Nivelet e ndotjes në shumë burime ujore në Shqipëri, përfshirë liqenet, rezervuarët dhe lumenjtë, kanë arritur nivele kritike, duke qenë me dhjetëra e madje qindra herë mbi normat e lejuara të Bashkimit Evropian. Situata është përshkruar si “jo thjesht alarmante, por kërcënuese” për shëndetin publik, duke prekur jo vetëm ata që i përdorin këto ujëra për rekreacion, por të gjithë popullsinë përmes zinxhirit ushqimor.
Ndotja, kryesisht me natyrë fekale dhe nga mbetjet urbane, ka kontaminuar rëndë ujërat që përdoren për qëllime të ndryshme. Një nga rastet më flagrante është ai i sportistëve që notuan në liqenin e Farkës, të pavetëdijshëm për rrezikun shëndetësor që u kanosej. Sipas ekspertëve që monitorojnë situatën, zona të tilla duhet të ishin rrethuar menjëherë me shirit sigurie për të ndaluar rreptësisht aksesin e publikut.
I ftuar ditën e sotme në ‘Kafe Shqeto’, aktivisti Andi Tepelena shprehet se problemi shtrihet përtej notit dhe aktiviteteve rekreative. Këto burime ujore përdoren masivisht për vaditjen e tokave bujqësore, çka do të thotë se ndotësit dhe bakteret kalojnë direkt në produktet ushqimore dhe prej andej në organizmin e njeriut. Kjo e kthen çështjen në një problem të sigurisë ushqimore kombëtare, duke vënë në rrezik shëndetin e të gjithë qytetarëve.
Në terren, neglizhenca është e dukshme edhe në detajet më elementare. Në zona turistike me fluks të lartë vizitorësh, siç është rezervuari i Bovillës, mungojnë edhe koshat e plehrave, duke bërë që mbeturinat të përfundojnë direkt në ujin e pijshëm. Vetëm pas alarmeve publike në mediat sociale, autoritetet kanë ndërhyrë në mënyrë sporadike.
Deklarata e plotë:
“Nga ana tekniko-bakterologjike nuk dua të flas, pasi këtë e lë në dorë të specialistëve, por nga kontaktet që kam pasur me komunitetet ku janë bërë monitorime të ujërave, mund të them me përgjegjësi se situata nuk është alarmante, por kërcënuese për shëndetin e njerëzve dhe të shqiptarëve në përgjithësi.
Kemi të bëjmë me ujëra dhjetëra apo qindra herë mbi normat e pranueshme të BE-së, jo vetëm për ujëra rekreative, por edhe ato që përdoren për vaditje. Në disa zona, si Farka apo Prelazi, njerëzit lahen në ujëra të ndotura fekalisht, ku duhej të ishte ndaluar rreptësisht larja.
Situata kërkon masa urgjente, deri edhe rrethim të liqeneve dhe rezervuarëve, si dhe krijimin e zonave mbrojtëse buferike, pasi pastrimi mund të kërkojë muaj apo vite.
Raportet e BE-së e cilësojnë kapitullin e mjedisit si një nga më sfiduesit për Shqipërinë. Kjo nuk lidhet vetëm me demokracinë apo shtetin ligjor, por me shëndetin publik dhe sigurinë ushqimore: ujërat e ndotura përdoren për vaditje, dhe ndotja përfundon në produktet ushqimore.
Janë konstatuar edhe mungesa elementare, si kosha plehrash pranë rezervuarëve apo zonave turistike, përfshirë edhe Bovillën. Vetëm pas reagimeve publike janë marrë masa minimale.
Kjo tregon mungesë monitorimi dhe përgjegjësie nga institucionet që duhet të kujdesen për mjedisin dhe ujërat”.







