Tag: turizmi

  • Kryebashkiaku Llatja: Turizmi kurativ, një motor i fuqishëm për ekonominë lokale të Treganit

    Kryebashkiaku Llatja: Turizmi kurativ, një motor i fuqishëm për ekonominë lokale të Treganit

    Në Tregan, ku sezoni i turizmit kurativ po i afrohet fundit, ritmi mbetet i pandryshuar: kapacitete të tejmbushura, kërkesë e lartë dhe një fluks i qëndrueshëm vizitorësh. Ky është treguesi më i qartë i potencialit të kësaj zone dhe i rëndësisë që ajo ka fituar për zhvillimin rajonal.Gjatë vizitës së sotme në Hotel “Miza”, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, diskutoi me përfaqësues të bizneseve lokale mbi ecurinë e sezonit, sugjerimet dhe sfidat që ata hasin.
    Vizitorë nga e gjithë Shqipëria, por edhe nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, zgjedhin Treganin për cilësinë e ujërave termale, mikpritjen tradicionale, çmimet e favorshme dhe natyrën e paprekur që e rrethon.“Tregani është pjesë e ‘Paketës së Maleve’, një paketë strategjike që synon të forcojë investimet në turizmin malor, atë kurativ dhe në format e tjera të turizmit gjithëvjetor. Kjo zonë është një shembull i qartë se si ndërthuren natyrshëm produktet vendase, agroturizmi dhe turizmi shëndetësor, duke sjellë zhvillim ekonomik të qëndrueshëm,” u shpreh Llatja.

    Ai theksoi se investimet në infrastrukturë, në bizneset familjare dhe në promovimin e potencialit natyror e shëndetësor të Treganit do të mbeten ndër prioritetet kryesore të bashkisë. “Çdo investim në këtë zonë përkthehet në më shumë vizitorë dhe më shumë mundësi për komunitetin,” shtoi ai.Gjatë qëndrimit në llixhat e Treganit, kryetari Llatja bisedoi edhe me pacientët që po marrin trajtime në fund të sezonit kurativ. Ata ndiheshin të kënaqur me kushtet e përmirësuara dhe me shërbimet që ofron kjo zonë, duke theksuar se klima e Treganit është unike dhe se efektet e ujërave termale ndihen që pas ditëve të para të trajtimit.

    “Këtu gjejmë qetësi, shërbim shumë të mirë dhe trajtime që vërtet ndihmojnë shëndetin tonë”, u shpreh një vizitor nga Kosova, ndërsa një tjetër nga Divjaka shtoi se “kthimi në Tregan është bërë traditë çdo vit.”

    Në vijim, kryetari Llatja solli në vëmendje edhe politikat mbështetëse të qeverisë për shtresat në nevojë, veçanërisht për pensionistët dhe bujqit, duke nënvizuar se rritja e pensioneve do të vijojë çdo vit, sipas prioritetit të përcaktuar nga Kryeministri Edi Rama.Në fund të sezonit kurativ, Tregani konfirmon edhe një herë se turizmi shëndetësor nuk është vetëm një pasuri natyrore, por një motor i fuqishëm ekonomik për të gjithë zonën, që po tërheq gjithnjë e më shumë investime dhe vizitorë nga i gjithë rajoni.

