foto ilustrim: Belinda Balluku-spak-tuneli i llogarase
TIRANË- Zëvendëskryministrja dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, është marrë zyrtarisht e pandehur nga SPAK, në lidhje me hetimet për tunelin e Llogarasë. Deri më tani, SPAK i ka njoftuar akuzën për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Sipas një dosje penale të shpalosur nga SPAK, Belinda Balluku nën cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, ka ndjekur fazën e tenderit për Tunelin e Llogarasë, që nga faza përgatitore, deri në momentin e lidhjes se kontratës me operatorin ekonomik fitues.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Balluku e kishte të përcaktuar fituesin e tenderit për Tunelin e Llogarasë, bashkimi i Operatorëve Ekonomikë (BOE) “INTEKAR YAPI TURIZM ELEKTRIK” dhe “ASL INSAAT TAAHHUT”. Bashkimi i kompanive turke u shpall fitues i tenderit me ofertë rreth 170 milionë euro.
Një tender fitues me këtë vlerë, ndonëse kishte oferta të tjera shumë herë më vogla, sipas SPAK, ka ndodhur në sajë “të veprimeve të kundërligjshme të Belinda Balluku, nën cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, shtetasit Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, veprime këto, në kundërshtim me ligjin nr. 162/2020 “Për Prokurimin Publik” dhe VKM nr. 285, datë 19.05.2021 “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”.
E gjithë skema është zbuluar nga komunikimet mes Ballukut dhe vartësit të saj, Evis Berberi, përmes aplikacionit Signal, që nuk mund të përgjohet. Por Berberi rezulton t’i kishte ruajtur sms-të që kishte këmbyer me eproren. Sipas SPAK, komunikimet mes tyre kanë vërtetuar se që prej tenderit të parë e deri në firmosjen e kontratës me turqit, Balluku, kishte ‘mbikëqyrur’ çdo hap, deri në shpalljen e tenderit fitues. Berberi ka luajtuar po ashtu një rol kyç, pasi ishte pjesë e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, për tenderin e parë, që më pas u anulua, e deri kur më pas e emëroi në krye të ARSH-së.
Ku nis historia? Që me hapjen me hapjen e tenderit të parë, në dhjetor të vitit 2020. Nga një fond limit prej 190 milionë eurosh, kompania “Gjoka Construction” kishte bërë një ofertë prej 140 milionë. Megjithatë, kjo oferta do të shpallej e papërshtatshme sipas ministres dhe zv.kryeministres, Belinda Balluku. Më pas, kjo e fundit, ka urdhëruar vartësin që të anulojë direkt tenderin.
Bisedë të 18 marsit 2021
Belinda Balluku: Mendoj ta anulojmë, skualifikoji të gjithë.
Evis Berberi: Jam mëse dakord.
Belinda Balluku: Më jep afatet nëse e shpallim nesër….Mbylleni sot me urgjencë.
Evis Berberi: E mbyllëm, sot e ke të mbaruar.
Më pas, Balluku shton: “Kam atë ndjesinë time që nuk duhet”, dhe Berberi vijon: “E ke të fortë ndjesinë. Kur e do?”.
Pas kësaj lëvizjeje, qëllimi ishte hapja e tenderit të dytë që u rihap më 22 qershor 2021, ku në lojë futet kompania turke INTERCAR, e cila nuk kishte aplikuar tenderin e parë. Megjithatë, nga komikimet e zbuluara, Balluku kishte kontaktuar me kompaninë në fjalë, e cila më 1 tetor shpallet fituese nga bashkimi me ASL, me ofertën 170 milionë euro, 30 milionë euro më shumë se oferta që kishte paraqitur shoqëria “Gjoka Konstruksion” sh.a. në procedurën e parë.
SPAK nënvizon në dosje se bashkimi i dy kompanive u shpall fitues në kundërshtim me kriteret e vendosura në dokumentet standarte të tenderit. Bëhet fjalë për kritere, si: mungesa e përvojës në ndërtim urash, mungesa e dokumentit për urdhrat përmbarimorë, dokumentet e papërkthyera dhe të pacertifikuara, mungesë dokumentesh për kontratat e punonjësve, dhe të asaj të makinerive dhe pajisjeve.
Lidhur me shkeljet në tender, pas ish-ministres Belinda Balluku, i është komunikuar akuza edhe kreut të ARRSH-së Gentian Gjyli. Ky i fundit, u zgjodh në krye të ARRSH-së në Mars të vitit 2024, pas arrestimit nga Policia të Evis Beberit. Më herët, Gjyli mbante postin e nëndrejtorit në ARRSH, dhe tashmë prej më shumë se një viti drejton një prej institucioneve më të rëndësishme në varësi të ministres Balluku.
Akuza për tunelin e Llogarasë do t’i komunikohet dhe Evis Beberit, i cili prej më shumë se një viti ndodhet në qeli si dhe drejtorit të KESH, Erald Elezi. Po ashtu Prokuroria e Posaçme, pritet që të marrë të pandehur dhe dy anëtare të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Jashica, të cilët do të akuzohen për shkeljen e barazisë në tendera.
Ndërkohë, numri 2 i qeverisë, Belinda Balluku u paraqit në SPAK të premten e 31 tetorit, ku iu komunikua akuza për shkeljen e barazisë në tenderat publikë, në lidhje me procedurën e ndjekur për shpalljen e kompanisë fituese në tunelin e Llogarasë.
Pasditen e të premtes, Balluku u paraqit në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, teksa pak minuta më vonë vetë Prokuroria dha detaje për hetimin dhe njoftoi zyrtarisht akuzat. SPAK sqaroi se deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, ministrja është marrë në hetim për njërën prej procedurave të prokurorimit për Tunelin e Llogarasë, konkretisht për aksin Orikum-Himarë, pjesë e autostradës (Vlorë-Sarandë), ku janë evidentuar shkelje në zhvillimin e procedurës së tenderimit për këtë aks./ZËRI









