Ngec turizmi në Shqipëri. Në muajin korrik, sipas INSTAT, kanë hyrë 1.82 milion shtetas të huaj, me një rritje modeste 0.4% në krahasim me një vit më parë.
Ndërkohë, përgjatë 7 muajve të parë të vitit, në vend kanë hyrë 6.58 milion, një rritje prej 3.5%, kur në vitin e kaluar në të njëjtën periudhë rritja ishte 23%. Braktisja e turizmit shqiptar nga turistët e huaj vjen si pasojë e rritjes së çmimeve në jug të vendit, duke zbehur imazhin e Shqipërisë si destinacion me kosto të ulët.
SYRI TV
Turizmi veror në Shqipëri ndodhet në krizë. E teksa spotet qeveritare reklamuan vendin si perlën e Ballkanit, realiteti në terren është krejt tjetër: plazhe boshe, rezervime të pakta dhe pak turistë të huaj. Muaji korrik ka konfirmuar një tendencë të ngadalësuar të turizmit në Shqipëri. Sipas INSTAT, në korrik hynë 1.82 milionë shtetas të huaj, vetëm 0.4% më shumë se një vit më parë — rritja më e ulët e vitit, përveç marsit që pati rënie.
Në 7 muajt e parë të vitit, hyrjet arritën në 6.58 milionë, me një rritje modeste prej 3.5%, krahasuar me 23% vitin e kaluar. Ky ngadalësim lidhet me rritjen e çmimeve, që ka zbehur imazhin e Shqipërisë si destinacion me kosto të ulët. Operatorët turistikë kishin parashikuar një sezon veror të dobët, me rezervime më të ulëta, veçanërisht në zonën Vlorë–Sarandë.
Mungesa më e madhe vihet re nga diaspora dhe turistët nga Kosova. Turizmi i organizuar mbetet i qëndrueshëm, por vlerësimet jo të mira nga turistët e agjencive të huaja mund të ndikojnë negativisht. Pavarësisht investimeve private, sektori përballet me probleme si infrastruktura e dobët, trafiku, mbetjet, zhurmat dhe mungesa e ujit, sidomos në Golem, thotë Monitor. Rritja e çmimeve ka larguar edhe turistët italianë, grupi i dytë më i madh pas Kosovës.
Kosovarët gjithashtu kanë ulur vizitat pas liberalizimit të vizave dhe për shkak të shtrenjtimit të shërbimeve. Kjo tendencë ka sjellë ulje të çmimeve në hotele dhe fushata agresive promovimi.
Në zonat Sarandë, Ksamil, Vlorë dhe Himarë, çmimet ranë me 10–25%, ndërsa Borshi dhe Qeparoi përjetuan rritje për shkak të kërkesës. Durrësi dhe Golemi ofrojnë raportin më të mirë çmim/shërbim. Ndërkohë, shumë shqiptarë po zgjedhin të udhëtojnë jashtë, kryesisht drejt Greqisë. Vetëm në korrik 2025, mbi 782 mijë shtetas dolën nga vendi, një rritje prej 11.1% krahasuar me vitin e kaluar, e ndihmuar nga operatorët ajrorë me kosto të ulët.