  • Tirana ndër kryeqytetet më të shtrenjta të rajonit për të jetuar me qira

    Tirana ndër kryeqytetet më të shtrenjta të rajonit për të jetuar me qira

    Të jetosh me qira në Tiranë po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Çmimet janë rritur ndjeshëm, në disa zona deri në 100%, duke e kthyer tregun e banesave në një sfidë të përditshme për qytetarët. Turizmi, kërkesa e lartë dhe qiratë ditore po I kthejnë çmimet në shifra të papërballueshme për familjet shqiptare.
    Qëndra e Tiranës është kthyer në një zonë thuajsë të paprekshme, për familjet shqiptare. Kërkesat vijnë nga nga ciftet e reja si dhe nga studentët, të cilët nuk kanë mundësi të blejnë një apartament dhe janë në kërkim të një banese për një kohë të gjatë dhe në një zonë të mirë, jo domosdoshmërisht elitare.
    Agjentja imobiliare, Valeria Dushku shprehet se zonat si Paskuqani dhe Fresku nuk janë prekur nga rritja e qirave ndërsa banesat në zonat qendrote variojnë nga 600 euro deri 1500.
    “Do përmendja zonat si Paskuqani, Babrruja, Fresku, Linza dhe Shkoza. Janë ende zona të Tiranës ku qiraja nuk është prekur nga një çmim në rritje, por qëndrojmë ende në 300–350–400 euro qiraja. Nëse flasim për 1+1, në zonat qendrore jemi nga 600 deri në 800 euro, ndërsa për 2+1 shkon nga 1000 deri në 1500 euro, në varësi të kërkesës që kanë klientët.
    Megjithatë pjesë e kërkimeve janë dhe të huajt, të cilët kërkojnë një tjëetr standart. Në disa nga zonat më të kërkuara, si pranë Stadiumit Air Albania, një 2+1 kushton deri në 1 800 euro në muaj”, tha ajo.
    Dushku thekson se kërkesat e shumta kanë ndikuar në rritjen e çmimeve.
    “Kërkesat janë të shumta në Tiranë, dhe mendoj se kjo ka ndikuar edhe në rritjen e çmimit nga pronarët që japin apartamente me qira, duke qenë se kemi edhe tregun e të huajve që vijnë e punojnë në Tiranë dhe kërkojnë apartamente të përshtatura me standarde europiane.
    Në 5-vjeçarin e fundit, zonat pothuajse të paprekshme mbeten Blloku dhe zonat qendrore, sa më afër qendrës, aq më shumë kërkohen nga të huajt. Para 5 vitesh mund të gjeje një apartament 1+1 në zonën e Liqenit të Thatë me 350 euro, ndërsa sot nuk gjen poshtë 600 euro”, shtoi ajo.
    Në kryeqytet, oferta për apartamente me qira afatgjata po zvogëlohet. Shumë pronarë i kthejnë banesat në qira ditore për turistë, pasi fitimi është më i lartë. Kjo prirje ka kufizuar ndjeshëm numrin e apartamenteve të lira për banorët vendas dhe ka bërë që tregu të mbetet nën presion të vazhdueshëm.
    Ekspertja e ekonomisë, Romina Radonshiqi u shpreh se ndikim në rritjet e çmimeve të apartamenteve ka patur edhe turizmi.
    “Ka banesa që kanë pësuar rritje 50%, por edhe 100%. Ndikim të madh ka pasur turizmi, pasi shumë banesa po përdoren për biznes. Kostoja e jetesës në Shqipëri është tepër e lartë, dhe për shkak të kërkesës, pronarët i japin me një çmim më të lartë,” tha ajo.
    Numri i familjeve shqiptare pa banesë në pronësi është rritur me 87% në 12 vitet e fundit. Sipas Censusit 2023, rreth 132 mijë familje, ose një në gjashtë, jetojnë me qira ose në banesa të huaja me marrëveshje me pronarin, krahasuar me 71 mijë në vitin 2011.

  • “Turizmi po përdoret si alibi për skemat korruptive”/ Personat e veshur me pushtet, flet Zhupa: Janë premtuar…

    “Turizmi po përdoret si alibi për skemat korruptive”/ Personat e veshur me pushtet, flet Zhupa: Janë premtuar…

    Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa në Takimin e njëzetë të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri – Bashkimi Evropian deklaroi se turizmi po përdoret si alibi për skemat korruptive.
    Zhupa tha se investitorët strategjikë gjatë fushatës elektorale kishin objektiv votat në zonat e tyre, ku kanë premtuar investime në shkëmbim të votave. Më tej, deputetja u shpreh se çdo ditë merren 80 mijë euro nga taksat e qytetarëve në lidhje me aferën e inceneratorëve.
    Fjalimi i plotë:
    Turizmi po përdoret si alibi për skemat korruptive dhe preferenciale të “investimeve strategjike”. Këta të fundit kanë përfituar këtë status jo rrallëherë në mungesë të theksuar të procedurave konkurruese dhe të transparencës publike. Mbi të gjitha, bëhet fjalë për persona të veshur me pushtet politik, si në rastin e bashkëshortit të ish-ministres së Jashtme, znj. Xhaçka, apo për pastrimin e parave nga krimi i organizuar nëpërmjet individëve “prestanome”, pa historik të kapitalit financiar të justifikueshëm.
    Gjatë fushatës elektorale, investitorët strategjikë kishin si objektiv votat në zonat e tyre. Në zonën time elektorale janë premtuar investime të reja strategjike në Lekurës e në Ksamil.
    Mega-afera e koncesionit të aeroportit të Vlorës është provuar me dokumente shtetërore si një procedurë fiktive, me kompani fiktive dhe me veprime të kryera hapur në mashtrim të ligjit. Projekti tashmë i korruptuar edhe publikisht dhe në shkelje të MSA-së, për mungesë konkurrimi në tenderim, mbetet një rrezik për biodiversitetin, florën dhe faunën e lagunës së Nartës.
    Nga ana tjetër, prej muajsh mediat raportojnë se kantieri është jashtë pune, duke kujtuar se Aeroporti i Mynihut është tërhequr nga supervizimi, për shkak të presionit mbi shkeljet e konventave ndërkombëtare dhe rrezikut mjedisor. Dëmi që i është shkaktuar aktualisht, edhe nëse projekti nuk përfundon, do të krijojë një ndotje afatgjatë dhe mjaft të rëndë për mjedisin e zonës së mbrojtur.
    Projektet infrastrukturore mbeten projekte korruptive, që nuk janë ngritur në nivelin për ta kthyer Shqipërinë në një destinacion turistik. Ato janë më shumë dosje hetimore sesa investime të frytshme për vendin.
    Ligji nr. 81/2017 “Për zonat e mbrojtura” ishte hartuar në frymën e legjislacionit dhe të parimeve evropiane, me asistencën e ekspertëve. Deri në këtë moment nuk është paraqitur asnjë raport apo analizë studimore që të dëshmonte vështirësitë e zbatimit të ligjit apo probleme të mundshme në terren.
    Pra, dukshëm nuk kishte asnjë arsye apo shqetësim real për të propozuar ndryshime drastike në këtë kuadër ligjor. E aq më pak, nuk ishte e nevojshme që këto ndryshime të bëheshin pa konsultime me ekspertë dhe institucionet përgjegjëse vendase apo të huaja.
    Në lidhje me mjedisin, kujtojmë se në vitin elektoral janë përcaktuar të mbillen të paktën 1 miliard e 200 mijë rrënjë kanabis, sa kurrë ndonjëherë më parë në histori. Dhe të gjitha këto, tashmë jo bimë klandestine, por bimë të mbjella me “certifikatë shteti”. Narkoqeveria ka shpërndarë në mënyrë të paligjshme leje për mbjelljen e mbi 29.000 hektarëve drogë, ndërkohë që ligji parashikon vetëm 200 hektarë në total. Ky veprim ishte një formë blerjeje masive të votave, në kundërshtim me ligjin dhe me konventat ndërkombëtare.
    Në Shqipëri janë harxhuar miliona euro, dhe vazhdojnë të harxhohen, për futjen e metodës së incenerimit. Tashmë, pa pranuar dështimin, ne vijojmë të paguajmë kostot e korrupsionit. Në fakt, asnjë incenerator nuk funksionon: as ai i Elbasanit, as i Fierit, ndërsa ai i Tiranës as që ekziston, por merr 80 mijë euro çdo ditë nga taksat e qytetarëve. Një aferë prej 430 milionë eurosh, ndërkohë që problemi i mbetjeve është kthyer jo vetëm në problem mjedisor, por edhe në problem të thellë korrupsioni. Shumë kanë përfunduar në burg, dhe të tjerë do të shkojnë.
    Bashkimi Evropian nuk mbështet afera korruptive që fshihen pas pretendimit të zhvillimit të turizmit, mjedisit dhe procesit të integrimit.

