoi sot guvernatori rajonal.

    Më parë, agjencia e lajmeve RIA raportoi, duke cituar të dhëna nga Ministria ruse e Mbrojtjes, se forcat ruse të mbrojtjes ajrore shkatërruan 53 dronë ukrainas gjatë natës.
    Një ditë më parë u raportua se një tjetër sulm i ushtrisë ukrainase kishte shkatërruar një rafineri naftë të Rusisë.
    Muajt e fundit rafineritë ruse kanë qenë në shënjestrën e ushtrisë ukrainase pasi shitja e naftës dhe gazit është një nga burimet kryesore të të ardhurave për Moskën.

    Top Channel