  • Turizmi italian në alarm, taksa e re për Airbnb mund të rrisë çmimet

    Turizmi italian në alarm, taksa e re për Airbnb mund të rrisë çmimet

    Qeveria italiane ka një plan të ri për të rritur taksën e sheshtë mbi qiratë deri në 30 ditë, ato që ofrohen kryesisht përmes platformave si Airbnb, si pjesë e projektbuxhetit të vitit 2026.
    Në Itali, për momentin ekziston një takstë e sheshtë (e njëjtë për të gjithë) mbi të ardhurat nga qiratë turistike (si ato përmes Airbnb), por niveli i taksës ndryshon sipas numrit të pronave që dikush jep me qira.
    Tanimë, me planin e ri, ky sistem me dy nivele do të hiqet, duke bërë që të gjithë pronarët të paguajnë 26%, pa përjashtim. Sipas qeverisë së Giorgia Melonit, rritja me 5 pikë përqindje është pjesë e përpjekjeve më të gjera për të përmirësuar financat publike.
    Kundërshtime brenda koalicionit
    Vendimi ka shkaktuar reagime të forta nga aleatët e Melonit në qeveri. Lega e Matteo Salvinit dhe Forza Italia e Antonio Tajanit janë shprehur hapur kundër nismës.
    Zëvendëskryeministri Salvini deklaroi për RAI 3 se “masa nuk do të miratohet” dhe se do të rishikohet ose shfuqizohet gjatë debatit parlamentar”. Ndërsa Tajani e quajti atë “një gabim që mund të korrigjohet”.
    Vlerësimet paraprake tregojnë se për një familje tipike që jep me qira një apartament deri në 1 muaj, rritja e taksës mund të nënkuptojë rreth 1 300 euro më shumë në vit.
    Turizmi
    Italia, një nga destinacionet më të mëdha turistike në botë, ka parë një rritje të madhe me dhënien e apartamenteve me qira, me miliarda euro të ardhura kombëtare.
    Rritja në 26% e normës së taksës, mund të ulë fitimet neto, të dekurajojë investimet ose të rrisë çmimet e qirave për turistët. Shoqata të pronarëve në rajone turistike si Liguria, Sicilia dhe Italia Qendrore kanë shprehur shqetësime, duke paralajmëruar se masa mund të sjellë ulje të ofertës së akomodimeve apo kosto më të larta për vizitorët, një goditje për një sektor që ende po përpiqet të rimëkëmbet pas pandemisë.
    Nga ana tjetër, qeveria e sheh nismën si pjesë të strategjisë për të zgjeruar bazën tatimore dhe për të stabilizuar të ardhurat, në vend që të mbështetet vetëm te rritja ekonomike dhe konsumi.
    Kriza e brendshme
    Ky propozim ka nxjerrë në pah çarjet brenda koalicionit qeverisës, që këtë javë shënoi 3 vjet në pushtet.
    Megjithëse kabineti i Melonit ruan shumicën parlamentare, kundërshtimet publike sinjalizojnë tensione të brendshme.
    Deklaratat e Salvinit sugjerojnë se masa mund të mos kalojë e pandryshuar në Parlament, duke hapur rrugën për kompromise që mund ta zbusin efektin fiskal.
    Opozita pritet të shfrytëzojë këtë debat për të portretizuar qeverinë si të shkëputur nga realiteti i pronarëve të vegjël dhe familjeve që mbështeten te të ardhurat nga turizmi.
    Pasojat për pronarët dhe turistët
    Për pronarët mesazhi është i qartë: të ardhurat neto nga këto qira do të bien nëse masa miratohet. Disa mund të orientohen drejt qirave afatgjata ose të dalin fare nga tregu, duke kufizuar më tej ofertën turistike në qytetet më të vogla.
    Për turistët, kjo mund të përkthehet në më pak zgjedhje ose çmime më të larta, sidomos në zonat ku oferta e akomodimeve është tashmë e kufizuar.
    Në planin politik, reforma nënvizon ndryshimin e qasjes së Italisë ndaj fiskalitetit, duke përdorur taksimin si një instrument për stabilitet ekonomik, në vend që të mbështetet vetëm në zgjerimin e konsumit dhe turizmit.

  • Turizmi po venitet”, FMN hedh në plehra propagandën e Ramës: Ja pse ulëm parashikimin e rritjes për Shqipërinë

    Turizmi po venitet”, FMN hedh në plehra propagandën e Ramës: Ja pse ulëm parashikimin e rritjes për Shqipërinë

    Turizmi po venitet”, FMN hedh në plehra propagandën e Ramës: Ja pse ulëm parashikimin e rritjes për Shqipërinë
    Pas dy vitesh me rritje të fortë të nxitur nga turizmi, ndërtimi dhe konsumi i brendshëm, ekonomitë e Europës Juglindore po përballen me një periudhë ngadalësimi.
    Raporti i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar “Regional Economic Outlook for Europe, October 2025” sinjalizon se pas kulmit të rikuperimit post-pandemik, kërkesa e brendshme po zbehet, investimet po frenohen nga kostot e larta të financimit, ndërsa kërkesa nga tregjet e BE-së mbetet e dobët.
    Shqipëria, ashtu si shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndjen efektet e këtij ngadalësimi: FMN ka ulur parashikimin e rritjes së saj për vitin 2025 nga 3.8 % në 3.4 %, duke reflektuar zbehjen e vrullit të sektorëve që udhëhoqën zgjerimin në vitet e fundit. në vitin 2024 rritja ishte 4%.
    Sipas FMN-së, rritja në Europën Juglindore jashtë BE-së pritet të zbutet në 2025, pasi efektet e rimëkëmbjes së fortë në turizëm dhe ndërtim po veniten, ndërkohë që kushtet më të shtrënguara të financimit dhe kërkesa më e dobët e jashtme po kufizojnë investimet.
    FMN thekson se bumi turistik që nxiti rritjen në 2023-2024 po humbet intensitetin, ndërsa kostoja e jetesës dhe normat e larta të interesit në Europë po ngadalësojnë ardhjet dhe shpenzimet e vizitorëve të huaj.
    Në tërësi, grupi i vendeve të Europës Juglindore jashtë BE-së pritet të rritet me rreth 2.8 % në 2025, nga 3.4 % që ishte parashikuar më herët.
    Ky është një nga rishikimet më të forta në kontinent, krahas uljeve që FMN ka bërë për Rumaninë, Serbinë, Shqipërinë e Bosnjë Hercegovinën.
    Ndërkohë, disa vende të BE-së të Europës Qendrore – si Polonia e Bullgaria – pritet të ruajnë ritme më të qëndrueshme rritjeje, ndërsa Hungaria dhe Moldavia mbeten të ndjeshme ndaj inflacionit dhe politikave fiskale të brishta.
    FMN përshkruan rajonin si “zonë me rritje të pabarabartë dhe me vonesë në reformat strukturore”, duke theksuar se ekonomitë e Ballkanit mbështeten ende në konsum dhe remitanca, ndërsa eksportet me vlerë të shtuar dhe investimet produktive mbeten të ulëta.
    Përtej 2025-s, FMN parashikon që rritja e Shqipërisë të stabilizohet në 3.5–3.6 % në vitet 2026–2027, në përputhje me mesataren historike të dekadës së fundit.
    Sfidat kryesore të evidentuara për vendin dhe për rajonin janë:
    -produktiviteti i ulët dhe emigracioni i lartë i fuqisë punëtore;
    -vonesat në reformat institucionale dhe administrative;
    -varësia e tepruar nga turizmi dhe ndërtimi;
    -dhe kapaciteti ende i kufizuar për të tërhequr investime të mëdha prodhuese.
    Ashtu si rajoni, Shqipëria është e ekspozuar ndaj tregjeve të Bashkimit Europian, që janë veçanërisht të ndjeshme ndaj presioneve globale. Ngadalësimi i rritjes në BE, tensionet tregtare dhe pasiguritë gjeopolitike po kufizojnë perspektivat e rritjes përmes eksporteve dhe remitancave.
    Raporti thekson se një nga pengesat për rritje më të fortë është vonesa në reformimin struktural të institucioneve, tregut të punës, dhe integrimit më të thellë të tregjeve kapitale dhe punës.
    FMN nënvizon se për të shmangur ngadalësimin afatgjatë, vendet e Ballkanit duhet të përqendrohen në rritjen e produktivitetit, forcimin e qeverisjes dhe diversifikimin e burimeve të rritjes përtej sektorëve të konsumit dhe ndërtimit.
    Në përmbyllje, FMN e formulon mesazhin për rajonin me frazën: “Europa Juglindore duhet të kalojë nga njohja e problemeve në veprim konkret.” Sipas Fondit, kjo kërkon politika fiskale më të disiplinuara, nxitje të investimeve në sektorë eksportues dhe masa për përmirësimin e klimës së biznesit./ Monitor

  • Takimet vjetore të BB dhe FMN/ Malaj në Uashington: Deri në 2030 synojmë të arrijmë 6.6 mld euro të ardhura vjetore nga turizmi

    Takimet vjetore të BB dhe FMN/ Malaj në Uashington: Deri në 2030 synojmë të arrijmë 6.6 mld euro të ardhura vjetore nga turizmi

    Ministri i Financave, Petrit Malaj, mori pjesë në aktivitetin e nivelit të lartë lartë “Turizmi i Qëndrueshëm për Punësim, Jetesë dhe Zhvillim”, në kuadër të Takimeve Vjetore 2025 të Grupit të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, që u organizuan në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 
    Gjatë aktivitetit të zhvilluar me pjesëmarrjen e ministrave të financave nga vende të ndryshme, politikëbërës dhe drejtues ndërkombëtarë, pjesëmarrësit diskutuan mbi mënyrat se si vendet mund të shfrytëzojnë potencialin e turizmit, në veçanti atij kulturor dhe të natyrës për të krijuar më shumë vende pune, për të fuqizuar komunitetet, si dhe për të nxitur një rritje të qëndrueshme ekonomike. 
    Gjatë bisedës në panel, me Drejtoreshën e Përkohshme Globale për Mjedisin në Bankën Botërore znj. Genevieve Connors, Ministri Malaj, nënvizoi rrugëtimin e Shqipërisë turistike gjatë viteve të fundit, si dhe transformimin, si një nga destinacionet më dinamikë të Mesdheut. 
    “Në vitin 2014, Shqipëria kishte jo më shumë se 3.6 milionë vizitorë të huaj, ndërsa në vitin 2024 ky numër arriti në rreth 12 milionë. Janë shifra që kanë kontribuar ndjeshëm në rritjen e konsumit, punësimit, rritjen ekonomike, si dhe e kanë bërë Shqipërinë një destinacion gjithnjë e më të kërkuar, unik dhe që reflekton përvojën autentike e të qëndrueshme mesdhetare,” u shpreh Ministri Malaj. 
    Ministri Malaj gjatë prezantimit të tij, theksoi gjithashtu, se turizmi në Shqipëri do të vijojë të jetë një kontribues i rëndësishëm për ekonominë shqiptare, ndërsa vizioni i qeverisë “Shqipëria 2030” do të mundësojë pozicionimin e vendit, si një destinacion udhëheqës në Mesdhe, i turizmit të qëndrueshëm. 
    “Objektivi ynë është të transformojmë Shqipërinë në një destinacion me vlerë të lartë, gjatë gjithë vitit, që ndërthur bukuritë natyrore me infrastrukturën cilësore, autenticitetin kulturor dhe zhvillimin e gjelbër. Deri në vitin 2030 ne parashikojmë të gjenerojmë 6.6 miliardë euro të ardhura vjetore nga turizmi, duke dyfishuar qëndrimet dhe duke reflektuar, si rritjen e cilësisë së shërbimeve, ashtu edhe njohjen ndërkombëtare të Shqipërisë, si një destinacion elitar turistik,” theksoi Ministri Malaj. 
    Kjo ambicie e qeverisë do të mbështetet nga investimet e vazhdueshme në digjitalizim, infrastrukturë, aftësimin e fuqisë punëtore në turizëm, etj, me qëllim për të siguruar që rritja të jetë gjithëpërfshirëse, miqësore me mjedisin, por edhe e integruar, në përputhje me strategjinë e përgjithshme të zhvillimit kombëtar. 
    Ministri i Financave, gjatë fjalës së tij theksoi gjithashtu edhe rëndësinë e partneriteteve strategjikë ndërkombëtarë, veçanërisht të Bankës Botërore, që luajnë një rol thelbësor në mbështetjen ndaj reformave që po ndërmerr Shqipëria e që garantojnë një rritje ekonomike të qëndrueshme.